Zjarr në burgun e Bernës, evakuohen të burgosurit nga disa qeli

Një zjarr ka shpërthyer të enjten në një qeli të Burgut Rajonal të Bernës, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa qeli për shkak të përhapjes së tymit, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Policisë Kantonale të Bernës, zjarri ka rënë në një qeli të burgut që ndodhet në qendër të qytetit. Stafi i burgut ka arritur ta shuajë zjarrin vetë, para mbërritjes së shërbimeve emergjente.

Megjithatë, për shkak të tymit të dendur, disa të burgosur u evakuuan dhe u vendosën përkohësisht në një pjesë tjetër të ndërtesës.

Një 19-vjeçar, i cili ndodhej i vetëm në qelinë ku shpërtheu zjarri, u dërgua me ambulancë në spital nën dyshimin për helmim nga tymi. Sipas policisë, qelia e prekur nuk është më e përdorshme.

Autoritetet dyshojnë se zjarri është vënë qëllimisht nga i burgosuri, ndërsa rrethanat e sakta të incidentit mbeten ende të paqarta. Hetimet janë në vazhdim./Albinfo.ch

Studimi: Shoferët në Gjenevë humbin mesatarisht 141 orë në trafik çdo vit

Shoferët në qytetin e Gjenevës kalojnë mesatarisht 141 orë në vit në kolona trafiku, sipas një studimi të ri të publikuar këtë javë nga kompania e navigimit GPS, TomTom, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit, Gjeneva renditet në vendin e 23-të nga gjithsej 256 qytete evropiane të përfshira në studim për nivelin e ngarkesës së trafikut.

Ky rezultat nuk është aspak surprizë për banorët lokalë, apo për këdo që ka vozitur ndonjëherë nëpër rrugët e qytetit. Rrugët e Gjenevës, qyteti i dytë më i madh i Zvicrës, njihen prej kohësh për mbingarkesë të vazhdueshme dhe kolona të shpeshta, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

Studimi i TomTom analizon të dhëna nga përdorues të navigimit GPS dhe synon të ofrojë një pasqyrë të qartë mbi kohën e humbur në trafik në qytetet kryesore evropiane. /Albinfo.ch

Kurti nga Davosi: ‘Shtëpia e Kosovës’, platformë për promovimin e investimeve dhe kulturës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se edhe këtë vit Kosova po prezantohet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës përmes “Shtëpisë së Kosovës”, duke u renditur në mesin e vetëm 25 shteteve që kanë një hapësirë të tillë prezantuese, ndonëse në këtë forum marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e botës, transmeton albinfo.ch.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Kurti ka theksuar se “Shtëpia e Kosovës” shërben si platformë për prezantimin e kulturës dhe identitetit të shqiptarëve, si dhe për promovimin e mundësive për investime ekonomike, shkëmbime tregtare dhe bashkëpunime të ndryshme ndërkombëtare.

“Jemi shumë të gëzuar që ‘Shtëpia e Kosovës’ në Davos tashmë është hapur për herë të dytë. Nëse viti i parë ishte viti i ngjarjes, atëherë hera e dytë përbën hapin e parë drejt krijimit të një tradite. Në njërën anë prezantojmë kulturën dhe identitetin tonë, ndërsa në anën tjetër prezantojmë mundësitë për investime ekonomike, shkëmbime tregtare dhe bashkëpunime të të gjitha llojeve”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka vënë theks të veçantë edhe në rolin e rinisë dhe mërgatës, duke theksuar se këto dy kategori janë në qendër të aktivitetit të “Shtëpisë së Kosovës” në Davos.

                              VIDEO

“Në qendër të ‘Shtëpisë së Kosovës’ janë bashkë rinia dhe mërgata, të cilat shpesh përfaqësohen nga të njëjtët persona. Të rinjtë tanë po mirëpresin ndërmarrës prestigjiozë nga mbarë bota dhe po i informojnë ata për mundësitë që ofron Kosova, një vend me rini të talentuar, energjike dhe njohëse të shumë gjuhëve të huaja”, ka theksuar Kurti, transmeton tutje albinfo.ch.

Sipas tij, mosha mesatare në Kosovë është rreth 35 vjeç, çka e bën vendin një nga shoqëritë më të reja në Evropë, me rini të familjarizuar me trendet dhe teknologjitë bashkëkohore, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Në fund, Kurti ka nënvizuar edhe veçantinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Davos këtë vit, duke theksuar se vetëm një numër i kufizuar shtetesh kanë “shtëpi” të përhershme në këtë forum global.

“Është e vështirë të gjesh një shtet nga mbarë globi që nuk është i pranishëm në Davos, por vetëm rreth 25 shtete kanë ‘shtëpinë’ e tyre këtu dhe Kosova është pjesë e këtij grupi të përzgjedhur”, ka deklaruar Kurti. /Albinfo.ch

Lexoni po ashtu:

Osmani dhe Kurti bëhen bashkë në Shtëpinë e Kosovës në Davos

Lexoni po ashtu:

“House of Kosova”: Një zë nga Kosova në Davos të Zvicrës

Lexoni po ashtu:

Osmani, pas takimit të saj me mërgatën në Zvicër: Të gjithë na bëjnë krenarë

 

Zvicra reagon ashpër ndaj deklaratave të Trumpit në Davos

Fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos ka nxitur reagime të forta në Zvicër, ku ai bëri deklarata kontraverse ndaj vendit dhe udhëheqësve të tij, përcjell albinfo.ch.

Gjatë fjalimit, Trump foli gjerësisht për Zvicrën, duke deklaruar ndër të tjera se “pa ne, Zvicra nuk do të ekzistonte më”. Ai sulmoi gjithashtu ish-presidenten zvicerane Karin Keller-Sutter, duke iu referuar asaj si “kryeministre”, dhe tha se ajo e kishte “acaruar” gjatë një bisede telefonike në vitin 2025 lidhur me tarifat që SHBA kishte vendosur ndaj Zvicrës, të cilat në atë kohë ishin 39 për qind. Sipas Trumpit, Keller-Sutter “nuk la përshtypje të mirë”.

Deklaratat e presidentit amerikan u pritën me kritika të ashpra nga politika zvicerane. Bashkëkryetari i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, Cédric Wermuth, reagoi në rrjetet sociale duke e cilësuar fjalimin si “absurd dhe të pakuptimtë”.

“Është vetëm përshtypja ime apo ky është një nivel i ri i ulët i absurdit, pakuptimësisë dhe fjalimeve pa përmbajtje, edhe sipas standardeve të Trumpit?”, shkroi Wermuth. Ai shtoi se fjalimi ishte “shumë më ekstrem dhe më i çmendur se çdo gjë e dëgjuar më parë”.

Ndërkohë, presidenti aktual i Zvicrës, Guy Parmelin, reagoi më i përmbajtur, duke deklaruar pas fjalimit të Trumpit se: “Nuk jemi mësuar me këtë, është stresuese. Por duhet ta ruajmë qetësinë.” /Albinfo.ch

Gërvalla merr pjesë në Platformën e Paqes për Ballkanin në Stamboll

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar në Stamboll për të marrë pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, përcjell albinfo.ch.

Kjo platformë mbledh ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shërben si forum për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi çështje me interes të përbashkët, përfshirë identifikimin e mundësive për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fusha të ndryshme.

“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë platformë riafirmon prioritetet e saj strategjike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera relevante ndërkombëtare, si dhe përkushtimin e palëkundur ndaj promovimit të paqes së qëndrueshme, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Po ashtu, Kosova vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm me Republikën e Turqisë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të këtij shteti në avancimin e dialogut, promovimin e paqes dhe forcimin e stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në nivel global. /Albinfo.ch

SHBA tërhiqet zyrtarisht nga OBSH-ja, humb një nga donatorët kryesorë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), përcjell albinfo.ch.

Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë përmes një njoftimi zyrtar, në të cilin thuhet se, duke filluar nga sot, SHBA-ja nuk është më pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Nga sot, Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Ky veprim përmbush angazhimin e Presidentit Donald Trump, në bazë të një urdhri ekzekutiv të nënshkruar një vit më parë, pas keqmenaxhimit të pandemisë COVID-19 nga OBSH-ja dhe mungesës së vazhdueshme të reformës, llogaridhënies dhe transparencës”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi pason kritikat e vazhdueshme të administratës amerikane ndaj rolit të OBSH-së gjatë pandemisë së COVID-19, si dhe kërkesat për reforma të thella brenda organizatës.

Tërheqja e SHBA-së konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke marrë parasysh rolin kyç dhe kontributin e madh financiar që ky shtet ka pasur ndër vite në funksionimin e OBSH-së. /Albinfo.ch

Dyshime për manipulim të votave, intervistohen mbi 100 komisionerë në Kosovë

Mbi 100 komisionerë të angazhuar në numërimin e votave në Prizren janë intervistuar sot nga hetuesit e Policisë së Kosovës në këtë komunë, përcjell albinfo.ch. 

“Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij” ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Sipas informacioneve të deritanishme ka edhe të arrestuar, ndërkohë mësohet se ka edhe të ndaluar.

Dyshimet kanë të bëjnë më keqpërdorimin e votave në Prizren.

Në këtë komunë pas rinumërimit është evidentuar se janë manipuluar rreth 30 mijë vota.

Rreth 140 komisionerë që ishin të angazhuar gjatë numërimit të votave në Prizren. 

Sipas ligjeve në fuqi ata rrezikojnë dënimin me burgim nga një deri në pesë vjet. 

Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në këtë komunë.

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula të hënën e kësaj jave ka paralajmëruar intervistimin e të gjithë komisionerëve të qendrave ku nuk përputhen votat. Ajo ka paralajmëruar intervistimin edhe të kandidatëve për deputetë.

Para një jave, KQZ-ja mori vendim që të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet e rregullta të Komunës së Prizrenit, pasi nga një proces verifikues i dy kutive me fletëvotime, ka gjetur dallim prej 714 votash.

Në Qendrën e Numërimit në Prizren ishin 28 tavolina, e në secilën nga to nga 5 komisionerë; një i Vetëvendosjes, një i PDK-së, një i LDK-së, një i AAK-së dhe i pesti nga radhët e komuniteteve.

Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë

Me 25 janar do të mbahen zgjedhjet për Asamblen e St. Pölten i cili njihet edhe si kryeqyteti i Austrisë së Ulët. Në këto zgjedhje votën po e kërkon edhe Rinesa Salijaj. Vajza me prejardhje nga qyteti i Istogut, kandidaturen e saj e ka paraqitur nën siglën e Partisë Socialiste të Austrisë (SPÖ), shkruan albinfo.at.

Rinesa është 23 vjeçare, është e lindur dhe e rritur në këtë qytet. Aktualisht punon në Kuvendin Komunal(Magistrat) në St. Pölten.             

Rinesa Salijaj garon në listën e SPÖ-së dhe mban numrin 24 në listë.

Motoja e saj në këto zgjedhje është: “E ardhmja fillon me votën tënde”

Ata që dëshirojnë të votojnë për Rinesa Salijaj, duhet pas parasysh që fillimisht të votohet partia SPÖ, dhe në vijim shënohet votohet te numri 24 dhe emri i Rinesa Salijajt, raporton albinfo.at

Komuniteti shqiptar në Austri dhe veçanerisht ata që jetojnë në rajonin e Austrisë së Ulët(Niederösterreich) janë angazhuar duke e mbështetur nëpër rrjete sociale dhe duke kërkuar votë për Rinesën./Albinfo.at

Emiratet investojnë 32.5 milionë euro për ndërtimin e Gjinekologjisë së re në Prishtinë

Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, pas një takimi zyrtar në Abu Dhabi me Zëvendëssekretaren e Departamentit të Shëndetësisë, Dr. Noura Al-Gaithi, transmeton albinfo.ch.

Investimi më i madh përfshin ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë, një donacion me vlerë 25 milionë euro. Sipas ambasadorit, kanë nisur tashmë përgatitjet fillestare në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës për përzgjedhjen e lokacionit të përshtatshëm për realizimin e projektit.

Ndërkohë, investimi i dytë është i dedikuar për Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri, për të cilin janë ndarë 7.5 milionë euro. Ky projekt pritet të nisë brenda këtij viti dhe synon rinovimin e plotë të infrastrukturës spitalore, si dhe pajisjen me teknologji moderne mjekësore.

Ambasadori Hamiti ka shprehur mirënjohje ndaj lidershipit dhe popullit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, duke theksuar se këto donacione kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të shëndetësisë në Kosovë.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë shteti i parë arab që e njohu Kosovën në vitin 2008 dhe mbeten një nga partnerët kryesorë të saj ekonomikë. Kontributi i tyre në shëndetësi përfshin projekte madhore si Spitali i Fëmijëve “Sheikha Fatima” në QKUK, i inauguruar në vitin 2021 me një vlerë rreth 22 milionë euro.

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Emirateve është zgjeruar edhe në fusha të tjera strategjike, ndërsa nga 22 shkurti 2024, qytetarët e Kosovës udhëtojnë pa viza në Emiratet e Bashkuara Arabe. /Albinfo.ch 

Kurti në Davos fton Kuvajtin për investime në energji, ujë dhe infrastrukturë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Shtëpinë e Kosovës në Davos me Dr. Sabeeh Al-Mukhaizeem, ministër i Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Ripërtërishme të Kuvajtit, njëherësh ministër në detyrë i Financave dhe ministër i Shtetit për Çështjet Ekonomike dhe Investimet, transmeton albinfo.ch.

 

 

Gjatë takimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvajtit ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë partner të rëndësishëm në proceset zhvillimore të vendit.

Ai theksoi se kjo mbështetje përbën një bazë të fortë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve, veçanërisht në sektorë strategjikë si energjia, uji dhe infrastruktura.

 


Sipas Kurtit, qeveria synon të realizojë projekte madhore zhvillimore, përfshirë ndërtimin e digave, hekurudhave, stadiumeve dhe zgjerimin e kapaciteteve energjetike, të cilat do të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe forcimin e sigurisë energjetike.

 

 

Takimi u zhvillua në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku Kosova po zhvillon takime me përfaqësues të lartë shtetërorë dhe investitorë ndërkombëtarë./Albinfo.ch

 

Talentja e Kosovës në skenën botërore, Anila Aliu fiton çmimin kryesor në Tajlandë

Bëhet fjalë për pianisten 23-vjeçare nga Kosova, Anila Aliu, e cila po shkëlqen në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, duke fituar disa nga çmimet më prestigjioze në konkurse globale, transmeton albinfo.ch.

Së fundmi, ajo u shpall fituese e çmimit kryesor në një konkurs të nivelit të lartë në Tajlandë, ku konkurruan pianistë nga e gjithë bota. Ky sukses është rezultati i punës shumëvjeçare dhe kalimit të disa raundeve të vështira që nga viti 2020.

“Konkurenca ishte jashtëzakonisht e fortë, me pjesëmarrës nga të gjitha moshat dhe vende të ndryshme, por falë përkushtimit arrita të triumfoj,” tregoi Anila.

Pianistja ka ndarë gjithashtu lajmin për çmimin e fituar më parë në Beograd, duke theksuar se në muzikën klasike nuk ka rëndësi prejardhja, por vetëm talenti dhe ajo që ofron në skenë, transmeton tutje albinfo.ch.

“Suksesi im më bën të ndihem e vlerësuar si artiste, sepse në këtë botë nuk ka rëndësi se nga vjen, por çfarë dhuron me performancën tënde,” tha Aliu, duke reflektuar për përpjekjet dhe pasionin që e kanë çuar deri në skenat ndërkombëtare.

Anila Aliu vazhdon të jetë një shembull frymëzimi për artistët e rinj shqiptarë, duke treguar se talenti dhe përkushtimi mund të tejkalojnë çdo kufi dhe të vendosin emrin e Kosovës në hartën e muzikës klasike botërore./Albinfo.ch

Regjisori shqiptar fiton çmimin prestigjioz ‘Luani i Argjendtë’

Mario Banushi është regjisori shqiptar i formuar në Athinë, ka fituar të çmimin prestigjioz “Luani i Argjendtë”, duke u bërë gjithashtu regjisori më i ri që e merr këtë nder. Një arritje që thekson rrugëtimin e jashtëzakonshëm të një talenti të ri, i cili po tërheq vëmendjen e skenës botërore, transmeton albinfo.ch.

Juria, e drejtuar nga aktori Willem Dafoe, e ka vlerësuar teatrin e Banushit si “poetik dhe intim, që transformon heshtjet dhe veprimet e përditshme në ceremoni të përbashkëta, duke përshkuar kujtimin, dhimbjen dhe traditat familjare, me një gjuhë politike të mprehtë”.

Pas fitores, Banushi ka përshëndetur familjen e tij dhe rrugëtimin personal që e ka çuar deri në këtë çmim të rëndësishëm. Në motivacionin e Bienales, theksohet se ai përdor heshtjen si një element komunikimi të fuqishëm, ndërsa teatrin e tij e përshkon inteligjenca politike dhe eksplorimi i kontradiktave të kohës sonë, transmeton tutje albinfo.ch.

I lindur në vitin 1998 në Shqipëri, Banushi u vendos me familjen në Greqi, ku përfundoi Konservatorin e Dramës në Athinë. Debutimin e tij e bëri gjatë pandemisë me shfaqjen “Ragada”, e ndjekur nga “Mirupafshim, Lindita” dhe trilogjia e tij e njohur “Taverna Mirësia”. Veprat e tij janë pritur me entuziazëm në Teatrin Kombëtar të Greqisë dhe kanë nisur turne ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen e mediave të njohura si New York Times, BBC, The Guardian, Le Monde dhe Libération.

Banushi ka theksuar se synon të krijojë teatër që ndjehet, jo vetëm kuptohet: “Dua të imagjinoni historitë tuaja, të shihni jetën tuaj dhe më pas të jetoni me këtë,” ka thënë ai për New York Times.

Prodhimi i tij më i fundit, “Mami”, një bashkëprodhim ndërkombëtar, është shfaqur me sukses në Festivalin e Avinjonit dhe është vlerësuar për mjeshtërinë vizuale dhe emocionale. Pavarësisht suksesit ndërkombëtar, Banushi ruan lidhjen e fortë me gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke mbajtur titujt e shfaqjeve origjinal në shqip.

Mario Banushi është një shembull i talentit të ri shqiptar që po shkon përtej kufijve, duke ndërtuar një identitet teatral unik, të njohur dhe të vlerësuar në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Raporti Kosovë – SHBA tërheq vëmendjen e mediave zvicerane në Davos

Kosova ka zyrtarizuar dje anëtarësimin e saj në Bordin e Paqes, një organizatë ndërkombëtare e themeluar nga presidenti amerikan Donald Trump, shkruan albinfo.ch.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar dokumentet e anëtarësimit gjatë një ceremonie të mbajtur në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror (WEF). Momenti i nënshkrimit u shoqërua me duartrokitje nga vetë Donald Trump, si dhe nga liderë të tjerë botërorë të pranishëm në ceremoni.

Ky zhvillim nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga mediat zvicerane. Gazeta 20 Minuten i ka kushtuar vëmendje të veçantë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, duke realizuar një intervistë me presidenten Osmani në Davos.

https://www.facebook.com/share/v/183xsUvfMM/?mibextid=wwXIfr

Sipas medias zvicerane, Kosova i është bashkuar Këshillit të Paqes të Trumpit, ndërsa theksohet se përfshirja e saj është e rëndësishme edhe për faktin se Rusia nuk gëzon të drejtën e vetos në këtë organizatë.

Po ashtu, edhe portali Blick.ch ka publikuar një artikull lidhur me raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke ngritur dyshime se presidentja Osmani kishte diçka të rëndësishme për t’i komunikuar presidentit Trump.

“Ndërsa presidentja kosovare u ul në vendin e saj, ajo i pëshpëriti diçka në vesh Trumpit për një kohë. A mos ndoshta bëhej fjalë për një konflikt në Ballkan?”, shkruan Blick.ch, duke spekuluar mbi përmbajtjen e bisedës mes dy liderëve.

Ndërkohë, vlen të theksohet se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e rolit të saj në arenën ndërkombëtare dhe në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Albinfo.ch

Osmani dhe Kurti bëhen bashkë në Shtëpinë e Kosovës në Davos

Mbyllet me sukses aktiviteti “Shtëpia e Kosovës” në Davos të Zvicrës, me aktivitetin e fundit “Diaspora Goes Davos”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, morën pjesë bashkë në aktivitetin përmbyllës të Shtëpisë së Kosovës në Davos, të organizuar në kuadër të eventit “Diaspora Goes Davos”, shkruan albinfo.ch.

Ky aktivitet mblodhi sipërmarrës, inovatorë dhe liderë të diasporës kosovare, me qëllim lkrijimin e urave të reja të bashkëpunimit ekonomik, inovativ dhe institucional për Kosovën.

Mbrëmja përmbyllëse u pasurua me një prezantim të veçantë kulturor nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Orkestra dhe solistët e ansamblit sollën një koncert unik me këngë dhe muzikë tradicionale nga trashëgimia kulturore e Kosovës, duke ofruar një përjetim autentik artistik dhe duke prezantuar identitetin kulturor të vendit në skenën ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, nga Shtëpinë e Kosovës në Davos,  e ka komentuar si vlerësim për paqen përfshirjen e Kosovës mes shteteve themeluese në Davos.

Ajo tha se fakti që SHBA-të e kanë përzgjedhur Republikën e Kosovës ndër 20 anëtaret themeluese tregon shumë për vlerësimin që presidenti Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndaj Kosovës dhe rolit tonë në paqe.”

Presidentja e Kosovës theksoi se Kosova, duke pasur përvojën e saj në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, është një nga modelet më të shkëlqyera se si duhet ndërtuar shteti, paqja dhe aleancat.

Foto: Genti Mersinaj
Foto: Genti Mersinaj
Foto: Genti Mersinaj
Foto: Genti Mersinaj

Lexoni po ashtu:

“House of Kosova”: Një zë nga Kosova në Davos të Zvicrës

Lexoni po ashtu:

Kurti nga Davosi: ‘Shtëpia e Kosovës’, platformë për promovimin e investimeve dhe kulturës

Ku mund të mbushni më lirë veturën me karburant në Zvicër?

Analiza e “TCS Petrol Price Radar” tregon se çmimet e karburantit nuk janë të njëjta kudo. Shpesh është më lirë në stacionet e vogla në zonat rurale.

Karburanti më i lirë

Ata që mbushën me benzinë pa plumb 95 e gjetën më lirë vitin e kaluar në stacionin Neubrück Café-Bar në Brügg (BE), me çmim mesatar 1.52 franga për litër. Stacioni i dytë më i lirë ishte Voegtlin-Meyer AG në Matzendorf (SO), me 1.53 franga për litër. Benzinë e lirë gjetëm edhe në “Freie Tankstelle” në Langenthal (BE) dhe në Marché Brügg.

Karburanti më i shtrenjtë

Në anën tjetër, stacioni në parkun Talgarten në qytetin e Zyrihut shiti benzinë pa plumb 95 me një mesatare prej 2.37 frangash për litër vitin e kaluar. Çmime të ngjashme gjendeshin edhe në stacionin BP pranë autostradës në Coldrerio (TI).

Benzina pa plumb 98 dhe dizeli

Benzinë pa plumb 98 më e lirë u gjet në kantonin Ticino, në Collina d’Oro pranë Luganos, me 1.36 franga për litër.

Dizeli më i lirë ishte në MP Biodiesel në Domdidier (FR), 1.59 franga për litër. Ndërsa dizeli më i shtrenjtë ishte në Eni Piotta (TI), 2.46 franga për litër.

Diferencat rajonale

Çmimet ndryshojnë dukshëm sipas kantoneve dhe stacioneve. Në përgjithësi, karburanti është më i shtrenjtë përgjatë autostradave dhe më i lirë në zonat periferike. Diesel dhe benzinë 95 pa plumb janë më të lira në kantonin Basel-Landschaft, ndërsa benzinë 98 më e lirë gjendet në kantonin Jura. Çmimet më të larta shihen në kantonet Uri (benzinë 95 dhe dizel) dhe Gjenevë (benzinë 98).

Radar i çmimeve TCS

Falë përditësimeve nga komuniteti, drejtuesit mund të shohin çmimet e karburantit në kohë reale. Në 2025, rreth 3,800 stacione karburanti në Zvicër u përditësuan më shumë se një herë. Radar i çmimeve të TCS mbetet një udhëzues i vlefshëm për drejtuesit edhe në 2026, megjithëse çmimet mund të ndryshojnë shpejt.

Përmbytje të mëdha godasin ishullin e Sicilisë, dëmet arrijnë 720 milionë euro

Një stuhi e fuqishme që goditi ishullin e Sicilisë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, të cilat sipas guvernatorit Renato Schifani arrijnë vlerën e 720 milionë eurove. Për të përballuar situatën e emergjencës, qeveria rajonale ka shpërndarë menjëherë 70 milionë euro për të mbuluar nevojat më urgjente.

Edhe në Sardenjë, dëmet e shkaktuara nga moti i keq vlerësohen në qindra milionë euro, dhe autoritetet rajonale kërkojnë mbështetje financiare shtesë nga qeveria në Romë.

Reshjet e vazhdueshme dhe dallgët shumë të larta kanë shkaktuar dëme edhe në pasuritë arkeologjike. Situata më kritike është në Kalabri, ku dallgët në Detin Jon kanë arritur lartësinë e nëntë metrave – ekuivalent me një ndërtesë katërkatëshe. Erërat e forta, mbi 110 km/h, kanë përkeqësuar shkatërrimin e infrastrukturës dhe zonave bregdetare.

Kosova dhe Serbia dakordohen për aktivizimin e komisionit për personat e zhdukur

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për të vënë në funksion komisionin e përbashkët që merret me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas raundit të dialogut me Serbinë në Bruksel, deklaroi se tani pritet që javët e ardhshme të zhvillohen takime me zëvendësit e tyre për të vendosur prioritetet e para të punës së komisionit.

“Qëllimi ynë ishte të dakordohemi për funksionalizimin e komisionit të përbashkët dhe zbatimin e Marrëveshjes për personat e pagjetur, si pjesë e dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe tani mund të themi se ky objektiv është realizuar,” tha Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, e konsideroi takimin e 22 janarit si “hapin e parë të komisionit për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur”.

“Kjo është shumë e rëndësishme dhe shpresoj që ky takim i parë të përshpejtojë procesin për gjetjen e të gjithë personave të zhdukur,” shtoi Petkoviç.

Kryenegociatorët e të dyja vendeve shërbejnë edhe si bashkëkryesues të komisionit.

Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, i cili gjithashtu mori pjesë në Bruksel, vuri në dukje se për tre vitet e fundit Serbia kishte refuzuar të themelonte komisionin.

“Mirëpresim takimin e ardhshëm dhe presim që pala serbe të sjellë hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me detyrimet e Deklaratës për personat e zhdukur,” shkroi Hoti në Facebook.

Sulm hakerash ndaj Energy Switzerland: Të dhënat e 85,000 individëve të prekur janë kopjuar dhe fshirë

Energy Group Switzerland ka njoftuar për një sulm hakerash më 20 janar 2026. Të dhënat personale të rreth 85,000 fituesve të biletave janë fshirë dhe, sipas informacionit, mund të jenë edhe kopjuar. Ngjarja është raportuar menjëherë tek policia dhe Autoriteti Federal për Mbrojtjen e të Dhënave (FDPIC). Të gjithë individët dhe partnerët e prekur do të informohen personalisht.

Energy ka shprehur keqardhje të thellë për incidentin e sabotimit, po vijon hetimet dhe ka marrë masa shtesë për të përforcuar sigurinë e të dhënave.

Sfida e ligjit të policisë në kantonin e Bernës dhe të drejtat e qytetarëve

Ligji i policisë në kantonin e Bernës është përballur me sfida ligjore, ndërsa Gjykata Federale e Lartë do të vendosë së shpejti mbi disa dispozita të reja që lidhen me mbikëqyrjen dhe sigurinë.

Çështjet kryesore që kanë ngjallur kritika nga partitë e majta dhe organizatat për të drejtat e njeriut janë:

Monitorimi automatik i automjeteve: Kantonit të Bernës i lejohet të skanojë automatikisht targat e makinave dhe t’i krahasojë me bazat e të dhënave. Kritikuar si “survejim masiv” nga organizata “Democratic Lawyers of Switzerland” (DJS).

Bodycam-et e policisë: Policët bernëzë përdorin kamera trupore për të regjistruar krimet, por kritikohet mungesa e qartësisë se kush mund të filmojë dhe kur.

Mbikëqyrja e detyruar në zona “hotspot”: Kantonit mund t’i lejohet të vendosë kamera edhe kundër vullnetit të komunave, duke sfiduar autonominë lokale.

Ekspertët shprehin se ligjet e policisë prekin thellësisht të drejtat themelore dhe shpesh përfundojnë para Gjykatës Federale për vendim. Përveç mbrojtjes së qytetarëve, ligji i Bernës synon edhe parandalimin e krimit, një çështje që bie nën juridiksionin kantonal.

Gjykata Federale pritet të vendosë publikisht, dhe çdo ndryshim mund të ndikojë në praktikat e policisë bernëze, duke përfshirë përdorimin e kamerave trupore dhe monitorimin e automjeteve.

Deputetë gjermanë bëjnë thirrje për bojkot të Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara

Po sikur Kupa e ardhshme e Botës e FIFA-s, e bashkëorganizuar nga Shtetet e Bashkuara, të bojkotohej? Vetëm disa muaj para fillimit të turneut, debati po intensifikohet në Gjermani. Shkak janë politikat e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe tensionet gjeopolitike që ai ka nxitur, veçanërisht lidhur me Groenlandën. Disa deputetë gjermanë po hedhin idenë e bojkotit.

Ideja e një bojkoti gjerman të Kampionatit Botëror të Futbollit, që pritet të nisë në qershor, po diskutohet si nga e majta ashtu edhe nga e djathta politike. Në të dy krahët ekziston bindja se presidenti amerikan po shkon shumë larg, sidomos në çështjen e Groenlandës, transmeton albinfo.ch.

Jürgen Hardt, deputet konservator dhe i afërt me kancelarin Friedrich Merz, ishte ndër të parët që sugjeroi heqjen dorë nga pjesëmarrja në turne. Sipas tij, është e papranueshme që një ngjarje e tillë të zhvillohet në një vend si Shtetet e Bashkuara, të cilat ai i konsideron “agresive ndaj një shteti anëtar të Bashkimit Evropian”.

“Presidenti amerikan duhet ta kuptojë se, nëse do ta ndërmerrte këtë hap, asgjë nuk do të ishte më si më parë në marrëdhëniet transatlantike – përfshirë edhe çështje që kanë rëndësi për të, si Kupa e Botës”, thekson Hardt, duke shkuar deri aty sa të sugjerojë anulimin e turneut si mjetin e fundit për ta detyruar Donald Trump të reflektojë.

Nga ana e saj, qeveria gjermane ia kalon përgjegjësinë Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) dhe FIFA-s. Këto dy institucione janë të vetmet të autorizuara për të vendosur mbi një bojkot të mundshëm. Sipas një sondazhi të fundit, shumica e gjermanëve do ta mbështesnin një bojkot nëse Groenlanda do të aneksohej nga Uashingtoni.

Debat edhe në Francë

Edhe në Francë, çështja u trajtua të martën. Megjithatë, në këtë fazë, Parisi nuk po shqyrton tërheqjen nga organizimi i Kupës së Botës, pavarësisht thirrjeve të shumta, veçanërisht nga qarqet politike.

Nuk është hera e parë që ngrihen kërcënime për bojkotimin e Kupës së Botës. Megjithatë, asnjë vend nuk ka ndërmarrë realisht një hap të tillë, të paktën që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Në raste të mëparshme, këto thirrje kanë mbetur vetëm në nivel deklaratash, siç ndodhi edhe gjatë Kupës së fundit të Botës në Katar.

Në histori kanë ekzistuar bojkote gjatë Lojërave Olimpike, si në vitin 1980 në Moskë, kur 65 shtete refuzuan të dërgonin sportistët e tyre në shenjë proteste ndaj pushtimit të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik.

SHBA-të gati për negociata tarifore me Zvicrën

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të hapin negociata tarifore me Zvicrën, ka deklaruar presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

“Amerikanët na kanë informuar se janë të gatshëm”, tha Parmelin para mediave, duke sqaruar se deklarata e përbashkët e miratuar në nëntor mbetet baza e negociatave dhe se nuk janë vendosur kushte paraprake. Ai shtoi se nëse ky kuadër ndryshon, procesi mund të vonohet.

Sipas ministrit zviceran të Ekonomisë, raundi i parë i negociatave teknike për marrëveshjen tarifore mes Bernës dhe Uashingtonit pritet të mbahet sa më shpejt në Bernë, megjithëse ende nuk ka një datë të saktë. Zvicra synon të arrijë një marrëveshje deri në fund të marsit për të siguruar tarifat prej 15% që janë në fuqi që nga nëntori, transmeton albinfo.ch.

Mbështetje për Ukrainën

Në Davos, Parmelin u takua gjithashtu për herë të parë personalisht me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke konfirmuar se Zvicra planifikon të mbështesë Ukrainën përballë krizës energjetike.

“Situata është kritike. Ka zona ku shtëpitë nuk po ngrohen më”, tha Parmelin, duke shtuar se pala ukrainase ka paraqitur një listë kompanish zvicerane të sektorit energjetik që mund të ndihmojnë me pajisje të nevojshme. “Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshpejtuar dërgesat”, u shpreh ai.

Zelensky dhe Trump në Davos

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua në Davos me presidentin amerikan Donald Trump, duke e cilësuar bisedën si “të mirë”. Pas takimit, Trump i bëri thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës në Ukrainë, ndërsa Zelensky deklaroi se dokumentet për përfundimin e konfliktit janë “pothuajse gati”.

Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror, Zelensky kritikoi mungesën e vullnetit politik të Bashkimit Evropian ndaj Vladimir Putinit, duke theksuar se garancitë e sigurisë nuk mund të funksionojnë pa përfshirjen e SHBA-ve.

Trump nënshkruan Kartën e “Këshillit të Paqes”

Gjatë qëndrimit të tij në Davos, Donald Trump nënshkroi kartën themeluese të “Këshillit të Paqes”, një strukturë që, sipas tij, do të funksionojë “në koordinim me Kombet e Bashkuara”. Pas ceremonisë, presidenti amerikan u largua nga Zvicra drejt aeroportit të Cyrihut.

Sektori i turizmit zviceran “po buzëqesh”

Pavarësisht një rënieje të ndjeshme të udhëtimeve drejt Shteteve të Bashkuara, sektori zviceran i turizmit e mbylli vitin 2025 me rritje të moderuar dhe e nisi vitin e ri me vrull, sipas Andrea Beffa, drejtoreshë e Federatës Zvicerane të Udhëtimeve (FSV), shoqatës së agjencive të udhëtimit. Në vitin financiar të përfunduar së fundmi, xhiroja e sektorit u rrit me afërsisht 5%, vuri në dukje ajo në një bisedë me agjencinë AWP. “Ishte një vit i mirë për sektorin.”

Krizat e shumta politike dhe fatkeqësitë e tjera, ndërsa gjenerojnë pasiguri dhe rrisin kërkesën për këshilla dhe siguri, nuk e kanë zbehur dëshirën për të udhëtuar. Pika më e vështirë janë destinacionet amerikane, të cilat panë një rënie prej 11%, me 361,300 udhëtarë zviceranë. “Personalisht, jam i befasuar këndshëm që rënia është vetëm rreth 10%”, komenton eksperti, i cili ia atribuon rënien “mbulimit të fortë mediatik të politikave të paparashikueshme të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump”, transmeton albinfo.ch.

Disa operatorë kanë raportuar humbje deri në 40%. Por perspektiva për vitin 2026 duket më pak e zymtë se sa pritej: “Nuk duket se do të ketë një tkurrje më të mprehtë të kërkesës sesa në vitin 2025”, duke kundërshtuar kështu parashikimet më pesimiste që parashikonin një përgjysmim të biznesit të lidhur me SHBA-në. Destinacione të tjera të largëta kanë ndihmuar në kompensimin e rënies amerikane. Kanadaja, Australia dhe Karaibet kanë përfituar në veçanti, ndërsa kërkesa për Azinë (Japonia, Sri Lanka, Tajlanda, Vietnami, Koreja e Jugut) dhe Afrikën e Jugut ka mbetur shumë e fortë. Vala e të nxehtit e Kupës së Botës në Amerikën e Veriut verën e ardhshme do të luajë gjithashtu një rol pozitiv, duke tërhequr flukse tifozësh, megjithëse me efektin anësor të rritjes së çmimeve.

Fillimi i vitit 2026 ka qenë pozitiv. “Rezervimet po vijnë: Shumica e anëtarëve e kanë filluar vitin e ri me optimizëm.” Shpenzimet mbeten të larta, me çmimet mesatare të paketave të udhëtimit të qëndrueshme në nivele të larta: kërkesa për vende të para, biznesi ose ekonomike premium në linjat ajrore vazhdon të jetë e lartë. “Klasat biznesi janë pothuajse gjithmonë të rezervuara plotësisht.”

Në frontin e konkurrencës, Beffa qetëson: pavarësisht bashkimit që krijoi gjigantin Dertour Suisse-Hotelplan, tregu mbetet dinamik dhe i zgjeruar, me hapësirë ​​për operatorë të rinj. Bashkimi, sipas drejtorit të FSV, është i favorshëm për klientët që përfitojnë nga një ofertë më e gjerë dhe nuk ka çuar në një rritje të përgjithshme të çmimeve, gjë që do të ishte e pamundur duke pasur parasysh konkurrentët e shumtë në treg.