Banorët e qytetit më të shtrenjtë të Zvicrës pritet të ndjejnë një lehtësim financiar në vitet e ardhshme, përcjell albinfo.ch.
Gjatë kësaj jave, parlamenti kantonal miratoi një ulje prej 3 përqind të normës së taksave, që përbën reduktimin më të madh të taksave në Cyrih në dy dekadat e fundit. Kjo masë do të hyjë në fuqi në vitin 2026.
Megjithëse vendimi përfaqëson një lajm pozitiv për taksapaguesit, duke u lënë atyre më shumë të ardhura në dispozicion, ai do të ketë pasoja për financat publike. Si rezultat i kësaj uljeje, kantoni pritet të përballet me një humbje të ndjeshme të të ardhurave dhe do ta nisë vitin e ri me një deficit prej rreth 314 milionë frangash.
Mesfushori i Milanit, Ardon Jashari, ka folur për raportin me trajnerin Massimiliano Allegri dhe për ambiciet e skuadrës kuqezi. Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, ai thekson rolin kyç të Allegrit në ecurinë e ekipit, transmeton albinfo.ch.
“Ai është gjithmonë pranë nesh, u jep besim individëve dhe gjithë dhomës së zhveshjes. Për sukseset tona është thelbësor. Nga një trajner si ai mund të mësoj shumë,” është shprehur Jashari.
Sipas tij, lidhja me Allegrin lidhet edhe me faktin se trajneri ka luajtur më parë në një rol të ngjashëm në fushë, çka e bën komunikimin edhe më të lehtë.
Jashari tregon se kalimi te Milani ishte realizimi i një ëndrre të madhe: “Club Brugge kishte shumë kontakte me klube të tjera, por unë i kisha idetë e qarta dhe e shihja veten vetëm këtu.”
Aktualisht, fokusi i tij mbetet te puna në fushë dhe kontributi për ekipin: “Punojmë fort për të siguruar pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, përcjell albinfo.ch.
Ai tha se “komandantin” e gjeti në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, transmeton Klankosova.tv.
Pos tjerash, Rama shtoi se me Thaçin folën për familjet, miqtë e përbashkët, Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pati çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia dërgoi këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin, sipas Ramës, me të qeshur Thaçi e quan “institut”.
“Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”, ka shkruar ai.
Ai tha se nuk di çfarë të thotë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Evropës demokratike
“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë”.
“Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pese vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”.
Platforma mediale Albinfo.ch nuk ka reshtur së botuari gjatë gjithë vitit profilet e suksesshme të shqiptarëve nëpër botë, me theks të veçantë në Zvicër dhe jo vetëm. Andaj, në përmbyllje të numrit të fundit të revistës për vitin 2025, sjellim një përmbledhje të arritjeve më të spikatura akademike të shqiptarëve në diasporë, atyre që kanë shënuar kulmin e karrierës së tyre studimore me titullin “Doktor Shkence” në universitetet më prestigjioze të botës.
Këtë vit, doktorantët e diasporës kanë dëshmuar potencialin e tyre të jashtëzakonshëm, duke kontribuar në zhvillimin e dijeve moderne, duke sjellë qasje inovative në inteligjencën artificiale mjekësore, atë të mjedisit global, kanë hulumtuar struktura të ndërlikuara të universit, e madje kanë dhënë kontribute të rëndësishme në ruajtjen e trashëgimisë juridike e kulturore shqiptare.
Në mesin e tyre, emra si Donikë Sejdiu, Hajriz Berisha, Nita Mulliqi, Vjosa Blakaj, Shqipdona Lahu, Bertila Bruka, Burim Ramaj, Endrit Smaili, Pranvera Hyseni, Besar Abdiu, Esma Fera, Kevin Mato, Kaltrina Kusari, Shpresim Sadiku dhe Qëndresa Morina ndriçuan panoramën akademike shqiptare në diasporë. Secili prej tyre është dëshmi e fuqisë së dijes dhe e vlerës që bartin ata. Andaj, viti 2025 do të mbetet si një simbol i krenarisë kolektive për diasporën shkencore shqiptare, një urë mes origjinës, ëndrrës dhe arritjes.
Donikë Sejdiu
Donikë Sejdiu, një studente me prejardhje nga Kumanova, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e shkencës, duke mbrojtur me sukses temën e doktoratës pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Cyrihut.
Me këtë arritje, ajo fitoi titullin Doktore e Shkencave, duke bërë një hap të rëndësishëm përpara në karrierën e saj akademike.
Punimi i saj shkencor, i cili mori vlerësime të larta, kishte titullin “Evolucioni i sistemeve patogjen–bimë përmes genomikës së herbariumit: raste studimore të patogjenit të urisë irlandeze të patates, Phytophthora infestans, dhe të patogjenit të zjarrit të shenjtë, Claviceps purpurea”.
Hajriz Berisha
Hajriz Berisha, një emër i njohur në fushën e shkencave të mjedisit, ka arritur një sukses në karrierën e tij akademike, duke fituar titullin Doktor i Shkencave të Mjedisit në një nga universitetet më prestigjioze të Evropës, Eötvös Loránd University në Budapest, Hungari.
Ky universitet është i njohur për arritjet e tij të larta në fushën e shkencave natyrore dhe kërkimit shkencor, dhe titulli i doktoratës që Hajriz Berisha ka fituar atje është një dëshmi e mundësive që i ofrohen individëve të talentuar që synojnë të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve globale të mjedisit.
Me titullin Doktor i Shkencave të Mjedisit, Hajriz Berisha është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe angazhimit për të mbrojtur planetin tonë dhe për të kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme për brezat që vijnë.
Nita Mulliqi
Nita Mulliqi nga Kosova, ka përfunduar me sukses studimet e doktoraturës në Institutin Karolinska në Stokholm, një nga institucionet më prestigjioze në botë, në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor.
Tema e doktoratës së saj ishte e fokusuara në zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale për diagnostikimin dhe gradimin e kancerit të prostatës nga biopsitë digjitale, një qasje inovative që synon të përmirësojë saktësinë dhe efikasitetin e diagnozave mjekësore.
Ky model inteligjence artificiale që Nita zhvilloi pritet të ketë një ndikim të madh në praktikën klinike, pasi do të implementohet në disa spitale të vendeve nordike, ku do të asistojë patologët në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të prostatës.
Vjosa Blakaj
Vjosa Blakaj, e lindur dhe e rritur në Kosovë, ka arritur suksese në fushën akademike dhe shkencore, duke u bërë një model për shumë të rinj që ndjekin një karrierë të ngjashme.
Pas një përvoje të pasur profesionale dhe studimesh të thelluara, ajo ka arritur të doktorojë në Universitetin Teknik të Mynihut në Gjermani, një nga institucionet më prestigjioze të teknologjisë dhe shkencave.
Gjatë karrierës së saj, Vjosa ka punuar në Max-Planck-Institut für Quantenoptik, një institut lider në fushën e fizikes dhe optikës ku ka qenë kandidate për doktoraturë dhe hulumtuese.
Burim Ramaj
Burim Ramaj, është shpallur Doktor Shkence në Universitetin e Friburgut në Zvicër, një nga universitetet më prestigjioze të Europës.
Tema e tij e doktoratës, “Pluralizmi juridik sipas kanunit shqiptar”, është një kontribut i rëndësishëm në studimet mbi trashëgiminë juridike dhe kulturore shqiptare, dhe ka pasur një ndikim të madh në fushën e kërkimit shkencor lidhur me të drejtat dhe normat shoqërore të shqiptarëve.
Në mesin e shtatë kandidatëve që morën titullin Doktor Shkence, Burim Ramaj u dallua për vlerën akademike të punimit të tij dhe për rëndësinë që ka kjo temë në kuadrin e ruajtjes dhe zhvillimit të identitetit juridik dhe kulturor të shqiptarëve.
Esma Fera
Esma Fera, një vajzë e re dhe e talentuar nga Kosova, ka arritur suksese në fushën e Biologjisë së Kancerit, me doktoratë në një nga universitetet më prestigjioze të botës, Universitetin e Wisconsin-Madison në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo është vetëm 23 vjeçe dhe ka pasur një rrugë shumë të shpejtë akademike. Një fakt interesant është se, nga niveli i studimeve Bachelor, ajo kaloi menjëherë në Doktoraturë, pa pasur nevojë të vazhdojë me studime master.
Ky është një përshkrim i qartë i talentit të jashtëzakonshëm dhe potencialit të lartë që Esma ka, duke u vlerësuar dhe mbështetur nga universiteti për kapacitetin e saj të jashtëzakonshëm kërkimor.
Shqipdona Lahu
Shqipdona Lahu, është shpërblyer me Çmimin Ndërkombëtar për Doktoraturën më të Mirë në Universitetin Teknik të Mynihut (Technical University of Munich – TUM), një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Gjermani dhe në Bashkimin Evropian. Ky çmim është një njohje e veçantë për punën e saj të jashtëzakonshme shkencore dhe kërkimore.
Doktorata e Shqipdona Lahut u vlerësua si më e mira për periudhën akademike 2024–2025, duke e pozicionuar atë si një nga shkencëtaret më të spikatura të rinj në fushën e Shkencave të Jetës dhe Mjekësisë. Tema e saj e doktoratës, me titull “Novel aspects of antiplatelet drug therapy in patients undergoing percutaneous coronary interventions”, është një kontribut i rëndësishëm në kardiologjinë ndërhyrëse, duke trajtuar aspekte të reja të terapisë me ilaçe antiplatelet për pacientët që kalojnë intervenime koronare perkutane (PCI).
Endrit Smaili
Endrit Smaili ka kaluar me sukses të gjitha provimet e doktoraturës në bashkëdrejtim me Sapienza Università di Roma, një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, nën udhëheqjen e François Lerouxel, Jean-Marie Salamito, dhe Gian Luca Gregori. Kjo periudhë kërkimore ka qenë një mundësi për Endritin të zhvillonte një projekt shkencor të rëndësishëm dhe të kontribuonte në avancimin e fushës së tij.
Për më tepër, ai ka kaluar një semestër si profesor ligjërues në Universitetin ‘Sorbonne’ në Paris, duke ofruar mësim dhe udhëzime për studentët e nivelit të lartë, një mundësi e shkëlqyer për të shpërndarë njohuritë e tij dhe për të kontribuar në zhvillimin akademik të brezit të ardhshëm.
Në vitet pas doktoratës, Endrit Smaili është emëruar profesor në Universitetin ‘Sorbonne’ në Paris, një pozicion që vjen si rezultat i aftësive të tij akademike dhe kërkimore.
Kaltrina Kusari
Kaltrina Kusari ka arritur një tjetër përparim të madh në karrierën e saj akademike, duke përfunduar me sukses postdoktoraturën në Universitetin e Calgaryt, në Kanada, gjatë muajit qershor 2025. Ky sukses i hap mundësi të reja për zhvillimin e mëtejshëm të kërkimeve dhe kontributeve të saj shkencore.
Gjatë kësaj periudhe akademike ndërkombëtare, Dr. Kusari ka qenë pjesë e një projekti shumë të rëndësishëm hulumtues, “Aging in the Right Place” (AIRP).
Ajo ka prezantuar gjetjet kryesore të studimit të saj në konferencën ndërkombëtare “Our Future is Aging”, e cila u mbajt në Halifax, Nova Scotia. Ky ishte një moment i rëndësishëm për të, pasi prezantimi i saj nuk vetëm që u mirëprit nga pjesëmarrësit, por gjithashtu nxiti diskutime të thella.
Bertila Bruka
Bertila Bruka, është shpallur fituese e çmimit “Kërkues shkencor i shkëlqyer” nga Stevens Institute of Technology dhe duke u pranuar direkt në programin e Doktoraturës në Georgia Institute of Technology, pa pasur nevojë për diplomë master. Ky është një privilegj që u ofrohet vetëm studentëve me rezultate të jashtëzakonshme, duke e pozicionuar Bertilën si një nga talente më të shquara të rinj në fushën e inxhinierisë biomjekësore.
Bertila u diplomua këtë vit për Inxhinieri Biomjekësore, duke u nderuar me medaljonin “High Honors”. Disa nga arritjet e saj të mëdha përfshijnë prezantimin e studimeve të saj në konferenca prestigjioze në SHBA, ku ajo ka demonstruar aftësitë e saj të kërkimit dhe shpjegimit të ideve të avancuara shkencore.
Bertila ka zhvilluar gjithashtu kërkime në universitete të njohura dhe institucione kërkimore si Yale dhe National Institutes of Health (NIH).
Kevin Mato
Kevin Mato ka përfunduar me sukses doktoraturën në fushën e kompjuterikës kuantike në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM), një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në botë. Rrugëtimi i tij ka qenë i gjatë dhe i mbushur me punë, pasion dhe përkushtim.
Familja Mato, e cila u largua nga Shqipëria drejt Italisë, ka qenë mbështetja kryesore e tij, dhe sot sakrificat e tyre janë kurorëzuar me këtë sukses të rrallë.
Gjatë studimeve, Kevin ka prezantuar punime kërkimore në Japoni, Evropë dhe SHBA, duke kontribuar në zhvillimin e algoritmeve kuantike dhe aplikimeve kompjuterike të avancuara.
Ai është vlerësuar me çmime ndërkombëtare, përfshirë titullin e shkencëtarit më të mirë në botë në fushën e tij nga ORNL në SHBA, çmimin e Bashkimit Evropian për inovacion dhe një grant prestigjioz për shkencëtarët e rinj. Aktualisht, Kevin punon në NVIDIA.
Qëndresa Morina
Qëndresa Morina, është doktorantja në fushën e matematikës, ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës në Fakultetin e Edukimit të Charles University në Pragë, Çeki, një nga universitetet më prestigjioze në Evropë.
Kjo arritje është një kulm i punës së palodhur dhe angazhimit të saj për të avancuar në fushën e matematikës dhe edukimit.
Gjatë studimeve të saj, Qëndresa ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe është vlerësuar për kontributin e saj të jashtëzakonshëm nga profesorët çekë, duke e vendosur atë si një nga studentët më të shquar të këtij institucioni akademik. Mbrojtja e doktoratës është një dëshmi e aftësive të saj kërkimore dhe akademike, si dhe një pasqyrë e përkushtimit të saj për të përhapur njohuritë matematikore dhe për të kontribuar në zhvillimin e metodave të reja të mësimdhënies në këtë fushë.
Shpresim Sadiku
Shpresim Sadiku ka fituar titullin Doktor i Shkencave në Universitetin Teknik të Berlinit (TU Berlin), duke arritur një nga sukseset më të larta akademike evropiane.
Tema e doktoraturës së tij, “Explaining Deep Neural Networks through Inverse Classification”, trajton shpjegueshmërinë e rrjeteve të thella neurale, një sfidë kritike në inteligjencën artificiale.
Metoda inovative e tij ofron qasje të reja për analizimin e proceseve të brendshme të modeleve komplekse dhe rrit besueshmërinë e tyre.
Rruga e tij akademike është shoqëruar me rezultate të spikatura që nga fëmijëria, duke përfshirë vendet e para në gara matematikore dhe konkurse shkencore, dhe sot konsiderohet një prej të rinjve më premtues në fushën e inteligjencës artificiale.
Pranvera Hyseni
Pranvera Hyseni, astronomja shqiptare në fushën e shkencave planetare, ka fituar çmimin vjetor për propozimin më të mirë të doktoraturës në Universitetin e Kalifornisë, Santa Cruz. Ky çmim, i cili jepet vetëm një herë në vit, nderon projektin kërkimor më premtues dhe konsiderohet ndër nderimet më të rëndësishme akademike në fushën e astronomisë planetare.
Përveç çmimit prestigjioz, Pranvera ka marrë gjithashtu një grant prej 3,000 dollarësh, i cili do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit të saj. Ky vlerësim i lartë është një dëshmi e punës së saj të palodhur dhe të aftësive të saj të jashtëzakonshme shkencore në një fushë kaq konkurruese.
Ky çmim i jep mundësinë Pranverës të vazhdojë me kërkimet e saj në shkencat planetare, një fushë që ka gjithnjë e më shumë rëndësi për eksplorimin dhe kuptimin e universin.
Besar Abdiu
Besar Abdiu, inxhinieri i ndërtimtarisë i është bashkuar sukseseve të shqiptarve në aspektin e kërkimeve shkencore gjatë vitit 2025, ku është shpërblyer me titullin “Doktor Shkence” në “Institute of Earthquake Engineering and Engineering Seismology (IZIIS)”.
Vlen të theksohet se ky institut është një nga qendrat më të mira për kërkime në fushën e tërmeteve dhe inxhinierisë sizmike.
Ai ka kryer doktoraturën në Inxhinierinë Ndërtimore, duke u fokusuar në zhvillimin e njohurive dhe teknologjive që kontribuojnë në ndërtimet e sigurta dhe rezistente ndaj tërmeteve.
Besar Abdiu është shqiptar nga Tetova, dhe ky sukses e vendos atë ndër profesionistët më të shquar në fushën e tij në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. /Albinfo.ch
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se është nisur drejt Hagës, për ta takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili tash e pesë vjet po mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale, përcjell albinfo.ch.
Ai tha se Thaçi po mbahet peng në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare.
“Jam rrugë për në Hagë ku do të takoj pas disa kohësh nga takimi i mëparshëm komandantin e UÇK-së, presidentin e Kosovës, i cili u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej tanimë vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare. Për turpin e madh të gjithë atyre që sponsorizojnë atë lloj drejtësie, ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor janë e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë. Ende pa u dënuar një president i zgjedhur demokratikisht nga populli, së bashku me tre bashkëluftëtarë që kanë mbuluar detyra të rëndësishme në Kosovë, mbahen të mbyllur, të izoluar”, tha Rama.
Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshme nenet e një udhëzimi administrativ që detyronte pensionistët të paraqiteshin fizikisht në Departamentin për Pensione për të dëshmuar se janë gjallë, në të kundërtën duke përballur ndalimin e pensioneve, përcjell albinfo.ch.
Vendimi erdhi pas padisë së E.Sh. kundër Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Departamentit të Pensioneve. Sipas Supremes, paragrafët e udhëzimit administrativ për lajmërimin, suspendimin dhe pagesat e pensioneve, që parashikonin ndalimin e tyre në rast moslajmërimi, nuk përputhen me ligjin.
Gjykata theksoi se përgjegjësia për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit i takon vetë Ministrisë. “Nëse pensionisti nuk lajmërohet, Ministria obligohet të monitorojë burimet ekzistuese të informacionit për të identifikuar nëse një pensionist ka vdekur. Kjo detyrë nuk duhet të bjerë mbi qytetarin,” thuhet në njoftim.
Supremja shtoi se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit dhe jo e para, duke e bërë të qartë se dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015, që e lidhnin moslajmërimin me pasoja të pakthyeshme, janë të kundërligjshme. Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti nuk i jep Ministrisë kompetenca për të vendosur afate materiale, humbje të pensioneve ose ndryshuar statusin e përfituesit.
Derisa më parë pensionistët detyroheshin të paraqiteshin çdo gjashtë muaj për të ruajtur të drejtën e pensionit, vendimi i Supremes heq këtë barrë, duke e lënë verifikimin në dorën e organeve publike.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e përshkroi vendimin si “jashtëzakonisht të rëndësishëm”, duke theksuar se siguria juridike dhe mbrojtja e të drejtave sociale janë përmirësuar, dhe se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit.
Aktualisht, pensioni i moshës në Kosovë është 150 euro, ndërsa pensioni kontributpagues varion nga 218 deri në 318 euro në muaj, sipas nivelit të arsimimit.
Giacometti-Halle, e njohur edhe si “Blüemlihalle” (“salla e vogël e luleve”) për shkak të tavaneve të saj të zbukuruara me motive lulesh. E pabesueshme por e vërtetë , kjo është hyrja e një stacioni policor funksional në Cyrih, transmeton albinfo.ch.
Salla u pikturua në vitin 1925 nga artisti Augusto Giacometti, xhaxhai i skulptorit të famshëm Alberto Giacometti. Kjo vepër është një kryevepër e artit publik dhe një nga shembujt më të hershëm të artit mural monumental të integruar në arkitekturën publike në Zvicër.
Augusto Giacometti ishte një pionier në përdorimin abstrakt dhe ekspresiv të ngjyrave, dhe kjo sallë është dëshmi e qartë e stilit të tij të veçantë. Vizitorët që hyjnë në këtë hapësirë nuk ndihen si në një stacion policie, por si në një galeri arti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhjen e radhës me fillim nga ora 14:30, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit të KQZ-së gjatë mbledhjes do të shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për akreditimin e organizatave vëzhguese për zgjedhjet.
Rendi i ditës:
Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;
Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025
4. Aktivitetet e Zyrës:
4.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për akreditimin e organizatave vëzhguese për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025 – Grupi II;
5. Këshillat e KQZ
5.1. Këshilli për Çështje Ligjore;
5.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesave për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal në Prishtinë, Obiliq, Leposaviq dhe Zveqan;
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka njoftuar se votimi në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të organizohet më 27 dhjetor 2025, një ditë para ditës zyrtare të zgjedhjeve në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Sipas njoftimit të Konsullatës, ky proces u mundëson qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën e votës nëpër ambasada dhe konsullata, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen më 28 dhjetor 2025, ndërsa votimi në përfaqësitë diplomatike do të zhvillohet një ditë më herët, më 27 dhjetor 2025.
Konsullata e Kosovës në Cyrih u ka bërë thirrje qytetarëve që të informohen me kohë për mënyrën dhe procedurat e votimit. Për më shumë informata, qytetarët mund të kontaktojnë përmes WhatsApp dhe Viber në numrin: +383 46 61 00 61
Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë, përcjell albinfo.ch.
Vendimi vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të Kosovës që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese ndaj saj verën e vitit 2023.
Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, tha Osmani të mërkurën vonë në Facebook.
Osmani, e cila e përfaqësoi Kosovën në samit, shtoi se “rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në X se BE-ja po i heq masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale u zhvillua në mënyrë paqësore.
“Falë kësaj, kam kënaqësinë të njoftoj se po ecim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës”, shkroi ajo.
Ajo shtoi se blloku po planifikon 216 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën dhe se synon që t’ia ndajë asaj 205 milionë euro qysh në fillim të vitit 2026.
BE-ja veçse i kishte hequr gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, por nuk ishte e qartë se ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji, pasi thuhej se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kishin vullnet për heqjen e të gjitha sanksioneve.
Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar me këmbëngulësi vazhdimisht nga BE-ja t’u japë fund masave ndëshkuese, të cilat i shkaktuan vendit dëme në vlera milionëshe.
Ata argumentonin se gjendja në veri ishte shtensionuar tashmë pas zvogëlimit të pranisë së Policisë në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e sivjetshme dhe kalimi i pushtetit tek serbët lokalë në mënyrë paqësore.
Këto masa ndëshkuese i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP.
Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.
Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF)./rel
Ortopedët paralajmërojnë se gjuri është pjesa më e rrezikuar e trupit gjatë sporteve në mal, veçanërisht tek gratë, ndërsa shpatulla dëmtohet më shpesh tek burrat, sipas të dhënave të Shoqatës Italiane të Ortopedisë dhe Traumatologjisë (SIOT).
Shkalla e lëndimeve lidhet jo vetëm me natyrën e aktivitetit, por edhe me mënyrën se si secili gjini reagojnë ndaj rënieve dhe përplasjes me sipërfaqen, theksojnë ekspertët.
Për të reduktuar rrezikun gjatë sezonit dimëror, ortopedët kanë hartuar pesë rregulla kyçe:
Përgatituni fizikisht dhe dëgjoni trupin tuaj kondicioni dhe fleksibiliteti ndihmojnë për të parandaluar dëmtime.
Vishni pajisje mbrojtëse të përshtatshme helmetat, mbrojtësit për gjurin dhe shpatullën janë të domosdoshëm.
Përdorni pajisje të mirëmbajtura skijet, snowboard-et dhe këpucët duhet të jenë në gjendje të mirë.
Ngrohuni përpara se të nisni aktivitetin muskujt dhe kyçet e ngrohur zvogëlojnë rrezikun e lëndimeve.
Jini të kujdesshëm dhe të vëmendshëm gjatë zbritjeve kontrolli dhe koordinimi janë thelbësore për sigurinë.
Duke ndjekur këto udhëzime, sportistët mund të shijojnë sezonin dimëror duke minimizuar rrezikun e lëndimeve të zakonshme.
Bashkimi Europian po rishikon objektivin për ndalimin e plotë të shitjes së makinave të reja me motorë me djegie të brendshme deri në vitin 2035. Komisioni Europian ka propozuar që, në vend të një reduktimi 100% të emetimeve, prodhuesit e automjeteve të detyrohen të arrijnë një ulje prej 90% krahasuar me nivelet e vitit 2021.
Ky propozim vjen si përgjigje ndaj presionit të vazhdueshëm nga industria automobilistike dhe shënon një zbutje të një prej masave kyçe të “Marrëveshjes së Gjelbër Europiane”, e cila synon neutralitetin klimatik deri në vitin 2050. Vendimi ende duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare.
Sipas ekonomistit Bernard Jullien, specialist i industrisë automobilistike, kjo lëvizje është më tepër e lidhur me zhvillimet politike sesa me nevojat reale të tregut. Ai paralajmëron se zbutja e objektivit mund të dobësojë tranzicionin drejt elektromobilitetit dhe të dekurajojë investimet në automjetet elektrike.
Ekspertët theksojnë se problemi kryesor i makinave elektrike mbetet çmimi i lartë, ndërsa kërkesa e konsumatorëve do të rritej ndjeshëm nëse automjetet elektrike do të bëheshin më të përballueshme. Ndërkohë, disa prodhues të mëdhenj si Ford dhe Porsche kanë rishikuar planet e tyre për elektrifikim të plotë.
Në të njëjtën kohë, Kina vazhdon të avancojë me shpejtësi në sektorin e automjeteve elektrike dhe të baterive. Sipas analistëve, lehtësimi i politikave europiane rrezikon ta lërë industrinë automobilistike të BE-së prapa konkurrencës kineze dhe mund të favorizojë indirekt importet nga tregu kinez.
Siç ishte njoftuar më parë, operatori Swisscom do të ndërpresë përdorimin e teknologjisë 3G deri në fund të këtij viti. Kjo teknologji, e zhvilluar mbi 20 vjet më parë, është bërë krejtësisht e vjetëruar.
Rreth 180,000 klientë privatë dhe biznesesh ende përdorin 3G, e cila tashmë është zëvendësuar nga rrjetet 4G dhe 5G, të cilat lejojnë transmetimin e volumeve shumë më të mëdha të të dhënave, tha një zëdhënës i Swisscom për AWP të mërkurën.
Konkurrenti Sunrise kishte ndërprerë rrjetin e tij 3G që në fund të gushtit, ndërsa Salt konfirmoi se do të vazhdojë të ofrojë shërbimin 3G të paktën deri në fund të vitit 2026, sipas një zëdhënësi të operatorit të tretë më të madh në Zvicër.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar si lajm të mirë vendimin për heqjen graduale të disa masave të vendosura ndaj Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën X se procesi i transferimit të qeverisjes lokale në veri është zhvilluar në mënyrë paqësore, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimin për të ecur përpara me lehtësimin e masave.
“Si rezultat i këtij zhvillimi, kemi vendosur të vazhdojmë me heqjen e masave ndaj Kosovës. Janë planifikuar 216 milionë euro ndihmë financiare, ndërsa 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar von der Leyen.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur nga Brukseli se Bashkimi Evropian ka marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës. Ajo njoftoi se vendimi është marrë në përfundim të samitit BE–Ballkani Perëndimor që u mbajt sonte në Bruksel.
Sipas Osmanit, një pjesë e madhe e masave do të hiqen menjëherë, ndërsa pjesa e mbetur pritet të hiqet në fund të muajit janar. Po ashtu, ajo theksoi se shumica e fondeve do të zhbllokohen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër gjatë muajit janar.
Gjatë kumtimit të këtij lajmi, në një video u shfaq edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e përgëzoi presidenten Osmani për këtë zhvillim pozitiv. Osmani më pas e falënderoi Ramën për kontributin e tij në këtë proces.
Influencerët po luajnë një rol gjithnjë e më të madh në marketing, por praktikat e tyre shpesh janë të dobët të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë në Zvicër, paralajmëron Fondacioni Zviceran për Mbrojtjen e Konsumatorit (FRC).
Sipas një hetimi të kryer nga FRC, rregulloret aktuale nuk janë të mjaftueshme për të kontrolluar përhapjen masive të përmbajtjeve që përcjellin mesazhe potencialisht të dëmshme. Studimi përqendrohet kryesisht tek dy sektorë me rrezik të lartë: moda e shpejtë dhe ushqimet dhe pijet jo të shëndetshme.
Rritja e marketingut të influencerëve
Marketingu i influencerëve konsiston në përdorimin e figurave publike në rrjetet sociale për të promovuar produkte ose shërbime tek ndjekësit e tyre. Ky lloj marketingu është bërë një nga mjetet më të fuqishme reklamuese në botë: vlera e tij është rritur nga 1.5 miliardë në 28 miliardë franga në dhjetë vitet e fundit, sipas platformës Statista.
FRC thekson se “vetëm disa sekonda në Instagram, TikTok, YouTube ose Snapchat mund të mjaftojnë për t’u ekspozuar ndaj një promovimi më shumë ose më pak të fshehur”. Hetimi përfshiu rreth 650 përmbajtje të ndryshme të publikuara në rrjetet sociale, transmeton albinfo.ch.
Në Zvicrën frankofone, FRC identifikoi përmbajtje që promovojnë në mënyrë të fshehtë blerjen masive të rrobave ose ushqimeve, shpesh pa përmendur qartë partneritetet e paguara. Video të tilla përfshijnë sfida, degustime dhe receta të shpejta, duke krijuar një perceptim të pafajshëm, por që bëjnë pjesë në një strategji marketingu shumë të fuqishme.
FRC thekson se ndjenja e afërsisë ose lidhjes “parashoqërore” e krijuar nga influencerët ul kriticizmin e përdoruesve dhe nxit mbinxënien, sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët. Sektori i ushqimit është veçanërisht i prekshëm, në një kohë kur një e treta e fëmijëve në Evropë vuajnë nga mbipesha dhe lidhja midis konsumit të ushqimeve jo të shëndetshme dhe peshës trupore është e njohur.
Në sektorin e veshjeve, FRC evidenton problematikën e videove të njohura si “hauls” – ku tregohen hapjet e shumë produkteve të blera njëherësh – të cilat inkurajojnë rinovimin e vazhdueshëm dhe blerjet impulsive. Shembujt e hetimit përfshijnë edhe promovimin e mallrave false.
Mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë
Hetimi tregon se shumica e marketingut të influencerëve ende shmang transparencën minimale të kërkuar nga ligji. Postimet e sponsorizuara shpesh maskohen si rekomandime personale, përmendjet e qarta të partneriteteve të paguara janë të rralla, dhe termat për të treguar reklamën janë të paqarta ose mungojnë.
FRC nënvizon se rregullat aktuale në Zvicër dhe Evropë nuk mbulojnë të gjithë aktorët. Mungesa e definicioneve ligjore të qarta, përgjegjësia jo e shpërndarë dhe vështirësia për të kontrolluar përmbajtjet e përkohshme e bëjnë zbatimin e ligjit të komplikuar.
Këshilli i Shtetit i Gjenevës ka validuar rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve për Këshillin komunal të Vernierit, të mbajtura më 30 nëntor, pavarësisht parregullsive të konstatuara në një pjesë të votave me korrespondencë.
Sipas autoriteteve kantonale, gjatë verifikimeve janë analizuar 1’414 fletë votimi me lista të modifikuara. Ekspertiza grafologjike ka treguar se 189 fletë, përfshirë 12 të pavlefshme, janë plotësuar nga 79 duar të ndryshme. Në shumicën e rasteve, e njëjta dorë ka plotësuar dy fletë votimi, ndërsa asnjë person nuk ka plotësuar më shumë se gjashtë.
Këshilli i Shtetit vlerëson se këto parregullsi, ndonëse serioze pasi vota është personale, nuk kanë pasur ndikim në rezultatin përfundimtar, pasi ndarja e mandateve mbetet e pandryshuar edhe nëse përjashtohen fletët problematike.
Ekzekutivi kantonal ka theksuar se vendimi është marrë pas një peshimi interesash, duke marrë parasysh funksionimin normal të komunës, ndikimin real mbi rezultatet dhe parimin e proporcionalitetit.
Pas disa muajsh administrimi të përkohshëm, Këshilli komunal i Vernierit pritet të konstituohet në muajin shkurt. Vendimi i Këshillit të Shtetit mbetet i ankimueshëm në Dhomën Kushtetuese të Gjykatës së Drejtësisë, ndërsa hetimi penal për mashtrimet e raundit të parë vazhdon
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për rritjen e shpejtë të një varianti të ri të virusit të gripit H3N2, i cili paraqet mutacione të rëndësishme gjenetike. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e bëri të ditur këtë shqetësim përmes platformës sociale X.
Sipas tij, sezoni i gripit është aktualisht aktiv në hemisferën veriore dhe, ndonëse niveli global i rasteve mbetet brenda kufijve normalë, që prej muajit gusht është vërejtur një rritje e shpejtë e të ashtuquajturës “nënklasa K” e virusit influenza H3N2 në disa vende. Ghebreyesus theksoi se të dhënat aktuale nuk tregojnë shtim të ashpërsisë së sëmundjes, por konfirmojnë praninë e një mutacioni të rëndësishëm të virusit.
Kreu i OBSH-së nënvizoi se vaksinimi mbetet një masë thelbësore mbrojtëse, veçanërisht për grupet më të rrezikuara nga komplikacionet e gripit dhe për personat që kujdesen për ta.
Nga ana tjetër, profesori i asociuar dr. Muhammed Emin Demirkol, drejtor i përgjithshëm i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, deklaroi se varianti H3N2 që po përhapet në Evropë nuk përbën rrezik të veçantë për Turqinë. Ai theksoi se mutacionet janë pjesë e natyrshme e evolucionit të virusit të gripit, i cili ndryshon vazhdimisht.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e ambasadave të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe aktivitetet reformuese në vijim, me theks të veçantë në sistemin e Kartonit të Gjelbër.
Në takim morën pjesë Clarissa Castek, Zëvendësshefe e Misionit në Ambasadën e Austrisë në Prishtinë, Christoph Fuchs, Zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, si dhe Christian Böttcher, Zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.
Guvernatori Ismaili i informoi përfaqësuesit diplomatikë për zhvillimet kryesore në sektorin financiar, përfshirë iniciativat reformuese dhe progresin në forcimin e kornizës ligjore dhe rregullative. Vëmendje e veçantë iu kushtua reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian, në veçanti çështjeve që ndërlidhen me sistemin e Kartonit të Gjelbër, në kuadër të mandatit të BQK-së për rregullimin dhe mbikëqyrjen e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe sektorit të sigurimeve.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës në forcimin e integritetit, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës.
BQK vlerëson lart bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe në mbështetjen e integrimit të Kosovës në mekanizmat përkatës evropianë.
Shpenzimet për ushqim mbeten një nga kostot më të mëdha për familjet në Evropë. Mesatarisht, ato përbëjnë rreth 11.9% të konsumit të përgjithshëm në Bashkimin Evropian, por në disa vende, si Rumania, ky përqindje arrin deri në 20% të buxhetit familjar.
Sipas Eurostat-it, çmimet e ushqimeve ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Indeksi i çmimeve të ushqimeve e vendos shportën mesatare të BE-së në 100 €. Një vlerë mbi 100 tregon se vendi është më i shtrenjtë se mesatarja evropiane, ndërsa nën 100 tregon çmime më të ulëta.
Në vitin 2024, Maqedonia ishte një nga vendet më të lira për ushqime mes 36 vendeve të Evropës, me një shportë mesatare që kushtonte 73 euro, 27% më pak se mesatarja e BE-së. Megjithatë, pagat në vend janë gjithashtu ndër më të ulëtat në Evropë.
Në krye të listës me çmime më të larta është Zvicra, ku një shportë standarde kushton 161.1 euro, ose 61% më shumë se mesatarja e BE-së. Brendapër BE, vendet më të shtrenjta për ushqime janë Luksemburgu (125.7 euro), Danimarka, Irlanda, Franca dhe Austria, ndërsa vendet më të lira janë Rumania (74.6 euro), Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia.
Evropa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor mbeten rajonet me ushqim më të përballueshëm. Për shembull, Turqia (75.7 euro), Mali i Zi (82.6 euro) dhe Serbia (95.7 euro) kanë çmime nën mesataren e BE-së. Ndër vendet e mëdha të BE-së, Italia dhe Gjermania kanë çmime mbi mesatare, ndërsa Spanja është 5.4% më e lirë se mesatarja.
Ekspertët nënvizojnë se këto ndryshime lidhen me faktorë të tillë si kostoja e prodhimit, struktura ekonomike, pagat, taksat mbi ushqimin dhe zakonet e konsumatorëve. Ilaria Benedetti nga Universiteti i Tuscias thekson se ekonomitë më të vogla dhe më të hapura shpesh ndjejnë më shumë pasojat e rritjes së çmimeve të energjisë dhe inputeve bujqësore, duke bërë që ushqimi të përbëjë një pjesë më të madhe të buxhetit familjar.
Jeremias Mate Balog nga Universiteti Corvinus shton se familjet me të ardhura më të ulëta, sidomos në Evropën Lindore dhe Qendrore, përballen me një barrë disproporcionalisht më të madhe nga rritja e çmimeve, edhe kur çmimet absolute janë më të ulëta.
Në përgjithësi, Evropa Perëndimore dhe vendet nordike kanë ushqim më të shtrenjtë, ndërsa vendet e Evropës Juglindore dhe Ballkanit janë më të përballueshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetesën dhe buxhetin e familjeve.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova ka nënshkruar një kontratë kornizë me kompaninë amerikane të industrisë së mbrojtjes, AM General, për pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me sisteme bashkëkohore të artilerisë mobile.
Marrëveshja parasheh blerjen e sistemeve HUMVEE Hawkeye 105 mm Mobile Howitzer, të cilat konsiderohen ndër platformat më të avancuara të artilerisë së lëvizshme. Kontrata përfshin gjithashtu automjete ndihmëse, pajisje rezervë, shërbime mirëmbajtjeje, si dhe trajnime profesionale për personelin që do t’i operojë dhe mirëmbajë këto sisteme.
Sipas Maqedoncit, ky investim shënon një etapë të re në zhvillimin e ushtrisë së Kosovës, duke rritur ndjeshëm fuqinë e zjarrit dhe aftësinë për goditje në distanca të gjata, transmeton albinfo.ch.
Ai theksoi se bashkëpunimi me një prodhues të njohur amerikan pasqyron orientimin strategjik të Kosovës drejt partnerëve perëndimorë dhe përkushtimin për forcimin e sigurisë kombëtare, duke kontribuar njëkohësisht në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
Pritej, dhe tani është zyrtare. Dyqanet në Gjenevë do të lejohen të hapen në mënyrë të jashtëzakonshme këtë të diel.
Dy sindikata ishin përpjekur ta bllokonin vendimin, por gjykata kantonale ka refuzuar ta pezullojë atë, transmeton albinfo.ch.
Kantoni thotë se punonjësit mund të zgjedhin nëse duan apo jo të punojnë atë ditë, dhe ata që duan do të kompensohen mirë, me pagë të dyfishtë ose pushim të dyfishtë.
Autoritetet thonë se ky veprim ndihmon në mbështetjen e bizneseve lokale gjatë një periudhe vendimtare blerjesh.
Gjykata do të vendosë për çështjen më të gjerë ligjore më vonë, ndërsa votuesit do të kenë fjalën e tyre për hapjet e të dielave në vitin 2026.