Autostradat zvicerane drejt zgjerimit, planet e qeverisë kundër kolonave

Zvicra po përgatitet për masa të reja infrastrukturore me qëllim uljen e bllokimeve të shpeshta të trafikut, veçanërisht në autostradat pranë qendrave urbane. Qeveria federale ka identifikuar disa segmente kritike ku do të ndërhyhet në vitet e ardhshme, përcjell albinfo.ch.

Disa autostrada në Zvicër, sidomos ato që kalojnë pranë qyteteve të mëdha, janë më të ekspozuara ndaj mbingarkesës së trafikut. Për këtë arsye, autoritetet federale kanë hartuar plane konkrete për të parandaluar kolonat e gjata dhe për të përmirësuar qarkullimin rrugor.

Sipas Departamentit Federal të Transportit, “rrjeti kombëtar i rrugëve është thelbësor për transportin e njerëzve dhe mallrave. Për të eliminuar ngushticat, për të reduktuar kohëzgjatjen e bllokimeve dhe për të shmangur trafikun devijues, përparësi do t’u jepet projekteve me përfitime të larta dhe zbatim të shpejtë”.

Zgjerimi i autostradës A1

Në fazën e parë, qeveria synon të eliminojë dy nga pikat më problematike të trafikut në autostradën A1 – autostrada më e ngarkuar në vend. Midis viteve 2027 dhe 2035, parashikohet zgjerimi në gjashtë korsi i segmentit mes Aarau-Ost dhe nyjës Birrfeld në kantonin Aargau, si dhe i pjesës Perly–Bernex në kantonin e Gjenevës.

Këto ndërhyrje pritet të lehtësojnë ndjeshëm qarkullimin në zonat më të frekuentuara dhe të reduktojnë vonesat e përditshme për mijëra drejtues mjetesh.

Masa shtesë kundër bllokimeve

Përveç zgjerimit të rrugëve, autoritetet po shqyrtojnë edhe masa alternative, si përdorimi i korsive të emergjencës në raste të caktuara, me qëllim shmangien e bllokimeve të trafikut gjatë orëve të pikut.

Qeveria zvicerane thekson se këto masa janë pjesë e një strategjie afatgjatë për të garantuar lëvizje më efikase, siguri rrugore dhe zhvillim të qëndrueshëm të infrastrukturës.

Çfarë projektesh të tjera janë planifikuar më pas?

Brenda së njëjtës periudhë kohore, autoritetet zvicerane planifikojnë të ndërhyjnë edhe në disa segmente të tjera kyçe të rrjetit kombëtar rrugor, me synimin për të përmirësuar qarkullimin dhe për të reduktuar ngarkesën e trafikut në zonat më problematike.

Projektet e parashikuara përfshijnë:

N1 – Zgjerimi në tetë korsi i segmentit Wallisellen – Brüttisellen në kantonin e Cyrihut

N1 – Ndërtimi i tunelit të tretë të Rosenbergut, së bashku me rrugën lidhëse, në St. Gallen

N2 – Ndërtimi i Tunelit të Rinit në Bazel, që lidh kantonet Basel-City dhe Basel-Country

N2 – Përmirësimi i segmentit Lugano Jug – Mendrisio, në zonën kufitare mes Ticinos dhe Italisë

N3 – Zgjerimi në gjashtë korsi i by-pass-it perëndimor të Cyrihut (Limmattal – Urdorf-South)

N4 – Ndërtimi i Tunelit Fäsenstaub në kantonin Schaffhausen

N15 – Autostrada e Oberland-it të Cyrihut, segmenti Uster Lindje – Betzholz

N23 – By-pass-i verior i Amriswil, përfshirë lidhjen me Romanshorn, në kantonin Thurgau

Këto projekte synojnë të modernizojnë infrastrukturën rrugore dhe të përshtatin rrjetin kombëtar me nevojat në rritje të trafikut, veçanërisht në zonat urbane dhe ato ndërkufitare.

Investime edhe në transportin hekurudhor

Paralelisht me projektet rrugore, qeveria federale është angazhuar gjithashtu në përmirësimin dhe zgjerimin e disa projekteve hekurudhore gjatë viteve të ardhshme. Qëllimi është të ofrohen alternativa më të qëndrueshme ndaj transportit rrugor, të lehtësohet lëvizja e pasagjerëve dhe të rritet efikasiteti i transportit të mallrave.

Autoritetet theksojnë se zhvillimi i balancuar i rrugëve dhe hekurudhave është kyç për të ardhmen e mobilitetit në Zvicër./Albinfo.ch

Takimi Kurti–Osmani, kërkohet: Kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën për çështjen e presidentit

Ai duke folur për çështjen e presidentit duke thënë se kanë nevojë për bashkëpunim me opozitën, përcjell albinfo.ch.

Sa i përket takimeve dhe kontakteve me presidenten aktuale Vjosa Osmani, Kurti ka thënë se është në kontakt me të dhe se është takuar, megjithatë thotë se zgjedhja e të parit të shtetit është hapi i katërt, meqë duhet themelohet Kuvendi, zgjidhen nënkryetarët dhe të bëhet Qeveria e re.

Sa i përket takimit me presidenten, padyshim që jemi në komunikim edhe jemi takuar, por ta keni parasysh që ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultateve, kemi nevojë për tre hapa paraprak, konstiuimin e Kuvendit, kryetarit e pesë nënkryetarëve, pastaj është formimi i Qeverisë dhe duhet të fillojmë menjëherë me marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Ai tha se për formimin e qeverisë nuk e kanë asnjë problem, por kur u nevojiten dy të tretat e votave kanë nevojë për bashkëpunim me opozitën.

“Populli na ka dhënë një mbështetje të madhe që është përgjegjësi e lartë. Për formimin e Qeverisë nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave kur nevojiten në Kuvend prej Marrëveshjeve Ndërkombëtare e deri te rizgjedhja e presidentes apo zgjedhja presidentit ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Te ne gatishmëria ekziston, e në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri e interesim edhe nga opozita”, deklaroi Kurti.

Veturën e merr në Prishtinë, e dorëzon në Tiranë ose Shkup

Një nga përparësitë kryesore që e dallon Prishtina Rent a Car në tregun e qiradhënies së veturave është fleksibiliteti ndërqytetëror dhe ndërkombëtar. Kompania kosovare u ofron klientëve mundësinë që veturën ta marrin në Prishtinë dhe ta dorëzojnë në Tiranë ose Shkup, dhe anasjelltas, pa procedura të komplikuara.

Ky shërbim është veçanërisht i përshtatshëm për mërgimtarët dhe udhëtarët që lëvizin shpesh në disa shtete të rajonit.

Nga një veturë në mbi 800, një rrugëtim suksesi

Ajo që nisi në vitin 2011 me vetëm një veturë Peugeot 307, sot është shndërruar në një flotë prej mbi 800 veturash, me operim në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.

Bëhet fjalë për Prishtina Rent a Car, një nga kompanitë vendore më të konsoliduara në tregun e veturave me qira në Kosovë dhe rajon.

Besnikëria e klientëve, çelësi i rritjes

Marigona Sopjani, menaxhere e kompanisë, kujton fillimet dhe rrugëtimin e deritanishëm.

“Ne ishim ndër të parët që filluam me qiradhënie të veturave në vitin 2011. Që nga ajo kohë, ky sektor është zhvilluar ndjeshëm dhe konkurrenca është rritur vazhdimisht. Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar negativisht në punën tonë, falë klientëve tanë besnikë.”

Një rol të veçantë në suksesin e kompanisë kanë pasur mërgimtarët.

“Për suksesin tonë jemi mirënjohës ndaj mërgimtarëve tanë, të cilët besuan në shërbimet tona dhe na qëndruan besnikë ndër vite”, thekson Sopjani.

Flotë moderne dhe standarde ndërkombëtare

Të gjitha veturat në flotën e Prishtina Rent a Car janë të reja, të sigurta dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të sistemit rent a car. Kompania ofron një gamë të gjerë veturash: ekonomike, familjare, super luksoze nga brendet prestigjioze si Volkswagen, Range Rover, Audi, BMW dhe Mercedes-Benz.

Prani në aeroporte dhe shërbim 24/7

Prishtina Rent a Car operon me zyra në: Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza” dhe Aeroportin e Shkupit, si dhe përmes shërbimit online 24/7, duke e bërë procesin e rezervimit të shpejtë dhe të lehtë.

Klientela e kompanisë përbëhet kryesisht nga diaspora kosovare, me numrin më të madh të klientëve nga Zvicra, Gjermania dhe vendet skandinave.

Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”
Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza”
Prishtina Rent a Car operon me zyre në Aeroportin e Shkupit

Fokus në cilësi, fleksibilitet dhe besueshmëri

Prishtina Rent a Car thekson se synimi kryesor mbetet ofrimi i shërbimeve cilësore, fleksibile dhe të besueshme, të përshtatura për nevojat e çdo klienti, duke ruajtur standardet e larta që e kanë bërë këtë kompani një emër të besueshëm në tregun rajonal.

Rezervo online -10% zbritje: https://rentacar-prishtina.com
:+383 44 240 383
: Prishtina International Airport
: Tirana International Airport
: Skopje International Airport

 

 

A është dollari i dobët rrezik për Europën?

Dollari amerikan po vazhdon të humbasë vlerë ndaj monedhave kryesore botërore, duke ndjekur trendin rënës të vitit 2025, kur regjistroi dobësimin më të madh në gati një dekadë, përcjell albinfo.ch.

Gjatë vitit të kaluar, monedha amerikane u zhvlerësua rreth 10 për qind kundrejt një shporte valutash, ndërsa që nga fillimi i vitit 2026 ka rënë edhe me 2.6 për qind të tjera. Si pasojë, euro ka arritur për herë të parë që nga viti 2021 nivelin e 1.20 dollarëve, ndërsa edhe paundi britanik dhe yeni japonez janë forcuar ndjeshëm ndaj valutës amerikane.

Pse po dobësohet dollari?

Sipas ekonomistëve, një nga arsyet kryesore lidhet me pasigurinë e investitorëve për shkak të politikave të paparashikueshme ekonomike në SHBA. Megjithatë, ekziston edhe një tjetër interpretim: një dollar më i dobët mund të jetë në interes të administratës amerikane, pasi i bën eksportet më konkurruese në tregjet ndërkombëtare.

Presidenti Donald Trump nuk e ka mohuar këtë ide. I pyetur nëse shqetësohet për dobësimin e dollarit, ai u përgjigj shkurt: “Jo, kështu është shumë mirë.”

Në të njëjtën linjë, Stephen Miran, ish-kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Trumpit dhe aktualisht pjesë e bordit të Rezervës Federale (Fed), ka theksuar se tarifat doganore dhe zhvlerësimi i dollarit mund të jenë mjete për të ulur deficitin tregtar të SHBA-së.

Si ndikon kjo në Evropë?

Dobësimi i dollarit ka sjellë forcimin e euros, e cila gjatë vitit 2025 fitoi rreth 13 për qind vlerë – rritja më e madhe që nga viti 2017.

Sipas Jack Allen-Reynolds nga Capital Economics, një euro më e fortë ka ndikim të drejtpërdrejtë në rendimentin ekonomik, tregun e punës dhe financat publike në Bashkimin Evropian.

“Një euro më e fuqishme ul konkurrueshmërinë e eksporteve, duke dëmtuar prodhuesit evropianë. Nga ana tjetër, importet bëhen më të lira, çka mund të ulë çmimet për konsumatorët,” vlerëson ai.

Edhe Ricardo Amaro nga Oxford Economics paralajmëron se një rritje e mëtejshme e euros mund të dëmtojë kompanitë evropiane që eksportojnë në SHBA. Sipas llogaritjeve të institucionit, nëse kursi euro-dollar mbetet rreth 1.20, ekonomia e eurozonës mund të regjistrojë një produkt të brendshëm bruto rreth 0.2 për qind më të ulët sesa pritej.

A do të ndërhyjë Banka Qendrore Evropiane?

Forcimi i euros ka nxitur diskutime mbi një ndërhyrje të mundshme të Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Guvernatori i Bankës Qendrore të Austrisë, Martin Kocher, e cilëson rritjen aktuale si “të moderuar”, por nuk përjashton masa nëse trendi vazhdon.

Aktualisht, BQE po përpiqet të ndikojë pritshmëritë e tregut përmes deklaratave zyrtare dhe mund të shqyrtojë uljen e normave të interesit për të frenuar rritjen e mëtejshme të euros.

Megjithatë, disa ekspertë mbeten më të qetë. Ekonomisti Zsolt Darvas thekson se ndikimi në inflacion është minimal dhe se bizneset janë mësuar të përballen me luhatje edhe më të forta të kursit të këmbimit. /DW

Kujtesa që bashkon: simboli i gjenocidit në Kosovë në Horën e Arbëreshëvet

Në kuadrin e bashkëpunimit të saj me komunitetin e arbëreshëve të Italisë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, me seli në Zvicër, ditë më parë ka mirëpritur në një tubim përkujtimor në Cyrih, kryetarin e Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, z. Rosario Petta. Me atë rast zotit Petta i është akorduar një mirënjohje e posaçme si dhe simboli i gjenocidit mbi shqiptarët nga “Qendra…”, shkruan Albinfo.ch.

Siç bën të ditur Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” në një njoftim të saj për media, z. Petta pas kthimit në Itali ka raportuar për këtë vizitë pra Këshillit Bashkiak.

Në vazhdim, teksti i dërguar nga “Qendra…”, gjegjësisht nënkryetari i saj, veprimtari, Adnan Asllani, autor i simbolit të përmendur.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), të mbajtur më 28.01.2026, Kryetari i Bashkisë z. Rosario Petta, raportoi mbi vizitën e tij në Zvicër. Ai ishte i ftuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë Plagë e Hapur” për të marrë pjesë në tubimin përkujtimor kushtuar viktimave të gjenocidit në Kosovë. Me këtë rast kryetari Petta ka mbajtur një fjalim përmbajtjesor. Nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ai është nderuar me mirënjohje e cila është dhënë me këtë motivacion: “Për kontributin e madh dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar arbëreshët e Italisë, duke strehuar të mbijetuarit e gjenocidit që kreu Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe duke këmbëngulur që shteti italian të jepte kontributin e vet në kuadër të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, për t’i dhënë fund këtij gjenocidi.

Shprehim mirënjohje të veçantë për Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëvet, z. Rosario Petta, i cili me përkushtim ka mbështetur Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” dhe misionin e saj për ndiriçimin e krimit të gjenocidit. Përkrahja e tij e vazhdueshme ka forcuar zërin e kujtesës historike dhe ka ndihmuar në ruajtjen e dinjitetit të viktimave dhe të mbijetuarve.” – thuhet në mirënjohjen e dhënë për z. Petta.

Po ashtu atij i është dhuruar simboli i gjenocidit në Kosovë, të cilin ai e ka prezantuar në Këshillin Bashkiak dhe është pritur me emocione.

Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, z. Rosario Petta ka shkruar:

PIANA DEGLI ALBANESI

KËSHILLI BASHKIAK

E MËRKURË, 28 JANAR

Gjatë seancës së djeshme, të mërkurën më 28 janar, të Këshillit Bashkiak të Piana degli Albanesi, Kryetari i Bashkisë, Rosario Petta, me kërkesë të posaçme të Këshillit, raportoi mbi angazhimet institucionale të zhvilluara nga data 16 deri më 18 janar në Cyrih (Zvicër), në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dialogut ndërmjet komuniteteve.

Veçanërisht i ngarkuar me domethënie dhe me rëndësi të madhe ishte momenti kushtuar prezantimit, para Këshillit Bashkiak, të simbolit të dhuruar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Bëhet fjalë për një simbol të krijuar nga dizajneri Adnan Asllani, i cili paraqet një lulëkuqe me katër petale, emblemë e viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Ndryshe nga lulekuqet që përdoren si simbol në shumë vende të tjera të botës, katër petalet e logos së projektuar prej tij përfaqësojnë katër format e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë:

  • vrasja;
  • dhuna seksuale;
  • spastrimi etnik;
  • shkatërrimi i pasurive të lidhura me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.

“Zemra e lulekuqes”, në vend të kokrrizave të zeza tradicionale, paraqet figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e çdo moshe dhe gjinie që kanë qenë viktima të këtij gjenocidi.

Në përmbledhje, forma e petaleve dhe figurat njerëzore simbolizojnë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë ose të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe të të dy gjinive, më shumë se njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion persona të prekur nga spastrimi etnik dhe qindra mijëra shkatërrime të kryera gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.

Veprimtaritë e manifestimeve “NE NUK HARROJMË” (Ne nuk harrojmë) iu kushtuan kujtimit të gjenocidit në Kosovë: një thirrje e fortë për përgjegjësinë e institucioneve në ruajtjen e kujtesës historike, në mbrojtjen e të drejtave të popujve dhe në riafirmimin me vendosmëri të vlerave të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Kujtesa nuk është vetëm përkujtim, por edhe angazhim politik dhe moral ndaj së tashmes dhe së ardhmes.

Kryetari i Bashkisë

Rosario Petta

Gjatë vizitës së z. Rosario Petta në Zvicër ai është pritur gjithashtu edhe nga udhëheqësi i Misionit Konsullor në Zvicër, z. Vigan Berisha, si dhe ka zhvilluar një takim me shoqatat që kanë ndihmuar në vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve në vitin 2024.

  1. Petta dhe delegacioni i tij është pritur vëllazërisht e me shumë emocione nga i gjithë komuniteti shqiptar në Zvicër.

 

Postimi i z. Rosario Petta në Facebook:

https://www.facebook.com/share/p/1D7rcSDJ6V/

Lara Colturi përfundon në spital, një javë larg çeljes së Olimpiadës dimërore

Para Lojërave Olimpike Dimërore, ku Shqipëria synon të jetë protagoniste me Lara Colturin, vijnë sinjale jo shumë pozitive nga kampi i skiatores shqiptare, përcjell albinfo.ch.

19-vjeçarja nuk arriti të japë maksimumin e saj në garën e zhvilluar së fundmi, për shkak të problemeve shëndetësore që e kanë shoqëruar prej disa ditësh.

Colturi, e prekur nga temperaturat e larta, është dërguar në spital nga një prej sponsorëve kryesorë, të cilët i kanë kërkuar kryerjen e disa kontrolleve mjekësore.

Mbetet për t’u parë si do shkojnë gjërat, por sipas asaj që shkruajnë mediat, nuk bëhet fjalë për diçka shqetësuese. Stafi mjekësor mbetet optimist se Colturi do të rikthehet së shpejti në formën e saj më të mirë, në këtë periudhë kaq të rëndësishme./Albinfo.ch

Kurti për Bordin e Paqes: Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe ku të ketë nevojë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten para mediave se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe në botë kudo ku ka nevojë, teksa e ka komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump në kuadër të planit për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta, përcjell albinfo.ch.

Përmes këtij bordi, Shtetet e Bashkuara synojnë zgjidhjen e konflikteve globale.

Duke folur për herë të parë për Bordin e Paqes, Kurti ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në të është vazhdimësi e kontributit të Kosovës për Gazën, duke nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kurti i është referuar pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të organizuar në dhjetor të vitit 2025 në Doha të Katarit nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Sipas tij, njëra prej arsyeve pse Kosova merr pjesë në iniciativa të tilla është për shkak se edhe ajo vetë ka qenë përfituese e paqes përmes ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare.

“Sa i përket Gazës, ju e dini që ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe ky është proces i cili do të vazhdojë edhe në vijim”.

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicës, në prezencë të presidentit Trump. Kosova është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Ky mekanizëm do të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian.

Sa kushton një drekë apo darkë në Kosovë?

Një krahasim i fundit i kostos së jetesës në Evropë tregon kontraste të mëdha sa i përket çmimeve të restoranteve, me Kosovën që renditet ndër vendet më të përballueshme, ndërsa Zvicra dhe Danimarka vazhdojnë të konsiderohen ndër destinacionet më të shtrenjta për një drekë apo darkë, transmeton albinfo.ch.

Referuar të dhënave të platformave të kostos së jetesës, një darkë tre-kursesh për dy persona në një restorant mesatar në Kosovë mund të kushtojë rreth 20 euro, shumë më pak se mesatarja evropiane.

Në anën tjetër të listës qëndron Zvicra, ku një vakt i ngjashëm zakonisht kalon mbi 100 franga zvicerane, duke reflektuar standardin e lartë të jetesës dhe kostot e shërbimeve në vend.

Edhe Danimarka paraqitet me çmime të larta. Një darkë tre-kursesh për dy persona në një restorant të kategorisë mesatare kushton zakonisht rreth 700–750 korona daneze (afërsisht 95–105 euro), sipas analizës së portalit të udhëtimeve Ferrygogo.

Në disa raste, çmimi mund të arrijë edhe 800–1,200 korona, duke e bërë ngrënien jashtë një shpenzim që shpesh konsiderohet luks.

Për krahasim, një vakt i thjeshtë për një person në Danimarkë kushton rreth 150 korona (rreth 20 euro), çka tregon nivelin e përgjithshëm të lartë të çmimeve në sektorin e gastronomisë.

Ekspertët e lidhin këtë diferencë me pagat më të larta, koston e fuqisë punëtore dhe qiratë e shtrenjta për bizneset, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në faturën që paguajnë klientët.

Kontrasti mes vendeve evropiane mbetet i dukshëm: ndërsa në Kosovë ngrënia jashtë mund të jetë pjesë e përditshmërisë, në shtetet nordike apo në Zvicër ajo shpesh rezervohet për raste të veçanta./Albinfo.ch 

Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Itali, duke u marrë jetën dy të rinjve shqiptarë dhe duke lënë tre persona të tjerë të plagosur, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Strada Sanità, në segmentin provincial që lidh Savigliano me Vottignasco, në provincën e Cuneos – një zonë e njohur për rrugën e ngushtë dhe historikun e aksidenteve të rënda.

Sipas mediave italiane, automjeti tip Jeep, në të cilin udhëtonin tre të rinjtë shqiptarë, është përplasur ballë për ballë me një mjet të rëndë Iveco. Goditja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, ndërsa dinamika e plotë e aksidentit ende nuk është sqaruar dhe mbetet nën hetim nga autoritetet.

Në kamion ndodheshin një burrë 58-vjeçar dhe një grua 55-vjeçare. Burri është transportuar në spital në kod të verdhë, ndërsa gruaja ka pësuar plagë të rënda dhe është dërguar me helikopter në spitalin Santa Croce në Cuneo, në kod të kuq.

Në vendin e ngjarjes ndërhynë menjëherë ekipet e emergjencës me dy autoambulanca, shërbimi ajror elisoccorso 118 dhe zjarrfikësit, të cilët punuan për një kohë të gjatë për të nxjerrë viktimat dhe të plagosurit nga mjetet e dëmtuara rëndë.

Karabinierët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa po verifikohet edhe mundësia që aksidenti të jetë shkaktuar nga një parakalim i rrezikshëm. Për disa orë, rruga qëndroi e bllokuar dhe trafiku u devijua./Albinfo.ch

Zvicra kryeson listën e vendeve më të shtrenjta për darkë në Evropë

Një studim i fundit mbi çmimet e restoranteve në Evropë ka konfirmuar atë që shumë turistë e dinë tashmë, Zvicra është vendi më i shtrenjtë në kontinent për të ngrënë jashtë, shkruan albinfo.ch.

Sipas analizës së portalit të udhëtimeve Ferrygogo, një darkë tre-kursesh për dy persona kushton mesatarisht rreth 113 euro, duke e vendosur vendin alpin në krye të renditjes evropiane.

Mesatarja evropiane për një vakt të tillë është rreth 56 euro, çka do të thotë se darka në Zvicër është më shumë se dyfish më e shtrenjtë.

Qytetet më të kushtueshme

Diferenca bëhet edhe më e dukshme në nivel qytetesh. Cyrihu dhe Gjeneva janë renditur ndër destinacionet më të shtrenjta në Evropë për restorante, me një kosto mesatare prej rreth 123 euro për dy persona për një menu tre-kursesh.

Lugano, një darkë tre-kursesh për dy kushton mesatarisht rreth 135 franga dhe mund të arrijë deri në 181.

• Në Zug, çmimi mund të shkojë deri në rreth 226 franga për dy persona në restorante më të mira.

• Numbeo jep një mesatare rreth 150 CHF për dy në Lugano.

Sa kushton realisht një darkë?

Të dhënat nga platforma Numbeo tregojnë se një vakt tre-kursesh për dy persona në një restorant mesatar në Zvicër kushton mbi 100 franga zvicerane.

Edhe statistika të tjera e konfirmojnë trendin:

• Një meny për dy në një restorant të kategorisë mesatare arrin mesatarisht 123 euro, me raste që mund të shkojnë deri në 189 euro.

• Çmimi tipik për një darkë më cilësore për dy llogaritet rreth 111 CHF.

Ndërkohë, një vakt i thjeshtë për një person kushton rreth 25 franga, duke reflektuar nivelin e lartë të kostos së jetesës në vend.

Pse është kaq e shtrenjtë?

Ekspertët e lidhin këtë me standardin e lartë të jetesës, pagat më të larta dhe kostot e përgjithshme të shërbimeve, etj.

Ndërkohë msatarja evropiane për një vakt të tillë është rreth 56 euro, çka do të thotë se darka në Zvicër është më shumë se dyfish më e shtrenjtë.  /Albinfo.ch

Kosova ngjitet në ranglistën ushtarake globale

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), sipas platformës prestigjioze “Global Firepower” për vitin 2026, renditet në vendin e 138-të nga gjithsej 145 shtete të vlerësuara për fuqinë ushtarake në botë. Krahasuar me vitin paraprak, Kosova është ngjitur për tri pozita, duke reflektuar përparimin gradual në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, transmeton albinfo.ch.

Transformimi i FSK-së në një ushtri të mirëfilltë ka hyrë në fazën e tretë dhe përfundimtare, proces që ka nisur në vitin 2025 dhe pritet të përmbyllet më 2028. Kjo fazë përfshin edhe zhvillimin e kapaciteteve ajrore, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së vendit.

Aktualisht, Kosova disponon dronët turq “Bayraktar” dhe fluturaket pa pilot amerikane “Puma”, ndërsa në plan është edhe pajisja me helikopterë amerikanë “Black Hawk”. Megjithatë, databaza e “Global Firepower” nuk e konsideron Kosovën si shtet me fuqi ajrore ushtarake, pasi në këtë kategori përfshihen vetëm aeroplanët dhe helikopterët me pilotë.

Sipas të dhënave të publikuara, në rast mobilizimi maksimal, Kosova mund të angazhojë mbi 17.500 persona, ndërsa rreth 9.500 janë ushtarë të armatosur, përfshirë rreth 4.000 rezervistë. FSK-ja posedon 1.357 automjete të blinduara, prej të cilave 745 janë të gatshme për përdorim të menjëhershëm në terren.

Sa i përket logjistikës, për nevojat e ushtrisë llogariten rreth 16 mijë fuçi nafte. Duke qenë se një fuçi përmban 159 litra, kjo nënkupton mbi 2.5 milionë litra karburant të dedikuar për mbrojtjen e vendit.

Ndërkohë, Serbia vazhdon të kryesojë rajonin për nga fuqia ushtarake, duke u renditur në vendin e 63-të globalisht. Ajo ka rreth 22.500 pjesëtarë aktivë, 2.000 rezervistë dhe afro 600 mijë persona potencialisht të gatshëm për mobilizim.

Fuqia ajrore e Serbisë mbetet dukshëm më e zhvilluar, me 115 mjete ajrore luftarake dhe transportuese. Po ashtu, arsenali përfshin 242 tanke (145 aktive) dhe mbi 7.000 mjete të blinduara, më shumë se gjysma e të cilave janë të gatshme për përdorim të menjëhershëm. Buxheti i saj i mbrojtjes tejkalon 2.7 miliardë dollarë.

Në rajon, Shqipëria është ngritur për një pozitë, duke u renditur e 77-ta. Ajo ka mbi 700 milionë euro buxhet për mbrojtje, rreth 8 mijë ushtarë aktivë, afro 1.500 mjete të blinduara, 33 mjete patrulluese detare dhe 20 mjete ajrore, kryesisht helikopterë.

Kroacia renditet e 73-ta në këtë listë, ndërsa Maqedonia e Veriut zë vendin e 114-të.

Në nivel global, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten superfuqia e pakonkurrueshme ushtarake, me mbi 831 miliardë euro buxhet vjetor dhe epërsi në tokë, ajër, det dhe teknologji. Pas tyre renditen Rusia, Kina, India, Koreja e Jugut, Franca, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Italia, që mbyll dhjetëshen më të fuqishme në botë.

Deputeti gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në 99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë

Deputeti i Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviq, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në Parlamentin gjerman, duke rikujtuar ngjarjet tragjike në Kosovë në vitin 1999 dhe duke theksuar se mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë fjalimit, Ahmetoviq kritikoi përdorimin e vazhdueshëm të narrativit se bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999 kanë krijuar një precedent. Ai theksoi se ky diskurs shpesh përdoret, madje edhe nga e djathta ekstreme, për të legjitimuar shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

“Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni viktimat e Srebrenicës të vitit 1995, sepse atëherë nuk pati ndërhyrje humanitare. Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni mbi të gjitha edhe viktimat në Kosovë. Shumë mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të Millosheviqit”, deklaroi Ahmetoviq.

Ai paralajmëroi se një qasje e tillë rrezikon të relativizojë luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës dhe shtoi se ndërhyrja humanitare e vitit 1999, e mbështetur edhe nga Bundestagu gjerman, ishte vendimtare për të parandaluar përsëritjen e një gjenocidi në Ballkanin Perëndimor.

Ahmetoviq akuzoi disa deputetë për mbrojtje të narrativëve që, sipas tij, janë kundër demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe mbrojtjen e figurave si Millosheviqi.

Për këtë qëndrim të qartë, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e falënderoi publikisht deputetin Ahmetoviq.

“Faleminderit, i dashur Adis, për qëndrimin tënd të qartë dhe fjalët e tua të drejtpërdrejta”, shkroi Ajeti në një postim.

KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke planifikuar që procesin e rinumërimit të vendvotimeve, ta përmbyllë sot, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar deri më tani janë rinumëruar mbi 95% e vendvotimeve dhe pjesa e mbetur pritet

të përfundojë gjatë ditës së sotme.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky process, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë. Ky proces, planifikohet të përmbyllet gjatë ditës së sotme”, tha Elezi.

Rrjedhimisht pas këtij procesi hapet rruga për shpalljen e zgjedhjeve përfundimtare nga KQZ-ja. E pas kësaj do të rrjedhin afatet e ankesave që në total mund të zgjasin deri në 13 ditë.

Sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, palët kanë kohë 48 orë që në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të ankohen për administrimin e numërimit të votave. Ky institucion, sipas ligjit, ka kohë 72 orë që të vendosë për ankesën e pranuar. E subjekti ankues ka edhe një mundësi tjetër ankese – në Gjykatën Supreme, e cila ka kohë pesë ditë për të vendosur mbi ankesat.

Ditë më parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pati thënë se procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund ta zvogëlojë nevojën për ankesa. Megjithatë, pati përsëritur se KQZ-ja duhet t’i presë afatet për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave, para certifikimit dhe përmbylljes së procesit zgjedhor.

Pavarësisht sa mund ta “vonojnë” procesin ankesat, Kosova po përballet me një afat tjetër që rrezikon krizë të re. Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021, duke e bërë tani 4 marsin afat të fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 28 dhjetor të vitit që shkoi. Në Qendrat e Votimit u numëruan votat e partive po atë ditë dhe dolën rezultatet preliminare. Nga 29 dhjetori deri më 3 janar, këto vota u verifikuan dhe u numëruan edhe votat e kandidatëve për deputetë në Komisionet Komunale Zgjedhore që janë 38 gjithsej, nga një për secilën komunë. Pastaj në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar votat e tjera që përfshijnë ato nga jashtë, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Lirim Koraqi zhvillon vizitë shkencore në Universitetin e Yorkut në Mbretërinë e Bashkuar

Lirim Koraqi, me prejardhje nga fshati Kovaçec i Komunës së Kaçanikut, aktualisht është duke realizuar një vizitë shkencore në Universitetin e Yorkut në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të School of Physics, Engineering and Technology Exhibition Centre, si pjesë e studimeve të tij të doktoraturës, shkruan albinfo.ch

Vizita akademike ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit shkencor dhe avancimin e hulumtimeve në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë, duke kontribuar në zhvillimin profesional të tij në nivel ndërkombëtar.

Gjatë vitit të kaluar, Koraqi ka prezantuar gjithashtu punimin e tij shkencor në Konferencën ndërkombëtare IEEE EMC + SIPI 2025, e mbajtur në Raleigh, Karolina e Veriut, SHBA, shkruan tutje albinfo.ch.

Punimi i prezantuar është vlerësuar me çmimin “Best Student Paper Award (Honorable Mention)”, duke konfirmuar cilësinë dhe rëndësinë e hulumtimit të tij shkencor.

Ky sukses përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike dhe një kontribut domethënës në prezantimin e potencialit shkencor të Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë

Filmi më i ri i regjisorit kosovar Visar Morina, “Shame and Money (Shaban dhe Hatixhe)”, ka pasur premierën e tij botërore në kuadër të Sundance Film Festival, në Park City, Utah, transmeton albinfo.ch.

Shfaqja u prit me duartrokitje të gjata dhe të njëpasnjëshme nga publiku, ndërsa kritika ndërkombëtare ka reaguar pozitivisht ndaj filmit. Sipas Qendrës Kinematografike të Kosovës, vepra e Morinës ka ngjallur interes të madh për realizmin e saj emocional dhe qasjen autentike ndaj temave shoqërore.

Media prestigjioze The Film Verdict e ka cilësuar “Shame and Money” si “një dramë të fuqishme dhe vëzhguese, që reflekton mbi dinjitetin njerëzor nën presionet e kapitalizmit të egër”, duke vlerësuar veçanërisht thellësinë emocionale dhe ndërtimin realist të personazheve.

“Shame and Money” përforcon më tej profilin ndërkombëtar të Visar Morinës, duke e pozicionuar kinemanë kosovare në një nga platformat më të rëndësishme të filmit në botë./Albinfo.ch

Edona Thaçi, shqiptarja e parë komentatore në WNBA

Edona Thaçi, ish-basketbolliste e Përfaqësueses së Kosovës dhe tashmë analiste, komentatore dhe reportere sportive, ka shënuar një arritje të rëndësishme në karrierën e saj profesionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është bërë pjesë e USA Network për mbulimin e WNBA, duke u bërë shqiptarja e parë që angazhohet si komentatore në ligën elitare të basketbollit për femra, transmeton albinfo.ch.

Ky hap përfaqëson një moment historik jo vetëm për karrierën personale të Thaçit, por edhe për prezencën shqiptare në skenën ndërkombëtare të sportit dhe medias sportive. Pas një rrugëtimi të gjatë dhe sfidues, Edona e sheh këtë sukses si rezultat të punës së palodhshme dhe sakrificave të vazhdueshme ndër vite.

Përtej aspektit profesional, Thaçi thekson se kjo arritje ka një domethënie më të gjerë, duke shpresuar që historia e saj të shërbejë si frymëzim për vajzat shqiptare që të besojnë në aftësitë e tyre dhe të ndjekin ëndrrat, veçanërisht në sport dhe gazetarinë sportive.

Mesazhi i saj për brezat e rinj është i qartë: të ëndërrojnë ambiciozisht, të jenë të durueshëm, të besojnë në vetvete dhe të mos dorëzohen përballë pengesave. Këtë mesazh ajo e ka ndarë në një deklaratë për Federatën e Basketbollit të Kosovës./Albinfo.ch

 

Mjeku shqiptar pranohet anëtar i American Gastroenterological Association (AGA)

Gastroenterologu kosovar Krenar Reshitaj, specialist i Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë, është pranuar si anëtar me të drejta të plota i American Gastroenterological Association (AGA), një nga shoqatat më prestigjioze dhe me ndikim në fushën e gastroenterologjisë në nivel ndërkombëtar, transmeton albinfo.ch.

AGA përfaqëson një organizatë me reputacion të lartë global, e njohur për kontributin e saj në hartimin e udhëzimeve klinike, zhvillimin e kërkimit shkencor, si dhe promovimin e edukimit të vazhdueshëm mjekësor në trajtimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve të sistemit tretës.

Anëtarësimi i Dr. Reshitajt në këtë organizatë pasqyron përmbushjen e standardeve të larta profesionale dhe shkencore që kërkohen nga AGA, si dhe angazhimin e tij për ndjekjen e praktikave bashkëkohore mjekësore.

Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme profesionale dhe njëkohësisht një kontribut domethënës në avancimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë, duke reflektuar përfshirjen e profesionistëve kosovarë në strukturat më të rëndësishme mjekësore ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Rritja e problemeve shëndetësore të lidhura me plastikën pritet të dyfishohet deri në vitin 2040

Një studim i ri ka paralajmëruar se efektet negative të plastikës mbi shëndetin, përfshirë gazrat serrë, ndotësit e ajrit dhe kimikatet toksike, mund të dyfishohen në mbarë botën deri në vitin 2040.

Hulumtimi, i publikuar në Lancet Planetary Health, analizon çdo fazë të ciklit jetësor të plastikës, nga nxjerrja e lëndëve djegëse fosile dhe prodhimi i materialeve, deri te asgjësimi i tyre në mjedis. Studiuesit identifikuan se këto ndikime mund të shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes, kancer, probleme të lidhura me ngrohjen globale dhe sëmundje të tjera serioze.

Ekipi i udhëhequr nga LSHTM, University College London dhe universitetet e Toulouse dhe Exeter përdori modelimin për të krahasuar skenarë të ndryshëm të prodhimit, përdorimit dhe menaxhimit të mbeturinave plastike midis viteve 2016 dhe 2040.

Sipas rezultateve, nëse situata mbetet e pandryshuar, ndikimet negative shëndetësore nga plastika mund të dyfishohen. Nga këto probleme, 40% lidhen me emetimet e gazrave serrë dhe ngrohjen globale, 32% me ndotjen e ajrit nga prodhimi i plastikës dhe 27% me kimikatet toksike të lëshuara në mjedis. Më pak se 1% lidhet me mungesën e ujit të pastër, ndryshimet në shtresën e ozonit dhe rritjen e rrezatimit jonizues.

Studimi parashikon se vitet e jetës së shëndetshme të humbura për shkak të plastikës mund të rriten nga 2.1 milionë në vitin 2016 në 4.5 milionë deri në vitin 2040.

Ndërhyrjet individuale, si rritja e riciklimit ose mbledhja e mbeturinave, nuk mjaftojnë për të zvogëluar ndjeshëm këto probleme. Megjithatë, një qasje sistemike që kufizon prodhimin dhe përdorimin e plastikës mund të ulë efektet negative me 43% deri në vitin 2040.

Megan Dinny, autore kryesore nga LSHTM, thekson: “Ndërsa konsumatorët kanë një rol të rëndësishëm, zgjidhja kërkon një ndryshim sistemik ‘nga djepi në varr’ në mënyrën se si prodhohet, përdoret dhe asgjësohet plastika.”

Trump pritet të marrë vendim për sulm ndaj Iranit brenda ditësh, shkruan BBC

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj Iranit në ditët në vijim, megjithëse ende mbetet hapësirë për një marrëveshje të minutës së fundit.

Sipas një analize të publikuar nga BBC, gjasat janë që presidenti Donald Trump të japë urdhër për ndërhyrje ushtarake. Media britanike ka paraqitur shtatë skenarë të mundshëm për zhvillimet që mund të pasojnë.

Skenari i parë parasheh sulme ajrore dhe detare të kufizuara, por të sakta, ndaj bazave të Gardës Revolucionare iraniane. Në këtë rast, regjimi mund të rrëzohet dhe vendi të hyjë në një proces tranzicioni drejt demokracisë.

Skenari i dytë nënkupton mbijetesën e regjimit, por me një zbutje të politikave të tij. Ky model krahasohet me situatën në Venezuelë, ndonëse konsiderohet si opsioni më pak i mundshëm.

Skenari i tretë parashikon rënien e regjimit aktual dhe zëvendësimin e tij me një qeveri ushtarake, të dominuar nga figura të Gardës Revolucionare – një zhvillim që shumë analistë e shohin si më realist.

Skenari i katërt përfshin kundërpërgjigjen e Iranit përmes sulmeve ndaj forcave amerikane dhe vendeve fqinje, kryesisht me raketa balistike dhe dronë.

Skenari i pestë lidhet me vendosjen e minave detare në Gjirin Persik, një veprim që do të rrezikonte seriozisht transportin ndërkombëtar dhe furnizimin global me naftë.

Skenari i gjashtë parashikon fundosjen e një anijeje luftarake amerikane, përmes përdorimit masiv të dronëve shpërthyes, duke vënë në provë edhe mbrojtjen e Marinës së SHBA-së.

Ndërsa skenari i shtatë konsiderohet më dramatiku: rrëzimi i regjimit pa një alternativë të qartë, duke e zhytur Iranin, me rreth 93 milionë banorë, në kaos, krizë humanitare dhe valë refugjatësh.

Rekord evropian: Pensioni në Danimarkë në moshën 70 vjeç

Danimarka ka vendosur një rekord të ri duke përcaktuar moshën e daljes në pension në 70 vjeç. Ky ndryshim do të prekë të gjithë ata që kanë lindur pas 31 dhjetorit 1970. Ndërkohë, në shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian, qytetarët mund të dalin në pension më herët, zakonisht rreth moshës 60-65 vjeç.

Në Gjermani, mosha e daljes në pension pritet të rritet gradualisht në 67 vjeç deri në vitin 2031. Vetëm disa kategori punonjësish do të kenë mundësinë të pensionohen më herët, ndërsa shumica mund të dalin në pension të parakohshëm me një ulje të përfitimeve, që zakonisht fillon nga mosha 63 vjeç.

Sipas portalit Business, ajo që diskutohet aktualisht në Gjermani tashmë është realitet në Danimarkë dhe disa vende të tjera, ku dalja në pension në moshë më të madhe po bëhet gjithnjë e më e zakonshme.

Mosha e daljes në pension në disa vende të BE-së:

Belgjikë: 67 vjeç (rritje graduale deri në vitin 2030)

Bullgari: gratë 63 vjeç, burrat 65 vjeç

Danimarka: 70 vjeç (e lidhur me jetëgjatësinë)

Gjermani: 67 vjeç (rritje graduale deri në 2031)

Estonia: 65 vjeç deri në 2026

Finlanda: 65 vjeç

Franca: 64 vjeç

Greqia: 62 vjeç

Irlanda: 68 vjeç deri në 2028

Italia: 67 vjeç (përputhet me jetëgjatësinë)

Kroacia: 65 vjeç (rritje graduale për gratë deri në 2029)

Lituania: 63-65 vjeç (sipas rajoneve)

Polonia: gratë 60 vjeç, burrat 65 vjeç

Spanja: 67 vjeç deri në 2027

Në të gjithë Evropën, sistemet e pensioneve ndryshojnë shumë, jo vetëm në moshën e daljes në pension, por edhe në mënyrën se si llogaritet përfitimi. Në disa vende, dalja në pension e parakohshme është e mundur me ulje të pensionit, dhe disa grupe kanë rregulla speciale për përfitime shtesë.

Ky ndryshim në Danimarkë e vendos vendin në krye të listës për moshën më të lartë të daljes në pension në Evropë.

Rritje e ndjeshme e thirrjeve për ndihmë në lidhje me pedofilinë në Zvicër

Linjat telefonike të ndihmës për njerëzit me tendencë seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve po regjistrojnë një rritje të ndjeshme të kërkesave për ndihmë. Qendrat këshilluese për gjuhën frënge dhe gjermanisht, DIS NO dhe Beforemore, raportuan 348 thirrje dhe kërkesa gjatë vitit 2025, krahasuar me 204 një vit më parë.

Në Zvicrën frankofone, numri i personave që kontaktuan DIS NO u rrit nga 137 në 2024 në 173 në 2025. Ndër ta, personat që ndikonin drejtpërdrejt në çështje të tilla u rritën nga 79 në 98. Rritje e konsiderueshme u regjistrua edhe në numrin e profesionistëve të kontaktuar (37 krahasuar me 21), ndërsa numri i personave nga rrjeti social i individit mbeti i qëndrueshëm (38 krahasuar me 37).

Në Zvicrën gjermanofone, numri i të prekurve drejtpërdrejt u rrit nga 31 në 83. Po ashtu, pati një rritje të ndjeshme të profesionistëve që kontaktuan qendrat (39 krahasuar me 20). Ndërkohë, numri i personave nga rrjeti social i pacientit u rrit ndjeshëm, nga 16 një vit më parë në 53 në 2025.

“Ky rritje e ndjeshme, që ndjek tendencën e viteve të mëparshme, shpjegohet pjesërisht nga rritja e ndërgjegjësimit për linjat e ndihmës, falë masave të synuara të informimit, fushatave në rrjetet sociale, ngjarjeve të rrjetëzimit dhe pranisë së shtuar në media,” theksojnë DIS NO dhe Beforemore në një komunikatë për shtyp.

Thyerja e një tabuje

Së bashku me organizatën Action Innocence, DIS NO lançoi një fushatë ndërgjegjësimi në vjeshtën e vitit 2025 për të arritur drejtpërdrejt individët që konsumojnë pornografi me fëmijë dhe për t’i informuar për linjën e ndihmës, e cila është konfidenciale dhe pa gjykim. Thirrjet mbeten anonime.

“Është ende herët për të gjykuar ndikimin e saj, por duke çuar këtë çështje në debat publik, ka ndihmuar në thyerjen e një tabuje dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për mundësinë e ndihmës. Po ashtu, ngre pyetje mbi masat që duhet ndërmarrë për të parandaluar këto sjellje dhe për të shmangur viktima të reja,” shprehet Hakim Gonthier, drejtori i DIS NO.

E themeluar në Lozanë në vitin 1995, DIS NO bashkëpunon me profesionistë të vendosur në gati 60 institucione kujdesi në Zvicrën frankofone, duke përfshirë psikiatër dhe psikoterapistë të specializuar, ku referohen individët që kërkojnë mbështetje.

Pa profil tipik

Gonthier tha se sipas studimeve ndërkombëtare, “1 deri në 3% e burrave shfaqin tërheqje pedofilike”. Megjithatë, për shkak të mungesës së studimeve të mjaftueshme, “ende nuk ka të dhëna të krahasueshme shkencore për gratë”.

Personat që kontaktojnë shoqatën janë shumë të ndryshëm dhe nuk ka një profil të zakonshëm. “Shumë prej tyre përballen me tërheqjen e tyre. Mbi gjysma e thirrjeve gjatë vitit 2025 lidhej me konsumimin e pornografisë me fëmijë, që përbën pjesën kryesore të grupit tonë target,” shton eksperti.

Thyerja e izolimit për të parandaluar krimet

“Ndjenja e turpit është shumë e pranishme te personat që thirrin DIS NO. Kontaktimi ndodh shpesh në një moment krize, ndonjëherë pas ndërhyrjes së policisë,” shprehet Gonthier.

Rrjeti i mbështetjes luan rol të rëndësishëm: zbulimi i një imazhi të paligjshëm nga një i afërm shpesh shkakton kontaktin me linjën e ndihmës. Por ai shton se ky kontakt mund të jetë edhe vullnetar, i nxitur nga “ndërgjegjësimi dhe dëshira për të vendosur masa parandaluese për të ndalur sjelljet problematike.”

Në këto raste, shoqata i drejton individët tek një rrjet terapistësh të specializuar për mbështetje adekuate dhe thekson rrezikun e izolimit: “E dimë që vetmia, ruajtja e një imazhi shumë negativ për veten dhe disa qëndrime antisociale janë faktorë që mund të kontribuojnë në sjellje të dëmshme.”

80% e punonjësve zviceranë nuk punojnë nga shtëpia

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, 80% e të punësuarve në Zvicër nuk punojnë nga shtëpia, por udhëtojnë për në vendin e punës. Shumica punojnë brenda kantonit të tyre të banimit, ndërsa vetëm 20% udhëtojnë në një kanton tjetër.

Makina personale mbetet mënyra më e përdorur e transportit (49%), ndjekur nga transporti publik (31%). Përdorimi i transportit publik ka shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 1990, ndërsa përdorimi i makinave dhe biçikletave ka mbetur i qëndrueshëm.

Sipas statistikave, shumica e punonjësve (66,8%) shpenzojnë jo më shumë se 30 minuta për të arritur në punë, ndërsa 34,6% e tyre arrijnë brenda 15 minutash ose më pak.

Kantonet më tërheqëse për punë janë Zug dhe Basel-Stadt, ndërsa kantonet si Thurgau kanë më shumë banorë që udhëtojnë jashtë kantonit për punë.