Lajme

Zvicër: Referendum për më pak mish dhe më shumë ushqim vendas

Komiteti i iniciativës “Për ushqim të sigurt” ka nisur fushatën në Zvicër në prag të votimit të 27 shtatorit, duke propozuar ndryshime të rëndësishme në politikën bujqësore të vendit.

Nisma synon të rrisë vetë-mjaftueshmërinë ushqimore nga rreth 50% në të paktën 70% brenda dhjetë vitesh, si dhe të nxisë prodhimin dhe konsumin e ushqimeve me bazë bimore në vend të atyre shtazore. Gjithashtu, ajo synon mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm përmes një strategjie kombëtare dhe reduktimit të ndotjes, transmeton albinfo.ch.

Sipas iniciatorëve, përfshirë Franziska Herren, modeli aktual bujqësor favorizon tepër prodhimin shtazor dhe përdorimin e pesticideve, ndërsa pjesa më e madhe e subvencioneve shtetërore shkon në këtë sektor. Ata paralajmërojnë edhe rreziqe për sigurinë ushqimore në rast krizash globale dhe ndërprerje të importeve.

Qeveria dhe Parlamenti zviceran e kanë kundërshtuar iniciativën, duke e cilësuar atë jorealiste, ndërsa kundërshtarët e saj kanë nisur tashmë fushatën kundër saj.

Votimi përfundimtar pritet të mbahet më 27 shtator.