Këshilli Federal prezanton masën më të fundit për mbrojtjen e pagave në raport me BE-në

Partnerët socialë në Zvicër kanë arritur marrëveshje për mbrojtjen e pagave në kuadër të paketës së marrëveshjeve me Bashkimin Evropian (BE). Të mërkurën, Këshilli Federal prezantoi ndryshime në një masë përfundimtare, e cila gjatë procesit të konsultimit ishte kritikuar nga e djathta.

Masa e re synon të forcojë mbrojtjen e partneritetit social në nivel ndërmarrjeje. Konkretisht, ajo lidhet me procedurën e njoftimit kur një punëdhënës synon të shkarkojë përfaqësues të zgjedhur të punëmarrësve, anëtarë të organeve të përbashkëta drejtuese të fondeve pensionale, si dhe anëtarë të komiteteve kombëtare sektoriale që mbulohen nga një kontratë kolektive e zgjeruar.

Sipas kësaj mase, kur një punëdhënës planifikon shkarkimin e një prej këtyre personave, ai duhet të nisë një procedurë njoftimi me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe shmangien e shkarkimit. Kjo dispozitë zbatohet vetëm për kompanitë me të paktën 50 punonjës, që përbëjnë rreth 2% të të gjitha ndërmarrjeve të themeluara në Zvicër, thekson qeveria.

Diskutime intensive

Kërkesa, e cila erdhi nga sindikatat, u kritikua ashpër nga qendra e djathtë. Megjithatë, Këshilli Federal këmbëngul në këtë dispozitë për të “ruajtur ekuilibrin” e paketës së masave dhe për të respektuar detyrimet e Zvicrës ndaj Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO).

Sipas qeverisë, ndryshimet e propozuara adresojnë shqetësimet e ngritura si nga punëdhënësit ashtu edhe nga sindikatat. Ato bazohen në rezultatet e konsultimeve dhe në diskutimet intensive me partnerët socialë gjatë muajve të fundit.

Parashikohen sanksione

Një punëdhënës që nuk respekton procedurën do të përballet me sanksione që variojnë nga katër deri në dhjetë paga mujore. Ky kompensim duhet t’i paguhet përfaqësuesit të punëmarrësve në formën e pagave mujore.

Nga ana tjetër, një punëdhënës që kryen vetëm gabime të vogla procedurale mund t’i korrigjojë ato pa u përballur me penalitete. Por nëse punëdhënësi vepron në mënyrë abuzive dhe shkarkon një punonjës pa zhvilluar asnjë intervistë apo pa dhënë njoftim, ai do të përballet me një sanksion të rëndë.

Nga 14 masat për mbrojtjen e punëtorëve zviceranë në marrëveshjen e re tregtare me BE-në, 13 prej tyre ishin miratuar tashmë në parim.

Osmani mandaton Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se sot, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka caktuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Me këtë rast, Presidentja Osmani i ka uruar suksese Kryeministrit të mandatuar në udhëheqjen e Qeverisë së re, duke theksuar rëndësinë e angazhimit në shërbim të qytetarëve dhe interesit të Republikës së Kosovës.

“Ju priftë e mbara!”, ka përfunduar Presidentja Osmani mesazhin e saj.

Vetëvendosje i dorëzon Presidentes Osmani propozimin për Kurtin si mandatar të Qeverisë

Deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të saj, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se i ka dorëzuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, propozimin zyrtar për emërimin e Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së re.

Sipas Nagavcit, ky veprim bazohet në rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor 2025 dhe është në përputhje të plotë me dispozitat kushtetuese. Ajo theksoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! po vepron me përgjegjësi institucionale në procesin e krijimit të ekzekutivit të ri.

Në një reagim publik në rrjetet sociale, Nagavci falënderoi qytetarët për besimin e dhënë, duke e cilësuar këtë hap si vazhdimësi të mandatit qeverisës. “Faleminderit qytetarëve për besimin. Qeveria Kurti 3”, ka shkruar ajo.

Metoda si fëmijët të qëndrojnë larg rrjeteve sociale

Fëmijët kalojnë orë të tëra të lidhur me telefonat e tyre celularë dhe rrezikojnë të bëhen të varur nga kjo teknologji, shkruan corriere.it.

Ka gjithnjë e më pak hapësirë ​​në jetët e tyre për lojëra në natyrë, dhe tastiera e telefonit inteligjent duket se është bërë forma e vetme e argëtimit, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Si mund ta përmbysim këtë trend?

Sipas Jessica Alexander, psikologe, eksperte arsimore, ku sipas saj “metoda daneze për rritjen e fëmijëve të lumtur mbetet metoda më e mirë për ti larguar ata nga kjo vartësi”.

Metoda daneze për t’i shkëputur fëmijët nga smartfoni quhet shpesh “kutia e telefonave” dhe bazohet te rregullat e përbashkëta + shembulli i prindërve.

Është shumë e thjeshtë dhe funksionon sepse bëhet normë familjare, jo ndëshkim.

Si funksionon metoda daneze

Në shtëpi vendoset një kuti ose vend i përbashkët. Në orare të caktuara të gjithë (edhe prindërit) i lënë telefonat aty zakonisht: gjatë vakteve, pas shkollës për 1–2 orë dhe në mbrëmje pas një ore të caktuar

Rregulli kryesor: Prindërit japin shembullin

Nëse telefoni ndalohet për fëmijën, ndalohet edhe për të rriturit.

Çfarë bëjnë fëmijët në vend të telefonit

lojëra tavoline

sport ose shëtitje

lexim

biseda familjare

aktivitete kreative (vizatim, ndërtim, muzikë)

Pse funksionon në Danimarkë

Nuk përdoret ndalim i ashpër

Fëmija ndihet pjesë e vendimit

Nuk krijon stres apo rebelim

Forcon lidhjen familjare

Zvicër: Ne ende i duam paratë, por nuk po i përdorim

Mund të mos i përdorim aq shumë paratë e gatshme – por prapë i duam. Dhe ka të ngjarë që votuesit do të zgjedhin ta mbrojnë atë në mars, transmeton albinfo.ch.

Më shumë se 70 përqind e popullsisë kundërshton heqjen e parave të gatshme, sipas Monitorit të Pagesave Zvicerane.

Shumica e njerëzve ende mbajnë kartëmonedha për blerje të vogla të përditshme.

Me qasjen në para të gatshme që po bëhet gjithnjë e më e kufizuar, një votim mbarëkombëtar më 8 mars synon të garantojë të ardhmen e saj.

Mbështetësit thonë se paratë e gatshme mbrojnë privatësinë dhe qëndrueshmërinë në kriza.

Por për ata që mendojnë se paratë e gatshme duhet të mbeten, Banka Kombëtare Zvicerane thotë se është e rëndësishme të vazhdohet përdorimi i tyre. Banka thekson se ndërsa përdorimi i parave të gatshme bie, numri i bankomateve do të ulet dhe më shumë biznese do të ndalojnë së pranuari ato.

 

Qiratë në Shqipëri ndër më fitimprurëset në Evropë

Shqipëria po konsolidohet gradualisht si një nga tregjet më interesante në Evropë për investime në pasuri të paluajtshme, veçanërisht në sektorin e qirave.

Të dhënat më të fundit mbi kthimet e investimeve nga qiraja nga Investropa tregojnë se disa qytete shqiptare po ofrojnë norma fitimi që tejkalojnë ndjeshëm mesataren evropiane, duke e kthyer vendin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për investitorët vendas dhe të huaj, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Sipas grafikut të publikuar i bazuar në të dhëna nga Banka e Shqipërisë, Numbeo, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, Tirana regjistron një kthim mesatar rreth 7% nga qiratë, një nivel që e vendos kryeqytetin shqiptar përkrah ose mbi qytete si Madridi, Brukseli, Amsterdami dhe Varshava. Ky tregues konsiderohet shumë konkurrues në standardet evropiane, ku në shumicën e kryeqyteteve kthimet vështirë se kalojnë 5%.

Përtej Tiranës, Durrësi dhe qytetet bregdetare po shfaqin gjithashtu performancë të fortë. Durrësi, si një nga qendrat kryesore urbane dhe portuale të vendit, përfiton nga kërkesa e qëndrueshme për qira afatgjata dhe afatshkurtra, duke ofruar kthime të krahasueshme me kryeqytetin. Ndërkohë, Vlora shënon rreth 6%, e mbështetur kryesisht nga zhvillimi i shpejtë i turizmit, rritja e numrit të vizitorëve të huaj dhe zgjerimi i ofertës së qirave sezonale.

Në krahasim, tregjet tradicionale të Evropës Perëndimore rezultojnë shumë më pak fitimprurëse. Qytete si Parisi, Munihu, Cyrihu, Londra apo Vjena ofrojnë kthime që variojnë kryesisht mes 3 dhe 4%, ndërsa në disa raste edhe më pak. Kjo diferencë shpjegohet me çmimet shumë të larta të blerjes së pronës, rregullimet e forta të tregut të qirave dhe një nivel të lartë maturimi të këtyre tregjeve.

Nga ana tjetër qyteti i Portos në Portugali mban fitimet më të larta nga qiratë në kthimin e pronës. Porto pasohet  nga Roterdami, Stambolli dhe Dublini ku cilësohen si vende ku investimi kthehet nga qiratë më shpejt .

Në tërësi, të dhënat sugjerojnë se Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më fort në hartën evropiane të investimeve në pasuri të paluajtshme, jo vetëm si një treg në zhvillim, por si një alternativë reale për investitorët që kërkojnë kthime më të larta krahasuar me tregjet e konsoliduara të BE-së.

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, pritet edhe votimi i Qeverisë

Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, shpalli të konstituuar institucionin ligjvënës, pas zgjedhjes së saj dhe të pesë nënkryetarëve.

Haxhiu paralajmëroi për sot edhe një seancë tjetër – atë për votimin e Qeverisë së re të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Deputetët e pranishëm në sallë votuan me 104 vota për pesë nënkryetarët e Kuvendit.

Kundër ishin tre, ndërsa gjashtë abstenuan.

Propozimet për nënkryetarë:

Ardian Gola – Lëvizja Vetëvendosje

Vlora Çitaku – Partia Demokratike e Kosovës

Kujtim Shala – Lidhja Demokratike e Kosovës

Sllvako Simiq – Lista Serbe

Emillija Rexhepi – komunitetet pakicë joserbe

Haxhiu flet si kryetare e Kuvendit

Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ajo e nisi mandatin e saj me një fjalim para deputetëve, gjatë të cilit theksoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

“Të jesh në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh Republikës. Kuvendi është shtëpia e të gjithë qytetarëve tanë”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se detyra e saj kryesore do të jetë të sigurojë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, transmeton albinfo.ch.

“Një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe një demokraci të qëndrueshme. Sot në këtë sallë kemi një detyrë të përbashkët: t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri. Kemi dallime, por përgjegjësitë i kemi të përbashkëta”, theksoi Haxhiu.

Arsimi: Maqedonia e Veriut i thotë  ” Jo“ Evropës?

Ndërsa Shkupi zyrtar pretendon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioriteti kryesor, teksti i projektligjit të ri (Zakon za visoko obrazovanie 2026) dëshmon të kundërtën. Duke vendosur barriera proteksioniste dhe burokratike, vendi po i mbyll dyert bashkëpunimit rajonal dhe po tradhton parimet bazë të lëvizjes së lirë të dijes.

Një ligj që “dëbon” rininë në vend që të tërheqë dije

Në vend që të tërheqë institucione prestigjioze dhe investime të huaja, ky projektligj shërben si një mjet dëbues. Duke bllokuar tregun e arsimit, qeveria nuk po mbron cilësinë, por po dënon rininë me mërgim. Nëse të rinjtë nuk gjejnë në vendin e tyre programe inovative (si Kibernetika, Mekatronika apo Inteligjenca Artificiale) për shkak të barrierave absurde, ata do të detyrohen të ikin jashtë vendit për t’u shkolluar. Ky ligj është një makinë që prodhon emigrim dhe zbraz vendin nga truri dhe talentet.

“Perdja e Hekurt” ndaj fqinjëve dhe Ballkanit të Hapur

Neni 26 është simboli i këtij izolimi. Duke kërkuar që një universitet i huaj të jetë në “Top 500 të Shangait” për të hapur një degë në vend, qeveria përjashton automatikisht pothuajse të gjitha institucionet elitare të fqinjëve tanë: Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë.

Si mund të flasim për “Open Balkan” apo integrim rajonal kur ndalojmë investimet akademike nga fqinjët tanë? Ky kriter nuk synon cilësinë, por mbron një “kartel” universitetesh lokale që i frikësohen konkurrencës dhe inovacionit.

Raket financiar i legalizuar

Nenet 50 dhe 51 plotësojnë skenarin e mbylljes. Të kërkosh garanci bankare prej miliona eurosh (100% të të hyrave të parashikuara) është një absurditet ekonomik që nuk ekziston në asnjë vend të BE-së. Kjo masë bllokon kapitalin dhe rrit koston e studimeve për familjet maqedonase, duke u siguruar që vetëm monopolet ekzistuese të mbijetojnë. Gjithashtu, kufizimet e ngurta për personelin akademik (Neni 50) pamundësojnë ardhjen e ekspertëve ndërkombëtarë, pa të cilët nuk mund të ketë zhvillim teknologjik.

Koha e vërtetë për partitë politike: Kërkohet rishikim i menjëhershëm

Projektligji është ende në fazën e konsultimit publik. Nuk është vonë, por koha po mbaron. Partitë politike në vend, dhe veçanërisht ato shqiptare, duhet të zgjohen nga heshtja dhe të kërkojnë që kjo kopje e ligjit të rishikohet tërësisht. Nuk mund të jesh pro-evropian me fjalë dhe të votosh ligje që instalojnë monopole antievropiane në praktikë.

Është imperative që kriteret arbitrare të zëvendësohen me standardet evropiane të ENQA dhe EQAR. Nëse Maqedonia e Veriut i mbyll dyert institucioneve rajonale, ajo i dërgon një mesazh të qartë Brukselit: vendi preferon klanet e vjetra para vlerave evropiane.

Rinia e këtij vendi nuk mund të mbetet peng i interesave korporatiste. Ky projektligj duhet të rishkruhet për të hapur vendin, jo për ta mbytur atë.

« Nëse është kështu athua këtë ligj do ta votojnë deputetët shqiptar dhe e komuniteteve tjera që e kane jetik bashkëpunimin me shtetet amë respektivisht fqinjët tanë? Ky ligj nuk mund të aprovohet pa shumicë të dyfishtë . Prandaj deputetët e komuniteteve joshumicë janë ata që me këtë ligj do ta vulosin fatin e vet, pa marr parasysh se janë pozitë apo opozitë!

Albinfo.ch

Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Kosovës

Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e dhjetë. Ajo të mërkurën mori 66 vota për, ndërsa 44 ishin kundër. 8 abstenuan.

Për dallim që tash bëhet kryeparlamentare në tentimin e parë, në legjislaturën e nëntë ajo nuk arriti të merrte shumicën në disa tentime, transmeton albinfo.ch.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Albulena Haxhiu ishte gruaja më e votuara për deputete. Ajo mori më shumë se 174 mijë vota.

Para se të bëhet kryetare e Kuvendit, Haxhiu ka qenë edhe ministre e Drejtësisë për katër vjet.

Betohen deputetët e rinj

Janë betuar 118 deputetët të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit.

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, shkruan në tekstin e Betimit.

Ajo në fund u nënshkrua nga deputetët, transmeton albinfo.ch.

Tani do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve në dy pikat e fundit të rendit të ditës.

Shqipëria debuton në Olimpiadën Dimërore

Skiatori shqiptar Denni Xhepa zhvilloi sot garën e tij të parë në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”, duke shënuar një moment historik për sportin shqiptar.

Kjo garë përbën edhe debutimin e ekipit shqiptar në këtë edicion të Olimpiadës Dimërore, ku Shqipëria përfaqësohet me katër sportistë.

Xhepa regjistroi kohën 1:31.72 në disiplinën Super-G, duke u renditur në vendin e 34-t. Ai zbriti në pistë me numrin 37, ndërsa kjo paraqitje shërbeu edhe si një test i rëndësishëm në prag të garës së Sllallomit Gjigant, që do të zhvillohet pas tri ditësh.

Kjo është hera e parë që Shqipëria merr pjesë në një disiplinë shpejtësie në ski alpine në Lojërat Olimpike Dimërore, transmeton albinfo.ch.

Përveç Xhepës, Shqipëria përfaqësohet edhe nga Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti, të cilat garojnë në disiplina të ndryshme.

Denni Xhepa do të rikthehet në pistë më 14 shkurt në Slalom Gjigant dhe më 16 shkurt në Slalom. Ndërkohë, më 15 shkurt në Slalom Gjigant do të garojnë Lara Colturi dhe Semire Dauti, ndërsa më 18 shkurt në disiplinën e Slalomit do të zbresin në pistë Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

Valon Berisha transferohet në Zurich

Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha ka gjetur skuadrën e re.

Berisha të mërkurën ka nënshkruar me skuadrën e njohur zvicerane, Zurich. Berisha së fundi ishte në Austri te LASK-u.

Berisha me Zurichun ka firmosur kontratë të vlefshme deri në fund të edicionit, me mundësi të vazhdimit edhe për një vit tjetër.

Berisha ka 52 paraqitje te përfaqësuesja e Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Trump kritikon sërish Zvicrën

Presidenti amerikan Donald Trump ka përmendur edhe një herë Zvicrën si shembull për të justifikuar politikën e tij të tarifave doganore. Në një intervistë për “Fox Business”, ai deklaroi se mirëqenia e Zvicrës bazohet në faktin se Shtetet e Bashkuara janë “shfrytëzuar” në marrëdhëniet tregtare, përcjell albinfo.ch.

Edhe pse e përshkroi Zvicrën si një vend “ultra perfekt”, Trump theksoi se kjo, sipas tij, është e mundur vetëm sepse SHBA-të e lejojnë një gjë të tillë. Ai shtoi se ka edhe rreth 40 vende të tjera që përfitojnë në mënyrë të ngjashme, duke kritikuar sërish deficitin tregtar prej 40 miliardë dollarësh.

Trump u rikthye gjithashtu te biseda telefonike e verës së kaluar me presidenten e atëhershme të Zvicrës, Karin Keller-Sutter, duke thënë se mendonte se kishte folur me “kryeministren”. Ai e përshkroi bisedën si të përsëritur, duke theksuar se Keller-Sutter i kishte kujtuar vazhdimisht se Zvicra është një vend i vogël. “Nuk po arrija ta mbyllja telefonatën,” tha Trump, duke shtuar se në vend të një uljeje, tarifat e importit u rritën në 39 për qind.

Në të njëjtën intervistë, Trump deklaroi se shumë kompani që nuk donin të paguanin tarifat doganore kanë zhvendosur prodhimin e tyre në SHBA. Në këtë kontekst, edhe disa gjigantë zviceranë si Roche dhe Novartis kanë njoftuar plane për investime miliardëshe në fabrika të reja në Shtetet e Bashkuara.

Këto investime janë pjesë e një marrëveshjeje për tarifat e arritur në muajin nëntor me administratën Trump, e cila parashikon investime në vlerë prej 200 miliardë dollarësh nga kompani zvicerane në SHBA. Në këmbim, tarifat doganore amerikane për shumë produkte zvicerane pritet të ulen nga 39 në 15 për qind.

Gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Trump deklaroi se kishte ulur tarifat për të mos dëmtuar qytetarët zviceranë. Ndërkohë, Departamenti Federal i Financave i Zvicrës, nën drejtimin e Karin Keller-Sutter, theksoi se beson që popullsia zvicerane do ta interpretojë saktë këtë deklaratë.

Osmani dhe Begaj shprehin ngushëllime pas sulmit tragjik në Kanada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për familjet e viktimave pas sulmit tragjik në Kanada, ku humbën jetën disa persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, përcjell albinfo.ch.

Në një reagim në platformën “X”, Osmani theksoi se asnjë prind, fëmijë apo komunitet nuk duhet të përjetojë një tragjedi të tillë.

“Ne vajtojmë me popullin e Kanadasë dhe shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve që po përballen me këtë humbje të paimagjinueshme. Mendimet tona janë edhe me të plagosurit. Kosova qëndron fuqishëm me Kanadanë në këtë kohë pikëllimi”, shkroi Osmani.

Ndërkohë, edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është shprehur i tronditur nga sulmi me armë në një shkollë në provincën British Columbia, ku sipas raportimeve kanë humbur jetën 10 persona dhe janë plagosur rreth 25 të tjerë.

Begaj u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe ka shprehur solidaritetin e Shqipërisë me popullin kanadez përballë kësaj tragjedie.

“I tronditur nga të shtënat tragjike në një shkollë në British Columbia. Ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria solidarizohet me popullin kanadez dhe dënon çdo akt dhune që merr jetë njerëzore”, shkroi Presidenti Begaj në “X”.

Ushtria Zvicerane ndalon përkohësisht 238 tanke për shkak të defekteve teknike

Ushtria Zvicerane ka vendosur ndalim të përkohshëm qarkullimi për 238 automjete të blinduara të tipit M113, pas zbulimit të problemeve serioze teknike gjatë mirëmbajtjes rutinë, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Departamentit Federal të Mbrojtjes (VBS), defektet janë konstatuar në sistemin anësor të transmetimit, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në drejtimin dhe frenimin e mjeteve, duke paraqitur rrezik për sigurinë.

Gjatë kontrolleve janë gjetur pjesë metalike në vaj dhe është vërejtur një funksionim i vështirësuar i mekanizmit. Hetimet paraprake tregojnë se shkaku lidhet me një komponent që nuk i plotëson specifikimet teknike dhe që është instaluar gjatë servisimit të fundit.

Autoritetet ushtarake theksojnë se siguria ka prioritet absolut, ndaj ndalimi i qarkullimit vlen për të gjithë flotën M113. Ky nuk është rasti i parë i tillë, pasi edhe në dhjetor 2023 këto automjete ishin nxjerrë nga përdorimi për shkak të defekteve teknike. Riparimet e mëparshme kishin kushtuar rreth 2.6 milionë franga dhe kishin zgjatur deri në fund të vitit 2025./Albinfo.ch

Samiti IV-të i Diasporës Shqiptare në Tiranë, 14–15 prill 2026

Rreth 2.26 milionë shqiptarë jetojnë aktualisht jashtë vendit të lindjes, duke përbërë një prani të konsoliduar me peshë të ndjeshme në zhvillimet ekonomike, profesionale dhe kulturore në hapësira të ndryshme ndërkombëtare. Përmes investimeve, angazhimit në rrjete akademike e profesionale, si dhe përmes promovimit të identitetit kulturor, diaspora shqiptare ruan një marrëdhënie të qëndrueshme dhe funksionale me Shqipërinë.

Në këtë kontekst zhvillohet Samiti IV i Diasporës Shqiptare, i cili do të mbahet në Tiranë më 14–15 prill 2026. Ky takim synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të diasporës, duke krijuar një platformë të strukturuar dialogu dhe koordinimi për projekte konkrete zhvillimore.

Samiti pritet të mbledhë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga kontinente të ndryshme, ekspertë të fushave të ekonomisë, arsimit, inovacionit dhe kulturës, si dhe përfaqësues të sektorit publik dhe privat. Organizimi realizohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, në kuadër të përpjekjeve për konsolidimin e rolit të diasporës në politikat afatgjata të zhvillimit të vendit.

Protesta e opozitës në Tiranë: 21 të arrestuar, 16 policë të lënduar

Njëzet e një persona janë arrestuar pas protestës së opozitës, e zhvilluar mbrëmjen e së martës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ndërsa 16 punonjës policie mbetën të lënduar gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit, përcjell albinfo.ch.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, arrestimet janë kryer në flagrancë. Të ndaluarit akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” si dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Mes të arrestuarve janë edhe katër të mitur, të moshës 17-vjeçare, si dhe persona të moshave nga 18 deri në 48 vjeç. Policia bën me dije se një 32-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë, ndërsa një 41-vjeçar është shpallur në kërkim.

Po ashtu, ndaj sekretarit organizativ të Partisë Demokratike, E. M., ka nisur procedim penal për organizim të grumbullimeve të paligjshme, kundërshtim të policisë dhe shtytje të të miturve në kryerjen e veprave penale. Procedime penale janë nisur edhe ndaj disa anëtarëve të PD-së për kundërshtim të policisë dhe përfshirje të të miturve në protesta të dhunshme.

Sipas policisë, protestuesit fillimisht u mblodhën para Kryeministrisë dhe më pas u zhvendosën drejt Kuvendit, ku hodhën mjete piroteknike, lëndë djegëse dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit dhe institucioneve shtetërore.

Si pasojë e përplasjeve, 16 efektivë policie pësuan lëndime dhe morën ndihmë mjekësore, duke qenë jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 mjete molotov të pashpërthyera dhe tre shishe me lëndë të dyshuara djegëse.

Kjo ishte protesta e tretë e Partisë Demokratike, e cilësuar nga organizatorët si “kombëtare”, me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Plisi i bardhë, zëri i kombit shqiptar drejt UNESCO-s

Në një botë që po ecën me shpejtësi drejt uniformitetit, ku identitetet kulturore shpesh zbehen në emër të globalizimit, plisi i bardhë vazhdon të qëndrojë si një simbol i fortë i identitetit shqiptar. I thjeshtë në formë, por i thellë në kuptim, ai përfaqëson një trashëgimi shekullore që ende jeton, transmeton albinfo.ch.

Plisi, një kapuç prej leshi të bardhë i punuar me dorë, ka shoqëruar shqiptarët ndër shekuj – në gëzime e në beteja, në rite tradicionale dhe në përditshmëri. Sot, ai kërkon më shumë se respekt: kërkon njohjen dhe vlerësimin ndërkombëtar.

Një nismë e fundit përmes një peticioni online u bën thirrje institucioneve përkatëse që plisi i bardhë të përfshihet në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s. Kjo nismë nuk është thjesht simbolike, por një reagim i ndërgjegjshëm ndaj rrezikut që trashëgimia kulturore shqiptare të mbetet vetëm në muze, e shkëputur nga jeta reale dhe brezat e rinj.

Plisi nuk është thjesht një veshje tradicionale. I njohur edhe si qeleshe, kësulë apo qylaf në krahina të ndryshme, ai përfaqëson vazhdimësinë historike të shqiptarëve dhe një shenjë të përbashkët identiteti që i ka mbijetuar pushtimeve, ndryshimeve politike dhe modave kalimtare. Në një copë leshi të bardhë është ruajtur një histori rezistence, krenarie dhe përkatësie.

Njohja nga UNESCO nuk do të ishte vetëm një vlerësim ndërkombëtar simbolik. Ajo do të nënkuptonte mbrojtjen e teknikës tradicionale të punimit të plisit, mbështetjen e artizanëve që ende e prodhojnë me dorë, si dhe ringjalljen e interesit për trashëgiminë kulturore shqiptare. Njëkohësisht, do të krijonte mundësi konkrete për zhvillimin e turizmit kulturor dhe promovimin e historisë shqiptare përtej kufijve.

Fakti që peticioni ka mbledhur rreth 4 mijë firma brenda pak ditësh dëshmon qartë se kjo çështje nuk lidhet me nostalgjinë, por me një nevojë reale për ruajtjen e identitetit. Çdo firmë përfaqëson një zë që thotë: kjo trashëgimi na përket dhe nuk duhet të humbasë.

Plisi i bardhë është një urë mes së shkuarës dhe së ardhmes. Ta çojmë drejt UNESCO-s do të thotë ta mbajmë gjallë këtë urë – jo vetëm për ne, por edhe për botën që ka nevojë të njohë historitë e vogla që mbartin identitete të mëdha.

Zviceranët blejnë gjithnjë e më shumë jashtë vendit, pavarësisht masave qeveritare

Blerjet ndërkufitare të konsumatorëve zviceranë vazhdojnë të rriten, edhe pse qeveria ka ndërmarrë masa për të frenuar këtë fenomen duke ulur kufirin e përjashtimit nga taksat nga 300 në 150 franga, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga Federata Zvicerane e Tregtisë me Pakicë dhe Instituti Ekonomik BAK, gjatë vitit 2025, zviceranët shpenzuan 2.8 për qind më shumë në vendet fqinje krahasuar me vitin paraprak.

Ekspertët theksojnë se çmimet më të ulëta në tregjet fqinje, të kombinuara me forcimin e vazhdueshëm të frangut zviceran ndaj euros, e bëjnë gjithnjë e më tërheqëse blerjen jashtë kufijve të vendit./Albinfo.ch

Frangu zviceran thyen rekorde të reja ndaj euros dhe dollarit

Frangu zviceran vijon forcimin e tij historik në tregjet valutore, duke shënuar nivele rekord si ndaj euros ashtu edhe ndaj dollarit amerikan, transmeton albinfo.ch.

Pas arritjes së niveleve të reja në fund të janarit, kjo javë ka nisur me një tjetër dobësim të dollarit dhe me një rritje të mëtejshme të frangut. Të hënën, dollari amerikan u tregtua në nivelin 0.7659 franga, një nga vlerat më të ulëta historike.

Ndërkohë, edhe euro ka pësuar rënie të ndjeshme kundrejt frangut zviceran. Kursi euro-frang u vendos në 0.9130, duke prekur madje një rekord të ri historik gjatë pasdites, kur zbriti në nivelin 0.9127.

Forcimi i vazhdueshëm i frangut konfirmon rolin e tij si një nga monedhat më të sigurta në kohë pasigurie ekonomike globale./Albinfo.ch

Nis në Itali gjyqi për vdekjen e kosovares 24-vjeçare

Në Itali ka nisur procesi gjyqësor ndaj një 39-vjeçari nga Venecia, i cili akuzohet për vrasje nga pakujdesia në qarkullim rrugor, lidhur me aksidentin tragjik ku humbi jetën 24-vjeçarja nga Kosova, Donika Nikollbibaj, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 16 prill 2022, rreth orës 06:30, në rrugën Castellana, në zonën Padernello di Paese, pranë qytetit Treviso. Automjeti tip Volkswagen Polo, që drejtohej nga viktima, ishte përplasur ballë për ballë me një kamion frigoriferik Iveco, i cili po lëvizte nga Treviso në drejtim të Castelfranco Veneto.

Sipas hetimeve, dyshohet se 24-vjeçarja kishte humbur kontrollin e automjetit, duke kaluar në korsinë e kundërt, çka e bëri përplasjen të pashmangshme. Megjithatë, hetimet kanë zbuluar se shoferi i kamionit po qarkullonte me shpejtësi rreth 72 kilometra në orë, ndonëse kufiri i lejuar në atë segment rrugor ishte 50 kilometra në orë, pasi zona konsiderohej e banuar dhe me kalime për këmbësorë.

Për këtë arsye, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj drejtuesit të kamionit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, duke e dërguar çështjen në gjykatë.

Në automjetin e viktimës ndodhej edhe motra e saj, Monika Nikollbibaj, 25 vjeçe, e cila pësoi lëndime të lehta. Të dyja motrat jetonin në San Michele d’Adige, në provincën e Trentos.

Përplasja ishte e fuqishme dhe automjeti përfundoi në një kanal anës rrugës, duke i lënë të bllokuara brenda makinës. Donika Nikollbibaj u intubua në vendin e ngjarjes nga ekipet e urgjencës dhe u transportua me urgjencë në repartin e reanimacionit të spitalit të Trevisos. Ajo luftoi për jetën për tre ditë, por ndërroi jetë më 21 prill 2022. Shoferi i kamionit nuk pësoi lëndime.

Familja e viktimës është paraqitur në gjykatë si palë civile, duke theksuar se shpejtësia e lartë e mjetit të rëndë ka ndikuar në pasojat fatale të aksidentit.

Në momentin e aksidentit, dy motrat po udhëtonin drejt aeroportit të Venecias për të fluturuar në Kosovë, ku do të kalonin pushimet e Pashkëve. Prindërit e tyre kishin udhëtuar një ditë më herët. Familja Nikollbibaj jetonte prej rreth pesë vitesh në Itali.

Donika Nikollbibaj ishte studente universitare në Verona dhe punonte me kohë të pjesshme në MediaWorld në Trento për të përballuar shpenzimet e studimeve.

Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertëve të aksidenteve rrugore, ndërsa vendimi final do të përcaktojë përgjegjësinë penale të të pandehurit.