Tragjedi në Zvicër, 16-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident të rëndë trafiku në Wohlen

Një aksident tragjik ka ndodhur të premten herët në mëngjes në një zonë banimi të Wohlenit, kantoni Aargau, Zvicër, ku jetën e humbën dy të rinj, mes tyre një 16-vjeçar me prejardhje nga Kosova, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë, transmeton albinfo.ch.

Referuar Policisë Kantonale të Aargaut, automjeti i tipit Mercedes ka dalë nga rruga në një zonë të kufizuar me 30 km/h, duke u përplasur fillimisht me një pemë në një kopsht dhe më pas me murin e një shtëpie. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Në momentin e mbërritjes së ekipeve të emergjencës, dy të rinjtë  16-vjeçari shqiptar nga Kosova që drejtonte mjetin, dhe një 19-vjeçar zviceran që ndodhej në sediljen e parë,  ishin tashmë pa shenja jete. Një i ri tjetër, 19-vjeç, banor i Cyrihut, që gjendej në sediljen e pasme, është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike.

Zëdhënësi i policisë, Bernhard Graser, ka konfirmuar se vetura i përkiste vëllait të shoferit 16-vjeçar, dhe se ende nuk dihet se si ai kishte siguruar qasjen në automjet. Mjeti u dogj tërësisht pas përplasjes, ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit janë duke vazhduar.

Të dhënat fillestare sugjerojnë se automjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara për zonën. Policia po punon për të rindërtuar kronologjinë e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë eventuale.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe më gjerë, veçanërisht për shkak të moshës së re të viktimave dhe rrethanave dramatike të aksidentit. /Albinfo.ch

Policia: Telat në Liqenin e Ujmanit nuk janë të lidhur me energji elektrike

Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, ka nisur hetim më 30 korrik nëse në Liqenin e Ujmanit ka tela elektrikë të zhytur nën ujë ose jo, përcjell albinfo.ch.

Hetimi ka nisur pas, siç ka thënë Policia, deklarimeve të kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës për telat elektrikë. I njëjti gjatë intervistimit nga Policia e Kosovëse ka njoftuar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka vërejtur tela në ujë dhe se, nëse aktivizohen, mund të paraqesin rrezik për qytetarët.

“Policia ka pranuar edhe një video në lidhje me këtë rast. Menjëherë pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren, ku është konstatuar se këta tela nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik. Gjithashtu, Policia e Kosovës nuk ka pranuar as më parë ndonjë rast të raportuar në lidhje me këtë çështje”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale.

Kosova heq tarifën 10% ndaj produkteve amerikane

Bëhet e ditur se Qeveria në detyrë ka marrë vendim për heqjen e tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Deri tash, tarifa për produktete amerikane ka qenë 10 përqind, e prej sot Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo tarifë do të jetë zero.

“Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me Shba. Nga tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga ShBA’të do të kenë tarifë zero përqind kur hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë shumë që kjo do të ndikojë nmë rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, deklaroi Kurti, në mbledhjen e Qeverisë.

Ai tha se ky hap dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe përkushtimin për të pasur një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada e Kosovës në Bernë uron Zvicrën me rastin e Festës Kombëtare

Me rastin e 1 gushtit, Ditës Kombëtare të Zvicrës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë ka përcjellë një mesazh urimi për popullin dhe institucionet e Zvicrës, duke vlerësuar lart marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, transmeton albinfo.ch.

Në urimin e saj zyrtar, Ambasada ka theksuar rëndësinë që ka Zvicra si një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës në rrugëtimin e saj demokratik dhe zhvillimor.

“Me rastin e Festës Kombëtare të Zvicrës, shprehim urimet tona më të përzemërta për paqe dhe mirëqenie të vazhdueshme për popullin zviceran. Urojmë që Zvicra të qëndrojë edhe më tutje një shembull i stabilitetit, inovacionit dhe demokracisë”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.

Zvicra, përveçse është një nga mbështetëset kryesore të shtetit të Kosovës në nivel bilateral dhe ndërkombëtar, është edhe vendi ku jeton një komunitet i madh i mërgatës shqiptare, të cilët kontribuojnë në jetën shoqërore dhe ekonomike të dy vendeve.

Pritje deri në 2 orë në pikën kufitare Dheu i Bardhë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se pritjet më të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë vijojnë deri në 90 minuta, ndërkohë në dalje të saj 120 minuta në pikën kufitare Dheu i Bardhë, shkruan albinfo.ch.

Ndërkohë në pikën kufitare, Muçibabë pritjet për hyrje jane 45 minuta.

Bazuar në këto të dhëna, 30 minuta po pritet në dalje të pikës Merdarë, derisa pikat tjera kufitare kanë fluks edhe më të ulët të pritjeve.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë feston 734-vjetorin e Pavarësisë

Raporti i veçantë mes Kosovës dhe Zvicrës u theksua në një ngjarje të veçantë në Prishtinë

Ambasada e Zvicrës në Kosovë organizoi mbrëmjen e kaluar një event solemn me rastin e 734-vjetorit të Pavarësisë së Zvicrës, një ndër festat më të rëndësishme kombëtare për shtetin helvetik, shkruan albinfo.ch.

Ngjarja u mbajt në ambientet e restaurantit “Edhe” në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00, dhe mblodhi një numër të madh të të ftuarve nga sfera të ndryshme.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë ndërkombëtarë, bashkëpunëtorë të afërt të ambasadës, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe miq të shumtë të Zvicrës.

Përmes kësaj ngjarjeje festive, jo vetëm që u kremtua Dita Kombëtare e Zvicrës, por edhe miqësia e fuqishme dhe bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Të pranishmit patën rastin të dëgjojnë fjalime përshëndetëse nga përfaqësues të lartë diplomatikë, ku u theksua mbështetja e vazhdueshme që Zvicra ka ofruar për Kosovën në fusha si zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, arsimi dhe qeverisja e mirë.

Një histori e gjatë miqësie dhe bashkëpunimi

Zvicra është një ndër vendet më të rëndësishme për diasporën kosovare  me mbi 200 mijë qytetarë me prejardhje nga Kosova që jetojnë dhe kontribuojnë atje. Kjo lidhje njerëzore e ka forcuar edhe më shumë raportin mes dy vendeve, duke e kthyer Zvicrën në një partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e Kosovës.

Festa e 1 gushtit, e njohur si Dita Kombëtare e Zvicrës, i referohet paktit të vitit 1291 mes tre kantoneve themeluese (Uri, Schwyz dhe Unterwalden), që konsiderohet si lindja e Konfederatës Zvicerane. Sot, Zvicra feston 734 vjet shtetësi, neutralitet dhe stabilitet.

Karin Keller-Sutter i uron Zvicrës shumë fat në përvjetorin e saj

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter do të mirëpres të gjithë në qytetin e saj të lindjes, Wil, në Kantonin e St. Gallen.

Në një vend të dashur për të, Stadtweier (liqeni i qytetit), ajo flet për sfidat aktuale dhe të ardhshme të vajzës së ditëlindjes: Zvicrës.

Edhe në një moment kaq të ndërlikuar ndërkombëtarisht  na thotë ai: Zvicra nuk mund dhe nuk duhet të harrojë pikat e saj të forta. Është një vend i vogël, por ekonomikisht i rëndësishëm. Sigurisht, ajo nuk priste të ishte Presidente në një vit kaq të trazuar: midis luftërave dhe tarifave amerikane.

Viti presidencial i Karin Keller-Sutter

Duke bërë atë që mundemi, në një botë gjithnjë e më pak të sigurt. Dhe e drejta ndërkombëtare po shkelet gjithnjë e më shumë. Politika e ka kuptuar këtë. Po qytetarët? Sipas Karin Keller-Sutter, popullsia është në dijeni të situatës, por shpesh ndihet ende e pamposhtur.

Zvicra në një botë gjithnjë e më të pasigurt

Neutraliteti mbetet një aspekt i rëndësishëm i vendit tonë, thotë Karin Keller-Sutter. Edhe nëse neutraliteti është gjithmonë edhe “oportunist”. I shërben interesave tona. Dhe, për ta ruajtur atë, duhet t’u shërbejë edhe interesave të të tjerëve. Dhe këta të tjerët, sipas Presidentes së Konfederatës, duket se ende e vlerësojnë këtë veçanti tonën.

Zvicra dhe neutraliteti

Duke u kthyer te Zvicra dhe politika e saj e brendshme, një shqetësim i rëndësishëm për Karin Keller-Sutter është shëndeti i financave tona.

Zvicra dhe financat e saj

Mbi të gjitha, Karin Keller-Sutter i uron Zvicrës shumë fat në përvjetorin e saj. Sepse gjithmonë nevojitet pak fat.

Zvicra sot feston 734 vjetorin e Pavarësisë

Shteti i Zvicrës më 1 gusht mbushi 734 vjet.

Shtet ky, i cili sheh prapa një histori të bujshme përpjekjesh dhe suksesesh, shkruan albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Zvicra është një ndër shtetet më të fuqishme ekonomikisht dhe më neutrale në gjithë botën.

Ky shtet zakonisht pothuajse në të gjitha fushat shquhet për renditjet e para, si shteti me performancat më të mira në të gjitha dimensionet, shkruan tutje albinfo.ch.

Zvicra është performuese e mirë jo vetëm e pagave të larta, ekonomisë së lartë, çokollatave dhe djathit, por edhe e demokracisë dhe tolerancës, që e shquan si shtet helvetik. /Albinfo.ch

“Independent”: Shqipëria, një nga destinacionet më të mira për pushime në vitin 2025

Nëse jeni duke kërkuar një vend për pushime me buxhet të ulët, revista britanike “Independent” ju rekomandon pesë destinacionet më të mira për vitin 2025, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Shumë turistë britanikë preferojnë të eksplorojnë vende të reja dhe në zhvillim, duke shmangur destinacionet e njohura, të mbipopulluara dhe të kushtueshme.

Fatmirësisht, ekzistojnë shumë opsione për të kursyer pa sakrifikuar diellin apo cilësinë e eksperiencës, përcjell albinfo.ch.

Qoftë duke shëtitur në rrugët me kalldrëm, duke eksploruar majat malore apo duke notuar në ujërat kristal të bregdetit, Shqipëria ofron shumë ngjashmëri me fqinjën elegante në anën tjetër të Adriatikut.

Megjithatë, në krahasim me Italinë, plazhet janë më të qeta, vendet më të fshehura dhe çmimet dukshëm më të përballueshme.

Operatori turistik “Contiki”, i specializuar në udhëtime për të rinjtë 18-35 vjeç, është i pari që ofron ture në të gjithë Shqipërinë.

Eksploroni historinë përmes arkitekturës osmane, fashiste dhe sovjetike në Tiranë, ecni në shtigjet që çojnë në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe shijoni plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare.

Udhëtimi tetëditor kushton rreth 1,025 euro për person, pa përfshirë fluturimet.

Lista e destinacioneve më të mira për vitin 2025 sipas “Independent”:

Shqipëria – Vendi më i mirë për aventurë

El Gouna, Egjipt – Plazhet më të mira

Galicia, Spanjë – Destinacioni më i mirë për familje

Voss, Norvegji – Vendi më i mirë për ski

Bosnjë-Hercegovinë – Më e mira për natyrën

 

 

 

Presidentja Osmani mirëpret diasporën: Ju jeni krenaria e Kosovës

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në Prishtinë për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi rolin thelbësor të diasporës në përfaqësimin e denjë të vendit në botë.

Gjatë fjalimit të saj, Osmani shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e vazhdueshëm të mërgatës në zhvillimin dhe promovimin e Kosovës.

“Që nga Zvicra e Gjermania, deri në Shtetet e Bashkuara e Kanada, nga universitarë e deri tek sipërmarrësit në Austri, në sektorin e teknologjisë në vendet nordike ju keni luajtur një rol kyç në përparimin e shoqërive ku jetoni. Shqiptarët janë sot të pranishëm jo vetëm fizikisht, por edhe në skenat më të rëndësishme politike, akademike dhe kulturore anembanë botës si deputetë, profesorë, sportistë, artistë e këngëtarë me emër ndërkombëtar.” u shprej ajo.

Ajo shtoi se prania e tyre kudo në botë është një faqe lavdie për gjithë kombin shqiptar.

“Kudo që ndodheni, e përfaqësoni Kosovën me dinjitet. Ju e përçoni imazhin më të mirë të vendit tonë dhe për këtë arsye them me bindje të plotë: ju jeni ambasadorët më të fuqishëm të Kosovës. Natyrisht, pa harruar diplomatët tanë zyrtarë që kryejnë punë të shkëlqyer, por roli juaj shkon përtej çdo përfaqësimi formal.”

Në këtë ditë të mirëseardhjes për mërgatën, Presidentja Osmani shprehu edhe dhimbjen për humbjen tragjike të jetës së 33-vjeçarit Rrahim Latifi, një mërgimtar që u mbyt në Liqenin e Ujmanit.

 

Pse po shtohen dhe intensifikohen turbulencat gjatë fluturimeve?

Andrew Davies po udhëtonte për në Zelandën e Re për një ekspozitë ku ai ishte menaxher projekti. Fluturimi nga Londra drejt Singaporit filloi pa probleme, por papritur aeroplani u përfshi nga turbulenca të forta.

“Të jesh në një rollercoaster është mënyra më e mirë për ta përshkruar,” tregon ai. “Pasi u shtyra në sedilje, u rrëzuam papritmas. iPad-i më goditi kokën, dhe kafeja më përshkoi gjithë trupin.” Disa pasagjerë u lënduan rëndë, ndërsa Geoff Kitchen, 73 vjeç, humbi jetën nga një atak në zemër.

Megjithëse vdekjet nga turbulencat janë shumë të rralla  me vetëm disa raste që nga viti 1981,  lëndimet janë më të shpeshta. Vetëm në SHBA, nga viti 2009 janë regjistruar mbi 200 incidente serioze me lëndime, ku shumë prej tyre kanë prekur anëtarë të ekuipazhit.

Ndryshimet klimatike po ndikojnë në kushtet e atmosferës, duke bërë që fluturimet të përjetojnë më shumë turbulenca të ashpra. Profesori Paul Williams nga Universiteti i Reading thotë se në dekadat e ardhshme mund të presim që këto turbulenca të dyfishohen apo trefishohen.

Aktualisht, nga mbi 35 milionë fluturime në vit në botë, rreth 5,000 kanë incidente me turbulenca të forta. Rreth 40% e lëndimeve të rënda të pasagjerëve gjatë vitit 2023 u shkaktuan nga këto lëvizje të ajrit, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Rajoni i Atlantikut të Veriut, ku kalojnë shumë fluturime midis Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, Kanada dhe Karaibe, ka parë një rritje prej 55% të rasteve me turbulenca të forta gjatë 40 viteve të fundit.

Turbulencat vijnë nga tre burime kryesore: ato që lidhen me reshjet dhe stuhitë, rrjedhën e ajrit mbi malet, dhe “ajrin e pastër”  lëvizjet e papritura të ajrit që nuk shihen dot.

Ndryshimet klimatike luajnë rol në rritjen e këtyre fenomeneve, duke krijuar kushte për stuhi më të forta dhe ndryshime më të mëdha në ajër. Retë e stuhive, si kumulonimbus, janë burimi kryesor i turbulencave vertikale të forta që përjetojnë pasagjerët.

Në vitet e fundit, parashikimet për turbulencat kanë përmirësuar ndjeshëm dhe sot mund të identifikohen rreth 75% e rasteve me turbulenca të ajrit të pastër.

 

Kritikët e Kremlinit akuzojnë Zvicrën për pritjen e “kriminelëve të luftës” nga Rusia

Mbi 200 kundërshtarë të Kremlinit, përfshirë ish të burgosur politikë, shprehën pakënaqësi për vizitën e një delegacioni të lartë rus në Zvicër, duke e kritikuar Evropën për mikpritjen e atyre që i quajnë “kriminelë të luftës” pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë.

Kritikët e presidentit rus Vladimir Putin kanë shqetësim se, pas më shumë se tre vitesh nga fillimi i pushtimit në Ukrainë, disa vende dhe organizata perëndimore po e lehtësojnë normalizimin e marrëdhënieve me Moskën.

Nëpërmjet një letre të hapur, e nënshkruar nga figura të njohura si Vladimir Kara-Murza, Oleg Orlov dhe Ilya Yashin, Zvicra u akuzua për pranimin e disa aleatëve kryesorë të Putinit, përfshirë edhe kryetaren e Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon pa ndërprerje.

 

Kancelari i Austrisë kundër rritjes së moshës ligjore të pensionit

Kancelari Federal Christian Stocker (ÖVP) është aktualisht kundër rritjes së moshës ligjore të pensionit, të cilën e kërkojnë disa qarqe ekonomike. Prioritet sipas tij është rritja e prodhimit ekonomik, dhe një pension në moshën 70-vjeçare në vitin 2035 nuk duhet të jetë kriter për këtë, tha ai në intervistën verore për APA.

Në lidhje me punën me orar të reduktuar, Stocker u shpreh: “Nëse duam të arrijmë shërbimet tona së bashku, duhet të përpiqemi së bashku.” Megjithatë, kjo kritikë nuk i drejtohet personave me detyra kujdestarie, qoftë për fëmijët, qoftë për të afërmit, ku puna me kohë të pjesshme është ndoshta zgjidhja më e mirë.

Besim te “Partneriteti për Reformën”

Stocker nuk dëshiron që të cenojë neutralitetin e Austrisë. ” Në të kaluarën nuk kemi dalë keq me këtë neutralitet dhe them se, nëse do të mungonte, nuk do të kishte përfituar asgjë siguria,”  tha ai.

Ai shpreh besim te “partneriteti për reformë” mes qeverisë federale, shteteve, qyteteve dhe komunave.

 

 

Kaos me valixhet në trena: Tani do të ndihmojë inteligjenca artificiale

Trendet e udhëtimit kanë ndryshuar, gjithnjë e më shumë pasagjerë, gjithnjë e më shumë bagazhe. Kjo po sjell sfida për kompanitë hekurudhore. Ndërmarrja Südostbahn (SOB) në Zvicër ka nisur një projekt pilot ku përdor kamera dhe inteligjencë artificiale (IA) për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë ngarkesën me valixhe dhe biçikleta nëpër trena, transmeton albinfo.ch.

Problemi: Bagazhet po bllokojnë gjithçka

Valixhe, biçikleta, karroca për fëmijë dhe çanta, të gjitha këto po grumbullohen në hapësirat hyrëse të trenave, duke bllokuar rrugët e emergjencës dhe duke vonuar zbritjen e pasagjerëve. Përveç rrezikut të sigurisë, kjo po e bën përvojën e udhëtimit më të vështirë.

SOB dhe operatorët e tjerë në rajonet turistike janë duke marrë masa: ndryshime në strukturën e vagonëve, trajnime për stafin, video informuese, bileta me ulje dhe tani edhe teknologji moderne.

Si funksionon sistemi me IA?

Që nga fundi i vitit 2023, në trenat e SOB janë instaluar kamera që skanojnë hapësirat hyrëse. Me ndihmën e IA-së, sistemi identifikon në kohë reale sa valixhe, biçikleta, çanta, karroca, ski apo snowboard ka në çdo ndalesë. Njerëzit nuk identifikohen apo regjistrohen vetëm objektet.

Nga këto të dhëna krijohen statistika fillestare. Markus Erne, kreu i digjitalizimit në SOB, thotë:

“Këto statistika na ndihmojnë të kuptojmë se kur dhe ku kemi mbingarkesë me bagazhe, dhe ku shfaqen pikat kritike.”

IA nuk është mjaftueshëm e saktë ende

Sipas Erne, të dhënat janë ende të pamjaftueshme për të krijuar parashikime të sakta. Do të duhen disa vite të dhëna të besueshme për të zbuluar modelet e vërteta, si ndikimi i stinëve, pushimeve, motit apo fundjavave në trafikun e bagazheve.

Zgjidhjet nuk janë vetëm teknologjike

Vetëm IA nuk e zgjidh problemin. Të dhënat janë thelbësore, por duhet edhe ndryshim fizik i trenave. SOB po teston përdorimin e vagonëve me hapësira fleksibël, që mund të rregullohen për bagazhe ose ulëse, sipas nevojës.

Këto hapësira do të integrohen në 12 trena të tipit Traverso, duke filluar nga viti i ardhshëm. Synimi është të krijohet hapësira e duhur në kohën dhe vendin e duhur.

 

Dua Lipa merr shtetësinë e Republikës së Kosovës me dekret presidencial

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar këngëtaren me famë botërore Dua Lipa me shtetësinë kosovare. Në një ceremoni të veçantë,

Osmani ka bërë të ditur se përmes një dekreti presidencial, i ka dhënë shtetësinë një prej figurave më të rëndësishme kulturore dhe artistike të vendit.

“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua!”, shkruan Presidentja në një postim, duke e cilësuar artistën si një nga zërat më të fuqishëm në skenat botërore dhe një burim frymëzimi për miliona njerëz.

Ajo theksoi lidhjen e pandashme të Duas me Kosovën dhe falënderoi për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e vendit dhe kulturës.

“Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty!”, përfundon mesazhi i Presidentes.

Donald Trump i kërkon kompanive farmaceutike të ulin çmimet ose do të përballen me sanksione

Presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar letra zyrtare për 17 kompani farmaceutike, përfshirë Merck, Novartis, Pfizer dhe AstraZeneca, duke u kërkuar që të ulin çmimet e barnave që shesin në SHBA, ndryshe do të përballen me masa ndëshkuese, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti ka nënshkruar 17 letra drejtuar kompanive farmaceutike,” deklaroi zëdhënësja Karoline Leavitt gjatë një konference për shtyp, përpara se të lexonte letrën drejtuar CEO-së së Eli Lilly, David Ricks, transmeton albinfo.ch.

Më pas, në llogarinë e tij në platformën Truth Social, Trump publikoi të gjitha letrat, të adresuara drejtuesve të Merck, Novartis, Pfizer, AstraZeneca, Novo Nordisk, Sanofi dhe të tjerëve.

“Nëse refuzoni të veproni, do të përdorim çdo mjet në dispozicion për të mbrojtur familjet amerikane nga praktikat abuzive të çmimeve të barnave,” shkruhet në këto letra, që kanë përmbajtje thuajse identike.

Afat deri më 29 shtator

Presidenti Trump u ka dhënë kompanive afat deri më 29 shtator për të paraqitur “angazhime të qarta” për ulje çmimesh.

Më 12 maj, Trump kishte shpallur një plan për të ulur ndjeshëm çmimet e barnave në SHBA, duke i përafruar me ato që paguajnë ekonomitë e tjera të mëdha. Kjo ishte një premtim i parealizuar gjatë mandatit të tij të parë.

“Çmimet e disa barnave me recetë dhe produkteve farmaceutike do të bien menjëherë me 50 deri në 80 apo 90 për qind për amerikanët,” pati premtuar ai atëherë.

Trump synon ta arrijë këtë përmes negociatave direkte me kompanitë farmaceutike, të cilat historikisht janë treguar kundërshtare ndaj reduktimit të çmimeve.

Çmimet më të larta në botë

Çmimet e barnave në Shtetet e Bashkuara janë ndër më të lartat në botë, dhe tejkalojnë dukshëm ato të vendeve fqinje apo të Evropës.

Një studim i Rand Corporation zbuloi se amerikanët paguajnë mesatarisht 2.5 herë më shumë për barna me recetë krahasuar me francezët, për shembull. Reduktimi i këtij hendeku ishte një nga premtimet kyçe të Trump në fushatën presidenciale.

Njoftimi i fundit shkaktoi luhatje të lehta në sektorin farmaceutik në bursën e Nju Jorkut.

 

Pas 20 ditësh kaosi, qarkullimi në HB Zürich rikthehet në normalitet

Pas 20 ditësh kaosi dhe devijimesh, qarkullimi rreth Stacionit Kryesor të Zyrihut (HB Zürich) është rikthyer në normalitet. Që nga 1 gushti, të 13 linjat e autobusëve dhe tramvajit do të funksionojnë si zakonisht.

Punimet përfunduan me sukses

Gjatë kësaj kohe, në hyrje të stacionit ndodheshin gropa të mëdha në tokë. Rreth 700 metra hekurudha të vjetra, ndërmjet HB-së dhe Central-it, u hoqën dhe u zëvendësuan me shina të reja. Po ashtu, stacioni i tramvajit “Bahnhofquai/HB” u rindërtua nga operatori i transportit publik të qytetit të Zyrihut (VBZ).

Pavarësisht reshjeve të shumta, punimet përfunduan në afat. “Jemi shumë të kënaqur që gjithçka shkoi sipas planit,” deklaroi Helen Berg, zëdhënëse e Drejtorisë së Ndërtimit të Qytetit të Zyrihut, transmeton albinfo.ch.

Mbështetje për udhëtarët

Për të ndihmuar mijëra udhëtarë të prekur nga devijimet, VBZ angazhoi të ashtuquajturit “transport guides”. Ata u ofruan mbështetje veçanërisht turistëve, të cilët shpesh kishin nevojë për orientim.

“Sidomos në ditët e para, ekipet tona kishin shumë punë për të ndihmuar qytetarët,” tha Judith Setz, zëdhënëse e VBZ-së.

Qytetarët u orientuan drejt biçikletave

Shumë banorë të Zyrihut preferuan të shmangnin transportin publik dhe kaluan në biçikleta. Sipas kompanisë së biçikletave me qira Publibike, në gjysmën e dytë të korrikut, përdorimi i stacioneve pranë HB-së u rrit me 15%. Në të gjithë qytetin, numri i udhëtimeve u rrit me 20%.

Reagime të ndryshme nga publiku

Ndërsa shumica e qytetarëve treguan mirëkuptim, pati edhe pakënaqësi – më së shumti për shkak të detyrimit për të ecur në këmbë deri në Central. Por ky problem tashmë i përket së kaluarës.

Nga 1 gushti, tramvajet dhe autobusët rikthehen në rrugët e zakonshme. Ka përfunduar një nga kantierët më të mëdha në historinë e infrastrukturës urbane të Zyrihut.

 

Afati i tarifave amerikane: Zvicra ende në pritje të vendimit zyrtar

Zvicra ende nuk ka marrë një njoftim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me tarifat që do të aplikohen mbi eksportet zvicerane. Ndërkohë, Uashingtoni ka përfunduar tashmë marrëveshje tarifore me disa vende të tjera, transmeton albinfo.ch.

Në prill, Shtëpia e Bardhë njoftoi për vendosjen e tarifave 31% mbi eksportet zvicerane pas një periudhe 90-ditore. Ky afat u shty në fillim të korrikut dhe tashmë skadon të premten në orën 06:00 (ora e Zvicrës).

Pilot projekti në Zvicër që synon të riciklojë xhamat e dritareve të përdorura

Në Zvicër, çdo vit hidhen rreth 500,000 tonë xhama dritareje. Vetëm 18% përpunohen për prodhimin e shisheve, ndërsa pjesa tjetër përfundon në landfille. Një projekt pilot i zhvilluar nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Cyrih (ZHAW) synon të ndryshojë këtë situatë, duke e kthyer xhamin e përdorur në dritare të reja që plotësojnë standardet moderne.

Projekti, i quajtur “Windows of Opportunities” (Dritaret e Mundësive), drejtohet nga Michelle Schneider, hulumtuese pranë Departamentit të Arkitekturës në ZHAW. Qëllimi është të reduktohet mbetja duke rikuperuar dritaret në gjendje të mirë dhe t’i shndërrojnë ato në produkte të reja me cilësi të lartë.

Deutsche Bahn ul humbjet, por problemi i vonesave mbetet

Deutsche Bahn (DB) ka shënuar humbje më të ulëta në gjysmën e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Humbja prej 760 milionë eurosh ishte thuajse një miliard euro më pak se në gjysmën e parë të vitit 2024, njoftoi sot Grupi.

Megjithëse të ardhurat u rritën paksa, DB nuk arriti të përmbushë objektivat e vendosura. Saktësia në orar, veçanërisht në transportin me distanca të gjata, mbeti përsëri në nivele shumë të dobëta.

Shitjet e kompanisë shtetërore u rritën me 3.4 për qind, duke arritur në 13.3 miliardë euro gjatë gjashtë muajve të parë të vitit. “Për shkak të infrastrukturës së ndjeshme, numrit të lartë të kantierëve ndërtimore dhe vonesave të mëparshme që ato shkaktuan, të ardhurat mbetën përgjithësisht nën pritshmëri,” sqaroi DB.

Në trafikun me distanca të gjata, 63.4 për qind e trenave mbërritën në destinacionin e tyre me më pak se 15 minuta vonesë gjatë gjysmës së parë të vitit. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky tregues ishte 62.7 për qind.

Përkeqësimi i besueshmërisë zvogëlon të ardhurat

Sipas kompanisë, mungesa e besueshmërisë së shërbimit hekurudhor është arsyeja kryesore që udhëtarët shmangin kalimin në transportin hekurudhor. “Pavarësisht përmirësimeve prej 6.1 për qind, trafiku me distanca të gjata i DB-së mbeti nën pritshmëri në aspektin e të ardhurave.”

Megjithatë, kërkesa për udhëtime me tren mbetet e lartë. Numri i udhëtarëve u rrit nga 919 milionë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 943 milionë këtë vit. Performanca e trafikut u rrit me pothuajse 4 për qind, duke arritur në 46.9 miliardë kilometra për pasagjer. Në transportin me distanca të gjata, rritja ishte 5 për qind, ndërsa në atë rajonal 2 për qind.

 

Rritet bilanci i vdekjeve nga virusi i Nilit Perëndimor në Itali, ndërmerren masa të menjëhershme për të ndaluar përhapjen

Italia po përballet me një shpërthim të ri të virusit të Nilit Perëndimor, me nëntë raste fatale të regjistruara deri më tani, prej të cilave pesë vetëm në zonën e Kampanias. Viktima më e fundit është një 76-vjeçar nga Salerno, banues në një azil pleqsh në Grazzanise, ndërsa një 73-vjeçar nga Maddaloni humbi jetën sot në spitalin e Casertës.

Gjithashtu, janë konfirmuar dy raste të reja në Lombardi: një grua 38-vjeçare në Milano dhe një tjetër 66-vjeçare në Pavia, e cila është shtruar në spital. Autoritetet lokale bashkëpunojnë me institucionet shëndetësore për të monitoruar situatën dhe për të kontrolluar përhapjen e virusit, transmeton albinfo.ch.

Në këtë situatë, Francesco Rocca, presidenti i Rajonit të Lazios, ka nxjerrë një urdhëresë emergjente për dezinfektimin e zonave dhe kontrollin e mushkonjave, duke vënë në dispozicion fondin prej një milioni euro për komunat.

Ekspertët shpjegojnë se mushkonjat janë bartësit kryesorë të virusit, ndërsa më të rrezikuar janë të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Veterinerët paralajmërojnë për rrezikun e transmetimit të virusit edhe përmes vezëve dhe larvave të mushkonjave femra, duke theksuar nevojën për rehabilitimin e tokës dhe kontrollin e popullatave të zogjve të egër, të cilët mund të jenë rezervuarë natyralë të virusit.

Ndërkohë, Federata Italiane e Autoriteteve Shëndetësore dhe Spitalore (Fiaso) ka ngritur një rrjet spitalor roje për të siguruar monitorimin e hershëm dhe të koordinuar të rasteve, ndërsa presidenti Giovanni Migliore nënvizon rëndësinë e një përgjigjeje të shpejtë, duke përdorur strukturat dhe eksperiencat e fituara gjatë pandemisë COVID-19.

 

 

 

Austri: Kufizimet e lirisë në azilet e kujdesit arrijnë kulmin e ri

Organizata austriake e avokimit Vertretungsnetz, e cila monitoron masat kufizuese të lirisë në institucionet rezidenciale dhe të kujdesit në emër të Ministrisë së Drejtësisë, ka regjistruar edhe një herë një rekord të ri në ndërhyrje të tilla. Në vitin 2024, rreth 60,200 masa kufizuese të lirisë iu raportuan organizatës. Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, Vertretungsnetz u bëri thirrje ofruesve të kujdesit dhe qeverive rajonale të ndajnë më shumë burime dhe të përmirësojnë kushtet e punës për stafin.

Numri i rasteve të raportuara dhe individëve të prekur është rritur për disa vite. “Rreth 22,100 persona u prekën nga një ose më shumë masa”, tha Grainne Nebois-Zeman, drejtuese e divizionit të avokimit të banorëve të Vertretungsnetz. Krahasuar me vitin 2023, numri i raportimeve u rrit me 5% dhe me pothuajse një të tretën gjatë një periudhe trevjeçare. Raporti u mbulua për herë të parë nga programi i lajmeve radiofonike “Ö1 Journal um acht”.

Organizata e quajti trendin “alarmues”, transmeton theinternational.at. Masat e klasifikuara si kufizuese të lirisë përfshijnë dhoma të mbyllura, rripa shtrëngimi për karrige me rrota ose ilaçe qetësuese. Masa të tilla lejohen ligjërisht vetëm kur ekziston një kërcënim serioz dhe i menjëhershëm dhe nuk ka alternativë më pak ndërhyrëse.

Mungesa e personelit kritikohet rëndë

Situata në institucionet e kujdesit për të moshuarit dhe kujdesit për të moshuarit u përshkrua si “veçanërisht shqetësuese”. Këto institucione përbënin rreth gjysmën e të gjitha raporteve, me rreth 30,400 masa të zbatuara rishtazi. Nga të gjitha kufizimet, 71% përfshinin ilaçe qetësuese të përdorura për të qetësuar shqetësimin ose për të parandaluar endjen. Kangjellat e krevateve dhe kufizimet e karrigeve me rrota përdoren gjithashtu gjithnjë e më shumë përsëri. Vertretungsnetz shprehu shqetësim për një rritje të ndjeshme të numrit të individëve të nënshtruar kufizimeve të shumta vitin e kaluar. Për herë të parë që nga pandemia, viti 2024 pa gjithashtu një rritje të masave që synojnë parandalimin e banorëve nga largimi nga zonat e caktuara.

“Mungesa e vazhdueshme e personelit në këto institucione ka një ndikim qartësisht negativ”, tha Nebois-Zeman. “Falë angazhimit të fortë personal të punonjësve të kujdesit, shërbimi i duhur ende ofrohet në shumë vende. Megjithatë, presioni dhe fluktuacioni i lartë i stafit po çojnë në më pak mundësi për të mobilizuar banorët. Si rezultat, po shohim më shumë kufizime si në cilësinë e jetës ashtu edhe në të drejtat themelore.”

6,800 kufizime të lirisë të raportuara për fëmijët

Vertretungsnetz gjithashtu monitoron masat kufizuese të lirisë të aplikuara për fëmijët dhe adoleshentët që jetojnë në shtëpi kujdesi ose që ndjekin shkolla të arsimit special, shkruan albinfo.at. Raportet mund të përfshijnë raste kur kujdestarët administrojnë ilaçe psikotrope ose i kufizojnë fizikisht fëmijët gjatë shpërthimeve të sjelljes. Në vitin 2024, u raportuan dhe u shqyrtuan rreth 6,800 masa të reja. Nga këto, afërsisht 60% ndodhën në mjedise rezidenciale dhe 40% në mjedise arsimore. Një total prej 2,123 fëmijësh dhe adoleshentësh u prekën nga një ose më shumë kufizime.

Në vitet e fundit, Vertretungsnetz ka vërejtur se kujdesi për të miturit është bërë gjithnjë e më i vështirë, veçanërisht në zonat urbane. Fëmijët shumë të traumatizuar shpesh shfaqin sjellje sfiduese ose të dhunshme, duke rezultuar në ndërhyrje më intensive. “Edhe nën presion të madh, ne gjithmonë i shqyrtojmë masat shtrënguese që përfshijnë fëmijët dhe adoleshentët me kujdes të veçantë për t’u siguruar që ato janë vërtet të nevojshme”, tha Nebois-Zeman. “Përjetimi i dhunës mund t’i ritraumatizojë këta të rinj dhe t’i privojë ata nga mundësitë për zhvillim të shëndetshëm.”