R&R Rent a Car, një emër i ri në tregun zviceran të veturave luksoze me qira

Në Zvicër ka kohë që tregu i veturave me qira është i konsoliduar me kompani të mëdha ndërkombëtare, por tashmë është shtuar një emër i ri: R&R Rent a Car. Kompania, e themeluar nga sipërmarrësi me përvojë shumëvjeçare Remzi Shala, synon të sjellë një qasje të re, me shërbime fleksibile dhe flotë moderne automjetesh.

Me mbi 25 vite përvojë në këtë sektor, themeluesi i kompanisë vjen nga pozita e menaxherit në një kompani botërore të njohur. Ai thekson se përvoja, përkushtimi dhe sinqeriteti janë shtyllat mbi të cilat është ngritur R&R Rent a Car.

albinfo.ch: Si lindi ideja për të hapur një kompani rent a car në Zvicër?
Remzi Shala:Ideja ka qenë e kahmotshme, por gjithmonë ka rëndësi momenti i duhur. Kam mbi 25 vite përvojë në këtë fushë dhe për 8 vitet e fundit kam punuar si menaxher në një kompani me renome botërore (emrin nuk po e përmend, pasi sot është konkurrenti im, haha). Pas gjithë kësaj eksperience, mendova: pse të mos e provoj vetë? Dhe kështu lindi ideja e R&R Rent a Car në Zvicër.

albinfo.ch:Me çfarë sfidash u përballët në fillim si sipërmarrës shqiptar këtu?
Remzi Shala: Jeta vetë është një sfidë dhe ndonjëherë është mirë ta sfidosh veten e pse jo ta provosh fatin. Nuk pata ndonjë vështirësi të madhe përtej atyre të zakonshmeve që ka çdo biznes i ri. Në Zvicër të jepet mundësia, mjafton të mos mungojë vullneti dhe dashuria për punë. Përvoja e gjatë më ndihmoi shumë që të përballesha me çdo situatë.

albinfo.ch: Sa ka ndihmuar apo vështirësuar fakti që jeni me prejardhje shqiptare në këtë treg?
Remzi Shala: Nuk kam hasur ndonjë pengesë serioze. Përkundrazi, kam shoqëri të nacionaliteteve të ndryshme dhe shpesh kam marrë përkrahje prej tyre. Vështirësitë ishin ato të zakonshme të çdo biznesi të ri, jo diçka që lidhet drejtpërdrejt me prejardhjen time.

albinfo.ch: Çfarë e veçon R&R Rent a Car nga kompanitë e tjera në Zvicër?
Remzi Shala: Na veçon përvoja shumëvjeçare, sinqeriteti dhe motivimi për punë. Ne ofrojmë shërbime që pak kompani i kanë: çmime të volitshme, dorëzimin e makinës kudo që klienti e kërkon – jo vetëm brenda Zvicrës, por edhe jashtë saj, në qytete si Mynih, Venecia, Paris etj. Flota jonë përfshin modele ekskluzive të Mercedes (E-Klasse, S-Klasse, GLE, V-Klasse), dhe së shpejti do të shtojmë BMW X7, X5, Serinë 5 të re, dhe disa modele më të mesme si X3 e X1 si dhe në pranverë të vitit 2026 me makina sportive e kabriolete..Ky diversitet dhe modernitet i flotës na dallon nga të tjerët.

albinfo.ch: Kush janë klientët tuaj kryesorë?
Remzi Shala: Kemi turistë nga e gjithë bota, por edhe klientelë lokale zvicerane që na marrin makina për fundjavë ose për nevojat e kompanive të tyre. Natyrisht, një vend të veçantë e zë diaspora shqiptare, të cilët na mbështesin pa hezitim – faleminderit dhe shyqyr që i kemi!

albinfo.ch: A vëreni rritje të kërkesës gjatë pushimeve?
Remzi Shala: Po, kërkesa shtohet ndjeshëm jo vetëm në verë, por edhe në pushimet dimërore, pranverore dhe gjatë festave. Edhe pse udhëtimet drejt vendlindjes kanë procedura më të ndërlikuara për shkak të dokumenteve shtesë, gjithsesi interesimi është i madh.

albinfo.ch: Sa e rëndësishme është besueshmëria dhe cilësia e makinave në raport me çmimin?
Remzi Shala: Është thelbësore. Në këtë industri vlen fjala: “Çfarë paguan, atë merr.” Ne mundohemi që çdo klient të marrë shërbim cilësor dhe të mos zhgënjehet.

albinfo.ch: Si po përshtateni me trendin e makinave elektrike?
Remzi Shala: Kërkesa është minimale. Turistët preferojnë makinat me karburant, pasi furnizimi është më i thjeshtë. Infrastruktura për karikim elektrik në Zvicër ende nuk është aq e zhvilluar, kështu që për momentin nuk ka interes të madh.

albinfo.ch: A keni plane për zgjerim?
Remzi Shala: Po, kemi një biznes plan që përfshin zgjerimin në Zvicër, veçanërisht në kantonet Gjenevë, Basel dhe Lucern – por kjo mbetet surprizë për intervistën tjetër. Në Kosovë, R&R Rent a Car tashmë operon prej një viti në Aeroportin e Prishtinës. Për Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut ekziston interes, por ende nuk ka diçka konkrete.

Çfarë e veçon R&R Rent a Car?

Kompania dallon për fleksibilitetin dhe gamën e shërbimeve që ofron:

Çmime të volitshme dhe transparente

Dorëzim të makinës në çdo qytet të Zvicrës dhe madje edhe jashtë saj (Mynih, Venecia, Paris etj.)

Mundësi bashkëpunimi me evente dhe kompani limousine service

Shërbime me shofer të përfshirë në disa marrëveshje në finalizim

Flota përfshin modele të larta të Mercedes-it (E-Klasse, S-Klasse, GLE, V-Klasse), ndërsa së shpejti do të shtohen BMW X7, X5, Seria 5 e re, dhe disa modele më të mesme si X3 e X1.si dhe makina sportive e kabriolete.

Rezervo veturën tënde dhe lëviz sigurt dhe komod në Zvicër: –>>>https://www.rr-rentacar.com/switzerland

Foto: Genti Mersinaj

 

Ekspozita “Shqipëria 1921” me fotografitë e zviceranit Eugène Pittard

Bëhet e ditur se do të mbahet një ekspozitë unike të martën, më 21 tetor 2025, nga ora 18,  në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), pranë Kryeministrisë. Ekspozita “Shqipëria 1921” do të sjellë për herë të parë për publikun fotografi të rralla të realizuara nga antropologu dhe miku i madh zviceran i Shqipërisë, Eugène Pittard, transmeton albinfo.ch.

Në hapje do të marrin pjesë ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, kryeministri Edi Rama, si dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Ekspozita përfshin printime origjinale dhe përmbajtje digjitale, shoqëruar me një album fotografikqë dokumenton jetën, kulturën dhe njerëzit e Shqipërisë në vitet 1921–1924, një pasuri vizuale që rrallë është parë më parë.

Organizatorët theksojnë se kjo është një nderim për kontributin e Pittard-it, i cili ndihmoi në promovimin e imazhit të Shqipërisë në Evropën e fillimshekullit XX. /Albinfo.ch

BE miraton 16 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, për reforma dhe projekte infrastrukturore

Bashkimi Evropian ka miratuar lëshimin e dytë të mjeteve për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë totale prej 16 milionë eurosh, përcjell albinfo.ch.

Shuma përfshin grante të pakthyeshme dhe hua, nga të cilat 7,4 milionë euro do të paguhen direkt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të shfrytëzohet për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Vendimi vjen pas vlerësimit pozitiv të Komisionit Evropian për reformat e Qeverisë, duke përfshirë progresin në digjitalizim, sigurinë kibernetike, dokumentet elektronike dhe luftën kundër ekonomisë joformale. Për hapat që nuk janë përmbushur plotësisht, Komisioni ka caktuar një periudhë shtesë deri në qershor 2026.

Partneriteti zviceran përforcon zhvillimin e qëndrueshëm të Ngrohtores së Gjakovës

Qeveria e Zvicrës shpreh kënaqësinë e saj për këtë moment historik të arritur nga Ngrohtorja e Qarkut të Gjakovës, me mbështetjen e Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), përcjell albinfo.ch.

Ne i përgëzojmë të gjithë partnerët për përkushtimin e tyre në ndërtimin e një kompanie më të qëndrueshme në aspektin mjedisor dhe për përpjekjet e vazhdueshme për t’i ofruar komunitetit shërbime më të besueshme dhe efikase përmes kësaj qasjeje inovative.

Për të siguruar vazhdimësinë e këtij suksesi, i ftojmë konsumatorët të kryejnë pagesat e tyre rregullisht për shërbimet e marra, pasi kjo është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemit.

https://www.facebook.com/share/p/19nWti9NqD/?mibextid=wwXIfr

Wizz air me fluturime të reja nga Bratisllava për Prishtinë dhe Tiranë

Së fundmi, Aeroporti i Bratislavës ka njoftuar një zgjerim të madh në partneritet me Wizz Air, duke shënuar rritjen më të madhe të linjave në historinë e tij, përcjell albinfo.at. 

Theksohet se aviokompanisë do t’i shtohen dy avionë të rinj Airbus A321neo në bazën e Bratislavës dhe do të hapen 12 linja të reja që nga dimri i këtij viti.

Shërbimi i parë, lidhja brenda vendit ndërmjet Bratislavës dhe Košicës, fillon më 21 nëntor 2025 dhe do të operojë nëntë herë në javë.

Ky zgjerim është një lajm i mirë edhe për udhëtarët nga Kosova dhe Shqipëria, që mund të përdorin Bratislavën si pikënisje për fluturime me çmime të ulëta dhe të shpeshta deri në 4 herë ne javë për Prishtinë dhe tri herë për Tiranë, nga marsi i vitit 2026.

Po ashtu edhe nga Roma, Berlini, Varshava, Larnaka dhe Tel Avivi do të nisën nga marsi 2026.

Numri i pasagjerëve pritet të rritet në 3–4 milionë në vitin 2026, sipas CEO-së së aeroportit, Dušan Novota./Albinfo.at 

Mbërrijnë qytetarët e parë nga Kosova dhe një grup mërgimtarësh në Tiranë

Shumë qytetarë të Kosovës kanë arritur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë lidhur me protestën në mbështetje të lidëreve të UÇK-së, e cila do të nisë orën 17:00.

Atmosfera në shesh është duke u “gjallëruar” minutë pas minute, teksa shqiptarët e Kosovës mbërrijnë në Tiranë.

78-vjeçari, Daut Maloku pavarësisht moshës, ka udhëtuar nga Prishtina herët në mëngjes.

Ai për “Euronews Albania” shprehet se në Hagë po devijohet e vërteta dhe se lufta Çlirimtare ka qenë e pastër duke e krahasuar me lotin prandaj duhen përkrahur liderët e UÇK-së.

“Do të jetë një miting mbarëkombëtar për mbrojtjen e vlerave sublime themelore të UÇK. Kjo është e rëndësishme të tregojmë se këto vlera i kemi amanet nga dëshmorët, që gjithmonë ti respektojmë. Ajo që po ndodh në Hagë është e po dyshojmë se ka devijim nga e vërteta. Lufta çlirimtare ishte e pastër si loti,” tha ai.

Një shqiptar i Kosovës së bashku me miqtë e tij, i cili  ka udhëtuar nga Zvicra që të jetë pjesë e protestës, tha se është një ditë e rëndësishme për të dhënë përkrahjen e tyre ndaj liderëve të UÇK-së.

“Ne kemi ardhur me 10 shokë nga Bazeli i Zvicrës. Është një ditë e veçantë. Kemi ardhur të japim përkrahje çlirimtarëve. Ata janë liria e Kosovës, falë gjakut të dëshmorëve dhe Hashim Thaçit edhe bashkëluftëtarëve të tjerë sot jemi këtu e na jepet mundësia të përkrahim ata.

Ne kemi qene pjese e luftës dhe e kemi përjetuar. Jemi krenar që kemi qenë kemi pjesë e asaj historie. Hashim Thaçi është ikona e Shqiptarisë. Qindra e mijëra njerëz do vijnë për ti përkrahur”, tha ai.

Shqiptarët po emigrojnë ndryshe, azili bie, punësimi ligjor rritet në Evropë

Kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian (BE) kanë shënuar tkurrje të fortë gjatë pjesës së parë të këtij viti, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat e publikuara nga Eurostat bëjnë të ditur se në janar-korrik kishte gjithsej 3100 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare në BE nga shtetasit shqiptarë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto kërkesa kanë rënë me 28%.

Në raport me vitin 2022, kur u shënua një kulm i ri emigracioni, pas pandemisë, me 7200, tashmë ato mëse janë përgjysmuar. Franca vijon të mbetet vendi më i preferuar për të kërkuar azil për shkak të politika sociale, e ndjekur nga Gjermania.

Ndërsa kërkesat për azil janë në rënie, të dhënat e tjera të Eurostat bënë të ditur se forma më e preferuar për të ikur janë lejet e punës. Eurostat raportoi se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.

Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë.

Numri i atyre që po ikin me leje pune është tashmë gati dy herë më i lartë se ata që kërkojnë të largohen përmes azilit. Të dhënat e tjera të Eurostat bëjnë të ditur se në vitin 2022 kishte 15 mijë kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së, në 2023 numri i tyre zbriti në 11 mijë dhe në 2024-n ishte 9.3 mijë.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat, në korrik 2025 u regjistruan gjithsej 55,340 aplikime të para për azil nga shtetas të vendeve jashtë Bashkimit Europian. Ky numër përfaqëson një rënie me 27 % krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, por një rritje me 6 % krahasuar me qershorin 2025.

lg.php.gif

Në të njëjtin muaj, janë paraqitur gjithashtu 11,515 aplikime të përsëritura, një rritje e ndjeshme prej 62 % nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 41 % më shumë se një muaj më parë.

Grupi më i madh i aplikantëve ishin shtetasit venezuelianë, me 6,660 kërkesa, të ndjekur nga afganët (4,900), bangladeshasit (3,110) dhe sirianët (2,685). Katër vende të mëdha anëtare – Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania – morën së bashku 73 % të të gjitha aplikimeve të para për azil, përkatësisht me 11,190, 10,720, 10,005 dhe 8,285 kërkesa secila.

Në nivel të BE-së, norma e aplikimeve të para për popullsinë ishte 12.3 për 100,000 banorë, ndërsa Greqia regjistroi përqendrimin më të lartë, me 46.1 kërkesa për 100,000 banorë, ndjekur nga Luksemburgu (22.7) dhe Belgjika (22.1).

Eurostat vëren gjithashtu se në korrik janë paraqitur 1,755 kërkesa nga të mitur pa shoqërues, kryesisht nga Afganistani (255) dhe Eritrea (250). Shtetet që pranuan numrin më të madh të këtyre aplikantëve ishin Holanda (330), Gjermania (315) dhe Spanja (235).

Sipas institucionit evropian të statistikave, këto shifra tregojnë një dinamikë të ndryshueshme të flukseve të azilkërkuesve, me luhatje mujore dhe dallime të forta mes vendeve pritëse, ndërsa disa shtete mbeten nën presion të vazhdueshëm për shkak të numrit të lartë të kërkesave në raport me popullsinë e tyre.

Ambasadori i ri gjerman: Jam optimist se në Kosovë do të ketë shpejt një qeveri me të cilën mund të bashkëpunojmë

Ambasadori i sapo emëruar gjerman në Prishtinë, Ranier Rudolph, është shprehur optimist se Kosova shumë shpejt do të formojë qeverinë e re me të cilën mund të bashkëpunojnë.

Me rastin e pritjes për shënimin “Ditës së Bashkimit Gjerman”, diplomati  gjerman, nënvizoi se shteti i tij është dhe do të mbetet mik dhe partner i fortë i Kosovës, raporton KosovaPress.

“Këtu në Kosovë, jam optimist që shumë shpejt do të ketë një qeveri, e cila do të jetë plotësisht e mandatuar si partner me të cilin qeveria jonë mund të bashkëpunojë”, theksoi ai.

Diplomati gjerman ritheksoi mbështetjen karshi ambicies evropiane të Kosovës si dhe integrimin e saj ndërkombëtarë.

“Gjermania është dhe mbetet një mik dhe partner i fortë. Ne jemi krenarë që kemi mbështetur rrugëtimin e Kosovës që shumë para pavarësisë së saj dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Qeveria jonë, e cila mori detyrën në maj, konfirmoi mbështetjen tonë të gjatë për Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme. Edhe në parlamentin tonë, Bundestagun, mbështetja dhe miqësia me Kosovën janë të thella dhe të  në të gjitha partitë demokratike, siç e përjetova në shumë biseda javët e fundit në Berlin….Kosova është pjesë e Evropës. Unë dua të mbështes ambiciet evropiane të Kosovës dhe integrimin e saj ndërkombëtar. Procesi i zgjerimit të BE-së është një prioritet personal për ministrin e Jashtëm Johann Wadephul. Për secilin prej nesh në Evropë, hapi i parë drejt integrimit evropian është forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal me fqinjët tanë përkatës”, shtoi ai.

Barcelona po monitoron Fisnik Asllanin, ylli kosovar drejt Spanjës

Barcelona po e monitoron sulmuesin e Kosovës, Fisnik Asllanin, ka raportuar të enjten në mbrëmje gazetari i “SkySportit” në Gjermani, Florian, përcjell albinfo.ch.

Siç ka shkruar Plettenberg në X, 23-vjeçari ka klauzolë te klubi i tij aktual Hoffenheim për verën e ardhshme.

“Barcelona është e njoftuar”, ka shkruar ai.

Madje siç ka shkruar Plettenberg, “kalimi në një top-klub evropian është tërësisht i planifikuar dhe klubi i ardhshëm i Asllanit pritet të garojë në Ligën e Kampionëve”.

“Klubi im i ëndrrave gjithmonë ka qenë Barcelona. Gjithmonë kam dashur të luaj aty”, i ka thënë Asllani ditë më parë “Sport Bildit”.

Në edicionin aktual, Asllani ka pasur gjashtë paraqitje në Bundesligë. Ka realizuar katër gola dhe ka asistuar një herë. Ndërkaq ditë më parë realizoi golin historik në fitoren e Kosovës si mysafire e Suedisë për ta afruar te shansi i madh për kualifikim në plejof për kualifikim në Botërorin e vitit 2026. Te Kosova në këto kualifikime ka realizuar një gol në tri paraqitje.  

Rama heq pagesën te Rruga e Kombit për protestën në Tiranë

Pikërisht në ditën kur Albin Kurti është kthyer pas në kohë për t’i përmendur Edi Ramës mëkatet e të shkuarës, kur udhëtonte me avion drejt Prishtinës për ngritjen e Gjykatës Speciale, zv.kryeministrja Belinda Balluku ka marrë një vendim që u kujton qytetarëve të Kosovës një mëkat tjetër të Edi Ramës; vendosja e taksës në Rrugën e Kombit, përcjell albinfo.ch.

Në një postim në rrjetet sociale, Balluku njofton se ka marrë një vendim simbolik, se do ta heqë taksën e rrugës së Kombit në datën 17 tetor kur në Tiranë të zhvillohet protesta në mbështetje të komandantëve të UÇĶ.

“Rruga e Kombit pa pagesë në datë 17 Tetor! “Liria ka emër – Drejtësi për çlirimtarët”, bashkohemi në Tiranë për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës” shkruan Balluku në rrjetet sociale.

Por efekti i këtij akti simbolik për heqjen e taksës vetëm për një ditë, është krejt i kundërt.

Duke lehtësuar protestuesit që do të udhëtojnë nga Kosova, Balluku nuk ka bërë gjë tjetër veçse u ka kujtuar qindra mijëra qytetarëve të Kosovës se ishte qeveria e Edi Ramës që ua vendosi këtë taksë, megjithëse rruga ishte një investim fund e krye shtetëror, i paguar nga taksat e qytetarëve të Shqipërisë.

Mjafton pra ky akti i vogël i urdhëruar nga Rama për të treguar se sa hipokrite është qasja e qeverisë së Ramës ndaj Kosovës, të cilën kurdoherë e ka parë si një mjet në funksion të ambicieve personale.

Me flamujt kuq e zi dhe simbolet e UÇK-së, veturat nga Kosova nisen për në Shqipëri

Vetura nga Kosova me flamujt kuq e zi dhe me tri germat “UÇK” shihen në drejtim të Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Sot qytetarë nga gjitha trojet shqiptare do të bëhen bashkë në sheshin “Skenderbej” në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Nga Shqipëria do të jehojnë thirrjet e shqiptarëve “Drejtësi per çlirimtarët”.

Nga Kosova në drejtim të Hagës, qytetit holandez, të mërkurën janë nisur edhe rreth 150 motoristë shqiptarë nga vende të ndryshme të Kosovës me bluza të veshura me mbishkrime “Liria ka emër”. Nga Haga, marshi i tyre do të vijojë edhe drejt Brukselit.

Përkrahje për protestë kanë deklaruar politikanë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, teksa nga Kosova pritet të nisen rreth 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës në Tiranë.

Autoritetet në Shqipëri dje kanë deklaruar se ‘Rruga e Kombit’ do të jetë pa pagesë për qarkullim sot me 17 tetor për të gjithë qytetarët në shenjë solidarizimi me protestën.

Kujtojmë se protestë në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së u organizua edhe në Prishtinë dhe në Hagë.

Sot protestohet në Shqipëri, kërkohet drejtësi për ish–udhëheqësit e UÇK-së

Bëhet e ditur se sot në Tiranë do të mbahet protestë në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që për akuzat për krime lufte po gjykohen në Hagë, përcjell albinfo.ch.

Organizata e veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila e ka organizuar protestën ka njoftuar se mbi 60 autobusë do të nisen nga Kosova drejt Tiranës të premten.

Kjo organizatë ka njoftuar edhe se në periudhën 17 tetor, ora 9:00 – 18 tetor, ora 9:00, nuk do të ketë pagesë në Rrugën e Kombit.

Në mbështetje të protestës ka dalë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. 

Protesta që do të mbahet në sheshin “Skenderbej” në Tiranë, është paraparë të mbahet në orën 17:00.

Protesta kundër Gjykatës Speciale e në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë mbajtur në gusht në Prishtinë, e në shtator te selia e Speciales në Holandë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen nga Specialja për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ata janë duke u mbajtur në paraburgim që nga viti 2020.

Patentat në Gjermani kushtojnë deri në 4,500 euro, qeveria premton zbritje

Çmimet për marrjen e patentës së shoferit në Gjermani po konsiderohen tepër të larta, dhe Ministri Federal i Transportit, Patrick Schnieder, ka paralajmëruar masa për t’i ulur ato, përcjell albinfo.ch.

Schnieder njoftoi se do të organizojë një takim me ministrat e landeve për komunikacion dhe shoqatat profesionale, për të diskutuar mënyrat konkrete të uljes së kostove. Planet e tij pritet të prezantohen zyrtarisht gjatë ditës së sotme.

Ndër masat e mundshme përfshihen ulja e çmimit të karburanteve për autoshkolla, reduktimi i qirave dhe kostove të personelit, si dhe rishikimi i tarifave të provimeve dhe orëve praktike.

Aktualisht, patenta e shoferit në Gjermani kushton mes 2,500 dhe 3,500 euro, ndërsa sipas ADAC, shumë kandidatë paguajnë deri në 4,500 euro, varësisht nga numri i orëve dhe rezultatet në provime.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, çmimet u rritën me 5.8%, ndërsa 45% e kandidatëve dështojnë në provimin teorik dhe 37% në atë praktik.

4,000 euro për patentë janë shumë para për familjet me fëmijë,” tha Schnieder, duke theksuar nevojën për ta bërë procesin më të përballueshëm financiarisht.

Shoqata “Bashkimi” në Bern organizon festë për 28 Nëntorin

Shoqata Kulturore Shqiptare “Bashkimi” në Bern ka bërë të ditur se këtë vit do të organizojë një festë madhështore në nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja do të mbahet të shtunën, më 29 nëntor 2025, nga ora 18:00 deri në mesnatë, në Restaurant Ambiente, me adresë Bühlstrasse 5, 3012 Bern.

Për mbrëmjen është përgatitur një program artistik i pasur, nën tingujt e muzikës shqiptare. Publikun do ta argëtojnë Miranda Hashani, Xhemail Murtishi dhe Blerim Ramadani me orkestrën e tyre.

Organizatorët kanë bërë të ditur se vendet janë të kufizuara, prandaj pjesëmarrja bëhet vetëm me rezervim paraprak dhe konfirmim. Pagesa e hyrjes është 60 franga për person, me menu të përfshirë, dhe realizohet përmes xhirollogarisë me QR-Code të publikuar në fletushkën zyrtare të eventit.

Për më shumë informacion dhe rezervime, të interesuarit mund të kontaktojnë përmes emailit [email protected] ose në WhatsApp në numrat +41 76 746 84 63 dhe +41 78 711 93 99.

“Me shumë dashuri dhe respekt, ju ftojmë të festojmë së bashku Ditën e Flamurit dhe të kulturës sonë,” thuhet në njoftimin e Kryesisë së Shoqatës Kulturore Shqiptare “Bashkimi” Bern.

 

Behar Neziri, talenti shqiptar që ëndërron rikthimin te Bayerni

Mesfushori 22-vjeçar Behar Neziri, i rritur në akademinë e Bayern Munchenit, po shkëlqen aktualisht me St. Gallenin në Superligën e Zvicrës, përcjell albinfo.ch.

Neziri ka luajtur në të gjitha tetë ndeshjet e këtij sezoni, duke impresionuar që në debutim me fitoren 2:1 ndaj Baselit. Ai thotë se ka pritur gjatë për këtë moment, pas dy vitesh të vështira me lëndime dhe huazimin te Wili.

Kam dashur fanellën e Shaqirit, por ishte e rezervuar. Ndoshta herën tjetër,” ka thënë ai për Blick. Shaqiri mbetet një prej idhujve të tij, ndërsa të dy i lidh e kaluara te Bayerni dhe rrënjët kosovare.

Neziri iu bashkua Bayernit në vitin 2016 nga Augsburgu, ku luajti për ekipet e moshave dhe për ekipin e dytë. Në 2023 kaloi te St. Gallen U21, para se të bashkohej këtë verë me ekipin e parë.

Trajneri Enrico Maasen e vlerëson për inteligjencën taktike dhe kujdesin ndaj bashkëlojtarëve, ndërsa klubi e cilëson shembull profesionalizmi.

“Kam luajtur edhe me Musialën dhe Pavloviqin. Mund ta imagjinoj ta bëj këtë sërish, por me ekipin e parë të Bayernit,” thotë me ambicie Neziri, i cili ka përfaqësuar Kosovën U16, U19 dhe U21 dhe ishte pjesë e listës së gjerë për ndeshjet e shtatorit.

Udhëtare të pazakonta, tri pula në trenin S6 nga Esen në Këln

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në një tren të linjës S6 nga Esen drejt Këlnit, ku tri pula janë gjetur në një nga vagonët e klasit të parë, të ulura qetësisht mbi një shtresë kashteje, transmeton albinfo.ch.

Sipas zëdhënësit të Deutsche Bahn, shpendët u vunë re vetëm në stacionin e fundit të linjës, kur makinisti kontrolloi trenin pas përfundimit të udhëtimit.

Pulat u dorëzuan më pas tek shërbimi i shpëtimit të kafshëve, ndërsa treni duhej të pastrohej plotësisht për shkak të ndotjes.

Ende nuk dihet kush i transportoi apo i la aty kafshët. Policia federale gjermane ka nisur hetimet për ndotje të hapësirave të transportit publik dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personin përgjegjës.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar incidentin si “një nga udhëtimet më të veçanta në historinë e Deutsche Bahn”.

Shteti evropian që miratoi ligjin që lejon deri në 13 orë pune në ditë

Pas debatit të gjatë në parlament, Greqia ka miratuar një ligj të ri që lejon punonjësit të punojnë deri në 13 orë në ditë, raporton tgcom24.

Qeveria konservatore e ‘Demokracisë së Re’ e përshkruan këtë vendim si një reformë që synon të ofrojë “punë të drejtë dhe fleksibël për të gjithë”. Nga ana tjetër, sindikatat e vendit e kanë cilësuar masën si një legalizim të “skllavërisë së paguar”.

Ligji i ri, i nënshkruar nga ministrja e Punës Niki Kerameos, parashikon që punonjësit në sektorin privat mund të punojnë deri në 13 orë në ditë për të njëjtin punëdhënës, në mënyrë vullnetare dhe për një periudhë që nuk kalon 37 ditë në vit. Orët shtesë do të paguhen me një shtesë prej 40%.

Një ligj i mëparshëm, i miratuar dy vjet më parë, lejonte punë 13-orëshe vetëm nëse punonjësi kishte dy punëdhënës të ndryshëm.

Edhe pse sindikatat organizuan dy greva të përgjithshme për të kundërshtuar reformën, mazhoranca parlamentare e partisë në pushtet votoi në favor të saj. Demonstratat në qytetet kryesore u zhvilluan nën parulla që e përshkruanin këtë nismë si “kthim në Mesjetë” për të drejtat e punëtorëve.

Sipas Konfederatës së Përgjithshme të Punëtorëve Grekë, ky ligj cenon shëndetin dhe sigurinë e punonjësve, si dhe prish balancën mes jetës personale dhe asaj profesionale.

 

Beson në ëndrrën botërore: Foda gati të udhëheqë Kosovën drejt Botërorit 2026

Pas një paraqitjeje mbresëlënëse në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka shprehur publikisht dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin me Federata e Futbollit e Kosovës përtej skadimit të kontratës aktuale.

Trajneri gjerman, i cili mori drejtimin e “Dardanëve” në vitin 2023, është shprehur i kënaqur me ambientin dhe profesionalizmin që ka gjetur në federatë dhe te grupi i lojtarëve. “Po, është e vërtetë që po zhvillojmë bisedime. Si unë si trajner, ashtu edhe federata, duhet të jemi të kënaqur me gjithçka nga kushtet e punës deri te bashkëpunimi profesional. Prandaj, është shumë e mundur që unë të qëndroj më gjatë në Kosovë,” ka deklaruar ai për mediumin “4-4-2”.

Kontrata e Fodës, e cila përfundon në korrik të vitit 2026, mund të zgjatet falë rezultateve pozitive që ka arritur përfaqësuesja e Kosovës kohët e fundit. Fitorja historike në fushën e Suedisë ka rritur ndjeshëm besimin në një kualifikim të mundshëm për Botërorin e ardhshëm, transmeton albinfo.ch.

Nëse Kosova nuk arrin ta sigurojë kualifikimin direkt në nëntor, trajneri dhe skuadra do të kenë një shans të dytë përmes fazës “play-off”, e cila zhvillohet në mars të vitit 2026.

 

Thermoplan vendos orar të shkurtuar pune për 355 punonjës pas tarifave të larta amerikane

Kompania zvicerane Thermoplan, furnizues i madh i Starbucks, ka njoftuar se 355 nga rreth 500 punonjësit e saj në Zvicër do të kalojnë në orar të shkurtuar pune duke filluar nga 3 nëntori.

Vendimi vjen pas vendosjes së tarifave të reja doganore prej 39 % nga SHBA në gusht, të cilat kanë shkaktuar rënie të ndjeshme të porosive. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Adrian Steiner, tha se situata i ka bërë produktet e tyre “jo konkurruese” në tregun amerikan.

Thermoplan po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së një pjese të prodhimit në Gjermani, ndërsa vazhdon negociatat me autoritetet doganore amerikane. Kompania shpreson të marrë një vendim deri në fund të vitit, ndërkohë që synon të shmangë shkurtimet e vendeve të punës.

Si u shndërrua energjia në një armë strategjike në konfliktin ukrainas

Tre dimra lufte mes Rusia dhe Ukraina kanë treguar qartë: energjia është kthyer në një armë po aq të rëndësishme sa edhe armët konvencionale.

Në muajt e fundit, Kievi ka shtuar ndjeshëm sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, me synimin për t’i hequr Moskës të ardhurat që përdor për të financuar luftën. Nga ana tjetër, Rusia po intensifikon goditjet mbi sistemin energjetik ukrainas — veçanërisht infrastrukturën e gazit — duke treguar qartë rolin jetik të sektorit energjetik në këtë konflikt.

Ukraina godet zemrën e industrisë së naftës ruse

Që nga gushti 2025, Ukraina ka kryer rreth 30 sulme ndaj rafinerive dhe depozitave të karburantit në territorin rus dhe në zonat e pushtuara, veçanërisht në Krimea. Këto sulme kanë shkaktuar mungesa të karburantit në disa rajone, radhë të gjata në pikat e furnizimit dhe rritje të çmimeve të benzinës. Objektivi është i dyfishtë: të goditet opinioni publik rus dhe të kufizohet kapaciteti financiar i Moskës për të vazhduar luftën.

“Ukraina po vazhdon atë që kishte nisur, por tashmë me mjete më të avancuara,” shpjegon Thierry Bros, profesor në Sciences Po dhe ekspert energjetik. “Me dronë dhe raketa më të fuqishme, synimi është të reduktohet kapaciteti i rafinimit të Rusisë. Nëse kjo ndodh, Moska do të detyrohet të zgjedhë mes furnizimit të popullsisë së saj ose vazhdimit të eksporteve për të siguruar valutë të huaj.”

Inteligjenca amerikane në ndihmë të Kievit

Sipas raportimeve të mediave, deri në 38% të kapacitetit të rafinimit rus është prekur nga këto sulme — shifër që mbetet e vështirë për t’u verifikuar plotësisht. Sanksionet perëndimore po e bëjnë edhe më të ndërlikuar rikthimin në funksion të këtyre impianteve, pasi Rusia nuk mund të importojë më disa komponentë jetikë.

“Katalizatorët, që janë thelbësorë për funksionimin e rafinerive, vijnë kryesisht nga Perëndimi. Zëvendësimi i tyre kërkon kohë dhe ul ndjeshëm prodhimin,” shton Bros.

Moska po përpiqet të mbrohet me sisteme anti-dron, por për shkak të madhësisë së impianteve, mbrojtja është e vështirë. Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i ofrojnë Kievit inteligjencë për planifikimin e disa prej këtyre sulmeve.

Rusia godet sistemin ukrainas të gazit

Nga ana tjetër, Rusia po vazhdon pa ndërprerje sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga viti 2022. Në fillim të tetorit, ajo ka lëshuar dhjetëra raketa dhe dronë mbi objektet e gazit ukrainas. Sipas autoriteteve në Kiev, rreth 60% e kapacitetit të prodhimit është dëmtuar.

“Këtë vit, taktika është shumë e qartë: të goditet prodhimi i gazit, nga i cili Ukraina varet shumë për sezonin e ngrohjes,” shpjegon Olena Pavlenko, eksperte energjie dhe presidente e Dixi Group. Sulmet synojnë jo vetëm prodhimin dhe magazinimin, por edhe gazsjellësit që përdoren për importime. “Objektivi i Rusisë është të privojë Ukrainën nga gazi — qoftë nga prodhimi vendas apo nga importet,” shton ajo.

Një reziliencë energjetike e detyruar

Pavarësisht dëmeve të mëdha, Ukraina po përshtatet. “Sistemi energjetik ishte shumë i centralizuar. Por që nga fillimi i sulmeve, komunitetet lokale kanë ngritur prodhime të tyre të pavarura me burime të rinovueshme, gaz apo gjeneratorë,” sqaron Pavlenko. Kjo “decentralizim i detyruar” është kthyer në një garanci mbijetese.

Por lufta e energjisë po prek edhe Evropën. “Magazinat e gazit në Bashkimi Evropian janë mbushur në 83%, kundrejt mbi 90% një vit më parë. Mund ta përballojmë një dimër të ftohtë, por nëse duhet të ndihmojmë edhe ukrainasit, situata bëhet shumë më e vështirë,” paralajmëron Bros.

BE vazhdon planin për të ndaluar tërësisht importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027, i mbështetur fuqimisht nga Uashingtoni, që kërkon të rrisë eksportet e gazit të lëngshëm natyror.

Megjithatë, duke goditur prodhimin ukrainas, Moska dërgon një mesazh të qartë: pavarësisht sanksioneve, varësia energjetike mbetet një armë e fuqishme ndikimi në Evropë.

Donald Trump njofton takim me Vladimir Putin në Budapest

Takimi i ardhshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin pritet të zhvillohet në Budapest, Hungari. Njoftimi u bë të enjten nga presidenti amerikan, i cili nuk dha një datë të saktë për takimin.

Ky zhvillim erdhi pas një bisede telefonike me presidentin rus, gjatë së cilës Trump deklaroi se “është bërë përparim i madh”.

“Ne kemi vendosur që një takim i këshilltarëve tanë të lartë të mbahet javën e ardhshme. Takimet fillestare do të udhëhiqen nga Sekretari i Shtetit, Mario Rubio, në një vend që ende nuk është përcaktuar,” shkroi Trump në Truth Social.

“Më pas, Presidenti Putin dhe unë do të takohemi në Budapest për të parë nëse mund të japim fund kësaj lufte të turpshme midis Rusisë dhe Ukrainës.”

Ky do të jetë takimi i parë mes dy liderëve që nga takimi i 15 gushtit në një bazë ushtarake në Alaska, i cili nuk solli rezultate konkrete për zgjidhjen e konfliktit të nisur në shkurt 2022 me pushtimin rus të Ukrainës.

 

Verërat e Leskovikut, thesari i fshehur i Shqipërisë

Leskoviku, një zonë e vendosur në juglindje të Shqipërisë pranë lumit Vjosë, është një rajon i njohur për prodhimin artizanal të verës dhe për klimën e veçantë që favorizon kultivimin e rrushit. Deri kohët e fundit, ky rajon ishte kryesisht i izoluar dhe i panjohur për jashtë, por sot po fiton vëmendje si një prej zonave më të rëndësishme të verës shqiptare.

Një nga kantinat më të njohura në këtë zonë është “Max Mavrud”, themeluar nga familja Fejzulla, e cila ka si qëllim të rikthejë dhe të promovojë traditën e verës në Leskovik. Kantina zotëron 17 hektarë vreshta në lartësi 750-780 metra mbi nivelin e detit, ku klima dhe tokat gëlqerore krijojnë kushte ideale për rritjen e rrushit. Verërat e prodhuara këtu karakterizohen nga një ekuilibër i mirë mes aciditetit, pjekurisë dhe freskisë.

Një nga produktet kryesore të kësaj kantine është vera “Trio3”, e përbërë nga një përzierje e rrushit lokal mavrud (50%) dhe varieteteve ndërkombëtare merlot (30%) dhe syrah (20%). Ky produkt qëndron në fuçi lisi franceze dhe hungareze për katër muaj para se të shitet, duke i dhënë asaj një shije të thellë dhe intensive.

Përveç prodhimit të verës, zona ka marrë vëmendje edhe për zbulime shkencore. Në fillim të vitit, një ekip shkencëtarësh çekë zbuloi liqenin termik nëntokësor më të madh në botë, “Liqeni Neuron”, pranë Leskovikut. Ky zbulim ka frymëzuar prodhimin e një vere speciale me të njëjtin emër, e bazuar ekskluzivisht në rrushin mavrud.

Leskoviku, megjithëse një destinacion i pazbuluar për shumicën e turistëve, ofron mundësi për të shijuar verëra autentike dhe produkte lokale, duke ruajtur një lidhje të fortë me natyrën dhe traditën e zonës.