Kurti: Xhandarmëria do të mbushë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se themelimi i xhandarmërisë është një domosdoshmëri për vendin, duke përmendur situatën e sigurisë dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, përcjell albinfo.ch. 

Në një konferencë për media, Kurti tha se xhandarmëria do të ketë rol të rëndësishëm në sistemin e sigurisë së Kosovës, duke plotësuar boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas tij, ky mekanizëm do të ketë mandat të qartë për mbrojtjen dhe kontrollin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në të gjithë territorin e Kosovës.

“Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë: sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë Republikën e Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, duke përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, menaxhimin e situatave të rrezikut të lartë, si dhe sigurimin e infrastrukturës kritike”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se modeli i xhandarmërisë nuk është i panjohur në Evropë, duke theksuar se struktura të tilla funksionojnë edhe në shtete të tjera evropiane si pjesë e sistemit të sigurisë kombëtare./Albinfo.ch

Një tjetër vrasje në Kosovë: 37-vjeçari humb jetën pas therjes me thikë

Kosova është tronditur nga dy raste të rënda vrasjeje të ndodhura brenda pak orësh në Mitrovicë dhe Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Mitrovicë, ku një 37-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me thikë, ndërsa vëllai i tij ka mbetur i plagosur.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, rasti ka ndodhur më 27 maj 2026 në Lagjen e Romëve, ku fillimisht kishte shpërthyer një konflikt verbal që më pas eskaloi në përdorimin e një arme të ftohtë.

Viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në pjesën e fytit, ndërsa vëllai i tij është dërguar për trajtim mjekësor.

Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen. Me urdhër të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria pritet të kërkojë caktimin e paraburgimit.

Ndërkohë, një tjetër vrasje ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë. Një person ka mbetur i vrarë në rrugën “Sali Nivica” pas të shtënave me armë zjarri.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.

Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorëve. /Albinfo.ch

Shqiptarët në Mal të Zi drejt unifikimit politik

Skena politike shqiptare në Mal të Zi po hyn në një fazë të re konsolidimi, pasi partitë shqiptare pritet të bashkohen në një subjekt të vetëm politik nën ombrellën e Forumit Shqiptar. Nëse finalizohet, ky do të jetë organizimi i parë i unifikuar politik i shqiptarëve në nivel shtetëror në Mal të Zi, përcjell albinfo.ch.

Sipas burimeve jozyrtare të cituara nga Radio Televizioni i Malit të Zi (RTCG), marrëveshja përfshin bashkimin e Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve dhe Unionit Nacional Shqiptar në një strukturë të përbashkët politike.

Ky hap konsiderohet rezultat i bashkëpunimit të deritanishëm politik mes partive shqiptare, i cili ka sjellë sukses të dukshëm në skenën politike malazeze. Ndër arritjet kryesore përmenden qeverisja me shumicë absolute në komunën e Tuzit, sigurimi i dy mandateve parlamentare në nivel shtetëror, si dhe përfaqësimi me dy poste ministrore në Qeverinë e Malit të Zi.

Burime pranë procesit të negociatave bëjnë të ditur se një shtysë shtesë për bashkimin e plotë kanë dhënë edhe sondazhet e fundit të opinionit publik, të cilat tregojnë rritje të mbështetjes për Forumin Shqiptar, veçanërisht në Ulqin, ku kjo forcë politike po konsiderohet si një nga alternativat më të fuqishme shqiptare.

Sipas të njëjtave burime, një nga objektivat strategjike të Forumit Shqiptar mbetet marrja e drejtimit të komunës së Ulqinit pas zgjedhjeve të ardhshme lokale.

RTCG raportoi gjithashtu se është pothuajse e sigurt që në krye të subjektit të bashkuar do të jetë Nik Gjeloshaj, ndërsa rol të rëndësishëm në procesin e bashkimit kanë pasur edhe Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha.

Njohës dhe pjesëmarrës të procesit e vlerësojnë këtë zhvillim si konsolidimin më të madh politik të faktorit shqiptar në Mal të Zi që nga rikthimi i pavarësisë së vendit. /Albinfo.ch

Ministrja Kusari-Lila prezantoi pesë prioritetet e Kosovës në takimin e CEFTA-s në Bruksel

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në takimin ministror të CEFTA-s të mbajtur në Bruksel, takim i cili këtë vit u kryesua nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, pasi Shqipëria mban kryesimin e CEFTA-s gjatë vitit 2026, përcjell albinfo.ch.

Në adresimin e saj para përfaqësuesve të vendeve anëtare të CEFTA-s, Kusari-Lila tha se Kosova e mirëpret mundësinë për të diskutuar hapur për arritjet dhe sfidat e procesit të CEFTA-s, duke theksuar se integrimi gradual në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian duhet të jetë më shumë sesa vetëm një zotim në dokumente.
Ministrja rikujtoi se edhe para 15 vitesh, gjatë mandatit të saj të parë si ministre e Industrisë dhe Tregtisë, kishte ngritur shqetësime për mangësitë në funksionimin e CEFTA-s, duke shtuar se disa nga ato probleme vazhdojnë të jenë ende të pranishme.
Ajo theksoi se Kosova ka dëshmuar seriozitet dhe qasje konstruktive gjatë kryesimit të CEFTA-s në vitin 2025, duke avancuar Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, nismën Green Lanes, Strategjinë e Menaxhimit të Rrezikut, njohjen e shërbimeve elektronike të besimit dhe Programin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar.
Sipas saj, për herë të parë Kosova kryesoi CEFTA-n në emrin e saj dhe jo përmes UNMIK-ut, duke e përdorur këtë mandat për ndërtim bashkëpunimi dhe jo për krijim pengesash politike.
Kusari-Lila bëri të ditur se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Protokollet Shtesë 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë, tregtinë e shërbimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke kërkuar që të gjitha palët të tregojnë të njëjtin përkushtim institucional.
Ajo tha se për Kosovën, CEFTA nuk është një koncept abstrakt, pasi vendimet që merren në këtë mekanizëm ndikojnë drejtpërdrejt te bizneset, eksportuesit dhe qytetarët e vendit. Sipas të dhënave të prezantuara nga ministrja, gjatë vitit 2025 tregtia e jashtme totale e Kosovës ka arritur në 7.9 miliardë euro, ndërsa eksportet drejt vendeve të CEFTA-s kanë arritur në 431.5 milionë euro, ose 45.8% të eksporteve totale të vendit.
Në fjalimin e saj, ministrja ngriti shqetësimin për barrierat tregtare dhe politizimin e proceseve brenda CEFTA-s, duke theksuar se marrëveshjet e tregtisë së lirë duhet të shërbejnë për heqjen e pengesave dhe jo për krijimin e tyre. Ajo paralajmëroi se, në mungesë të përgjigjeve konkrete ndaj barrierave të fundit tregtare, Kosova mund të shqyrtojë masa reciproke.
Gjatë takimit, Kusari-Lila prezantoi pesë prioritetet kryesore të Kosovës në kuadër të CEFTA-s.
Prioriteti i parë kishte të bënte me njohjen e vlerësimit të konformitetit dhe infrastrukturën e cilësisë. Ministrja theksoi se Kosova mbështet vetëm mekanizma që janë plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke kundërshtuar krijimin e sistemeve paralele që devijojnë nga standardet evropiane.
Si prioritet të dytë, ajo përmendi harmonizimin e procedurave kufitare dhe të orarit të punës në pikat kufitare, si dhe avancimin e shkëmbimit elektronik të certifikatave veterinare dhe fitosanitare, me qëllim të lehtësimit të tregtisë rajonale dhe uljes së pritjeve në kufi.
Prioriteti i tretë lidhej me tregtinë e shërbimeve, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe harmonizimin e procedurave për lejet e punës. Kusari-Lila tha se tregu i përbashkët rajonal nuk mund të jetë funksional pa lëvizje më të lirë të profesionistëve dhe shërbimeve ndërmjet vendeve të rajonit.
Në kuadër të prioritetit të katërt, ministrja kërkoi hyrjen në fuqi të Protokollit Shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke vlerësuar se mungesa e një mekanizmi funksional po ndikon negativisht në besueshmërinë e CEFTA-s.
Ndërkaq, prioriteti i pestë kishte të bënte me tregtinë digjitale dhe avancimin e njohjes së shërbimeve elektronike të besimit sipas standardeve eIDAS 2.0 të Bashkimit Evropian, si dhe krijimin e mekanizmave të alarmit të shpejtë për produktet jokonforme dhe sigurinë ushqimore.
Ministrja theksoi se Kosova ka ardhur në këtë takim me protokolle të ratifikuara, me rezultate konkrete nga kryesimi i CEFTA-s dhe me infrastrukturë funksionale kufitare, duke kërkuar seriozitet reciprok dhe zbatim të marrëveshjeve nga të gjitha palët.
Ajo tha se Tregu i Përbashkët Rajonal dhe integrimi gradual në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian ndërtohen përmes vendimeve konkrete, zbatimit të zotimeve dhe vullnetit politik të përbashkët.

Punëtorë pa të drejta – ky është qëllimi i «Iniciativës për qëndrueshmëri»

Historia jonë – përgjegjësia jonë

Kur kohët e fundit e shoqërova një gazetare nëpër qytetin tim, Wil, e kuptova sa krenar mund të jem për gjeneratën e prindërve tanë. Unë i përkas gjeneratës së dytë me origjinë jashtë Zvicrës, pjesëtarët e së cilës quhen edhe “sekondo”. Menjëherë pranë stacionit të trenit në Wil kaluam pranë një ndërtese zyrash, të cilën axha im e kishte ndërtuar si punëtor sezonier. Edhe babai im punoi në kantiere të ndryshme, para se të gjente punë në një fabrikë. Si pjesëtarë të gjeneratës së parë të migrantëve, ata kontribuan në mirëqenien e këtij vendi duke kryer punët më të rënda. Por u deshën 14 vjet derisa babai im arriti ta sillte familjen në Zvicër – unë isha tetë vjeç kur erdha në këtë vend. Që kur jam vetë prind, e kuptoj edhe më mirë sa të vështira ishin ato vite për të gjitha familjet e prekura.

Shumë prej jush e njohin këtë histori. Baballarët dhe gjyshërit tuaj erdhën nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, nga Shqipëria. Erdhën për të punuar në ndërtimtari, në fabrika, në pastrim. Punuan fort – çdo ditë. Por nuk u lejohej të sillnin familjet e tyre. Muaj të tërë kalonin vetëm. Pa të drejta. Pa siguri. Kur shefi thoshte «ik», ti ikje.

Ky ishte Statuti i Sezonierëve – një kapitull i errët i historisë zvicerane. Ai e kufizonte qëndrimin e «punëtorëve mysafirë» (Gastarbeiter) në nëntë muaj në vit. Sezonierët ndërtuan, riparuan, mbollën dhe gatuajtën për Zvicërn. Morën paga të ulëta, paguajtën taksa, por pothuajse nuk kishin të drejta. Pas këtij sistemi qëndrojnë dhjetëra mijëra familje të copëtuara. Fëmijë që duhej të fshiheshin ditën nëpër dollapa e bodrume – të ashtuquajturit «fëmijët e dollapit», «Schrankenkinder» në gjermanisht. Fëmijë që nuk guxonin të shkonin në shkollë, te mjeku, as të luanin jashtë. Nëna që kishin vetëm zgjedhjen traumatizuese: t’i linin fëmijët pas ose t’i fshihnin pranë vetes. Punëtorë që në kufirin e Chiassos duhej të zhvisheshin edhe në të ftohtë të acartë dhe të renditeshin në radhë për t’u bërë radiografi.

Bashkimi familjar ishte i ndaluar për kohë të gjatë dhe më vonë i lejuar vetëm me kushte të rrepta. Ndërrimi i vendit të punës ose i vendbanimit nuk ishte i parashikuar. Nëse një grua mbetej shtatzënë, duhej të largohej. Vetëm në vitin 2002, me futjen e lëvizjes së lirë të personave, iu dha fund këtij statuti të padenjë. Falë saj, babai im mundi ta sillte familjen. Unë munda të shkoja në shkollë këtu, të studioja – dhe sot jam deputet në Parlamentin e Zvicrës. Kjo ishte e mundur vetëm sepse Zvicra e hoqi Statutin e Sezonierëve.

Më 14 qershor, pikërisht kjo e arritur do të hidhet në referendum.

 

Çfarë do vërtet kjo iniciativë – dhe pse na prek neve

iniciativa e partisë politike SVP me titullin «Jo Zvicrës 10 milionëshe! (Iniciativa për qëndrueshmëri)» reklamohet me fotografi kiçi të peizazheve dhe familjeve që ecin nëpër livadhe alpine. Ky është mashtrim. Kjo iniciativë nuk do ta ndalonte rritjen e popullatës. Ekonomia zvicerane varet nga imigrimi – zhvillimi demografik dhe dalja në pension e gjeneratës me më shumë fëmijë e bëjnë këtë të pashmangshme.

Iniciativa ndjek një qëllim tjetër. Ia vlen ta lexosh tekstin me kujdes. Vendimtare është: Në popullatën e përhershme rezidente, e cila duhet të kufizohet, numërohen vetëm ata që jetojnë më shumë se dymbëdhjetë muaj në Zvicër. Thënë troç: migrantët duhet të vazhdojnë të vijnë për të punuar – por jo për një vit të plotë dhe jo me familjen e tyre. SVP nuk do më pak të huaj. Ajo do punëtorë pa të drejta. Njerëz që kujdesen për pleqtë tanë, ndërtojnë shtëpitë tona, pastrojnë zyrat tona – por vijnë pa familje, pa të drejtë qëndrimi të përhershëm dhe pa mbrojtje.

Ky është Statuti i Sezonierëve me veshje të re. Emër tjetër, efekt i njëjtë.

Çfarë ndodh konkretisht? Zvicra ka sot 9,2 milionë banorë. Për pak vite do të jenë 9,5 milionë. Atëherë hyn në fuqi masa e parë:

Bashkimi familjar kufizohet. Kush do ta sjellë bashkëshortin, fëmijët, prindërit – nuk mund ta bëjë këtë. Kjo bëhet më e vështirë ose e pamundur. Refugjatët me qëndrim të përkohshëm nuk marrin më të drejtë qëndrimi.

Kur numri i popullsisë arrin në 10 milionë vjen masa e dytë: marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare duhet të anulohen – sipas Qeverisë së Zvicrës edhe Konventa e të Drejtave të Njeriut, Konventa e Refugjatëve dhe Konventa e të Drejtave të Fëmijëve. Në fund, anulimi i lëvizjes së lirë të personave. Kthehen kontingjentet. Mbrojtja e pagave bie.

SVP ka mësuar nga gabimet e veta. Ndryshe nga iniciativa kundër imigrimit masiv të vitit 2014, teksti i iniciativës këtë herë është i qartë. Ai synon qartësisht një ndarje të shoqërisë në dy pjesë: lart sunduesit e vendosur. Poshtë migrantët pa të drejta.

 

Çfarë do të thotë kjo për mërgatën shqiptare

Tani po ju flas drejtpërdrejt juve – mërgatës shqiptare në Zvicër. Sepse kjo iniciativë na prek veçanërisht neve.

Bashkimi familjar: Shumë prej nesh kanë ende familje në vendlindje. Prindër, vëllezër e motra, bashkëshortë. Kush do t’i sjellë këtu, edhe sot e ka të vështirë. Pas kësaj iniciative do të jetë edhe më e vështirë – ose e pamundur. Paramendoni: babai juaj është vetëm në Kosovë. Nëna juaj është e sëmurë. Ju doni ta sillni këtu. Përgjigja: Jo. Kufiri është i mbyllur.

Statusi i qëndrimit: Nuk bëhet fjalë vetëm për ardhësit e rinj. Bëhet fjalë për të gjithë ata që tashmë jetojnë këtu. Kush ka lejen e qëndrimt B: vazhdimi i saj bëhet i pasigurt. Kush ka lejen C: edhe ajo nuk është më e sigurt nëse bien marrëveshjet bilaterale me BE-në. Kush do pasaportën zvicerane: natyralizimi bëhet më i vështirë, kohët e pritjes më të gjata, arbitrariteti më i madh.

Pagat: Pa marrëveshjet bilaterale bie mbrojtja e pagave. Sot kontrollohen mbi 37’000 firma nëse paguajnë paga të drejta. Pa këto kontrolla, shefi thotë: «Pse duhet të të paguaj 28 franga në orë? Tjetri e bën për 15.» Studimet tregojnë: pagat bien me 1,7 deri në 4,7 përqind. Me një pagë prej 5000 frangash, kjo do të thotë 235 franga më pak – çdo muaj. Pothuajse 3000 franga më pak në vit. Dhe kjo prek pikërisht degët ku punojnë shumë prej nesh: ndërtimtari, gastronomi, pastrim, kujdes shëndetësor, transport.

Pensioni dhe sigurimet shëndetësore: AHV-së i mungojnë deri në vitin 2060 rreth 8 miliardë franga, nëse më pak të rinj paguajnë. Kontributi për sigurimin shëndetësor rritet për 250 franga për person në vit – për një familje me katër persona janë 1000 franga më shumë. Dhe SVP-ja do njëkohësisht ta rrisë moshën e pensionit në 67 vjeç. Dy vjet më gjatë në kantier, në pastrim, në kujdes – për njerëz që me 65 vjeç shpesh janë fizikisht të shkatërruar.

Klima politike: Kur një iniciativë thotë se në Zvicër «ka tepër prej jush», kjo e ndryshon atmosferën në të gjithë vendin. Në vendin e punës, në shkollë, në komunë. Kush jeton këtu prej 20 vjetësh, paguan taksa dhe punon, paraqitet prapë si «problem». Këtë e njohim. Dhe me këtë iniciativë do të jetë edhe më keq.

 

Një «kurrë më!»

Suksesi i Zvicrës, një vend pa lëndë të para, bazohet në një formulë të provuar: demokraci e qëndrueshme dhe e drejtë, kulturë e balancës sociale, imigrim dhe integrim i njerëzve të motivuar e të talentuar. Migrantët kanë ndërtuar firma si Nestlé dhe Swatch, të cilat ende sot krijojnë vende pune. Nuk guxon të ndodhë që vendi ynë, i cili ekonomikisht varet nga popullata migrante, njëkohësisht t’ia heqë asaj të drejtat.

Rikthimi i Statutit të Sezonierëve është qëllimi i vërtetë i kësaj iniciative. Një JO e fuqishme më 14 qershor është një gjest që thotë «kurrë më!» – kurrë më nuk duam të kthehemi te Statuti i padenjë i Sezonierëve. Kurrë më nuk duhet të fshihen fëmijë nëpër dollapa. Kurrë më nuk duhet të ndahen familje me vite të tëra.

Hannah Arendt e ka quajtur të drejtën për të drejta si të drejtën më themelore: të drejtën për të qenë fare pjesë e një bashkësie politike që të mbron. Një demokraci që ia mohon këtë të drejtë më shumë se një të katërtës së popullatës së vet, është një demokraci e mangët.

Çfarë mundeni të bëni ju? Kush ka pasaportën zvicerane: votoni JO më 14 qershor. Me postë ose në kutinë e votimit. Kush nuk ka të drejtë vote: flisni me fqinjët tuaj, me kolegët e punës, me miqtë zviceranë. Thuani atyre: «Të lutem voto JO – për mua. Sepse unë nuk mundem, por ti mundesh.» Shpërndajeni këtë artikull. Diskutoni në familje, në shoqatë, në punë. Çdo votë është e rëndësishme.

Një JO më 14 qershor është një angazhim që të gjithë njerëzit që jetojnë dhe punojnë në këtë vend, të trajtohen me dinjitet. Debati mbi përkatësinë dhe të drejtën e shtetësisë do të vazhdojë edhe pas kësaj. Ne nuk kemi nevojë për një demokraci diskriminuese dhe përjashtuese, por për një demokraci të gjallë dhe të vërtetë.

Arbër Bullakaj (40) është deputet në Parlamentin e Zvicrës nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës. Baza e tij elektorale është në kantonin St. Gallen. Ai është sipërmarrës në fushën e teknologjisë informative nga qyteti i Wil-it (kantoni St. Gallen). Ai është i biri i një ish-punëtori sezonal dhe bashkëiniciator i Iniciativës për Demokraci, e cila synon lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë në Zvicër.

Arbër Bullakaj është deputet në Parlamentin e Zvicrës nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SP).

 

 

 

 

 

Nis fushata 10-ditëshe për zgjedhjet e 7 qershorit

Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur sot e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit, përcjell albinfo.ch.

Subjektet politike garuese kanë paralajmëruar aktivitetet hapëse në disa qytete të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do ta hapë fushatën me një tubim në Ferizaj, në Palestrën e Sporteve, që është paraparë të nisë në orën 19:30.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar takim me qytetarët në sheshin e qytetit të Ferizajt, duke filluar prej orës 20:00.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbajë aktivitetin elektoral në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar prej orës 18:00.

Ndërkaq, Aleanca do të hapë fushatën zgjedhore me simpatizantë të saj në Gjakovë prej orës 19:45.

Partia Socialdemokratike (PSD) të mërkurën me një aktivitet simbolik e ka bërë hapjen e fushatës.

Gjatë fushatës elektorale, që do të zgjasë 10 ditë, partitë do të kenë të drejtë t’i shpenzojnë 2 milionë e 92 mijë euro./Albinfo.ch

Vala ekstreme e të nxehtit godet Evropën, shtatë viktima në Francë

Një valë e hershme dhe ekstreme e të nxehtit po përfshin një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore, duke shkaktuar viktima, alarm shëndetësor dhe temperatura rekord në disa shtete evropiane, përcjell albinfo.ch.

Autoritetet franceze kanë konfirmuar se shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë e drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga temperaturat e larta që kanë goditur vendin gjatë ditëve të fundit.

“Ajo që mund të them sot është se ka pasur shtatë vdekje të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me vapën”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, për televizionin TF1.

Sipas agjencisë Meteo France, temperatura më e lartë është regjistruar pranë Hossegor, në jugperëndim të Francës, ku termometri arriti në 37.1 gradë Celsius. Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat në disa zona të vendit mund të kalojnë 36 gradë edhe gjatë ditëve në vijim.

Meteorologët francezë kanë bërë të ditur se kjo ka qenë dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në muajin maj që nga fillimi i matjeve zyrtare. Temperatura mesatare kombëtare arriti në 24.4°C, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 23.7°C të vendosur në vitin 1944.

Temperatura rekord janë regjistruar edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Met Office, e hëna ishte dita më e nxehtë e muajit maj në historinë e matjeve meteorologjike, me temperatura që arritën deri në 34.8°C në Kew Gardens, në jugperëndim të Londrës.

Agjencia britanike e motit e cilësoi këtë fenomen si “jashtëzakonisht të pazakontë për Mbretërinë e Bashkuar, madje edhe gjatë mesit të verës”.

Edhe Spanja po përballet me temperatura ekstreme. Shërbimi meteorologjik Aemet paralajmëroi se në disa rajone temperaturat do të lëvizin mes 36 dhe 38 gradë Celsius, ndërsa në zona të caktuara mund të arrijnë deri në 40°C.

Ndërkohë, tetë departamente në Francë janë vendosur në alarm portokalli për vapën, niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit meteorologjik, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të shmangin ekspozimin e gjatë në diell dhe të marrin masa mbrojtëse.

Ky është rasti i parë që Franca aktivizon sistemin kombëtar të alarmit për vapën që në muajin maj, që nga krijimi i tij në vitin 2004. /Albinfo.ch

Shqiptari dyshohet si autori kryesor i vrasjes mafioze të berberit 26-vjeçar në Itali

Një operacion i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe shqiptare ka çuar në ekzekutimin e 15 masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar për përfshirje në një vrasje mafioze dhe aktivitete të tjera kriminale mes Italisë dhe Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Operacioni është zhvilluar me urdhër të Gjykatës së Barit dhe Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Tiranë, në kuadër të hetimeve të koordinuara nga Drejtoria Distrektuale Antimafia e Barit (DDA) dhe Prokuroria e Posaçme shqiptare, me mbështetjen e Eurojust.

Në qendër të hetimeve është vrasja e 26-vjeçarit Francesco Diviesti, i cili u ekzekutua një vit më parë dhe më pas trupi i tij u dogj në një zonë të izoluar të Alta Murgias, në Itali.

Sipas hetuesve, ndaj 15 personave – mes tyre katër gra – rëndojnë akuza të ndryshme, përfshirë vrasje të paramenduar me rrethana mafioze, tentativë zhvatjeje, armëmbajtje pa leje, ndihmë pas kryerjes së krimit, shkelje të masave parandaluese dhe pastrim ndërkombëtar parash nga Italia drejt Shqipërisë.

Autoritetet italiane bëjnë të ditur se ndër personat kryesorë të hetuar ndodhet edhe shqiptari I.G., 41 vjeç, i identifikuar si personi që kontrollonte dhe menaxhonte shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Barlettës. Ai dyshohet si organizatori kryesor i vrasjes.

Sipas hetimeve, konflikti që çoi në ekzekutimin e Diviestit nisi për një borxh prej 500 eurosh, që më pas ishte ulur në 300 euro, lidhur me marrjen me qira të një automjeti në favor të të dyshuarit kryesor.

Prokurori shtesë i Barit, Giuseppe Gatti, deklaroi se viktima kishte kundërshtuar kilometrazhin e makinës së marrë me qira, veprim që sipas hetuesve u interpretua si sfidë ndaj autoritetit të 41-vjeçarit shqiptar.

“Një fyerje që, sipas logjikës së vjetër mafioze, duhej larë me gjak”, është shprehur Gatti.

Hetimet tregojnë se pas vrasjes, trupi i 26-vjeçarit u dogj mes gomave për të zhdukur gjurmët e krimit dhe për të dërguar një mesazh frikësues ndaj kujtdo që sfidon grupin kriminal.

Prokurori Roberto Rossi e cilësoi djegien e trupit si “një mesazh për të gjithë: kush gabon, paguan me gjak”.

Ndërkohë, autoritetet theksojnë se klima e frikës e krijuar nga grupi kriminal ka ndikuar edhe te dëshmitarët. Një mik i viktimës, pasi kishte bashkëpunuar fillimisht me hetuesit, më vonë kishte tërhequr deklaratat nga frika për sigurinë e tij. /Albinfo.ch

A po bëhen kosovarët një nga komunitetet kryesore që marrin shtetësinë gjermane?

Viti 2025 ka sjellë një rekord historik në Bavari të Gjermanisë jugore sa i përket dhënies së shtetësisë gjermane. Por, a po shndërrohen kosovarët në një nga komunitetet më të integruara dhe më të përfaqësuara në këtë proces?

Referuar të dhënave të publikuara nga gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”, rreth 60 mijë persona kanë marrë shtetësinë gjermane në Bavari gjatë vitit të kaluar, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në këtë land, transmeton albinfo.ch.

Në mesin e komuniteteve që kanë përfituar më së shumti nga ky proces renditen edhe qytetarët me origjinë nga Kosova. Raporti tregon se rreth 4100 kosovarë janë pajisur me pasaportë gjermane, duke e vendosur Kosovën në vendin e tretë për nga numri i shtetësive të fituara, së bashku me Rusinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Para Kosovës renditen vetëm Turqia me 6495 shtetësi të dhëna dhe Siria me 4979.

Sipas Zyrës së Statistikave të Bavarisë, numri total prej 59’573 shtetësive të dhëna është afro 10 për qind më i lartë krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, krahasuar me vitet 2021 dhe 2022, shifra është dyfishuar, ndërsa në raport me vitin 2014 është katërfishuar.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, e ka cilësuar këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për integrimin në Gjermani, duke theksuar se marrja e shtetësisë përfaqëson një vendim të vetëdijshëm për t’u bërë pjesë e shoqërisë gjermane.

Megjithatë, ai ka kërkuar rikthimin e rregullave më të ashpra për fitimin e shtetësisë, duke propozuar që periudha minimale e qëndrimit të rikthehet nga pesë në tetë vjet.

Aktualisht, ligji i reformuar në verën e vitit 2024 u mundëson aplikantëve të marrin shtetësinë pas pesë vitesh qëndrimi dhe të mbajnë edhe dyshtetësinë.

Për të përfituar pasaportën gjermane, aplikantët duhet të dëshmojnë njohuri të gjuhës gjermane, të jenë financiarisht të pavarur, të kalojnë testin e shtetësisë dhe të mos kenë precedentë penalë./Albinfo.ch

Pianistja Fatjona Maliqi mahnit publikun me performancën në Kalanë Neckarhausen në Gjermani

Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi ka emocionuar publikun me një performancë të veçantë artistike në Kalanë historike Neckarhausen në Gjermani, në një koncert që u karakterizua nga atmosferë e ngrohtë dhe pritje entuziaste nga të pranishmit, shkruan albinfo.ch.

Përmes një reagimi publik, artistja ka shprehur mirënjohjen dhe emocionet e përjetuara gjatë kësaj mbrëmjeje, duke theksuar se interpretimi në këtë ambient unik ishte një përvojë e paharrueshme.

“Atmosfera ishte me të vërtetë e veçantë dhe u preka thellë nga thirrjet ‘Bravo!’ dhe duartrokitjet e përzemërta”, është shprehur Maliqi.

Ajo ka theksuar se momente të tilla ia rikujtojnë forcën që muzika ka për të bashkuar njerëzit dhe për të krijuar emocione që mbeten gjatë në kujtesë.

Pianistja shqiptare falënderoi komunën Edingen-Neckarhausen, shtetin gjerman Baden-Württemberg dhe veçanërisht organizatorin z. Grosch për mikpritjen dhe organizimin e mbrëmjes artistike.

“Këto kujtime do t’i mbaj me vete për një kohë të gjatë”, ka shtuar ajo.

Performanca e Fatjona Maliqit vjen si një tjetër sukses i artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare, duke promovuar kulturën dhe talentin shqiptar para publikut evropian. /Albinfo.ch

Mësuesit në Zvicër kërkojnë rregulla të detyrueshme për vapën në klasa

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Zvicrën gjatë ditëve të fundit po ndikon edhe në shkollat e vendit. Organizata ombrellë e mësuesve zviceranë po kërkon masa urgjente dhe rregulla të detyrueshme për mbrojtjen nga nxehtësia në klasa.

Sipas një dokumenti të publikuar nga kjo organizatë, shumë ndërtesa shkollore nuk janë të përgatitura për temperaturat e larta të verës. Në të theksohet se “mungesa e hijezimit, izolimi i dobët dhe objektet e përkohshme bëjnë që klasat të nxehen shpejt dhe të ftohen shumë ngadalë”.

Temperaturat në Zvicër ditët e fundit kanë kaluar mbi 30°C, duke e bërë mësimin në klasa të vështirë për nxënësit dhe mësuesit.

Organizata kërkon që të vendosen rregulla të unifikuara në gjithë vendin për menaxhimin e nxehtësisë në shkolla, të ngjashme me rekomandimet e Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), i cili për ambientet e zyrave përcakton një temperaturë optimale prej 23 deri në 26°C.

Tre nivele masash të propozuara

Mësuesit propozojnë një model me tre faza:

Deri në 26°C: mësimi zhvillohet normalisht

Nga 26 deri në 30°C: shkollat duhet të bëjnë rregullime, si zhvendosja e orëve në hapësira më të freskëta

Mbi 30°C: mësimi i rregullt të pezullohet

Në raste të temperaturave shumë të larta, propozohet që nxënësit të kalojnë kohë në ambiente më të freskëta, si në natyrë apo në pyll.

Masa afatgjata të kërkuara

Përveç zgjidhjeve të përkohshme, organizata kërkon edhe masa afatgjata si:

gjelbërimi i oborreve të shkollave

ndërtimi dhe rinovimi i ndërtesave me standarde që mbrojnë nga nxehtësia

instalimi i klimatizimit, idealisht i furnizuar nga energjia diellore

Sipas mësuesve, mbrojtja nga nxehtësia nuk duhet të varet nga buxheti i kantoneve apo komunave, por të jetë e garantuar në mënyrë të njëtrajtshme në gjithë vendin.

Shkëmbimi i të dhënave mes shërbimeve policore në qendër të debatit politik në Zvicër

Shkëmbimi i të dhënave ndërmjet shërbimeve policore në Zvicër po shndërrohet në një temë të rëndësishme debati politik dhe institucional. Ndërsa kantonet dhe Partia e Qendrës e mbështesin parimisht projektin, partitë e majta dhe organizatat për mbrojtjen e të dhënave paralajmërojnë rreziqe serioze për mbikëqyrje masive.

Platformë kombëtare për shkëmbimin e informacionit policor

Autoritetet zvicerane po shqyrtojnë krijimin e një platforme kombëtare konsultimi, e cila do t’u mundësonte shërbimeve policore në kantone dhe në nivel federal të shkëmbejnë informacion në mënyrë më të shpejtë dhe të koordinuar. Për realizimin e këtij projekti kërkohet ndryshim i legjislacionit federal.

Në mes të shkurtit, Këshilli Federal hodhi në konsultim dy projekte:

krijimin e një baze kushtetuese për këtë sistem, dhe

një rishikim të pjesshëm të Ligjit Federal për Sistemet e Informacionit Policor të Konfederatës (FIAS).

Mbështetje e gjerë për qëllimin kryesor

Në përgjigjet e tyre ndaj konsultimit, Partia Liberale Radikale (FDP) dhe Partia Popullore Zvicerane (SVP) e mbështesin në parim projektin e Këshillit Federal.

Sipas FDP-së, në një kontekst të rritjes së krimit ndërkufitar, një platformë e tillë është e domosdoshme. Ndërkohë, SVP shpreh rezerva lidhur me zgjerimin e kompetencave federale, duke theksuar se mund të rrezikohet autonomia e kantoneve.

Edhe Partia e Qendrës (Die Mitte) e mbështet projektin, duke theksuar se krimi i organizuar, terrorizmi dhe “turizmi kriminal” nuk njohin më kufij kantonalë apo shtetërorë. Sipas saj, bashkëpunimi i strukturuar policor është gjithnjë e më i domosdoshëm për sigurinë e brendshme.

Partia kërkon që projektet e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore të procedohen sa më shpejt në Parlament, duke theksuar nevojën për veprim urgjent pas vonesave të akumuluara.

Kritika për bazë ligjore të pamjaftueshme

Organizata “Société Numérique” e kundërshton plotësisht projektin, duke argumentuar se ai rrit rrezikun e abuzimit dhe cenon të drejtën për vetëvendosje mbi të dhënat personale. Sipas saj, baza ligjore e propozuar është e pamjaftueshme.

Organizata kritikon gjithashtu lidhjen e këtij projekti me ndryshime të tjera ligjore që, sipas saj, kanë vetëm lidhje të dobët me temën kryesore. Në vend të një reforme të thellë sistemike, ajo propozon digjitalizim dhe përmirësim të strukturave ekzistuese administrative.

Edhe Partia Socialiste shpreh shqetësime për mbrojtjen e të dhënave, duke paralajmëruar se një procedurë e automatizuar që lejon qasje në baza të mëdha të të dhënave policore pa shqyrtim rast pas rasti është problematike për sundimin e ligjit dhe privatësinë.

Gjenevë: Votimi për hapjen e dyqaneve të dielave më 14 qershor

Në kantonin e Gjenevës, qytetarët do të votojnë më 14 qershor për një ndryshim të ligjit që rregullon orarin e hapjes së dyqaneve, i cili parashikon lejimin e hapjes së dyqaneve dy të diela në vit, përveç 31 dhjetorit, pa e kushtëzuar këtë me një marrëveshje kolektive të zgjeruar në sektor.

Kjo lehtësim i rregullave, i mbështetur nga e djathta politike, kundërshtohet nga sindikatat, të cilat paralajmërojnë për përkeqësim të kushteve të punës në një sektor tashmë të ndjeshëm.

Në Gjenevë janë zhvilluar edhe më herët votime për këtë çështje. Në vitin 2016, qytetarët kishin miratuar hapjen e dyqaneve tre të dielave në vit, përveç 31 dhjetorit, i cili trajtohet si e diel në kanton, me kusht që të ekzistonte një marrëveshje kolektive pune (CLA).

Debat mbi kushtet e punës dhe ekonominë

E djathta politike argumenton se ndryshimi është i nevojshëm për të mbështetur bizneset lokale, të cilat përballen me konkurrencë të fortë nga tregtia online dhe blerjet jashtë vendit. Sipas tyre, kërkesa për marrëveshje kolektive duhet të hiqet, pasi prej vitit 2017 nuk janë nënshkruar më marrëveshje të reja të tilla, duke krijuar pasiguri për tregtarët.

Një vendim i fundit i Gjykatës Federale Supreme në vitin 2025 ka ndikuar gjithashtu në situatë, duke vlerësuar se kushtëzimi i hapjes së të dielave me marrëveshje kolektive mund të jetë në kundërshtim me ligjin federal.

Sindikatat, të cilat kanë iniciuar referendumin, argumentojnë se liberalizimi i orarit të së dielës do të përkeqësojë kushtet e punës dhe do të dobësojë mbrojtjen e punonjësve. Sipas tyre, premtimet për punë vullnetare dhe rritje page prej 100% janë vetëm një “maskë”.

Pasiguri ligjore

Nëse ndryshimi i ligjit për orarin e hapjes së dyqaneve (LHOM) miratohet, situata do të qartësohet. Por nëse refuzohet, pritet që të vazhdojë pasiguria ligjore dhe çështja mund të përfundojë sërish në gjykatë.

Vendimi i Gjykatës Federale Supreme mund të interpretohet në dy mënyra: ose ligji aktual lejon hapjen e dyqaneve deri në tre të diela pa marrëveshje kolektive – siç e interpretojnë e djathta dhe Këshilli i Shtetit – ose ai e bën të gjithë rregullimin të pazbatueshëm, duke eliminuar hapjet e së dielës, siç e interpretojnë e majta dhe sindikatat.

Ky votim në Gjenevë ka edhe rëndësi kombëtare. Këshilli Federal ka mbështetur së fundmi parimin e hapjes së dyqaneve deri në 12 të diela në vit, krahasuar me katër aktualisht, duke lënë megjithatë hapësirë të madhe për kantonet që ta rregullojnë vetë këtë çështje.

OKB kritikon Zvicrën për kthimin e azilkërkuesve në Burundi

Një ekspert i Kombeve të Bashkuara ka kritikuar Zvicrën për kthimin e azilkërkuesve burundezë në vendin e tyre, duke paralajmëruar se kjo praktikë mund të shkelë parimin ndërkombëtar të moskthimit (non-refoulement).

Fortuné Gaëtan Zongo, raportues special i OKB-së për të drejtat e njeriut në Burundi, tha se vlerësimi i autoriteteve zvicerane për situatën në Burundi është i pamjaftueshëm dhe se kthimet mund të jenë të rrezikshme për të deportuarit. Sipas tij, garancitë për procese të drejta gjyqësore nuk mjaftojnë për të justifikuar kthimin e tyre.

Sipas të dhënave të cituara, rreth 700 kërkesa azili janë refuzuar në katër vitet e fundit, ndërsa që nga viti 2024 janë kryer 17 dëbime të detyruara, përfshirë 11 vetëm në prill.

Një avokate në Gjenevë që përfaqëson disa të kthyer ka raportuar raste arrestimesh, ndalimesh dhe në disa raste edhe abuzimesh pas kthimit, përfshirë detyrime për pagesa dhe një rast të raportuar të dhunës seksuale.

Zongo dhe një koalicion prej rreth 40 organizatash joqeveritare kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të kthimeve drejt Burundit. Zvicra, sipas tyre, është ndër vendet e pakta evropiane që vazhdon këto praktika pavarësisht paralajmërimeve për situatën e të drejtave të njeriut në vend.

Shqiptarët drejt unifikimit politik në Mal të Zi, Forumi Shqiptar synon fuqizim historik

Partitë shqiptare në Mal të Zi janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për bashkim në një subjekt të vetëm politik, që do të funksionojë me emrin Forumi Shqiptar. Sipas raportimeve të Radio Televizionit të Malit të Zi, ky do të ishte organizimi i parë i përbashkët politik i shqiptarëve në nivel shtetëror.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se pjesë e këtij unifikimi pritet të jenë Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Bashkimi Kombëtar Shqiptar.

Ky bashkim po konsiderohet rezultat i suksesit të bashkëpunimit të deritanishëm politik, i cili ka sjellë fitore të rëndësishme si drejtimi i Tuzit, dy mandate në Kuvend dhe përfaqësim në Qeverinë e Malit të Zi. Gjithashtu, përfaqësuesit e Forumit janë vlerësuar pozitivisht për punën e tyre në institucionet shtetërore.

Sondazhet e fundit thuhet se kanë ndikuar në përshpejtimin e negociatave, pasi ato tregojnë rritje të mbështetjes për Forumin Shqiptar edhe në Ulqin, ku synohet marrja e udhëheqjes politike pas zgjedhjeve të ardhshme.

Sipas burimeve të afërta me procesin, Nik Đeljošaj pritet të jetë lider i subjektit të bashkuar, ndërsa rol të rëndësishëm në këtë proces kanë pasur edhe Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinoša.

Njohës të zhvillimeve politike e cilësojnë këtë si një nga konsolidimet më të mëdha të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi që nga pavarësia e vendit.

Ndërprerje të pritshme të trafikut hekurudhor në Zvicrën frëngjishtfolëse gjatë verës

Gjatë kësaj vere janë planifikuar disa projekte të mëdha ndërtimi në rrjetin hekurudhor të Zvicrës frëngjishtfolëse, njoftoi të mërkurën Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB).

Si pasojë, në disa segmente do të ketë ndërprerje të qarkullimit, ndërsa do të organizohen edhe linja alternative transporti për udhëtarët.

Ndërprerjet e para të mëdha

Faza e parë e punimeve intensive është planifikuar nga e premtja, 12 qershor në ora 23:00 deri të hënën, 15 qershor në ora 05:00.

Gjatë kësaj periudhe:

Do të pezullohet plotësisht qarkullimi i trenave midis Palézieux dhe Romont, si dhe midis Aigle dhe St-Maurice.

Do të ketë ulje të shërbimeve në linjat Aeroporti i Gjenevës – Lozanë, Lozanë – Aigle, Lozanë – Yverdon-les-Bains dhe Lozanë – Palézieux.

Stacioni i Lozanës do të funksionojë me kapacitet të reduktuar për shkak të zëvendësimit të disa ndërruesve të binarëve.

SBB thekson se “të gjitha udhëtimet do të jenë ende të mundshme gjatë fundjavës, por duhet pritur kohë më të gjata udhëtimi”.

Ndërprerje të tjera gjatë verës

Mbi 19 ndërprerje afatgjata janë planifikuar në rrjet gjatë periudhës korrik–shtator. Ato do të prekin këto segmente:

Le Day – Le Brassus (6 korrik – 1 gusht)

Monthey – St-Gingolph (2 – 31 gusht)

Satigny – La Plaine (27 korrik – 17 gusht)

Sonceboz – Moutier (nga 8 shtator 2026 deri më 4 shtator 2027)

Në këto linja do të vendosen autobusë zëvendësues.

Ndikim edhe në trafikun ndërkombëtar

Edhe trafiku ndërkombëtar do të preket. Për shkak të punimeve në tunelin e Simplonit:

Trenat EuroCity midis Gjenevës, Lozanës dhe Milanos nuk do të qarkullojnë ose do të qarkullojnë pjesërisht nga 7 qershori deri më 26 korrik 2026.

Nga 26 qershori deri më 27 korrik, trenat RE midis Iselle di Trasquera dhe Domodossola do të anulohen.

Do të sigurohen autobusë zëvendësues midis Gjenevës, Martigny dhe Milanos.

SBB u rekomandon udhëtarëve që të kontrollojnë oraret online para çdo udhëtimi.

Shkallë e gjerë punimesh çdo vit

Çdo vit, SBB realizon rreth 6,000 projekte ndërtimi në Zvicrën frëngjishtfolëse, që përbëjnë rreth 30% të të gjitha punimeve në rrjetin kombëtar. Aktualisht janë në zhvillim rreth 200 projekte të tjera, ndërsa rreth 2,500 trena qarkullojnë çdo ditë në këtë rajon.

Prishtinë: Vritet një person nga të shtënat me armë zjarri në Bregun e Diellit

Një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 20:30 është marrë informacion për të shtëna në rrugën “Sali Nivica”, në lagjen Bregu i Diellit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e një personi mashkull.

“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Sali Nivica’ në Prishtinë. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi (mashkull). Policia në koordinim me prokurorinë ka nisur hetimet për rrethanat e rastit,” ka deklaruar Pllana.

Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e incidentit.

Zvicra shkurton mbi 60 vende pune në komunikim shtetëror

Qeveria federale e Zvicrës ka vendosur një paketë të re kursimesh që prek sektorin e komunikimit, duke eliminuar më shumë se 60 vende pune dhe duke ulur ndjeshëm shpenzimet për vitet 2027–2029.

Sipas vendimit, buxheti i komunikimit në nivel federal do të ulet me rreth 9 milionë franga, duke zbritur nga 107.2 në 82.2 milionë franga. Shkurtimet vijnë pas një vendimi të mëparshëm të Parlamentit për reduktim të shpenzimeve dhe vazhdojnë me masa shtesë të Qeverisë.

Më i prekur nga këto reduktime është Departamenti i Mbrojtjes, i ndjekur nga Departamenti i Brendshëm, ai i Ekonomisë dhe i Financave. Në total, shpenzimet në këtë sektor do të ulen mesatarisht me rreth 22%.

Qeveria thekson se do të ruhet misioni i informimit publik, ndërsa reduktimet do të realizohen kryesisht përmes largimeve natyrore, megjithëse nuk përjashtohen edhe shkarkime.

Si po e transformon inteligjenca artificiale kërkimin online të pushimeve

Inteligjenca artificiale po ndryshon në mënyrë të thellë mënyrën se si njerëzit kërkojnë dhe rezervojnë pushime në internet. Kjo temë u diskutua së fundmi në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Valais Wallis Promotion, ku ekspertët theksuan se industria turistike duhet të përshtatet me sjelljet e reja të përdoruesve.

Nga fjalët kyçe te kërkesat e personalizuara

Deri tani, kërkimet në internet bëheshin kryesisht me fjalë të thjeshta si: “hotel”, “familje”, “Nendaz”. Këto terma i ndihmonin përdoruesit të gjenin akomodim në destinacionin e dëshiruar.

Sot, me mjete si ChatGPT dhe platforma të tjera të inteligjencës artificiale, mënyra e kërkimit ka ndryshuar rrënjësisht. Përdoruesit formulojnë kërkesa të plota dhe specifike, për shembull: “Gjej një hotel të përshtatshëm për një çift në të tridhjetat me një foshnje, për javën e parë të korrikut, me buxhet maksimal 200 franga për natë.”

Ky ndryshim e transformon mënyrën se si përpunohen dhe renditen rezultatet.

Rënia e rëndësisë së renditjes tradicionale

Pa inteligjencë artificiale, faqet më të vizituara shfaqen zakonisht të parat në rezultatet e kërkimit. Por me AI, përparësi marrin ofertat më të përshtatshme dhe më të personalizuara, përfshirë edhe ato të segmenteve më të ngushta të tregut.

Kjo do të thotë se operatorët turistikë duhet të sigurohen që ofertat e tyre të jenë të “lexueshme” nga algoritmet, jo vetëm në tekst, por edhe në formate të tjera.

Roli në rritje i videove dhe përmbajtjes dinamike

Sipas Delphine Seitiée, Sekretare e Përgjithshme e Alp ICT, përmbajtja e përditshme dhe dinamike po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

Ajo thekson se aplikacionet mobile me video të shkurtra dhe informacione të freskëta lokale mund të kenë një vlerë të madhe, pasi inteligjenca artificiale i përdor këto të dhëna për të ofruar rezultate më të sakta dhe më “autentike”.

“E rëndësishme sot është qasja në informacion të përditësuar, për shembull përmes mini-videove të shkurtra të publikuara në rrjete sociale,” u shpreh ajo.

Ndryshime në tregun e platformave të rezervimit

Ekspertët vlerësojnë se inteligjenca artificiale mund të zvogëlojë dominimin e platformave të mëdha si Booking.com. Nëse faqet e hoteleve janë të përditësuara, të besueshme dhe ofrojnë sisteme direkte rezervimi, AI mund t’i favorizojë ato në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Kjo mund të ndikojë edhe në uljen e rolit të ndërmjetësve dhe komisioneve, pasi përdoruesit mund të rezervojnë direkt përmes rekomandimeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.

Megjithatë, ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që platforma të mëdha të investojnë për të ruajtur ndikimin e tyre në këtë ekosistem të ri digjital.

Zvicra mund të miratojë një partneritet civil për të gjitha çiftet

Në Zvicër po shqyrtohet një reformë e re ligjore që do t’u lejonte çifteve të krijojnë një partneritet civil (PACS) pa u martuar. Kjo nismë është e bazuar në modelin francez dhe synon t’u japë mbrojtje ligjore çifteve që nuk dëshirojnë martesë, por duan të kenë të drejta dhe detyrime të qarta ndaj njëri-tjetrit.

Komisioni për Çështje Ligjore i Këshillit të Shteteve ka hapur projektligjin për konsultim publik të mërkurën, dhe procesi do të zgjasë deri më 17 shtator. Projektligji bazohet në një iniciativë të senatorit Andrea Caroni (FDP/AR).

Çfarë është PACS?

PACS (Pakti i Solidaritetit Civil) u mundëson çifteve të krijojnë një bashkëjetesë të formalizuar jashtë martesës. Ky model nuk e zëvendëson martesën dhe as bashkëjetesën e zakonshme, por ofron një formë të ndërmjetme mbrojtjeje ligjore.

Ai u drejtohet kryesisht personave që nuk janë të martuar, nuk duan të martohen ose nuk janë më të martuar, por dëshirojnë të mbrojnë njëri-tjetrin ligjërisht. Në disa raste, mund të shërbejë edhe si hap paraprak drejt martesës.

Të drejtat dhe detyrimet

Sipas propozimit, partnerët në PACS do të kenë në parim të drejta dhe detyrime të ngjashme me bashkëjetuesit. Statusi civil i personave nuk do të ndryshojë nga ky regjistrim.

Personat e martuar, si dhe të miturit ose ata pa aftësi juridike, nuk do të kenë të drejtë të hyjnë në një PACS. Pasuria e partnerëve do të mbetet e ndarë, dhe secili do të përgjigjet për borxhet e veta.

Si regjistrohet partneriteti

Komisioni propozon dy mënyra për regjistrim:

Te noteri, ku kontrata vërtetohet dhe çiftet këshillohen ligjërisht;

Në zyrën e gjendjes civile, si një procedurë më e thjeshtë dhe me kosto më të ulëta.

Në të dy rastet, PACS duhet të regjistrohet zyrtarisht në regjistrin civil.

Zgjidhja e partneritetit

Shkëputja e PACS duhet të jetë e thjeshtë dhe pa procedura gjyqësore. Ajo mund të bëhet me marrëveshje të përbashkët ose edhe në mënyrë të njëanshme përmes një deklarate në zyrën e gjendjes civile.

Megjithatë, kur ka fëmijë, parashikohen masa më të forta mbrojtëse, veçanërisht për banesën familjare dhe kujdestarinë. Në rast mosmarrëveshjeje, kompetente do të jetë gjykata civile.

Zbatimi në kantone

Partneritete të tilla ekzistojnë tashmë në kantonet Gjenevë dhe Neuchâtel, ndërsa Franca e ka këtë sistem prej vitesh. Sipas propozimit, këto forma kantonale mund të shndërrohen në PACS federal ose të mbahen siç janë, ndërsa në të ardhmen nuk do të lejohen forma të reja kantonale.

Partneritetet e lidhura jashtë vendit, në parim, do të njihen në Zvicër.

Mes sulmeve ajrore dhe diplomacisë, Trump synon t’i japë fund luftës me Teheranin

Presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të balancojë ndërmjet presionit ushtarak dhe negociatave diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin, ndërsa sulmet e reja amerikane ndaj objektivave iraniane kanë shtuar tensionet në rajon.

Gjatë natës mes të hënës dhe të martës, Shtetet e Bashkuara goditën instalime ushtarake në jug të Iranit. Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga “The New York Times”, sulmet erdhën pasi shërbimet e inteligjencës zbuluan “një seri veprimesh potencialisht kërcënuese ushtarake iraniane” në 24 orët para bombardimeve.

Burimet amerikane pretendojnë se Teherani kishte lëshuar dronë kamikazë pranë anijeve amerikane që marrin pjesë në bllokadën e porteve iraniane në Gjirin e Omanit. Gjithashtu, SHBA-ja ka vërejtur aktivitet në sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore pranë Ngushticës së Hormuzit, çka mund të përbënte kërcënim për avionët luftarakë amerikanë dhe aeroplanmbajtëset në rajon.

Megjithatë, vetëm pak ditë më parë, Donald Trump deklaronte në rrjetin e tij social “Truth Social” se një marrëveshje me Teheranin ishte afër finalizimit.

“Detajet përfundimtare të marrëveshjes po diskutohen dhe do të shpallen së shpejti”, shkroi ai, duke shtuar se në kuadër të marrëveshjes pritet të rihapet edhe Ngushtica e Hormuzit.

Deklarata kontradiktore

Sipas analizës së “The New York Times”, presidenti amerikan ka ndjekur prej javësh një linjë të paqartë ndaj Iranit, duke kaluar vazhdimisht nga retorika e negociatave te kërcënimet për bombardime dhe bllokada ushtarake — ndonjëherë edhe brenda të njëjtës ditë.

Kritikët e Trumpit vlerësojnë se deklaratat e tij synojnë kryesisht qetësimin e tregjeve financiare dhe uljen e tensioneve politike në SHBA.

Analistët bien dakord se objektivi kryesor i Shtëpisë së Bardhë është përfundimi sa më i shpejtë i luftës dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit, e cila konsiderohet jetike për tregtinë globale të naftës.

Kjo vjen në një moment delikat politik për Trumpin. Vetëm pak muaj para zgjedhjeve afatmesme në SHBA, çmimi i karburanteve është në rritje, ndërsa ndërhyrja ushtarake në Iran po humb mbështetjen e opinionit publik. Sipas një sondazhi të “Fox News”, 60% e amerikanëve janë kundër operacionit ushtarak, krahasuar me 55% një muaj më parë.

Çështja bërthamore shtyhet për më vonë

Sipas portalit “Axios”, marrëveshja që po diskutohet aktualisht është më e kufizuar sesa objektivat fillestare të shpallura nga administrata amerikane.

Faza e parë e saj do të përfshinte zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Në këmbim, Irani do të pranonte të largojë minat detare të vendosura në rajon, ndërsa SHBA-ja do të lehtësonte pjesërisht sanksionet dhe bllokadën ndaj porteve iraniane, duke i mundësuar Teheranit eksportimin e naftës.

Megjithatë, programi bërthamor iranian nuk do të trajtohej menjëherë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “nuk mund të nënshkruhet një marrëveshje bërthamore për 72 orë”.

Sipas planit aktual, negociatat për çështjen bërthamore do të zhvilloheshin më vonë dhe do të synonin që Irani të heqë dorë nga zhvillimi i armëve bërthamore, të pezullojë pasurimin e uraniumit dhe të eliminojë rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

Ndërkohë, çështja e raketave balistike iraniane — e konsideruar më parë prioritet nga zyrtarët amerikanë — duket se është lënë në plan të dytë.

Kritika nga republikanët dhe shqetësim në Izrael

Mundësia e një marrëveshjeje pa koncesione të mëdha nga Irani ka shkaktuar reagime të forta brenda Partisë Republikane. Disa senatorë republikanë e krahasojnë situatën me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të nënshkruar nga administrata Obama.

Senatori Lindsey Graham paralajmëroi se një marrëveshje e tillë do ta paraqiste Iranin si forcë dominuese në rajon, ndërsa senatori Roger Wicker e quajti të papranueshme një armëpushim 60-ditor që, sipas tij, do të zhbënte rezultatet ushtarake të arritura nga SHBA-ja.

Edhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka sulmuar negociatat aktuale, duke kërkuar qasje më të ashpër ndaj Teheranit, përfshirë presion ekonomik dhe veprime ushtarake më të forta.

Shqetësimi më i madh, megjithatë, mbetet në Izrael. Autoritetet izraelite druhen se një marrëveshje e shpejtë mund t’i japë fund përkohësisht luftës pa eliminuar kërcënimin që, sipas tyre, paraqesin programi bërthamor iranian, raketat balistike dhe rrjeti rajonal i aleatëve të Teheranit.

Për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, një marrëveshje e pjesshme do të përbënte gjithashtu një goditje politike personale. Për dekada, Netanyahu e ka vendosur kërcënimin iranian në qendër të doktrinës së tij të sigurisë dhe ka mbrojtur vazhdimisht opsionin ushtarak si zgjidhjen e vetme ndaj Teheranit.

Megjithatë, gati tre muaj pas nisjes së konfliktit, objektivat e shpallura nga Izraeli dhe SHBA-ja duken ende larg realizimit, ndërsa Izraeli po ndihet gjithnjë e më shumë i përjashtuar nga negociatat diplomatike.

Paralajmërim në Zvicër: “Jo ndaj 10 milionëve” mund të sjellë bllokim masiv trafiku

Ekspertët paralajmërojnë se miratimi i referendumit “Jo ndaj Zvicrës me 10 milionë banorë” mund të shkaktojë kaos në trafik dhe bllokime të mëdha në kufijtë zviceranë.

Sipas një studimi të publikuar së fundmi, nëse iniciativa kundër emigracionit miratohet në referendumin e 14 qershorit, Zvicra mund të detyrohet të largohet nga zona Schengen dhe të kufizojë lëvizjen e lirë me Bashkimin Evropian. Kjo do të sillte kontrolle më të forta kufitare dhe pritje të gjata në pikat hyrëse, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë se rajonet kufitare, sidomos Gjeneva, mund të preken më rëndë, pasi mijëra punëtorë nga Franca kalojnë çdo ditë kufirin për të punuar në Zvicër. Vetëm në Gjenevë, mbi 114 mijë punëtorë ndërkufitarë udhëtojnë çdo ditë drejt kantonit.

Mbështetësit e iniciativës argumentojnë se emigracioni i lartë po shkakton krizë banesash, mbingarkesë të transportit publik dhe presion mbi shërbimet publike. Ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë se kufizimi i emigracionit mund të dëmtojë ekonominë dhe të krijojë mungesë të fuqisë punëtore.

Referendumi i 14 qershorit konsiderohet një nga votimet më të rëndësishme politike në Zvicër vitet e fundit, ndërsa shumë analistë po e krahasojnë atë me Brexit-in britanik për shkak të ndikimit të mundshëm në marrëdhëniet me BE-në.