2 shqiptare, 2 gola në Evropian

Kampionati Evropian i futbollit të femrave në Zvicër ka sjell spektakël deri më tani me shumicën e stadiumeve që ishin të mbushura.

Në këtë Evropian po lënë gjurmë edhe futbollistet shqiptare, shkruan albinfo.ch.

Riola Xhemaili dhe Kosovare Asllani janë futbollistet shqiptare në këtë Evropian. Riola luan për Zvicrën dhe Kosovarja për Suedinë.

Në fazën e grupeve që ende nuk ka përfunduar dy futbollistet shqiptare shënuan nga një gol.

Riola Xhemaili me golin e saj në minutën e 92-të i siguroi një pikë Zvicrës ndaj Finlandës, duke kualifikuar Zvicrën për herë të parë në çerekfinale, pasi e përfundoi Grupin A me katër pikë.

(AP Photo/Alessandra Tarantino)

Ndërkohë, Kosovarja në dy ndeshje shënoi një gol ndaj Polonisë dhe ka bërë një asistim ndaj Polonisë. Asllani është kapitene e Suedisë dhe ndaj Danimarkës festoi paraqitjen e 200-të me Suedinë, një shifër e jashtëzakonshme në futbollin ndërkombëtar.

Ndeshja e fundit në grupe për Suedinë është ndaj Gjermanisë, të shtunën në mbrëmje, që është sfidë për vendin e parë në grup, pasi dy kombëtare janë kualifikuar tutje.

 

 

 

Pse Ardon Jashari refuzoj Interin?

Merkatoja verore vazhdon të sjellë surpriza dhe histori të forta karakteri. Këtë herë në qendër është Ardon Jashari, mesfushori i talentuar zviceran me origjinë shqiptare, i cili ka treguar qartë se ku e sheh të ardhmen e tij, përcjell albinfo.ch.

Sipas gazetarit belg, Sacha Tavolieri, Interi ka bërë një ofertë konkrete për Jasharin: 30 milionë euro plus kartonin e Stankovic për ta bindur Club Brugge që ta lëshojë yllin e mesfushës.

Por pavarësisht ofertës shumë të mirë dhe interesit të madh nga kampionët e Italisë, Jashari ka refuzuar pa hezitim.

Ardon Jashari dëshiron vetëm AC Milanin. Ky vendim i mesfushorit është komentuar si një deklaratë e qartë që tregon jo vetëm ambicien sportive, por edhe preferencat e tij për projektin kuqezi.

Jashari shihet si një nga mesfushorët më premtues të brezit të tij, duke u përfolur prej kohësh për një hap të madh në një klub elitar europian. Milani, i cili po punon për të forcuar repartin qendror, duket se e ka bindur lojtarin me vizionin dhe besimin që i ka ofruar.

Për momentin nuk ka asgjë zyrtare mes Milanit dhe Brugge, por refuzimi i Interit i ka dhënë kuqezinjve një avantazh të madh. Klubi nga Milano tashmë pritet të intensifikojë kontaktet për ta afruar Jasharin në San Siro brenda afatit kalimtar veror.

Dështon konstituimi i Kuvendit për të 45’ën herë

Në Kuvendin e Kosovës ka dështuar edhe përpjekja e 45-të për konstituim, përcjell albinfo.ch.

VV ka vazhduar me përpjekjen për votim të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, nuk kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë.

Kur u ftuan për propozime, ata akuzuan Kryesuesin Avni Dehari se po shkel Kushtetutën.

“Sot është hera e 45-të që Kryesuesi është duke e shkelur Kushtetutën. Kjo është e papranueshme”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, para se t’i ndalej fjala nga Dehari.

“Unë propozoj që ju të ktheheni në rendin e ditës”, deklaroi Ekrem Hyseni i LDK-së, të cilit po ashtu iu ndërpre fjala nga Dehari.

“Po e shohim që ka një bllokadë të qëllimshme”, tha Time Kadriaj e AAK-së, të cilës iu ndal mikrofoni menjëherë.

“Nuk ka vend për debat”, deklaroi Dehari.

Në sallë ishin 99 deputetë.

“49 deputetë për, kundër nuk ka, abstenime nuk ka. Nuk kemi kourum. Ndërpritet seanca. Shihemi më 13.07, në orën 11:00 sërish”, tha Dehari.

E propozuara e VV-së për këtë pozitë vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.

Riola Xhemaili, e lumtur që kualifikoi Zvicrën

Zvicra festoi me golin e futbollistes shqiptare. Goli do të mbetet në histori, shkruan mediumi “20 Minuten” e po ashtu edhe “Blick”, transmeton albinfo.ch.

Me atë gol, Zvicra u kualifikua për herë të parë në çerekfinale të Kampionatit Evropian.

Evropiani po mbahet në Zvicër, ndërsa thuajse i gjithë ky vend festoi të enjten mbrëma.

“Kam dashur të vrapoj drejt tifozëve, por kishte një rrethojë dhe nuk kam dashur të rrëzohem në të”, ka thënë Xhemaili.

“Është e mahnitshme. Është ndjenja më e mirë që kam përjetuar ndonjëherë. Është sikur një ëndërr e bukur që realizohet”, shtoi sulmuesja shqiptare.

Ajo hyri në lojë vetëm në minutën e 82-të. “E kam ditur se do të shënoj atë gol. Pasi erdhi topi e kam ditur se ku duhet të jem. Është dashur vetëm të mos jem në ofsajd. Dhe më pas goli hyri në portë. Është e ëmbël që e përjetojmë këtë, e meritojmë”, ka thënë Xhemaili, që është e lumtur që i bëri krenarë familjarët e saj.

“Shumë kanë dyshuar në mua. Por mendoj se kam treguar pse jam këtu dhe që mund ta ndihmoj ekipin”, ka thënë futbollistja shqiptare.

“Është e pabesueshme se si po e bëjmë Zvicrën të festojë”, ka vazhduar sulmuesja.

Lejoi qytetarin të kalonte me fishek, arrestohet zyrtari i Aeroportit të Prishtinës

Raportohet se është arrestuar zyrtari i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i cili ishte me detyrë në kontrollin e X-Rej, pasi sipas policisë, ai dyshohet se ka lejuar një qytetar të kalojë me një fishek 9 milimetërsh, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur të enjten e 10 korrikut, rreth orës 10:50.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, punëtor i ANP-së (me detyrë në kontrollin X-Rej) pasi që ka lejuar një qytetar të kalojë me një fishek 9 mm.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë

Bosnje: Varrosen shtatë viktima në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës

Shtatë nga viktimat e identifikuara të gjenocidit të vitit 1995, të kryer nga serbët në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës lindore, do të varrosen sot pas një ceremonie mortore në Qendrën Përkujtimore në Potoçari, përcjell albinfo.ch.

Për shtatë viktimat e identifikuara të gjenocidit, i cili është përshkruar si tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, do të falet namazi i xhenazes. Para faljes së namazit të xhenazes, në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës do të mbahet një program për të përkujtuar 30-vjetorin e gjenocidit.

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Numan Kurtulmuş, i cili do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore, do të përurojë gjithashtu Muzeun Përkujtimor të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, një projekt i përbashkët midis Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës.

Numri i viktimave të varrosura në varrezat përkujtimore do të rritet në 6.772.

Në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, shtatë viktima të tjera të gjenocidit, të identifikuara, do të varrosen me miratimin e familjes në varrezat përkujtimore në Potoçari.

Më të rinjtë nga shtatë viktimat që do të varrosen në varrezat përkujtimore të Potoçarit gjatë ceremonive përkujtimore më 11 korrik janë Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të cilët ishin 19 vjeç kur u vranë. Ndërsa Fata Bektiq, gruaja e vetme dhe viktima më e vjetër që do të varroset këtë vit, ishte 67 vjeç kur u vra.

Emrat e shtatë personave që do të varrosen këtë vit janë: Senajid Avdiq, Hariz Mujiq, Fata Bektiq, Hasib Omeroviq, Sejdalija Aliq, Rifet Gabeljiq dhe Amir Mujiq.

Pas ceremonisë së këtij viti, numri i viktimave të varrosura në varrezat përkujtimore do të rritet në 6.772.

Çfarë ndodhi në Srebrenicë?

Pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat serbe, nën komandën e Ratko Mlladiqit më 11 korrik 1995, civilët boshnjakë që kërkuan strehim tek ushtarët holandezë që vepronin nën strukturën e OKB-së, iu dorëzuan më vonë serbëve.

Serbët, të cilët lejuan gratë dhe fëmijët të arrinin në zonën e kontrolluar nga ushtarët boshnjakë, masakruan të paktën 8.372 burra boshnjakë në pyje, fabrika dhe depo. Boshnjakët e masakruar u varrosën në varre masive.

Me një ceremoni që mbahet çdo vit më 11 korrik në varrezat memoriale të Potoçarit, pas identifikimit të kryer varrosen viktimat, trupat e të cilëve u gjetën në varret masive në punimet e filluara pas luftës për të gjetur të zhdukurit.

Pesë muaj pas zgjedhjeve, sot përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish sot mblidhen në përpjekjen e 45-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të, pesë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Partitë parlamentare nuk po arrrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh.

Procesi ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit , me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur , por partitë e tjera e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.

Kurti udhëton për në Bosnje dhe Hercegovinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, që do të mbahet sot në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçarin, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri Kurti do të udhëheqë delegacionin e Republikës së Kosovës të përbërë nga zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministrja e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë.

Vitin e kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës datën 11 korrik e ka shpallur ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës.

Kosova dhe SHBA thellojnë partneritetin

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka takuar zëvendëssekretarin e Shtetit Christopher Landau. 

Ajo ka thënë se Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, siç ka shkruar, në përputhje me vizionin e fortë të presidentit Trump. 

“Më shumë siguri. Më shumë zhvillim. Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona”, ka shkruar Osmani në Facebook.

https://www.facebook.com/share/p/154phUkeynV/?mibextid=wwXIfr

Diamant Hysenaj ka shpallur kandidaturën për Kongresin Amerikan

Quhet Diamant, është një emër i ri në skenën politike amerikane, por me rrënjë të thella shqiptare. Zyrtarisht i ka hyrë garës për një vend në Kongresin Amerikan. Me origjinë nga Kosova dhe me një histori emigrimi që daton nga viti 1991, Hysenaj sot përfaqëson shembullin e suksesit të ndërtuar nga zeroja dhe tani synon të jetë zëri i komuniteteve që, sipas tij, janë lënë në harresë, shkruan albinfo.ch.

I vendosur në Bronks, aty ku dikur nisi jetën si refugjat, 42-vjeçari ka ngritur një kompani ndërtimi që ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qindra familjeve. Si një lider komuniteti dhe sipërmarrës i suksesshëm, ai ka vendosur të sfidojë një nga figurat më të njohura të politikës progresive në SHBA: Alexandria Ocasio-Cortez (AOC).

Në garën për distriktin e 14-të të Kongresit, Hysenaj kandidon si republikan, duke vënë theksin te çështjet lokale si infrastruktura, mbështetja për bizneset e vogla, siguria publike dhe politika më të balancuara për emigracionin. Ai kritikon kundërshtaren e tij për, siç thotë, “fokusin e tepërt në ideologji dhe axhenda kombëtare, duke lënë pas dore nevojat reale të komunitetit”.

Për Hysenajn, kjo nuk është vetëm një garë politike  është një kapitull i ri për përfaqësimin e një zëri të ri: një zë që buron nga përvoja, përkushtimi dhe rrënjët shqiptare në zemër të Amerikës. /Albinfo.ch

Inxhinierja shqiptare diplomon në MIT, një tjetër histori suksesi nga Amerika

Era Syla është bërë studentja e parë nga Kosova që diplomohet nga prestigjiozi Massachusetts Institute of Technology (MIT), në degën Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri. Kjo arritje shënon një moment historik për arsimin në vendin tonë dhe një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë, shkruan albinfo.ch. 

Përmes përkushtimit dhe punës së palodhur, Era ka hyrë në mesin e talenteve të rralla që arrijnë të përfundojnë një program kaq të vështirë në një nga universitetet më të mira në botë.

“Është një ndjesi që nuk përshkruhet me fjalë,  shpresoj që çdo i ri në Kosovë ta besojë veten dhe të synojë lart,” tha Era pas diplomimit.

E ardhmja e saj në teknologji dhe inovacion sapo ka filluar, por ndikimi i saj tashmë është i dukshëm: një model për guxim, ambicie dhe sukses. /Albinfo.ch

Shqipëri: Kapen nga radari e nuk njoftohen, kosovarët ankohen se po ndëshkohen me gjoba me kamatë

Shumë qytetarë të Kosovës që udhëtojnë për në Shqipëri janë ankuar se për gjobat që i marrin gjatë udhëtimit të tyre në Shqipëri, përmes radarëve, nuk njoftohen as nga Policia e Shtetit e as nga ajo e Kosovës.

Për pasojë, gjobat po u rriten me kamatë ditore prej 2 për qind. Për këtë çështje, për Radio Kosovën është përgjigjur vetëm Policia e Shtetit shqiptar, ndërsa institucionet e Kosovës nuk janë përgjigjur ende.

Gjatë muajit maj, Saranda Krasniqi, kur po udhëtonte për në Shqipëri, është fotografuar nga radarët rrugorë pasi e ka kaluar shpejtësinë e lejuar. Në bazë të kësaj i është shqiptuar një dënim, për të cilin nuk e tregoi shumën. Por ajo tha për Radio Kosovën se nuk është njoftuar për gjobën e shqiptuar nga Policia e Shtetit shqiptar.

“Po, më ka ndodhur në muajin maj. Kam udhëtuar në një fundjavë në Shqipëri, ku gjatë rrugës kisha marrë një gjobë, të cilën nuk e kam ditur se ka qenë nga radari”, ka thënë Krasniqi.

Ajo tregoi se për dënimin e marrë është njoftuar në pikën kufitare në Morinë pas një muaji, kur ka udhëtuar përsëri për në Shqipëri.

“Pas një muaji kam udhëtuar përsëri për në Shqipëri dhe më kanë njoftuar në doganë që ke një gjobë dhe duhet ta paguash. Kjo është e padrejtë nga ana e Policisë së Shqipërisë, pasi lajmërimi duhet të ishte bërë me kohë. Pas një muaji, unë pashë që gjoba ishte rritur”, ka thënë ajo.

Policia kufitare në Morinë i ka dhënë një procesverbal ku është konstatuar shkelja, duke theksuar se pas kalimit të afatit të pagesës prej 15 ditësh, gjobës i shtohet kamatë ditore prej 2 për qind.

Ndërkohë, në përgjigjen për Radio Kosovën, Policia e Shtetit shqiptar thotë se “njoftimi i shtetasve të Kosovës/evropianë për çdo rast të konstatimit të shkeljeve në mungesë bëhet në pikat e kalimit kufitar. Secili njoftim i bërë në këto raste regjistrohet në sistemin elektronik që administron Policia e Shtetit dhe shtetasit i bëhet e ditur se si dhe ku duhet ta kryejë pagesën. Secilit kundërvajtës i komunikohet nga shërbimi i Policisë Kufitare, në dalje apo hyrje të territorit shqiptar, për kundërvajtjen e kryer dhe i jepet e printuar fleta e gjobës, duke u informuar mbi përfitimin kur pagesa kryhet brenda afatit 15-ditor.”

Policia e Shtetit bëri të ditur se “pagesa në këto raste mund të bëhet pranë çdo zyre të institucioneve financiare, të cilat kanë marrëveshje me Policinë e Shtetit dhe që operojnë edhe pranë pikave të kalimit kufitar.” Sipas Policisë, në rastet kur shërbimet e Policisë Rrugore kapin në qarkullim kundërvajtësin që nuk ka kryer pagesën e masës administrative, megjithëse është njoftuar më parë (e verifikuar nga njoftimi i administruar në sistemin elektronik të Policisë së Shtetit), në zbatim të nenit 205 të Kodit Rrugor, i kërkohet të kryejë pagesën te punonjësi i Policisë kundrejt mandatit të arkëtimit, ose sipas dëshirës së shtetasit, ta kryejë pranë çdo institucioni financiar. Në rastin e dytë drejtuesit të mjetit i tërhiqet leja e drejtimit deri në kryerjen e pagesës.

Në përgjigjen e Policisë së Shtetit shqiptar thuhet se “të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi paguhen nga kundërvajtësi brenda 15 ditëve nga dita që gjoba regjistrohet ose vendimi ka marrë formën e prerë, me përjashtim të rasteve kur parashikohet gjoba në vend. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë paguhet 2 për qind kamatë deri në një muaj.”

Në procedurat që ndjek Policia është parashikuar se në rastin kur kundërvajtësi apo pronari i mjetit nuk është dakord për shkeljen e kryer, apo njoftimi është kryer me vonesë dhe gjoba është me kamatë, nuk përfiton uljen me 50 për qind të vlerës së gjobës. Shtetasi ka të drejtën e ankimit sipas nenit 201 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Në ankim mund të kërkohen të dhëna për shkeljen e kryer, si dhe rivendosja në afat e masës së marrë për mundësinë e heqjes së kamatvonesës. Ankimi i drejtohet organit administrativ shtetëror më të afërt në rastin kur shtetasi është brenda territorit të Shqipërisë, me postë ose në adresat elektronike [email protected] ose [email protected]

Organet administrative shtetërore, me marrjen e ankesës, kryejnë shqyrtimin dhe marrin vendim, i cili i njoftohet qytetarit në adresën e deklaruar. Masa e dalë nëpërmjet këtij vendimi mund të paguhet brenda afatit 15-ditor dhe në këtë afat përfitohet ulja me 50 për qind të vlerës së gjobës.

Radio Kosova ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, Policia e Kosovës dhe Qendra për Menaxhimin Kufitar rreth njoftimit të qytetarëve të Kosovës që janë regjistruar si kundërvajtës në territorin e Shqipërisë, por deri tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje për këtë çështje.

Kosovarët që luftuan në Siri s’do të amnistohen, pavarësisht ndryshimit të qëndrimit të SHBA-së ndaj Al-Nusrës

Kosova nuk do të falë apo amnistojë qytetarët e saj që janë dënuar për pjesëmarrje në luftëra të huaja, përfshirë ata që iu bashkuan Frontit Al-Nusra në Siri, edhe pse SHBA-ja e ka hequr këtë grup nga lista e organizatave terroriste.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për REL se vendimet gjyqësore mbeten në fuqi dhe ligji i Kosovës nuk njeh amnisti për pjesëmarrje në konflikte jashtë vendit, pasi vepra penale është kryer në kohën kur Al-Nusra ishte organizatë terroriste sipas ligjeve ndërkombëtare. Edhe Kombet e Bashkuara vazhdojnë ta konsiderojnë këtë grup si të tillë, transmeton albinfo.ch.

Kush është Al-Nusra?

Ky grup u shfaq në Siri më 2012 si degë e Al-Kaidës, ndryshoi disa herë emrin dhe u shkëput nga Al-Kaida në vitin 2016, duke formuar Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Në vitet e luftës, Al-Nusra u bë një nga grupet më vdekjeprurëse kundër regjimit të Assadit.

Pjesëmarrja e kosovarëve

Nga viti 2011 deri më sot, mbi 350 kosovarë besohet të kenë shkuar në Siri dhe Irak, shumica për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, por një numër i madh iu bashkua edhe Al-Nusras. Dënimet e tyre kanë qenë të ndryshme, nga dënime me kusht deri në 15 vjet burg.

Vetëm këtë muaj, një kosovar u dënua me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit në Siri dhe Irak. Ndërkohë, në vitet e fundit, dhjetëra të tjerë janë dënuar për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ligji i Kosovës i miratuar më 2015 ua ndalon shtetasve të saj pjesëmarrjen në luftëra të huaja, si dhe i dënon ata që rekrutojnë, financojnë ose fshehin pjesëmarrës në këto luftëra.

Riola Xhemaili shpëton Zvicrën me golin vendimtar, e dërgon në çerekfinale në sekondat e fundit

Kombëtarja e Zvicrës ia doli të siguronte një barazim ndaj Finlandës (1-1) falë një goli të Riola Xhemailit në minutën e 90’+2. Finlanda kaloi e para në epërsi me penalltinë e N. Kuikka në minutën e 79-të, por Zvicra nuk u dorëzua.

Xhemaili u fut në lojë në minutën e 81-të dhe realizoi golin e barazimit në kohën shtesë, duke dërguar Zvixrën në çerekfinale për herë të parë. Ky ishte një moment kyç për ekipin e trajnerit Pia Sundhage, që i duhej minimumi një pikë për të siguruar vendin e dytë në Grupin A.

Rezultati përfundimtar:

🇫🇮 Finlanda 1-1 Zvicra 🇨🇭

⚽ 79′ N. Kuikka (penallti)

⚽ 90’+2 R. Xhemaili

(KEYSTONE/Martial Trezzini

 

SBB përgatitet për ditët me temperatura ekstreme

Temperaturat e larta po krijojnë sfida të mëdha për Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB). Në dimër ngrijnë devijatorët, ndërsa në verë shinat mund të deformohen për shkak të nxehtësisë ekstreme. Gjatë një vale të tillë të nxehti, temperatura e shiritave metalikë të binarëve mund të arrijë deri në 60°C. Shinat janë të salduara pa ndërprerje dhe zgjaten kur nxehen.

“Kur një shinë lëviz më shumë se 50 milimetra anash, kjo konsiderohet deformim dhe përbën rrezik sigurie,” thotë Erich Emmenegger, drejtues i departamentit të binarëve në SBB. Ai shton se për shkak të forcave të mëdha që krijohen, deformimet ndodhin papritur. Çdo vit në rrjetin hekurudhor të SBB raportohen 3 deri në 7 raste të tilla, të cilat zakonisht lajmërohen nga makinistët që i ndiejnë menjëherë ndryshimet në shina.

Trenë të posaçëm për ftohjen e shinave

Kur konstatohet deformim, aktivizohet një tren i veçantë: treni i shuarjes së zjarreve dhe shpëtimit, që mund të tërheqë edhe një vagon-cisternë. Ky tren spërkat ujin direkt mbi shina për t’i ftohur. Vetëm tanku i trenit ka kapacitet prej 45.000 litrash ujë.

Aktualisht, 16 trena të tillë janë të vendosur në pika strategjike në të gjithë Zvicrën. Simon Fürst, përgjegjës i ndërhyrjeve në rajonin lindor, thotë: “Qëllimi është të parandalohet përkeqësimi i dëmtimeve, në mënyrë që ekipet e mirëmbajtjes të mund t’i riparojnë sa më shpejt.”

Numri i dëmtimeve nuk është rritur

Sipas SBB, pavarësisht rritjes së ditëve me temperatura të larta vitet e fundit, numri i dëmtimeve nga nxehtësia nuk është shtuar. Kjo falë masave parandaluese, sidomos mirëmbajtjes së vazhdueshme të binarëve dhe stabilitetit të traversave dhe zhavorrit që i mban ato në vend.

Eksperimente me ngjyrosje të bardhë

Disa vite më parë, SBB provoi të lyente shinat me ngjyrë të bardhë, për të ulur temperaturën dhe zgjerimin e tyre. Megjithatë, ky eksperiment nuk dha rezultatet e pritshme dhe është ndërprerë. Ndryshe veprojnë Rhätische Bahn dhe Appenzeller Bahnen, të cilat këtë verë vazhdojnë t’i lyejnë disa pjesë të binarëve me ngjyrë të bardhë, duke besuar te efekti pozitiv i kësaj metode për uljen e temperaturës.

Bitcoini arrin vlerë rekorde

Bitcoini ka thyer një rekord të ri këtë të enjte, duke u rritur në 112,743.49 dollarë, falë rritjes së kërkesës nga investitorët dhe politikave pro-biznes të administratës së Presidentit amerikan, Donald Trump.

Kriptomonedha më e madhe në botë vazhdon trendin e fuqishëm të rritjes, pasi vetëm më 22 maj kishte arritur mbi 111 mijë dollarë.

 

Për herë të parë, fluturime direkte Prishtinë–Salzburg–Prishtinë

Për herë të parë do të ketë fluturime direkte mes Prishtinës dhe Salzburgut. Këto fluturime do të nisin më 18 dhjetor dhe do të zgjasin deri më 6 janar.

Linja e re ajrore është rezultat i një peticioni të organizuar dhe nënshkruar nga studentë dhe bashkatdhetarë që jetojnë në Salzburg, qytete përreth dhe në Gjermani. Peticioni u dorëzua të hënën pranë Aeroportit të Salzburgut dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, transmeton albinfo.ch.

Sipas komunikimit të parë zyrtar të marrë sot nga Aeroporti i Salzburgut, fluturimet do të operohen nga kompania ajrore Eurowings. Biletat janë tashmë të disponueshme për rezervim. Aeroporti i Salzburgut ka bërë të ditur se çmimet aktualisht të larta në sistem janë për shkak të një çështjeje teknike dhe pritet që brenda disa ditësh të bëhen më të përballueshme.

Në varësi të interesimit dhe kërkesës së udhëtarëve, ekziston mundësia që këto fluturime të vazhdojnë edhe pas sezonit dimëror.

 

Bima që shitet 1,000 euro për kilogram por askush nuk e kultivon më

Edhe pse lidhet kryesisht me prodhimin e birrës, bima Humulus Lupulus (humulusi) ofron shumë më tepër sesa hidhësinë karakteristike të saj. Filizat e rinj të saj, të njohur për shijen delikate dhe përbërjen e pasur ushqyese, konsiderohen ndër delikatesat më të shtrenjta gastronomike në Evropë, me çmime që arrijnë deri në 1.000 euro për kilogram.

Çfarë është humulusi?

Humulusi i përket familjes Cannabaceae. Filizat e tij të rinj konsumohen në pranverë dhe vlerësohen për shijen pak të hidhur, butësinë dhe karakterin sezonal. Përdorimi i tij në ushqim dhe mjekësi daton që nga Egjipti i lashtë, ndërsa vetëm në shekullin e 11-të murgjit bavarezë nisën ta përdorin për t’i dhënë shije birrës dhe për ta ruajtur atë më gjatë.

Një luks gastronomik i vështirë për t’u kultivuar

Filizat e humulusit janë të rrallë dhe të shtrenjtë për disa arsye. Rriten të egra, janë të vështirë për t’u kultivuar, kërkojnë mbledhje me dorë dhe konsumim të menjëhershëm pas vjeljes. Këta faktorë i bëjnë ato një produkt ekskluziv, veçanërisht në restorantet e Evropës Perëndimore.

Ballkani me potencial të pashfrytëzuar

Paradoksalisht, edhe pse kushtet klimatike në Ballkan janë ideale për kultivimin e humulusit, kjo bimë pothuajse nuk kultivohet fare. Kjo ndodh për shkak të kostove të larta fillestare dhe mungesës së infrastrukturës. Megjithatë, me rritjen e interesit për birrat artizanale dhe gastronominë sezonale, humulusi mund të shndërrohet në një mundësi të vlefshme biznesi për bujqit dhe sipërmarrësit lokalë.

Një thesar i harruar

Në kohën kur bujqësia kërkon modele të reja fitimprurëse, humulusi mbetet një potencial i paprekur në Ballkan, jo vetëm për industrinë e birrës, por edhe si një përbërës luksoz kulinar, të cilin vendet perëndimore e konsiderojnë tashmë një “perlë” gastronomike.

Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga viti 2026

Qeveria kroate ka miratuar ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen dhe shërbimin në Forcat e Armatosura, duke rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak që nga viti 2008 ishte pezulluar. Sipas vendimit të ri, shërbimi ushtarak do të zgjasë dy muaj dhe do të nisë në vitin 2026.

Të gjithë shtetasit kroatë do të regjistrohen në moshën 18-vjeçare, ndërsa në trajnim do të thirren në moshën 19-vjeçare, me mundësi për përfshirjen e qytetarëve deri në 30 vjeç. Gratë nuk do të jenë të detyruara të marrin pjesë, por mund të përfshihen vullnetarisht, transmeton albinfo.ch.

Në rast mosparaqitjeje, autoritetet mund të lëshojnë urdhër policor dhe gjoba që variojnë nga 250 deri në 1320 euro. Shërbimi do të konsiderohet si përvojë pune dhe ushtarët do të paguhen me 1100 euro neto në muaj. Punonjësit nuk do të mund të pushohen gjatë shërbimit ushtarak, ndërsa të papunët do të kenë përparësi në punësim në institucionet shtetërore.

Ligji parasheh edhe shtyrjen e shërbimit për arsye studimi deri në moshën 29-vjeçare si dhe për sportistët që përfaqësojnë Kroacinë në gara evropiane apo botërore.

 

Osmani: Trump ndaloi një sulm të Serbisë ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndërhyrë kohët e fundit për të ndaluar një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës.

Gjatë një diskutimi në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, Osmani tha se ndihma amerikane ka qenë vendimtare dhe se rreziku nga Serbia ende nuk ka kaluar.

“Presidenti Trump ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm, jo vite më parë, por ditëve të fundit. Kam informacione shumë të sigurta për këtë,” u shpreh ajo, duke theksuar edhe rolin e KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit.

Trump së fundmi përmendi Kosovën dhe Serbinë ndër misionet ku SHBA-të kanë ndaluar luftëra, krahas Indisë me Pakistanin dhe Ruandës me Kongon.

 

 

Vetëvrasjet në Zvicër katërfishohen tek të moshuarit

Norma e vetëvrasjeve mes të moshuarve në Zvicër ka arritur nivele rekord, kryesisht për shkak të eutanazisë. Teksa vetëvrasjet në grupmoshat e reja kanë rënë, tek të moshuarit ka një rritje të ndjeshme dhe me dallime të forta gjinore.

Sipas transmetuesit publik zviceran RTS, qytetarët mbi 85 vjeç ishin 42 herë më të prirur të kryenin vetëvrasje në vitin 2023 sesa grupmoshat e tjera. Në 25 vitet e fundit, kjo normë është katërfishuar tek të moshuarit mbi 85 vjeç, ndërsa tek grupmosha 65-84 vjeç është dyfishuar.

Në kontrast, tek të rinjtë, norma e vetëvrasjeve ka rënë me rreth 30% në dy dekadat e fundit.

Analizat tregojnë se shumica e rasteve lidhen me vetëvrasjen e asistuar, e cila në Zvicër është legale nëse nuk kryhet për arsye egoiste. Në vitin 2023, rreth 80% e vetëvrasjeve tek personat 65-84 vjeç ishin të asistuara, dhe mbi 90% tek ata mbi 85 vjeç.

Vetëvrasje apo eutanazi?

Ka debat mes ekspertëve nëse vetëvrasjet e asistuara dhe ato të paarritura janë të lidhura. Sipas mjekut Pierre Vandel nga Spitali Universitar i Lozanës, është e mundur të zgjedhësh vetëvrasjen e asistuar pa pasur mendime vetëvrasëse. Organizatat e eutanazisë theksojnë se këto janë dy gjëra të ndryshme. “Vetëvrasjet e ndërgjegjshme ndryshojnë nga të tjerat,” tha Jean-Jacques Bise, bashkëpresident i Exit në Zvicrën frëngjishtfolëse, transmeton albinfo.ch.

Që prej vitit 2014, Exit ofron ndihmë për të vdekur edhe për personat me sëmundje të shumta jo domosdoshmërisht fatale, për sa kohë ata janë plotësisht të ndërgjegjshëm për vendimin. Bise thekson: “Ne nuk ndihmojmë njerëzit që janë thjesht të lodhur nga jeta.”

Megjithatë, depresioni dhe izolimi social mbeten shkaqet kryesore të vetëvrasjeve të paarritura tek të moshuarit, sipas dr. Vandel.

Dallime gjinore

Të dhënat tregojnë se burrat kanë më shumë gjasa të kryejnë vetëvrasje të paarritura, ndërsa gratë përdorin më shpesh eutanazinë. Sipas Vandel, burrat shprehin më pak ndjenja, çka e vështirëson identifikimin e mendimeve vetëvrasëse tek ta dhe parandalimin në kohë.

Zvicra frankofone, një tokë e re për ullinjtë

Kultivimi i ullirit po fiton terren në Zvicrën frankofone. Ndryshimet klimatike kanë krijuar kushte të favorshme, ndërsa prodhuesit po bashkohen për të zhvilluar më tej këtë sektor.

Një shoqatë e re e prodhuesve të ullirit pritet të krijohet deri në fund të verës në Zvicrën frankofone, duke bashkuar rreth 30 kultivues që e shohin ullirin si një mundësi të madhe ekonomike dhe ekologjike.

Sipas Frank Siffert, një nga pionierët e kësaj kulture në Bonvillars, numri i pemëve të ullirit mund të arrijë në 20.000 deri në fund të vitit 2026, dyfishuar krahasuar me sot. Ai thekson se ulliri është rezistent ndaj thatësirës, nuk ka nevojë për trajtime kimike dhe ofron prodhime të shumta: vaj, ullinj për konsum, çajra, dru dhe mbetje për bagëtitë, transmeton albinfo.ch.

Fermerët në kantone si Vaud, Valais dhe Gjenevë po investojnë gjithnjë e më shumë në këtë kulturë, duke u përshtatur me mungesën e ujit dhe temperaturat në rritje. Krahas ullirit, në Zvicër po eksperimentohen gjithashtu kultura të tjera si kiwi, hurma (kaki), shalqiri, quinoa dhe shafrani, të cilat më parë konsideroheshin “ekzotike”.

Shoqata e re do të mbështesë prodhuesit në përzgjedhjen e varieteteve më të përshtatshme dhe në zhvillimin e tregut për vajin dhe produktet e ullirit “Made in Switzerland”, duke e kthyer këtë pemë mesdhetare në një simbol të bujqësisë së qëndrueshme zvicerane.