Osmani kërkon nga Kallas heqjen e masave ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në New York, duke ia ritheksuar domosdoshmërinë për heqjen e masave të padrejta të bllokut ndaj Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Osmani e Kallas u takuan gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Në New York, takova përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, me të cilën diskutuam mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon.

Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, ka shkruar Osmani.

Presidentja tutje ka shkruar se Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë.

Në New York, Osmani u takua edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Kosova është nën masat e BE-së për më shumë se dy vjet shkaku i trazirave në veri gjatë majit të vitit 2023.

Kurti: Afrim Bunjaku, dëshmor i mbrojtjes së territorialitetit të shtetit të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rezistencën e heroit të vendit, Afrim Bunjakut, në akademinë përkujtimore, në dyvjetorin e rënies së tij në Banjskë të Zveçanit.

Kurti e ka cilësuar 24 shtatorin e vitit 2023, ditën kur ndodhi sulmi në Banjskë, si një ndër datat kyçe në kronologjinë e Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Përmes një shkrimi të publikuar nga Qeveria e Kosovës, Kurti gjatë fjalës së tij në akademinë përkujtimore për Bunjakun ka rreshtuar historikun e ngjarjeve dhe rrethanave që i paraprinë sulmit në mëngjesin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

“Grupi i terroristëve serbë që e sulmoi Kosovën në veri të saj, dhe që më 24 shtator 2023 ishte i përqendruar në Banjskë të Zveçanit, ishte një grup paraushtarak i organizuar, i trajnuar, i instruktuar dhe i financuar nga shteti i Serbisë. Të gjithë pjesëtarët e atij grupi janë stërvitur nga ushtria, xhandarmëria dhe policia serbe, si dhe janë furnizuar me armë, municione dhe pajisje të prodhuara në fabrikat shtetërore të industrisë së armatimit në Serbi” – citohet të ketë thënë, ndër të tjera, Kurti.

Ai gjithashtu ka përmendur të akuzuarin nga drejtësia e Kosovës, Millan Radoiçiq, për të cilin tha se ka dëshmi të pamohueshme që ka qenë i përfshirë dhe në krye të grupit në Banjskë, ka aktakuzë të ngritur në Kosovë, dhe ndonëse vetë e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë, është liruar nga paraburgimi një ditë pas arrestimit në Serbi, kurse tash e dy vite është edhe i lirë edhe aktiv në Beograd.

“Ndërkaq, shtetasi i Kosovës, Arbnor Spahiu, i akuzuar nga Serbia se ka qenë i përfshirë si polic në rastin e Banjskës, ndonëse ai nuk ka qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës kur ndodhi ngjarja, madje prej kohësh jetonte në Gjermani, po mbahet në paraburgim që nga 7 qershori, tash e 110 ditë” – është shprehur Kurti.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka dështuar ta trajtojë me sukses si njërin ashtu edhe tjetrin rast, duke thënë se ndonëse te i pari kemi të bëjmë me një kriminel terrorist ndërkombëtar, te i dyti bëhet fjalë thjesht për një qytetar, të cilit po i shkelen liritë dhe i dhunohen të drejtat, ndonëse kurrë nuk ka pasur probleme me ligjin.

Kurti ka deklaruar se misioni për drejtësi i Bashkimit Europian në Kosovë, EULEX-i, i cili e monitoron dhe mentoron sistemin tonë të drejtësisë, duhet t’i bashkëngjitet kërkesës së Kosovës për dorëzimin e Millan Radoiçiqit autoriteteve të rendit dhe të drejtësisë në Kosovë.

Ai ka shprehur lëvdata për policët e Kosovës, për të cilët tha se morën pjesë në operacionin e 24 shtatorit të vitit 2023, për mbrojtjen e territorit të Kosovës nga shteti i Serbisë.

Projekti ArtPal lidh nxënësit nga Kosova dhe Suedia përmes librit dhe artit

Nxënës të klasës së gjashtë nga Prishtina dhe Vänersborg janë bërë pjesë e një projekti të ri ndërkombëtar që kombinon leximin dhe artin vizual, transmeton albinfo.ch.

Projekti, i quajtur ArtPal, i fton nxënësit të lexojnë romanin fantastik PaX: Nidstången dhe të shprehin kuptimin e tij përmes vizatimit. Çdo javë, ata lexojnë kapituj të rinj, krijojnë vepra arti dhe i ndajnë ato gjatë takimeve virtuale, duke ndërtuar kështu kreativitet, vetëbesim dhe miqësi ndërkulturore.

ArtPal është një bashkëpunim mes Vänersborgs Konsthall dhe The Library Project Kosova (TLPK), të udhëhequr nga Saranda Azemi, Safete Binaku, Ardiana Selimi dhe Märta Cassel. Leximi në klasë drejtohet nga mësueset Annika Eriksson dhe Anna Kolmodin në Suedi, si dhe Qëndresa Beqiri në Kosovë. Ndërkohë, artistja Laureta Hajrullahu udhëheq punëtori kreative në të dy vendet.

Ekspertët theksojnë se ndërthurja e leximit me artin vizual ndihmon nxënësit të kuptojnë më mirë tekstin, të rrisin kujtesën dhe të angazhohen emocionalisht me historinë.

Projekti ArtPal tregon se si arti dhe letërsia mund të shërbejnë si ura që lidhin të rinjtë përtej kufijve, duke krijuar gjenerata lexuesish dhe artistësh të rinj. /Albinfo.ch

Dren Qerimi nderohet me çmim prestigjioz në SHBA për kërkim shkencor në bioinxhinjeri

Gjilanasi Dren Qerimi është nderuar me një çmim prestigjioz nga Universiteti i Illinois në Shtetet e Bashkuara, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën kritike të bioinxhinjerisë, shkruan albinfo.ch.

Qerimi, profesor në departamentin e NPRE (Nuclear, Plasma, and Radiological Engineering), mori Çmimin e Hulumtuesit të Ri nga Divizioni i Shkencës dhe Teknologjisë së Plazmave në AVS, një prej organizatave më të njohura ndërkombëtare në këtë fushë. Ky çmim vlerëson arritjet bazë dhe të aplikuara në fushën e fizikës plazmatike, duke theksuar rëndësinë e tyre për zhvillimet shkencore dhe teknologjike.

“Jam shumë i nderuar dhe mirënjohës që kam marrë Çmimin e Hulumtuesit të Ri nga Divizioni i Shkencës dhe Teknologjisë së Plazmave në AVS. Ky vlerësim në fushën e fizikës plazmatike nuk është vetëm rezultat i punës sime, por edhe i mbështetjes, bashkëpunimit dhe frymëzimit që kam marrë nga kolegët, mentorët dhe studentët e mi”, u shpreh Qerimi pas pranimit të çmimit.

Ky sukses i vendos emrin e tij në mesin e studiuesve më të vlerësuar ndërkombëtarë, duke sjellë një shembull frymëzues për të rinjtë kosovarë dhe më gjerë që ndjekin rrugën e kërkimit shkencor./Albinfo.ch

Nisen të gjithë zarfet me fletëvotime për votim jashtë Kosovës

Për herë të parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë vetës detyrë që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës t’ua dërgojë përmes postës pakot me fletëvotime për të votuar në Zgjedhjet Lokale, përcjell albinfo.ch.

Ky shërbim pritet të realizohet për 43 mijë e 933 shtetasit e Kosovë, të cilët aplikuan dhe u regjistruan për të votuar përmes postës në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Në mbledhjen e mbajtur sot nga KQZ, u prezantua raporti për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, për votim me postë për Zgjedhjet Lokale. Sipas raportit, KQZ ka nisur përmes postës rreth 44,000 pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe shërbimet postare po i përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.

Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës dhe 2,050 të tjera përmes postës së shpejtë. Zarfi i cili i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.

Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ.

Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike tha se të gjitha zarfet me fletëvotime tashmë gjinden jashtë territorit të Kosovës.

“Raporti shpjegon gjithë procesin që është realizuar me qëllim të dërgimit të pakove me fletëvotime i cili ka filluar me datën 15 shtator dhe ka përfunduar në vikendin e kaluar. Gjithashtu në këtë raport janë paraqitur edhe të dhënat e përgjithshme lidhur me numrin e zarfeve që ka pranuar Posta e Kosovës nga sekretariati i KQZ-së, ku tashmë të gjithë zarfet me fletëvotime gjinden jashtë territorit të Kosovës, një pjesë dërrmuese e tyre kanë arritur në shtetet e caktuara… Po ashtu janë dorëzuar 2050 zarfe të kompletuara të cilat do të dërgohen me postën e shpejtë në shtetet si Australi, Kanadë, Islandë, Indonezi, Irlandë, Izrael e të tjera. Do të thotë shtetet që bëjnë pjesë jashtë kontinentit të Evropës.”

Po ashtu, në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për akreditimin e 18,041 vëzhguesve të 51 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.

Periudha e votimit përmes postës, e cila ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, vlenë vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

Frutat dhe perimet që duhet t’i konsumoni gjatë shtatorit

Shtatori është një muaj i pasur me prodhime të freskëta, duke ofruar një larmi shijesh që ndryshojnë nga verorja. Ndër frutat më të shijshme të këtij sezoni veçohen jo vetëm rrushi, i cili është mjaft i dukshëm në treg për shkak të prodhimit të brendshëm, por edhe fruta të tjera që mund të jenë më të rralla, por me vlera të larta ushqyese.

Fruta si kivi, fiqtë e Indisë, kërpudhat dhe tartufi janë ndër më të mirat që mund të gjenden gjatë këtij muaji. Nëse jeni lodhur nga shijet e verës, shtatori sjell ndryshime të këndshme në tryezën tuaj.

Nga frutat e pyllit tek mollët, hurmat dhe dardhat e ndryshme, shtatori është koha më e mirë për t’i shijuar ato në kulmin e sezonit.

Perimet e sezonit

Për adhuruesit e perimeve, tani janë në kulmin e tyre lulelakra dhe finoku. Patatet, kungujt e verdhë, brokoli dhe kërpudhat gjithashtu janë të freskëta dhe të shijshme. Ky është momenti ideal për të shijuar aromat autentike të perimeve të freskëta të sezonit.

Zgjerimi i Kupës së Botës në 2030, rreth 30% e vendeve anëtare të FIFA-s mund të marrin pjesë

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) po shqyrton mundësinë e zgjerimit të Kupës së Botës në 64 skuadra. Ideja për të shtuar ekipet që do të marrin pjesë, duke nisur nga Botërori i vitit 2030, është propozuar zyrtarisht nga udhëheqës të fuqishëm të Amerikës së Jugut.

Gjatë takimeve në Nju Jork, presidenti i FIFA-s, Xhiani Infantino, dhe sekretari i përgjithshëm, Matias Grafstrom, dëgjuan propozime nga politikanë dhe drejtues futbolli nga Paraguaji, Argjentina dhe Uruguaji.

Alejandro Dominguez, president i CONMEBOL-it dhe nënpresident i FIFA-s, udhëhoqi diskutimet në emër të mysafirëve. Sipas tyre, zgjerimi në 64 ekipe synon të shënojë 100-vjetorin e Kupës së Botës, një ide e prezantuar për herë të parë nga Uruguaji në mars.

Në historinë e Botërorit, numri i ekipeve ka ndryshuar gradualisht: nga 16 në 1982, në 24 në 1982, më pas 32 në 1998, dhe së shpejti 48 në edicionin 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Nëse plani për 64 ekipe realizohet, më shumë se 30% e 211 vendeve anëtare të FIFA-s do të marrin pjesë në garë.

 

Aeroporti i Shkupit pa radar, numri i fluturimeve pritet të ulet ndjeshëm

Aeroporti i Shkupit po funksionon aktualisht pa mbulim radar gjatë fazave më kritike të fluturimeve, si ngritja dhe ulja e avionëve. Kontrollorët e fluturimit duhet të menaxhojnë trafikun pa pamje të drejtpërdrejtë në ekranet e radarëve, duke u bazuar vetëm në procedura standarde.

Problemi u përkeqësua pas daljes jashtë funksionit të radarit të vetëm që ishte në punë në zonën e aeroportit. Radari i dëmtuar është një nga dy radarët e vendosur brenda aeroportit – njëri mbi kullën e kontrollit dhe tjetri pranë saj. Deri kohët e fundit, vetëm radari pranë kullës ishte funksional, por tani edhe ai është jashtë përdorimit.

Aleksandar Tasevski, kontrollor i fluturimeve dhe kryetar i sindikatës së Shoqatës Aksionare M-Nav, që menaxhon trafikun ajror civil në Maqedoninë e Veriut, shpjegon se kjo situatë bën që avionët të mos monitorohen në kohë reale në lartësi të ulëta.

“Tani ekziston një defekt në radarin që mbikëqyr uljet dhe ngritjet. Në këto kushte, ne nuk mund të shohim qarkullimin në lartësi deri në rreth 3,000 metra. Avionët ndjekin procedura emergjente, por trafiku është reduktuar, dhe nuk mund të shërbejmë të gjitha fluturimet sipas kërkesës. Ka vonesa në ulje dhe ngritje, dhe një pjesë e fluturimeve mbetet praktikisht në dorën e pilotëve. Informacioni që kemi vjen vetëm nga raportimet që marrim”, tha Tasevski.

Megjithatë, Shoqata Aksionare M-NAV siguron se nuk ka rrezik për sigurinë e trafikut ajror dhe se problemi do të zgjidhet së shpejti.

“Jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me prodhuesin e radarit, dhe është mundësuar diagnostikimi online përmes tyre. Po ashtu, M-NAV ka angazhuar ekspertët e saj për të rikthyer sa më shpejt radarin në funksion,” sqarojnë autoritetet.

Kjo situatë do të vazhdojë deri sa të arrijë pjesa rezervë e radarit nga jashtë, dhe ende nuk dihet se sa do të zgjasë ky proces. Montimi i pjesës së dëmtuar gjithashtu do të zgjasë, dhe kjo pritet të reduktojë ndjeshëm numrin e fluturimeve në aeroportin e Shkupit.

Zvicër: Rrezikohen 19 mijë vende pune në mungesë të një marrëveshje me SHBA

Tregu zviceran i punës mund të humbasë deri në 19,000 vende pune nëse Zvicra nuk arrin një marrëveshje doganore me SHBA-në. Sipas Institutit Ekonomik Zviceran (KOF), kjo situatë do të çonte në një rritje të dukshme të papunësisë në vitin 2026, krahasuar me një skenar ku Zvicra do të kishte marrë një marrëveshje të ngjashme me Bashkimin Europian, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, pak më pak se 3% e zviceranëve janë të papunë, një normë që ka rritur që nga pandemia. Ekspertët paralajmërojnë se tarifat amerikane mbi eksportet mund të sjellin masa të përkohshme si puna me orar të shkurtuar, por papunësia pritet të rritet në tremujorët e ardhshëm.

Parashikimi i KOF gjithashtu tregon se rritja e PBB-së zvicerane ngadalësohet, duke u ulur nga 1.9% në 1.3% për vitin 2026 dhe në 1.2% për 2027.

 

Turizmi i blerjeve nga zviceranët po rritet ndjeshëm

Sipas një studimi të Universitetit të St. Gallen, zviceranët po bëjnë më shumë blerje jashtë vendit dhe në një shkallë më të gjerë se në vitin 2022. Ushqimet dhe veshjet janë më të preferuarat jashtë vendit. Megjithatë, diferencat e çmimeve mes produkteve të huaja dhe atyre zvicerane shpesh tejvlerësohen.

Studimi analizoi zhvillimin e blerjeve në vendet fqinjë që nga viti 2022. Një nga rezultatet kryesore: blerjet kanë shënuar një rritje prej 10% si në dyqane fizike ashtu edhe online, transmeton albinfo.ch.

Zviceranët po blejnë jashtë vendit më shpesh

Turizmi i blerjeve, si në dyqane fizike ashtu edhe online, është rritur nga 8.43 miliardë CHF në 9.26 miliardë CHF që nga viti 2022, një rritje prej 9.9%. Blerjet e ushqimeve janë rritur sidomos në dyqanet fizike.

Rritja më e madhe në blerjet online është vërejtur te veshjet. Sipas studimit, shpenzimet mesatare për blerje në dyqanet jashtë vendit kanë shkuar nga 216 në rreth 230 franga. Konsumatorët gjithashtu blejnë jashtë vendit më shpesh se tre vjet më parë.

Avantazhet e çmimeve shpesh tejvlerësohen

Rreth 3,000 pjesëmarrës nga të gjitha pjesët e vendit u pyetën për arsyet e blerjeve jashtë vendit. Përfitimet e çmimeve mbeten motivi kryesor, por studimi zbulon se turistët e blerjeve shpesh tejvlerësojnë masivisht këto avantazhe.

Për zviceranët që flasin gjermanisht, destinacioni më i popullarizuar për blerje është Konstanz në Gjermani. Për ata që flasin frëngjisht ose italisht, janë Pontarlier në Francë ose Como në Itali.

Studimi spekulon mbi efektet e mundshme të uljes së pragut për blerjet pa doganë nga 300 në 150 franga, që ka hyrë në fuqi nga janari 2025. Kjo mund të çojë në uljen e numrit të turistëve të blerjeve që kërkojnë rimbursim të TVSH-së.

Austri: Promovohet romanit autobiografik „KREUZTANNE“ nga Fate Velaj

Mbrëmë, në qytetin Traiskirchen të Austrisë u zhvillua promovimi i romanit autobiografik KREUZTANNE nga Fate Velaj. Në ngjarje morën pjesë Zëvendëskancelari dhe ministri i Kulturës Andreas Babler, shumë ambasadorë, si dhe dashamirës të letërsisë.

Romani tregon historinë e një djali nga Vlora, Shqipëri, i cili pas rënies së komunizmit nis një jetë të re në Austri. Fillimisht si larës enësh dhe punëtor fabrike, ai më pas shfaq talentin e tij artistik dhe arrin të bëhet një krijues i njohur, duke përballuar sfida të mëdha dhe duke e kthyer dhimbjen në forcë personale.

Zëvendëskancelari Babler vlerësoi rëndësinë e veprës, duke theksuar se krijimtaria e Velajt ndihmon në ndërtimin e urave kulturore midis Austrisë dhe Shqipërisë dhe kontribuon në mirëkuptimin evropian.

Lexoni po ashtu:

Ambasadori Fate Velaj më 23 shtator përuron romanin „Kreuztane” në Traiskirchen të Austrisë

Kosova dhe SHBA forcojnë bashkëpunimin konsullor në Cyrih

Me ftesë të znj. Ellen Ann Delman, Udhëheqëse e Agjencisë Konsullore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Cyrih, një delegacion nga Kosova mori pjesë në pritjen e organizuar nga kjo Agjenci, nën kujdesin e Ambasadës së SHBA-ve në Zvicër dhe Lihtenshtajn.

Ky takim u mbajt në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer në fushën konsullore e ku Kosova u përfaqësua nga konsulli Vigan Berisha.

“Në të u theksua miqësia dhe aleanca e qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe rëndësia e vazhdimit të këtij raporti të fortë diplomatik”, njofton konsullata e Kosovës në Cyrih.

Lexoni po ashtu:

Deputeti shqiptar në Zvicër, Islam Alijaj, pret në takim Konsullin e Kosovës në Cyrih

Rritja e primit shëndetësor rrezikon përballueshmërinë e sistemit në Zvicër?

Primet e sigurimit shëndetësor në Zvicër do të rriten ndjeshëm edhe në vitin 2026. Sipas Tobias Müller, profesor i ekonomisë shëndetësore në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Bernë, arsyeja kryesore lidhet me sistemin që shpërblen financiarisht mjekët dhe spitalet për sa më shumë trajtime të kryera – edhe kur ato nuk sjellin vlerë shtesë për pacientët.

Një studim i OECD-së vlerëson se deri në 20 për qind e kostove shëndetësore janë të panevojshme, çka në Zvicër përkthehet në rreth 20 miliardë franga në vit. Müller thekson se përgjegjësia nuk duhet t’u vihet pacientëve, pasi vendimet mjekësore merren kryesisht nga ofruesit e shërbimeve.

Sipas tij, reformat e deritanishme kanë pasur efekt të kufizuar dhe sistemi tarifor i ri, që hyn në fuqi vitin e ardhshëm, vazhdon të mbetet i bazuar në volum. Ai propozon paga fikse për mjekët ose tarifa të përbashkëta për pacientë, me qëllim që trajtimet e panevojshme të mos jenë më fitimprurëse.

Megjithatë, Müller është skeptik për ndryshime të mëdha, duke theksuar se lobimi i fortë në sektorin shëndetësor e bën të vështirë reformat thelbësore.

 

Ignazio Cassis: Njohja e Palestinës është “një kartë që është më mirë të përdoret më vonë”

Për Këshillin Federal, ende nuk ka ardhur koha për ta njohur zyrtarisht Palestinën, deklaroi këshilltari federal për Punët e Jashtme, Ignazio Cassis. Duke vepruar kështu, Këshilli Federal ruan “koherencën e linjës së tij” dhe i mundëson Zvicrës “të luajë një rol të ndryshëm nga rrjedha kryesore,” tha politikani nga Tiçino të mërkurën në RTS.

Sipas Cassis, Këshilli Federal ka analizuar përparësitë dhe të metat e njohjes zyrtare të Palestinës. Zvicra dëshiron të mbajë koherencë me politikën e saj, duke qenë se, në parim, e ka njohur Palestinën përmes mbështetjes së zgjidhjes me dy shtete. “Pra, pyetja nuk është nëse, por kur,” përmblodhi ai, transmeton albinfo.ch.

“Njohja e Palestinës është një akt simbolik dhe politik që mund të japë shpresë,” pranoi ministri i jashtëm. “Por është më mirë ta ruajmë këtë levë për momentin e duhur, kur një plan paqeje të jetë mbi tryezë, në mënyrë që të japim një nxitje të madhe.”

Një “rol i ndryshëm nga rrjedha kryesore”

Ky qëndrim, sipas Cassis, i lejon Zvicrës “të luajë një rol të ndryshëm nga rrjedha kryesore, një rol që gjithmonë ka qenë zviceran, pra ai i organizimit të gjithçkaje që është e nevojshme për një lloj të tillë diskutimi.” Ai shtoi se, nëse duam “të jemi të dobishëm për botën, zgjidhja më e mirë është ajo që ka zgjedhur Këshilli Federal.”

Të hënën, disa shtete, përfshirë Francën, njohën shtetin e Palestinës gjatë hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të 80-të të OKB-së në Nju Jork.

Zvicër: Ekonomia po rritet më ngadalë se sa pritej

Ekonomia rritet më ngadalë se sa pritej

Ekonomia zvicerane duket se do të rritet ndjeshëm më pak se sa pritej, vitin e ardhshëm. Ky është konstatim i bërë nga KOF, Instituti Ekonomik Zviceran në universitetin ETH Zurich, trasnmeton albinfo.ch.

Prodhimi i përgjithshëm ekonomik pritet të rritet me 0.9 për qind vitin e ardhshëm. Në verë, KOF ende priste që produkti i brendshëm bruto të rritej me 1.5 për qind, shkruan srf.ch.

Arsyeja kryesore për pritjet e ulëta janë tarifat e SHBA-së, sipas një deklarate për media, të bërë nga instituti në fjalë.

Tarifat e importit të futura nga Uashingtoni po e rëndojnë gjithnjë e më shumë sektorin e eksportit zviceran, sipas KOF. Veçanërisht kritike është gjendja për faktin se mallrat zvicerane i nënshtrohen taksave mesatare më të larta se produktet nga BE-ja.

Swisscom planifikon të zhvendosë vendet e punës jashtë Zvicrës

Swisscom planifikon të zhvendosë më shumë vende pune në Holandë dhe Letoni. Kompania e telekomunikacionit konfirmoi një raport nga CH Media për agjencinë e lajmeve AWP.

Disa detyra të zhvillimit të IT do të zhvendosen në Roterdam dhe Riga, trasnmeton albinfo.ch. Arsyeja e dhënë nga kompania është optimizimi i kostos.

Swisscom nuk ka zbuluar se sa pozicione janë të përfshira, pasi plane më të sakta nuk janë aktualisht të disponueshme. Raporti i CH Media përmend 1,000 deri në 1,400 punonjës që do të punësohen në të dy vendet në të ardhmen, shkruan srf.ch. Aktualisht, ka afërsisht 600 dhe 800 punonjës, në dy vendet përkatëse.

Swisscom nuk ka komentuar mbi këto shifra.

Kur Swisscom kishte hapur degët e veta në Roterdam dhe Riga në vitin 2019 dhe 2020, kompania kishte theksuar se hapjet e këtyre vendeve të punës “nuk do të vinin në kurriz të vendeve të punës në Zvicër”. Ndërkohë, kompania duket se ka ndryshuar mendje.

Tani ajo e justifikon zhvendosjen e pozicioneve me “optimizim të vazhdueshëm të kostos”. Ajo gjithashtu thekson nevojën për të tërhequr specialistë të përshtatshëm.

SVP sjell iniciativën për kontrolle sistematike kufitare

Nisma për mbrojtjen e kufijve, e realizuar nga SVP bën thirrje për rivendosjen e kontrolleve sistematike kufitare dhe një kufizim të kërkesave për azil. Azilkërkuesve nga vendet e treta të sigurta duhet t’u mohohet hyrja, trasnmeton albinfo.ch.

Të mërkurën, SVP ka njoftuar se ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme, 110.000 sosh, për iniciativën e saj popullore “Ndalo abuzimin me azilin!” (Nisma për Mbrojtjen e Kufijve). Ata bëjnë thirrje për mbikëqyrje rigoroze të kufijve të Zvicrës dhe kontroll sistematik të udhëtarëve që vijnë, shkruan tagesanzeiger.ch. Sipas partisë, nënshkrimet u dorëzuan në Kancelarinë Federale herët pasditen e së mërkurës.

Në justifikimin e tyre për referendumin, iniciatorët përqendrohen në fjalën e përdorur “abuzimi me azil”. Qëllimi është t’i jepet fund “migrimit të organizuar kriminal të azilit”.

Këshilli Federal duhet të jetë në gjendje të caktojë një kuotë vjetore prej një maksimumi prej 5,000 personash që kanë ndonjë arsye për ikje nga vendi i tyre, gjegjësisht për të kërkuar ndihmë në Zvicër. Ata që hyjnë ilegalisht në vend duhet të deportohen.

“Procedura të thjeshtuara” janë planifikuar për qytetarët zviceranë, shtetasit e huaj me një leje qëndrimi të vlefshme zvicerane të vlefshme për të paktën një vit dhe udhëtarët ndërkufitarë.

Presidentja Osmani u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Ajo ka ndarë sot në Facebook një foto nga ky takim.

“Me Sekretarin Rubio, një bisedë përmbajtjesore mbrëmë në kuadër të pritjes së organizuar nga Presidenti Trump”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Takimi u zhvillua gjatë pritjes së organizuar nga presidenti  amerikan Donald Trump, ku u diskutuan tema të rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Përdhunim në grup: Dënohen në Itali tre punëtorë sezonalë nga Kosova

Gjykata Rajonale e Bolzanos ka dhënë vendimin e saj në procesin gjyqës për përdhunimin e një turisteje finlandeze në Val Gardena dy vjet më parë. Tre punëtorë sezonalë nga Kosova – të moshës 21, 26 dhe 27 vjeç – janë shpallur fajtorë, transmeton albinfo.ch.

Dy nga burrat kanë marrë nga gjashtë vjet burg, ndërsa i pandehuri i tretë u dënua me katër vjet e tetë muaj. Autorët duhet t’i paguajnë gjithashtu gruas së re 60,000 euro dëmshpërblim, shkruan stol.it.

Dënimet ishin më të ulëta se ato të kërkuara nga prokurori publik. Prokurori kishte kërkuar një dënim prej dhjetë vjetësh burg për secilin dhe mbi 300,000 euro dëmshpërblim. Pala civile kishte kërkuar gjithashtu pagesën e kësaj shume.

Vështirësi lindën gjatë procedurave në lidhje me mendimin e një eksperti: Mbrojtja kishte kërkuar që një lexues buzësh të analizonte regjistrimet me video pa zë për të sqaruar keqkuptimet e mundshme në komunikimin midis viktimës dhe të pandehurit, përcjell albinfo.ch. Mbrojtja përfundimisht kërkoi lirim nga akuzat.

Krimi ka ndodhur në janar 2023, kur turistja finlandeze u sulmua seksualisht disa herë. Arsyetimi i vendimit do të shpallet brenda 90 ditësh. Mbrojtja do të ketë më pas mundësinë të apelojë. Vendimi nuk është ende përfundimtar.

BE kërkon nga Serbia arrestimin e sulmuesve në Banjskë

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen për mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë, i cili, sipas zyrtarëve të Brukselit, ka kërcënuar seriozisht sigurinë në rajon.

Çështja e përgjegjësisë për Banjskën, dy vite më pas, ka qenë pjesë e bisedimeve që shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas ka zhvilluar në Nju Jork me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, raporton rtklive.com. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë evropianë, duke nënvizuar se Kallas do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje edhe në margjinat e takimeve të saj me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

Nga zyra e shtypit të BE-së është bërë e ditur se pritet që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht, para gjykatave serbe, autorët e sulmit që ndodhen në Serbi.

“Ne gjithashtu mbetemi të shqetësuar nga raportet për pjesëmarrjen e autorëve të dyshuar të sulmit në Banjskë gjatë demonstratave në Serbi”, thuhet në një përgjigje me shkrim për RTK-në nga selia e BE-së.

Po ashtu, nga zyra për shtyp e BE-së nënvizohet se, në tetor 2023, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë i ka përcjellë autoriteteve serbe një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë ligjore nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë çështje, ndërsa konfirmohet se ende nuk ka asnjë përgjigje nga Beogradi zyrtar.

Zyrtarët evropianë presin që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me këto kërkesa përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë ligjore.

Këshilli Kombëtar dëshiron të heqë pensionin e përjetshëm për gratë e veja

Këshilli Kombëtar i Parlamentit të Zvicrës dëshiron të heqë pensionet e përjetshme për gratë e veja, madje edhe për ato që aktualisht marrin pensione. Janë refuzuar dy mocione të bëra për të hedhur poshtë propozimin.

Vetëm gratë mbi 55 vjeç janë të përjashtuara nga ndryshimi i bërë, trasnmeton albinfo.ch. Reforma synon t’i trajtojë burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) e kishte kritikuar Zvicrën për trajtim të pabarabartë. Tani Parlamenti po reagon.

Për më tepër, kufiri i pensioneve AHV për çiftet e martuara për pensionistët e ardhshëm do të hiqet. Pensionet aktuale do të mbeten të paprekura.

Dhoma Nacionale vendosi që, në parim, burrat dhe gratë e veja duhet të marrin një pension vetëm derisa fëmija më i vogël të mbushë 25 vjeç. Vetëm ata pensionistë që kujdesen për një fëmijë me aftësi të kufizuara duhet të vazhdojnë të marrin pensionin për të mbijetuarit përtej kësaj moshe.

Megjithatë, gratë e veja që i afrohen moshës së daljes në pension në 58 vjeç dhe përballen me varfërinë pas vdekjes së partnerit të tyre mund të marrin gjithashtu mbështetje financiare, shkruan srf.ch. Kjo përfaqëson një përkeqësim të ndjeshëm për gratë e veja, por një përmirësim të vogël për burrat e vejë.

Deri në vendimin e GJEDNJ-së, burrat e vejë merrnin një pension për të mbijetuarit vetëm derisa të gjithë fëmijët të mbushnin moshën madhore, pra deri në 18 vjeç. Gratë, nga ana tjetër, më parë merrnin një pension për të mbijetuarit për gjithë jetën. Ky tani do të hiqet.

Cilat janë ndryshimet më të mëdha?

Ndryshimi më i madh në reformë është ai se statusi martesor nuk do të luajë më rol në pensionet e të vejave. Prandaj, nuk ka më rëndësi nëse jeni i martuar apo jo. Këtu, Këshilli Kombëtar qëndroi pranë propozimit të Këshillit Federal (qeverisë).

Për të vejat që nuk kanë fëmijë në varësi, Këshilli Kombëtar ndoqi një rrugë të mesme. Gratë që kanë fëmijë dhe marrin pension për të mbijetuarit duhet të vazhdojnë ta marrin atë, përcjell albinfo.ch. Gratë e veja pa fëmijë goditen më rëndë.

Propozimi i Këshillit Kombëtar do të pezullonte pensionet e tyre për sa kohë që ato nuk marrin përfitime plotësuese. Duke vepruar kështu, Këshilli Kombëtar synon të shkojë më larg se Këshilli Federal, i cili do të donte të pezullonte pensionet për vejushat nën 55 vjeç nëse ato nuk kanë më fëmijë në ngarkim.

CH-APEN – Kur brezi i dytë rilidh diasporën me rrënjët

Në një Zvicër të globalizuar, të ndërlidhur dhe digjitale, një grup të rinjsh shqiptarë – të lindur, të rritur dhe të shkolluar ndërmjet Alpeve dhe rrënjëve të tyre në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni – vendosën të krijojnë diçka që nuk ka ekzistuar më parë në formë të strukturuar: një rrjet që i fton shqiptarët e arsimuar në Perëndim të bëhen faktor ndikimi – për veten, për njëri-tjetrin dhe për shoqërinë ku jetojnë.

Kështu lindi CH-APEN – CH Albanian Professionals & Entrepreneurs Network.

Jo thjesht një rrjet – por një ide që frymëzon

CH-APEN nuk është një shoqatë e zakonshme. Është një platformë kreative, e krijuar nga profesionistë të gjeneratës së dytë të mërgatës shqiptare, që nuk kanë zgjedhur mes Zvicrës dhe origjinës – por i kanë përqafuar të dyja me krenari.

Qëllimi i tyre? Të krijojnë një hapësirë ku takohen kultura, profesionalizmi dhe identiteti shqiptar. Të nxisin dialog, frymëzim dhe bashkëpunim – përtej darkave formale dhe përtej folklorizmit të zakonshëm.

Në vend të protokolleve boshe, ata sjellin evente unike: ekspozita arti në muze si Kunsthaus Zürich, forume për teknologjinë dhe inovacionin si Speak@ODA, lundrime mbi liqenet zvicerane me muzikë, poezi dhe ekspozita me përmbajtje historike.

 

 

Nga Speak@ODA te ekspozitat në Kunsthaus – një mënyrë e re për të qenë shqiptar në Zvicër

Në forumet Speak@ODA, temat si Inteligjenca Artificiale, Blockchain, mobiliteti elektrik dhe siguria kibernetike diskutohen nga shqiptarë që punojnë në Google, Tesla, start-up-e evropiane dhe kompani lider në tregun zviceran. Djem dhe vajza që janë shembulli më i mirë i asaj se çfarë do të thotë të jesh “shqiptar i integruar” – pa harruar kurrë gjuhën e nënës dhe historinë nga vjen.

Në ngjarjet kulturore, ekspozitat me fotografi të papublikuara nga lufta në Kosovë – si ato të Visar Kryeziut në Kunsthaus – janë të shoqëruara me panele diskutimi, muzikë live dhe prezantime të sipërmarrësve të rinj shqiptarë që kanë krijuar kompani të suksesshme në Zvicër.

CH-APEN nuk organizon evente – CH-APEN krijon përvoja

Lundrimi artistik në liqenin e Luzernit, me më shumë se 200 pjesëmarrës, nuk ishte vetëm një festë – ishte një afirmim i identitetit. Në mes të një anije moderne, mes ekspozitash, muzikës klasike dhe kuzhinës shqiptare në formë gourmet, diaspora shqiptare u prezantua si një bashkësi evropiane që nuk harron asnjëherë kush është.

Pikërisht këtu qëndron edhe filozofia e CH-APEN: “Ne nuk duam të jemi vetëm mërgimtarë – duam të jemi Arbëreshët e rinj të Zvicrës. Ata që ruajnë gjuhën, kujtimin, kulturën – por që ecin përpara me profesionalizëm dhe dinjitet.”, shprehet bashkëthemeluesi dhe gazetari Beks Dalipi.

Për një diasporë që kontribuon, jo vetëm kujton

CH-APEN nuk është nostalgji për vendlindjen – është projekt për të ardhmen. Me synimin për të përfshirë brezin e ri, për të krijuar mentorim ndërgjeneratash dhe për të kthyer diasporën shqiptare në aktor ekonomik, kulturor dhe social të Zvicrës moderne.

Me një numër në rritje anëtarësh – mjekë, arkitektë, inxhinierë, artistë, IT-specialistë, financistë – CH-APEN po bëhet referencë për çdo shqiptar që kërkon më shumë se vetëm përkatësi etnike: kërkon bashkësi me vlera, përmbajtje dhe ndikim.

Mesazhi i CH-APEN: Jemi këtu, jemi krenarë, jemi aktivë

Në një kohë kur shumë organizata të diasporës janë pasive ose të fragmentuara, CH-APEN vjen si një model i ri: një diasporë që i flet vetes me vetëbesim, por edhe botës me kompetencë. Një komunitet që nuk kërkon vetëm të ruajë, por të ndërtojë.

„Dhe kjo është vetëm fillimi…në pjesën e dytë të këtoj viti do të sjellim ngjarje e evente edhe më unikate“, thotë për albinfo.ch, Beks Dalipi.