Zvicra kundërshton vendbanimet e reja izraelite në territorin palestinez

Zvicra thotë se kundërshton ndërtimin e paralajmëruar të mijëra njësive të banimit në Bregun Perëndimor palestinez të pushtuar nga Izraeli, vendbanime në lindje të Jerusalemit të planifikuara nga qeveria izraelite e Benjamin Netanyahut.

“Këto projekte shkelin të drejtën ndërkombëtare, rrezikojnë zgjidhjen me dy shtete dhe nxisin tensionet”, tha Ministria e Jashtme zvicerane në platformën X.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, njoftoi së fundmi planet për të ndërtuar rreth 3,400 njësi banimi në zonën midis Jerusalemit Lindor dhe vendbanimit Maale Adumim, transmeton albinfo.ch.

Zona konsiderohet si një nga pikat më të ndjeshme në konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve. Zhvillimi i saj do ta ndante në mënyrë efektive Bregun Perëndimor në pjesë veriore dhe jugore dhe do ta bënte shumë më të vështirë, nëse jo të pamundur, krijimin e një territori të afërt për një shtet të ardhshëm palestinez.

Në vitin 1967, gjatë Luftës Gjashtëditore, Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, ndër zona të tjera, ku tani jetojnë më shumë se 700,000 kolonë hebrenj midis rreth 3 milionë palestinezëve. Sipas ligjit ndërkombëtar, vendbanimet atje janë të paligjshme.

Kosovë: KEDS-i shkyç bizneset, ZRRE-ja apelon për kontrata me kompani të licencuara

Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) në Kosovë ka bërë të ditur të shtunën se ka filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti, për shkak të përfundimit të afatit të përcaktuar që ato të lidhin marrëveshje me furnizues tjerë të energjisë.

Këtë paralajmërim e ka bërë më 13 gusht edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE), pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në të mirë të këtij institucioni, kur e ka shqyrtuar lëndën në të cilën është bërë kërkesë për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Në treg të hapur kanë dalë 1.300 kompani me rreth 10 mijë njehsorë.

ZRRE-ja i ka thënë të shtunën Radios Evropa e Lirë se deri më tash janë shkëputur 600 njehsorë nga 1.400 në total që do t’i nënshtrohen këtij procesi.

Kjo Zyrë iu ka bërë thirrje bizneseve që të lidhin kontrata gjatë ditës së shtunë me kompanitë e licencuara për furnizim me energji, duke thënë se ato janë duke punuar.

KEDS-i ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se disa njehsorë do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjera fizikisht te kompanitë, dhe që tashmë janë mobilizuar ekipet në gjithë Kosovën.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Për të mos mbetur pa energji, bizneset janë furnizuar përkohësisht – në periudhën 1 qershor deri më 31 korrik – nga Korporata Energjetike e Kosovës, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.

Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tre të tjera janë në proces të licencimit.

Në mesin e tyre përfshihet edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe KEK-u.

Deri më 31 korrik, mbi 250 biznese private kanë nënshkruar kontratë me KESCO-n, ndërkohë që janë në pritje edhe dhjetëra kërkesa të tjera.

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë e kanë pranuar me shqetësim vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale.

Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se do ta vazhdojë betejën përmes mjeteve ligjore që i ka dispozicion.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka thënë të shtunën se pasojat e këtij vendimi do të jenë dramatike.

“Mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim të mëtejmë të qytetarëve”, ka thënë ajo përmes një reagimi publik, duke iu bërë thirrje institucioneve të vendit që të ndërhyjnë dhe ta ndalin këtë proces.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.

Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër./REL

Trump: Marrëveshja direkte e paqes në Ukrainë, më e përshtatshme sesa armëpushimi

Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur të shtunën, pak pas takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe bisedës telefonike me liderët e NATO-s, përfshirë edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se “mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës është që të shkohet menjëherë drejt marrëveshjes së paqes”.

Përmes një shkrimi në platformën “Truth Social”, Trump ka thënë se kjo do t’i jepte fund luftës dhe do të ishte më thelbësore sesa “marrëveshja për armëpushim”.

Ai ka shtuar ndër të tjera se “ka pasur një ditë të shkëlqyeshme dhe tepër të suksesshme në Alaskë”.

Krahas kësaj, Trump ka konfirmuar po ashtu takimin me Zelenskyn, i cili do të udhëtojë të hënën për në Washington DC, ka shkruar BBC, përcjell albinfo.ch.

“Nëse gjithçka funksionon si duhet, atëherë do të planifikojmë një takim me presidentin Putin. Potencialisht, miliona jetë njerëzish mund të shpëtohen”, ka deklaruar Trump.

Melania Trump i dërgon letër Putinit për fëmijët ukrainas

Bashkëshortja e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Melania Trump ngriti çështjen e gjendjes së vështirë të fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi në një letër personale drejtuar presidentit rus ,Vladimir Putin, thanë sot dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, sipas “Reuters”.

Presidenti Trump ia dorëzoi letrën homologut të tij, Putinit – gjatë bisedimeve të tyre në samitin e Alaskë, thanë zyrtarët.

Melania Trump, e lindur në Slloveni, nuk ishte në udhëtimin e presidentit Trump drejt Alaskës.

Ekzistenca e letrës nuk ishte raportuar më parë.

Rrëmbimi i fëmijëve ukrainas nga Rusia ka qenë një çështje thellësisht e ndjeshme për Ukrainën.

Ukraina i ka quajtur rrëmbimet e dhjetëra mijëra fëmijëve të saj të çuar në Rusi ose në territorin e pushtuar nga Rusia pa pëlqimin e familjes ose kujdestarëve – një krim lufte që përmbush përkufizimin e gjenocidit të traktatit të OKB-së.

Më herët, Moska tha se i kishte mbrojtur fëmijët e cenueshëm nga një zonë lufte.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha se Rusia u ka shkaktuar vuajtje miliona fëmijëve ukrainas dhe ka shkelur të drejtat e tyre – që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Trump dhe Putini u takuan për gati tre orë në një bazë ushtarake amerikane, në Anchorage pa arritur një marrëveshje armëpushimi në luftën në Ukrainë.

Granit Xhaka debuton si kapiten i Sunderlandit në Premierligë

Granit Xhaka, futbollisti shqiptar me karrierë të gjatë ndërkombëtare, do të mbajë për herë të parë shiritin e kapitenit të Sunderlandit në një ndeshje zyrtare, shkruan albinfo.ch.

Skuadra angleze do të përballet sot me West Hamin, në kuadër të javës së parë të Premierligës. Takimi pritet të fillojë nga ora 16:00 dhe do të jetë një sfidë e rëndësishme për ekipin e Xhakës.

Emërimi i tij si kapiten shihet si një hap i madh për rolin e tij në klub, duke treguar besimin e trajnerit dhe shokëve të skuadrës tek përvoja dhe lidershipi i tij në fushë. /Albinfo.ch

Mbi 6,400 kaprollë të vegjël të shpëtuar falë dronëve vullnetarë

Interesante dhe e vërtetë, në vitin 2025 u vendos një rekord i ri në Zvicër: mbi 6,400 kaprollë të vegjël u shpëtuan nga vullnetarët përpara se fushat të kositeshin, transmeton albinfo.ch.

Falë angazhimit të 722 ekipeve dhe përdorimit të dronëve me kamera termike, u shpëtuan gjithsej 6,451 kafshë, duke e tejkaluar rezultatin e vitit të kaluar, kur u shpëtuan 5,159 kafshë. Dronët fluturuan mbi 62,693 hektarë, 20,000 më shumë se në vitin 2024.

Kaprollët e fshehur në barin e gjatë janë të rrezikuar çdo vit nga makineritë bujqësore. Shoqata Salvataggio Caprioleto vlerëson se të paktën 1,500 kafshë humbin jetën, ndërsa numri real mund të jetë edhe më i lartë.

Pranvera e butë ka favorizuar fluturimet e dronëve dhe rritjen e këlyshëve në livadhe. Qëndrimi i tyre i palëvizshëm në bar, si strategji mbrojtjeje ndaj grabitqarëve, i ekspozon ata ndaj rrezikut nga makineritë e kositjes, duke e bërë ndërhyrjen e vullnetarëve të domosdoshme.

Migros feston 100 vjet

Më 15 gusht 1925, Gottlieb Duttweiler themeloi Migros, duke sjellë një revolucion në tregun zviceran: shitjen direkte te konsumatorët me çmime deri në 40% më të ulëta se konkurrenca. Fillimisht, pesë kamionë me gjashtë produkte të thjeshta, sheqer, sapun, oriz, kafe, makarona dhe yndyrë kokosi nisën rrugën nga Cyrihu drejt dyqaneve, përcjell albinfo.ch.

Pas sfidave të hershme dhe bojkotimeve nga furnizuesit, Duttweiler prodhoi vetë artikujt e Migros, duke vendosur themelet e një kooperative që do të shndërrohej në simbol kombëtar. Në vitin 1946 u hap dyqani i parë i vetëshërbimit në Cyrih, i pari në Evropë, ndërsa në vitet ’50 dhe ’60 Migros u rrit si një gjigant i shitjes me pakicë dhe model i kapitalizmit social, duke ofruar shërbime kulturore, trajnime dhe kujdes për komunitetin.

Migros feston 100-vjetorin me 1.3 milion trëndafila për klientët

 

Në Ticino, kooperativa rajonale e parë u krijua në 1933, duke përhapur filozofinë e çmimeve të përballueshme dhe qasje gjithëpërfshirëse. Sot, Migros ka rreth 98,000 punonjës, 2.3 milionë anëtarë kooperativë dhe të ardhura vjetore prej rreth 32.5 miliardë CHF.

Viti 2024 shënoi një rikthim në rrënjët e kompanisë nën CEO-n Mario Irminger, me fokus tek shitja me pakicë, shërbimet financiare dhe kujdesi shëndetësor, duke shitur ose mbyllur markat e specializuara dhe duke ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike.

Mësimi po fillon në Zvicër, ja sa fitojnë mësuesit

Pushimet verore përfunduan këtë javë për shumicën e kantoneve zvicerane, duke shënuar fillimin e një tjetër viti shkollor. Për mësuesit, kjo do të thotë: koha për t’u marrë me punë, por jo të gjithë ata fitojnë të njëjtën pagë, transmeton albinfo.ch.

Në Zvicër, mësuesit janë të punësuar nga kantonet ose komunat e tyre, dhe pagat e tyre publikohen në mënyrë transparente. Sipas të dhënave të Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Arsimit dhe departamenteve të arsimit kantonal, ka dallime të mëdha midis kantoneve, shkruan albinfo.ch.

Kantoni i Cyrihut kryeson

Mësuesit e shkollave fillore në Cyrih fitojnë më shumë: paga maksimale arrin në 152,569 CHF në vit (12,714 CHF në muaj, duke përfshirë pagën e 13-të mujore). Pas tij renditen Basel-Stadt me 137,491 CHF dhe Gjeneva me 135,713 CHF.

Nga ana tjetër, kantonet me pagat më të ulëta janë Obwalden (113,659 CHF), Neuchâtel (114,195 CHF) dhe Nidwalden (114,686 CHF). Diferencat mund të arrijnë deri në 40,000 CHF në vit midis kantoneve më të pasura dhe më të varfra.

Paga fillestare vs. paga maksimale

• Paga fillestare (Einstieg) tregon sa merr një mësues i ri me normë pune të plotë.

• Paga maksimale (Maximallohn) është shuma më e lartë që mund të arrijë një mësues pas viteve të përvojës dhe ngritjeve në karrierë.

Shembuj të tjerë:

• Graubünden: 75,504 CHF fillestare, 116,276 CHF maksimale

• Zürich: 98,915 CHF fillestare, 152,569 CHF maksimale

Këto shifra tregojnë se kantonet kanë autonomi të madhe për të përcaktuar pagat e mësuesve dhe dallimet rajonale janë të dukshme. Një mësues i ri mund të fillojë me pagë më të ulët ose më të lartë, por me përvojë, diferencat mund të ngushtohen ose të zgjerojnë.

Për më shumë – https://www.blick.ch/wirtschaft/mega-unterschiede-je-nach-kanton-so-viel-verdient-der-lehrer-deines-kindes-id21142356.html 

FSK-ja pajiset me autoblinda të reja nga SHBA-ja, rriten kapacitetet mbrojtëse të Kosovës

Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me autoblinda të reja, të blera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e përpjekjeve për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi këtë furnizim si një dëshmi të re të partneritetit të palëkundur me SHBA-në, ndërsa theksoi se ushtria e Kosovës do të vazhdojë të zhvillohet sipas modelit amerikan, si në trajnime ashtu edhe në doktrinë ushtarake.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u shpreh se FSK-ja po përparon me ritme dinamike, duke u pajisur me teknologji dhe mjete të avancuara që mundësojnë përmbushjen e misionit kushtetues. Ai tha se transformimi i FSK-së në një forcë profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e SHBA-së, të cilën e quajti partner strategjik dhe të pazëvendësueshëm. Maqedonci konfirmoi gjithashtu përkushtimin e Kosovës për të pasur sisteme armatimi të përputhshme me standardet e NATO-s.

Kosova nuk ka bërë të ditur numrin e autoblindave të reja, por vendi ka qenë vazhdimisht aktiv në blerjen e pajisjeve ushtarake nga SHBA-ja. Përveç furnizimeve të mëparshme me automjete të tipit Humvee dhe ASV, vitin e kaluar Kosova kërkoi blerjen e 200 raketave kundërajrore Javelin dhe është në proces të pagesës. Buxheti i mbrojtjes për këtë vit është rritur në 207.8 milionë euro, ndërsa transformimi i FSK-së në ushtri të plotë është planifikuar të përfundojë brenda një dekade nga nisja e tij në vitin 2018.

Gjeneva dhe Brukseli do të marshojnë së bashku për drejtësi më 30 gusht

Të shtunën, më 30 gusht 2025, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, dy marshime paqësore do të zhvillohen njëkohësisht në Gjenevë dhe Bruksel.

Të quajtura “Marshimi për Drejtësi”, nën moton “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë” ato synojnë të nderojnë kujtimin e të zhdukurve me forcë dhe të shprehin solidaritet me familjet e tyre, të cilat shpesh presin me dekada dhe nuk marrin kurrë një përgjigjje për fatin e më të dashurve të tyre.

Përmes kësaj praktike, ato duan gjithashtu t’ua transmetojnë fëmijëve dhe të rinjve në mërgatë një pjesë të historisë së popullit shqiptar, në mënyrë që kujtimi i sprovave të përjetuara nga kombi i tyre të mbetet i gjallë dhe i ndarë ndër breza.

Në Gjenevë, tubimi është planifikuar për në orën 13:30 në Parc des Cropettes, me një nisje në orën 14:00 drejt Place des Nations nëpërmjet Rue de Montbrillant dhe Avenue de France. Me të mbërritur, pjesëmarrësit do të marrin pjesë në një ekspozitë të fotografive, dëshmi, fjalime dhe shfaqje artistike.

Në Bruksel, marshimi do të zhvillohet në të njëjtën kohë, duke ndjekur një itinerar simbolik nëpër zemër të kryeqytetit evropian. Hollësitë e këtij marshi do t’i sjellim këtyre ditëve.

Ky mobilizim i njëkohshëm lindi nga iniciativa e grave migrante shqiptare që jetojnë në Evropë, të vendosura për të bashkuar zërat e tyre për të denoncuar pandëshkueshmërinë dhe për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë për të gjitha viktimat, pavarësisht vendit apo konfliktit.

“Për sa kohë që i kujtojmë, ato jetojnë”, na kujtojnë organizatoret, duke i ftuar të gjithë të marrin pjesë, grupe të të rinjëve të veshur me kostume tradicionale në nderim të origjinës së tyre, duke mbajtur një foto të një viktime, një lule ose flamurin e vendit përkatës.

Informacion praktik 

Gjenevë: Vendndodhja e mbledhjes: Parc des Cropettes – 13:30 ➡ Itinerari: Rue de Montbrillant → Avenue de France → Place des Nations

Mbërritja: 14:45 – e shoqëruar nga fjalime, shfaqje artistike dhe një homazh

Marshim paqësor – pa slogane ose mesazhe të jashtme në kujtim të të zhdukurve. Duke bashkuar Gjenevën dhe Brukselin, ky veprim pasqyrues synon t’u dërgojë një mesazh të qartë institucioneve ndërkombëtare: zhdukja me forcë është një krim që nuk njeh kufij ose status kufizimi.

Evropianët dalin me deklaratë të përbashkët pas samitit Trump-Putin

Liderët kryesorë evropianë, përfshirë Emmanuel Macron, Giorgia Meloni, Friedrich Merz, Keir Starmer, Ursula von der Leyen dhe të tjerë, kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas takimit në Alaskë midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin. Samiti nuk prodhoi marrëveshje për armëpushim apo paqe, përcjell albinfo.ch.

Në deklaratë, liderët evropianë mirëpresin përpjekjet e Trumpit për të ndaluar luftimet në Ukrainë dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Ata theksojnë se Ukraina duhet të ketë garanci të forta sigurie, pa kufizime mbi forcat e saj të armatosura, dhe se Rusia nuk ka të drejtë vetoje mbi aspiratat e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Evropianët shprehen gatishmërinë për të bashkëpunuar me Trumpin dhe Zelenskyn për një samit trepalësh, duke siguruar mbështetje të palëkundur për Ukrainën dhe duke rritur presionin mbi Rusinë përmes sanksioneve dhe masave ekonomike deri në arritjen e një paqeje të drejtë.

KQZ: Votuesit me postë nuk mund të votojnë edhe në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjithë shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar me postë nga jashtë vendit, do të largohen nga listat e votuesve brenda Kosovës. Emri i tyre do të figurojë vetëm në listën e votuesve jashtë vendit, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se kjo është një kërkesë ligjore dhe votuesit informohen individualisht për këtë procedurë. Ai sqaroi se ata që duan të rikthehen në listat e votuesve brenda Kosovës, mund të paraqesin kërkesë deri 24 orë para mbylljes së afatit për kundërshtimin e listave.

Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka nisur më 23 korrik dhe do të zgjasë deri më 29 gusht 2025. Votimi me postë do të zhvillohet nga 17 shtatori deri më 11 tetor. Në këto zgjedhje qytetarët jashtë vendit nuk do të kenë mundësi të votojnë nëpër përfaqësitë diplomatike, por vetëm përmes postës.

Zvicra shpallet për të 8-in vit radhazi vendi më inovativ i Evropës

Zvicra është renditur sërish në krye të listës së vendeve më inovative të Evropës për vitin 2025, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian. Ky është viti i tetë me radhë që vendi mban epërsinë në këtë fushë, duke dëshmuar stabilitet dhe vazhdimësi në politikën e inovacionit, transmeton albinfo.ch. 

Suksesi i Zvicrës i atribuohet kombinimit të kërkimeve shkencore të përparuara, investimeve në arsim dhe teknologji, si dhe partneriteteve të forta mes sektorit publik dhe atij privat. Këto elemente e bëjnë sistemin zviceran një model të qëndrueshëm për nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes inovacionit.

Ekspertët theksojnë se ky pozicionim e forcon reputacionin e Zvicrës si një prej qendrave kryesore globale për shkencën, teknologjinë dhe zhvillimin e ideve të reja.

Kupa e Zvicrës: A do të shkruajë histori FC Dardania Lausanne kundër Servette?

Skuadra shqiptare FC Dardania Lausanne, e sapo ngjitur në Ligën e 2-të regjjonale, nesër do të përjetojë një moment historik: përballjen me gjigantin e Superligës zvicerane, Servette FC, në kuadër të Kupës së Zvicrës. Ndeshja zhvillohet nga ora 15:30 në Lozanë dhe përbën një sfidë të jashtëzakonshme për klubin shqiptar, i cili mat forcat me një kundërshtar katër kategori më lart.

“Është vërtet fantastike”, thotë trajneri Marcos Carballo, i cili në shkurt mori drejtimin e ekipit dhe e udhëhoqi drejt një sezoni të paharrueshëm. Nën drejtimin e tij, Dardania fitoi kampionatin e Ligës së 2-të, siguroi ngjitjen në Ligën e 2-të ndër-rajonale dhe, mbi të gjitha, triumfoi në Kupën e Vaud-it – sukses që i hapi dyert për pjesëmarrjen historike në Kupën e Zvicrës.

Nga ana tjetër, Servette, një klub me traditë të gjatë dhe i angazhuar në arenën evropiane pritet të vijë me një skuadër të alternuar. Por kjo nuk ia zbeh emocionin Dardanisë.
“Nuk ka rëndësi si do të paraqiten. Servette mbetet një klub i Superligës dhe është privilegj i madh që vjen të luajë një ndeshje zyrtare tek ne”, thekson Carballo.

Pas largimit të disa lojtarëve kyç, Dardania ka nisur një fazë ristrukturimi, me synimin për t’u stabilizuar në Ligën e 2-të regjjonale. Por nesër, e gjithë vëmendja është te dueli i madh në Kupën e Zvicrës.

𝙳𝚊𝚛𝚍𝚊𝚗𝚒𝚊 𝙻𝚂 – 𝙵𝙲 𝚂𝚎𝚛𝚟𝚎𝚝𝚝𝚎
𝙳𝚒𝚖𝚊𝚗𝚌𝚑𝚎 𝟷𝟽 𝚊𝚘û𝚝 𝟸𝟶𝟸𝟻
𝙲𝚘𝚞𝚙 𝚍’𝚎𝚗𝚟𝚘𝚒 𝚊̀ 𝟷𝟻:𝟹𝟶
𝙲𝚎𝚗𝚝𝚛𝚎 𝚂𝚙𝚘𝚛𝚝𝚒𝚏 𝚍𝚎 𝙲𝚑𝚊𝚟𝚊𝚗𝚗𝚎𝚜

QKUK pajiset për herë të parë me aparatura për ngrohjen e gjakut falë komunitetit shqiptar në Cyrih

Për herë të parë, Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së janë pajisur me aparatura të specializuara për ngrohjen e gjakut dhe lëngjeve trupore (blood warmer), mjete të domosdoshme për një transfuzion të sigurt dhe efikas, përcjell albinfo.ch.

Donacioni është realizuar nga organizata joqeveritare “Cicat”, me seli në Cyrih, e cila u përkujdes që këto aparatura jetike t’i bëhen pjesë e praktikës së përditshme në mjekimin e pacientëve.

Kryetarja e OJQ-së, Ermire, theksoi se deri më sot, mjekët në QKUK shpesh janë detyruar të përdorin metoda alternative në mungesë të aparaturave adekuate.

“Deri më tani, në raste të veçanta është përdorur mbajtja e qeseve me gjak pranë trupit për t’i ngrohur, gjë që e vështirësonte shumë punën e mjekëve. Sot dhuruam katër Blood Warmers,  dy për Klinikën Onkologjike dhe dy për Emergjencën,  si dhe pesë karroca për bartjen e barnave, me shpresën dhe zotimin se këto nuk do të jenë donacionet e fundit,” deklaroi ajo.

Donacioni u bë i mundur falë Festivalit “Shliroj Cicat”, mbajtur në tetor 2024, ku artistët realizuan piktura gjatë tri ditëve të rezidencës. 

Zelensky: Bisedova gjatë me Trump, takim në Washington të hënën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me Presidentin Donald Trump pas samitit në Alaskë, një bisedë që përfshiu më shumë se një orë diskutime dypalëshe dhe më pas u zgjerua me pjesëmarrjen e liderëve evropianë të vendeve të NATO-s, përcjell albinfo.ch.

“E nisëm me bisedime një për një përpara se të ftonim liderët evropianë të bashkoheshin. Kjo telefonatë zgjati më shumë se një orë e gjysmë, përfshirë rreth një orë të bisedës sonë dypalëshe me Presidentin Trump,” tha Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se Ukraina mbetet e gatshme të punojë me përkushtim maksimal për arritjen e paqes, ndërsa Trump e informoi atë mbi takimin me Presidentin rus Vladimir Putin dhe pikat kyçe të diskutimit.

Zelensky përshëndeti propozimin e Trump për një takim trepalësh midis Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, duke thënë se “formati trepalësh është i përshtatshëm” dhe se “çështjet kyçe mund të diskutohen në nivelin e liderëve”.

Kreu i shtetit ukrainas njoftoi gjithashtu se të hënën do të zhvillojë një takim ballë për ballë me Trump në Washington, D.C., ku do të diskutohen në detaje mënyrat për t’i dhënë fund luftës dhe vrasjeve në Ukrainë.

Zelensky nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së vendeve evropiane në të gjitha fazat e procesit, për të garantuar siguri të besueshme në bashkëpunim me SHBA-në. Ai shtoi se janë diskutuar edhe sinjale pozitive nga pala amerikane për përfshirje në garantimin e sigurisë së Ukrainës.

“Vazhdojmë të koordinojmë qëndrimet me të gjithë partnerët. Falënderoj të gjithë ata që po ndihmojnë,” përmbylli deklaratën e tij Presidenti Zelensky.

Përmbledhje nga samiti i Trump dhe Putin në Alaska

Me avionë luftarakë, një qilim të kuq dhe një slogan shpresëdhënës,  ” Në kërkim të Paqes”,  të ngjitur në mur, Presidenti Donald Trump mirëpriti homologun e tij rus Vladimir Putin në një samit në Alaska të premten, rezultatet e të cilit mbetën krejtësisht të paqarta pasi përfundoi papritur, përcjell albinfo.ch.

Pas një takimi gati tre orësh, të dy burrat dolën për të shpallur përparimin. Por ata dolën nga konferenca e tyre e planifikuar për shtyp pa shpjeguar se çfarë saktësisht kishin arritur.

Një gjë ishte e qartë: Nuk u arrit asnjë marrëveshje. Dhe armëpushimi që Trump tha se donte të zbatohej kur të mbaronte samiti ishte larg të bëhej realitet, pasi ai gjithnjë e më shumë ia vuri barrën Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të “arritur një marrëveshje”.

“Kishte shumë, shumë pika për të cilat ramë dakord,  shumicën e tyre, do të thoja”, tha Trump në konferencën për shtyp, duke folur pas Putinit. “Disa pika të rëndësishme që nuk i kemi zgjidhur ende, por kemi bërë disa përparime.”

“Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një të tillë”, deklaroi Trump.

Ai dhe Putini u larguan nga skena pa iu përgjigjur pyetjeve.

Ishte një fund i papërfunduar i një samiti të dukshëm që  pavarësisht të gjitha të panjohurave të tij  dukej se e mirëpriti vendosmërisht Putinin përsëri në radhët diplomatike.

Megjithatë, pavarësisht gjithë pompozitetit dhe protokollit, indikacionet se sa e vështirë do të jetë detyra e Trump ishin të dukshme që nga momenti që filloi takimi, shkruan CNN.

Pikërisht ndërsa presidentët po përshëndeteshin me njëri-tjetrin në pistën e Bazës Ajrore Elmendorf, në Ukrainë u dhanë alarme për dronë dhe avionë luftarakë rusë që po vinin  një shenjë e qëllimit të Putinit për të vazhduar luftën e tij, edhe pse Trump po e zbukuronte me shenja respekti në tokën amerikane.

Ja disa nga përfundimet kryesore nga samiti i së premtes në Anchorage:

Progres, por jo marrëveshje

Si Trump ashtu edhe Putin ofruan një përshkrim të paqartë të një takimi që zgjati me orë të tëra.

“Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe u ra dakord për shumë pika”, u tha Trump gazetarëve. “Kanë mbetur vetëm disa. Disa nuk janë aq të rëndësishme. Njëra është ndoshta më e rëndësishmja, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje. Nuk arritëm atje, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje.”

Në një intervistë menjëherë pas samitit, Trump u pyet nga Sean Hannity i Fox News rreth lëshimeve territoriale që do t’i jepnin Rusisë tokë që nuk e kishte më parë dhe rreth garancive të mundshme të sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën.

“Epo, mendoj se këto janë pika që i kemi negociuar dhe këto janë pika për të cilat kemi rënë dakord kryesisht”, tha Trump pa dhënë hollësi.

Ai theksoi se Ukraina “duhet të bjerë dakord me këtë”. I pyetur se cila ishte këshilla e tij për Zelenskyn, Trump u përgjigj: “Duhet të bëhet një marrëveshje”.

Në prag të bisedimeve, ishte gjithmonë më e qartë se si do të dukej një rezultat i pasuksesshëm sesa një i suksesshëm. Trump ishte zotuar të “largohej” nëse nuk i pëlqente ajo që po thoshte Putini, kërcënoi se do ta ulte rangun e konferencës së përbashkët për shtyp në një paraqitje solo dhe tha se pasojat “e rënda” do të vinin për Moskën nëse lufta nuk do të mbaronte.

Por, ndërsa fluturonte për në Anchorage, Trump tha se nuk e dinte se si do të dukej suksesi  duke sugjeruar se do ta njihte atë kur ta shihte.

Rezulton se suksesi ishte po aq i vështirë për t’u identifikuar pas samitit sa ishte kur ai filloi.

Në intervistën e tij për Fox, Trump tha se si Putini ashtu edhe Zelensky e duan atë në një takim të dytë të mundshëm — të cilin ai e kishte thënë para samitit se do të ishte objektivi i tij përfundimtar.

“Të dy më duan atje, dhe unë do të jem atje”, i tha ai Hannity-t.

Trump nuk tha asgjë në lidhje me perspektivën e një takimi trepalësh në konferencën për shtyp, duke lënë të kuptohet vetëm se do të telefononte me “njerëzit e ndryshëm që mendoj se janë të përshtatshëm”,  përfshirë Zelenskyn  për t’i përditësuar ata mbi bisedimet.

Por i vetmi takim i ardhshëm i përmendur gjatë paraqitjes së përbashkët të Trump dhe Putin ishte një vazhdim i mundshëm i tij me udhëheqësin rus.

“Do të flasim me ju shumë shpejt dhe ndoshta do të shihemi përsëri shumë shpejt”, tha Trump.

“Herën tjetër në Moskë”, u përgjigj Putini në anglisht  një sugjerim që duket se e përjashton Zelenskyn nga diskutimi.

Pas takimit me Putinin, Trump zhvillon një telefonatë të gjatë me Zelenskyn

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pati një bisedë të gjatë me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fluturimit të tij për t’u kthyer nga Alaska, përcjell albinfo.ch.

Trump mbërriti në Bazën e Përbashkët Andrews në Maryland menjëherë pas orës 2 të mëngjesit sipas kohës lindore, pasi përfundoi samiti i tij me Presidentin rus Vladimir Putin.

Presidenti e kaloi pjesën më të madhe të fluturimit gjashtëorësh në telefon, sipas Sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Pas telefonatës me Zelenskyn, Trump foli me NATO-n, tha ajo.

Përditësimi vjen pak minuta pasi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS tha se nuk kishte diskutime midis Trump dhe Putin mbrëmë në lidhje me një samit tjetër që përfshinte presidentin ukrainas.

Gjatë konferencës së tij të përbashkët për shtyp me Putinin, pas takimit të tyre dy orë e gjysmë, Trump u zotua të zhvillojë telefonata si me Zelenskyn ashtu edhe me zyrtarët e NATO-s.

” Sigurisht që do ta telefonoj Presidentin tonë Zelensky dhe do t’i tregoj për takimin e sotëm”, tha Trump gjatë konferencës.

Zyra e Zelensky konfirmoi se ai kishte folur me Trump të shtunën në mëngjes.

Putin thotë se takimi me Trump ”ka qenë i vonuar”

Presidenti rus i filloi deklaratën e tij në konferencën për shtyp duke pranuar se marrëdhëniet SHBA-Rusi kanë vuajtur vitet e fundit, përcjell albinfo.ch.

” Dihet që nuk ka pasur samite midis Rusisë dhe SHBA-së për katër vjet, dhe kjo është një kohë e gjatë. Kjo kohë ishte shumë e vështirë për marrëdhëniet dypalëshe. Dhe të jemi të sinqertë, ato kanë rënë në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Mendoj se kjo nuk po u sjell dobi vendeve tona dhe botës në tërësi “, tha ai, raporton CNN.

” Një takim personal midis krerëve të shteteve ka qenë i vonuar shumë “, shtoi ai.

Alarm i rremë për bombë në Aeroportin e Shkupit, fluturimet rifillojnë pas kontrolleve

Raportohet se sot (16.08.2025), në orën 02:41, në numrin e urgjencës 112 është marrë një njoftim për një bombë të vendosur në një aeroplan që nga “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit” duhej të nisej për në Turqi, përcjell albinfo.ch.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit u ndërmorën veprimet e duhura dhe u kryen kontrollet e nevojshme nga njësia antiterror e MPB-së, ku u konstatua se bëhej fjalë për një alarm të rremë dhe se nuk kishte asnjë mjet shpërthyes.

Rreth orës 06:00, aeroporti rifilloi punën e rregullt.

Dy orë pritje në dalje të pikës Mërdarë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se nuk ka pritje të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë, ndërkohë, në dalje, pritjet janë deri në 2 orë pritje në pikën Merdarë, shkruan albinfo.ch.

Pritjet vijojnë edhe në pikën Jarinje, Mutivodë dhe Dheu i Bardhë deri në 1 orë.

Në pikat tjera nuk raportohen pritje. /Albinfo.ch

Cilët shtetas të huaj nuk kanë të drejtë për shtetësi të dyfishtë në Zvicër?

Zvicra u lejon qytetarëve të saj të kenë shtetësi të dyfishtë, por një numër vendesh në botë nuk e bëjnë këtë, që do të thotë se ata që bëhen zviceranë duhet të heqin dorë nga shtetësia e tyre origjinale.

Qytetarëve zviceranë u lejohet të fitojnë një shtetësi tjetër – ose në fakt shtetësi të shumëfishta dhe të huajt që natyralizohen në Zvicër mund ta mbajnë atë origjinale, me kusht që legjislacioni në shtetin tjetër të mos kërkojë që ata të heqin dorë nga shtetësia e tyre e origjinës.

Aktualisht, pak më shumë se 1 milion njerëz në Zvicër (rreth 19 përqind e popullsisë) janë shtetas të dyfishtë – kjo do të përfshinte të huajt që kanë fituar shtetësinë zvicerane dhe njerëzit e lindur në Zvicër që kanë gjithashtu një pasaportë për një vend tjetër.

Përfitimi më i dukshëm i shtetësisë së dyfishtë është mundësia për të jetuar ose për të kaluar kohë të pakufizuar në të dy vendet, pa pasur nevojë të heqin dorë nga ndonjë e drejtë në asnjërin. Mund të përfshijë edhe mundësinë për të votuar, megjithëse disa vende kufizojnë të drejtat e votimit të qytetarëve të tyre jo-rezidentë.

Kur bëhet fjalë për amerikanët, një numër prej tyre zgjedhin të heqin dorë nga shtetësia e tyre amerikane për të shmangur rregullat e ndërlikuara të taksimit të bazuara në shtetësi për amerikanët.

Kush nuk mund të ketë më shumë se një shtetësi në Zvicër?

Ekzistojnë një sërë vendesh që ndalojnë shtetësinë e dyfishtë,  kjo nuk është specifike për Zvicrën, njerëzit nga një prej këtyre vendeve do të duhet të heqin dorë nga shtetësia e tyre e çdo vendi tjetër.

Ka shumë arsye për këto kufizime.

Sipas konsulencës Henley & Partners, e specializuar në vendbanim dhe shtetësi, “vendet që ndalojnë shtetësinë e dyfishtë e bëjnë këtë për një sërë arsyesh të rrënjosura në shqetësimet mbi identitetin kombëtar, qeverisjen dhe qartësinë ligjore. Ndërsa arsyetimi ndryshon në rajone dhe sisteme politike, fija e përbashkët është dëshira për të ruajtur një besnikëri të vetme midis individit dhe shtetit.”

Megjithatë, disa vende që në përgjithësi ndalojnë shtetësinë e dyfishtë do të bëjnë përjashtime në raste specifike, kështu që ia vlen të kontrolloni me ambasadën tuaj në lidhje me rregullat më të fundit dhe përjashtimet e mundshme, transmeton albinfo.ch.

Vendet që lejojnë shtetësinë e dyfishtë tregohen me të gjelbër në këtë hartë, ndërsa ato që e kufizojnë atë janë me të kuqe.

Vendet e mëposhtme nuk e njohin shtetësinë e dyfishtë:

Andorra, Azerbajxhani, Bahamasi, Bahreini, Bjellorusia, Botsvana, Butani, Kina, Kuba, Kongo, Xhibuti, Etiopia, Haiti, India, Indonezia, Irani, Japonia, Kazakistani, Kuvajti, Kirgistani, Laosi, Makao, Malajzia, Ishujt Marshall, Mikronezi, Monako, Mongolia, Mozambiku, Myanmari, Nepali, Koreja e Veriut, Omani, Papua Guinea e Re, Katari, San Marino, Arabia Saudite, Singapori, Sllovakia, Ishujt Solomon, Svazilandi, Taxhikistani, Tajlanda, Tonga, Turkmenistani, Uzbekistani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Venezuela, Vietnami, Jemeni, Zimbabveja.

Kjo do të thotë që nëse jeni shtetas i njërit prej këtyre vendeve dhe bëheni zviceran, do të duhet të hiqni dorë nga pasaporta juaj tjetër, shkruan thelocal.