Kosova

Akuza për dhunë seksuale e skllavërim të grave në Siri e Irak ndaj një kosovari

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit kosovar me inicialet M.D. për “Krim kundër njerëzimit” e “Shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.

Akuzat ndërlidhen me veprat penale të bëra në territorin e Sirisë dhe të Irakut në periudhën 2014-2017 dhe pretendohet se viktima janë gratë e komunitetit jazid.

Në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale në Kosovë, të dielën, është kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Është folur edhe për rastin në Siri e Irak.

Feride Rushiti, drejtoreshë e  Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e ka mirëpritur ngritjen e kësaj aktakuze, që është e para për Prokurorinë Speciale për krime kundër njerëzimit që kanë ndodhur jashtë Kosovës.

Ajo tha se kryefjala për viktimat e dhunës seksuale gjithandej nëpër botë është drejtësia.

“Si organizatë ne kemi bashkëpunim të ngushtë jo vetëm me gratë jazidi, gratë e mbijetuara të dhunës seksuale të jazidit, por edhe të Sirisë. Natyrisht, jo vetëm për to por për të gjitha të mbijetuarat anembanë botës që e kanë përjetuar këtë krim drejtësia është qenësore. Jo rastësisht çdo grua që vjen në organizatë thotë se pa drejtësi nuk ka qetësi në shpirtin tonë. Prandaj edhe kjo aktakuzë e ngritur mendoj që do të vërë një paqe dhe drejtësi për të gjitha ato gra dhe vajza të cilat për muaj të tërë janë mbajtur të skllavëruara në kampe të caktuara dhe janë dhunuar masivisht”, ka thënë Rushiti.

Iraku dhe Siria, vendet për ku Prokuroria pretendon se M.D. ka kryer krime kundër njerëzimit, janë shtete që nuk e njohin Kosovën.

E gjatë kësaj jave në Kosovë po qëndron një delegacion politik nga Iraku që në përbërje ka edhe pjesëtarë të ekzekutivit.

Meqë njohja mund të jetë edhe pengesë për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, Rushiti është shprehur se do të shkëmbejnë edhe kërkesa në takimet me delegacionin irakian.

“Mendojmë që edhe në këtë fushë do të shkëmbejmë përvoja, kërkesa dhe duhet ta shohim mënyrën më të mirë se si mund t’i ndihmojmë viktimat jo vetëm në Kosovë, por ngado që ato ballafaqohen me padrejtës”, ka thënë ajo.

Burimet e KOHËS kanë thënë viktima janë pesë vajza të komunitetit jazid që janë propozuar të dëshmojnë në këtë rast.

OKB-ja në vitin 2021 konstatoi se ndaj jazidëve, komunitet i veçantë fetar, që ISIS-i e shihte si të pafe, është kryer gjenocid. Gjykime e aktgjykime dënuese për ish-pjesëtarë të ISIS-it ka pasur edhe në Gjemani.

Tanya Mehra, hulumtuese e lartë dhe drejtuese programesh në Qendrën Ndërkombëtare për Antiterrorëm në Hagë (The International Centre for Counter-Terrorism – ICCT), ka thënë se së fundi ka rritje të numrit të shteteve evropiane që gjykojnë raste të krimeve ndërkombëtare, si gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Siri dhe Irak.

“Deri më tani kemi 85 raste në Evropë. Kjo shifër përfshin aktakuza, arrestime, aktgjykime të formës së prerë e edhe lirim të të pandehurve. Posaçërisht aktive kanë qenë Suedia, Gjermania dhe Holanda. Në shumicën e shteteve aktakuzat janë për pjesëmarrje në grup terrorist dhe një prej krimeve ndërkombëtare bazë, që mund të përfshijë plaçkitje, vrasje e dhunë me bazë gjinore – siç është dhunimi”, është shprehur Mehra.

Sipas saj, në Francë janë dy burra nën hetim për gjenocid ndaj jazidëve. Në Gjermani është dënuar Jalda A. me 5 vjet e gjashtë muaj burgim për krime kundër njerëzimit, përfshirë edhe për skllavëri e ndihmë në kryerjen e dhunimit. Një rast tjetër i aktgjykimit dënues në Gjermani, sipas saj, është ai i Omaima, e dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim.

“Onima A. shtetase gjermane, udhëtoi në Siri më 2015 bashkë me tre fëmijët e saj të mitur e burrin, me qëllim që t’i bashkohej ISIS-it. Gjatë kohës sa ishin në zonë të kontrolluar prej ISIS-it, bashkëshorti i Omaima A. u bë luftëtar i ISIS-it dhe ajo ishte amvise. Ajo përdori një vajzë 13-vjerçare dhe një grua jazide që e kishte skllavëruar shoqja e saj dhe bashkëpjesëtarja e ISIS-it Sarah O.”, ka thënë Mehra.

Sipas Merhas, sfidë kryesore në këto procese gjyqësore është çështja e provave.

“Sfidë kryesore është mbledhja e provave që nënkuptohen në dhunim dhe skllavërim. Në disa raste viktimat kanë dëshmuar para gjykatës. Në disa të tjera Prokurorisë i duhet bashkëpunimi ndërkombëtar për të siguruar prova materiale. Në disa raste, prokurorët mund të përdorin ‘provat nga fushë-beteja’ (prova të mbledhura prej forcave ushtarake v.j.)”, ka thënë Mehra.

Rasti i të pandehurit M.D. sipas saj do të përcillet me interes edhe nga Qendra Ndërkombëtare për Antiterrorëm në Hagë (ICCT).

“Do të jetë shumë interesante të shohim se cilat janë provat në të cilat Prokuroria do të mbështetet për t’i vërtetuar këto krime dhe nëse Prokuroria do ta shtojë në akuzat ndaj M.D. edhe pjesëmarrjen në grup ndërkombëtar të armatosur (luftë jashtë vendit v.j.)”, ka theksuar Mehra.

Organizata që e udhëheq jazidja Nadia Murad, Nadia’s Initiative (NI), vetë e mbijetuar e dhunës seksuale, e që është bërë shembull për fuqizimin e grave në nivel global, vlerëson se mbi 400.000 jazidë u detyruan të iknin prej rajonit të Kurdistanit në Irak në gusht të vitit 2014.

“ISIS-i ndërmori fushatë të spastrimit etnik të jazidëve”, thuhet në faqen e kësaj organizate. Sipas Nadia’s Initiative, mbi 5000 gra e fëmijë jazidë janë skllavëruar. 150.000 veta vlerësohen të jenë të zhdukur, e vetëm në Irakun verior janë zhvendosur 200.000 persona – ku shumica prej tyre, sipas kësaj organizate, ballafaqohen me sfida pas rikthimit të tyre nëpër shtëpi./Koha.net