Jeta në Zvicër

Rekord në Zvicër, dronët shpëtojnë 7.590 këlyshë drerësh nga makinat kositëse

Falë përdorimit të dronëve me kamera termike, këtë vit në Zvicër u shpëtuan 7.590 këlyshë drerësh nga makinat kositëse, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Vullnetarët në mbarë Zvicrën kanë shpëtuar një numër rekord prej 7.590 këlyshësh drerësh gjatë sezonit të kositjes së livadheve, falë përdorimit të dronëve të pajisur me kamera termike. Ky është rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë në vend dhe mbi një mijë më shumë se vitin e kaluar.

Operacioni u zhvillua nga prilli deri në korrik, kur rreth 800 ekipe vullnetare fluturuan me dronë mbi livadhe në orët e hershme të mëngjesit. Kamerat termike bënë të mundur zbulimin e këlyshëve të fshehur në bar, të cilët fermerët nuk mund t’i shohin gjatë kositjes.

Pasi lokalizohen, këlyshët largohen përkohësisht nga zona ose shënohen, në mënyrë që fermerët të mund të vazhdojnë punën pa i rrezikuar. Pas përfundimit të kositjes, kafshët rikthehen në habitatin e tyre natyror.

Sipas organizatorëve, teknologjia me dronë ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën e mbrojtjes së faunës së egër në Zvicër. Çdo vit gjithnjë e më shumë fermerë dhe vullnetarë i bashkohen kësaj nisme, duke ulur ndjeshëm numrin e këlyshëve që humbin jetën gjatë sezonit të kositjes,përcjell albinfo.ch.

Autoritetet dhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve e cilësojnë këtë rezultat një sukses të rëndësishëm për ruajtjen e biodiversitetit dhe një shembull të mirë të bashkëpunimit mes teknologjisë, fermerëve dhe vullnetarëve.