Lajme

Të nxehtit në Zvicër po merr më shumë jetë sesa aksidentet rrugore

Në nivel evropian, situata është edhe më alarmante. Vlerësohet se nxehtësia shkakton mesatarisht mbi 175 mijë vdekje çdo vit në Evropë, ndërsa valët e fundit të të nxehtit kanë rritur ndjeshëm numrin e viktimave në shumë vende të kontinentit

Temperaturat ekstreme po shndërrohen në një nga rreziqet më të mëdha për shëndetin publik në Zvicër.

Sipas të dhënave të publikuara së fundmi, vala e të nxehtit tashmë shkakton më shumë viktima sesa aksidentet në komunikacion.

Gazeta zvicerane Le Temps raporton se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 326 vdekje të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa në të njëjtin vit aksidentet rrugore morën jetën e 250 personave, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë se të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe grupet më të cenueshme janë më të rrezikuarit gjatë periudhave me temperatura ekstreme. Nxehtësia e madhe rrit ngarkesën mbi sistemin kardiovaskular dhe atë respirator, duke shtuar rrezikun për komplikime serioze dhe vdekje.

Në nivel evropian, situata është edhe më alarmante. Vlerësohet se nxehtësia shkakton mesatarisht mbi 175 mijë vdekje çdo vit në Evropë, ndërsa valët e fundit të të nxehtit kanë rritur ndjeshëm numrin e viktimave në shumë vende të kontinentit.

Autoritetet shëndetësore në Zvicër u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe t’i kushtojnë vëmendje të veçantë të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore, pasi nxehtësia po rezulton një kërcënim gjithnjë e më serioz për jetën.