Xhaka, votohet si blerja më e mirë e sezonit deri më tani

Ylli shqiptar i futbollit, Granit Xhaka po konsiderohet si blerja më e mirë e edicionit në Ligën Premiere pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me Sunderland.

Mesfushori shqiptar, i transferuar nga Bayer Leverkusen për rreth 17 milionë funte, ka bërë një ndikim të menjëhershëm te skuadra e sapongjitur në elitë.

Sipas Sky Sports, Xhaka ka fituar më së shumti vota në sondazhin për blerjen e sezonit, duke lënë pas emra  të mëdhenj, transmeton albinfo.ch.

Ai ka sjellë stabilitet, përvojë dhe lidership në mesfushë, duke kontribuar në sukseset e skuadrës.

Spiropali takon homologen austriake, flasin për bashkëpunimin mes dy vendeve

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, priti sot në Tiranë, Ministren Federale për Evropën dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, në vizitën e saj të parë zyrtare në Shqipëri.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe rolin historik të Austrisë në mbështetje të shtetit shqiptar, transmeton albinfo.ch.

Duke kujtuar marrëdhëniet e hershme mes dy vendeve, Spiropali tha se Austria ka qenë “një nga miqtë më të besuar të Shqipërisë” dhe se vizita e sotme vjen në një moment vendimtar për integrimin evropian.

Ministrja tha se Shqipëria synon mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë brenda kësaj dekade.

Sipas saj, mbështetja e Austrisë ka qenë thelbësore në reformat kryesore dhe do të vijojë të jetë e tillë në procesin e integrimit.

Spiropali theksoi se raporti i Komisionit Evropian evidenton një përparim të paprecedent, duke kujtuar se “hapja e të gjithë grup-kapitujve për 14 muaj është risi në historinë e BE-së”. Ajo nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për të kthyer rekomandimet në programe konkrete pune. Ministrja vuri në dukje rolin e rëndësishëm të investimeve austriake në sektorë si energjia, bankat, ndërtimi, turizmi dhe teknologjia, duke i cilësuar ato si motorë të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.

Ajo theksoi se forcimi i pranisë së sipërmarrjeve austriake në Shqipëri mbetet prioritet absolut.

Spiropali dhe Meinl-Reisinger ranë dakord të vijojnë dialogun strategjik dhe të hapin kapituj të rinj bashkëpunimi në politikë, ekonomi dhe siguri. Ministrja shqiptare theksoi se të dy vendet ndajnë të njëjtat vlera për stabilitetin, barazinë dhe të drejtat e njeriut.

Në fund, Spiropali u shpreh mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Austrisë, duke kujtuar fjalët e albanologut Maximilian Lambertz: “Historia e Europës nuk do të jetë e plotë pa kapitullin e Shqipërisë.”. Ajo konfirmoi se së shpejti do të marrë pjesë në Vjenë në takimin e “Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor”, të organizuar nga homologia austriake.

Konfirmohet arrestimi i një veterani të UÇK-së në Serbi

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, konfirmoi se Serbia ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.

Sipas tij, Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, që u arrestua sot, ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani në Koshare.

“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla, transmeton albinfo.ch.

Më herët, Ministria për Punë të Brendshme të Serbisë tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet A.Q.

Sipas kësaj ministrie, ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj posti kufitar serb në Koshare në vitin 1999.

Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar për këtë pretendim të Serbisë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.

Në korrik të këtij viti, Lulzim Halili u arrestua nga Serbia nën dyshimet për krime lufte dhe nën pretendimet se kishte qenë pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Atëbotë, Organizata e Veteranëve të UÇK-së, tha se emri i tij nuk figuronte në listën e veteranëve e as në atë të pjesëmarrësve në këtë betejë.

Në Koshare ishte një post ushtarak i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku nga 9 prilli 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi RFJ, për 67 ditë u zhvilluan luftime mes ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë më vonë bëri të ditur se në betejën e Koshares u vranë 108 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave. Zyrtarët nga Kosova thanë se janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave thanë se NATO bombardoi Kosharen në maj të vitit 1999.

Beteja në këtë post kufitar mes RFJ-së dhe Shqipërisë përfundoi më 14 qershor, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova në bazë të marrëveshjes me të cilën përfunduan bombardimet e NATO-s mbi RFJ.

NATO-ja i nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 9 prill në Serbi shënohet si një betejë heroike e forcave ushtarake të Jugosllavisë, pjesë autonome e së cilës në atë kohë ishte Kosova, ndërsa në Kosovë kremtohet si fitore e UÇK-së.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.

Sllovenia njeh patentë shoferët e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Asambleja Nacionale e Sllovenisë, ka miratuar ligjin me anë të së cilit njihen patentë shoferët e Republikës së Kosovës.

“Sot Asambleja Nacionale e Republikës së Sllovenisë miratoi ligjin që njeh patentë-shoferët e Republikës së Kosovës. Lajm i mirë për qytetarët tanë dhe mërgatën në Slloveni. Urime!”, ka shkruar Gërvalla në një postim në Facebook.

Ky është një hap shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe një lajm shumë i mirë për vozitësit që vozitin në Slloveni.

 

Studimi zbulon se abuzimi online i largon gratë e reja nga politika zvicerane

Sipas studimit, politikanët e rinj në Zvicër përballen me abuzim online me ritme të ngjashme. Por natyra e armiqësisë ndryshon ndjeshëm në varësi të faktit nëse objektivi është një grua apo një burrë, shkruan Swissinfo.ch.

Gratë kanë shumë më tepër gjasa të përballen me sulme të lidhura me gjininë e tyre, shpjegoi Universiteti i Bazelit të hënën. Këto shpesh përfshijnë komente seksiste ose të seksualizuara, si dhe vërejtje përçmuese në lidhje me pamjen ose aftësitë e tyre politike, transmeton albinfo.ch.

Ky lloj abuzimi ka një ndikim veçanërisht të fortë në motivimin e grave për të qëndruar në politikë, sipas një ankete të Universitetit të Bazelit të anëtarëve të partive rinore zvicerane.

Gratë e reja kishin shumë më tepër gjasa sesa burrat të thoshin se përvojat personale të urrejtjes online kishin penguar punën e tyre politike ose madje i kishin shtyrë të hiqnin dorë krejtësisht.

Gratë dekurajohen që para se të kandidojnë për poste zyrtare

“Shumë gra dekurajohen që para se të kenë mundësinë të kandidojnë për poste zyrtare”, thotë Daniel Höhmann, autori kryesor i studimit, në një njoftim për shtyp të Universitetit të Bazelit.

Studimi u botua në Journal of Women, Politics & Policy. Studiuesit anketuan 175 anëtarë të rinj të partive rinore zvicerane. Ata vërejnë se, ndërsa pjesëmarrja ishte relativisht e ulët, mostra përfshinte përfaqësues nga të gjitha kampet kryesore politike. Si rezultat, ajo pasqyron përbërjen ideologjike të partive rinore zvicerane – megjithëse jo domosdoshmërisht balancën e tyre gjinore ose të gjithë të rinjtë e angazhuar politikisht në Zvicër.

Përplasje në KQZ për mënyrën e votimit të diasporës

Me tone të ngritura të zërit po zhvillohet diskutimi mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth buxhetit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Për të dytën ditë me radhë, anëtarët e këtij komisioni nuk po gjejnë pajtim për ta hedhur në votim buxhetin e zgjedhjeve.

Kjo pasi ka mospajtime për mënyrën e votimit të diasporës, raporton RTK, transmeton albinfo.ch.

Anëtarët e PDK-së po insistojnë që fletëvotimet t’u shkojnë me postë diasporës në vendvotime.

Me ta po pajtohen edhe anëtari i LDK-së dhe ai i AAK-së. Sekretariati i KQZ-së ka vlerësuar se kjo mënyrë e votimit do të dështojë për shkak të periudhës së shkurtër kohore deri në zgjedhje.

Anëtarët e LVV-së thanë se, nëse ndiqet kjo mënyrë e votimit, atëherë diasporës do t’i pamundësohet votimi, pasi siç theksuan ata zarfet me fletëvotime do t’u shkojnë me vonesë.

Macron: Plani i paqes i Trumpit për Ukrainën ka nevojë për përmirësim

Plani i paqes i presidentit amerikan Donald Trump ka nevojë për përmirësime që të bëhet i pranueshëm për Ukrainën dhe Evropën, ka thënë të martën presidenti francez, Emmanuel Macron për radion RTL, përcjell albinfo.ch. 

“Është iniciativë që shkon në drejtimin e duhur: drejt paqes. Megjithatë, ka aspekte të atij plani që meritojnë të diskutohen, negociohen, përmirësohen. Ne duam paqe, por nuk duam paqe që në fakt është kapitullim”, ka thënë Macroni.

Ai shtoi se vetëm ukrainasit mund të vendosin se çfarë lëshimesh territoriale janë të gatshëm të bëjnë.

“Ajo që u vu në tryezë na jep një ide se çfarë do të ishte e pranueshme për rusët. A do të thotë kjo se kjo është ajo që duhet të pranohet nga ukrainasit dhe evropianët? Përgjigja është jo”, shtoi Macroni.

Ai më tej është shprehur se asetet e ngrira ruse janë në Evropë dhe vetëm Evropa mund të vendosë se çfarë të bëjë me to.

Plani amerikan do të vendoste një kufizim në madhësinë e ushtrisë së Ukrainës dhe do t’i jepte Uashingtonit një lloj kontrolli mbi asetet e ngrira ruse.

Kallas: Rusia nuk do të kthehet në G8

Një plan përfundimtar paqeje duhet ta bëjë të pamundur që Rusia të pushtojë sërish, thotë shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.

Kaja Kallas tregoi në programin Today të BBC Radio 4: “Nëse duam ta përfundojmë këtë përgjithmonë, ne me të vërtetë duhet të kemi lëshime nga ana e Rusisë”.

Sipas Kallas, kjo qasje do t’i kërkonte Rusisë të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të zvogëlojë ushtrinë e saj, shkruan BBC.

“Nuk mund të kemi një situatë ku ti pushton një vend tjetër… dhe të mos ketë llogaridhënie”.

Sa i përket rikthimit të Rusisë në G8, Kallas thotë se kjo “definitivisht nuk” duhet të ndodhë.

“Nuk mund të kthehemi në normalitetin e dikurshëm… si mund ta imagjinoni këtë?” i thotë ajo programit.

Shefja e politikës së jashtme, duke përshëndetur “kauzën fisnike” të Presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e paqes në Ukrainë, gjithashtu theksoi se duhet të pyesim se çfarë “me të vërtetë sjell paqe” në vend.

Shënohet Dita e Flamurit nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Nëna Terezë” dhe FC “Iliria”

Në kuadër të shënimit të Ditës së Flamurit dhe 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, morëm pjesë në festimin e organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Nëna Terezë” në Göppingen, në bashkëpunim me FC “Iliria”, njofton Konsullata e Republikës së Kosovës në Stuttgart.

Diplomatja znj. Arbrie Shabani theksoi rëndësinë e 28 Nëntorit si ditë historike e kombit shqiptar, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të lidhjeve dhe vlerave që bashkojnë shqiptarët kudo që jetojnë, transmeton albonfo.ch.

Programi artistik përfshiu këngë dhe valle tradicionale të interpretuara nga fëmijët dhe të rinjtë e komunitetit.

Në përmbyllje u ndanë mirënjohje për kontribuuesit e dalluar të shoqatës.

 

Tarifat e shkollimit pothuajse do të trefishohen për studentët e huaj në universitetet e Bernës

Universiteti i Bernës dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Bernës do të rrisin tarifat e tyre duke filluar nga vjeshta e vitit 2026, përcjell albinfo.ch.

Por, ndërsa studentët zviceranë do të paguajnë 100 franga më shumë për semestër (nga 750 në 850 franga), ata nga jashtë vendit do të preken më rëndë: tarifa e tyre e shkollimit do të rritet nga 950 franga në 2,550 franga për semestër.

Megjithatë, do të ketë një rregullim kalimtar për studentët ndërkombëtarë të regjistruar tashmë: ata do të jenë në gjendje të përfundojnë studimet e tyre me tarifën e vjetër.

Abdixhiku mohon deklaratat e presidentës Osmani

Së fundmi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kundërshtuar deklarimet e presidentes Vjosa Osmanit e cila të hënën tha se nuk mund të kërkojë më nga deputetët të mblidhen për çështjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës dhe RTK-së, duke theksuar se për një gjë të tillë iu ishte lutur partive politike ditën kur kishte dështuar të zgjidhet mandatari i dytë për kryeministër, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, Osmani ka thënë se ka bërë çdo përpjekje për ta shtyrë përpara dhe të gjejë zgjidhje, por sipas saj, ishin partitë e ish-opozitës që nuk pranuan dhe refuzuan të kthehen dhe njëherë në Kuvend para se ta nënshkruante dekretin për shpërndarje.

Abdixhiku ka shkruar se në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i ka shprehur gatishmërinë Osmanit që të votohet një pako, me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.

Sipas tij, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Osmani e ka kontaktuar, duke i thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide.

“Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si Kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si Kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit. Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it. Nga ai moment, nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë. 15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vet ai, “u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gatishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht”.

Abdixhiku ka thënë se nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë. Ani pse, sipas tij, ishin shpenzuar 15 ditë pa asnjë nevojë.

“Ani pse nuk kishte asnjë gatishmëri as për ta diskutuar bashkërisht në një vend këtë ide.    Sot habitem se me sa lehtësi fshihet ky fakt dhe kjo e vërtetë. E kuptoj që jemi në betejë politike, por në këtë betejë na duhet të kemi minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzore. Kjo është e vërteta. Gjithsesi, pre të gjitha sfidat ka zgjidhje. Do ta shihni dhe në ditët në vijim se bllokada ishte e qëllimshme. Nuk është e re. Po zgjatë tash e 12 muaj. Se krejt kjo krizë është inskenim i një beteje të Don Kishotit me mullinj të erës. Kosova mund të bëhet lehtë. Është e jona. Do ta bëjmë”, ka shkruar ai.

Paga mesatare në Zvicër arrin në 7024 franga

Zyra Federale e Statistikave ka publikuar rezultatet e Anketës së Strukturës së Pagave për vitin 2024. Sipas të dhënave, paga mesatare në Zvicër ka arritur në 7024 franga në muaj, përcjell albinfo.ch.

Raporti tregon gjithashtu se rritja e pagave ka qenë e ndryshme nga sektori në sektor: disa industri kanë përjetuar rritje më të forta, ndërsa të tjerat vetëm minimale.

Ky informacion ndihmon të kuptohet zhvillimi i tregut të punës dhe dinamikat ekonomike në vend.

VIDEO – https://www.20min.ch/story/lohnstrukturerhebung-neue-zahlen-der-schweizer-medianlohn-liegt-bei-7024-franken-103457024?utm_medium=Social&utm_source=Facebook&fbclid=IwY2xjawOSfalleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFNZzc4YzhWWDh6Q2NlbTREc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHo3I9btcGCFUBqLY7n3Dv2fVSuHhV46tT4MX4WWcp1_UIlxTBBHpx6yiwwkl_aem_75goctDuph2Iou3h-wqMPA#Echobox=1764064435

Tradita shqiptare e verës shkëlqen në panairin “Wine Vision by Open Balkan 2025”

Shqipëria po shënon një prezencë domethënëse në Edicionin e Katërt të Panairit të Verës “Wine Vision by Open Balkan 2025”, që po mbahet këto ditë në Beograd. Ky panair, tashmë një prej ngjarjeve më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal në sektorin e verës dhe turizmit, po shërben si platformë e vlefshme për promovimin e prodhuesve shqiptarë dhe pasurisë enogastronomike të vendit, transmeton albinfo.ch.

Delegacioni shqiptar, i përbërë nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, z. Bardhyl Canaj, mori pjesë në hapjen zyrtare të panairit, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të prodhimit vendor dhe fuqizimit të verarive shqiptare në tregun rajonal.

Gjatë panairit, Shqipëria u përfaqësua me një ofertë të gjerë turistike, e cila u prezantua si një mozaik emocionesh, shijesh dhe peizazhesh unike që karakterizojnë vendin. Nga bregdeti i mrekullueshëm e deri tek traditat e fuqishme kulinare, stenda shqiptare tërhoqi vëmendjen e vizitorëve dhe pjesëmarrësve ndërkombëtarë.

Pjesëmarrja në “Wine Vision by Open Balkan 2025” përforcon jo vetëm bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, por edhe pozicionimin e Shqipërisë si një destinacion që kombinon turizmin, kulturën dhe prodhimet cilësore vendase. Për prodhuesit shqiptarë, ky panair mbetet një mundësi e vlefshme për të zgjeruar bashkëpunimet dhe për të prezantuar potencialin e verërave vendase në një treg gjithnjë e më konkurrues. /Albinfo.ch 

Kosova ngjitet në skenën e Vatikanit me një performancë madhështore

Në një mbrëmje solemne arti dhe spiritualiteti, Filharmonia e Kosovës dha një koncert të paharrueshëm në Bazilikën historike Santa Maria in Aracoeli në Romë, si pjesë e aktiviteteve të Jubileut në Vatikan, në bashkëpunim me Fondacionin Domenico Bartolucci. Në këtë tempull të muzikës sakrale, Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, së bashku me Korin e Operës së Kosovës, sollën një interpretim të nivelit të lartë, duke dëshmuar fuqinë artistike të institucioneve tona kulturore, përcjell albinfo.ch.

Nën dirigjimin e maestros italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, u interpretua oratoriumi madhështor “La Tempesta sul Lago” i kompozitorit të njohur Domenico Bartolucci. Solistët Besa Llugiqi, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso dhe Biagio Pizzuti e pasuruan veprën me vokalin dhe interpretimin e tyre të shkëlqyer, duke i dhënë koncertit një dimension të veçantë artistik.

Në skenë u ngjitën 138 muzikantë, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm krijuan një harmoni të fuqishme mes korit, orkestrës dhe solistëve – një performancë që u prit me vlerësime të larta nga publiku dhe të ftuarit.

Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të shquara të politikës, kulturës dhe diplomacisë, mes tyre edhe kryeministri Albin Kurti, i cili vlerësoi prezencën e Filharmonisë së Kosovës në një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës botërore.

Ky projekt u realizua me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si pjesë e angazhimit për promovimin ndërkombëtar të artit dhe kulturës shqiptare, duke dëshmuar se Kosova ka një zë të denjë për skenat më prestigjioze të botës.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Afatet kryesore që duhet t’i dini

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar afatet kryesore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të cilat do të zhvillohen brenda një periudhe të shkurtuar prej vetëm 37 ditësh. Për shkak të këtij afati të ngushtë, KQZ ka vendosur që të gjitha aktivitetet përgatitore të përshtaten sipas ligjit dhe rrethanave, duke shpjeguar se shkurtimi i afateve është një e drejtë e saj ligjore, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, theksoi se të gjitha aktivitetet, duke filluar nga deklarimi i koalicioneve e deri te fushata zgjedhore dhe votimi, do të zhvillohen brenda këtyre ditëve, duke garantuar një proces të rregullt dhe transparent. Partitë politike dhe koalicionet kanë një afat prej shtatë ditësh për të njoftuar KQZ-në mbi koalicionet e tyre, ndërsa të njëjtin afat kanë edhe subjektet politike dhe kandidatët e pavarur për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Pas certifikimit, subjektet kanë dy javë kohë për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, dhe më pas do të tërheqin numrat e tyre për renditje në fletëvotim.

Fushata zgjedhore do të zhvillohet brenda një afati të shkurtuar prej 11 ditësh e 7 orësh, duke filluar më 17 dhjetor dhe përfunduar më 28 dhjetor në orën 06:59. Të gjithë qytetarët me të drejtë vote brenda Kosovës mund të ndërrojnë qendrën e votimit gjatë një periudhe 11-ditore, ndërsa kundërshtimin e pasaktësive në listën votuese mund ta bëjnë brenda 12 ditësh.

Për votuesit jashtë vendit, KQZ ka caktuar periudha të veçanta për regjistrim online dhe votim në përfaqësi diplomatike ose përmes postës. Regjistrimi online do të zhvillohet nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor, ndërsa votuesit që zgjedhin të votojnë në ambasada do të ushtrojnë këtë të drejtë një ditë para zgjedhjeve, më 27 dhjetor. Ata që do të votojnë me postë kanë një periudhë 16-ditore, nga 12 deri më 27 dhjetor, për të dërguar fletëvotimet. Ndërkohë, votuesit me nevoja të veçanta do të mund të regjistrohen dhe votojnë përmes ekipeve mobile gjatë një periudhe 11-ditore, nga 11 deri më 21 dhjetor.

KQZ do të bëjë publik numrin përfundimtar të qytetarëve me të drejtë vote, brenda dhe jashtë vendit, pas certifikimit të listës së votuesve më 10 dhjetor. Ky plan i detajuar synon të sigurojë një proces të qartë dhe të rregullt, duke u përballur me sfidën e organizimit në një afat kaq të shkurtër, dhe duke garantuar të drejtën e votës për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Sot nis ekzekutimi i shtesave të rritura për fëmijë: 400 mijë fëmijë përfitojnë rritjen 50%

Nga dita e sotme,  të gjitha nënat që marrin shtesa për fëmijët do t’i marrin pagesat me rritjen prej 50%, e cila është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ky është një hap i rëndësishëm në mbështetjen e familjeve dhe mirëqenies së fëmijëve në vend, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se rritja përfshin të gjithë fëmijët përfitues të skemës, duke e çuar numrin total të fëmijëve që përfitojnë në 400 mijë. Kurti theksoi se rritja do të ndihet menjëherë nga familjet, duke sjellë një lehtësim të ndjeshëm financiar, sidomos për familjet me më shumë fëmijë.

Sipas përllogaritjeve të reja:

Familja me 2 fëmijë rritet nga 40 euro në 60 euro

Familja me 3 fëmijë rritet nga 90 euro në 135 euro

Familja me 4 fëmijë rritet nga 120 euro në 180 euro

Ndërsa familjet me më shumë fëmijë përfitojnë proporcionalisht sipas modelit të ri.

Kryeministri u shpreh se kjo është një prej masave më të rëndësishme sociale të këtij viti, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mijëra familjeve dhe në rritjen e standardit të jetesës për fëmijët në Kosovë.

“Urime të gjithë fëmijëve! T’i gëzoni me shëndet!” – ishte mesazhi përmbyllës i Kurtit, ndërsa pagesat me rritje janë aktive që nga sot.

Diaspora shqiptare në Londër shënon Ditën e Flamurit me manifestim festiv

Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, mori pjesë dje në manifestimin festiv të organizuar nga Shoqata “Ardhmëria” në Londër, në kuadër të shënimit të Ditës së Flamurit dhe Ditës së Alfabetit, dy prej datave më të rëndësishme të historisë shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja mblodhi bashkë dhjetëra pjesëtarë të komunitetit, familje shqiptare, fëmijë dhe aktivistë të diasporës, të cilët me këngë, recitime dhe program kulturor festuan 28 Nëntorin, ditën e unitetit kombëtar.

Në fjalën e tij, Ambasadori Kapiti uroi të gjithë shqiptarët, duke theksuar se 28 Nëntori mbetet data që bashkon të gjithë kombin kudo që jeton. Ai rikujtoi se kjo ditë përkon edhe me lindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, figura e të cilit mishëron sakrificën dhe heroizmin që vulosën rrugën drejt lirisë.

Një vend të veçantë në fjalimin e tij, Ambasadori ia kushtoi ruajtjes së identitetit kombëtar në diasporë. Ai shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë mësuesit e gjuhës dhe kulturës shqipe në Britani të Madhe, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin e brezave të rinj dhe në mbajtjen gjallë të gjuhës amtare, traditave dhe vlerave shqiptare.

Manifestimi i Shoqatës “Ardhmëria” u vlerësua si një shembull i shkëlqyer i përkushtimit të diasporës shqiptare për të ruajtur lidhjet me atdheun, duke e shndërruar Londrën në një qendër të vogël kuqezi në nder të festave të Nëntorit. /Albinfo.ch 

Stokholm: Festohet 113-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Stokholm organizoi më 21 nëntor një mbrëmje festive në ambientet e saj për të shënuar 113-vjetorin e Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë. Ngjarja mblodhi së bashku personalitete të komunitetit shqiptar në Suedi, aktivistë të Diasporës, miq dhe të ftuar të veçantë që kontribuojnë çdo ditë në forcimin e imazhit të Shqipërisë jashtë vendit, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e tij përshëndetëse, i Ngarkuari me Punë, z. Eno Çollaku, vuri në pah lidhjen e fuqishme mes Diasporës dhe Atdheut, duke theksuar se Pavarësia e Shqipërisë nuk do të ishte e mundur pa kontributin e patriotëve shqiptarë që jetonin jashtë. Ai nënvizoi se edhe brezi i ri i Diasporës vazhdon ta mbajë këtë lidhje me krenari, duke ruajtur identitetin dhe kulturën shqiptare si pjesë të pandarë të vetvetes.

Atmosfera e mbrëmjes u pasurua nga degustimi i produkteve tradicionale shqiptare dhe nga shfaqja e filmit historik “Nëntori i Dytë”, një film që sjell në ekran rrugëtimin drejt shpalljes së Pavarësisë. Të pranishmit patën gjithashtu mundësinë të shijojnë video me pamjet mahnitëse të Shqipërisë, duke rikujtuar bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit.

Ngjarja shërbeu si një urë simbolike mes Diasporës shqiptare në Suedi dhe Atdheut, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe festës kombëtare, në një ditë që mbetet ndër më të rëndësishmet e historisë shqiptare.

https://www.facebook.com/share/v/1B3u7HGyWR/?mibextid=wwXIfr

Ku gjendet pema më e shtrenjtë e Krishtlindjes?

Krishtlindjet janë periudha kur qytetet ndriçojnë, familjet bashkohen dhe pemët e Krishtlindjes marrin rolin kryesor në dekorimet festive. Por, ndërsa shumica e njerëzve zbukurojnë pemë të zakonshme, natyrale ose artificiale, disa vende në botë kanë ngritur idenë e pemës së Krishtlindjes në nivele të papara më parë, duke shpenzuar miliona për zbukurime të jashtëzakonshme, përcjell albinfo.ch.

Rekordi botëror: Pema 11 milionëshe në Abu Dhabi

Pema më e shtrenjtë e Krishtlindjes në botë u vendos në vitin 2010 në hotelin superluksoz Emirates Palace në Abu Dhabi.

Pema, e lartë mbi 12 metra, kushtoi 10,000 dollarë vetëm si strukturë artificiale. Por çfarë e çoi vlerën e saj në mbi 11 milionë dollarë?

Sipas hotelit dhe dyqanit të bizhuterive “Style Gallery”, që solli koleksionet e tij për zbukurim, pema u stolis me:

• 181 diamante

• perla të rralla

• smeralde dhe safire

• varëse, ora dhe byzylykë të çmuar

Ky kombinim i bizhuterive të luksit me dekorimet tradicionale e bëri pemën më të shtrenjtë të festave që është regjistruar deri më sot.

Pema e artë Disney – 4.2 milionë dollarë (Tokio)

Japonia është vendi ku ndodhet një tjetër pemë marramendëse. Në distriktin e luksit Ginza, një ekip prej dhjetë artizanësh punuan për dy muaj për të krijuar një pemë të tërë prej ari 24 karatësh.

• Lartësia: mbi 2 metra

• Pesha: 88 paund ar të pastër

• Elementet dekorative: 50 personazhe të Disneyt

• Në majë: silueta e Mickey Mouse

Vlera totale: 4.2 milionë dollarë.

Pema miniaturë prej diamantesh – 1.8 milionë dollarë (Japoni)

Një tjetër rekord i çuditshëm vjen sërish nga Japonia: një pemë vetëm 14 centimetra e lartë, me vlerë 1.8 milionë dollarë.

Dekorimet e saj përfshinin:

• trëndafila të vegjël dekorativë

• secili me diamant të vërtetë në qendër

• diamantë të importuar nga Australia dhe Afrika

• një arush të kuq festiv, me varëse diamanti

E vogël në madhësi, por e jashtëzakonshme në vlerë.

Pema për dashamirësit e alkoolit – 55,000 dollarë (Londër)

Në Londër, hoteli luksoz Sofitel prezantoi një pemë të veçantë për koleksionistët e pijeve të rralla.

Pema ishte një strukturë metalike 5 metra e lartë, e dekoruar me 200 shishe të vogla konjaku Louis XIII, një nga pijet më të shtrenjta në botë.

Çdo shishe ishte e punuar me:

• ar 24 karatësh

• detaje të realizuara nga pesë mjeshtër artizanë

Vlera totale e instalacionit: 55,000 dollarë.

Lukse që sfidojnë imagjinatën

Nga pemët e zbukuruara me diamante e gurë të çmuar, deri te pemët prej ari të pastër, krijimet festive që disa vende prezantojnë gjatë Krishtlindjeve tregojnë se imagjinata nuk ka kufij — e as buxheti, ndonjëherë.

E derisa shumica prej nesh mjaftohet me topa, drita dhe dekorime modeste, këto pemë dimërore mbeten shembuj ekstrem të botës së luksit dhe skuadrave krijuese që shkojnë përtej traditës.

Një gjë është e sigurt: rekordi i Abu Dhabit prej mbi 11 milionë dollarësh ende nuk është thyer.

Parma feston Ditën e Alfabetit me fond të ri librash shqip në bibliotekë

Në kuadër të projektit “Biblioteka shqip në diasporë”, Biblioteka Ndërkombëtare “Ilaria Alpi” në Parma është pasuruar me një fond të ri librash në gjuhën shqipe. Kjo nismë, e zhvilluar në Ditën e Alfabetit, ka për qëllim të afrojë fëmijët dhe komunitetin shqiptar me leximin në gjuhën amtare dhe të forcojë ruajtjen e identitetit kulturor në diasporë, transmeton albinfo.ch.

Në aktivitet morën pjesë drejtoresha e bibliotekës “Ilaria Alpi”, Francesca Vezzani, përfaqësuesja e Qendrës së Botimeve për Diasporën (QBD), Eva Ismajlukaj, drejtori i Shkollës Shqipe “Scanderbeg Parma”, Durim Lika, mësueset e gjuhës shqipe në këtë shkollë, Elvira Lashi, Tatjana Hajdini, Zamira Shkurti, si dhe prindër e fëmijë të komunitetit shqiptar.

Përfaqësuesja e QBD-së, Eva Ismajlukaj, falënderoi bibliotekën për hapësirën e dedikuar dhe komunitetin për mbështetjen, duke theksuar se Qendra e Botimeve për Diasporën mbetet e angazhuar në nisma që lehtësojnë mësimdhënien dhe mësimnxënien në diasporë. Ajo vuri në dukje edhe rolin e rëndësishëm të Shkollës Shqipe “Scanderbeg Parma” në ruajtjen e gjuhës amtare te brezat e rinj.

Drejtoresha e bibliotekës, Francesca Vezzani, falënderoi QBD-në për donacionin dhe ftoi komunitetin shqiptar të vizitojë hapësirat e bibliotekës, duke theksuar misionin e saj si qendër e hapur për kulturë dhe diversitet.

Drejtori i Shkollës Shqipe “Scanderbeg Parma”, Durim Lika, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qëndrueshme me tekste mësimore — si fizike ashtu edhe online — që kanë ndihmuar ndjeshëm procesin mësimor. Ai foli gjithashtu për simbolikën e Ditës së Alfabetit dhe rëndësinë e saj në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë.

Mësuesja Elvira Lashi prezantoi punën e zhvilluar me nxënësit dhe falënderoi bibliotekën për bashkëpunimin, duke theksuar vlerën që këto aktivitete sjellin në procesin e mësimit të gjuhës shqipe.

Takimi u mbyll me recitime dhe këngë nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Scanderbeg Parma” dhe nxënësit e shkollës shqipe në Noceto, duke i dhënë ngjarjes një atmosferë festive dhe emocionuese.

Kjo ditë u shndërrua në një festë të kulturës dhe gjuhës shqipe, duke dëshmuar se përkushtimi i komunitetit dhe bashkëpunimi i institucioneve e mbajnë gjallë gjuhën amtare për brezat që vijnë.

LDK-ja në Bruksel mban Darkën tradicionale të Lamës

 

Fushata zgjedhore ka marrë zyrtarisht hov, dhe diaspora po dëshmon sërish se mbetet një pjesë e pandashme e proceseve politike në Kosovë. Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Bruksel ka mbajtur mbrëmjen e saj tradicionale të Darkës së Lamës, një aktivitet që tanimë është shndërruar në simbol të bashkimit, traditës dhe angazhimit të mërgatës, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja u organizua nën udhëheqjen e kryetarit të degës, Bahtir Kastrati, i cili u vlerësua për punën dhe përkushtimin e tij në mbajtjen gjallë të aktivitetit organizativ dhe kulturor të LDK-së në diasporë. Kryesia e degës dhe dhjetëra veprimtarë morën pjesë në mbrëmje, duke e kthyer atë në një manifestim të qartë të bashkëpunimit dhe përkushtimit qytetar.

Në takim u theksua rëndësia e mërgatës në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës. Mesazhi që u përçua ishte i qartë: Mërgata dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë të pandashme — janë një.

Darka e Lamës nuk ishte vetëm një aktivitet kulturor, por edhe një moment i rëndësishëm brenda nisjes së fushatës zgjedhore të LDK-së në diasporë, duke dëshmuar se organizimi politik dhe ruajtja e identitetit kombëtar ecin krah për krah.

Me këtë aktivititet, LDK-ja në Bruksel shënoi hapjen e angazhimeve të saj për zgjedhjet e ardhshme, duke i dhënë prioritet unitetit dhe rolit historik të mërgatës në rrugën politike të vendit.

Itali: Rrëfimi i shqiptarit që u hodh në ujë për të shpëtuar një jetë

Në Padova të Italisë, një akt i rrallë guximi dhe humanizmi ka vënë në qendër të vëmendjes një të ri shqiptar. Elton Zefi, 32 vjeç, i punësuar në sektorin e energjisë fotovoltaike, u bë protagonist i një ngjarjeje që dëshmon se ende ka njerëz që vendosin jetën e tjetrit para të tyrës, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi më 20 nëntor, pikërisht ditën e ditëlindjes së tij. Eltoni ishte nisur drejt një takimi pune me një koleg, kur vuri re një grup njerëzish të mbledhur pranë kanalit Battaglia, në Padova. Aty kishte përfunduar një makinë, drejtuesi i së cilës kishte mbetur i bllokuar brenda dhe rrezikonte seriozisht mbytjen.

Ndërsa të pranishmit qëndronin të pasigurt, Eltoni nuk hezitoi. Ai hoqi xhaketën dhe pantallonat dhe hyri menjëherë në ujë, pavarësisht motit të lig dhe temperaturave të ulëta që e bënin situatën edhe më të vështirë.

Fillimisht, bashkë me një person tjetër, tentuan të thyenin xhamin e përparmë të makinës, më pas të hapnin çatinë, por pa rezultat. Pjesën më të vështirë e tregon vetë Eltoni:

Kisha krampa në këmbë dhe të ftohtit po më mpinte. Po mendoja të dorëzohesha. Provova edhe një herë, me të gjitha forcat që më kishin mbetur, dhe arrita ta nxjerr nga makina. Pastaj e çova në breg, të sigurt e të gjallë.

Vetëm pasi e tërhoqi në breg, ai kuptoi se personi që sapo kishte shpëtuar ishte ish-punëdhënësi i tij, sipërmarrësi Giuseppe Salvalajo. I moshuar dhe i tronditur, ai e njohu menjëherë dhe e falënderoi për aktin e tij të jashtëzakonshëm.

Sot, burri është gjallë falë guximit të Elton Zefit dhe ndihmës së personit tjetër që iu bashkua në atë moment kritik. Historia e tyre është një kujtesë e fortë se heronjtë e vërtetë lindin në momentet kur asnjë nuk guxon të veprojë.