Kosova

Blerja e valutave virtuale në të ‘zezën’ trend në Kosovë

E përkundër rënies së vlerës së kriptovalutave, trendi i përdorimit të tyre vazhdon. Ajo që zgjon interesim tek qytetarët është se si të blihen ato përmes debit kartelave

Përkundër asaj se kriptovalutat mund të blihen në mënyrë të rregullt dhe me debit kartela, në Kosovë pjesa më e madhe e shkëmbimeve bëhet në dorë, ose në të “zezën”.

Kështu ka deklaruar inxhinieri Ermal Sadiku në një intervistë për KosovaPress, ku ka thënë se në Kosovë janë rreth 150 kompani të ndryshme të cilat janë të interesuara, ose e pranojnë bitcoin-in si mjet këmbyes, përcjell albinfo.ch.

E përkundër rënies së vlerës së kriptovalutave, trendi i përdorimit të tyre vazhdon. Ajo që zgjon interesim tek qytetarët është se si të blihen ato përmes debit kartelave.

Por, Sadiku thotë se pak njerëz janë të informuar se blerja e kriptovalutave me kartë debiti kushton rreth 5 përqind më shtrenjtë.

Mes tjerash, ai tregon se në këtë drejtim paraqiten disa probleme, pasi që platformat e mëdha nuk e njohin Kosovën si shtet, teksa rrëfen një nga mënyrat se si mund të blihen kriptovalutat.

“Po munden me u ble sepse kriptot dhe valutat e tjera nuk janë të lidhura me një shtet të caktuar. Nuk është lehtë sepse këto platformat e mëdha ‘online’ nuk po e njohin Kosovën si shtet, sepse po kemi probleme të ndërlidhjes të problemeve tona bankare me ato ‘ex-changed’ e jashtme, por ekziston mënyra me i ble me dashtë. Është ‘pdo’ ku aty ke mundur me ble me kartela bankare të Kosovës. Zakonisht çmimet janë më të larta kur blenë kështu me kartelë, së paku 4-5 përqind më të larta se në treg normal. Periudha më e mirë për të investuar, për të blerë bitcoin, është kur botcoin është lirë dhe periudha më e mirë për me shitë është kur bitcoin është shtrenjtë”, tha ai.

E një tjetër mënyrë për të blerë kriptovaluta, sipas tij, janë trasferet bankare.

“Një mënyrë tjetër se si po blihen këto kripto është se bëhen transfere bankare. Do të thotë shkon në ‘Pro Credit’ e bënë një transfer bankar në një ‘ex-change’ të caktuar, për shembull në kraken dhe pastaj i ke të ruajtura aty, të dalin si euro dhe aty mund të shkëmbesh me çmime shumë më të mira. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për ata që e blejnë. Zakonisht transferi zgjat 1 ditë sa kam dëgjuar, por prapë se prapë, blerja e valutave në dorë, që i themi ne në të ‘zezën’ vazhdon të mbetet sasia më e madhe e shkëmbimit”, u shpreh ai.

Përkundër asaj se njerëzit e shohin kripto-valutën si mjet shkëmbimi, për të blerë ose për të shitur, Sadiku thekson se përdorimi i tyre shkon përtej kësaj.

Për të kryer transaksione dhe për të blerë kriptovaluta në mënyrë elektronike, Granit Kadolli, njohës i kësaj fushe, ka shpjeguar për KosovaPress se kartelat bankare duhet të jenë patjetër debit karta.

Ai sqaron se për t’i hyrë këtij procesi së pari duhet deponuar mjetet e parapara për investim në llogarinë e hapur në kraken, ku më pas, aty mund të shndërrohen në kripto, ose edhe të transferohen diku tjetër.

Ai rrëfen se në Kosovë për çështje të ndryshme fillimisht është ndaluar bitcoin, teksa më pas është lëshuar. Kadolli shpjegon se edhe vet ka blerë kripto-valuta përmes sistemit bankar.

Ndërkaq, Banka Qendrore e Kosovës para disa ditësh, përmes një komunikate ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur më 26 shkurt 2018 ka themeluar një organ të përhershëm për vlerësimin dhe adresimin e sfidave rregullative lidhur me paratë virtuale, i cili do të përcjellë dhe analizojë zhvillimet ndërkombëtare për rregullimin e parave virtuale,

BQK-ja ka u ka tërhequr vëmendjen subjekteve vendore lidhur me rreziqet për humbjet financiare që mund t’i pësojnë nga investimi në para virtuale, si dhe lidhur me implikimet e tjera të mundshme.