Dita Kulturore Shqiptare në Graz mblodhi qindra bashkatdhetarë

Qyteti i Grazit u shndërrua të dielën në një qendër të kulturës shqiptare, ku për herë të pestë u organizua Dita Kulturore Shqiptare, nën kujdesin e Shoqatës “Atdheu”, shkruan albinfo.at.

Ngjarja mblodhi qindra shqiptarë nga mbarë Austria dhe rajoni, të cilët festuan së bashku me valle, këngë dhe atmosferë të zjarrtë kombëtare. Sheshi kryesor i Grazit u mbush me flamuj kuq e zi, duke sjellë një pamje madhështore në zemër të Evropës. Për disa orë, prania e madhe e pjesëmarrësve bëri që të ndërpritet edhe qarkullimi i tramvajeve dhe veturave.

Në program morën pjesë Ansambli AKV “Anamorava” nga Vitia dhe Shoqata e Gruas “Kuq e Zi” nga Villachu, të cilat sollën këngë, valle dhe tradita shqiptare. Përkrahje dhanë edhe shoqatat shqiptare nga Steiermark e Kärnten, si dhe Ambasada e Republikës së Kosovës.

Kryetari i Shoqatës “Atdheu”, Bashkim Shala, përshëndeti bashkatdhetarët nga Vjena, Linzi, Maribori, Badeni, Klagenfurti, Villachu dhe Grazi me rrethinë. Ai gjithashtu nderoi familjet e dëshmorëve, veteranët, invalidët dhe ish-ushtarët e UÇK-së.

Në fjalën e tij, Shala, i cili prej vitit 1990 është aktiv në çështjet kombëtare në Austri, u shpreh krenar për organizimin dhe falënderoi Naim Sadikun dhe Vehbi Halitin për bashkëpunimin mbi 30-vjeçar.

Në këtë festë kulturore, artisti ynë nga rrethi i Grazit, z. Haxhi Fejzullahu, surprizoi me punimet e tij artistike, të cilat i dhuroi me shumë respekt dhe vlerësim për disa personalitete të pranishme.

“Ne shqiptarët në Austri ndihemi thellësisht krenarë me punën e tij të palodhshme, ku përmes artit dhe kulturës lartëson figurat tona kombëtare dhe e përfaqëson me dinjitet popullin shqiptar. Punimet e tij madhështore, si portretet e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Komandantit Legjendar Adem Jashari, Nënë Terezës dhe shumë të tjerëve, janë prezantuar në shumë komuna të Austrisë dhe kudo kanë marrë vlerësim të lartë”.

Shoqata “Atdheu” në emër të gjithë shqiptarëve në mërgatë, e falënderojnë me nder dhe respekt të veçantë artistin, Haxhi Fejzullahun, për kontributin e tij të çmuar në kulturën dhe artin shqiptar.


Organizatorët theksuan se kjo ditë nuk ishte vetëm një festë, por edhe një
kujtesë e rëndësisë së ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në mërgatë. /Albinfo.at

 

Florian Haçkaj, një zë nga diaspora për drejtimin e Bashkisë së Tiranës

Florian Haçkaj është një nga figurat e spikatura të diasporës shqiptare, me një karrierë të konsoliduar në menaxhim dhe një angazhim të qëndrueshëm në çështjet publike. Si bashkëthemelues dhe bashkëpresident i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ai ka qenë një zë i rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave politike të shqiptarëve jashtë vendit. Së fundmi, emri i tij është propozuar nga struktura të opozitës si një ndër kandidatët e mundshëm për një figurë përbashkuese në garën për Bashkinë e Tiranës. Kjo kandidaturë shihet si një sinjal për nevojën e alternativave të reja në politikën vendore, figura me integritet, përvojë ndërkombëtare dhe një vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm të kryeqytetit, shkruan albinfo.ch.

I lindur në Tiranë dhe i formuar profesionalisht në Gjermani dhe Zvicër, Florian Haçkaj përfaqëson një ndër zërat më të artikuluar të diasporës shqiptare. Me një përvojë mbi 15-vjeçare në menaxhim komercial në fusha si aviacioni, turizmi, teknologjia dhe siguria kibernetike, ai është aktualisht një nga drejtuesit kryesorë të kompanisë zvicerane Ontinue, që operon në nivel ndërkombëtar.

Një profil i balancuar mes ekspertizës dhe angazhimit qytetar

Vlen të theksohet se Haçkaj ka përfunduar studimet në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Bielefeld (Gjermani) dhe më pas një program postmaster në Menaxhim Turizmi në Universitetin e Luzernit (Zvicër), të ndjekur nga një specializim në Shkollën e Lartë në St. Gallen (HSG), një nga institucionet më prestigjioze të menaxhimit në Evropë. Kjo bazë e fortë akademike i ka hapur rrugën drejt ndërtimit të një karriere të suksesshme në tregjet globale.

Por përveç karrierës profesionale, ai njihet si një qytetar aktiv, me kontribute të rëndësishme për kauzat demokratike shqiptare. Që nga viti 2020, si bashkëthemelues i Diaspora për Shqipërinë e Lirë, ai ka qenë një nga zërat më të fuqishëm për të drejtën e votës së diasporës, duke mbështetur fuqimisht përfshirjen politike të shqiptarëve jashtë vendit dhe rolin që ata mund të luajnë në forcimin e institucioneve në Shqipëri.

“Ky nuk është vetëm një vlerësim personal, por edhe një njohje e rolit që Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka dhënë dhe mund të japë në forcimin e opozitës dhe zhvillimin demokratik të vendit,” – është shprehur Haçkaj pas lajmit të propozimit të tij si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës.

Një figurë me rrënjë në Tiranë dhe vizion për të ardhmen e saj

 

I lindur pranë Teatrit Kombëtar në zemër të Tiranës, Florian Haçkaj ruan lidhje të thella emocionale dhe qytetare me kryeqytetin. Për të, Tirana nuk është thjesht një qendër urbane, por një reflektim i potencialit që Shqipëria ka për të ndërtuar qytete moderne, të menaxhuara mirë, me qeverisje të përgjegjshme dhe të hapur ndaj qytetarëve.

Haçkaj ka theksuar se çdo angazhim politik kërkon vendimmarrje të matur dhe përgjegjësi të lartë, duke nënvizuar se një vendim për të kandiduar do të vinte vetëm në rast të një propozimi zyrtar dhe të një dakordësie të gjerë opozitare.

“Opozita ka nevojë jetike për një figurë përbashkuese. Si Edlira Çepani ashtu edhe Ermal Hasimja janë personalitete që i vlerësoj dhe që do ta përmbushnin më së miri këtë detyrë,” – është shprehur ai, duke treguar një qasje bashkëpunuese dhe të përgjegjshme ndaj sfidave politike aktuale.

Një kandidat me vlera, jo thjesht me qëllime politike

 

Përtej titujve dhe pozitave, Florian Haçkaj mbetet një baba i përkushtuar, një alpinist pasionant dhe një qytetar që beson në fuqinë e rrjetëzimit të diasporës shqiptare për suksesin kolektiv. Ai është shpallur “Ambasador i Kombit” për kontributin e tij në promovimin e vlerave kombëtare dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërshqiptar.

Përkrahësit e tij e shohin si një shembull frymëzues të një shqiptari me vizion global, rrënjë të forta kombëtare dhe përkushtim të pakushtëzuar ndaj interesit publik. /Albinfo.ch

Mashtrues në Vjenë: Paraqiten si punonjës uji për të vjedhur apartamente

Policia e Vjenës ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët e saj, sipas së cilës: persona të panjohur po mashtrojnë banorët duke u paraqitur si punonjës të ujësjellësit (MA31). Me pretekstin e një defekti të ujit, ata kërkojnë të hyjnë në banesa, transmeton albinfo.at.

Sapo marrin qasjen, njëri shpërqendron pronarin ndërsa tjetri vjedh sende me vlerë, si para dhe bizhuteri. Rasti është nën hetim nga Zyra Shtetërore e Hetimit Penal.

Policia austriake – Si të mbroheni:

Kërkoni gjithmonë një dokument identifikimi zyrtar.

Nëse dyshoni, kërkoni që të konfirmoni përmes numrit zyrtar të bashkisë.

Mos lejoni hyrjen në banesë pa verifikim.

Në rast dyshimi, thirrni menjëherë policinë në 133.

Rritja e tarifave për studime në Zvicër, rrezikon ëndrrat akademike të Leonit dhe Jonit

Mijëra të rinj u mblodhën të mërkurën në sheshin Bundesplatz për të protestuar kundër planeve të Këshillit Federal për rritjen drastike të tarifave të shkollimit. Sipas planit të ri, tarifat për studentët në Zvicër pritet të dyfishohen që nga viti 2027, ndërsa për studentët e huaj tarifat pritet të katërfishohen, përcjell albinfio.ch.

Në mesin e protestuesve ishin studentë, nxënës, praktikantë dhe të rinj që kërkojnë një të ardhme arsimore më të përballueshme dhe pa barriera financiare.

“Arsimi nuk duhet të jetë privilegj”

Joni (21), një student i ri, u shpreh se vendimi për rritjen e tarifave do të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë për të studiuar për shumë të rinj në Zvicër.

“Zvicra nuk ka një kuotë të lartë për studentët dhe kjo nuk duhet të ulet më tej,” – tha ai. “Rritja e tarifave do të thotë që gjithnjë e më pak njerëz do të kenë mundësi të përballojnë universitetin.”

Leoni (16), aktualisht në praktikë si teknik mediash, shtoi:

“Mundësitë arsimore nuk duhet të varen nga të ardhurat. Nëse tarifat rriten, unë ndoshta nuk do të jem në gjendje të studioj në të ardhmen.” Ai gjithashtu kritikoi shpenzimet e mëdha për ushtrinë, duke theksuar se fondet duhet të drejtohen kah arsimi.

Studentët solidarë me ata që preken më shumë

Wilma (20) dhe Anja (21), studente në Universitetin e Bernës, treguan se edhe pse personalisht nuk do të ndiheshin shumë nga tarifat më të larta, ato protestojnë për të mbështetur të tjerët:

“Studimi tashmë është i kushtueshëm. Rritja e tarifave do ta përkeqësonte situatën për shumë njerëz. Arsimi nuk është vendi i duhur për të ulur kostot.”
Ato shtuan se do të ishte më e arsyeshme të rishikoheshin shpenzimet për ushtrinë, përfshirë blerjen e avionëve luftarakë.

Enzo: “Nuk duhet të mbyllim dyert e dijes”

Enzo (20), që shpreson të fillojë studimet në të ardhmen, tha:

“Nëse tarifat rriten, më pak njerëz do të kenë mundësi të shkojnë në universitet.”
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së aksesit në arsim për të gjithë, pa dallim të prejardhjes sociale apo ekonomike:
“Nuk duhet të mbyllim shumë dyer për njerëzit nga sfondet më të pafavorizuara. Arsimi duhet të jetë një mundësi, jo një pengesë.”

Kritika ndaj planeve të kursimit

Planet e Këshillit Federal për të rritur tarifat e shkollimit janë pjesë e një strategjie më të gjerë kursimi, që sipas kritikëve, do të ndikojë negativisht në sistemin arsimor dhe do të përforcojë pabarazitë sociale.

Protesta në Bundesplatz shënoi një moment të rëndësishëm të rezistencës rinore, duke dhënë një mesazh të qartë: Arsimi është një e drejtë, jo një luks. /20minute

Diaspora kosovare sjell mbi 785 milionë euro, oksigjeni financiar i ekonomisë kosovare

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar të dhënat më të fundit mbi remitancat dhe bilancin e pagesave. Sipas raportit, diaspora kosovare ka dërguar 785.06 milionë euro deri në korrik të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 4.15% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, transmeton albinfo.ch.

Vetëm në muajin gusht 2025, remitancat arritën në 143.4 milionë euro, duke e çuar totalin për tetë muajt e parë në rreth 928.48 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre dërgesave është realizuar përmes institucioneve financiare jo–bankare (41.02%), bankave komerciale (17.19%) dhe kanaleve të tjera (41.79%).

Bilanci i pagesave dhe tregtia e jashtme

• Deri në korrik 2025, deficiti i llogarisë rrjedhëse arriti në 742.18 milionë euro, që është 206.40 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Bilanci tregtar në mallra shënoi deficit prej 3.19 miliardë euro, një rritje prej 19.03%krahasuar me vitin paraprak.

Eksportet: 528.27 milionë euro (rënie 1.71%)

Importet: 3.72 miliardë euro (rritje 15.57%)

Shërbimet dhe të ardhurat

Llogaria e shërbimeve ka mbetur pozitive, me vlerë 1.11 miliardë euro, duke u rritur me 22.25% krahasuar me vitin e kaluar.

Të ardhurat parësore arritën në 184.93 milionë euro (rritje prej gati 62.4%).

Të ardhurat dytësore – ku përfshihen remitancat – regjistruan bilanc pozitiv prej 1.15 miliardë euro (rritje 2.74%).

Investimet dhe asetet financiare

Investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë deri në korrik 2025 arritën 540.94 milionë euro (+24.24%).

Investimet e kosovarëve jashtë vendit ishin 212.78 milionë euro.

Asetet rezervë u rritën në 201.48 milionë euro (+30.22%), falë depozitave të shtuara me 264.06 milionë euro, edhe pse investimet në letra me vlerë ranë për 62.58 milionë euro.

Pozicioni ndërkombëtar dhe borxhi i jashtëm

Në tremujorin e dytë të vitit 2025:

Asetet ndërkombëtare u rritën për 280.91 milionë euro, duke arritur në 8.41 miliardë euro.

Detyrimet ndërkombëtare u rritën për 468.12 milionë euro, duke arritur në 10.96 miliardë euro.

Borxhi i jashtëm bruto u rrit në 4.43 miliardë euro (+218.19 milionë euro nga tremujori paraprak).

Struktura e borxhit të jashtëm

Borxhi publik: 1.02 miliardë euro (23.03% e totalit), prej të cilit 857.81 milionë euro i takojnë qeverisë.

Borxhi privat: 3.41 miliardë euro, i ndarë ndër:

• Bankat komerciale – 21.10%

• Kompanitë me investime direkte – 27.31%

• Sektorë të tjerë – 51.59%

/Albinfo.ch

 

Stuhia “Amy” sjell front të ftohtë dhe erëra të forta në Zvicër këtë fundjavë

Një front i ftohtë, i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe reshje të dendura shiu, pritet të godasë Zvicrën gjatë fundjavës, duke sjellë kushte të paqëndrueshme atmosferike në të gjithë vendin, përcjell albinfo.ch.

Sipas parashikimeve aktuale, ky front mund të arrijë në Zvicër të shtunën në mbrëmje, megjithëse koha e saktë e mbërritjes mbetet ende e paqartë për shkak të zhvillimit të shpejtë të sistemit të presionit të ulët.

Sistemi i quajtur “Amy” u formua të mërkurën në bregun lindor të Amerikës së Veriut dhe është duke u përshpejtuar në lëvizjen e tij përtej Atlantikut. Ai pritet të prekë Britaninë e Madhe të premten dhe më pas të vijojë drejt Evropës Qendrore, përfshirë edhe Zvicrën.

Meteorologët paralajmërojnë për mundësinë e erërave me forcë stuhie dhe reshjeve të rrëmbyeshme midis pasdites së të shtunës dhe mëngjesit të së dielës. Ndërsa stuhia mund të jetë jetëshkurtër, pasojat e saj nuk përjashtohen – përfshirë dëmtime të mundshme materiale, sidomos në zona të ekspozuara.

Autoritetet rekomandojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë fundjavës, të ndjekin paralajmërimet meteorologjike dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë orëve me rrezik më të lartë.

Snapchat do të bëjë me pagesë ruajtjen e fotove dhe videove në Memories

Aplikacioni i njohur i mesazheve, Snapchat, ka njoftuar se përdoruesit që kanë më shumë se 5GB përmbajtje të ruajtur në funksionin Memories do të duhet të paguajnë për ta mbajtur të disponueshme. Funksioni Memories, i prezantuar në vitin 2016, lejon ruajtjen e fotove dhe videove, të cilat mund të rikthehen si “memories” ose “throwbacks” çdo vit.

Kompania nuk ka dhënë ende detaje për çmimin, duke njoftuar se ndryshimi do të implementohet gradualisht në mënyrë globale. Snapchat thekson se ky hap “nuk është i lehtë”, por sugjeron se do të sjellë vlerë për përdoruesit.

Ky ndryshim nuk vlen për abonentët e Snapchat+ dhe Snapchat Premium, të cilët mund të vazhdojnë të ruajnë Memories pa kufizime.

Reagimet në rrjete sociale kanë qenë kryesisht të shqetësuara, ndërsa përdoruesit po vlerësojnë opsionet për të menaxhuar hapësirën dhe për të ruajtur përmbajtjen e tyre.

 

Izraeli paralajmëron banorët e Gazës të largohen përfundimisht

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka dhënë një paralajmërim të fundit për qytetarët e Qytetit të Gazës që të lëvizin drejt jugut, ndërkohë që Hamasi po shqyrton një propozim paqeje të Presidentit amerikan Donald Trump për të mbyllur pothuaj dyvjeçarin konflikt në territorin palestinez.

Dëshmitarët raportojnë se bombardimet e forta vazhdojnë në zonat më të populluara të qytetit, ndërsa Israel Katz njoftoi se forcat izraelite po ashpërsojnë rrethimin e Gazës.

“Kjo është mundësia e fundit për banorët e Gazës që të zhvendosen në jug dhe të lënë operativët e Hamasit të izoluar në qytet,” shkroi Katz në rrjetin X, duke shtuar se ata që qëndrojnë do të trajtohen si “terroristë dhe mbështetës të tyre”, sipas mediave ndërkombëtare.

Ai gjithashtu bëri të ditur se ushtria ka kontrolluar korridorin Netzarim në pjesën qendrore të Gazës deri në Bregun Perëndimor, duke ndarë kështu veriun nga jugu i qytetit. Ata që vendosin të lëvizin do të kalojnë nëpër postblloqet e ushtrisë izraelite.

Ky njoftim erdhi disa orë pasi ushtria izraelite mbylli rrugën e fundit për të larguar banorët nga jugu drejt veriut.

Në Qytetin e Gazës, 60-vjeçari Rabah al-Halabi, i cili po jeton në një tendë pranë Spitalit Al-Shifa, përshkroi shpërthimet si të pamëshirshme. Ai tha për AFP-në:

“Nuk do të largohem sepse situata është po aq e rrezikshme sa në jug. Bombardimet janë kudo dhe zhvendosja është e tmerrshme dhe poshtëruese. Po presim ose vdekjen, ose shpëtimin dhe armëpushimin nga Zoti.”

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) njoftoi të mërkurën se intensifikimi i operacioneve ushtarake e detyroi të pezullonte përkohësisht aktivitetet e tij në qytet, duke paralajmëruar për një krizë humanitare që prek “dhjetëra mijëra njerëz”.

Mjekët pa Kufij (MSF) gjithashtu raportuan pezullimin e përkohshëm të punës së tyre për shkak të ofensivës izraelite.

Ndërkohë, Hamasi po shqyrton një plan paqeje të propozuar nga Trump dhe i mbështetur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili përfshin armëpushim, lirimin e pengjeve brenda 72 orëve, çarmatimin e Hamasit dhe tërheqje graduale të Izraelit nga Gaza.

Burime pranë udhëheqësve të Hamasit thanë për AFP-në se nuk është marrë ende një vendim final dhe vendimmarrja mund të marrë dy deri tre ditë. Ata synojnë ndryshime në pikat kryesore, përfshirë çarmatimin dhe largimin e Hamasit, si dhe garanci ndërkombëtare për të siguruar respektimin e armëpushimit nga Izraeli.

 

Rezistenca ndaj antibiotikëve po rritet edhe në Zvicër

Rezistenca ndaj antibiotikëve po shihet si një nga kërcënimet më të mëdha shëndetësore globale. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa urgjente, deri në vitin 2050 rreth 10 milionë njerëz në botë mund të humbin jetën nga infeksionet që nuk reagojnë më ndaj trajtimit, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave federale, situata po përkeqësohet edhe në Zvicër. Infektologu i njohur Manuel Battegay thekson se gjithnjë e më shpesh pacientët nuk reagojnë ndaj antibiotikëve standardë. Ai paralajmëron se ky është një problem serioz që mund të prekë këdo.

Në një intervistë për podcastin «Durchblick», Battegay shpjegon se kërkohen zgjidhje të reja, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për zhvillimin e alternativave kundër baktereve rezistente.

Autoritetet shëndetësore dhe ekspertët theksojnë se përdorimi i kujdesshëm i antibiotikëve dhe higjiena e mirë janë hapa kyç për të ngadalësuar përhapjen e rezistencës.

Pezullohet përkohësisht marrëveshja për lëvizje të lirë Kosovë–Shqipëri

Marrëveshja për lëvizje të lirë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e cila lejonte kalimin pa kontrolle kufitare në pikat e Vërmicës dhe Morinës, është pezulluar nga 1 tetori 2025 deri në fillim të nëntorit të po këtij viti.

Gjatë kësaj periudhe, qytetarët dhe automjetet do të kalojnë kufirin duke ndjekur procedura të përshpejtuara të regjistrimit, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata. Megjithatë, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, kalimi pa kontroll do të vazhdojë për automjetet me targa shqiptare dhe kosovare.

Pezullimi i marrëveshjes është një masë sezonale, e cila synon menaxhimin më të mirë të fluksit të udhëtarëve dhe shmangien e mbingarkesës së pikave kufitare. Marrëveshja ka dhënë rezultate pozitive gjatë muajve të verës, duke lehtësuar lëvizjen dhe duke zvogëluar trafikun në kufi.

Pritet që marrëveshja të rifillojë në fillim të nëntorit, kur fluksi i udhëtarëve të ulet.

Trump shpall urdhrin ekzekutiv: Inteligjenca artificiale do të përdoret për luftën kundër kancerit te fëmijët

Presidenti Donald Trump ka shpallur një urdhër ekzekutiv të ri që ka si qëllim përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) për të përshpejtuar luftën kundër kancerit pediatrik.

Ky urdhër parashikon një fond prej 50 milionë dollarësh (rreth 43 milionë euro) për një iniciativë mbi të dhënat e kancerit tek fëmijët, e cila ishte prezantuar për herë të parë gjatë mandatit të parë të Trump.

Sipas zyrtarëve, këto fonde do të përdoren për mbledhjen dhe analizimin e volumit të madh të të dhënave mjekësore, duke përdorur inteligjencën artificiale për të përmirësuar diagnozat, përshpejtuar provat klinike dhe përforcuar masat parandaluese.

“Ne do të shfrytëzojmë inteligjencën artificiale në çdo aspekt të mundshëm,” tha Trump nga Zyra Ovale të martën. “Qëllimi ynë është t’u japim përgjigje këtyre fëmijëve të vegjël – disa tashmë janë përmirësuar ndjeshëm dhe të tjerët po e bëjnë këtë.”

Duke iu drejtuar të mbijetuarve të rinj nga kanceri, të mbledhur rreth tavolinës Resolute, Trump shtoi: “Ju do të ndiheni shumë më mirë së shpejti.”

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk dhanë detaje specifike mbi kompanitë apo teknologjitë që mund të përfshihen, duke theksuar se planet janë ende në zhvillim. Megjithatë, presidenti sugjeroi që teknologjia do të jetë në dispozicion për të gjithë: “Do të jetë e arritshme për të gjithë.”

Kanceri pediatrik: i rrallë, por shkatërrues

Edhe pse i rrallë, kanceri mbetet shkaku kryesor i vdekjeve tek fëmijët pas foshnjërisë në SHBA. Shoqata Amerikane e Kancerit parashikon që rreth 9,550 fëmijë në SHBA do të diagnostikohen me kancer në vitin 2025.

Megjithëse normat e mbijetesës janë përmirësuar dukshëm – me vdekshmërinë nga kanceri tek fëmijët që ka rënë mbi 50% që nga viti 1975 – incidenca e sëmundjes ka qenë në rritje që nga vitet 1970. Globalisht, rreth 400,000 fëmijë dhe adoleshentë nën 19 vjeç preken çdo vit, sipas OBSH-së.

Studimet mbi kancerin pediatrik mbeten nënfinancuar, duke përfaqësuar më pak se 10% të buxhetit federal të kërkimit mbi kancerin, sipas Fondacionit të Kancerit të Fëmijëve.

Urdhri i ri ekzekutiv i Trump dyfishon mbështetjen e Instituteve Kombëtare të Shëndetit për Iniciativën e të Dhënave mbi Kancerin Pediatrik, duke e çuar fondin total në 100 milionë dollarë. Ky hap ndodh megjithatë në një kohë kur administrata e tij ka propozuar shkurtime të tjera në financimin federal të shkencës.

Në vitet e fundit, qindra studiues janë larguar nga projektet e financuara federalisht dhe disa qindra milionë dollarë në grante – përfshirë disa që lidhen me kancerin pediatrik – janë anuluar. Konsorciumi Pediatrik i Tumorit të Trurit, një rrjet kombëtar që ka ofruar trajtime eksperimentale për fëmijë mbi 25 vjet, humbi mbështetjen federale këtë gusht.

Projektligjet e mëparshme kanë propozuar gjithashtu një ulje mbi një të tretën të buxhetit të Institutit Kombëtar të Kancerit, megjithëse këto shkurtime janë ende në diskutim. Rrjeti i Veprimit ndaj Kancerit i Shoqatës Amerikane të Kancerit ka paralajmëruar se këto reduktime “do të çonin pas progresin e kombit tonë në uljen e vdekjeve dhe vuajtjeve”.

Fund për shërbimin e ride-sharing Taxito në Zvicër

Shërbimi i ride-sharing për zonat rurale, Taxito, do të ndërpritet në fund të vitit 2025. Themuesi i tij, Martin Beutler, thotë se shërbimi nuk mund të konkurrojë me makinat autonome dhe ndryshimet e sjelljes së përdoruesve që kanë ndodhur pas pandemisë COVID-19.

Aktualisht, Taxito funksionon në katër rajone: Seetal AG/LU, Freiamt AG, Chur GR dhe Trub BE. Megjithatë, për të qenë i qëndrueshëm në të ardhmen, do të nevojiteshin të paktën dhjetë rajone, gjë që nuk është e realizueshme.

Beutler thekson se filozofia e Taxito-s bazohet në ndihmën reciproke dhe kohezionin social, por kjo po zbehet me kalimin e kohës. Ai krahasoi situatën me ndryshimet që ndodhen në platforma si Couchsurfing dhe Airbnb, ku komuniteti po zëvendësohet nga qasja komerciale.

Për iniciatorin e Taxito-s, mbyllja e shërbimit është një humbje e madhe për një projekt që ka funksionuar për rreth dhjetë vjet dhe është pjesë e historisë së mobilitetit të qëndrueshëm në zonat rurale të Zvicrës.

Oktoberfest në Mynih rihapet pas kërcënimit me bombë

Panairi tradicional i birrës në Mynih, Oktoberfest, u mbyll për disa orë të mërkurën pas një kërcënimi me bombë dhe një shpërthimi në pjesën veriore të qytetit. Autoritetet njoftojnë se aktiviteti është rihapur sërish rreth orës 17:30, pasi zonat përreth u kontrolluan nga policia me qen nuhatës dhe u shpallën të sigurta, transmeton albinfo.ch..

Më herët, një shpërthim dhe zjarr në një banesë në lagjen Lerchenau shkaktuan një operacion të madh policor. Sipas hetimeve, dy persona – mes tyre edhe i dyshuari kryesor, 57 vjeç – humbën jetën, ndërsa dy gra, familjare të tij, mbetën të plagosura. Policia tha se shpërthimi kishte lidhje me një konflikt familjar dhe jo me motive politike.

Kryebashkiaku i Mynihut, Dieter Reiter, deklaroi se vendimi për mbylljen e përkohshme ishte i domosdoshëm për sigurinë e vizitorëve. Pas verifikimeve, festa më e madhe popullore në botë vazhdon normalisht.

Gjurmë të ndotësit TFA gjenden në bukë dhe verë zvicerane

Në Zvicrën frankofone janë zbuluar gjurmë të acidit trifluoroacetik (TFA) në bukë dhe verë, sipas një hetimi të përbashkët të emisioneve On en parle, A bon entendeur dhe revistës Bon à Savoir. TFA, një molekulë e përdorur në industri dhe bujqësi, nuk rregullohet ende në Zvicër apo BE, por mund të ndikojë në shëndetin riprodhues.

Analizat laboratorike të 16 shisheve vere dhe 12 bukëve të freskëta treguan praninë e TFA në të gjitha mostrat, madje edhe te produktet organike. Në verë u gjetën 11–150 mikrogramë për kilogram, mesatarisht 58 µg/kg, ndërsa në bukë 29–130 µg/kg, mesatarisht 69 µg/kg.

Ekspertët theksojnë se nivelet janë më të ulëta se në vendet fqinje evropiane, por janë të konsiderueshme krahasuar me gjurmët në ujin e rubinetit. Murielle Bochud nga Unisanté shpjegon:

“Duhet ulur ekspozimi i popullsisë, edhe pse vlerat aktuale janë nën kufijtë e sigurisë të propozuar nga EFSA.”

Autoritetet federale dhe organizatat e prodhuesve presin udhëzime ndërkombëtare për të marrë vendime. Një projekt kërkimor kombëtar mbi PFAS u anulua kohët e fundit, duke lënë hapësirë për më shumë studime mbi ndikimin e TFA te njerëzit.

Ekspertët paralajmërojnë se TFA mund të shkaktojë probleme riprodhuese dhe keqformime te fetusët, duke veçuar rrezikun për gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. Megjithatë, mungesa e të dhënave mbi efektet afatgjata te njerëzit kërkon më shumë kërkime shkencore.

Krijimi i vezëve në laborator mund të bëjë revolucion në trajtimin e infertilitetit femëror

Shkencëtarët kanë arritur për herë të parë të krijojnë qeliza vezë nga qeliza të tjera në laborator. Edhe pse kjo është ende vetëm një eksperiment, hulumtimi ka hapur menjëherë debat të madh etik.

Në një studim të botuar të martën në revistën Nature Communications, studiuesit përshkruajnë sesi kanë transformuar qeliza të lëkurës në oocite të afta për t’u fekonduar nga një spermatozoid.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt një ideje që deri më tani tingëllon si fantashkencë: trajtimi i infertilitetit tek gratë që nuk janë në gjendje ose nuk mund të prodhojnë më vezë, përmes krijimit të tyre nga qeliza të tjera.

Studimi thekson se për gratë në moshë të caktuar, tek të cilat gametet nuk funksionojnë më, fekondimi in vitro (IVF) bëhet i paefektshëm, transmeton albinfo.ch.

“Ky zbulim do t’u mundësonte gjithashtu çifteve të të njëjtit seks të kenë një fëmijë me lidhje gjenetike me të dy partnerët”, shpjegon Paula Amato, kërkuese në Universitetin e Shkencës dhe Shëndetit në Oregon, SHBA.

Mungesë e dhurimit të gameteve

Kërkesa është e madhe, ndërsa shumë vende si Franca përballen me mungesë të dhurimeve të gameteve. Megjithatë, Amato paralajmëron se do të duhen të paktën dhjetë vjet derisa kjo teknologji të përdoret për trajtimin e pacientëve infertilë.

Kjo punë është pjesë e një fushe në zhvillim të shpejtë të quajtur “gametogjenezë in vitro”. Përparime të mëdha tashmë janë arritur: në fillim të vitit 2025, studiues japonezë arritën të krijojnë minj nga dy etër biologjikë.

Studimi i Nature shkon edhe më tej, pasi përdori qeliza njerëzore, të cilat arritën të zhvilloheshin deri në embrione, megjithëse u shkatërruan shumë shpejt.

Anomali dhe kufizime

Embrionet përmbanin shumë anomali, gjë që tregon se kjo është ende vetëm një provë laboratorike dhe jo një arritje mjekësore e aplikueshme.

Megjithatë, rezultatet janë mjaft të rëndësishme për të ngjallur entuziazëm në komunitetin shkencor. “Është një hap i jashtëzakonshëm që një ditë mund të hapë rrugën për krijimin e qelizave të ngjashme me ovocitet dhe spermatozoidet për ata që nuk kanë mundësi tjetër,” u shpreh Ying Cheon, specialiste e mjekësisë riprodhuese në Universitetin e Southamptonit.

Pyetje etike

Në Francë, Agjencia e Biomedicinës paralajmëroi se krijimi artificial i gameteve mund të ndryshojë thellësisht mënyrën si e kuptojmë riprodhimin, format e familjes dhe lidhjet gjenetike. Institucioni ka ngritur shqetësimin për një rrezik të mundshëm të “eugjenizmit”, duke kërkuar vendosjen e një kuadri etik dhe juridik ndërkombëtar për të shmangur një garë të pakontrolluar inovacioni.

Si u realizua eksperimenti?

Shkencëtarët përdorën një metodë të njohur si “transferimi i bërthamës”. Fillimisht ata hoqën bërthamat nga ovocitet dhe i zëvendësuan me ato të marra nga qelizat e lëkurës. Kjo teknikë njihet prej kohësh si metodë klonimi, e përdorur që në vitin 1996 për krijimin e deles Dolly.

Në këtë rast, synimi ishte krijimi i qelizave që mund të fekondoheshin me spermatozoid. Për këtë, qelizat duhej të kishin vetëm 23 kromozome (si ovocitet normale), duke iu shtuar 23 të tjera nga spermatozoidi. Siç dihet, qelizat e lëkurës kanë 46 kromozome, ndaj studiuesit përdorën një metodë të re që e quajtën “mitomeiozë” për t’i reduktuar në gjysmë.

Pas kësaj, disa nga qelizat e trajtuara u fekonduan me spermatozoide dhe një pjesë e tyre arritën të zhvilloheshin në embrione disa-ditore – mjaftueshëm, teorikisht, për t’u implantuar tek një paciente përmes fekondimit in vitro.

Zvicër: Mobilizim kombëtar kundër rritjes së tarifave universitare, dorëzohen mbi 37 mijë nënshkrime

Më shumë se 37 mijë persona kanë firmosur një peticion kundër dyfishimit të tarifave të studimeve dhe masave të tjera shtrënguese në arsimin e lartë, duke e dorëzuar atë të mërkurën në Kancelarinë Federale në Bernë. Studentët dhe punonjësit e universiteteve u mblodhën në disa qytete zvicerane për të protestuar kundër vendimit të Këshillit Federal.

Sipas Unionit të Studentëve Zviceranë (UNES), kjo masë, pjesë e paketës buxhetore për vitin 2027, cenon seriozisht barazinë e mundësive dhe rolin e Zvicrës si qendër akademike.

“Kush kursen sot tek arsimi, rrezikon mungesë fuqie punëtore të kualifikuar nesër, më pak lëvizshmëri sociale dhe dobësim të Zvicrës si vend inovacioni,” – paralajmëroi UNES.

Humbje për kërkimin shkencor dhe vendet e punës

Përveç tarifave, parashikohen edhe shkurtime në Fondin Kombëtar për Kërkim Shkencor. Sindikata e Shërbimeve Publike (SSP) paralajmëroi se kjo mund të sjellë ndërprerjen e 500 deri 700 projekteve kërkimore dhe humbjen e 1,500–2,000 vendeve pune midis viteve 2026 dhe 2028.

Demonstrata në Bernë

Mbi 2,000 studentë nga rajonet frankofone dhe gjermanofone morën pjesë në një protestë kombëtare në sheshin Federal në Bernë.

Pankarta si “Arsimi nuk duhet të jetë luks” apo “E ardhmja jonë është shumë e shtrenjtë për Këshillin Federal” u panë gjatë marshimit.

Mobilizimi në qytete të tjera

Gjenevë: Rreth 400 studentë protestuan kundër shkurtimeve prej 22,5 milionë frangash në Universitetin e Gjenevës, që përfshijnë humbjen e 20% të projekteve kërkimore dhe 40 vende profesorësh. Në shkollat e HES-SO, ku tarifat janë rritur tashmë me 400 franga për studentët zviceranë dhe 1,100 franga për të huajt, grevat do të zgjasin një javë.

Lozanë: Rreth 150 persona marshuan në kampusin e UNIL kundër shkurtimeve të Këshillit Federal dhe qeverisë së kantonit Vaud. Vetëm për vitin 2026, UNIL duhet të kursejë 20 milionë franga, duke rrezikuar vendet e punës akademike dhe administrative, si dhe rritjen e tarifave për studentët.

Cyrih: Rreth 700 persona u mblodhën në qendër të qytetit në një protestë të thirrur nga sindikata SSP dhe shoqatat studentore. Aty u theksua se këto masa rrezikojnë të dyfishojnë tarifat dhe të kufizojnë arsimin e lartë vetëm për ata me privilegje financiare.

Një betejë që vazhdon

Masat e kursimit të Konfederatës parashikojnë ulje prej mbi 460 milionë frangash në trajnim, kërkim dhe inovacion, duke e vënë arsimin e lartë në një periudhë të vështirë. Protestat e fundit tregojnë një front të bashkuar mes studentëve, sindikatave dhe stafit akademik në mbrojtje të arsimit publik dhe të përballueshëm.

 

Arrestohen tre persona të dyshuar për lidhje me Hamasin në Gjermani

Autoritetet gjermane kanë arrestuar tre persona që dyshohet se janë pjesëtarë të grupit militant Hamas, nën akuzën për planifikim sulmesh ndaj institucioneve izraelite dhe hebraike në Gjermani.

Të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës të enjten, ku do të vendoset nëse do të mbahen në paraburgim deri në nisjen e procesit gjyqësor, ka raportuar agjencia e lajmeve AP.

Zyra e Prokurorit Federal bëri të ditur se gjatë bastisjeve u gjetën armë dhe municion, ndërsa dy nga të dyshuarit janë shtetas gjermanë.

Hamasi, i shpallur organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, është përgjegjës për qindra sulme ndaj izraelitëve ndër vite. Megjithatë, rrallëherë është parë të ketë operuar jashtë Izraelit dhe territoreve palestineze. Nuk është ende e qartë nëse të arrestuarit kanë vepruar me urdhra të drejtpërdrejtë nga Hamasi apo kanë vepruar si simpatizantë të tij.

 

Kafeja, sa është e shëndetshme

1 Tetori është Dita Botërore e Kafesë, një element bazë në traditën perëndimore.

Por, a duhet të kufizohet konsumi i saj? Apo të shmanget? Cilat janë përfitimet e kafeinës? Çfarë mund të zgjedhim si alternativë ndaj kafesë?, janë disa nga pyetjet që Massimo Spattini, autor i librit “Tri çelësat e jetëgjatësisë” u përgjigjet këtyre pyetjeve, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Kafeina: Përfitimet dhe pasojat

Kafeina, përmes një sërë mekanizmash kompleksë qelizorë, rrit forcën e tkurrjes së muskujve edhe në frekuenca të ulëta stimulimi.

Ajo nxit rritjen e lipolizës dhe ruajtjen e glikogjenit të muskujve, falë rritjes së oksidimit të acideve yndyrore të lira.

Për më tepër, përmirëson rrjedhën koronare të gjakut (rritjen e rrjedhës së gjakut në zemër), prodhimin kardiak (rritjen e rrjedhës së gjakut në inde) dhe presionin sistolik të gjakut.

Duke kaluar me shpejtësi barrierën gjak-tru, kafeina dhe metabolitët e saj rrisin ngacmueshmërinë neuronale dhe lehtësojnë rekrutimin e neuroneve motorike, duke lehtësuar kështu transmetimin e sinjalit midis sistemit nervor qendror dhe periferik.

Disavantazhet e saj

Rrit prodhimin e kortizolit dhe adrenalinës: 200 mg (rreth dy filxhanë kafe) mund të rrisin nivelet e kortizolit brenda një ore dhe t’i mbajnë ato të larta gjatë gjithë ditës.

Tek njerëzit që e metabolizojnë kafeinën ngadalë, kjo mund të dëmtojë cilësinë e gjumit, duke çuar në një rritje të mëtejshme të kortizolit gjatë natës.

Nivelet e larta kronike të këtij hormoni kanë efekte katabolike në muskuj, nxisin rezistencën ndaj insulinës dhe pengojnë humbjen e peshës.

Për këto arsye, kafeina është një thikë me dy presa: mund të jetë e dobishme në ditë veçanërisht të vështira për të mbështetur performancën fizike ose mendore, por nuk rekomandohet për ata të predispozuar ndaj stresit kronik ose me prodhim të lartë të kortizolit.

Kafeja: Pro dhe kundër

Konsumi i kafesë është i rrënjosur thellë në stilin e jetës së shumicës së perëndimorëve dhe më gjerë.

Studimet mbi efektet e kafesë janë shpesh kontradiktore. Nga njëra anë, kafeina që përmbahet në kafe mund të zvogëlojë ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe të rrisë nivelet e kortizolit, duke predispozuar për hipertension dhe rezistencë ndaj insulinës.

Nga ana tjetër, studime të shumta nxjerrin në pah përfitimet e kafesë falë përmbajtjes së saj antioksiduese: konsumi i rregullt (pa sheqer, sigurisht) shoqërohet me një ulje të rrezikut të diabetit të tipit 2 deri në 35%.

Një studim i botuar në ”New England Journal of Medicine” tregoi se pirja e dy deri në tre filxhanëve kafe në ditë zvogëlon rrezikun e vdekshmërisë me 10% tek burrat dhe 13% tek gratë. Për shumë njerëz, kafeja është burimi kryesor ditor i antioksidantëve.

Efektet e kafesë, megjithatë, varen shumë nga metabolizmi individual i kafeinës, i cili ndodh në mëlçi dhe ndikohet nga variacionet gjenetike.

Përafërsisht gjysma e popullsisë ka një metabolizëm të ngadaltë të kafeinës: tek këta individë, konsumi mund të shkaktojë nervozizëm, agjitacion, pagjumësi, rritje të presionit të gjakut, përkeqësim të sindromes pre-menstruale, një rrezik në rritje të abortit dhe vështirësi në detoksifikimin e barnave dhe toksinave.

Shkurt, kafeja mund të ketë efekte të dobishme ose negative në varësi të gjenetikës individuale, gjendjes shëndetësore dhe sasisë së konsumuar.

Një alternativë ndaj kafesë: çaji jeshil

Çaji jeshil është një alternativë e vlefshme ndaj kafesë.

Vetitë e tij rrjedhin kryesisht nga prania e polifenoleve dhe katekinave, të cilat bashkëveprojnë me sistemin nervor simpatik, duke stimuluar termogjenezën dhe lipolizën.

Për më tepër, çaji jeshil duket se pengon pjesërisht lipazat e zorrëve, duke reduktuar tretjen dhe thithjen e yndyrave. Efekti i çajit jeshil varet jo vetëm nga kafeina që përmban, por edhe nga kombinimi i tij me katekinat dhe teaninën.

Kjo e fundit, një aminoacid i pranishëm në sasi të konsiderueshme, kundërvepron rritjen e kortizolit të shkaktuar nga kafeina, duke e bërë çajin jeshil një pije stimuluese, por në të njëjtën kohë dhe të ekuilibruar.

Çaji jeshil mund të konsumohet si pije, por përqendrimet e përbërësve aktivë ndryshojnë shumë në varësi të llojit të çajit dhe kohës së infuzionit. Për një efekt më të qëndrueshëm, një zgjidhje është të merrni kapsula me ekstrakt të standardizuar.

E ardhmja e kafesë

Thatësira ekstreme gjatë sezonit të shirave, midis tetorit 2020 dhe marsit 2021, e ndjekur nga një ngricë e papritur në qershor-korrik 2021, e ka gjunjëzuar të gjithë sektorin e kafesë, duke shkaktuar një rritje të papritur të çmimeve të kafesë të llojit arabica.

Edhe në Afrikë pamja nuk është inkurajuese. Sipas një studimi të vitit 2017, Etiopia, prodhuesi i tretë më i madh i arabica-s në botë, mund të humbasë 39 deri në 59 për qind të zonave të saj të kultivimit të kafesë deri në fund të shekullit për shkak të rritjes së temperaturave dhe zvogëlimit të reshjeve.

Pasojat ekonomike dhe sociale për atë vend do të ishin shkatërruese, duke marrë parasysh se afërsisht 15 milionë njerëz punojnë në zinxhirin e furnizimit me kafe në Etiopi.

Aeroporti i Tiranës thyen rekord në gusht

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po vazhdon trendin pozitiv, duke konfirmuar rritjen e qëndrueshme të trafikut ajror në Shqipëri. Vetëm përgjatë muajit gusht 2025, TIA ka mirëpritur 1 milion e 413 mijë pasagjerë.

Po kështu, janë regjistruar 8.106 fluturime drejt 108 destinacioneve në 32 shtete të ndryshme, duke e kthyer aeroportin  një nyje të rëndësishme të qarkullimit ajror në rajon, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Përgjatë 8 muajve të parë të vitit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë regjistruar 7.83 milionë pasagjerë të ardhur. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky numër është rritur me rreth 8%.

TIA mbetet ura kryesore që lidh Shqipërinë me botën. Aeroporti i Tiranës po mirëpret dhe përcjell gjithnjë e më shumë udhëtarë, vendas apo të huaj. Rritja lidhet jo vetëm me fluksin e turistëve të huaj, por edhe me shqiptarët që kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt destinacioneve të reja të hapura këtë verë, si: Nantes, Bordeaux dhe Lisbona. Sipas të dhënave zyrtare, qytetet italiane vijojnë të mbeten më të preferuarat për udhëtarët shqiptarë, sidomos Milano, Roma dhe Bolonja. Përveç tyre, një volum i madh pasagjerësh është regjistruar edhe drejt Londrës dhe Vjenës.

Aeroporti i Tiranës është kthyer në një pikë referimi rajonal sa i përket rritjes se shpejtë dhe zgjerimit, duke shënuar rritjen më të lartë të pasagjerëve pas periudhës së pandemisë me një rritje prej 152% duke lënë pas Malin e Zi që ka rritur flukset e saj me 34%.

TIA po investon në digjitalizim dhe përmirësim të përvojës së udhëtarëve, përmes portave elektronike për kontrolle kufitare më të shpejta; skanerëve të avancuar të sigurisë; zgjerimit të parkimit me mbi 1.900 vende dhe një strukturë shumëkatëshe; bordimit me karta digjitale, duke shmangur pritjet në sportele. Këto masa kanë rritur ndjeshëm efikasitetin dhe kanë krijuar një përvojë më të lehtë dhe më të shpejtë për pasagjerët.

 

Edhe të pasurit ndiejnë nevojën për kujdes shëndetësor

Primet e sigurimit shëndetësor po bëhen të padurueshme për shumë njerëz.

Një anketë e re tregon se më shumë se gjysma e familjeve thonë se rritja prej 4.4% e planifikuar për vitin 2026 do ta rëndojë seriozisht buxhetin e tyre – pothuajse një në dhjetë thonë se thjesht nuk mund të paguajnë. Edhe ata me të ardhura më të larta po e ndiejnë shtrëngimin.

Ky presion po ringjall mbështetjen për një fond të vetëm kombëtar shëndetësor, i cili tani mbështetet nga të gjitha partitë, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Partia Socialiste planifikon një iniciativë për të lidhur primet drejtpërdrejt me të ardhurat, duke premtuar kosto më të ulëta për 85% të popullsisë dhe mbulim falas për fëmijët.

Teksti përfundimtar do të zbulohet në kongresin e partisë më vonë këtë muaj.

Në Spitalin e Bazelit ngatërrohet operacioni

Një gabim tronditës mjekësor në Spitalin Universitar të Bazelit: Një grua e re iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të panevojshme pas një gabimi në laborator.

32-vjeçares Sarah Miesch iu tha se ishin gjetur qeliza kancerogjene dhe ajo pranoi të bënte ndërhyrje kirurgjikale në qafën e mitrës, transmeton albinfo.ch.

Dy muaj më vonë erdhi lajmi bombë, mostrat ishin ndërruar. Ajo nuk kishte pasur kurrë shenja kanceri. Operacioni nuk duhej të kishte ndodhur.

Spitali ka pranuar përgjegjësinë, siguruesi i tij i ofron asaj 4,000 CHF.

Kryepatologia thotë se gabimi ndodhi kur një mostër u nda shkurtimisht nga numri i saj i identifikimit, duke theksuar se gabime të tilla janë jashtëzakonisht të rralla midis qindra mijëra testeve që përpunohen çdo vit.