Lajme

BE synon të krijojë një forcë mbrojtëse për reagim të shpejtë

Ministrat evropianë të Mbrojtjes diskutuan sot krijimin e një force reagimi të shpejtë, pasi tërheqja e SHBA-së nga Afganistani ngriti vetëdijen për hapësirën e kufizuar të BE-së për manovrim.

Ditët e fundit, janë shtuar thirrjet që blloku i të 27-vë të zhvillojë kapacitetin e tij të përbashkët ushtarak, për t’iu përgjigjur shpejt krizave, pas skenave të kaosit në aeroportin e Kabulit pas marrjes së pushtetit nga talebanët.

“Është e qartë se nevoja për mbrojtje më të madhe evropiane nuk ka qenë kurrë më e qartë se sot, pas ngjarjeve në Afganistan”, tha kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në fillim të takimit në Kranj, Sllovenia veriore, transmeton Afp, përcjell Albinfo.ch.

“Ndonjëherë ndodh diçka që krijon një përparim dhe unë mendoj se ngjarjet e kësaj vere në Afganistan janë pjesë e saj”, shtoi ai.

Ministrat e BE-së do të rishqyrtojnë një propozim, i paraqitur për herë të parë në maj, për të krijuar një forcë prej 5 000 trupash, si pjesë e një rishikimi të strategjisë së mbrojtjes të BE-së që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.