Shqipëria

Shqipëria thyen rekord historik të trafikut ajror

Eurocontrol: Gjatë javës 13–19 korrik u regjistrua numri më i lartë i fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare.

Shqipëria ka shënuar një rekord të ri në trafikun ajror, duke regjistruar numrin më të lartë historik të fluturimeve mbi hapësirën e saj ajrore gjatë javës 13–19 korrik, sipas raportit të fundit të Eurocontrol-it.

Raporti bën të ditur se edhe Qendra e Kontrollit Ajror të Tiranës (Tirana ACC) ka arritur nivelin më të lartë të trafikut të menaxhuar që nga themelimi i saj, duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të aktivitetit ajror në vend.

Sipas Eurocontrol-it, rritja e trafikut në Shqipëri është ndikuar jo vetëm nga sezoni turistik veror, por edhe nga ndryshimet në itineraret ajrore për shkak të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme. Kjo ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e fluturimeve të zhvendosen drejt korridoreve ajrore që kalojnë mbi Ballkanin Perëndimor.

Përveç Shqipërisë, nga kjo rishpërndarje e trafikut kanë përfituar edhe Kroacia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovenia dhe Qipro.

Ndërkohë, rrjeti evropian i aviacionit vazhdon të shënojë nivele rekord. Gjatë javës së kaluar u regjistruan mesatarisht rreth 36 mijë fluturime në ditë, ndërsa të premten u arrit numri më i lartë ditor i fluturimeve në historinë e rrjetit evropian.

Sipas Eurocontrol-it, këto zhvillime tregojnë se hapësira ajrore shqiptare po fiton një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në rrjetin evropian të navigimit ajror.