Lajme

Ambasadori Gjoni, mesazh në 50 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Zvicër

Ilir Gjoni, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane është paraqitur me një mesazh në 50 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të Shqipërisë dhe Zvicrës

Një nga cilësitë më të bukura të miqësisë së vërtetë është të kuptosh dhe të kuptohesh. Ne ja kemi dalë mbanë kësaj. Ky 50 vjetor jo vetem na jep mundësinë të shohim marrëdhëniet tona përmes lenteve të historisë, po çka është më e rëndësishme na jep mundësinë të përcaktojmë tonin dhe drejtimin për të ndërtuar, thelluar dhe zgjeruar më tej marrëdhëniet për vitet në vijim. Ky 50 vjetor është një mundësi për ne për të reflektuar mbi këtë udhëtim të përbashkët dhe për të parë me besim drejt të ardhmes. Pesëdhjetë vitet e kaluara kanë treguar se forcimi i miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Zvicrës jo vetëm që ka sjellë përftime konkrete për të dy popujt, por po ashtu ka kontribuar në stabilitetin e rajonit të BP, bashkëpunimin dhe zhvillimin në këtë rajon.

Realiteti është se përpjekjet e Shqipërisë për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor, për ndërtimin dhe fuqizimin e vendit nuk mund të ishin këto që janë pa mbështetjen e çmuar të Zvicrës dhe popullit zviceran që ka shoqëruar zhvillimet demokratike sidomos pas viteve ’90. Ndihma dhe bashkëpunimi i qeverisë dhe popullit zviceran kanë luajtur një rol vendimtar në konsolidimin e institucioneve demokratike. Përmes Strategjive të njëpasnjëshme për Zhvillim dhe programeve të ndihmës që janë zbatuar përmes këtyre Strategjie, vendi ynë ka mundur të forcojë institucionet demokratike, parlamentin, pushtetin lokal si dhe të përmirësojë ndjeshëm inftrastrukturën, si atë energjitike, rrugore etj.

Përtej Strategjive për Zhvillim, lidhja mes dy popujve gjen shprehjen më të qartë sidomos në momente të vështira. Ne nuk mund të rrimë pa përmendur ndihmën e mënjëhershme e bujare të popullit e qeverisë zvicerane duke ju gjendur pranë popullit shqiptar pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe për të cilën ne do të jemi gjithmonë mirënjohës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mbështetjen që qeveria zvicerane dha për institucionet tona të shëndetësisë gjatë periudhës së tanishme të pandemisë.

Kultura politike zvicerane që bazohet në dialog, ndarje të pushteteve, vendimmarrje konsensuale, pjesmarrje e gjërë politike e popullit, ofron receta të vlefshme për të ecur përpara në konsolidimin e lirive, paqes e stabilitetit sidomos në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor. Modeli aktual zviceran i cili buron nga një sistem dikur i një shoqërie të fragmentuar me një larushi gjuhësh, kulturash dhe feshë, është një model që parapëlqehet dhe ëndërrohet nga vende si Shqipëria dhe të tjera të rajonit tonë.

Pa dyshim një vektor bartës i vlerave të të dyja vendeve dhe një pasuri e çmuar për të dyja vendet është komuniteti i madh shqiptar që jeton e punon në Zvicër. Nuk ka dyshim se kontributi i diasporës shqiptare në këtë marrëdhënie është i patjetërsueshëm dhe ka shërbyer e shërben si urë lidhëse mes dy popujve dhe vendeve tona. Komuniteti shqiptar është një komunitet i mirëintegruar që sjell një vlerë të shtuar në shoqërinë zvicerane, por dhe çka është tepër e rëndësishme edhe përcjell ndjeshëm vlerat e Zvicrës në shoqërinë tonë. Ne i jemi mirënjohës komunitetit shqiptar për kontributin që jep për lartësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve ku përmes punës, mundit, vlerave që mbart, përcjell në shoqërinë e këtushme ato vlera të spikatura të shqiptarëve për të cilat ne ndihemi krenarë.

Le ta festojmë të gjithë këtë 50 vjetor miqësie e të punojmë bashkarisht për 50 vitet e ardhshme.

Ilir Gjoni, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI