“Mirror”: Shqipëria, parajsa për adhuruesit e diellit

E bekuar me një klimë mesdhetare dhe temperatura të ngrohta që arrijnë deri në 30 gradë Celsius, Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e diellit, shkruan Milo Boyd në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Kompania ajrore “Wizz Air” ka lançuar një itinerar të ri, duke lidhur Britaninë e Madhe me destinacionin e ri evropian të lirë dhe me diell.

Shqipëria është quajtur “Maldivet e Evropës” falë brigjeve të saj të pacënuara me rërë të bardhë dhe ujërave të kristalta që zbukurojnë Rivierën e saj spektakolare, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Me një numër në rritje të pushuesve që zbulojnë rajonin  kjo perlë ende ofron vlera të jashtëzakonshme krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Vizitorët mund të kënaqen me akomodime luksoze pa shtrënguar buxhetin e tyre, me apartamente buzë detit të disponueshme për vetëm 20 funte në natë.

Ushqimi është i shijshëm dhe një vakt i bollshëm me pije, zakonisht kushton rreth 15 funte.

Falë një mori videosh në TikTok që shfaqin ujërat e saj të kristalta dhe rërën e bardhë të pastër, Shqipëria është bërë një pikë e nxehtë për pushuesit që kërkojnë një përvojë të ngjashme me ato në Maldive.

E bekuar me një klimë mesdhetare dhe temperatura verore që arrijnë deri në 30 gradë Celsius, Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e diellit.

Linja e re e “Wizz Air” lidh Aeroportin Gatwick të Londrës me Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë. Biletat më të lira kushtojnë vetëm 19,99 funte.

Nëse nuk jeni afër Aeroportin Gatwick të Londrës, atëherë “Ryanair” ofron gjithashtu fluturime për në Tiranë nga Birmingham, Bristol, Mançester, Edinburgu dhe Aeroporti Stansted i Londrës.

Shqipëria krenohet me koston e ulët të jetesës në Evropë, me dhoma hoteli në qendër të Tiranës që kushtojnë më pak se 30 funte, përfshirë mëngjesin.

Apartamentet buzë detit përgjatë bregdetit Adriatik janë edhe më të përballueshme. Një tjetër rrugë e përballueshme për në bregdetin e shkëlqyer të Shqipërisë është të fluturosh për në Korfuz dhe pastaj të hipësh në një traget për afërsisht 15 funte në çdo drejtim.

Ju mund të ngrini një kamping në Dhërmi, dhe të eksploroni një plazh të ri çdo ditë. Një drekë e këndshme buzë detit në zonë do të kushtojë vetëm rreth 10 funte për person.

Ekspertja e udhëtimeve, Laura Hewson, e cila eksploroi Shqipërinë vjeshtën e kaluar, ndau përvojën e saj.

“Në atë kohë, se bashku me shoqen time, Farrell Modd po planifikonim të shkonim në Kroaci. Por, një nga miqtë tanë që kishte qenë në Shqipëri tha se duhej të shkonim me patjetër. Ai tha se ishte si Greqia dhe Kroacia, por më e lirë dhe shumë më e bukur pasi nuk kishte dyndje turistësh”, tha Laura Hewson.

Ajo shtoi se në Shqipëri, mund të përballonin një hotel me katër yje,  me mëngjesin e përfshirë  me të njëjtin çmim që kishin paguar për qëndrimet në hostele në Itali dhe Spanjë.

Farrell Modd, zbuloi se rrjetet sociale kishin luajtur një rol në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacionin e tyre  duke shtuar se ajo ishte mahnitur nga videot ku shfaqeshin peizazhe magjepsëse nga vendi.

Farrell ishte e entuziazmuar kur zbuloi se vendi i vogël mesdhetar ofronte ujëra të pastra kristal dhe vendpushime të shumta për not  të gjitha me çmime miqësore me buxhetin për turistët.

Gjykata Kushtetuese me vendim për bllokadën në Kuvend

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës me votim të hapur, përcjell albinfo.ch.

Në vendim theksohet se deputetët nuk kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Gjithashtu, Kryesuesi i Seancës Konstituive nuk ka vepruar në përputhje me aktgjykimin dhe Kushtetutën e Kosovës, duke bërë që veprimet e tij të jenë të papajtueshme me ligjin themelor.

 

Vendimi i plotë

Njoftim për vendim në rastin KO193/25 dhe KO196/25

08.08.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 7 gusht 2025 vendosi lidhur me kërkesat KO193/25 dhe KO196/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së  “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.”, të parashtruar nga KO193/25, Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO196/25, Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

 

Gjykata, vendosi:

 

  1. TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme; 
  2. TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme; 
  3. TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me  Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; 
  4. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;  
  5. TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë; 
  6. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi; 
  7. TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi; 
  8. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve; 
  9. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; 
  10. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.

 

 

 

Vërejtje:

 

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org

Korriku, i treti më i nxehtë në histori

Korriku i këtij viti ishte i treti më i nxehtë i regjistruar në nivel global, sipas të dhënave të fundit nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S) i Bashkimit Evropian.

Muaji i kaluar ishte 0.27°C më i ftohtë se korriku më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në vitin 2023 dhe 0.23°C më i ftohtë se ai i 2024-ës, që ishte i dyti për nga nxehtësia.

Ai ishte gjithashtu 1.25°C mbi mesataren paraindustriale të periudhës 1850-1900 dhe është vetëm muaji i katërt në 25 vitet e fundit që nuk e kaloi pragun prej 1.5°C, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Gjatë korrikut, në Evropë pati zona ku vendet përjetuan temperatura rekord. Fennoskandia, një rajon gjeografik që përfshin Gadishullin Skandinav, Finlandën, Gadishullin Kola dhe Karelia, përjetoi temperaturat më të larta mbi mesataren në kontinentin e vjetër.

Një stacion meteorologjik në pjesën norvegjeze të Rrethit Arktik regjistroi temperatura mbi 30°C për 13 ditë në korrik. Instituti Meteorologjik Norvegjez tha se muaji i kaluar ishte i treti më i nxehtë i regjistruar në vend që nga viti 1901, me temperatura 2.8°C më të larta se mesatarja sezonale. Finlanda regjistroi tre javë rresht me temperatura mbi 30°C, me shkencëtarët që thanë se ishte periudha më e gjatë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1961 dhe 50 për qind më e gjatë se rekordi i mëparshëm.

Turqia gjithashtu vendosi një rekord kombëtar me temperaturën 50.5°C në Silopi, në juglindje, më 25 korrik. Ministria e Mjedisit tha se 132 stacione meteorologjike në të gjithë vendin kishin shënuar temperatura rekord gjatë muajit, disa deri në 12°C mbi mesataren.

Në Spanjë, nxehtësia ekstreme shkaktoi 1,060 vdekje të lidhura me temperaturat e larta gjatë korrikut, një rritje prej 57 për qind krahasuar me vitin 2024. Në korrik, Copernicus njoftoi se reshjet ishin mbi mesataren në pjesën më të madhe të Evropës Qendrore, në veri të Francës, në lindje të Mbretërisë së Bashkuar dhe në jug të Irlandës. Po ashtu, reshje të dendura pati edhe në disa rajone të Evropës Verilindore, në veri të Italisë dhe bregdetin verior të Adriatikut, si dhe në perëndim të Rusisë.

Reshjet intensive sollën përmbytje të rënda në jug të Francës dhe në Paris. Moti i keq në Itali shkaktoi rrëshqitje toke dhe pasoja të ndjeshme në Romë dhe rajonin e Piemontes në fillim të muajit. Po ashtu, Spanja u përball me përmbytje të mëdha pas reshjeve të stuhishme që goditën Katalonjën dhe veriulindjen e Spanjës në mes të korrikut. Shërbimi kombëtar meteorologjik njoftoi se rreth 10 centimetra shi ranë brenda pak orësh pranë Barcelonës.

Shqipëri: Shoferët me përvojë shkaktojnë më shumë aksidente

Shumica e aksidenteve rrugore që shkaktojnë plagosje dhe humbje jete në Shqipëri, kryhen nga shoferët me përvojë në drejtim e mjetit.

Sipas të dhënave të INSTAT, grupi i shoferëve me përvojën më të madhe, mbi 9 vjet zotërimi leje drejtimi, përbën pjesën më të madhe të aksidenteve me 925 të plagosur në 2024, nga 632 në 2023, teksa viktimat kanë rënë lehtë, nga 82 në 2023 në 73 në 2024.

Kjo kategori e drejtuesve të mjeteve, shkaktoi 44 për qind të plagosjeve në aksidentet rrugore gjatë vitit të kaluar dhe 42 për qind të viktimave, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat më të fundit mbi aksidentet rrugore në Shqipëri, tregojnë një rritje të ndjeshme të numrit të të plagosurve dhe të vdekurve për vitin 2024, sidomos në rastet kur drejtuesit janë pa leje drejtimi, të mitur apo janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në kategorinë “Pa leje drejtimi”, në vitin 2024 u regjistruan 99 të plagosur, një rritje me 29% krahasuar me vitin 2023 (77 të plagosur).

Numri i të vdekurve në këtë kategori u rrit nga 12 në vitin 2023 në 20 në 2024, një rritje prej 66.6%, duke treguar një përkeqësim në pasojat e shkaktuara nga personat që drejtojnë pa leje drejtimi.

Ndërkohë, një tjetër grup shqetësues janë drejtuesit nën moshën 18-vjeç, përkatësisht në grup-moshën 0-3 vjet përvojë drejtimi, që zakonisht përfshin edhe drejtuesit e mitur.

Në vitin 2024, ata shkaktuan 391 të plagosur (nga 284 në 2023), me një rritje mbi 37%, ndërkohë që numri i viktimave mbeti thuajse i njëjtë nga 36 në 2023, dhe 35 në 2024.

Për grup-moshat me 3 – 6 vjet përvojë drejtimi, shifrat janë disi më të stabilizuara, nga 236 të plagosur në 2023, në 300 në 2024, ndërsa viktimat ranë nga 25 në 18.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit me 6 – 9 vjet përvojë drejtimi shkaktuan 326 të plagosur në 2024, një rritje krahasuar me 277 në 2023, por me një ulje të viktimave nga 34 në 24.

Një tjetër shifër shqetësuese është rritja e rasteve kur drejtuesit janë larguar nga vendi i ngjarjes, pas një aksidenti. Nga 33 të plagosur dhe 3 viktima në 2023, në 39 të plagosur dhe 5 viktima në 2024.

Të dhëna sinjalizojnë se ka rënë vëmendja për kontrolle më të forta policore, ndëshkime më të rënda për drejtimin pa leje si për drejtuesit e papërgjegjshëm.

Aksidentet rrugore janë ende një shkaktar i madh i vdekjeve, sidomos në grup-mosha e reja dhe dëmtimin e rënde te një pjesë tjetër që kërkon kujdes shëndetësor gjithë jetën.

Pakënaqësi dhe pasiguri në Gjermani për drejtimin ekonomik të Merz

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon ta bombardojë botën me tarifat e tij doganore, që pjesërisht janë edhe drastike. Ai ra dakord me BE-në që Evropa duhet të paguajë një tarifë doganore prej 15 përqind për mallra të caktuara që eksportohen nga BE-ja në Shtetet e Bashkuara, shkruan DW, përcjell albinfo.ch.

Kurse mallrat SHBA-ja që eksportohen në BE janë të përjashtuara nga tarifat doganore. Kjo marrëveshje me Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, është shumë e diskutueshme dhe ka bërë bujë në media.

Sipas anketimit të zhvilluar nga media publike gjermane, ARD, për emisionin “Deutschlandtrend” gjermanët vazhdojnë të jenë të shqetësuar për stabilitetin ekonomik për shkak të politikave shpesh konfuze të tarifave doganore të presidentit Trump.

65 përqind e gjermanëve janë të shqetësuar ose shumë të shqetësuar, dhe vetëm 5 përqind nuk janë aspak të shqetësuar. Krahasuar me anketën e mëparshme në këtë anketë pati më pak njerëz që u shprehën të shqetësuar. Kjo ka të bëjë sigurisht edhe me politikën e luhatshme të Trumpit.

Pak besim te kancelari i ri

Që para zgjedhjes së tij Friedrich Merzkishte arritur që parlamenti, Bundestagu, të ndryshonte politikën për frenimin e borxhit të Gjermanisë, e cila ishte e ngurtë. Gjatë viteve të ardhshme do të vihen në dispozicion 500 miliardë euro për përmirësimin e hekurudhave, rrugëve dhe për shkolla më të mira. Thuajse e njëjta shumë parash do të përdoret për riarmatimin e Bundeswehr-it.

lg.php.gif

Kjo përbën një largim të qartë nga premtimi i fushatës zgjedhore të konservatorëve për të mos marrë kredi të reja. A e ka dëmtuar kjo imazhin e kancelarit të ri? Sipas sondazhit për emisionin “Deutschlandtrend” vetëm 26 përqind e të anketuarve mendojnë sot se Merz është një person të cilit mund t’i besojnë. Kjo shifër është tre përqind më e ulët se sondazhi i zhvilluar në muajin shkurt.

Për emisionin aktual ARD-Deutschlandtrend instituti i hulumtimit të opinionit publik infratest-dimap anketoi 1,321 qytetarë të përzgjedhur në mënyrë përfaqësuese në periudhën 4 deri më 6 gusht të këtij viti.

Ky shtet realizon film për sulmin në Banjskë, së shpejti premiera

Turqia ka finalizuar prodhimin e një filmi që trajton një nga ngjarjet më tronditëse dhe të ndjeshme të viteve të fundit në Kosovë , sulmin terrorist në Banjskë, të kryer nga grupe paramilitare serbe më 24 shtator 2023, transmeton albinfo.ch. 

Filmi, me titull “Në Errësirën e Diellit – Kosova”, do të shfaqet premierë më 5 shtator 2025 në kinematë e Turqisë dhe më pas pritet të publikohet edhe në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit.

Ky projekt kinematografik është rezultat i bashkëpunimit mes profesionistëve të njohur turq të industrisë së filmit dhe synon të ofrojë një rrëfim dramatik, emocional dhe vizualisht të fuqishëm mbi ngjarjen që tronditi jo vetëm opinionin publik kosovar, por edhe më gjerë.

Detajet për kastën dhe skenarin mbeten të konfidenciale, megjithatë është bërë me dije se filmi do të përqendrohet në historitë njerëzore brenda ngjarjes, pasojat shoqërore dhe politike, si dhe mesazhin për qëndresë dhe drejtësi.

Ky është një prej filmave të parë ndërkombëtarë që trajton drejtpërdrejt një ngjarje kaq të afërt dhe të dhimbshme për Kosovën, duke shënuar një kapitull të ri në mënyrën se si arti dhe kinematografia reflektojnë mbi konfliktet dhe traumën kolektive.

Pse turbulencat gjatë fluturimeve po bëhen më të shpeshta

Tashmë turbulencat gjatë fluturimeve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të forta, kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Kjo sjell rreziqe për pasagjerët dhe ekuipazhin, por edhe kosto shtesë për linjat ajrore.

Ekspertët po kërkojnë zgjidhje, nga teknologjitë më të avancuara e deri te ndryshimet në procedurat e fluturimit, për ta bërë udhëtimin ajror më të sigurt

Andrew Davies ishte rrugës për në Zelandë të Re për të punuar në një ekspozitë të Doctor Who, ku ai ishte menaxher projekti. Pjesa e parë e fluturimit, nga Londra në Singapor, kaloi pa probleme. Por pastaj, papritur, avioni hyri në turbulenca shumë të forta.

“Ndjesia ishte si të isha në një tren të shpejtë në park argëtimi”, kujton ai. iPad-i më goditi në kokë, kafeja u derdh mbi mua. Në kabinë kishte rrëmujë të madhe  njerëz dhe sende të shpërndara kudo. Njerëzit po qanin dhe nuk besonin çfarë kishte ndodhur”.

Davies thotë se ishte “nga ata me fat”.

Të tjerë pasagjerë pësuan plagë dhe fraktura. Një burrë 73-vjeçar, Geoff Kitchen, vdiq nga një sulm në zemër.

Vdekjet për shkak të turbulencave janë shumë të rralla. Nuk ka të dhëna zyrtare, por mendohet se që nga viti 1981 kanë ndodhur vetëm rreth katër raste. Megjithatë, numri i të lënduarve është shumë më i madh.

Vetëm në SHBA, që nga viti 2009, janë raportuar 207 raste të lëndimeve të rënda,  ku personi është shtruar në spital për më shumë se 48 orë – sipas të dhënave zyrtare të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit. Nga këto raste, 166 kanë qenë pjesëtarë të ekuipazhit, të cilët ndoshta nuk kanë qenë ulur në sedilje gjatë turbulencës.

Por ndërsa ndryshimet klimatike ndikojnë në atmosferë, ekspertët paralajmërojnë se udhëtimet ajrore mund të bëhen më të trazuara. Ndryshimet në temperaturë dhe në drejtimin e erërave në lartësi pritet të sjellin më shumë turbulenca dhe më të forta.

“Presim që numri i rasteve me turbulenca të forta të dyfishohet apo edhe të trefishohet në dekadat e ardhshme”, thotë profesori Paul Williams, një shkencëtar atmosferik në Universitetin e Reading.

“Sot, nëse kemi 10 minuta turbulencë të fortë, në të ardhmen kjo mund të bëhet 20 apo 30 minuta”.

Pra, nëse turbulencat shtohen dhe forcohen, a mund të bëhen më të rrezikshme? Apo ka mënyra të zgjuara që linjat ajrore t’i bëjnë avionët më të sigurt ndaj turbulencave?

Rruga ajrore me më shumë turbulenca: Atlantiku i Veriut

Turbulenca e fortë ndodh kur lëvizjet lart e poshtë të avionit, ndërsa kalon në ajër të trazuar, ushtrojnë më shumë se 1.5 herë forcën e gravitetit (1.5g) mbi trupin tuaj  mjaftueshëm që t’ju ngrejë nga sedilja nëse nuk keni vendosur rripin e sigurisë.

Vlerësimet tregojnë se çdo vit ndodhin rreth 5.000 raste me turbulenca të forta ose më të rënda, nga gjithsej mbi 35 milionë fluturime në të gjithë botën.

Sipas raportit vjetor të sigurisë nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, gati 40% e plagëve serioze që pësuan pasagjerët gjatë fluturimeve në vitin 2023 erdhën si pasojë e turbulencave.

Rruga ajrore mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, Kanadasë dhe Karaibeve është ndër zonat më të prekura. Gjatë 40 vjetëve të fundit, qëkur satelitët kanë filluar të vëzhgojnë atmosferën, është parë një rritje prej 55% në turbulencat e forta mbi Atlantikun e Veriut.

Por një studim i fundit tregon se edhe rajone të tjera pritet të përjetojnë më shumë turbulenca në të ardhmen. Ndër to përfshihen pjesë të Azisë Lindore, Afrikës Veriore, Paqësorit të Veriut, Amerikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme.

Efektet zinxhir të ndryshimeve klimatike

Ka tri arsye kryesore pse ndodhin turbulencat gjatë fluturimeve: nga retë dhe stuhitë (turbulenca konvektive), nga ajri që përplaset me zonat malore (turbulenca orografike) dhe nga ndryshimet e papritura të erës në lartësi, në ajër të pastër (turbulenca në ajër të pastër). Çdo lloj prej këtyre mund të sjellë turbulenca të forta. Por ndërkohë që turbulencat që ndodhin për shkak të reve apo maleve shpesh mund të shmangen, ato në ajër të pastër janë më të vështira për t’u parashikuar, sepse nuk shihen. Nganjëherë, turbulenca të tilla ndodhin krejt papritur, si të dilnin nga hiçi.

Ndryshimet klimatike po bëhen një nga faktorët kryesorë që po i shtojnë si turbulencat konvektive ashtu edhe ato në ajër të pastër. Edhe pse lidhja mes klimës dhe stuhive është e ndërlikuar, dihet se një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, dhe kur nxehtësia bashkohet me lagështinë, krijohen stuhi më të forta. Kjo lidhet direkt me turbulencat, pasi ato që shkaktohen nga stuhitë, krijohen nga ajri që ngrihet dhe bie me shpejtësi brenda reve, veçanërisht në re të tipit kumulonimbus, të cilat janë re stuhish ku lëvizjet e ajrit janë shumë të fuqishme.

Kjo ishte edhe arsyeja e turbulencës së fortë që përjetoi Andrew Davies gjatë fluturimit të tij në vitin 2024. Një raport nga Byroja e Hetimeve të Sigurisë së Transportit në Singapor tregoi se avioni kishte gjasa të ishte duke fluturuar mbi një zonë me zhvillim të aktivitetit të stuhive, në jug të Birmanisë. Kjo solli 19 sekonda turbulencë ekstreme, ku avioni ra për  54 metra për më pak se pesë sekonda.

Një studim i kryer në SHBA dhe i publikuar në revistën shkencore Science në vitin 2014 tregoi se për çdo rritje me një gradë Celsius të temperaturës globale, rrufetë rriten me 12 për qind. Kapiten Nathan Davies, një pilot komercial, thotë se ka vënë re se vitet e fundit ka më shumë shenja stuhish që shtrihen në hapësira shumë të mëdha, deri në 80 milje në diametër, gjë që më parë ishte e rrallë. Ai shton se retë e mëdha të tipit kumulonimbus janë të dukshme dhe mund të shmangen, përveç rasteve kur janë të fshehura brenda reve të tjera.

Por ajo që përbën rrezik më të madh për të ardhmen është turbulenca në ajër të pastër. Ajo shkaktohet nga lëvizjet e çrregullta të ajrit brenda dhe përreth rrjedhës ajrore të quajtur “jet stream”, një rrymë shumë e shpejtë ere që ndodhet rreth gjashtë milje mbi tokë, pikërisht aty ku fluturojnë avionët. Shpejtësia e kësaj rryme mbi Atlantikun, që lëviz nga perëndimi në lindje, mund të shkojë nga 160 deri në 250 milje në orë. Në veri të saj ajri është më i ftohtë, ndërsa në jug më i ngrohtë, dhe kjo diferencë krijon lëvizje të fuqishme të ajrit. Kjo rrymë është e dobishme për avionët, sepse mund të shfrytëzohet si erë pas krahëve për të kursyer kohë dhe karburant, por në të njëjtën kohë ajo sjell edhe turbulenca.

Profesori Paul Williams shpjegon se ndryshimet klimatike po ngrohin më shumë ajrin në jug të kësaj rryme sesa në veri, duke e forcuar dallimin e temperaturës mes dy zonave. Kjo bën që edhe vetë rryma e ajrit të bëhet më e fortë, duke rritur kështu edhe mundësinë për turbulenca më të shpeshta dhe më të forta në ajër.

Cilat vende kanë pagat minimale më të larta dhe më të ulëta në Evropë?

Miliona punëtorë në Bashkimin Evropian vazhdojnë të fitojnë paga minimale, një masë që ka për qëllim të sigurojë një standard bazë jetese. Megjithatë, shpesh këto paga nuk kanë ndjekur ritmin e inflacionit, duke ulur fuqinë blerëse të punëtorëve, transmeton albinfo.ch.

Sipas një analize e bazuar në të dhënat e Eurostat nga korriku i vitit 2025, paga minimale mujore para taksave në BE ndryshon ndjeshëm nga vendi në vend. Bullgaria është në fund të listës me vetëm 551 euro, ndërsa Luksemburgu kryeson me 2,704 euro.

Kur përfshihen edhe vendet kandidate për anëtarësim në BE, mes të cilave edhe Shqipëria, paga minimale më e ulët rezulton të jetë ajo e Ukrainës, vetëm 164 euro.

Pesë vende të BE-së : Italia, Danimarka, Suedia, Austria dhe Finlanda,  nuk kanë përcaktuar një pagë minimale kombëtare.

Klasifikimi i pagave minimale në Evropë

Eurostat i ka ndarë vendet evropiane në tre grupe bazuar në nivelet e pagave minimale, ndërsa Euronews ka shtuar një katër grupin e vendeve me paga shumë të ulëta, duke përfshirë vendet kandidate për në BE.

Grupi i lartë (mbi 1,500 euro): Përveç Francës me 1,802 euro, vendet kryesore paguajnë mbi 2,000 euro në pagë minimale, si Luksemburgu (2,704 euro), Irlanda (2,282 euro), Holanda (2,246 euro), Gjermania (2,161 euro) dhe Belgjika (2,112 euro).

Grupi i mesëm (1,000-1,500 euro): Përfshin disa vende me paga minimale pak mbi 1,000 euro.

Grupi i ulët (600-999 euro): Përbëhet nga vende me paga më të ulëta.

Grupi shumë i ulët (nën 600 euro): Përfshin kryesisht vendet kandidate si Maqedonia e Veriut (584 euro), Turqia (558 euro), Bullgaria (551 euro), Shqipëria (408 euro), Moldavia (285 euro) dhe Ukraina (164 euro).

Ndarja Lindje-Perëndim në pagat minimale

Harta e pagave minimale tregon një ndarje të qartë gjeografike mes Evropës Perëndimore dhe Lindore. Vendet me paga minimale të larta janë kryesisht në Evropën Perëndimore dhe Veriore, ndërsa vendet me paga më të ulëta dhe shumë të ulëta gjenden në Evropën Lindore, Ballkan dhe vendet kandidate për në BE.

Ky dallim reflekton edhe hendekun ekonomik midis rajoneve dhe sfidat që kanë përpara vendet e Evropës Lindore për të arritur nivelet e jetesës të Evropës Perëndimore.

Afati i fundit për vendimin e Kushtetueses për bllokadën në Kuvend

Sot Gjykata Kushtetuese pritet të nxjerrë vendim lidhur me bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Më 26 korrik ka përfunduar afati i vendosur nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit. Pas kësaj, Gjykata vendosi një masë të përkohshme që nuk i lejoi deputetët të marrin asnjë veprim për konstituimin e Kuvendit për dy javë, deri më 8 gusht.

Për bllokadën në Kuvend në Kushtetuese janë deponuar tri kërkesa, një nga presidentja Vjosa Osmani, një nga Partia Demokratike e Kosovës dhe një nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 

Presidentja Osmani ka tërhequr kërkesën meqë gjykata për këtë lëndë e ka caktuar gjyqtar raportues Radomir Labanin. Sipas Osmanit, në bazë të informacioneve të institucioneve të sigurisë, gjyqtari serb përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.

Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin në dhjetëra vazhdime të mbajtura çdo 48 orë të seancës konstituive që ka nisur më 15 prill. 

Bllokada është shkaktuar te pika e tretë e rendit të ditës,  zgjedhja e kryetarit.

Në vazhdimet e para, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, e propozoi Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo nuk i mori votat e mjaftueshme në disa tentime.

Më pas LVV-ja, falë edhe kryesuesit të seancës Avni Dehari, që vjen nga kjo parti, tentoi ta ndryshonte formën e votimit  nga i hapur, në i fshehtë. Dhe për votim të fshehtë u tentua të krijohet një komision, që për gati 50 votime nuk i ka marrë votat e mjaftueshme. Opozita e deritashme e ka quajtur në vazhdimësi të kundërligjshëm këtë veprim të LVV-së.

Riola e Hira, dy yjet shqiptare të pianos nga Italia

Riola Susuri dhe Hira Haxhibeqiri, dy pianiste të talentuara që tashmë po ngjiten në skenat më prestigjioze të Europës, po spikasin si yje të ardhshëm të muzikës klasike, shkruan albinfo.ch.

Edhe pse në një moshë të re, të dyja kanë arritur të tërheqin vëmendjen e publikut dhe kritikës, falë interpretimit të tyre të jashtëzakonshëm dhe pasionit për artin. Riola dhe Hira jetojnë e veprojnë në Itali, ku vazhdojnë të zhvillojnë karrierën e tyre muzikore.

Ambasada e Kosovës në Itali ka shprehur urimet dhe mirënjohjen për sukseset e tyre:

“Me talentin dhe suksesin e tyre, ju urojmë vajzave tona suksese pafund.”

Përkushtimi, puna dhe pasioni i tyre për pianon janë dëshmi se arti shqiptar po përfaqësohet me dinjitet në arenën ndërkombëtare, duke hapur horizonte të reja për gjeneratat e reja të muzikantëve. /albinfo.ch

Astrit Krasniqi diplomon me nderime nga Akademia Policore e Nju-Jorkut

Astrit Krasniqi ka përfunduar me sukses dhe është diplomuar me nderime të larta nga Akademia Policore e Nju Jorkut (NYPD), duke u vlerësuar për rezultatet e tij të jashtëzakonshme gjatë trajnimit, shkruan albinfo.ch.

Ceremonia e diplomimit u zhvillua në prani të familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij të rinj, ku u vlerësua jo vetëm përgatitja profesionale, por edhe përkushtimi i tij ndaj shërbimit publik dhe sigurisë.

Nderim Krasniqi, babai i tij, shprehu krenarinë dhe urimet për të birin dhe kolegët e tij të rinj:

“Të uroj, biri im, ty dhe të gjithë kolegëve tuaj siguri dhe karrierë të suksesshme. Zoti ju bekoftë dhe ju ruajt.”

Me këtë diplomim, Astrit Krasniqi i bashkohet forcave të rendit në një prej departamenteve më të njohura të policisë në botë, duke hapur një kapitull të ri në jetën e tij profesionale. /albinfo.ch

 

Tirana International Airport shënon ditën me trafikun më të lartë në histori

Tirana International Airport (TIA) ka regjistruar më 4 gusht 2025 trafikun më të madh të pasagjerëve që nga hapja e tij.

Referuar të dhënave zyrtare, gjatë kësaj dite u kryen gjithsej 298 fluturime, ndërsa 50,892 pasagjerë kaluan nëpër terminal, përcjell albinfo.ch.

Ky volum i lartë udhëtarësh shënon një tjetër moment historik për aeroportin kryesor të Shqipërisë, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të lidhjeve ajrore dhe interesit për vendin si destinacion turistik dhe qendër tranziti.

Në njoftimin e bërë publik, TIA thekson se misioni i tij mbetet i pandryshuar: lidhja e Shqipërisë me botën. “Një mirënjohje e veçantë për skuadrën tonë dhe punën e jashtëzakonshme që bëjnë çdo ditë. Dhe për pasagjerët tanë: faleminderit që zgjidhni TIA-n”, thuhet në deklaratë.

Rritja e ndjeshme e numrit të pasagjerëve pritet të vazhdojë edhe gjatë muajve të verës, duke e konsoliduar TIA-n si një ndër pikat më të rëndësishme të transportit ajror në rajon.

Afro dy ore pritje në dalje të pikës Dheu i Bardhë

Koha e pritjes së qytetarëve për të dalë nga Kosova në pikën kufitare të Dheut të Bardhë arrin deri në 90 minuta, transmeton albinfo.ch.

Referuar të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritje janë regjistruar edhe te Merdarë, ku ato arrijnë deri në 20 minuta.

Gjendja në pikat tjera është më e qetë dhe nuk raportohet për pritje.

Niset për Bazel, avioni i “Wizz Air” kthehet urgjentisht në Aeroportin e Shkupit pas përplasjeje me tufë zogjsh

Një avion i kompanisë ajrore me kosto të ulët “Wizz Air”, i cili ishte nisur dje nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit drejt Bazelit, është detyruar të kthehet menjëherë pas ngritjes, për shkak të një përplasjeje me një tufë zogjsh.

Sipas informacioneve nga mediat në Shkup, përplasja ka shkaktuar dëmtim në njërin prej motorëve të avionit. Bëhet fjalë për fluturimin me numër WZZ1KX në linjën Shkup-Bazel, i cili, pas një kohe të shkurtër në ajër, është kthyer në aeroportin e Shkupit dhe ka realizuar një ulje të sigurt, pa pasoja për pasagjerët dhe ekuipazhin.

Drejtori i M-NAV, Vladimir Risteski, në një prononcim për mediat, ka deklaruar se situata të tilla ndodhin herë pas here dhe, ndonëse për rastin konkret nuk ka dhënë më shumë detaje, ka bërë të ditur se do të ndërmerret një hetim për të përcaktuar shkakun dhe përmasat e dëmeve të shkaktuara.

Vendi që shënoi rënien më të madhe të popullsisë në historinë e saj

Japonia ka regjistruar rënien më të madhe të popullsisë që nga fillimi i regjistrimeve moderne, me një ulje prej rreth 908 mijë banorësh gjatë vitit të fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria dhe raportimeve të mediave lokale, popullsia aktuale e vendit është 120.65 milionë, duke shënuar kështu vitin e 16-të radhazi me rënie demografike.

Ky proces matjeje ka nisur në vitin 1968, kur Japonia filloi të regjistronte të dhënat e popullsisë në formatin aktual. Autoritetet e vendit kanë paralajmëruar se periudha deri në vitin 2030 është vendimtare për të ndërhyrë dhe frenuar këtë trend shqetësues.

Në vitin 2024, parlamenti japonez miratoi një ligj të ri për stimulimin e lindshmërisë, i cili përfshin mbështetje të zgjeruar për fëmijët dhe përfitime më të mëdha për prindërit që marrin leje lindjeje.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se faktorë si martesat e vonshme, pasiguria financiare dhe mungesa e mbështetjes për prindërit që punojnë vijojnë të jenë sfida kryesore.

Sipas statistikave, në vitin 2023 Japonia shënoi normën më të ulët të lindshmërisë që nga viti 1947, kur filluan regjistrimet kombëtare për fertilitetin.

“Me zemër për Diasporën”, panairi i grave në Prishtinë sjell ngjyrat e traditës dhe fuqizimin ekonomik

Ushqime tradicionale, veshje kombëtare, punime artizanale dhe produkte të freskëta vendore u prezantuan në panairin “Me zemër për Diasporën”, që u hap sot në sheshin “Nëna Terezë” në kryeqytet. Aktiviteti, i cili do të zgjasë dy ditë, është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ka për qëllim fuqizimin e rolit të gruas në ekonomi e shoqëri.

Pjesëmarrëse në panair janë gra sipërmarrëse nga mbarë Kosova, të cilat përmes tezgave të tyre po promovojnë prodhimet tradicionale dhe punën artizanale, duke synuar njëkohësisht edhe tregun e diasporës që kthehet në vend gjatë muajve të verës.

“Muaji më i mbarë i vitit është kur diaspora është në Kosovë. Atëherë shes më shumë, sidomos turshi”, thotë Mihane Abdullahu nga Lipjani, pronare e biznesit “Duart e Vyera”, e cila në panair ka sjellë ëmbëlsira, turshi dhe gatime shtëpiake.

Panairi ka tërhequr edhe interesim nga vizitorë të shumtë, përfshirë bashkatdhetarë që kanë ardhur për pushime dhe e kanë mirëpritur këtë mundësi për të mbështetur prodhimet vendore.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të publikuara në regjistrimin e vitit 2024, rreth 550 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Francë dhe Austri. Ky fluks i madh i mërgatës gjatë verës është një mundësi për rritje ekonomike, veçanërisht për gratë që merren me prodhim dhe tregti.

Në qendër të panairit është promovimi i ekonomisë së qëndrueshme të udhëhequr nga gratë, duke krijuar lidhje mes bizneseve lokale dhe konsumatorëve nga diaspora.

 

Kondicionerët, ndotës të padukshëm në ambientet tona të brendshme

Kondicionerët janë ndër pajisjet që konsumojnë më shumë energji elektrike në shtëpi. Gjatë periudhave me nxehtësi ekstreme, përdorimi i tyre rritet ndjeshëm, duke krijuar presion mbi rrjetin elektrik dhe duke shtuar emetimin e gazrave që dëmtojnë mjedisin, sidomos nëse energjia prodhohet nga termocentrale që përdorin qymyr ose lëndë djegëse fosile. Çdo herë që ndezim kondicionerin, në mënyrë indirekte ndihmojmë në përkeqësimin e ndotjes dhe ndryshimeve klimatike, të njëjtat ndryshime që na detyrojnë ta përdorim më shumë.

Në verë, kur temperaturat kalojnë 35 gradë Celsius, kondicionerët bëhen pjesë e domosdoshme e jetës sonë. Ata na ofrojnë rehati dhe freski, shpeshherë duke qenë pajisja e parë që ndezim në shtëpi, në punë apo në makinë. Por pas kësaj freskie që ofrojnë, fshihet një realitet shqetësues: ndikimi i tyre në ambient është i madh dhe i dëmshëm për shëndetin dhe natyrën.

Kondicionerët përdorin gazra ftohës që, nëse lirohen në ajër pa kontroll, mund të dëmtojnë shtresën e ozonit, mbrojtësen tonë natyrore kundër rrezeve ultravjollcë. Edhe pse pajisjet moderne janë më miqësore me mjedisin, shumë modele të vjetra vazhdojnë të jenë në përdorim dhe paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për natyrën. Humbja e shtresës së ozonit ka pasoja serioze për shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe bimëve.

Përveç kësaj, kondicionerët ftohin ambientin e brendshëm, por nxjerrin ajër të nxehtë jashtë, duke rritur temperaturat në zonat urbane dhe duke krijuar “ishuj nxehtësie”. Kjo nënkupton se sa më shumë kondicionerë të përdoren, aq më i nxehtë bëhet ambienti jashtë, duke krijuar një cikël të pafavorshëm që na detyron të përdorim më shumë këto pajisje.

Përveç ndikimit në natyrë, kondicionerët mund të shkaktojnë probleme shëndetësore. Përdorimi i tepruar mund të sjellë alergji, irritim të syve dhe lëkurës, probleme me frymëmarrjen, si dhe dhimbje muskujsh për shkak të ndryshimeve të shpejta të temperaturës. Ajri i kondicionuar që nuk pastrohet rregullisht mund të përhapë baktere dhe myk, duke rrezikuar shëndetin e banorëve.

Gjithashtu, përdorimi i tepruar i kondicionerëve na bën më pak fleksibël ndaj ndryshimeve natyrore të motit. Ne humbasim zakonet e thjeshta si ajrosja natyrale, përdorimi i hijes apo veshja me rroba të përshtatshme, duke u bërë të varur nga teknologjia, që sjell pasoja negative për mjedisin dhe për ne vetë.

Zgjidhja nuk është heqja dorë nga kondicionerët, por përdorimi i tyre me përgjegjësi: mirëmbajtja e rregullt, vendosja e temperaturave të arsyeshme, fikja kur nuk është e nevojshme dhe kërkimi i alternativave të tjera si ventilatorët, ajrosja natyrale, mbjellja e pemëve dhe përmirësimi i izolimit të ndërtesave. Gjithashtu, duhet të investojmë në teknologji më efikase dhe burime energjie të rinovueshme për të ulur ndikimin tonë mjedisor.

Në fund të fundit, përdorimi i kondicionerit është më shumë se rehati, është përgjegjësi ndaj mjedisit dhe shëndetit tonë. Çdo gradë më pak që ulim në termostat ndikon në ajrin që thithim, në klimën që na rrethon dhe në mirëqenien tonë. Për një botë më të qëndrueshme, duhet të mendojmë me kujdes se si përdorim teknologjinë pa dëmtuar natyrën.

Instagram vendos kufizim për llogaritë me më pak se 1,000 ndjekës për përdorimin e funksionit Live

Meta ka prezantuar një rregull të ri që ndalon llogaritë publike me më pak se 1,000 ndjekës të kryejnë transmetime të drejtpërdrejta në Instagram.

Së fundmi, përdorues të ndryshëm kanë raportuar se nuk mund të përdorin më funksionin Live nëse numri i ndjekësve të tyre është nën këtë prag. Kur përpiqen të nisin transmetimin, u shfaqet mesazhi: “Kushtet e përdorimit për këtë funksion janë ndryshuar. Vetëm llogaritë publike me të paktën 1,000 ndjekës mund të transmetojnë drejtpërdrejt.” Kjo politikë është konfirmuar zyrtarisht nga Meta.

Ndryshimet e reja në Instagram

Meta sqaron se ky ndryshim është futur për të përmirësuar cilësinë dhe përvojën e përdoruesve që shfrytëzojnë funksionin e transmetimit të drejtpërdrejtë. Megjithatë, kompania nuk ka dhënë shpjegime të detajuara për arsyen pse përdoruesit me më pak ndjekës nuk do të kenë mundësi të përfitojnë nga ky funksion.

Rregulli i ri aplikohet jo vetëm për llogaritë publike, por edhe për ato private. Aktualisht, ndryshimet janë në fuqi për llogaritë publike, ndërsa për ato private janë duke u implementuar, gjë që mund të jetë arsyeja pse njoftimi i fundit përmend vetëm profilin publik. Kjo mund të nënkuptojë se Instagram ka vendosur të heqë edhe opsionin e transmetimeve të drejtpërdrejta vetëm për një grup të vogël miqsh, një funksion që u prezantua në vitin 2024.

Aeroportet e këtij vendi janë ndër më të pafavorizuarit në Evropë për saktësinë e fluturimeve

Rritja e vonesave po bëhet një shqetësim serioz. Në tremujorin e parë, mesatarisht 12-15% e fluturimeve ishin të vonuara, por kjo shifër ka arritur të rritet në 20 deri mbi 30% në aeroportet gjermane gjatë gjysmës së parë të vitit.

Ndërsa numri i fluturimeve të anuluara ka pësuar një ulje të lehtë, vonesat janë rritur ndjeshëm në Evropë, me aeroportet në Gjermani që janë më të prekura. Sipas analizave të fundit nga portali Flightright, aeroportet e Mynihut dhe Berlinit janë ndër më problematikët në këtë aspekt.

Aeroporti i Mynihut ka regjistruar numrin më të lartë të vonesave dhe anulimeve. Me 1.29% të fluturimeve të anuluara, ai mban pozitën e parë në Gjermani dhe të katërtën në Evropë. Heathrow i Londrës (1.35%), Brukseli (1.36%) dhe Helsinki (2.5%) kanë norma më të larta, kryesisht për shkak të grevave të punonjësve.

Në anën tjetër, aeroporti i Frankfurtit po tregon përmirësim, duke ulur anulimet në vetëm 0.55% dhe duke u renditur i 15-ti në Evropë. Berlini dhe Dyseldorfi ndodhen në vendin e gjashtë dhe të dymbëdhjetë për nga numri i fluturimeve të anuluara, me 1.09% dhe 0.63% përkatësisht.

Në nivel evropian, Gjermania është në vendin e gjashtë për nga përqindja e fluturimeve të anuluara, me 0.76%, një rritje e vogël në krahasim me tremujorin e parë. Megjithatë, në shifra absolute, ajo ka 3,042 fluturime të anuluara, duke zënë vendin e dytë pas Mbretërisë së Bashkuar, që ka 3,179.

Rritje shqetësuese e vonesave

Ndërsa në fillim të vitit vonesat ishin në rreth 12-15%, ato kanë arritur deri në mbi 30% në aeroportet gjermane. Aeroporti BER i Berlinit ka regjistruar shkallën më të lartë me 30.75% të fluturimeve të vonuara. Në Evropë, rekordin e mban Portugalia, ku afërsisht 40% e fluturimeve janë vonuar.

Ka dallime të mëdha edhe ndër linjat ajrore. Për shkak të grevave, Finnair është linja më e paqëndrueshme me 3.15% të fluturimeve të anuluara. Më pas renditen KLM me 2.03% dhe British Airways me 1.3%. Lufthansa ka më pak se 1% anulime, por vuajti nga vonesa që arrijnë deri në 22%.

Nga ana e saktësisë, easyJet është linja me performancën më të dobët, me 40.3% të fluturimeve të vonuara, ndjekur nga British Airways me 37.8% dhe Ryanair me 37.2%. Ekspertja e Flightright, Faiza Tirkon, paralajmëron se gjendja nuk pritet të përmirësohet ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit, duke këshilluar udhëtarët të jenë të përgatitur për vonesa gjatë periudhës së pikut.

Parisi, qyteti më stresues në botë për turistët

Pushimet zakonisht përfaqësojnë një mundësi për t’u çlodhur dhe për të krijuar kujtime të bukura, por një hulumtim i ri tregon se, për shumë udhëtarë, udhëtimi mund të kthehet në një përvojë tejet stresuese.

Një studim nga kompania Dipndive, që analizoi 51 nga qytetet më të vizituara në botë, ka zbuluar se Parisi është destinacioni më stresues për turistët. Analiza mori parasysh faktorë si moti, siguria, dendësia turistike dhe përshtypjet nga vizitorët.

Pse Parisi është në krye të listës?

Parisi mirëpret mbi 47.5 milionë turistë në vit, në një sipërfaqe të vogël prej vetëm 105 km², duke rezultuar në një dendësi jashtëzakonisht të lartë të vizitorëve, rreth 10 herë më shumë se ajo e Nju Jorkut. Edhe pse qyteti rezulton mesatar për sa i përket motit dhe nivelit të krimit, mbipopullimi u identifikua si faktori kryesor që e bën atë më stresuesin për vizitorët.

Qytetet e tjera më stresuese

Në vendin e dytë renditet Hanoi, kryeqyteti i Vietnamit, që përjeton nivele të larta lagështie dhe ka shumë raportime nga turistët për ndjesinë e mbingarkesës për shkak të vapës dhe turmave.

I treti në listë është Shangai, Kinë, që tërheq rreth 300 milionë vizitorë në vit dhe ka një dendësi turistike shumë të lartë, mbi 47,000 turistë për kilometër katror. Po ashtu, qyteti shënoi nivele të larta stresi dhe krimi.

OpenAI prezanton zyrtarisht ChatGPT‑5, Inteligjenca artificiale hyn në një epokë të re

OpenAI ka lansuar zyrtarisht modelin më të avancuar të inteligjencës artificiale deri më tani, ChatGPT‑5. Ky përditësim shënon një hap të madh drejt përmirësimit të ndërveprimit njeri-makinë dhe thellon rolin e AI-së në fusha si programimi, shkrimi profesional dhe shëndetësia.

Sipas kompanisë, ChatGPT‑5 është i disponueshëm që nga sot për të gjithë përdoruesit e platformës ChatGPT. Versioni bazë është falas me kufizime ditore, ndërsa përdoruesit e planit “Plus” dhe “Pro” kanë qasje të zgjeruar, përfshirë variantin premium GPT‑5 Pro.

Përmirësime të mëdha në performancë dhe aftësi arsyetuese

Në një deklaratë për mediat, CEO i OpenAI, Sam Altman, e përshkroi ChatGPT‑5 si një “superfuqi mbi kërkesën” që mund të krahasohet me një bisedë me një ekspert të diplomuar me titull PhD në fusha të ndryshme.

Modeli i ri përmban një arkitekturë të avancuar me shumë shtresa që përfshijnë:

Një motor të shpejtë për përgjigje të menjëhershme;

Një modul të thelluar për arsyetim të ndërlikuar;

Një sistem të zgjuar drejtues që zgjedh automatikisht motorin e duhur sipas pyetjes së përdoruesit.

Kjo qasje hibride lejon AI-në të lëvizë me efikasitet midis detyrave të thjeshta dhe kërkesave të ndërlikuara teknike apo shkencore.

Fusha ku shkëlqen ChatGPT‑5

OpenAI theksoi tre fusha ku përmirësimet janë më të ndjeshme:

Shkrimi profesional: Përgjigje më natyrale, më të rrjedhshme dhe të përshtatura me kontekstin.

Programimi: Kod më i pastër dhe zgjidhje më të avancuara.

Shëndetësia: Ndihmë më e specializuar në informacione rreth mirëqenies dhe simptomave (me paralajmërime për të kërkuar konsultë mjekësore).

Akses për të gjithë, por me kufizime

Përdoruesit falas mund ta përdorin ChatGPT‑5 me një numër të kufizuar pyetjesh në ditë. Abonimi “Plus” ofron qasje më të madhe, ndërsa versioni “Pro”, me një çmim prej rreth 200 dollarësh në muaj, ofron përdorim të pakufizuar dhe qasje në variantin më të fuqishëm të modelit.

Një hap më afër AGI-së

ChatGPT‑5 konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI), megjithëse OpenAI pranon se modeli ende nuk ka kapacitetin për të mësuar vazhdimisht pas trajniminit  një veçori kyçe që e ndan atë nga një inteligjencë plotësisht njerëzore.

Me këtë lansim, OpenAI synon të forcojë rolin e saj si lider global në zhvillimin e teknologjisë AI, në një periudhë ku kërkesa për zgjidhje të mençura teknologjike po rritet me shpejtësi në të gjithë botën.

 

Përplasja tregtare me SHBA: A janë në rrezik miliardat e fondeve të AHV-së?

Pas vendosjes së tarifave të reja nga SHBA ndaj Zvicrës, po shtrohet pyetja nëse 40 miliardë franga zvicerane të vendosura në një bankë amerikane janë të sigurta.

Një vit më parë, institucioni shtetëror zviceran Compenswiss, i cili menaxhon fondet e sigurimeve shoqërore të shtyllës së parë (AHV/AVS), vendosi të depozitojë rreth 40 miliardë franga zvicerane në bankën amerikane State Street. Vendimi u kritikua nga disa politikanë që paralajmëruan për varësi të tepërt nga SHBA-të.

Tani që mosmarrëveshja tregtare mes SHBA dhe Zvicrës është përshkallëzuar, dhe Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me tarifa deri në 39 për qind, lind një pyetje e re: A mund të përdoren këto fonde si mjet presioni ndaj Zvicrës?

Çfarë thonë ekspertët dhe institucionet?

Sipas drejtorit të investimeve në Raiffeisen, Matthias Geissbühler, një bllokim i fondeve është teorikisht i mundur, por ai e cilëson një skenar të tillë si “i pamundur në praktikë”.

“Për të vendosur sanksione, nevojitet një bazë ligjore. Konflikti tregtar nuk e përmbush këtë kusht sipas së drejtës ndërkombëtare”, – thotë ai për 20 Minuten, transmeton albinfo.ch.Geissbühler thekson se një bankë zvicerane do të ishte më e sigurt nga pikëpamja juridike dhe rregullative, por e pranon që zgjedhja e State Street mund të ketë qenë logjike nga ana financiare:

“Zgjedhja e ofertës më të favorshme në fund përfiton edhe kontribuesit e AHV-së.”

Qëndrimi i Compenswiss dhe State Street

Në një fletë informuese të publikuar këtë pranverë, Compenswiss tha se “ndryshimet e mundshme në administratën amerikane ishin marrë në konsideratë gjatë përzgjedhjes së bankës”. Ata theksojnë gjithashtu se SHBA ka pak interes të sanksionojë një bankë të vetën sistemike, siç është State Street.

Edhe drejtoresha e State Street për Zvicrën, Dagmar Kamber, theksoi se banka është më pak e ekspozuar ndaj rrezikut të sanksioneve sesa një bankë e huaj pa prani në SHBA.

Politikanët të ndarë në qëndrime

Thomas Matter (SVP): Ndërmori një nismë për të rikthyer fondet në Zvicër, e cila u refuzua ngushtë nga Këshilli Kombëtar në pranverë.

“Nëse Trump do të bllokonte fondet vetëm për shkak të tarifave, do të humbiste çdo besueshmëri.”

 

David Roth (SP): Kundërshtoi rikthimin e fondeve. Ai tha se edhe nëse mandati i kthehet një banke zvicerane si UBS, ajo ende ka prezencë në SHBA, dhe se rreziku nuk do të ulej  ndërsa kostot do të rriteshin.

Megjithëse ekspertët e konsiderojnë të pamundur që SHBA të bllokojë fondet e AHV-së, diskutimi vazhdon. Vendimi për të mbajtur paratë në një bankë amerikane sjell përfitime financiare, por edhe një rrezik politik dhe gjeostrategjik që shumë qytetarë dhe politikanë nuk janë të gatshëm ta pranojnë.