Cyrihu monitoron qiramarrësit, kush ka shumë dhoma të pashfrytëzuara duhet të largohet

Pas një periudhe tranzicioni pesëvjeçar, Qyteti i Cyrihut ka nisur zbatimin aktiv të rregulloreve për qiranë e apartamenteve komunale dhe po kontrollon pajtueshmërinë me kontratat ekzistuese. Sipas të dhënave, rreth 1,100 apartamente konsiderohen të nën-banuara, ndërsa afërsisht 150 prej tyre klasifikohen si shumë të nën-banuara, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Rregullorja e re, e miratuar nga këshilli komunal në vitin 2018, përcakton kërkesat për banimin minimal në një apartament si dhe kufijtë e të ardhurave për qiramarrësit. Kontratat e reja të qirasë janë lidhur sipas këtyre kushteve që nga viti 2019, ndërsa kontratat e vjetra kishin një periudhë kalimtare për përshtatje.

Kontrollet e nisura tani fokusohen fillimisht te apartamentet shumë të nën-banuara, pra ato ku banimi minimal nuk plotësohet nga dy persona. Qiramarrësit e prekur janë njoftuar me shkrim dhe duhet të gjejnë zgjidhje brenda një viti. Sipas qytetit, do të ofrohen deri në dy apartamente alternative, në varësi të disponueshmërisë.

Në rast se kërkesa e banimit nuk respektohet, qiramarrësi duhet të zhvendoset brenda tre muajve. Refuzimi i pajustifikuar i alternativave ose moszbatimi i rregullores mund të sjellë ndërprerjen e kontratës së qirasë.

Autoritetet komunale paralajmërojnë se zbatimi do të kryhet hap pas hapi, për shkak të numrit të kufizuar të apartamenteve në dispozicion dhe vështirësive që sjell procesi i shkëmbimeve. Në një fazë të mëvonshme, do të trajtohet edhe mungesa e banesave të lehta, ku banimi minimal nuk plotësohet as nga një person.

Në total, kjo rregullore mbulon rreth 7,400 apartamente komunale, ndërsa afërsisht 200 apartamente të tjera të subvencionuara mbeten nën kriteret kantonale dhe komunale të qirasë sociale.

Ankesat e paraqitura nga disa qiramarrës kundër dispozitave të reja u hodhën poshtë në verën e vitit 2024 nga Gjykata Supreme Federale, transmeton albinfo.ch.

Gjashtë shqiptarë në listën e Maqedonisë së Veriut për ndeshjet e shtatorit

Selektori i Maqedonisë së Veriut, Blagoja Milevski, ka publikuar listën me 26 futbollistë për dy ndeshjet që ekipi do t’i zhvillojë në shtator. Në mesin e të ftuarve janë edhe gjashtë futbollistë shqiptarë: kapiteni Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Visar Musliu, Isnik Alimi, Lirim Qamili dhe Reshat Ramadani, raporton albinfo.ch.

Mes tyre, Ramadani i Shkëndijës së Tetovës ka marrë ftesën e parë në përfaqësuesen maqedonase.

Maqedonia e Veriut më 4 shtator do të zhvillojë një miqësore ndaj Arabisë Saudite në Pragë, ndërsa më 7 shtator në Shkup do të përballet me Lihtenshtajnin në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, raporton albinfo.ch.

Bledian Krasniqi gati për sfidën ndaj Zvicrës

Më pak se një vit pasi vendosi të përfaqësojë Kosovën, mesfushori Bledian Krasniqi do të përballet me vendin e tij të lindjes në një ndeshje të rëndësishme. Më 5 shtator, Kosova do të sfidojë Zvicrën në “St. Jakob-Park” të Basel-it, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Krasniqi, i cili më parë ka luajtur për grupmoshat e reja të Zvicrës, tha se vendimi për të zgjedhur Kosovën ishte i lehtë pasi pas përfaqësueses U21 nuk kishte më kontakte me federatën zvicerane. “Pas U21 nuk kam pasur më kontakt me ekipin përfaqësues të Zvicrës”, deklaroi 24-vjeçari, që është bërë startues i rregullt te Zurichu.

Për të, shorti që përcaktoi përballjen mes Kosovës dhe Zvicrës ishte një moment i veçantë. “Kur shorti përcaktoi që të luajmë me Zvicrën, gëzimi ishte i madh. Do të jetë përvojë e jashtëzakonshme”, tha ai, duke shtuar se interesimi për bileta nga të afërmit dhe miqtë ka qenë më i madh se kurrë.

Krasniqi debutoi me Kosovën në qershor, në një miqësore ndaj Komoreve, ku luajti 20 minuta. Ende nuk dihet roli i tij i saktë në përfaqësuesen “dardane”, por selektori Franco Foda, që e njeh nga periudha e shkurtër te Zurichu, pritet t’i japë më shumë hapësirë në muajt e ardhshëm.

Kosova ka fituar edhe një emër tjetër nga futbolli zviceran: mesfushorin Leon Avdullahu, i cili pas transferimit nga Baseli te Hoffenheimi ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën. Krasniqi tha se e kupton vendimin e tij. “Nuk ka vendim të drejt apo të gabuar. Nuk do të thosha që po i ktheni shpinën Zvicrës. Kur flisni me federatën dhe njerëzit në Kosovë, emocionoheni”, u shpreh ai.

Kosova dhe Zvicra deri tani kanë luajtur tri herë, gjithnjë pa fitues. Krasniqi shpreson që seria të vazhdojë. “ Shpresoj të jetë kështu. Duhet të sjellim shumë emocione në ndeshje. Natyrisht, ne do të tentojmë të fitojmë ”, përfundoi ai, transmeton albinfo.ch.

 

Kuqezinjtë shpallin listën më 29 gusht, nga 1 shtatori fillojnë stërvitjet

Është përcaktuar programi i Kombëtares Shqiptare për grumbullimin e muajit shtator, ku kuqezinjtë do të zhvillojnë një ndeshje miqësore ndaj Gjibraltarit dhe sfidën zyrtare të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 ndaj Letonisë.

Shpallja e listës së lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Sylvinho do të bëhet më 29 gusht, ndërsa në të njëjtën ditë, në orën 11:00, do të mbahet konferenca për shtyp e trajnerit në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Seanca e parë stërvitore do të zhvillohet më 1 shtator, shkruan FSHF, transmeton albinfo.ch.

Ndeshja miqësore Gjibraltar – Shqipëri do të luhet më 4 shtator, në stadiumin “Europa Point” në orën 18:00.

Ndërsa ndeshja Shqipëri – Letoni, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet më 9 shtator, në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.

Kompania ajrore zvicerane Chair Airlines nis për herë të parë fluturimet drejt Shqipërisë: Vlora dhe Tirana në itinerar

Një lajm i rëndësishëm për udhëtarët shqiptarë dhe turistët që vizitojnë Shqipërinë: kompania ajrore zvicerane Chair Airlines ka shpallur planet për zgjerim të madh të flotës dhe destinacioneve të saj për verën e vitit 2026. Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në lidhjet ajrore mes Zvicrës dhe Shqipërisë, duke përfshirë nisjen e fluturimeve për herë të parë drejt qytetit bregdetar të Vlorës dhe shtimin e frekuencës drejt Tiranës.

Fluturime për herë të parë drejt Vlorës

Sipas planit të publikuar, një avion i ri Airbus A320 do t’i mundësojë Chair Airlines të hapë itinerare të reja, mes tyre edhe fluturimet nga Zürich drejt Vlorës, me dy nisje në javë.

Ky zhvillim shihet si një hap i madh për zhvillimin e turizmit në Rivierën Shqiptare, duke u ofruar pushuesve zviceranë një rrugë direkte dhe të shpejtë drejt plazheve të jugut të Shqipërisë.

Tirana me më shumë fluturime

Krahas Vlorës, Tirana do të marrë një rol edhe më qendror në itinerarin e Chair. Nga vera e ardhshme, kryeqyteti shqiptar do të lidhet tre herë në javë me Zürich-un, një shtim i dukshëm i frekuencës krahasuar me vitet e mëparshme.

Ky zgjerim i linjës drejt Tiranës pasqyron kërkesën e lartë të diasporës shqiptare në Zvicër, e cila përbën një nga komunitetet më të mëdha emigrante në vend.

Një strategji e qartë për Ballkanin

CEO i Chair Airlines, Shpend Ibrahimi, theksoi se kompania do të vazhdojë të mbështetet te destinacionet klasike të pushimeve, por njëkohësisht edhe te vendet e Ballkanit, ku kërkesa është gjithnjë në rritje.

“Zgjerimi i flotës është një moment historik për Chair Airlines. Ai na jep mundësinë të ofrojmë më shumë opsione për udhëtarët tanë dhe të forcojmë lidhjet me destinacionet e preferuara të diasporës”, u shpreh Ibrahimi.

 Një rrjet i gjerë ballkanik

Përveç Shqipërisë, Chair Airlines do të shtojë në orar edhe destinacione të tjera në rajon. Në verën e 2026-ës, për herë të parë do të ketë linjë direkte Zürich, Tuzla (Bosnje-Hercegovinë), me dy fluturime javore.

Foto: Bujar Gashi

Tri herë në ditë nga Zürich në Prishtinë

Ndërkohë, fluturimet ekzistuese drejt Prishtinës do të mbeten ndër më të shpeshtat: deri në tre herë në ditë nga Zürich dhe deri në dy herë në ditë nga Baseli. Po ashtu, do të vazhdojnë edhe lidhjet me Shkupin dhe Ohrin në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu mbeten në ofertë:Hurghada dhe Marsa Alami (Egjipt), Palma de Mallorca (Spanjë), Larnaka (Qipro), si dhe destinacionet greke Heraklion, Kos dhe Rodos në planin e fluturimeve.

Chair operon gjithashtu dy herë në javë linjën Zürich–Marrakesh. Ndërsa gjatë muajve të verës ka edhe tri fluturime javore drejt Portos.

Mundësi të reja edhe për turizmin

Me përfshirjen e Vlorës dhe shtimin e fluturimeve për në Tiranë, Shqipëria bëhet një prej përfituesve kryesorë të zgjerimit të Chair Airlines.

Kjo pritet të ketë ndikim të dyfishtë: nga njëra anë, të lehtësojë udhëtimet e mijëra shqiptarëve të diasporës që jetojnë në Zvicër, dhe nga ana tjetër, të nxisë turistët zviceranë të zbulojnë plazhet dhe qytetet shqiptare.

Ekspertët e turizmit parashikojnë se kjo linjë e re mund të sjellë rritje të dukshme të vizitorëve nga Zvicra në rivierën shqiptare, veçanërisht gjatë muajve të verës.

 

Çfarë po bëhet më e shtrenjtë në Zvicër këtë vjeshtë?

Sipas shifrave të reja të publikuara nga platforma e konsumatorëve Comparis dhe Instituti Ekonomik KOF, mallrat e përditshme kushtuan mesatarisht 0.2 përqind më pak në korrik 2025 krahasuar me vitin e kaluar.

Për familjet, lajmi i mirë është rënia prej gati 10 përqind e çmimeve të energjisë për ngrohje (gaz, naftë, dru dhe ngrohje qendrore) dhe një rënie prej 0.9 përqind e çmimeve të ushqimeve,  megjithëse anketa nuk detajon se cilat janë ato, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Gjithashtu më të lira janë pajisjet e vogla shtëpiake (me 9.6 përqind), pajisjet elektrike për kujdesin personal (7 përqind), transporti ajror (6.4 përqind – lexoni më shumë rreth kësaj më poshtë), lodrat dhe hobi (5.8 përqind), si dhe mallrat dhe aksesorët e udhëtimit (5.6 përqind).

Anketa tregon gjithashtu se rënia e çmimeve është më e theksuar për familjet me të ardhura të ulëta (me 0.4 përqind), ndërsa më të pasurit nuk shohin pothuajse asnjë ndryshim.

Sipas rajonit, zonat gjermanishtfolëse kanë regjistruar një rënie prej 0.2 përqind, ndërsa ulja ishte 0.3 përqind në kantone të tjera.

Çfarë është dukshëm më e shtrenjtë?

Ndërsa inflacioni i përgjithshëm po lehtësohet, disa ushqime dhe shërbime tani kushtojnë më shumë.

Që nga korriku i vitit 2023, çmimi i çokollatës është rritur ndjeshëm me 17.7 përqind, sigurimi i makinës me 11 përqind dhe kafeja me 8 përqind.

Këto rritje lidhen me të korrat e dobëta, së bashku me kostot e energjisë dhe paketimit, zbuloi studimi.

Por në përgjithësi, ka lajme të mira

Zvicra nuk është i vetmi vend ku disa çmime janë rritur, tha Comparis.

Çmimet në eurozonë u rritën me rreth 2 përqind.

Megjithatë, në Zvicër, shifrat e inflacionit kanë qenë nën 1 përqind për muajin e 11-të radhazi dhe madje nën 0.5 përqind për muajin e shtatë radhazi.

“Banka Kombëtare Zvicerane siguroi një vlerësim të frangës me politikën e saj të normave të interesit dhe shitjet e valutave të huaja, të cilat uli ndjeshëm çmimin e mallrave të importuara nga jashtë,” sipas Comparis.

“Përveç kësaj, shumë çmime të administruara nga qeveria siguruan gjithashtu një inflacion relativisht të ulët.”

Dhe duke folur për udhëtime më të lira  të paktën për në disa destinacione…

Fluturime të lira janë në dispozicion nga Cyrihu për në qytetet kryesore të SHBA-së.

Për shembull, nga fundi i shtatorit deri në mesin e tetorit, fluturimet vajtje-ardhje nga Cyrihu për në Nju Jork kushtojnë 398 franga, për në Uashington DC, 395 franga dhe për në Boston, 393.

Më larg, një fluturim për në Los Angeles është 465 franga dhe për në San Francisko, 401.

Albian Hajdari, i vendosur të lë gjurmë në Bundesligë

Klubi i futbollit të Bundesligës, TSG Hoffenheim, ka nënshkruar me lojtarin e kombëtares zvicerane Albian Hajdari. Qendërmbrojtësi 22-vjeçar vjen nga skuadra e divizionit të parë zviceran, FC Lugano, dhe ka nënshkruar një kontratë afatgjatë.

“Pas dëmtimit të rëndë në gju të Koki Machida, ne njoftuam se do të kërkonim të forconim mbrojtjen tonë qendrore në tregun e transferimeve. Me Albianin, kemi nënshkruar një lojtar që i përshtatet në mënyrë të përkryer profilit tonë: ai është i ri, luan me këmbë të majtë, është shumë i trajnuar dhe sjell përvojë të gjerë nga liga zvicerane dhe garat evropiane. Ne e kemi ndjekur zhvillimin e Albianit për një kohë të gjatë dhe jemi të kënaqur që kemi arritur ta nënshkruajmë atë në situatën aktuale,” tha Andreas Schicker, drejtor sportiv në TSG.

“Pres me padurim sfidën time të re në TSG Hoffenheim, në Bundesligën gjermane, një nga ligat më të mira të Evropës,” tha Hajdari, duke komentuar transferimin e tij në Kraichgau. “Bisedat me zyrtarët e TSG ishin shumë të mira. Jam absolutisht i bindur se kjo është rruga e duhur për mua në Hoffenheim. Qëllimi im tani është të jap gjithçka në fushë dhe të kontribuoj me performanca të forta për të arritur qëllimet tona si klub.”

Albian Hajdari kaloi nëpër radhët e të rinjve të gjigantëve zviceranë FC Basel përpara se t’i bashkohej kampionëve italianë rekord, Juventusit, në shtator 2020.

Prej andej, Hajdari u huazua disa herë te FC Basel midis viteve 2020 dhe 2022, përpara se qendërmbrojtësi të transferohej te klubi i divizionit të parë zviceran, FC Lugano, në huazim në korrik 2022 dhe më pas në mënyrë të përhershme në prill 2023. Hajdari menjëherë u bë titullar i rregullt dhe ka bërë gjithsej 110 paraqitje (pesë gola, një asist) për Luganon gjatë tre sezoneve të fundit në ligën zvicerane, Kupën e Zvicrës, kualifikueset e Ligës së Kampionëve, kualifikueset e Ligës së Evropës dhe Ligën e Konferencës.

Në mars të këtij viti, Hajdari debutoi për ekipin zviceran në një fitore 3:1 në shtëpi kundër Luksemburgut. Mbrojtësi 22-vjeçar kishte luajtur më parë për të gjitha ekipet kombëtare të të rinjve të Zvicrës.

 

 

Blerim Sallahu caktohet U.D. i ministrit të Drejtësisë

Blerim Sallahu është caktuar në postin e ushtruesit të detyrës së ministrit të Drejtësisë, njoftoi Qeveria në detyrë e Kosovës më 27 gusht.

Sallahu, i cili deri më tani mbante postin e zëvendësministrit në këtë ministri, mori drejtimin e dikasterit të Drejtësisë pasi ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u zgjodh në postin e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës.

“Kryeministri [në detyrë i Kosovës, Albin] Kurti e uron zotin Sallahu për përgjegjësinë e re dhe i dëshiron suksese në përmbushjen e detyrave”, u tha në njoftimin e ekzekutivit kosovar, transmeton albinfo.ch.

Më 26 gusht, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, bënë një hap para drejt konstituimit të organit ligjvënës, duke zgjedhur Dimal Bashën nga Lëvizja Vetëvendosje në postin e kryekuvendarit.

Pas kësaj, Haxhiu, së bashku me Vlora Çitakun nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilija Rexhepin nga komuniteti boshnjak, u zgjodhën në postin e nënkryetarëve.

Deputetët ende nuk e kanë përmbyllur procesin e konstituimit, pasi duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ekspozitë kolektive në Gjenevë: Kujtesa që refuzon të shuhet

Më 31 gusht 2025, në hapësirat e Maison des Arts du Grütli në Gjenevë, do të hapet një ekspozitë kolektive e arteve pamore me titullin “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë!”, e organizuar nga Shoqata Kulturore Dora d’Istria dhe Lidhja Shqiptare në Botë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.

Ekspozita sjell së bashku artistë  nga Kosova, Ukraina, Franca dhe Zvicra, shumica prej tyre shqiptarë të cilët përmes veprave të tyre i japin zë kujtesës së plagosur, por të gjallë. Ajo është një ftesë për të reflektuar mbi boshllëkun që lënë pas të zhdukurit dhe mbi fuqinë e artit për të sfiduar harresën.

“Çdo vepër është një akt kujtese, një thirrje kundër zhdukjes me dhunë dhe një mënyrë për të rikthyer në jetë ndërgjegjëjen e fjetur ndërkombëtare që heshtë para mijëra e mijëra familjeve të cilat kërkojnë drejtësi”, thekson zonja Limani Hiler, organizatore.

Artistët pjesëmarrës

Ekspozita do të prezantojë krijimet e Gani Jakupit, shkrimtar, gazetar dhe artist i njohur me veprimtari ndërkombëtare; Ruslan Pikhotës, artist ukrainas i angazhuar që dokumenton përmes artit tragjedinë e luftës në vendin e tij; Hazir Rekës, fotograf i afirmuar që sjell përvojën njerëzore të Kosovës në artin vizual si dhe të Ramë Dardanisë, artist i gjeneratës së re të diasporës, i cili shpalos identitetin dhe kujtesën historike.

Ekspozitës i bashkohen gjithashtu Vanesa Lika, studente, artiste që trajton marrëdhëniet mes shoqërisë, feminitetit dhe kujtesës kolektive, si dhe Nysret Shabani, piktor i cili ndërthur narrativën e kujtesës me reflektimin mbi vuajtjen njerëzore.

Mesazh përtej kufijve

Në ceremoninë e hapjes pritet të mbajë një fjalë përshëndetëse edhe Mathias Buschbeck, kryetar i Komunës së Vernier-it, duke nënvizuar mbështetjen e institucioneve zvicerane për këtë ngjarje që prek tema universale.

Ekspozita shënon një pikëtakim të veçantë kulturor, ku arti bëhet ura që lidh përvojat e popujve të ndryshëm, duke treguar se dhimbja për të zhdukurit është e përbashkët dhe se kujtimi i tyre është një akt human dhe shoqëror.

Në këtë 31 gusht, Gjeneva do të shndërrohet në një hapësirë kujtese dhe solidariteti, ku arti flet aty ku fjalët nuk mjaftojnë.

Ora: 14:00 

Adresa: Maison des Arts du Grütli Rue du Général-Dufour 16. CH-1204 Genève

 

Edhe një kanton do të vendosë për të drejtën e votës për të huajt

Votuesit në Appenzell Ausserrhoden do të vendosin në nëntor për të drejtën e votës kantonale për banorët e huaj me qëndrim të gjatë.

Nëse miratohet, Appenzell Ausserrhoden do të bëhet kantoni i parë gjermanishtfolës që prezanton të drejta të tilla votimi dhe zgjedhjeje në nivel kantonal.

Deri më tani, vetëm kantonet e Jurës dhe Neuchâtel-it u kanë dhënë banorëve të tyre të huaj këtë të drejtë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, në nivel komunal, jo-zviceranët kanë të drejtë të votojnë në Neuchâtel, Jura, Vaud, Fribourg dhe Gjenevë.

Makinat robotike po vijnë në Zvicër

Gjigandi kinez i teknologjisë Baidu po përgatitet të lansojë automjete pa shofer në Zvicër.

Njoftimi u bë nga Yong Gessner, kreu evropian i Grupit të Drejtimit Inteligjent të Baidu-së, në gazetën e djeshme NZZ, transmeton albinfo.ch.

Sipas kompanisë, lansimi fillestar do të jetë në rajonet periferike, jo në qytetet e mëdha.

Për të filluar, makinat do të kenë shoferë sigurie në bord, por ato do të ngasin vetë.

Baidu dëshiron të bashkëpunojë me një ofrues ekzistues transporti në Zvicër, por bisedimet janë ende në vazhdim.

Sa e sigurt është Zvicra për të jetuar?

Një Indeks i Paqes Globale i kohëve të fundit e rendit Zvicrën në vendin e 5-të për sa i përket sigurisë së saj ose, siç e thotë vetë, “mungesës së dhunës ose frikës nga dhuna”.

Ky është një rezultat shumë i mirë, duke marrë parasysh se 163 vende u përfshinë në renditje, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Studime dhe anketa të tjera ndërkombëtare kanë gjetur gjithashtu se Zvicra është ndër vendet më të sigurta në tokë.

Për shembull, Zvicra renditet ndër 10 vendet më të sigurta në botë, sipas këtij indeksi.

Dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), zbuloi gjithashtu se “në Zvicër, 86 përqind e njerëzve thonë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën, më shumë se mesatarja e OECD-së prej 74 përqind”.

Për më tepër, “shkalla e vrasjeve (numri i vrasjeve për 100,000 banorë) është një masë më e besueshme e nivelit të sigurisë së një vendi sepse, ndryshe nga krimet e tjera, vrasjet zakonisht raportohen gjithmonë në polici”.

Sipas të dhënave të OECD-së, shkalla e vrasjeve në Zvicër është 0.3, që është shumë më e ulët se mesatarja e OECD-së prej 2.6, dhe një nga më të ulëtat në OECD.

Por amerikanët e shohin ndryshe…

Në maj 2025, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka klasifikuar Zvicrën si një destinacion udhëtimi të rrezikshëm për amerikanët.

Në zhargonin e Donald Trump, ky është në fakt LAJM I RREME sepse vetë Departamenti i Shtetit tha se udhëtarët në Zvicër duhet thjesht të “ushtrojnë masa paraprake normale”, por jo më shumë se kaq.

Kujdes nga hajdutët e xhepave

Megjithatë, rreziqet e tjera të mundshme që qeveria amerikane përshkruan janë më realiste – për shembull, rreziku i krimeve të vogla, siç është vjedhja e xhepave.

Kjo është e vërtetë, veçanërisht (por jo vetëm) në vende si aeroporti i Gjenevës dhe stacioni qendror i trenit (Cornavin).

Raporti i vendit të SHBA-së për Zvicrën thotë: “Bern ka shkallë të ulët krimi, ndërsa qytetet më të mëdha të Cyrihut, Gjenevës dhe Bazelit kanë shkallë krimi pak më të larta.

Ai shton: “Ndërsa krimi i dhunshëm kundër vizitorëve të huaj është i rrallë, krimi i vogël është më i zakonshëm. Llojet më të zakonshme të aktivitetit kriminal përfshijnë vjedhjen në dyqane, vjedhjen e xhepave, vjedhjen e vogël dhe vjedhjen. Këto krime janë veçanërisht të përhapura në qendrat e transportit (p.sh., stacionet e trenave dhe tramvajeve, aeroportet, stacionet e autobusëve) dhe zonat turistike”.

Turistët këshillohen të jenë të vetëdijshëm për hajdutët e xhepave që punojnë në grupe:

“Kini kujdes ndaj skemave kriminale”, thuhet në raportin e vendit. “Grupet e organizuara të hajdutëve të xhepave veprojnë në vendet kryesore turistike dhe kur ndodhin konferenca, festivale, shfaqje ose ekspozita. Hajdutët shpesh punojnë në çifte. Për shembull, një anëtar i çiftit krijon një shqetësim ndërsa tjetri vjedh sendet tuaja”.

Çfarë mendojnë lexuesit?

Në përgjigje të thirrjes së The Local drejtuar lexuesve për të vlerësuar paralajmërimin e udhëtimit në SHBA, 316 të anketuar thanë se është shumë i ekzagjeruar.

“Nëse Zvicra është e rrezikshme, do t’ju duhet të udhëtoni në hënë”, komentoi një lexuese, Eva WA.

Sa i përket Martin Häne, sipas mendimit të tij, Zvicra është “shumë e rrezikshme. Mund të goditeni nga një lopë, ose edhe më keq: të vuani nga një mbidozë çokollate e shijshme”.

Suedia shpall listën për ndeshjen ndaj Kosovës

Suedia ka shpallur listën për dy ndeshjet e shtatorit, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Përzgjedhësi John Dahl Thomasson është shprehur optimist në konferencën për media para këtyre dy ndeshjeve, shkruan albinfo.ch.

Më 5 shtator, Suedia është mysafire e Sllovenisë, ndërsa më 8 shtator luan ndaj Kosovës, në Stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në listë përfshihen Viktor Gyökeres dhe Alexander Isak, ndërsa Lucas Bergvall është rikthyer.

Gyökeres sapo ka kaluar te Arsenali dhe ka shënuar golat e parë, ndërsa Isak po kërkon largimin drejt Liverpoolit nga Newcastle.

Carl Starfelt, Emil Holm dhe Dejan Kulusevski do të mungojnë në takim për shkak të lëndimeve. Gjithashtu mungon edhe qendërmbrojtësi Victor Nilsson Lindelöf.

Pjesë e grupit kualifikues është edhe Zvicra.

 

Çfarë fshihet pas trazirave të dhunshme në qytetin zviceran të Lozanës?

Autoritetet e Lozanës kërkuan të martën të ndalonin natën e tretë të dhunës në qytetin zviceran pas vdekjes së një adoleshenti që i shpëtonte policisë me një skuter.

Trazirat vijnë në një kohë kur policia e kryeqytetit olimpik është në qendër të vëmendjes, pasi katër oficerë u pezulluan të hënën pas zbulimit të mesazheve raciste, seksiste dhe diskriminuese në grupet private të WhatsApp.

Një 17-vjeçar zviceran, banor i Lozanës, i cili iku nga policia me një skuter të raportuar si i vjedhur të shtunën, u përplas me një mur dhe vdiq të dielën në mëngjes, pavarësisht përpjekjeve për ta ringjallur nga shërbimet e urgjencës, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Ishte vdekja e tretë në më pak se tre muaj në Lozanë gjatë një ndërhyrjeje policore. Që nga viti 2016 ka pasur shtatë vdekje të tilla në qytet dhe në rajonin më të gjerë të Vaud. Pesë prej tyre përfshinin burra me origjinë afrikane.

Natën e së dielës, “rreth 100 të rinj, të veshur me balaklava”, i vunë flakën disa kontejnerëve dhe dëmtuan një autobus, tha policia.

Natën tjetër, 150-200 persona ngritën postblloqe duke përdorur kontejnerë plehrash, duke i vënë flakën, tha policia.

Policia përdori 54 granata gazi lotsjellës dhe bëri shtatë arrestime.

“Mjete piroteknike u përdorën kundër policisë; është skandaloze”, tha këshilltari i sigurisë së qytetit të Lozanës, Pierre-Antoine Hildbrand, për agjencinë e lajmeve Keystone-ATS.

“Po përballemi me një lëvizje që nuk ka të bëjë fare me vdekjen e këtij të riu, por që po e përdor atë si justifikim për të sulmuar forcat e rendit. Është e turpshme.”

Policia ka pranuar se një makinë po ndiqte adoleshentin i cili vdiq të dielën në mëngjes. Por zyra e prokurorëve publikë të Vaud lëshoi ​​një deklaratë “me qëllim sqarimin dhe qetësimin e situatës”.

Ajo tha se dy shoferë iu afruan adoleshentit përpara se policia të mbërrinte në vendin e aksidentit. Kjo tentonte të konfirmonte se kishte një “distancë të konsiderueshme” midis skuterit dhe automjetit të policisë që po e ndiqte dhe “asnjë kontakt” midis tyre, shtoi deklarata.

‘Diskriminim sistematik’

Veçmas, mesazhet nga dy grupe WhatsApp që përmbanin oficerë policie të Lozanës ekzistuese ose ish-oficerë dolën në dritë nëpërmjet prokurorëve publikë. Këto përmbanin materiale raciste, seksiste dhe diskriminuese.

“Ekziston një problem sistemik i diskriminimit që duhet të adresohet”, tha kryetari i bashkisë së Lozanës, Gregoire Junod, sipas transmetuesit kombëtar RTS.

Një “ndryshim kulturor” është i nevojshëm për të parandaluar që abuzime të tilla të ndodhin përsëri, tha ai.

Qyteti i zbuloi mesazhet në një konferencë për shtyp. “Bashkia është thellësisht e tronditur dhe e skandalizuar nga këto mesazhe, të cilat dëmtojnë besueshmërinë e policisë në tërësi dhe marrëdhënien e nevojshme të besimit midis popullsisë dhe policisë”, tha qyteti në një deklaratë.

Katër oficerë policie të përfshirë në grupe janë pezulluar, dhe pritet të pasojnë pezullime të mëtejshme.

Lumi i Shalës, mrekulli për vizitorët e huaj

Shqipëria po fiton vend gjithnjë e më të dukshëm në hartën turistike të Evropës dhe një nga pikat që ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare është Lumi Shalës, shkruan mirror.co.uk.

I quajtur nga mediat britanike si “Tajlanda e Evropës”, ky destinacion po mahnit vizitorët me ujërat e tij të kristaltë dhe peizazhet e egra të Alpeve Shqiptare, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Artikuj të publikuar në shtypin britanik theksojnë se Lumi i Shalës ofron një eksperiencë të ngjashme me ishujt tropikalë të Azisë Juglindore, por me një kosto shumë më të përballueshme dhe më afër Evropës.

I aksesueshëm vetëm me varkë nga liqeni i Komanit, lumi përshkon mes maleve të larta dhe pyjeve të dendur, duke krijuar një atmosferë ekzotike që shpesh i bën vizitorët të ndihen si në një destinacion aziatik.

Zona ofron mundësi të shumta për aktivitete aventuriere, si zip-line, not, kajak, zhytje dhe shëtitje malore, por është po aq tërheqëse edhe për ata që kërkojnë qetësi e relaks buzë ujit.

Ky kombinim i aventurës me pushimin e qetë e ka kthyer në një destinacion gjithnjë e më të preferuar.

Lumi Shalës ka fituar popullaritet të madh në rrjetet sociale. Pamjet e shpërndara në TikTok dhe Instagram kanë habitur shumë përdorues, të cilët fillimisht besonin se bëhej fjalë për Tajlandën.

Shumë turistë ndërkombëtarë që e kanë vizituar e kanë vlerësuar Shqipërinë si një nga vendet më të bukura dhe më të rekomandueshme në Evropë.

Një tjetër avantazh i madh është qasja e lehtë. Nga Mbretëria e Bashkuar ofrohen fluturime direkte drejt Shqipërisë nga disa aeroporte, përfshirë Bristol, Birmingham, Luton dhe Stansted, me çmime që në tetor fillojnë nga vetëm 25 funte.

Ky kombinim i aksesueshmërisë, kostove të ulëta dhe bukurive natyrore të veçanta po e shndërron Shqipërinë në një destinacion në rritje për turistët e huaj.

Lumi Shalës mbetet ende një perlë e fshehur e Alpeve Shqiptare, larg turmave të destinacioneve të mbipopulluara dhe po kthehet me shpejtësi në një simbol të ri të turizmit shqiptar.

Ministri Aliu jep dorëheqjen

Liburn Aliu ka njoftuar të mërkurën se ka dhënë dorëheqje si ministër në detyrë në Qeverinë e Kosovës, për shkak të, siç tha, zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës një ditë më parë.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, shkroi Aliu në Facebook, transmeton albinfo.ch.

Ai shpjegoi se dorëheqja e tij vjen pasi dje bashkëpartiaku i tij, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Aliu tregoi se e kishte njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e tij menjëherë pas zgjedhjes së Bashës të martën.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.

Zvicra i frikësohet edhe largimit të Hajdarit

Zvicra është shokuar me vendimin e Leon Avdullahut për të luajtur për Kosovën, por i frikësohen edhe një largimi tjetër.

Hajdari është transferuar në Hoffeinheim, ku luajnë Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu, që kanë zgjedhur të luajnë për Kosovën.

Në Zvicër shkruajnë se edhe mbrojtësi Albian Hajdari po shqyrton mundësinë e ndryshimit të përfaqësueses. “Thuhet gjithashtu se Albian Hajdari po shqyrton mundësinë e një kalimi në një vend tjetër. Qendërmbrojtësi 22-vjeçar nuk është vetëm shok me Leon Avdullahun. Ata kanë luajtur së bashku në akademinë e të rinjve të Baselit dhe në ekipin U21 të Zvicrës. Ata janë bërë përsëri shokë skuadre që nga e hëna, kur Hajdari u transferua nga Lugano te Hoffenheimi”, ka shkruar mediumi zviceran “Tages-Anzeiger”.

Ai ka debutuar në mars për Zvicrën kundër Luksemburgut, transmeton albinfo.ch.

“Klubi i Bundesligës krenohet po ashtu me sulmuesin premtues, Fisnik Asllani. Ai zgjodhi Kosovën në vend të Gjermanisë një vit më parë. Natyrisht, shembulli i tij, ashtu si ai i Avdullahut, po ndikon edhe te Hajdari. Zviceranët duhet të jenë të shqetësuar”.

Hajdari ishte ftuar te Zvicra edhe për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve në nëntor të vitit të kaluar, ndaj Serbisë dhe Spanjës. Por, nuk luajti. Nëse do të luante, nuk do të kishte mundur të ndërronte përfaqësuesen. Por luajti vetëm në ndeshje miqësore dhe mund të paraqitet për përfaqësuese tjetër.

Paralajmërim për reshje të dendura shiu për disa pjesë të Zvicrës

Duke filluar nga mbrëmja e së mërkurës, 27 gusht, shira të rrëmbyeshëm do të godasin pjesën më të madhe të Zvicrës, sipas shërbimit zyrtar të motit MeteoSchweiz.

Ticino dhe Graubünden do të preken veçanërisht, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Meteorologët janë veçanërisht të shqetësuar për komunat Sumvitg, Lugnez, Luginën Valser dhe rajonin Rheinwald, ku reshjet mund të arrijnë deri në 150 litra për metër katror midis mbrëmjes të së mërkurës dhe të enjtes.

Një alarm moti i nivelit 4 nga 5 është lëshuar për këto zona, pasi shirat e rrëmbyeshëm rrisin rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

MeteoSchweiz paralajmëroi se ky alarm mund të shtrihet edhe në rajone të tjera, varësisht nga mënyra se si evoluon parashikimi i motit.

Skenari më i keq

Alpet jugore përballen me një rrezik të veçantë, sipas MeteoSchweiz.

Reshje të dendura shiu dhe stuhi mund të godasin vazhdimisht të njëjtat rajone për disa orë.

Nëse kjo ndodh, e njëjta situatë si në verën dhe vjeshtën e vitit 2024, kur u regjistruan dëme të mëdha në Ticino dhe Misox, mund të përsëritet.

Reshjet do të jenë më pak intensive në veri të Alpeve.

Në Zvicrën qendrore dhe lindore (era e thatë) do të frenojë shiun në këto zona.

Por sapo të afrohet fronti i ftohtë të enjten, dhe ndërsa ai kalon, zonat e prekura do të përjetojnë gjithashtu shira të rrëmbyeshëm.

Sipas parashikimeve të fundit, moti nuk do të qetësohet deri të shtunën.

Që të dielën, një front i ri i ftohtë, me origjinë nga një nivel i ulët i Atlantikut, do të arrijë në Alpe. Megjithatë, sasia e shiut që do të sjellë është e vështirë të vlerësohet në këtë pikë.

Sonte sfida për Shaqirin dhe Baselin

Ylli shqiptar, Xherdan Shaqiri, sonte e ka një mision të vështirë, pasi synon rikthimin në Ligën e Kampionëve me Baselin.

Skuadra zvicerane sonte luan ndeshjen e kthimit të play-offit ndaj Copenhagenit.

Sfida e parë kishte përfunduar 1:1, ku golin e vetëm e realizoi kapiteni Shaqiri, kurse sonte ajo e kthimit zhvillohet në Danimarkë nga ora 21:00.

Përveç Shaqirit, te Baseli luan edhe shqiptari tjetër, Albian Ajeti.

 

Apple paralajmëron ndryshime të mëdha në iPhone

Apple pritet të sjellë risi të mëdha gjatë tre viteve të ardhshme, duke nisur këtë vjeshtë.

iPhone 17 Air (2025): Do të zëvendësojë versionin Plus. Më i hollë, me bateri më të vogël, por me dizajn minimalist.

iPhone 18 Fold (2026): Modeli i parë i palosshëm i Apple me ekran të jashtëm 5.5” dhe kryesor 7.8”. Me katër kamera, rikthim të Touch ID dhe pa vend fizik për SIM.

iPhone 20 (2027): Edicioni special për 20-vjetorin e iPhone. Dizajn tërësisht prej xhami, skaje të rrumbullakosura dhe ekran pa prerje, në stilin e “Qelqit të Lëngshëm” të iOS 26. Përveç iPhone, Apple pritet të prezantojë edhe një HomePod me ekran, Apple TV më të fuqishëm, MacBook me çip M5, gjenerata të reja AirPods dhe një Apple Watch të përmirësuar.

Këto pritet të jenë përditësimet më të mëdha të Apple që nga iPhone i parë.

Merz: Gjermania nuk do ta njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi sot se Gjermania nuk do t’i bashkohet iniciativës së aleatëve perëndimorë për njohjen e shtetit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e ardhshëm.

Merz këtë e bëri të ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin kanadez, Mark Carney, i cili muajin e kaluar paralajmëroi se Kanadaja planifikon ta njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme, pas njoftimeve të ngjashme nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, raporton Reuters, përcjell albinfo.ch.

“Qëndrimi i qeverisë federale është i qartë sa i përket njohjes së mundshme të një shteti palestinez. Kanadaja është në dijeni për këtë. Ne nuk do t’i bashkohemi kësaj nisme. Nuk shohim që kushtet janë plotësuar,” tha Merz.

 

Pilotët e Swiss nën presion për shkak të mungesës së stafit

Swiss Airlines po përballet me një mungesë të madhe pilotësh. Nuk bëhet fjalë për mungesë të kandidatëve të rinj, por që nga kriza e Covid-it kompania nuk ka arritur të rikuperojë vonesat në trajnime. Si rezultat, presioni po bie mbi pilotët ekzistues.

Në Akademinë Evropiane të Fluturimeve, shkolla e pilotëve të Swiss në Grenchen (SO), klasat janë plot me rreth 100 studentë për secilin kurs. Megjithatë, mungesa e pilotëve mbetet e mprehtë. Problemi e ka zanafillën në periudhën e pandemisë, kur trajnimi u pezullua dhe rifilloi vetëm në verën e vitit 2022.

Që atëherë, trafiku i pasagjerëve është rritur ndjeshëm, por numri i pilotëve jo. Vetëm këtë verë u anuluan 1,400 fluturime, që përbënin rreth 1.5% të programit të planifikuar.

Sasia e pilotëve që mungojnë nuk është bërë publike nga Swiss, por sindikata paralajmëron se barra po bie mbi ata që mbeten në punë. “Orari i fluturimeve është i mbushur plot, po fluturojmë me 100% kapacitet. Por shumë kolegë po thonë se është tepër,” deklaroi Clemens Kopetz, president i sindikatës së pilotëve Aeropers, për RTS.

Puna me kohë të pjesshme si zgjidhje

Përballë këtij presioni, shumë pilotë po zgjedhin të reduktojnë orët e punës. Aktualisht, 40% e pilotëve punojnë me kohë të pjesshme, gjë që e thellon edhe më shumë mungesën. Swiss po përpiqet të rekrutojë pilotë nga jashtë, por procesi është i vështirë, transmeton albinfo.ch.

“Deri tani kemi gjetur pilotë për Airbus A320, por më pak për Airbus A330,” shpjegon Stefan-Kenan Scheib, anëtar i Bordit të Operacioneve të Fluturimit të Swiss. “Ne ende po kërkojmë, por konkurrenca me linjat e tjera ajrore për pilotë me përvojë është shumë e fortë.”

Shpresa e pilotëve të rinj

Larg turbulencave të kompanisë ajrore, optimizmi mbetet i fortë në shkollën e ardhshme të pilotëve. “Për mua, zhvillimet pozitive janë më të mëdha, si për shembull modernizimi i flotës me avionët e rinj Airbus A350,” thotë studenti Janis Zurbriggen. Me diplomën e shkollës së mesme në dorë dhe një pasion të madh për aviacionin, 21-vjeçari nga Valais filloi trajnimin në vitin 2024 dhe shpreson të marrë licencën e pilotit të linjës ajrore që vitin e ardhshëm.

Megjithatë, për momentin mungesa e pilotëve do të vazhdojë. Për ta zbutur situatën, Swiss do të vazhdojë të mbështetet edhe tek linjat e tjera ajrore dhe thotë se po bën gjithçka për të shmangur anulime të reja gjatë dimrit.