Storje Suksesi

Vula e Ekselencës, si shndërrohet një diplomë e Kosovës në Licencë Auditimi në Zvicër

Jeton Zena ndan përvojën e tij të çmuar, këshilla praktike dhe një mesazh të fuqishëm motivimi për të gjithë profesionistët shqiptarë që synojnë tregun zviceran të punës

Pasi përfundoi me sukses procesin kompleks të njohjes së diplomës dhe licencimit si auditor i pasqyrave financiare në Zvicër, Jeton Zena rrëfen për albinfo.ch sfidat, sakrificat dhe hapat strategjikë që e çuan drejt ushtrimit të profesionit në një prej sistemeve më rigoroze financiare në Evropë. Përmes kësaj interviste, ai ndan përvojën e tij të çmuar, këshilla praktike dhe një mesazh të fuqishëm motivimi për të gjithë profesionistët shqiptarë që synojnë tregun zviceran të punës.

Njohja e kualifikimeve akademike dhe licencimi profesional mbeten ndër sfidat kryesore për diasporën shqiptare me formim universitar në Kosovë dhe rajon. Në profesione të rregulluara si auditimi, njohja e diplomës është vetëm hapi i parë. Ushtrimi i profesionit kërkon plotësimin e standardeve ligjore, profesionale dhe gjuhësore të sistemit zviceran. Përvoja e Jeton Zenës dëshmon se ky proces, sado kërkues, është i përballueshëm me përgatitje të mirë dhe përkushtim

Intervista

 albinfo.ch Çfarë përfaqëson ky licencim për karrierën tuaj dhe si lindi ky synim?

Jeton Zena: Ky rezultat është një dëshmi e faktit se formimi profesional në Kosovë ka kapacitet të plotë për të përmbushur standardet e një sistemi jashtëzakonisht rigoroz si ai zviceran. Më shumë se një arritje personale, unë e shoh këtë si një mesazh motivues për kolegët dhe profesionistët shqiptarë: me përkushtimin e duhur, barrierat institucionale janë të kapërcyeshme. Edhe pse isha i vetëdijshëm që diplomat tona nuk njihen automatikisht dhe pavarësisht skepticizmit të rrethit apo sugjerimeve për të ndryshuar orientim karriere, vendosa të ndjek rrugën ligjore dhe institucionale. Sot, ky rezultat konfirmon se informimi i saktë dhe këmbëngulja shpërblehen gjithmonë.

albinfo.ch Çfarë ju motivoi të vazhdonit dhe si funksionoi konkretisht procesi administrativ?

Jeton Zena: Mbi 15 vite përvojë solide në financa dhe auditim, si dhe investimi im i vazhdueshëm në arsimim dhe specializim, më jepnin bindjen se kualifikimi im kishte vlerë reale edhe për tregun zviceran. Dorëzimi nuk ishte kurrë një opsion. Procesi nisi me analizimin e sistemit zviceran, ku kuptova qartë dallimin mes profesioneve të rregulluara dhe atyre të parregulluara. Fillimisht, diploma universitare u validua nga autoritetet federale. Megjithatë, për licencën e auditorit, kjo nuk mjaftonte; m’u desh të kaloja pesë provime shtesë, të fokusuara tërësisht në legjislacionin, të drejtën tregtare dhe rregulloret financiare zvicerane.

albinfo.ch: Sa kohë zgjati ky rrugëtim dhe cilat ishin sfidat më të mëdha përgjatë tri viteve?

Jeton Zena: I gjithë procesi zgjati rreth tre vite, duke përfshirë validimin, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe periudhën intensive të provimeve. Sfida kryesore ishte padyshim orientimi i saktë në burokracinë zvicerane, përvetësimi i terminologjisë së specifikuar profesionale dhe mbi të gjitha, menaxhimi i kohës për të balancuar punën, studimet e ngjeshura dhe jetën familjare. Edhe kostot financiare si dhe procedurat administrative kërkonin një dozë të lartë durimi. Në këtë rrugëtim ka pasur edhe momente të vështira ku kam menduar të tërhiqem, pot mbështetja e pakursyer e familjes dhe orientimi i çmuar i bashkatdhetarit tim, Norgon Berisha, më ndihmuan të mbeta i fokusuar te objektivi final. Kur pranova licencën, ndjeva se çdo sakrificë shumëvjeçare mori vlerën e duhur.

albinfo.ch Sa përcaktuese ishte përvoja juaj paraprake dhe njohja e gjuhëve zyrtare?

Jeton Zena: Përvoja e fituar në Kosovë ishte një aset i jashtëzakonshëm. Edukimi dhe certifikimi pranë SCAAK (Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës) diplomë e cila mund te them lirisht eshte nje pasaporte europiane, së bashku me përvojën 15-vjeçare në auditim sipas standardeve ndërkombëtare, formuan një bazë solide që lehtësoi integrimin tim. Nga ana tjetër, zotërimi i gjuhës është absolutisht thelbësor. Në rastin tim, frëngjishtja ishte vendimtare për kalimin e provimeve shtesë dhe komunikimin profesional, ndërsa njohuritë në gjermanisht dhe italisht luajtën një rol kyç në integrimin tim të përgjithshëm në tregun zviceran.

albinfo.ch Cilat janë mësimet më të mëdha që morët nga sistemi zviceran dhe cilat janë gabimet që bëjnë shpesh bashkatdhetarët tamë?

Jeton Zena: Sistemi zviceran më mësoi se profesionalizmi i vërtetë ndërtohet mbi tri shtylla: disiplinën, transparencën absolute dhe respektimin rigoroz të rregullave. Këtu besimi fitohet hap pas hapi me punë, dhe çdo vendim bazohet në procedura të qarta. Sa i përket gabimeve, kam vënë re se shumë profesionistë shqiptarë, sapo mbërrijnë në Zvicër, pranojnë punë jashtë profilit të tyre për arsye ekonomike afatshkurtra dhe e neglizhojnë apo e ndërpresin procesin e njohjes së diplomës. Kjo i largon ata gradualisht dhe në mënyrë të pakthyeshme nga karriera për të cilën janë shkolluar. Integrimi profesional dhe ai social duhet të ecin paralelisht; suksesi kërkon përshtatje mes kulturën zvicerane të punës dhe ndërtim të besimit reciprok.

 albinfo.ch Si mund të shërbejë rasti juaj si model dhe çfarë rekomandoni për institucionet dhe të rinjtë shqiptarë?

Jeton Zena: Besoj se rrugëtimi im dëshmon se me një qasje të strukturuar, licencimi është i mundur edhe në sektorët më të rregulluar. Për institucionet në Kosovë, do të sugjeroja rritjen e bashkëpunimit me autoritetet homologe zvicerane për të nënshkruar marrëveshje që lehtësojnë njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve. Ndërsa mesazhi im për të rinjtë dhe profesionistët që ende nuk e kanë nisur këtë proces është: Mos humbni kohë! Njohja e diplomës është hapi i parë dhe investimi më i sigurt për të ardhmen tuaj. Mos kini frikë nga sfidat dhe besoni në potencialin tuaj; me punë dhe përgatitje, mund të arrini standardet më të larta kudo në botë.

albinfo.ch Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen? A do të jeni një pikë referimi për të tjerët?

Jeton Zena: Synimi im është të vazhdoj zhvillimin profesional në sferën e auditimit dhe financave në Zvicër, duke kontribuar në nivelet më të larta. Po ashtu, jam plotësisht i gatshëm të shërbej si pikë referimi, duke ndarë përvojën time dhe duke ofruar orientim praktik e mentorim për të gjithë ata profesionistë shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin të njëjtën rrugë.

 Kontakt për Orientim dhe Këshillim Profesional

Duke qenë se procesi i njohjes së diplomave dhe licencimit në Zvicër është kompleks, Jeton Zena ofron mbështetjen dhe udhëzimin e tij praktik për të gjithë të interesuarit.

  • E-mail: [email protected]
  • Telefon / WhatsApp: (+41 76 221 43 01)
  • QR Code: (Skenoni kodin e bashkëngjitur për qasje të shpejtë në informacione)