Kosova

Albin Kurti: Do t’i kemi veç 12 ministri e 26 zëvendësministra

Albin Kurti ka vendosur të ndryshojë krejtësisht prej Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Kadri Veselit e Behgjet Pacollit kur vjen puna të numri i ministrave dhe zëvendësministrave. Kandidati për Kryeministër ka thënë se për dallim prej keqqeverisje së PAN-it, koalicionit me LDK-në do të ketë vetëm 12 ministri. Ka premtuar se do të jenë vetëm 26 zëvendësministra.

“U dakorduam që t’i zvoglojmë ministritë nga 21 sa kanë qenë në keqqeverisjen e kaluar, t’i sjellim diku në 12. Por, edhe të mos jenë më shumë se një e treta e zëvendësministrave nga keqqeverisja e kaluar dyvjeçare, të mos jenë rreth 80 prej tyre, por një e treta e asaj çfarë kishim. Gjithashtu u dakorduam që 30 për qind edhe të ministrave dhe të zëvendësministrave të jenë gra në kuadër të përpjekjeve tona për barazi gjinore”, ka thënë Albin Kurti për AAK, duke komentuar takimin me Vjosa Osmanin e Isa Mustafën, përcjell albinfo.ch.

Me gjithë kundërshtimin që ka për idenë e shkëmbimit të territoreve, Kurti thotë se ai do ta udhëheqë dialogun me Serbinë dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por shton se pjesë e ekipit negociator do të jetë edhe opozita e ardhshme e vendit. “Me mua si kryeministër i Kosovës do të fillojmë qysh në javën e parë dialogun me serbët e Kosovës nga poshtë lart, për zhvillim, për integrim shoqëror. Kjo është një gjë tjetër, e pranoj. Por, do ta fillojmë, sepse asnjë kryeministër deri më sot nuk e ka bërë këtë”, thotë ai, duke shtuar se pas kësaj do ta bëjë bilancin e 33 marrëveshjeve të deritanishme që janë nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë përgjatë dialogut gjashtëvjeçar 2011-2017 në Bruksel, për të parë se sa janë zbatuar këto marrëveshje dhe cili ka qenë ndikimi i tyre.