Lajme

Lea Ypi nderohet në Vjenë, vlerësohet për kontributin akademik ndërkombëtar

Shkrimtarja shqiptare mbajti leksion presidencial në CEU dhe u nderua me çmim në kuadër të 35-vjetorit të universitetit

Shkrimtarja dhe profesoresha shqiptare me famë ndërkombëtare, Lea Ypi, vazhdon të spikasë si një nga zërat më të rëndësishëm në fushën e teorisë politike dhe filozofisë bashkëkohore, transmeton albinfo.ch. 

Së fundmi, ajo ka mbajtur një leksion presidencial në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU) në Vjenë, ku njëkohësisht u nderua me një çmim në shenjë vlerësimi, në kuadër të 35-vjetorit të këtij institucioni prestigjioz.

 

Lea Ypi

 

Lea Ypi është autore e librave dhe eseve të përkthyera në më shumë se 35 gjuhë, ndërsa punimet e saj kanë marrë vlerësime të gjera në arenën akademike ndërkombëtare.

E lindur në Shqipëri, ajo është profesoreshë e Teorisë Politike në London School of Economics and Political Science (LSE), si dhe anëtare e Akademisë Britanike dhe Akademisë Evropiane.

Libri i saj “Free” (i botuar në Francë me titullin “Enfin libre”) është kthyer në bestseller ndërkombëtar dhe ka sjellë vëmendje të madhe për rrëfimin e saj mbi tranzicionin dhe lirinë. Ndërkohë, në veprën e saj më të fundit “Të poshtëruar”, Ypi trajton tema të thella mbi drejtësinë dhe integritetin moral, duke i ndërlidhur ato me historinë familjare dhe përvojën personale.

Me këtë vlerësim në Vjenë, Lea Ypi konfirmon edhe një herë rolin e saj si një prej figurave më të spikatura shqiptare në botën akademike ndërkombëtare./Albinfo.ch 

 

Lea Ypi