Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Votimi do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë do të organizojë votimin në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, më 27 dhjetor do të hapen qendrat e votimit në 29 përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës për të mundësuar votimin e më shumë se 19,300 shtetasve të Kosovës.

“Më 27 dhjetor, procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të shpërndara në 18 shtete të ndryshme të botës. Sipas kohës lokale, së pari votimi do të fillojë në konsullatën e Kosovës në Stamboll, për të vazhduar me hapjen e qendrave tjera në përfaqësitë diplomatike të vendosura në shtetet e Evropës. Në fund, votimi do të mbyllet me Uashingtonin, Nju Jorkun, Otavën dhe Toronton”, tha Elezi për KP, transmeton albinfo.ch.

Elezi ka shpjeguar edhe ndryshimet që kanë shoqëruar procesin e përcaktimit të përfaqësive diplomatike në të cilat do të zhvillohet votimi fizik. Fillimisht, KQZ kishte planifikuar që votimi të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike dhe në 10 qendra votimi jashtë tyre, por që hapësirat e votimit jashtë përfaqësive u anuluan nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme.

Më 18 dhjetor, KQZ ka rishqyrtuar vendimin dhe procesi i votimit nuk do të zhvillohet as në 8 përfaqësi të tjera, si ajo në Tiranë, Shkup, Podogoricë, Ankara, Abu Dhabi, Iowa, Podgoricë, Tokio dhe Kanbera ku ishin regjistruar gjithsej 70 votues.

“Planifikimi fillestar i KQZ-së ka qenë që ky proces të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike të vendosura në 36 shtete, si dhe në 10 qendra votimi jashtë përfaqësive diplomatike. Pastaj, pas vendimit të PZAP-it, Gjykatës Supreme dhe pas përfundimit të regjistrimit të votuesve – KQZ ka reduktuar votimin në 37 përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, nga kjo listë janë larguar edhe 8 përfaqësi të tjera për shkak të numrit të vogël të votuesve të regjistruar. 70 votuesit e këtyre përfaqësive janë udhëzuar që të votojnë përmes postës”, tha Elezi.

Procesi i votimit më 27 dhjetor 2025 do të zhvillohet në këto përfaqësi diplomatike: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashington – ambasadë; Nju Jork – konsullatë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 9. Kanada (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë).

Pritje të gjata nëpër pika kufitare për bashkëatdhetarët që vijnë në Kosovë

Pritje të gjata në pika të ndryshme kufitare janë regjistruar për mërgimtarët që kanë marrë rrugët tokësore për në Kosovë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se pritjet më të gjata janë te Dheu i Bardhë, deri në 40 minuta, transmeton albinfo.ch.

Përveç hyrjes në Kosovë, pritje kanë raportuar bashkëatdhetarët edhe në kufirin Kroaci-Serbi, deri në tetë orë.

Ndërkohë, në rrjete sociale kanë qarkulluar pamje, ku shihej policia kroate lejoi kalimin vetëm të makinave me targa kroate dhe serbe, duke mbajtur të bllokuar mërgimtarët shqiptarë mbi 12 orë. Si reagim, mërgimtarët bllokuan autostradën për të gjithë, dhe vetëm pas kësaj nisën zhbllokimet.

Shkupi sot, qyteti më i ndotur në Evropë

Shkupi sot është renditur i pari ndër qytetet më të ndotura në Evropë.

Sipas listës së publikuar nga kompania zvicerane “IQ Air”, me një nivel mesatar të ndotjes prej 101, Shkupi zë vendin e parë në Evropë dhe vendin e 21-të në botë, teksa pasohet nga Amsterdami dhe Sarajeva, transmeton albinfo.ch.

Masat e Qeverisë për mbrojtjen e popullatës nga ndotja, vazhdojnë të jenë në fuqi, sipas të cilave, të gjithë punëdhënësve u rekomandohet që t’i lirojnë nga obligimet e punës gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe qytetarët me astmë kronike, ata që kanë kaluar infarkt të zemrës ose goditje në tru, pavarësisht moshës.

Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi drejt studimeve doktorale në Zvicër

Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi janë dy të rinj shqiptarë që po konsiderohen shembull suksesi i diasporës shqiptare në Zvicër. Me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe disiplinë të vazhdueshme, ata kanë përfunduar studimet në mjekësi në Universitetin prestigjioz të Baselit, duke hapur një rrugë të re drejt karrierës profesionale dhe duke frymëzuar brezat e rinj për të ndjekur ëndrrat e tyre akademike.

 

 Dy histori të ndryshme, një synim i përbashkët

Rrugëtimi i Thesar Abdullahut dhe Morgan Hetemit drejt diplomimit në mjekësi në Universitetin e Baselit nis nga përvoja personale të ndryshme, por të ndërtuara mbi të njëjtën bazë, me përkushtimin ndaj dijes dhe disiplinën e vazhdueshme.

Të dy me prejardhje nga Kosova, ata kanë përfunduar studimet në Universitetin prestigjioz të Baselit, duke hapur një kapitull të ri profesional në fushën e mjekësisë.

Thesari është lindur dhe rritur në Zvicër, në Pratteln, ku ka përfunduar shkollimin fillor, ndërsa gjimnazin e ka vazhduar në Muttenz. Për vite me radhë, jeta e tij ka qenë e ndarë mes librave dhe pishinës së notit. Si sportist, ai ka mësuar herët se suksesi kërkon ekuilibër dhe vetëkontroll. “Noti ka qenë një nga ekuilibrat më të rëndësishëm në jetën time”, thotë ai, duke theksuar se sporti e ka ndihmuar të ruajë balancën mes shkollës dhe jetës së përditshme.

Ndryshe nga Thesari, Morgani ka lindur në Breitenbach të kantonit Solothurn, por është rritur në Arlesheim të Bazelit, aty ku edhe ka hedhur hapat e parë të arsimit. Gjimnazin e ka ndjekur në Münchenstein, ndërsa zgjedhja për të studiuar mjekësi në Universitetin e Baselit ka qenë një vazhdimësi e natyrshme e rrugëtimit të tij akademik. “Jam rritur në rrethin e Baselit dhe studimet në këtë universitet ishin një hap logjik për mua”, shprehet ai për platformën Albinfo.ch duke nënvizuar rëndësinë e mjedisit në formimin e tij profesional.

Dy histori të ndryshme, por që takohen në të njëjtën pike, auditorët e Universitetit të Baselit, ku pas viteve të gjata studimi, përkushtimi dhe sakrifice, të dy kanë arritur të realizojnë një nga synimet më të mëdha të jetës së tyre, duke diplomuar për mjekësi.

 

Rrugëtimi profesional i dy mjekëve shqiptarë pas diplomimit në Bazel

Rrugëtimi akademik i Morgan Hetemit dhe Thesar Abdullahut nuk ka qenë vetëm një sfidë individuale, por edhe një përvojë e ndarë mes miqësisë, identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. Që në semestrin e parë të studimeve në Universitetin e Baselit, ata kanë gjetur te njëri-tjetri jo vetëm një koleg, por edhe një lidhje kulturore që i ka afruar menjëherë.

 

Thesar Abdullahu

 

Thesari kujton se njohja me Morganin erdhi natyrshëm, sapo zbuluan se të dy kishin prejardhje nga Ferizaj. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim”, shprehet ai, për albinfo.ch. Kjo afërsi i shtyu të ruanin lidhjen me kulturën shqiptare edhe brenda një mjedisi akademik zviceran. Me dëshirën për të krijuar më shumë ura mes studentëve shqiptarë të mjekësisë dhe stomatologjisë, Thesari ndërmori iniciativën për të krijuar një grup të vogël studentësh nga vite të ndryshme studimi, ku shkëmbeheshin përvoja, këshilla dhe mbështetje. Edhe pse numri i studentëve shqiptarë në mjekësi mbetet i vogël, përpjekja për të ndërtuar një rrjet solidariteti ka qenë një hap i rëndësishëm drejt forcimit të komunitetit.

Edhe për Morganin, kjo lidhje ka pasur një vlerë të veçantë. Ai thekson se të kesh dikë që ndan të njëjtat rrënjë e bën më të lehtë të kuptuarit reciprok. Takimet në kampus, pjesëmarrja në aktivitete shqiptare dhe shkëmbimi i përvojave si studentë me prejardhje kosovare kanë qenë momente që i kanë ndihmuar të ndihen më pranë njëri-tjetrit, edhe në një shoqëri ku, herë pas here, ndihet njëfarë distance kulturore.

Të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave, asaj zvicerane dhe shqiptare, ka qenë një tjetër element formues në rrugëtimin e tyre. Morgani e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të marrë më të mirën nga të dyja botët. I lindur dhe rritur në Zvicër, ai thekson se vlerat e familjes, bashkimi, respekti dhe mirënjohja, vijnë nga kultura kosovare dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin e tij. Kjo përzierje kulturash, sipas tij, e ka bërë më të hapur ndaj këndvështrimeve të ndryshme dhe më të vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka për të dhënë shembull pozitiv si i ri me prejardhje shqiptare. Në të njëjtën frymë, Thesari mendon se kjo përvojë përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme. Ai vëren se kontrasti mes dy botëve është i madh, por pikërisht nga ky kontrast ka mësuar të vlerësojë diversitetin dhe fleksibilitetin. Dashuria për Kosovën, e përcjellë nga prindërit, mbetet për të një burim force dhe qëndrueshmërie, edhe pse kontaktin e parë me vendin e origjinës e ka pasur relativisht vonë. Sipas tij, balancimi i dy kulturave nuk është gjithmonë i lehtë, por kur arrihet, shndërrohet në një avantazh të rrallë personal dhe profesional.

Pas diplomimit, planet e tyre profesionale janë të qarta, por njëkohësisht të hapura ndaj bashkëpunimit. Thesari synon ta vazhdojë specializimin në Zvicër, ndërsa shpreh dëshirën për të ndërtuar ura bashkëpunimi me mjekë në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Për të, shkëmbimi i përvojave dhe ndihma e ndërsjellë mes profesionistëve shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë, mund të krijojë vlera të mëdha për komunitetin. Kontributi ndaj vendit të origjinës, qoftë edhe përmes hapave të vegjël, mbetet një nga synimet e tij afatgjata.

 

Karriera e re e dy mjekëve shqiptarë pas diplomimit në Bazel

Pas përfundimit të studimeve, rrugëtimi profesional i Morgan Hetemit dhe Thesar Abdullahut ka hyrë në një fazë të re, ku teoria po shndërrohet gradualisht në praktikë dhe përgjegjësi konkrete.

 

Morgan Hetemi

 

Morgani ndodhet tashmë në një proces intensiv profesional. Ai është duke punuar në doktoraturën e tij në Spitalin St. Clara në Bazel, ndërkohë që është aktiv edhe si tutor për studentët e mjekësisë në nivel master, duke i ndihmuar ata në përgatitjen për provimet praktike. Këtë angazhim ai e përshkruan si një përvojë shumë të vlefshme dhe motivuese, që i ka forcuar edhe më shumë bindjen për rëndësinë e ndarjes së dijes. Në vazhdim, ai do të kryejë shërbimin praktik katërmujor si mjek ushtarak dhe gjatë verës do të fillojë punën e tij të parë si mjek asistent në rajonin e Bazelit. Morgani e lë të hapur mundësinë për përvoja profesionale jashtë vendit, veçanërisht në fushën e kërkimit shkencor, por nuk përjashton as një angazhim të përkohshëm në Kosovë apo Shqipëri, si pjesë e një rrugëtimi që dëshiron ta mbajë të hapur dhe dinamik.

Ndërkohë, Thesari po kryen shërbimin e tij ushtarak, një fazë tranzicioni para fillimit të angazhimeve të reja akademike dhe klinike. Menjëherë pas përfundimit të tij, ai do të nisë punën në kuadër të doktoraturës në Spitalin “Insel” në Bernë, ndërsa nga muaji qershor planifikon të fillojë specializimin në mjekësinë e brendshme në Bazel. Edhe pse ende nuk është vendosur përfundimisht për një drejtim specifik, interesimi i tij shtrihet në fusha të rëndësishme si kardiologjia, gastroenterologjia dhe urologjia. Për të, kjo fazë përfaqëson një periudhë eksplorimi profesional, ku dëshiron të ndërtojë bazën e duhur për vendime afatgjata.

Për të dy, përvoja e studimeve dhe sfidat e përballuara gjatë këtyre viteve janë shndërruar edhe në një mesazh të qartë për brezat e rinj shqiptarë që ëndërrojnë mjekësinë. Thesari thekson rëndësinë e kurajos dhe këmbënguljes, duke nënvizuar se studimet në këtë fushë kërkojnë disiplinë dhe përkushtim të madh, por se çdo përpjekje ia vlen. Ai inkurajon të rinjtë të mos hezitojnë të kontaktojnë njerëz, të pyesin dhe të marrin iniciativa, sepse shpesh pikërisht këto hapa bëjnë diferencën drejt suksesit.

Në të njëjtën frymë, Morgani këshillon të rinjtë që të informohen mirë, të dëgjojnë veten dhe të mos tremben nga vështirësitë apo testet e pranimit. Sipas tij, profesioni i mjekut është një nga më të bukurit dhe më të larmishmit, me shumë rrugë dhe mundësi zhvillimi, dhe aty ku ka vullnet, gjithmonë ka edhe rrugë për të arritur qëllimin.

Pavarësisht angazhimeve profesionale në Zvicër, lidhja me Kosovën mbetet e fortë për të dy. Thesari shprehet se Kosova për të nuk është thjesht një vend, por një ndjenjë e thellë që i jep forcë dhe identitet. Ai e viziton rregullisht, disa herë në vit, dhe ruan një lidhje shumë të ngushtë me familjen atje, të cilën e konsideron një mbështetje të vazhdueshme në gjithë rrugëtimin e tij. Edhe për Morganin, vizitat në Kosovë janë momente rikthimi tek rrënjët, qoftë për të takuar familjen apo për të përjetuar atmosferën e vendit, të cilën e përshkruan si gjithmonë të veçantë dhe frymëzuese. /Albinfo.ch

 

Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi

Dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën në aksidentin Beograd-Nish

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Beograd – Nish, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën dy persona, shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Bëhet e ditur se aksidenti ndodhi pranë daljeve të Umçarit, pasi vetura me targa gjermane, për arsye ende të paqarta, doli nga rruga. Raportohet se shoferi humbi kontrollin mbi mjetin, përplasi gardhin mbrojtës dhe shenjën rrugore pranë autostradës, përcjell albinfo.ch.

Tutje, u njoftua se nga makina e aksidentuar u nxorën trupat e një burri dhe një gruaje, të cilët u konfirmuan se janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri

Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë sulmuar hyrjen e xhamisë shqiptare në Hollabrunn, Austri.

Individë të panjohur dëmtuan zonën e hyrjes së xhamisë në Znaimer Straße në Hollabrunn. Banorët raportuan se kishin dëgjuar zhurma të forta pak pas mesnatës.

Sipas policisë, dëme u gjetën në një xham të ndërtesës. Ekspertët mjeko-ligjorë po hetojnë nëse dëmi ishte shkaktuar nga një predhë. Dy persona ishin brenda ndërtesës në kohën e incidentit; askush nuk u lëndua, shkruan orf.at, përcjell albinfo.at.

Xhamia përdoret nga një shoqatë e myslimanëve shqiptarë, dhe ngjarja po hetohet nga Zyra Shtetërore për Mbrojtjen e Sigurisë dhe Luftën kundër Ekstremizmit në bashkëpunim me Policinë Kriminale të Niederösterreich. Autoritetet austriake bëjnë thirrje për çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve, duke i kërkuar qytetarëve që të kontaktojnë Policinë e Hollabrunn në numrin 059 133/3410.

2.2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit

Sipas vlerësimeve më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2025 numri i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë llogaritet në rreth 2.25 milionë persona, ose afro 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej jetojnë jashtë sipas Botimit Diaspora në Shifra.

INSTAT thekson se, për shkak të mungesës së regjistrimeve të rregullta administrative për largimet nga vendi, diaspora nuk mund të përllogaritet me saktësi absolute. Për këtë arsye përdoren metoda të tërthorta, duke krahasuar të dhënat e regjistrit civil me popullsinë banuese në vend, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Ky vlerësim tregon se diaspora shqiptare ka një profil relativisht të ri dhe ekonomikisht aktiv, me rreth 77% të saj në grup-moshën 15–64 vjeç, ndërsa vetëm rreth 5% janë mbi 65 vjeç, çka e bën atë një burim të rëndësishëm potencial për tregjet e punës në vendet pritëse.

Historikisht, migrimi i shqiptarëve ka qenë i vazhdueshëm dhe i larmishëm, duke nisur që nga shekujt XV–XVI e deri te valët masive pas viteve ’90. Botimi dallon mes “diasporës së vjetër”, të formuar kryesisht para vitit 1944 dhe gjatë periudhës 1945–1990, dhe “diasporës së re”, e cila lidhet me migrimin masiv pas rënies së komunizmit. Në këtë fazë të fundit, destinacionet kryesore kanë qenë Greqia, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Franca.

Të dhënat nga censet ndërkombëtare tregojnë se rreth 1.1 milion persona të lindur në Shqipëri jetojnë sot në 31 vende të Evropës, ndërsa rreth 939 mijë shtetas shqiptarë figurojnë si rezidentë në këto vende. Italia dhe Greqia mbeten dy destinacionet kryesore historike dhe aktuale, të ndjekura nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Paralelisht, në vitet e fundit është rritur edhe numri i shqiptarëve që fitojnë shtetësinë e vendeve pritëse, veçanërisht në Itali, Greqi, Gjermani dhe Suedi, duke reflektuar një integrim më të qëndrueshëm afatgjatë.

Një kapitull i veçantë i botimit i kushtohet diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetojnë mbi 206 mijë persona me origjinë shqiptare, të ndarë mes gjeneratës së parë të emigrantëve dhe gjeneratës së dytë të lindur në SHBA. Ky komunitet paraqitet me norma të larta punësimi dhe me një strukturë arsimore të diversifikuar, duke përforcuar rolin e diasporës si faktor ekonomik dhe social me peshë.

INSTAT thekson se publikimi synon të shërbejë si instrument informues për politikëbërësit dhe institucionet, në funksion të hartimit të politikave më të mira për diasporën dhe forcimit të lidhjeve të saj me vendin e origjinës, në një kontekst ku migrimi mbetet një nga sfidat strukturore më të mëdha për Shqipërinë.

2025, një nga vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë

Viti 2025 do të mbetet një nga vitet më të ngrohta në historinë e temperaturës zvicerane, me një temperaturë mesatare kombëtare prej 7.0 gradë Celsius, 1.2 gradë mbi normën e viteve 1991-2020. Kjo është vlera e katërt më e lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1864, pas vetëm viteve rekord 2022, 2023 dhe 2024. Kjo është ajo që shkroi sot Zyra Federale e Meteorologjisë dhe Klimatologjisë (MeteoSwiss) në një postim në blogun e saj të internetit, transmeton albinfo.ch.

Viti filloi me temperatura mbi mesataren nga janari deri në prill, të ndjekura nga qershori i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë (një devijim prej 3.8 gradë Celsius). Gushti pati valë të nxehti me ditë tropikale të zgjatura, ndërsa korriku ofroi një pushim termik, por regjistroi reshje të dendura, me temperatura rekord në disa vende. Muajt ​​e vjeshtës treguan ndryshueshmëri të fortë, me një shtator me shi dhe veçanërisht të nxehtë në lartësi të madhe; 19 dhe 20 shtatori panë temperatura rekord në shumë stacione para-alpine dhe alpine. Dhjetori pritet të mbyllet midis dhjetë më të butëve të regjistruar ndonjëherë.

Sa i përket reshjeve, janari, korriku dhe shtatori ishin shumë me shi, me episode ekstreme si reshjet e vona të borës në prill. Megjithatë, shkurti dhe periudha shkurt-prill vuajtën nga një thatësirë ​​e theksuar, veçanërisht në Zvicrën lindore. Reshjet e borës në dimër mbetën të rralla në përgjithësi, përveç rikuperimeve lokale në pranverë dhe nëntor. Kohëzgjatja e diellit ishte mesatare ose pak mbi mesataren. MeteoSwiss thekson se viti 2025 bie plotësisht brenda trendit të ngrohjes së vërejtur në vitet e fundit: nuk është përjashtim, por më tepër pjesë e normalitetit të ri klimatik.

Alis me “Nan” e përfaqëson Shqipërinë në Eurovisionin e Vjenës

Alis me “Nan” do ta përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e ardhshëm të garës evropiane të këngës “Eurovision”.

Ai fitoi të shtunën në edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH. Fituesi këtë radhë u vendos nga kombinimi i votave të jurisë dhe publikut. Fillimisht u prezantuan votat e të gjithë 7 anëtarëve të jurisë, para se të shpaloseshin edhe votat e publikut. Alis me “Nan” doli i parë në të dyja renditjet.

Kjo këngë është kompozuar nga vetë Alis, ndërsa për tekstin është kujdesur Desara Gjini. Orkestrimin e ka bërë Erjet Barbullushi, transmeton albinfo.ch.

Në vend të dytë doli Inis Neziri me “Ta kam fal”, ndërsa e treta Sheila me “Zemra e Tokës”.

Në natën finale, u paraqitën 23 këngë. Performoi edhe fituesja e edicionit të shkuar Shkodra Elektronike.

“Alis” do ta përfaqësojë Shqipërinë vitin e ardhshëm në një edicion më ndryshe të “Eurovisionit”. Aty pritet të marrin pjesë 35 shtete, që është numri më i vogël që nga viti 2004, kur gara u zgjerua. Pesë vende, përkatësisht transmetues, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në “Eurovision 2026” pasi u mor vendim që Izraelit t’i lejohet të garojë. Këto janë: Spanja, Sllovenia, Holanda, Islanda dhe Republika e Irlandës. Vendet që po bojkotojnë kanë thënë se do të ishte e papranueshme të merrnin pjesë duke pasur parasysh numrin e civilëve të vrarë në Rripin e Gazës gjatë luftës dyvjeçare izraelite me Hamasin.

Ndërkaq transmetuesi austriak i cili do të jetë nikoqir i edicionit të vitit të ardhshëm të garës evropiane të këngës “Eurovision” nuk do t’ua ndalojë spektatorëve mbajtjen e flamujve palestinezë e as nuk do të heshtë fishkëllimat e mundshme gjatë performancës së Izraelit.

Anëtarët e Unionit Evropian të Radiodifuzionit (EBU) vendosën në fillim të dhjetorit të mos e përjashtojnë Izraelin nga gara. Gjatë konferencës së EBU-së, anëtarët e saj me shumicë dërrmuese votuan për ndryshime në garë, kryesisht lidhur me sistemin e votimit, pasi kishte mendime se Izraeli ishte favorizuar. Votimi për ndryshimet e rregullave të garës u interpretua si një referendum de facto për Izraelin, sepse transmetuesve kombëtarë u ishte thënë se votimi për pjesëmarrjen e Izraelit do të mbahej vetëm nëse reformat nuk merrnin mbështetje shumice. Meqë ndryshimet u miratuan, votim për pjesëmarrjen ose përjashtimin e Izraelit nuk pati fare.

Edicionin e shkuar, në “Eurovision” Shqipërinë e përfaqësoi Shkodra Elektronike me “Zjerm”. Ajo u rendit e teta në fund. Suksesi më i madh i Shqipërisë deri tash në “Eurovision” mbetet ai i Rona Nishliut në vitin 2012, kur me “Suus” u rendit e pesta.

Forumi Ekonomik: Kostot e sigurisë vazhdojnë të rriten

Kostot e sigurisë për Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos po rriten vit pas viti dhe mund të rriten më tej në vitin 2026. Për edicionin e vitit 2025, ato arritën në 8,999,958 franga, duke arritur pothuajse limitin maksimal prej 9 milionësh.

Kantoni i Graubünden e konfirmoi këtë për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA, duke cituar informacione nga gazeta Südostschweiz, transmeton albinfo.ch.

Rritja krahasuar me vitin 2024, kur shpenzimet ishin 7.71 milionë franga, është e konsiderueshme. Faktori kryesor është rritja e tarifave ditore për vendosjen e forcave policore jo-kantonale, nga 600 në 750 franga për oficer në ditë.

Në vitin 2025, mungesa e figurave të mëdha politike ndërkombëtare ndihmoi në përmbajtjen e kostove. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë janarin e ardhshëm. Sipas disa agjencive të lajmeve, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar pjesëmarrjen e tij në WEF 2026, i cili do të mbahet nga 19 deri më 23 janar në Davos. Ky eventualitet do të sillte masa të përforcuara sigurie dhe shpenzime shtesë.

Kostot ndahen sipas një modeli të paracaktuar: WEF mbulon 50%, Konfederata 25%, Kantoni i Grisons 21.7% dhe Bashkia e Davosit 3.3%. Nëse tejkalohet kufiri prej 9 milionë eurosh, parashikohet një kontribut shtesë nga Konfederata.

Tesla godet një automjet policie, duke shkaktuar dëme prej 100,000 frangash

Një burrë 58-vjeçar që drejtonte një Tesla u përplas me një automjet policie të palëvizshëm me dritat e tij të ndezura këtë mëngjes pranë daljes Münchwilen (TG) të autostradës A1. Askush nuk u lëndua, por dëmet materiale ishin të shumta. Kostoja e përplasjes është mbi 100,000 franga, transmeton albinfo.ch.

Aksidenti ndodhi pak para orës 6:00 të mëngjesit dhe shkaku është nën hetim, tha policia e Thurgau në një deklaratë. Ndër të tjera, ata po hetojnë nëse shoferi i Teslës po përdorte modalitetin autonom të drejtimit, tha një zëdhënës i policisë kantonale për Keystone-SDA.

Segmenti i autostradës në Thurgau midis Münchwilen dhe Matzingen u mbyll pas një aksidenti të mëparshëm. Një automjet policie ishte në vendngjarje për të shënuar korsitë e mbyllura.

Rriten lëndimet gjatë Krishtlindjeve në Zvicër

Qirinjtë, gatimi dhe fishekzjarrët i bëjnë festat festive, por edhe më të rrezikshme, paralajmëron siguruesi zviceran i aksidenteve SUVA.

Zjarret e shkaktuara nga qirinjtë rriten ndjeshëm gjatë Krishtlindjeve, ndërsa prerjet dhe lëndimet në kuzhinë arrijnë kulmin në prag të Krishtlindjeve dhe në prag të Vitit të Ri.

Fishekzjarrët plagosin rreth 200 njerëz çdo vit, transmeton albinfo.ch.

SUVA bën thirrje për kujdes: mos i lini kurrë qirinjtë pa mbikëqyrje, përdorni mjetet e kuzhinës me kujdes dhe trajtoni fishekzjarrët me distancën dhe masat e duhura të sigurisë për të shijuar festat pa aksidente.

Miliona franga dëmi i shkaktuar nga zjarri në Hauptwil, Thurgau

Një zjarr në një ndërtesë tregtare në Hauptwil, në kantonin e Thurgau, të shtunën shkaktoi dëme prej miliona frangash zvicerane. Askush nuk u lëndua, transmeton albinfo.ch. Shkaku i zjarrit fillimisht nuk dihej.

Pak para orës 16 pasdite, qendra e thirrjeve të emergjencës kantonale mori një raport për shpërthim zjarri, sipas një deklarate nga policia kantonale e Thurgau.

Me të mbërritur, ndihmësit e parë vunë re tym të dendur. Pak kohë më vonë, flakë u panë duke dalë nga çatia e ndërtesës.

Sipas policisë, departamentet e zjarrfikësve të Hauptwil-Gottshaus, Bischofszell, Amriswil dhe Münchwilen reaguan me një kontingjent të madh dhe arritën të parandalonin përhapjen e zjarrit në ndërtesa të tjera.

Humbi kontrollin mbi veturën: Lëndohet kosovarja dhe e gjithë familja e saj

Një çift me dy fëmijët e tyre kanë pësuar lëndime në një aksident në autostradën A9 Pyhrn në komunën Spital am Pyhrn (rrethi Kirchdorf, Austri) të shtunën pak para orës 8:00 të mëngjesit.

Shoferja, një grua 39-vjeçare nga Kosova, po udhëtonte drejt Grazit kur humbi kontrollin e automjetit, transmeton albinfo.at.

Makina doli nga rruga në të djathtë, u përplas me kangjellat mbrojtëse, u përplas me barrierën e mesit të betonit dhe u përmbys. Makina u rrëzua në çati, shkruan media austriake, krone.at.

Shoferët që e ndiqnin këtë aksident njoftuan shërbimet e emergjencës.

Personat në bord – shoferja, bashkëshorti i saj 49-vjeçar dhe dy fëmijët e tyre, nëntë dhe 15 vjeç – u dërguan në Klinikën Pyhrn-Eisenwurzen në Kirchdorf me lëndime, raportoi policia.

Rusia godet në Ukrainë fabrikën e një kompanie që ka selinë në Gjenevë

Një fabrikë që i përkiste kompanisë së naftës Allseeds në Ukrinë, me seli në Gjenevë u bombardua gjatë sulmeve ruse pranë qytetit bregdetar ukrainas të Odesës.

Drejtori i kompanisë, Kees Vrins, e konfirmoi sulmin për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA. Ai tha se një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën në sulmin, i cili ndodhi gjatë natës së të shtunës, transmeton albinfo.ch. Mijëra ton naftë u humbën gjithashtu.

Megjithatë, ai tha se ishte shumë herët për të vlerësuar shkallën e saktë të dëmit, shkrun srf.ch.

Vrins deklaroi se kishte pasur sulme ruse ndaj fabrikës javën e kaluar dhe të premten në mbrëmje.

Që nga fillimi i luftës, fabrika është bombarduar tetë herë.

Sulme hibride, edhe në Zvicër

Nuk janë vetëm shtetet e tjera evropiane që po sulmohen vazhdimisht me metoda hibride, por edhe Zvicra është subjekt i fushatave të tilla të dezinformimit.

Sulmet kibernetike kryhen rregullisht dhe aktivitetet e spiunazhit janë intensive, transmeton albinfo.ch. Kështu është sipas  një deklarimi të Sekretarit të Shtetit për Sigurinë Markus Mäder në një intervistë me gazetën NZZ.

Këto aktivitete shpesh nuk mund t’i atribuohen qartë një autori të vetëm. Zvicra është gjithashtu më pak në fokus sesa vendet në Evropën Lindore ose në Skandinavi, vazhdon Mäder.

Është e qartë se Rusia kërcënon sigurinë e Evropës. Rusia dëshiron të dobësojë Evropën dhe po riarmatoset masivisht, thotë Sekretari i Shtetit Mäder.

Edhe si shtet neutral, Zvicra duhet të kontribuojë në sigurinë evropiane, thotë tutje Mäder.

I burgosuri vetëvritet në qeli në Rheinfelden, Aargau

Një burrë 45-vjeçar ka kryer vetëvrasje në një qeli paraburgimi në stacionin e Policisë së Kantonit Aargau, në qytetin Rheinfelden. Ai ishte arrestuar përkohësisht më parë për veprën penale të kërcënimit, transmeton albinfo.ch.

Vetëlëndimi në qeli ka ndodhur të enjten pasdite, siç ka njoftuar Policia e Kantonit Aargau të shtunën. Një zyrtar policie i kishte dhënë ndihmën e parë dhe kishte alarmuar një ambulancë. Autoambulanca e transportoi personin në fjalë, i cili ishte në gjendje kritike, në një spital, raporton sda.ch. Ai vdiq atje të premten si pasojë e lëndimeve që i i kishte shkaktuar vetes.

Nuk ka shenja të krimit. Zyra e prokurorit publik ka hapur një hetim.

Viktima ndodhej në qelinë e paraburgimit në Rheinfelden sepse ishte arrestuar për shkak të kërcënimeve. Siç është procedura standarde, një mjek kishte vlerësuar gjendjen e tij për paraburgim para arrestimit të tij. Gjatë këtij vlerësimi nuk u gjetën shenja të tendencave vetëvrasëse.

Adrian Bajrami, krenar për rrënjët shqiptare dhe “shtëpinë” zvicerane

Historia e Adrian Bajramit është rrëfimi i një brezi të ri futbollistësh që rriten mes dy kulturave dhe dinë ta ndërtojnë identitetin e tyre pa mohuar asgjë por duke zgjedhur vetë se ku duan të shkëlqejnë.

Adrian Bajrami lindi dhe u rrit në Zvicër, në një familje shqiptare që mbërriti këtu “me duar bosh”.

Ai e thekson shpesh: “Jam lindur dhe rritur në Zvicër, por jam dhe do të jem gjithmonë krenar që jam shqiptar”.

Në familjen Bajrami me prejardhje nga Struga e Maqedonisë, shqipja nuk është detyrim, por dashuri. Ai e përshkruan ruajtjen e traditave në mënyrë shumë autentike:

“Flasim shqip gjithmonë, ndihemi krenarë që jemi shqiptarë, traditat i praktikojmë siç duhet në familje”.

Ky mjedis e formoi Adrianin si njeri, duke i dhënë një bosht të fortë vlerash: respekt për punën, sakrificën dhe mirënjohjen për familjen.
Adriani përmend shpesh se prindërit e kishin nisur çdo gjë nga zero, por fëmijët nuk i kanë ndjerë kurrë mungesat: “Ne gjithmonë i kemi pasur të gjitha kushtet e nevojshme, të cilat na i kanë siguruar prindërit, shprehet ai.

Nga Langenthal te Benfica: Rrugëtimi i një talenti

Karriera e tij nisi në Langenthal, më pas te Young Boys, ku kaloi vetëm një vit. Pikërisht aty u hap rruga drejt njërës prej akademive më të famshme në botë: SL Benfica, në Lisbonë të Portugalisë.

Kështu, Bajrami qëndroi shtatë vite në Portugali, periudhë kjo të cilën ai e konsideron transformuese: “Jam rritur jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri. Në një klub si Benfica kam mësuar shumë gjëra të bukura”.

Në Lisbonë u burrërua profesionalisht, u mësua me konkurrencën e madhe dhe me kërkesat e larta teknike e taktike. Nga Benfica B arriti deri pranë skuadrës së parë, duke fituar respekt dhe besim.

Rikthimi në shtëpi: FC Luzern

Në verën e vitit 2024, Bajrami vendosi të kthehej në Zvicër. Ai e përshkruan këtë hap si kthim në shtëpi, jo vetëm nga aspekti sportiv, por edhe ai emocional: “Ndihem shumë mirë të jem prapë pranë familjes që më ka munguar shumë kohë”.

FC Luzern ai gjeti stabilitet, një klub që i dha hapësirë të rritet dhe të marrë përgjegjësi.

Performanca e tij në Superligën Zvicerane u vlerësua si e guximshme: mbrojtës i majtë, i fortë fizikisht, i sigurt në duele dhe i pastër në lojën me top.

Nga Shqipëria te Zvicra

Adrian Bajrami kishte luajtur për Zvicrën U18, më pas vendosi të përfaqësonte Shqipërinë në grupmosha dhe zhvilloi tri miqësore me Kombëtaren A.

Në vitin 2025, ai mori një vendim të vështirë: të rikthehej te Zvicra.
Pas shpalljes së listës për eliminatoret e Botërorit, trajneri Murat Yakin e ftoi për herë të parë në Kombëtaren zvicerane.

Reagimi i tij ishte emocional: “Telefoni im po vlon nga mesazhet, familja dhe miqtë më kanë bombarduar me urime”.

I pyetur përse zgjodhi Zvicrën, ai ishte i qartë: “Kam lindur dhe jam rritur në Zvicër. Ky është atdheu im, rrënjët e mia shqiptare nuk i mohoj kurrë. Jam krenar për to. Por Zvicra është shtëpia ime.”

VIDEO:

Kapitenët e gjeneratës: Xhaka si model

Një nga figurat që e frymëzojnë Adrianin është Granit Xhaka: “Ai është një shembull për shumë futbollistë të rinj, gjithmonë kam parë tek ai”.

Kjo lidhje brezash shpjegon pse Bajrami shihet si pjesë e së ardhmes së Zvicrës: një lojtar që e kupton se identiteti nuk është pengesë, por pasuri.

Mesazhi për rininë

Adrian Bajrami i flet hapur brezit të ri: “Duhet të keni ëndrra të mëdha dhe disiplinë. Futbolli është sport i disiplinës. Mos e humbni pasionin”.

Ai nuk romantizon suksesin; për të, puna dhe struktura janë gurë themeltarë.

Familja – Tifozët e tij të parë

I pyetur se cilët janë fansat më të zjarrtë, ai, pa hamendje thotë: “Familja ime. Jo vetëm prindërit, por vëllezërit, motra, dajat, tezet… Ata më shoqërojnë gjithmonë. I ndiej në fushë”.

Ai e quan këtë mbështetje “një dhuratë të përhershme” dhe një shtysë për momentet e vështira.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by albinfo.ch (@albinfo.ch)

 

Gratë përbëjnë 35% të bordeve të drejtorëve zviceranë

Gratë janë ende në pakicë në bordet e drejtorëve të 30 kompanive më të mëdha zvicerane të listuara në bursë. Pjesa e tyre është aktualisht 35%, sipas një analize nga agjencia e lajmeve AWP. Kjo shifër nuk ka ndryshuar gjatë vitit të kaluar.

Me 25%, përqindja e grave në bordet drejtuese të kompanive në Indeksin e Liderëve Zviceranë (SLI) është më e ulët. Kjo shifër gjithashtu nuk ka ndryshuar që nga fillimi i vitit, përcjell albinfo.ch.

Mesatarisht, kompanitë SLI tashmë i plotësojnë kërkesat e qeverisë në të ardhmen. Kjo përcakton një kuotë prej 30% gra në bordet e drejtorëve nga viti 2026. Nga viti 2031, një në pesë anëtarë të bordit ekzekutiv duhet të jetë gjithashtu një grua.

Grupi i auditimit SGS ka përqindjen më të lartë të grave në Bordin e Drejtorëve me 44%. Pasohet nga prodhuesi i implanteve dentare Straumann me 43% dhe kompania ushqimore Nestlé, kompania farmaceutike Novartis, risiguruesi Swiss Re dhe banka kryesore UBS me 42% secila.

Kosovë: Mbi 13 mijë shoferëve iu ndalua drejtimi i automjeteve gjatë këtij viti

Gjatë vitit 2025, mbi 13 mijë shoferëve u janë ndaluar patentë shoferët, ndërsa mijëra të tjerë janë ndëshkuar me pikë negative për shkelje të rregullave të trafikut.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës vërehet rritje të numrit të rasteve të masave ndëshkuese ndaj vozitësve, krahasuar me vitin e kaluar.

“Referuar kërkesës suaj të mëposhtme ju njoftojmë se gjatë periudhës kohore Janar-Nëntor 2025 u është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik 13,446 shoferëve, si dhe janë shqiptuar gjithsej 55,809 tiketa të parapara me pikë negative. Ndërsa gjatë vitit 2024, u është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik 11,933 shoferëve, si dhe janë shqiptuar gjithsej 50,887 tiketa të parapara me pikë negative”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për KosovaPress, transmeton albinfo.ch.

Eksperti i komunikacionit, Faton Bunjaku ka vlerësuar se këto shifra nuk paraqesin pasqyrë të mirë për Kosovën.

“Kjo nuk është një pasqyrë e mirë për shtetin tonë sepse edhe përpara Evropës po dalim si shtet, i cili nuk i kemi të edukuar të mjaftueshëm shoferët në trafikun rrugor, por fokusi i shtetit duhet të jetë më tepër në kompletimin e infrastrukturës rrugore, të shenjave të trafikut dhe mandej të fokusohemi më tepër në shqiptimin e masës kundërvajtëse me të cilën edhe bëhet konfiskimi i patentë shoferi. Konfiskimi i patentës është veç një farë mase e cila është diskutuar shumë në publik se a ka të drejtë të konfiskohet patenta apo jo”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se fokusi i shtetit duhet të jetë në përmirësimin dhe kompletimin e infrastrukturës rrugore dhe sinjalizimin e trafikut.

“Në trafikun rrugor duhet pikë së pari shteti të fokusohet në sinjalizimin dhe kompletimin e rrugëve të cilat i kemi me sinjalizim shumë të mangët në trafikun rrugor. Tash e kemi edhe mirëmbajtjen e rrugëve, e cila është shumë e dobët. Kemi hyrë në sezonin e dimrit, temperaturat e kanë bërë të vetën, mjegullat e kanë bërë të vetën, kemi rrugë shumë të papastra edhe si rrjedhojë kemi edhe të pasigurta për ligjin e automjeteve në rrugë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti e ka cilësuar pozitiv numrin e madh të konfiskimit të patentë shoferëve, meqë pret se kjo të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve.

“Është lajm shumë i mirë për arsye se ky popull ose duhet të vetëdijesohet me dëshirë ose pa të. Do të thotë duhet të vetëdijesohet sepse nuk mundesh me ia marrë të drejtën dikujt në komunikacion siç na ndodhë neve përditë. I respektojmë rregullat e komunikacionit maksimalisht edhe ata na i marrin të drejtat në mënyrën më të panjerëzishme të mundshme. Nëse ekziston turp tek shqiptarët, më i vogli është në komunikacion, apo nuk ekziston hiç. Po dua të them, që është shumë e mirë kjo për arsye se njerëzit vetëdijesohen”, ka thënë ai.

Sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, arsyet për konfiskimin e patentë shoferit përfshijnë: tejkalimin e shpejtësisë mbi 50 për qind të shpejtësisë së lejuar, mosrespektimi i semaforit, kalimi në semaforin e kuq dhe tejkalim në vijën e plotë.

Austri: Rrokulliset vetura që po e drejtonte gruaja nga Kosova

Mëngjesin e sotëm, në autostradën A9, në komunën Spital am Pyhrn, në rrethin e Kirchdorfit, në Austri, një çift dhe dy fëmijët e tyre kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku.

Policia ka njoftuar se shoferja, një grua 39-vjeçare nga Kosova, ishte duke udhëtuar në drejtim të Grazit kur humbi kontrollin mbi automjetin, raportojnë mediat austriake, transmeton albinfo.at.

Bëhet e ditur se vetura doli nga rruga në anën e djathtë, u përplas me barrierën ndarëse prej betoni dhe më pas u rrokullis.

Tutje, autoritetet kanë njoftuar se 39-vjeçarja, bashkëshorti i saj 49-vjeçar dhe dy fëmijët, të moshës 9 dhe 15 vjeç, u lënduan dhe u dërguan për trajtim, teksa nuk dihet gjendja shëndetësore e tyre.

1.5 milionë euro janë dhënë për viktimat e të shtënave në shkollën e Gracit

Personat e prekur nga të shtënat masive në një shkollë në Graz, në të cilat një 21-vjeçar vrau nëntë nxënës dhe një mësues me armë zjarri të blera ligjërisht më 10 qershor 2025 dhe plagosi 11 të tjerë përpara se t’i merrte jetën vetes, kanë marrë pagesa fillestare mbështetjeje nga një fond ndihme i krijuar nga Ministria e Çështjeve Sociale. Siç njoftoi organizata e mbështetjes së viktimave të krimit Weißer Ring, e cila po administron fondin, deri më tani janë paguar rreth 1.5 milion euro.

Fondi i ndihmës është i pajisur me deri në 15 milion euro dhe do të funksionojë deri në vitin 2029. Prandaj, individë të tjerë të prekur kanë ende kohë të mjaftueshme për të paraqitur aplikime sipas Aktit të Viktimave të Krimit (VOG) në Shërbimin e Ministrisë Sociale dhe për të kërkuar përfitime nga fondi. Fondi mbulon ndihmë financiare një herë për viktimat sipas VOG, si dhe kujdes psikosocial pasues për të gjithë personat e prekur, përfshirë të afërmit dhe të mbijetuarit, përcjell albinfo.at.

Nuk ka detaje mbi shumat individuale

Pagesat e mbështetjes u transferuan pas përgatitjeve të gjera dhe disa takimeve të një paneli të pavarur ekspertësh, të cilët i nënshtruan aplikimet e paraqitura shqyrtimit individual, shkruan theinternational. Shuma e secilës pagesë u bazua në rekomandimet e panelit, duke marrë parasysh jurisprudencën e gjykatës supreme, lëndimet përkatëse fizike dhe psikologjike, si dhe rrethanat personale të të prekurve. As Weißer Ring dhe as Ministria e Çështjeve Sociale nuk dhanë detaje mbi shumat individuale të pagesave.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se asgjë nuk mund të zhbëjë atë që kanë përjetuar të prekurit ose humbjet që kanë pësuar”, tha Drejtoresha Menaxhuese e Weißer Ring, Caroline Kerschbaumer. Ajo shtoi se mbështetja “shpresojmë të jetë një ndihmë e vogël në rrugën e përballimit të asaj që ndodhi”. Kerschbaumer tha se ishte e kënaqur “që ishim në gjendje të kryenim pagesat e para këtë vit siç ishte planifikuar”.