AT Balkani

Bruksel: Kurti pajtohet që dialogu Kosovë-Serbi të rinisë në qershor

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmuan se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të rinisë para fundit të qershorit, shkruajnë mediat kosovare.

Vlen të theksohet se Josep Borrel tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë, ndërsa Albin Kurti, tha se dialogu nuk do të neglizhohet nga Prishtina zyrtare.

Ndërkohë këto deklarata kryeministri i Kosovës, Kurti, dhe shefi i diplomacisë evropiane, Borrel, i bënë në një konferencë të përbashkët për medie në Bruksel, në kuadër të vizitës së parë zyrtare të kryeministrit kosovar në kryeqendrën evropiane.

Borell, i gatshëm të ndihmojë të rinjtë në pushtet në Prishtinë

“Rruga evropiane e Kosovës shkon nëpërmjet dialogut, nuk ka rrugë tjetër, alternativë tjetër. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është esenciale për të ecur drejt perspektivës evropiane, pa këtë, rruga do të bllokohet. Për këtë e udhëzova z. Kurti që të angazhohet në mënyrë konstruktive në këtë dhe ai e ka kuptuar personalisht. Unë dhe ekipi im, përfshirë përfaqësuesin e lartë Mirosllav Lajçak, jemi të gatshëm të ndihmojmë përfaqësuesit e rinj të Kosovës të familjarizohen me procesin që po ndodh”, tha Josep Borrell pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas tij, dialogu nuk do të jetë i lehtë, por është për përfitime të qytetarëve në Kosovë e Serbi dhe për gjithë Ballkanin. Josep Borrel tha se ky proces duhet të ecë shpejt me një takim të parë të nivelit të lartë.

Kurti kupton rëndësinë e dialogut dhe premton angazhim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij e konfirmoi se do të angazhohet në dialogun Kosovë-Serbi, i cili, sipas tij, duhet përgatitur mirë.

“Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në Kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në majdhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut. Dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ne”, tha Albin Kurti.

Dokumente fantomë

Edhe kryeministri i Kosovës edhe shefi i diplomacisë evropiane u pyetën nga gazetarët rreth dokumentit non-paper i publikuar ditët e fundit në mediet ballkanike, ku përmendet mundësia e ndryshimit të kufijve dhe një autonomi për serbët e Kosovës. Josep Borrel, mohoi të ketë pranuar ndonjë nga “non-paper” dhe tha se ai duhet të merret vetëm me dokumente të vërteta, ato të vendosura në tryezën e dialogut.

NATO mbështet rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi

Kryeministri Kosovar në Bruksel takoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se NATO mbështet përpjekjet për të rifilluar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu mbetet mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor”, tha Stolenberg. Gjatë ditës se enjte, kryeministri Kosovar takon edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi. Mbrëmjen e një nate me parë, Albin Kurti u takua edhe me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI