28 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

Sot bëhen 28 vjet nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përcjell albinfo.ch.

28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.

Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.

Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj./KP

Presidentja Osmani: Dy shtete, një komb, një zemër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar popullin shqiptar, në kuadër të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë historike të katër ngjarjeve të shënuara për kombin shqiptar, përcjell albinfo.ch.

 Ajo ka kujtuar Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, lindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si ngjarjet që përbëjnë “boshtin e krenarisë kombëtare”.

Në mesazhin e saj në Facebook, Osmani e ka cilësuar lidhjen mes Kosovës dhe Shqipërisë si të thellë dhe të pandashme, duke i quajtur të dyja shtetet “dy flamuj, por një zemër.

“Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër.

Gëzuar Ditën e Flamurit!

Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!

Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!”, shkroi e para e vendit.

Kurti: Vëllezër e motra shqiptare, e gëzofshi 28 Nëntorin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me rastin e 113-vjetori të Pavarësisë së Shqipërisë ka uruar për siç ka thënë “Nëntor të Tretë”, përcjell albinfo.ch.

Në një postim në Facebook ku ka shkruar për ngjarjet që shqiptarët i shënojnë më 28 nëntor, ka thënë, “sytë i kemi kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm”.

“Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.

Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!

Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:

Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!

Rama uron shqiptarët: Gëzuar Ditën e Pavarësisë

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Pavarësisë, në kuadër të përvjetorit të 113-të, përcjell albinfo.ch.

“MIRËMËNGJES dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook ndërsa e shoqëron postimin me një foto nga Monumeti i Pavarësisë në Vlorë.

Sot, më 28 Nëntor, mbarë shqiptarët festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Dita e Pavarësisë (e njohur edhe si Dita e Flamurit) është një festë publike në Shqipëri që festohet më 28 Nëntor.

Ajo përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u ratifikua nga Kongresi Mbarëshqiptar më 28 Nëntor 1912, duke krijuar shtetin e Shqipërisë, shkruan rtsh.al.

Në qytete të ndryshme të vendit do zhvillohen koncerte festive, aktivitete kulturore, parakalime fëmijësh me flamuj kombëtarë dhe ekspozita historike.

28 Nëntori mbetet një nga datat më të rëndësishme të kombit shqiptar, një ditë reflektimi për sakrificat e së kaluarës dhe angazhimin për të ardhmen.

Një tjetër klub i njohur evropian ia vë syrin Fisnik Asllanit

Me paraqitjet e tij mbresëlënëse këtë sezon për TSG Hoffenheim dhe Kosovën, Fisnik Asllani ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha, përfshirë Bayern Munich dhe FC Barcelona.

Borussia Dortmund tani ka dalë gjithashtu në skenë si një pretendente për sulmuesin 23-vjeçar, me Bildqë raporton se ai është fuqishëm nën monitorimin e verdhezinjve, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se Dortmund bëri një përpjekje serioze për të transferuar Asllanin verën e kaluar, dhe tabloidi gjerman shkruan se interesimi po rritet sërish.

Asllani mund të mbërrijë si zëvendësues i Serhou Guirassy, i cili mund të largohet nga klubi në verë.

Sulmuesi nga Guinea ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh në kontratën e tij, e cila vlen për një numër të kufizuar klubesh, dhe sipas raportimeve, po u ofrohet klubeve në Arabinë Saudite nga vëllai dhe agjenti i tij.

Besohet se edhe sulmuesi kosovar ka një klauzolë largimi në kontratën me Hoffenheim. Shifra e saktë nuk është bërë publike, por thuhet se është brenda një niveli të përballueshëm.

25 fakte interesante për 28 nëntorin

Data 28 nëntor jo më kot quhet edhe datë historike për shqiptarët. Në këtë ditë ndodhën shumë ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme për popullin shqiptarë, përcjell albinfo.ch.

Me 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë, ndërsa me 28 nëntor 1955 lindi komandanti Adem Jashari.

25 fakte historike se pse 28 nëntori është një ndër datat më të rëndësishme tek shqiptarët:

1. 28 nëntor 1443 – Kthimi i Gjergj (Gjon) Kastriotit- Skënderbeut në Krujë.

2. 28 nëntor 1793 – Në qytetin e Shkodrës dhe atë të Lezhës filloi kryengritja kundër Ushtrisë së Perandorisë Osmane.

3. 28 nëntor 1882 – Datëlindja e Poetit dhe Diplomatit Ali Asllanit.

4. 28 nëntor 1912 – Mbajtja e Kuvendit të Vlorës.

5. 28 nëntor 1912 – Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.

6. 28 nëntor 1912 – Qëndisja e Flamurit Kombëtar Shqiptar nga Marigo Pisio (Marigona).

7. 28 nëntor 1912 – Ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar në Qytetin e Vlorës (Aulon).

8. 28 nëntor 1932 – Me vendimin e Qeverisë Mbretërore, trupi i pajetë i Ismail Qemailit u soll në qytetin e Vlorës.

9. 28 Nëntor 1932 – Vendosja e Skulpturës së Ismail Bej Qemailit në kopshtin e Kuvendit të Vlorës të punuar nga skulptorit i njohur Odhise Paskali.

10. 28 nëntor 1932 – Dhurimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar në Muzeun Kombëtar të Mbretësisë së Shqipërisë nga Ethem Bej Vlora.

11. 28 nëntor 1945 – Ngritja e Flamurit Kombëtar në qytetin e Preshevës nga Xheladin Kurbaliu.

12. 28 nëntor 1955 – Lindja e Komandatit “Legjendar” Adem Jasharit.

13. 28 nëntor 1959 – Ngritja e Statujës së Parë të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në qytetin e Krujës e punuar nga Skulptori Janaq Paço.

14. 28 nëntor 1968 – Ngritja e Monumentit të Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut në qytetin e Tiranës.

15. 28 nëntor 1968 – Burgosja e studentëve të Kosovës nga Forcat Policore Jugosllave.

16. 28 nëntor 1969 – Lejimi i përdorimit të simbolit kombëtar për herë të parë në Kosovë.

17. 28 nëntor 1981 – Burgosja e studentëve në Kosovë.

18. 28 nëntor 1982 – Prodhimi i Filmit “Nëntori i Dytë”, nga Viktor Gjika për hirë të 70 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

19. 28 nëntor 1989 – Burgosjet dhe maltretimet psiqike dhe fizike në Burgjet e Kosovës nga forcat policore.

20. 28 nëntor 1997 – Paraqitja publike për herë të parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

21. 28 nëntor 1997 – Paraqitja publike e Mujë Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Daut Hajradinit në Fshatin Laushë të Skënderajit.

22. 28 nëntor 1998 – Mbatja e Referedumit Mbarëpopullorë në Republikën e Shqipërisë.

23. 28 nëntor 1998 – Miratimi i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë.

24. 28 nëntor 2001 – Ngritja e Monumentit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prishtinë.

25. 28 nëntor 2006 – Ngritja e Monumentit të heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Shkup.

Stokholm: Kosova promovon potencialin turistik në panairin ndërkombëtar “Travel News Market”

Në Stokholm të Suedisë po zhvillohet panairi i turizmit “Travel News Market”, ku Kosova po promovon potencialet e saj turistike para një audience të gjerë ndërkombëtare. Kjo ngjarje, e njohur si një ndër platformat kryesore të industrisë së turizmit në rajonin nordik, mbledh profesionistë, operatorë turistikë dhe partnerë globalë, përcjell albinfo.ch.

Pjesëmarrja e kompanive të Kosovës në këtë panair është mundësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me projektin FEGO.

Kosova po përfaqësohet nga shtatë kompani të sektorit të turizmit: Outdoor Kosovo, Butterfly Outdoor Adventure, SuperXplorers, LynxFreeride, Balkan Destination, Happy Trail, 7 Arte – Visit Trepça.

Përmes prezantimeve të tyre, ato po shfaqin ofertat dhe paketat turistike para tregut skandinav, me synimin për të rritur bashkëpunimet, për të krijuar lidhje të reja kontraktuale dhe për të fuqizuar praninë e Kosovës si një destinacion i qëndrueshëm dhe atraktiv për turistët nordikë.

Ky prezantim i përbashkët i kompanive kosovare shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të ofertës turistike të vendit në skenën ndërkombëtare, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim, marrëveshje biznesi dhe zhvillim të mëtejshëm të sektorit të turizmit.

Gjatë vizitës në Stokholm u zhvilluan edhe takime B2B në Ambasadën e Kosovës, nën mikpritjen e ambasadores Shkendije Geci Sherifi. Në këto takime, zyrtarët e MINT/KIESA prezantuan para operatorëve suedezë prioritetet strategjike dhe promovuan potencialet turistike të vendit, ndërsa operatorët nga Kosova patën mundësinë të paraqesin produktet dhe ofertat atraktive turistike, duke identifikuar partnerë të rinj për bashkëpunim.

Drita mposht Shkëndijën në “Fadil Vokrri”, Manaj heroi i sfidës

Drita shënoi një fitore të rëndësishme ndaj Shkëndijës së Tetovës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pjesë e Ligës së Konferencës.

Goli vendimtar i takimit u realizua nga Arb Manaj në minutën e 21-të, duke siguruar tre pikët për skuadrën gjilanase.

Atmosfera ishte e jashtëzakonshme gjatë gjithë ndeshjes. Rreth 15 autobusë me tifozët e Shkëndijës, të njohur si “Ballistët”, udhëtuan nga Tetova për ta mbështetur ekipin e tyre, ndërsa “Intelektualët”, tifozët e Dritës, sollën një koreografi mahnitëse në tribunat vendase.

Të dy grupet e tifozëve nuk ndaluan së kënduari dhe së kërceuari gjatë gjithë ndeshjes, duke kthyer sfidën në një festë të vërtetë shqiptare. Para fillimit të takimit, lojtarët dhe tifozët e të dy ekipeve kënduan himnin kombëtar shqiptar, duke krijuar një moment të veçantë uniteti dhe emocioni.

Ndeshja ishte e karakterizuar nga ritëm i lartë, duele të forta dhe energji e madhe, por Drita tregoi më shumë kontroll në momentet kyçe të lojës.

Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e 8-të në renditjen e Ligës së Konferencës, ndërsa Shkëndija zbret në pozitën e 25-të.

Zvicra për momentin “shpëton” nga gripi i zogjve

Ndërsa gripi i zogjve po përhapet në Evropë, Zvicra ka qenë deri tani e përjashtuar nga shpërthimet masive tek pulat shtëpiake. Në fermën e Christoph Hagenbuch në Oberlunkhofen, Aargau, rreth 400 pula mbahen të mbyllura në stalla deri në mars, për të parandaluar kontaktin me zogjtë e egër.

Qindra mijëra pula janë asgjësuar javët e fundit në Gjermani, Austri dhe Francë, por në Zvicër, rregullat strikte të mbajtjes së pulave dhe numri i kufizuar i kafshëve në ferma ndihmojnë në frenimin e virusit. Veterinarja kantonale e Aargau, Barbara Thür, thotë se vendndodhja gjeografike gjithashtu ndihmon: ka më pak zogj migrues që kalojnë nëpër Zvicër, duke ofruar një lloj “mbrojtjeje alpinë”.

Fermerët zviceranë thonë se përveç masave strikte, edhe pak fat është i nevojshëm për të shmangur shpërthime të gripit të zogjve.

 

 

Pesë produkte që reklamohen si ‘zvicerane’ por nuk kanë asnjë lidhje me Zvicrën

Një copë djathi, bukë apo salcë sallate – produktet në të gjithë botën shpesh reklamohen si të origjinës zvicerane, edhe pse nuk kanë asnjë lidhje me vendin tonë. Ja pesë shembuj.

1. «Swiss Roll»

Në Angli mund të gjesh një produkt që thuhet se është zviceran: “Swiss Roll”. Edhe pse ky ëmbëlsirë rrotulluese ka origjinë evropiane, është shumë e dyshimtë që të vijë nga Zvicra. Megjithatë, mjeshtrja e bukurisë Freya Cox – ish-konkurrente e “The Great British Bake Off” – në një video TikTok gatuan një “Black Forest Swiss Roll”, një ëmbëlsirë që pretendon të jetë nga Zvicra dhe Gjermania.

2. «Swiss Wake-Up Call»

Në Gjermani, diçka që tingëllon si “Weggli” (një lloj bukë zvicerane) është diçka krejt tjetër. Nëse porosit një “Schweizer Wecke” aty, shpesh merr një rollet të vogël dhe të ëmbël me sheqer perlë, që nuk ka lidhje me versionin zviceran.

3. «Swiss Cheese»

“Swiss Cheese” duket qartë si djathë zviceran, por në SHBA mund të zhgënjeheni nëse prisni një copë Emmental të vërtetë. Djathi ka vrima, por nuk ka shijen e pasur të djathit tonë. Kristina, krijuese nga Panama, provoi “Swiss Cheese” të importuar nga SHBA dhe tha se nuk i pëlqeu aspak.

4. «Swiss Dressing»

Edhe salcat e sallatës përfitojnë nga marka “Swiss” dhe reklamohen jashtë vendit si “Swiss dressing”. Ato ngjajnë shumë me salcat franceze që përdorim ne, dhe mund t’i gjesh, për shembull, në Amerikën e Veriut.

5. «Swiss Steak»

Në SHBA, “Swiss steak” është një pjatë me mish të ngrohur. Ajo nuk ka asnjë lidhje me Zvicrën; termi “Swiss” i referohet teknikës së rrahjes së mishit për ta bërë më të butë – teknikë që njihet si “Swissing”.

 

Zvicra drejt 10 milion banorëve: Pa emigracion, vendi plaket

Sipas një raporti të ri të Zyrës Federale të Statistikave, popullsia e Zvicrës pritet të arrijë 10 milion banorë deri në vitin 2040, kryesisht për shkak të emigracionit. Pa ardhjen e të huajve, popullsia zvicerane do të plaket dhe mund të fillojë të tkurret pas vitit 2035.

Rritja e numrit të të moshuarve paraqet sfida për ekonominë dhe sistemin e sigurimeve sociale, por emigracioni mund të zbusë këto efekte. Emigrantët kontribuojnë në mbushjen e boshllëqeve në tregun e punës, veçanërisht në sektorin shëndetësor, dhe përmirësojnë financat publike, transmeton albinfo.ch.

Raporti nënvizon gjithashtu sfidat: nevojën për investime në banesa, shkolla, infrastrukturë dhe integrimin e emigrantëve pa kualifikime. Megjithatë, autoritetet federale e shohin një Zvicër me 10 milion banorë si të arritshme dhe teknokratisht të menaxhueshme, duke e bërë vendin më të larmishëm dhe më të vjetër në dekadat e ardhshme.

Hapet shkolla shqipe në Wittenbach të Zvicrës

Një ngjarje me rëndësi për komunitetin shqiptar në Wittenbach u shënua këtë javë me hapjen e një pike të re të “Shkollës Shqipe”, një iniciativë e pritur me padurim nga prindërit dhe fëmijët e zonës.

Hapja e shkollës ndodhi pak para 28 Nëntorit, duke i dhënë fëmijëve mundësinë të nisin mësimin e gjuhës shqipe për herë të parë, transmeton albinfo.ch.

Mësuesja Artjola Ferizi, me përvojë të gjatë në arsim, priti nxënësit duke u siguruar që gjithçka të ishte gati për ditën e parë: tekstet mësimore, materialet dhe një atmosferë mikpritëse, ku fëmijët ndihen si në shtëpi. Libri dhe abetarët e përdorur u siguruan falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ambasadën e Shqipërisë në Zvicër.

Në orën e parë morën pjesë fëmijët Dauti, Asja, Elina, Eljona, Ameli, Medini, Luani dhe Drini. Fytyrat e tyre të buzëqeshura mbushën klasën me energji dhe kuriozitet për të mësuar mbi gjuhën dhe kulturën e tyre.

Ky hap tregon vendosmërinë e komunitetit shqiptar për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kulturor dhe për t’ua transmetuar brezit të ri si vlerë të patjetërsueshme. Shkolla Shqipe në Wittenbach i fton të gjithë prindërit që të angazhojnë fëmijët e tyre në këtë rrugëtim të dijes dhe identitetit.

 

Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë

Mbrëmë, në hapësirat e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, u hap ekspozita personale e artistes Valbona Gashi, me titullin “Gjurmët në Medalion”.

Ekspozita paraqet një përzgjedhje veprash artistike që përfshin medalione dhe piktura, ku motivet tradicionale ndërthuren me qasje bashkëkohore, duke ofruar një interpretim modern të simbolikës kulturore të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Atmosferën e mbrëmjes e pasuroi interpretimi i violonçelistes Laura Goga, e cila krijoi një ambient solemn dhe i dha hapjes së ekspozitës një dimension të veçantë artistik.

Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme, Floreta Kabashi, në fjalën e saj falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve për promovimin e kulturës kosovare në Gjenevë.

Konsullata shprehu mirënjohje për artisten Valbona Gashi dhe violonçelisten Laura Goga, si dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë mbrëmje kulturore.

Ngjyrat e tatuazheve dëmtojnë sistemin imunitar, sipas një studimi zviceran

Një studim i ri tregon se bojërat e tatuazheve mund të ndikojnë në aftësinë e sistemit imunitar për t’u mbrojtur me kalimin e kohës. Kjo është përfundimi befasues i një ekipi nga Instituti i Kërkimeve Biomedikale.

Sipas studimit, bojërat e tatuazheve jo vetëm që mbeten në lëkurë, por gjithashtu grumbullohen shpejt në nyjet limfatike dhe mund të ngelen aty për vite me radhë. Këto nyje janë organe kyçe të sistemit imunitar, shpjegon Universiteti i Zvicrës Italiane (USI), i cili është i lidhur me institutin kërkimor, në një komunikatë për shtyp.

Bojra e bllokuar në nyjet limfatike shkakton reagim nga qelizat imunitare që ndodhen aty. Makrofagët e kapin aktivisht pigmentet, duke nisur një përgjigje inflamatore. Kjo përgjigje ka një fazë fillestare akute që zgjat dy ditë, para se të bëhet kronike.

Faza kronike, e cila mund të zgjasë për vite, është veçanërisht shqetësuese sepse dobëson sistemin imunitar, duke rritur ndjeshmërinë ndaj infeksioneve dhe kancerit. Makrofagët nuk mund të thyejnë bojën e tatuazhit, dhe pas konsumimit të pigmentit, qelizat imunitare vdesin. Ky fenomen është më i shprehur me bojrat e kuqe dhe të zeza, duke sugjeruar se disa ngjyra mund të jenë më toksike, transmeton albinfo.ch.

Ky proces i vazhdueshëm i kapjes dhe vdekjes së qelizave çon me kohë në çrregullime të funksionimit normal të sistemit imunitar, i cili ka rolin kryesor për të mbrojtur trupin nga infeksionet dhe kanceri. Rezultatet e këtij studimi shtatëvjeçar ngrejnë shqetësime serioze për sigurinë e tatuazheve, thekson USI.

Një në pesë persona në botë

Studiuesit përdorën modelet e minjve dhe vullnetarë njerëz për të kuptuar se si shpërndahej boja e tatuazhit në trup. Ata gjithashtu analizuan nëse vaksinat mund të jenë më pak efektive kur injektohen në krahët e tatuazhuar. Rezultatet treguan se minjtë e tatuazhuar prodhuan një sasi dukshëm më të ulët antitrupash pas vaksinimit, ndoshta për shkak të funksionimit të ndryshuar të qelizave imunitare që lidhen me bojën për periudha të gjata.

Studimi është botuar të enjten në revistën prestigjioze Proceedings of the National Academy of Sciences dhe ka rëndësi të madhe, pasi tatuazhet janë bërë tashmë një fenomen global – një në pesë persona në botë ka të paktën një tatuazh.

Lara Gut-Behrami përfundon sezonin, por lë hapur të ardhmen

Lara Gut-Behrami ka qenë e detyruar të përfundojë sezonin e saj më herët nga sa pritej. Skiares zvicerane i është dashur të ndalojë aktivitetin pas dëmtimit të gjurit të majtë. Megjithatë, ajo nuk ka përjashtuar mundësinë e një karriere të ardhshme.

Gjatë një stërvitjeje të enjten e kaluar në Copper Mountain, Gut-Behrami pësoi një dëmtim që do të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale javën e ardhshme. Testet pas kthimit në Zvicër zbuluan se gjuri i kampiones kishte pësuar dëmtime serioze, përfshirë këputjen e ligamenteve kryesore të përparmë dhe të brendshëm, si dhe dëmtimin e meniskut.

“Kisha një ide krejt tjetër për muajt e ardhshëm dhe po e prisja me padurim këtë sezon skish,” deklaroi Lara Gut-Behrami për Swiss-Ski. Megjithëse më parë kishte njoftuar se ky dimër do të ishte sezoni i fundit i karrierës së saj, tani ajo lë të hapur të ardhmen sportive. “Për momentin, qëllimi im është të rikuperoj nga ky dëmtim dhe të rifitoj të gjitha aftësitë e mia. Vetëm atëherë do të kuptoj se çfarë më pret në të ardhmen.”

Skiarja zvicerane gjithashtu theksoi se dëmtimi i saj nuk është një tragjedi. “Së fundmi, në botën e skisë kemi përjetuar tragjedi me humbjen e sportistëve të rinj. Besoj se një dëmtim i gjurit, sado kompleks të jetë, nuk mund të konsiderohet tragjedi,” shpjegoi ajo me një ton filozofik, transmeton albinfo.ch.

Kjo nuk është hera e parë që Gut-Behrami përballet me dëmtime gjatë karrierës së saj të gjatë. Në Kampionatin Botëror të vitit 2017 në St. Moritz, gjuri i saj i majtë u dëmtua gjatë ngrohjes për slalomin e kombinuar: një ligament i përparmë i këputur dhe një dëmtim i meniskut.

Dëmtimi i saj i parë i madh daton më herët. Pas një rënieje gjatë stërvitjes në një akullnajë në Saas-Fee, ajo pësoi zhvendosjen e ijeve të djathta dhe u detyrua të tërhiqej nga e gjithë sezoni 2009/10, përfshirë Lojërat Olimpike të Vankuverit.

Gruaja e ish-futbollistit zviceran Valon Behrami ka ndërtuar një rekord mbresëlënës që nga ardhja e saj në Kupën e Botës në dhjetor 2007. Ajo ka fituar titullin e përgjithshëm dy herë (2016 dhe 2024) dhe shtatë globusë kristal (gjashtë në Super-G dhe një në Slalom të Madh). Lara Gut-Behrami numëron gjithsej 46 fitore dhe 101 podiume.

Skiarja shumëgjuhëshe gjithashtu ka spikatur në garat më të mëdha, duke fituar tre medalje olimpike (ari në Super-G në Pekin 2022, bronz në zbritje në Soçi 2014 dhe bronz në Slalom të Madh në Pekin 2022). Në Kampionatet Botërore, ajo ka siguruar dy tituj (Super-G dhe Slalom i Madh në Cortina d’Ampezzo 2021), katër medalje argjendi dhe tre medalje bronzi.

Beat Tschuor, trajneri i skisë për femra në Swiss-Ski, shprehu ngushëllimet e tij. “Lojërat Olimpike Dimërore, të zhvilluara në Itali, shtëpia e saj e dytë, ishin objektivi i fundit i madh i karrierës së Lara Gut-Behramit. Ky dëmtim e bën situatën edhe më të hidhur,” tha ai.

“Shpresojmë që operacioni dhe rehabilitimi të shkojnë sa më mirë dhe që ajo të rifitojë formën optimale, qoftë për të vazhduar karrierën, qoftë për të jetuar pa dhimbje pas sportit të nivelit të lartë,” vijoi Tschuor, duke shtuar se mungesa e Lara Gut-Behramit “do të ndihet shumë” si sportiste dhe si person.

 

“Vatra”, Bülach organizon manifestim në nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit

Shoqata “Vatra” – Bülach njofton organizimin e manifestimit tradicional në nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Aktiviteti synon të mbledhë bashkë shqiptarët e zonës dhe të gjithë dashamirët e kulturës sonë, në një mbrëmje që rikthen simbolikën, historinë dhe festën e përbashkët kombëtare.

Manifestimi do të mbahet më 29 nëntor 2025, ora 18:00, në adresën: Grampenweg 5, 8180 Bülach.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përjetojnë një atmosferë tradicionale dhe të festojnë Ditën e Flamurit në një hapësirë të ngrohtë komunitare, të dekoruar me motive shqiptare.

Shoqata “Vatra” fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë dhe të ndajnë së bashku këtë ditë simbolike për historinë dhe identitetin shqiptar.

Mirë se vini!

Një rrjet mashtruesish, të vetëshpallur shërues, u çmontua në kantonin e Fribourgut

Një rrjet personash që paraqiteshin si shërues të rremë është zbuluar në kantonin e Fribourgut. Skema e tyre, e ngjashme me atë të “marabuteve”, u ka mundësuar të mashtronin rreth 400 mijë franga zvicerane përmes premtimeve të rreme shpirtërore dhe ushtrimit të presionit emocional ndaj viktimave, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të policisë kantonale të Fribourgut të enjten, arrestimi i një shtetasi nga Guinea në dhjetor të vitit të kaluar çoi në zbulimin e këtij rrjeti të organizuar mashtrimi. Burri mbetet aktualisht në paraburgim.

Hetimi zbuloi se 31-vjeçari nuk vepronte i vetëm. Dy të dyshuar të tjerë u identifikuan: një 35-vjeçar nga Guinea dhe një 31-vjeçar francez. Të tre dyshohen se kanë përfituar mbi 400 mijë franga zvicerane në 19 raste, kryesisht në kantonin e Fribourgut, por edhe në kantone të tjera frankofone.

Ata do të procedohen në Prokurorinë Publike për mashtrim profesional, shpërdorim besimi, vjedhje, pastrim parash dhe shkelje të ligjit për të huajt.

Si funksiononte skema

Sipas policisë, tre të dyshuarit menaxhonin disa faqe interneti ku ofronin shërbime si “mediumë”, “shërues” ose “marabute”. Ata premtonin zgjidhje për zhgënjime sentimentale, konflikte familjare apo rikthimin e partnerëve të mëparshëm.

Pasi merrnin kontakt me viktimat — shumica prej tyre tashmë në situata të brishta — autorët ushtronin presion përmes frikësimit, kërcënimeve dhe premtimeve të rreme. Ata garantonin gjithashtu se paratë do të ktheheshin pas kryerjes së “ritualit”, gjë që nuk ndodhte kurrë.

Për të fshehur qarkullimin e parave, ata kishin përdorur edhe një grua zvicerane 40-vjeçare. Ajo vetë kishte qenë fillimisht viktimë e grupit, para se — me gjasë nën udhëzimet e tyre — të hapte një llogari bankare zvicerane që më pas u përdor për transaksione. Përveç kësaj, ajo mblidhte para cash nga viktimat dhe ua dorëzonte autorëve të dyshuar. Policia thekson se aktivitete të tilla janë të paligjshme dhe se aktualisht për të gjithë të dyshuarit vlen prezumimi i pafajësisë.

FBI hap hetim për terrorizëm pas sulmit ndaj Gardës Kombëtare në Uashington

FBI-ja ka hapur të enjten një hetim për terrorizëm pas të shtënave të një dite më parë pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Autoritetet e përshkruan sulmin si një pritë të qëllimshme.

Dy ushtarë të Gardës Kombëtare u qëlluan dhe u plagosën të mërkurën në kryeqytetin amerikan, vetëm pak hapa larg Shtëpisë së Bardhë. Të plagosurit, të moshave 20 dhe 24 vjeç, mbetën në gjendje kritike të enjten, deklaroi prokurorja e Uashingtonit, Jeanine Pirro, gjatë një konference për shtyp.

Gjatë këtij sulmi të “synuar”, “një person i vetëm hapi zjarr pa provokim, sikur të ishte në pritë,” shpjegoi ajo, duke sqaruar se agresori ishte i armatosur me një revolver Smith & Wesson. Ai qëlloi dy ushtarët para se të ndalohej dhe neutralizohej nga pjesëtarë të tjerë të Gardës Kombëtare.

Sulmuesi “nën mbikëqyrje të rreptë”

Agresori u identifikua si Rahmanullah Lakanwal, 29 vjeç, me origjinë afgane, i cili kishte shërbyer më herët me forcat amerikane në Afganistan. Ai u dërgua në një spital lokal, “ku ndodhet ende, nën ruajtje të rreptë,” tha Pirro. Ai do të përballet me tre akuza për sulm të armatosur me qëllim vrasjeje.

Të shtënat shkaktuan reagim të menjëhershëm nga ish-presidenti Donald Trump, i cili i kërkoi administratës së tij të “rishqyrtojë” të gjithë personat që kanë ardhur në SHBA nga Afganistani gjatë mandatit të paraardhësit të tij, Joe Biden.

“Ajo për të cilën akuzohet ky person është një krim i tmerrshëm dhe, nëse provohet – dhe duket se po – ne e dënojmë pa rezerva,” deklaroi Arafat Jamal, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët në Afganistan. Ai shtoi se shpreson që kjo ngjarje “të mos ndikojë te afganët e tjerë, azilkërkuesit dhe refugjatët” që ndodhen në SHBA.

 

Pse të rinjtë shqiptarë synojnë emigrimin për të ardhmen

Në Shqipëri, njerëzit me synime migrimi në të ardhmen e afërt ose të largët përbëjnë 33% të popullsisë, një nga nivelet më të larta në rajonin e CESEE (Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore) dhe një tregues i qartë i presionit të vazhdueshëm demografik që vendi po përjeton.

Kjo shifër përfshin ata që planifikojnë të largohen brenda një viti, ata që konsiderojnë emigrimin në dekadën e ardhshme, si dhe një pjesë të konsiderueshme të individëve që nuk e përjashtojnë kategorikisht mundësinë e emigrimit. Diferenca me vendet e Evropës Qendrore është e ndjeshme: në Çeki dhe Hungari, vetëm 7% e popullsisë raporton synime të tilla.

Të dhënat vijnë nga raporti i vitit 2024 e OeNB Euro Survey, i cili mat rregullisht qëndrimet ndaj migrimit në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Sondazhi i fundit tregon se, megjithëse dëshira për emigrim në afatin e afërt ka rënë në shumicën e vendeve krahasuar me vitet para pandemisë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten përjashtime të dukshme.

Në vitin 2024, 10% e shqiptarëve dhe 11% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut shprehnin synim për t’u larguar brenda një viti, nivelet më të larta në rajon. Vendet e tjera si Serbia, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria dhe Polonia shënojnë shifra më të ulëta, nga 2% deri në 5%, ndërsa Hungaria dhe Çekia raportojnë më pak se 2%.

Në vitin 2019, para pandemisë, mesatarisht 7% e banorëve në vendet e CESEE planifikonin të emigronin brenda vitit të ardhshëm, ndërsa kjo shifër ra në 5% në vitin 2021 dhe 4.5% në vitin 2024. Megjithatë, Shqipëria vazhdon të qëndrojë dukshëm mbi mesataren rajonale.

Sondazhi i 2024 përfshiu edhe një pyetje mbi mundësinë e emigrimit brenda dhjetë viteve të ardhshme, për të matur hapjen më të gjerë të popullsisë ndaj migrimit. Në të gjithë rajonin, rreth 10% e popullsisë e konsideron të mundshme emigrimin gjatë dekadës së ardhshme. Një tjetër 8.5% deklaron “nuk e di”, çka tregon se nuk e përjashtojnë këtë mundësi. Në Shqipëri, të dyja këto grupe, së bashku me synimet afatshkurtra, e çojnë totalin e popullsisë me prirje emigrimi në 33%.

Në Shqipëri, dy arsyet kryesore që nxisin emigrimin janë kërkimi për mundësi më të mira punësimi dhe dëshira për kushte më të mira jetese.

 

Aeroporti i Vjenës heq dorë nga plani prej 2 miliardë eurosh për pistën e tretë

Pasi analizoi të gjithë faktorët përkatës të vendimmarrjes, bordi vendosi të martën të mos e ndjekë projektin e planifikuar të pistës së tretë. Megjithatë, Aeroporti Ndërkombëtar i Vjenës (Schwechat) do të jetë në gjendje të vazhdojë të rritet në të ardhmen me zgjerimet e terminalit të planifikuar dhe sistemin ekzistues me dy pista, duke trajtuar deri në 52 milionë pasagjerë në vit, sipas njoftimit.

“Krahas rritjes masive të kostove të parashikuara të ndërtimit në rreth dy miliardë euro, kushtet e përgjithshme kanë ndryshuar rrënjësisht për shkak të kohëzgjatjes së tepërt të procesit të miratimit. Në vitin 2005, mesatarisht 71 pasagjerë u transportuan për lëvizje fluturimi, ndërsa në vitin 2024 shifra kishte arritur tashmë në 139 pasagjerë falë avionëve më të mëdhenj, duke lehtësuar presionin mbi kapacitetin e pistës. Një faktor tjetër kyç në vendim është se klientët më të mëdhenj të linjave ajrore të aeroportit e kundërshtojnë projektin, dhe pa rifinancim përmes tarifave më të larta, investimi nuk do të ishte ekonomikisht i qëndrueshëm”, shpjeguan anëtarët e bordit të Flughafen Wien AG, Mag. Julian Jäger dhe Dr. Günther Ofner.

Një arsye tjetër për vendimin ishte vendimi ende në pritje – 17 muaj më vonë – nga Gjykata Administrative (VwGH) mbi një apel kundër një vendimi të ndryshuar nga Gjykata Federale Administrative në lidhje me zgjatjen e afatit kohor të ndërtimit, tha aeroporti në deklaratën e tij.

Projekti i ri i pistës në të ardhmen e largët nuk përjashtohet

Vendimi nuk përjashton ndjekjen e një projekti të ri piste në të ardhmen e largët pas një procesi të ri miratimi nëse është e nevojshme. Vendimi gjithashtu do të thotë që pagesat e bëra midis viteve 2018 dhe 2020 sipas marrëveshjes së ndërmjetësimit për fondin mjedisor dhe komunat fqinje, të cilat u kapitalizuan për projektin e pistës, në shumën prej 55.9 milionë eurosh, nuk do të duhet të shlyhen në bilancin e vitit 2025. Për këtë arsye, Flughafen Wien AG rregulloi udhëzimet e saj për të ardhurat neto të vitit 2025 para interesave të pakicës në rreth 210 milionë euro (më parë 230 milionë euro). Udhëzimi i ri pasqyron gjithashtu efektet pozitive nga zhvillimet më të mira se sa pritej të trafikut në javët e fundit, deklaroi aeroporti, shkruan theinternational, transmeton albinfo.at.

Projekti u diskutua për më shumë se 20 vjet

Përfaqësuesit e biznesit dhe turizmit në Austrinë lindore mbështetën kryesisht pistën e tretë, ndërsa grupet mjedisore dhe banorët vendas e kundërshtuan atë. Debati ka qenë i gjatë dhe, nganjëherë, intensiv. Planet për një pistë të tretë u njoftuan për herë të parë në vitin 1996. Projekti ka qenë i pranishëm në Aeroportin e Vjenës që nga fillimi i viteve 2000. Fillimisht, filluan bisedimet e ndërmjetësimit me banorët. Në vitin 2007, aeroporti paraqiti vlerësimin e ndikimit mjedisor (VNM) dhe dokumentet e projektit për pistën shtesë. Në vitin 2019, Gjykata Administrative më në fund dha miratimin për ndërtim.

Pandemia COVID-19 dhe kriza që pasoi e aviacionit midis viteve 2020 dhe 2021 e vonuan projektin. Përpara pandemisë, ndërtimi ishte planifikuar të fillonte në vitin 2024 ose 2025. Që nga viti 2022, industria e aviacionit është duke u rikuperuar në të gjithë botën.

Aeroporti është në pronësi me nga 20 përqind secili nga Qyteti i Vjenës dhe Provinca e Austrisë së Poshtme. Fondacioni i Punonjësve të Flughafen Wien mban 10 përqind, ndërsa Aeroportet Group Europe dhe aksionet e lira përbëjnë përkatësisht rreth 44 përqind dhe 6 përqind.

Reagimet fillestare ndaj përfundimit të projektit të pistës erdhën nga qeveritë e Vjenës dhe Austrisë së Poshtme. Guvernatorja Johanna Mikl-Leitner (ÖVP) e përshkroi atë si një “vendim ekonomik”. Ajo theksoi se tani është e rëndësishme të vazhdohet zhvillimi i rajonit të aeroportit dhe modernizimi i aeroportit. “Aeroporti ynë mbetet qendra qendrore e transportit të Austrisë dhe do të vazhdojë të rritet”, tha ajo. Rajoni i aeroportit është ndër rajonet më dinamike ekonomike në Evropë “dhe do të mbetet i tillë”.

Këshilltarja e qytetit të Vjenës për çështjet ekonomike, Barbara Novak (SPÖ), gjithashtu vuri në dukje zgjerimet e planifikuara të terminalit dhe projektet e modernizimit. Ajo e quajti atë “një vendim të përgjegjshëm dhe me vizion”, “një sinjal të qartë drejt qëndrueshmërisë” dhe një hap që ofron siguri planifikimi afatgjatë.

Sekretari i Përgjithshëm i FPÖ-së dhe zëdhënësi i transportit, Christian Hafenecker, e dënoi këtë veprim si “një sinjal katastrofik për ekonominë dhe turizmin e Austrisë”. Ai gjithashtu fajësoi partitë e tjera, duke e quajtur atë “rezultat të drejtpërdrejtë të politikave anti-biznes të koalicionit humbës” të ÖVP, SPÖ dhe NEOS. Ata, tha ai, “u ishin dorëzuar ideologëve të gjelbër dhe shpëtimtarëve të vetëshpallur të klimës dhe ua kishin lënë fushën atyre”.

Të Gjelbrit e Austrisë së Poshtme përsëritën kundërshtimin e tyre të hershëm ndaj pistës së tretë. “Në këtë kuptim, e shohim njoftimin e përfundimit të projektit me të qeshura dhe lot”, tha zëdhënësja rajonale Helga Krismer. Ajo vuri në dukje se parashikimet e lidhura me pistën përfshinin rritje masive të trafikut ajror. “Qasja e lakuar mbetet një çështje e diskutueshme. Prandaj, mund të pritet që tensionet dhe rezistenca në rajon do të vazhdojnë”, shtoi ajo.

Hong Kong: Shkon në 83 i të vdekurve nga zjarri masiv, 250 ende të zhdukur

Në 83 ka shkuar numri i të vdekurve në Hong Kong, si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer në një ndërtesë.

Shërbimi i zjarrfikësve ka njoftuar se të paktën 250 të tjerë janë ende të zhdukur dhe 75 kanë pësuar lëndime, raporton TheGuardian, transmeton albinfo.ch.

Policia ka njoftuar se dyshon që skelat nga materiali i djegshëm dhe materialet me shkupë që ishin përdorur gjatë punës së mirëmbajtjes mund të kenë qenë shkaktare të përhapjes së shpejtë të zjarrit më vdekjeprurës në qytet në disa dekada.

Autoritetet morën shpejt masa një ditë pas zjarrit dhe i arrestuan shefat e një kompanie ndërtimi që ishte kontraktuar për ta kryer mirëmbajtjen e ndërtesave teksa u bë e ditur se janë arrestuar dy drejtorë dhe një konsulent inxhinieringu për vrasje pa dashje.

Ambasada e Shqipërisë në Austri organizoi pritje të madhe diplomatike dhe kulturore

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Vjenë, të hënën kremtoi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, duke organizuar një ceremoni të veçantë festive për të nderuar këtë datë historike, raporton albinfo.at.

Në këtë ceremoni festive për nder të 113- vjetorit të Pavarësisë, morën pjesë Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj si dhe zonja Englatina Gjermeni, Ambasadore dhe Përfaqësuese e Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ndër të tjera theksoi: „Motra dhe vëllezër, ju po vazhdoni traditën e shkëlqyer të personaliteteve të shquara të shekullit të kaluar, të cilët u arsimuan në universitetet austriake dhe më pas kontribuan si për Shqipërinë ashtu edhe për Austrinë. Bëhuni qytetar të mirë të këtij vendij vendi dhe tregoni vlerat tona“ nënvizoi kryetari Peleshi, transmeton albinfo.at.

Të pranishmit i përshëndeti edhe ambasadori, Fate Velaj, i cili vlerësoi lartë mardhëniet e shkëlqyera në mes shtetit të Shqipërisë dhe Austrisë. Në këtë soleminitet të pranishëm ishin, edhe përfaqësuesëve të diplomacisë së shteteve mike në Austri, zyrtarë të institucioneve austriake si dhe një numër i madh të komunitetit shqiptar me banim në Austri.