Maqedonia

Sllovenia njeh edhe patentë shoferët e Maqedonisë Veriore

Sipas rregullave të reja, shoferët nga Maqedonia do të jenë në gjendje të ndërrojnë patentat e tyre brenda një viti nga data e regjistrimit të vendbanimit në Slloveni

Sllovenia ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Shoferët, të cilat u lejojnë mbajtësve të lejeve të drejtimit të lëshuara në Maqedoni të zëvendësojnë dokumentin pa dhënë pjesën praktike të provimit, me kusht që të kenë një vendbanim të rregulluar në Slloveni.

Ky vendim, i marrë dje, përfaqëson një lehtësim të konsiderueshëm për qytetarët të RMV-së që jetojnë dhe punojnë në Slloveni, dhe vlen edhe për mbajtësit e lejeve të drejtimit nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova, shkruan Alsat, transmeton albinfo.ch.

Sipas rregullave të reja, shoferët nga Maqedonia do të jenë në gjendje të ndërrojnë patentat e tyre brenda një viti nga data e regjistrimit të vendbanimit në Slloveni. Ata nuk do të duhet të japin pjesën praktike të provimit të drejtimit, por do të duhet të paraqesin ende prova të aftësisë mendore dhe fizike për të drejtuar (certifikatë shëndetësore).

Megjithatë, opozita e kundërshtoi këtë ligj, duke deklaruar se ndryshimi mund të ndikojë në sigurinë në trafik.