Kosova

Nga Zvicra në Kosovë, çifti i ri ndërton kampingun e ëndrrave në mes të natyrës

Lora dhe bashkëshorti i saj lanë jetën në Zvicër për t’u kthyer në Kosovë, ku ngritën një kamping familjar që sot mirëpret vizitorë nga vende të ndryshme.

Një histori frymëzuese rikthimi vjen nga një çift i ri shqiptar, i cili vendosi të largohej nga Zvicra për të ndërtuar një jetë të re në Kosovë. Lora, 23 vjeçe, së bashku me bashkëshortin dhe djalin e tyre, morën vendimin për t’u rikthyer në vendlindje dhe për të investuar në një biznes familjar të lidhur ngushtë me natyrën, transmeton albinfo.ch.

Në pronën e familjes, ata krijuan një kamping modern, i cili sot mirëpret vizitorë vendas dhe të huaj, duke ofruar një përvojë të veçantë mes natyrës së Kosovës.

Në një intervistë për median zvicerane 20 Minuten, Lora tregon se largimi nga Zvicra ishte një vendim i vështirë, por që nuk e kanë vënë asnjëherë në dyshim.

“Nuk jemi penduar asnjë ditë.”

Sipas saj, jeta në Kosovë u ka sjellë më shumë qetësi, më shumë kohë me familjen dhe një mjedis të shëndetshëm për rritjen e djalit të tyre, pranë gjyshërve dhe natyrës.

Për ta bërë realitet projektin e tyre, familja investoi shumë punë dhe përkushtim. Ata ndërtuan vetë infrastrukturën bazë të kampingut, duke përfshirë rrjetin e ujit, energjinë elektrike dhe kanalizimet. Sot, kampingu ofron hapësira për kampistë, shtëpiza për akomodim, si dhe një shtëpi prej druri të përshtatur edhe për persona me aftësi të kufizuara.

Edhe pse të ardhurat aktualisht po investohen kryesisht në zgjerimin e projektit, interesi i vizitorëve është gjithnjë në rritje. Lora shprehet e bindur se familja e saj ka marrë vendimin e duhur dhe se e ardhmja e biznesit duket premtuese.

Historia e tyre, e cila është bërë virale edhe në Zvicër, dëshmon se rikthimi në Kosovë mund të jetë jo vetëm një zgjedhje e zemrës, por edhe një mundësi për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme dhe një biznes të suksesshëm./Albinfo.ch