Maqedoni e Veriut: Së shpejti provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka njoftuar se gjatë kësaj jave pritet të miratohet drafti përfundimtar i vendimit që do të lejojë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, si dhe një vlerësim nëse ka nevojë për të dërguar propozimin për opinion në Komisionin e Venecias.

“Gjatë kësaj jave, besoj të enjten (28.5.), duhet të miratohet një draft përfundimtar, një vendim përfundimtar, dhe do të vendoset nëse modeli i propozuar duhet të shkojë në Komisionin e Venecias. Është krejtësisht e parëndësishme nëse do të kalojë edhe një muaj në Komisionin e Venecias apo do të miratohet dhe zbatohet”, tha ai për tv21, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, ky nuk është një ligj i ri që do të adresojë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por më tepër priten ndryshime në ligjin ekzistues teksa njoftoi se po kërkohet një zgjidhje edhe për dhënien e provimeve të tjera profesionale, domethënë për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

“Kjo çështje hapi edhe diçka tjetër, sa certifikata do të lëshohen në dy gjuhë, si do të jepet provimi në gjuhën shqipe, si janë të organizuara provimet, ku jepen – në dhomat e tregtisë, në dhomën e mjekësisë, në shoqatën e avokatëve, për përmbaruesit, kontabilistët e kështu me radhë. Kemi bërë një hartëzim, bëhet fjalë për mbi 40 provime. Secili do të marrë një zgjidhje, do të zgjidhen një nga një. Po përpiqemi të mbulojmë gjithçka dhe ta mbyllim këtë temë njëherë e përgjithmonë”, ka deklaruar ai.

Miu zviceran me inteligjencë artificiale synon të zëvendësojë testimin në kafshë të gjalla

Studiuesit zviceranë kanë krijuar një version të inteligjencës artificiale të një miu që do të zëvendësonte testimin në kafshë të gjalla duke vlerësuar efektet e përbërësve të rinj aktivë në një kompjuter.

Laboratorët Federalë Zviceranë për Shkencën dhe Teknologjinë e Materialeve (Empa) thanë se modeli mund të përdoret si një ndihmë vendimmarrëse në zhvillimin e barnave.

Ai llogarit se si shpërndahen nanopjesëzat me veti të caktuara në organizëm. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për zhvillimin e terapive kundër tumoreve të trurit, pasi nanopjesëzat mund të kalojnë barrierën gjak-tru.

Studiuesja Jimeng Wu zhvilloi të ashtuquajturin model farmakokinetik të bazuar në fiziologji, raporton swissinfo. Ajo përdori 18 studime të mëparshme me minj si bazë të dhënash. Me ndihmën e të mësuarit automatik, modeli mund të përshtatë parametrat e tij me vetitë e nanopjesëzës përkatëse.

Mjeti IA bën të mundur testimin virtual të grimcave që janë të përshtatshme për një detyrë edhe para se ato të prodhohen, u citua të thoshte Wu në njoftimin për shtyp.

Sipas studiuesve, modeli kontribuon në konceptin “I Sigurt dhe i Qëndrueshëm sipas Dizajnit”, pasi rrit sigurinë e terapive të reja në një fazë të hershme, transmeton albinfo.ch.

Inteligjenca artificiale njerëzore në proces

Hulumtuesi Peter Wick pranon se baza e të dhënave e modelit me 18 studime është ende e vogël. Tani është e nevojshme të trajnohet miu virtual me të dhëna të mëtejshme në mënyrë që të rritet besueshmëria e tij. Në planin afatgjatë, procesi nga zhvillimi në aplikim tek njerëzit duhet të shkurtohet dhe testimi në kafshë duhet të hiqet dorë fare.

Hapi tjetër është transferimi i parimit në kërkimin tek njerëzit. Një model përkatës për njerëzit mund të mundësojë gjithashtu ekzaminimin e organeve të ndjeshme të synuara.

Glarus: Arrestohet shqiptari me një kilogram heroinë dhe para të gatshme

Gjatë një kontrolli në një shtëpi të premten, më 8 maj 2026, në Näfels, hetuesit nga Policia e Kantonit të Glarusit gjetën afërsisht një kilogram heroinë dhe 1,700 franga zvicerane në para të gatshme. Një 20-vjeçar shqiptar u arrestua me këtë rast, transmeton albinfo.ch.

Të premten, më 8 maj 2026, hetuesit nga Policia e Kantonit të Glarus kryen një kontroll në banesën e një shtetasi 20-vjeçar shqiptar si pjesë e një hetimi për trafik të dyshuar droge, shkruan linth24.ch. U sekuestruan me atë rast afërsisht një kilogram heroinë dhe rreth 1,700 franga zvicerane në para të gatshme.

I dyshuari u arrestua dhe tani ndodhet në paraburgim.

Hetime të mëtejshme nga Policia Kantonale e Glarus janë duke vazhduar. Çështja po trajtohet nga Prokuroria e Shtetit dhe Zyra e Prokurorit për të Mitur të Kantonit të Glarusit.

(Foto: Kantonspolizei Glarus)

Fillon montimi i avionit të parë zviceranë F-35

Dorëzimi i avionëve luftarakë F-35 në Zvicër ka arritur një moment të ri historik me montimin e avionit të parë që fillon në fabrikën e Lockheed Martin në Georgia, Shtetet e Bashkuara.

Prodhimi i komponentëve të parë për avionët zviceranë ka filluar tashmë, deklaroi armasuisse. Fazat e ardhshme të prodhimit dhe montimit do të pasojnë në muajt në vijim, transmeton albinfo.ch.

Më shumë se 2,100 nënkontraktorë në të gjithë botën janë aktivë në zinxhirin e prodhimit.

Tetë F-35-at e parë do të përdoren për të trajnuar pilotët zviceranë nga mesi i vitit 2027 në Arkansas, SHBA. Dorëzimi në Zvicër pritet një vit më vonë.

F-35-at e mbetur do të dorëzohen nga vendi i montimit përfundimtar në Cameri, Itali.

Lorian Hajdini, mesfushori që po projekton të ardhmen në elitën e futbollit evropian

Futbollisti Lorian Hajdini, mesfushori i FC Zürich U17 ndërton profilin e tij me disiplinë dhe qartësi loje, ndërsa interesimi nga Bayern München dhe TSG Hoffenheim konfirmon potencialin e tij në skenën ndërkombëtare.

Në strukturën gjithnjë e më konkurruese të futbollit të të rinjve në Zvicër, Lorin Hajdini përfaqëson një profil të formuar mbi përkushtim të hershëm dhe orientim të qartë drejt zhvillimit profesional. Rrugëtimi i tij nis në moshë të vogël, i ndërtuar mbi një dëshirë të artikuluar që në fillim: “Kam filluar në moshën gjashtëvjeçare, me dëshirën për t’u bërë futbollist.”

Hapat e parë në një mjedis të strukturuar vijnë në moshën nëntëvjeçare, me angazhimin te Grasshopper Club Zürich, një fazë që ai e identifikon si moment kyç të vetëdijes për potencialin e tij: “Aty e kuptova se mund të arrij më shumë.” Kjo përvojë shënon kalimin nga pasioni fillestar në një qasje më të vetëdijshme ndaj zhvillimit sportiv.

Në moshën trembëdhjetëvjeçare, ai bëhet pjesë e FC Zürich U17, ku përfiton nga një sistem i strukturuar dhe mbështetje e drejtpërdrejtë në zhvillimin individual. “Te FC Zürich kam përfituar shumë, sidomos nga stërvitjet e veçanta që më kanë ndihmuar të zhvillohem,” thekson ai, duke evidentuar rolin e klubit në formësimin e tij si mesfushor.

Në fushë, identiteti i tij sportiv ndërtohet mbi qartësi dhe kontroll: “Stili im është inteligjent, i shpejtë dhe i qetë nën presion.” Kjo qasje lidhet me një orientim të vetëdijshëm drejt modelit të lojës së Luka Modrić, duke reflektuar një fokus të theksuar në dimensionin taktik dhe vendimmarrjen.

Përfshirja në përfaqësimin e Zvicrës përbën një komponent të rëndësishëm të identitetit të tij sportiv. “Jam lindur në Zvicër dhe ndihem krenar ta përfaqësoj këtë vend,” shprehet ai, duke e integruar këtë përvojë në procesin e tij të rritjes. Paralelisht, ai artikulon qartë edhe dimensionin e prejardhjes: “Ndihem krenar që jam shqiptar dhe besoj se kjo është koha jonë.”

Interesimi nga klube si Bayern München dhe TSG Hoffenheim përfaqëson një konfirmim të kapaciteteve të tij në një nivel më të gjerë. “Ky interesim më motivon të jap maksimumin,” thekson ai, duke e kthyer vëmendjen në një shtysë për rritje të vazhdueshme.

Përditshmëria e tij organizohet rreth futbollit, me një disiplinë të lartë dhe përkushtim konstant. “Jeta ime sillet rreth futbollit, por koha me familjen mbetet shumë e rëndësishme,” thotë Loriani, duke ruajtur një ekuilibër të domosdoshëm mes zhvillimit profesional dhe mbështetjes familjare. Në këtë rrugëtim, ai njeh edhe sfidat e balancimit me shkollën: “Është sfidë, por kam pasur mbështetje dhe mirëkuptim.”

Figura që e frymëzon mbetet Cristiano Ronaldo, jo vetëm si simbol suksesi, por si model i disiplinës: “Me punë arrihet gjithçka.” Kjo filozofi reflektohet drejtpërdrejt në mënyrën si ai e ndërton qasjen ndaj sfidave dhe objektivave.

Në planin afatshkurtër, ai synon konsolidimin e mëtejshëm te FC Zürich, ndërsa në një perspektivë më të gjatë e projekton veten në një nga ligat elitare të futbollit evropian: “Në të ardhmen e shoh veten në La Liga.” Kjo aspiratë ndërtohet mbi një motivim të vazhdueshëm “Në futboll e shoh të ardhmen time, dhe kjo më motivon çdo ditë.”

Mesazhi i tij për brezin e ri përqendrohet në parime të qarta: “Me vetëbesim, punë dhe vullnet të fortë mund të arrihen edhe gjërat që duken të pamundura.” Në këtë përmbledhje të thjeshtë qëndron thelbi i profilit të tij, një ndërtim i qëndrueshëm, i orientuar dhe i vetëdijshëm për rrugën që ka përpara.

Intervistoi Luljeta Ademi

 

 

Burg përjetë refugjatit sirian në Austri, vrau një 14-vjeçar dhe plagosi 5 të tjerë në emër të ISIS

Një refugjat kurd nga Siria u dënua me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për vrasje dhe terrorizëm për një sulm vdekjeprurës me thikë në qytetin jugor austriak të Villach vitin e kaluar, ku humbi jetën një 14-vjeçar dhe u plagosën 5 persona të tjerë.

Sulmuesi, 24-vjeçar, u arrestua menjëherë teksa i njëjti e rrëfeu aktin, si dhe u zotua për besnikëri ndaj grupit xhihadist të Shtetit Islamik.

Prokurori i tha gjykatës në qytetin e Klagenfurtit se i riu u “radikalizua në një çast” nëpërmjet TikTok, duke habitur edhe vëllanë e tij, ndërsa i pyetur nga një gjyqtar, nëpërmjet një përkthyesi, nëse do ta kryente përsëri krimin nëse do t’i jepej mundësia, autori i rrëfyer i krimit pohoi me kokë në mënyrë pozitive, raporton ORF, transmeton albinfo.at.

 

 

Vendimi i gjykatës ishte unanim. I pandehuri tha se nuk kishte ndërmend të apelonte.

Ndryshe, ky ishte sulmi i dytë xhihadist në Austri, pasi një person vrau katër persona në Vjenë në nëntor të vitit 2020, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.

Në anën tjetër, një vendim pritet sot në gjyqin e një austriaku 21-vjeçar të akuzuar për planifikimin e një sulmi terrorist në një koncert të Taylor Swift në Vjenë në vitin 2024. Ai është deklaruar fajtor dhe mund të dënoeht me deri në 20 vjet burg.

Në Linc të Austrisë u mbajt Ora Letrare dhe u përurua teksti shkollor për Diasporë “Gjuha Shqipe 4, dritë e diturisë”

Para një publiku të përbërë nga intelektualët shqiptarë, mësuese, prindër dhe nxënës të gjuhës shqipe u përurua libri më i ri i profesorit Izri Rexha, Gjuha shqipe 4 dritë e diturisë. Me këtë emër ka hyrë ky event në listën e Javës së Diversitetit të qytetit të Lincit ku prezantojnë të gjitha komunitetet e qytetit pët nderë të shumanshmërisë së kulturave që ka Linci.

Ishte nder i madh për autorin që të ketë në mesin e këtij manifestimi edhe poeë  si Gjin Morina, Igballe Sadiku dhe Fitore Bashota Krasniqin të cilët i dhanë frymë artistike manifestimit. Ata përformuan me poezi në skenë me një përshtypje mbresëlënëse për publikun. Moderimin e bënë mësueset Donjeta Bryma Gashi dhe Lisa Gashi si dhe në manifestim ndihmuan aktivistët Latif dhe Valbona Krasniqi kurse në rrjedhën e këtij eventi u dalluan nxënësit e gjuhës shqipe me recitimet e tyre kumbuese për fjalën e bukur artistike të cilët u përcollën me duartrokitje frenetike. Ky event u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Kleinmünchen , Linc. 

Autori Izri Rexha u shpreh për këtë manifestim: “Në shoqërinë moderne shumëgjuhësia luan një rol  shumë të rëndësishëm në komunikimin e përditshëm. Të njohësh  disa gjuhë është si kalorësi në mesjetë që ka shumë armë për tu mbrojtur, ka shpatën, shtizën, shigjetën, mburojën, rrobat e metalta etj. Secila nga ato do ti shpëtojë jetën, ashtu  shumëgjuhësia i hap individit më shumë dritare që ekzistenca e tij të jetë e sigurtë. Për këtë arsye ne duhet ti kushtojmë një kujdes të madh gjuhës amtare, e cila ka një ndikim në formimin e personalitetit dhe identitetit të fëmijës që nga lindja e deri në zhvillimin e tij të përkryer.

Kur fëmija zotëron gjuhën amëtare ka një intuitë se ai e zotëron botën për rreth dhe se ai e di për çfarë është lindur, për të qenë pjesë progresive e natyrës dhe e shoqërisë në të cilën me aktivitetin e tij duhet ta ndryshojë dhe ta bëjë më të kapshme së pari për vete dhe për të tjerët. Kur nuk e zotëron ose mëdyshet të mësojë gjuhën e nënës ai do të ikë nga gjithçka që ka të bëj me identitetin e tij, do donë me kënaqësi pushimet ti kalon diku tjetër e jo në vendlindje, do të rrijë indiferent  nga gjyshi, gjyshja , apo edhe nga të afërmit, ne themi disi i strukur në botën e fantazuar të tij. 

Është e domosdoshme që fëmija të kenë sa më shumë mundësi për të zhvilluar aftësitë e tyre gjuhësore, jo vetëm me ambientin përreth por edhe me aktivitetin e tij.

Dhe po për këtë arsye librat e gjuhës shqipe luajnë rolin e tyre vendimtarë që fëmija fare lehtë në formë të lojës dhe argëtimit të mund të hyj në botën e mësimit dhe të përforcon qëllimin për të mësuar gjuhën amtare”.

Autori më pas foli për librin , përshkroi aspektet didaktike të punës me këtë tekst shkollorë.

Librat e autorit si dhe të poeteve që i sollën u vlerësuan nga publiku si mjaftë të dobishëm për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Shpresoj që edhe në të ardhmen të kemi manifestime të tilla që tregojnë etnitetin, kulturën dhe traditën tonë në qytetin e Linzit.

 



La Zvicrën për Kosovën, Matoshi: Ndjenjë e papërjetuar më parë

Një nga prurjet e reja te Kosova, Valmir Matoshi, është shprehur i lumtur për grumbullimin me Dardanët para miqësoreve ndaj Çekisë dhe Andorrës.

“Dardanët” do të përballen fillimisht me Çekinë në udhëtim të dielën, ndërsa më 7 qershor do të luajnë ndaj Andorrës në ‘Fadil Vokrri’.

Matoshi ka thënë se ndjenja për të veshur fanellën e Kosovës është e veçantë dhe se po e shijon maksimalisht këtë eksperiencë.

“Një ndjenjë shumë e mirë, një ndjenjë që ende nuk e kam përjetuar më parë. Djemtë janë shumë të mirë, po ashtu edhe stafi. Flasim lirshëm me njëri-tjetrin, ashtu siç duhet të jetë”, deklaroi Matoshi për faqen zyrtare të FFK-së, transmeton albinfo.ch.

Ai tregoi gjithashtu se prej kohësh ka ndjekur ndeshjet e Kosovës dhe beson në potencialin e ekipit.

“Krejt lojërat i kam shikuar më parë. Ishin afër të shkonin në Botëror, por nuk u bë. Unë do të jap maksimumin në çdo ndeshje”, u shpreh futbollisti kosovar.

Matoshi ka luajtur për U21 të Zvicrës, derisa përfundimisht zgjodhi Kosovën A për të vazhduar karrierën ndërkombëtare.

Sulmi me thikë në stacionin e trenit në Zvicër, “sulm terrorist”

Therja me thikë e tre personave në një stacion treni zviceran nga një sulmues islamik është përshkruar si një akt terrorizmi.

Mario Fehr, drejtor i sigurisë në kantonin e Cyrihut, e quajti incidentin një “akt terrorist”. “E kam përdorur më parë këtë term kur përshkruaja sulmin ndaj një hebreu ortodoks në Cyrih-Wiedikon”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Sulmi rreth orës 8:30 të mëngjesit la një burrë 28-vjeçar me plagë thike në këmbë. Ai pritet të dalë nga spitali së shpejti. Një burrë 43-vjeçar u plagos në qafë dhe tashmë është lëshuar nga spitali. Një burrë 52-vjeçar pësoi një plagë thike në kofshë dhe mbetet në spital, shkruan swissinfo.

Disa dëshmitarë okularë i thanë gazetës Blick se burri bërtiti “Allahu Ekber” gjatë sulmit.

Policia arrestoi një të dyshuar pak më vonë. Marius Weyermann, komandant i policisë kantonale të Cyrihut, e përshkroi atë si një 31-vjeçar me shtetësi të dyfishtë zvicerane-turke nga Winterthur. Burri është i njohur për policinë dhe ishte i dyshuar në lidhje me hetimet kundër Xhamisë An’Nur në Winterthur dhjetë vjet më parë.

Në atë kohë, burri u akuzua për shkelje të një ndalimi penal mbi grupin terrorist ISIS, transmeton albinfo.ch.

Sipas Mario Fehr, i dyshuari ka lindur në Zvicër në vitin 1994 dhe është natyralizuar në vitin 2009. Në vitin 2024, ai u transferua në Turqi dhe, sipas autoriteteve, u rishfaq në Zvicër vetëm në maj 2026.

Më 25 maj, ai kontaktoi policinë e qytetit dhe bëri “deklarata të paqarta”. Si rezultat, ai u shtrua në një spital psikiatrik. Më 27 maj, një mjek vërtetoi se ai nuk përbënte më rrezik për veten ose të tjerët, dhe iu lejua të largohej nga klinika.

Kosovë: Hapet aplikimi për përfitim të 100 eurove për punëtorët e sektorit privat

Ministri në detyrë i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, ka njoftuar se është hapur aplikimi për përfitim të 100 eurove si mbështetje nga Qeveria në detyrë për punëtorët e sektorit jopublik.

Ai ka thënë se aplikimi mund të bëhet duke plotësuar formularin në vijim: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim

“Secili i punësuar duhet të aplikojë individualisht, dhe të sigurohet që të dhënat e plotësuara të jenë të sakta. Llogaria bankare duhet patjetër të jetë në emër të përfituesit. Aplikimet që përmbajnë gabime, refuzohen”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

Bëhet e ditur se afati i aplikimit do të jetë deri më 5 qershor 2026.

“Kush mund të aplikojë: – Punëtorët në sektorin privat; – Punëtorët në entitete jo-publike (OJQ); – Punëtorët në entitete publike por që nuk marrin pagë nga buxheti përmes listës së pagave (Ndërmarrjet Publike, RTK etj)”, ka shkruar Murati.

Nga kjo mbështetje mund të përfitojnë ata që kanë të ardhura mujore bruto jo më shumë se 1,000 euro teksa punëtori duhet të jetë i deklaruar në ATK nga punëdhënësi me deklaratën e muajit prill (që është bërë deri me 15 maj).

Të huajt në Zvicër marrin letra të rreme për “dëbim”

Disa shtetas të huaj në Zvicër kanë raportuar se kanë pranuar letra të rreme, të cilat pretendojnë se janë dërguar nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM), duke i informuar se duhet të largohen nga vendi deri më 31 dhjetor 2026, përcjell albinfo.ch.

Në këto dokumente thuhet se lejet e qëndrimit do të revokohen automatikisht si pasojë e iniciativës “Jo 10 milionëve”, e cila pritet të votohet më 14 qershor dhe ka në fokus kufizimin e migracionit.

Megjithatë, autoritetet zvicerane kanë reaguar duke konfirmuar se këto letra janë të falsifikuara dhe nuk kanë asnjë bazë ligjore apo ndikim në statusin e qëndrimit të personave që i kanë marrë ato.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) ka bërë të ditur se versione të ngjashme të këtyre letrave kanë qarkulluar edhe më herët dhe ka apeluar për kujdes ndaj dezinformatave që mund të shkaktojnë panik te qytetarët e prekur. /Albinfo.ch

Gjeneva autorizon një protestë “të kufizuar” kundër G7

Autoritetet në Gjenevë kanë miratuar zhvillimin e një proteste të kufizuar kundër samitit të G7, i cili do të mbahet nga 15 deri më 17 qershor në Évian të Francës, rreth 45 kilometra larg qytetit zviceran, transmeton albinfo.ch.

Sipas organizatorëve, aktivistët kundër G7 kanë planifikuar një marsh proteste që do të zhvillohet të dielën, më 14 qershor.

Autoritetet e Gjenevës kanë bërë të ditur edhe itinerarin e protestës së miratuar. Marshimi do të nisë në orën 16:00 nga Parku Mon Repos, duke vazhduar drejt Quai du Mont-Blanc, më pas përgjatë Rue du Mont-Blanc deri në Rue de la Servette dhe Rue Hoffmann.

Nga aty, protesta do të vazhdojë përgjatë Avenue Giuseppe-Motta deri në Place des Nations, ndërsa kthimi është planifikuar përmes Avenue de France drejt Parkut Mon Repos.

Autoritetet kanë theksuar se protesta do të zhvillohet në kushte të përcaktuara dhe të kontrolluara, me qëllim garantimin e sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së saj. /Albinfo.ch

Zvicra shqyrton një alternativë ndaj martesës

Zvicra po shqyrton mundësinë e krijimit të një forme alternative ndaj martesës, që do t’u mundësonte çifteve të rregullojnë marrëdhënien e tyre ligjërisht pa u martuar, përcjell albinfo.ch.

Sipas propozimit, çiftet që nuk zgjedhin martesën, por duan mbrojtje juridike të ndërsjellë, mund të hyjnë në një partneritet civil formal në të ardhmen.

Aktualisht është duke u zhvilluar një proces konsultimi lidhur me të ashtuquajturin “Pakt i Solidaritetit Civil” (PACS), i cili është i frymëzuar nga modeli francez.

Qëllimi i kësaj nisme është krijimi i një forme bashkëjetese ligjore me të drejta dhe detyrime të përcaktuara qartë për çiftet që zgjedhin të mos martohen.

Komisioni për Çështje Ligjore i Këshillit të Shteteve ka nisur konsultimet mbi këtë çështje të mërkurën, ndërsa procesi pritet të zgjasë deri më 17 shtator. /Albinfo.ch

Kosova merr nën kontroll stacionin hekurudhor në Zveçan

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka deklaruar në Zveçan se marrja nën kontroll e stacionit hekurudhor nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore, por me zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në të gjithë territorin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Me praninë e disa ministrave në detyrë dhe asistimin e Policisë së rajonit të veriut, autoritetet kosovare kanë marrë të enjten nën kontroll objektin e stacionit hekurudhor në Zveçan, pranë kompleksit “Trepça”.

Gjatë aksionit është larguar mbishkrimi në alfabetin cirilik nga objekti dhe është vendosur një tabelë e re në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe flamuri i Kosovës.

I pyetur nga gazetarët nëse ky veprim lidhej me fillimin e fushatës zgjedhore, Sveçla e ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, kjo është pjesë e detyrës sonë për të siguruar që rendi dhe ligji të jenë të pranishëm kudo, përfshirë të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky është një nga institucionet e fundit që ende funksiononte nën struktura paralele dhe ilegale të Serbisë”, ka deklaruar Sveçla, sipas transmetimit të “Kossev”.

Ai shtoi se çdo institucion që vlerësohet si “ilegal dhe paralel” do të jetë subjekt i veprimeve të institucioneve kompetente.

Sa i përket të ardhmes së stacionit hekurudhor dhe mundësisë së funksionalizimit të tij, Sveçla tha se objekti është pjesë e rrjetit hekurudhor të Kosovës dhe do të përfshihet në projektet e rindërtimit të infrastrukturës hekurudhore në vend.

Edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, bëri të ditur se pas Zveçanit, veprime të ngjashme pritet të ndërmerren edhe në Leposaviq dhe Leshak. /Albinfo.ch

Zvicra voton në shtator për neutralitetin shtetëror

Qytetarët zviceranë do të votojnë më 27 shtator në një referendum të ri federal lidhur me neutralitetin e vendit, ka njoftuar Këshilli Federal të mërkurën, përcjell albinfo.ch.

Votimi ka të bëjë me të ashtuquajturën “Iniciativa për Neutralitetin”, e cila vjen pas pakos së referendumeve të planifikuara pas 14 qershorit.

Iniciativa, e quajtur “Mbrojtja e neutralitetit zviceran”, është propozuar nga grupi politik Pro Schweiz, një organizatë e lidhur me Partinë Popullore Zvicerane (SVP), e njohur për qëndrimet e saj konservatore dhe populiste.

Ajo synon që neutraliteti i Zvicrës të sanksionohet në Kushtetutë si “i përhershëm dhe i armatosur”, duke kërkuar gjithashtu që vendi të mos marrë pjesë në aleanca ushtarake apo mbrojtëse, përfshirë NATO-n.

Debati rreth kësaj iniciative pritet të jetë një nga temat kryesore politike në prag të votimit të shtatorit. /Albinfo.ch

Sveçla: Qindra aplikime nga serbët për shtetësi të Kosovës

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se qindra shtetas të Serbisë që jetojnë apo punojnë në Kosovë kanë aplikuar për marrjen e nënshtetësisë kosovare, përcjell albinfo.ch.

Në një konferencë për media, Sveçla theksoi se të gjitha aplikimet po trajtohen dhe verifikohen individualisht nga institucionet përkatëse.

“Ka pasur me qindra aplikime të shtetasve të Serbisë të cilët jetojnë apo punojnë përkohësisht në Republikën e Kosovës. Të gjitha janë duke u verifikuar individualisht”, deklaroi ai, duke shtuar se procedurat do të vazhdojnë sipas plotësimit të kushteve ligjore.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme kishte konfirmuar më herët nisjen e procesit të regjistrimit të fakteve civile të lëshuara nga regjistrat paralelë të Serbisë, përfshirë lindjet, vdekjet dhe martesat.

Sipas kornizës ligjore në Kosovë, certifikatat e lindjes dhe martesës janë dokumente të domosdoshme për procesin e natyralizimit dhe marrjen e shtetësisë, duke e bërë këtë regjistrim një hap të rëndësishëm për banorët serbë që jetojnë në Kosovë por nuk janë ende shtetas.

Këto lehtësime janë mbështetur nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca, ndërsa janë kritikuar nga opozita në Kosovë, e cila i konsideron si njohje të dokumenteve të lëshuara nga Serbia.

Në të njëjtën kohë, Qeveria është zotuar se do të mundësojë edhe dhënien e lejeve të qëndrimit për 12 muaj për punëtorët e institucioneve shëndetësore dhe arsimore që financohen nga Serbia në Kosovë./Albinfo.ch

Granit Xhaka hyn edhe në botën e filmit

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka bërë një hap të ri jashtë futbollit, duke u bërë pjesë e botës së filmit, transmeton albinfo.ch.

Mesfushori shqiptar luan në filmin e shkurtër western “The Socceritos”, ku shfaqet përkrah ikonës së njohur të kinemasë italiane, Terence Hill.

Në këtë projekt marrin pjesë edhe futbollisti Zeki Amdouni dhe modelja e futbollistja kroate Ana Maria Markovic, ndërsa xhirimet janë realizuar në Spanjë, në lokacione të njohura për filmat klasikë western.

Filmi është promovuar para nisjes së Kupës së Botës dhe ka marrë vëmendje të madhe në Zvicër dhe në mediat sportive ndërkombëtare.

Me këtë paraqitje, Granit Xhaka dëshmon se po shkëlqen jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe në projekte artistike dhe mediatike jashtë sportit./Albinfo.ch

Sulm me thikë në Winterthur, sulmuesi bërtet “Allahu Ekber”, disa të plagosur

Të enjten në mëngjes, në stacionin e trenit në Winterthur ka ndodhur një sulm i rëndë, ku një 31-vjeçar ka goditur me thikë disa kalimtarë, transmeton albinfo.ch.

Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, nga sulmi janë plagosur tre persona – një prej tyre rëndë dhe dy të tjerë mesatarisht. Të gjithë të lënduarit janë dërguar për trajtim në spitale.

Autori i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes nga forcat e policisë dhe sigurimi i stacionit. transmeton tutje albinfo.ch.

Dëshmitarë okularë kanë deklaruar se gjatë sulmit, autori ka bërtitur disa herë “Allahu akbar”. Ngjarja ka shkaktuar panik në zonë, ndërsa shumë persona janë larguar me shpejtësi për të shmangur rrezikun, përfshirë edhe një grup fëmijësh.

Sipas dëshmive, sulmi ka ndodhur rreth orës 08:30 të mëngjesit, ndërsa zona përreth stacionit është mbyllur përkohësisht nga policia. Në disa pjesë janë vendosur edhe barriera dhe perde mbrojtëse për hetime.

Autoritetet kanë konfirmuar se situata është vënë shpejt nën kontroll dhe se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar motivin e sulmit, i cili aktualisht mbetet i panjohur dhe po hetohet në të gjitha drejtimet. /Albinfo.ch

VIDEO

Kurti: Xhandarmëria do të mbushë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se themelimi i xhandarmërisë është një domosdoshmëri për vendin, duke përmendur situatën e sigurisë dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, përcjell albinfo.ch. 

Në një konferencë për media, Kurti tha se xhandarmëria do të ketë rol të rëndësishëm në sistemin e sigurisë së Kosovës, duke plotësuar boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas tij, ky mekanizëm do të ketë mandat të qartë për mbrojtjen dhe kontrollin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në të gjithë territorin e Kosovës.

“Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë: sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë Republikën e Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, duke përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, menaxhimin e situatave të rrezikut të lartë, si dhe sigurimin e infrastrukturës kritike”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se modeli i xhandarmërisë nuk është i panjohur në Evropë, duke theksuar se struktura të tilla funksionojnë edhe në shtete të tjera evropiane si pjesë e sistemit të sigurisë kombëtare./Albinfo.ch

Një tjetër vrasje në Kosovë: 37-vjeçari humb jetën pas therjes me thikë

Kosova është tronditur nga dy raste të rënda vrasjeje të ndodhura brenda pak orësh në Mitrovicë dhe Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Mitrovicë, ku një 37-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me thikë, ndërsa vëllai i tij ka mbetur i plagosur.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, rasti ka ndodhur më 27 maj 2026 në Lagjen e Romëve, ku fillimisht kishte shpërthyer një konflikt verbal që më pas eskaloi në përdorimin e një arme të ftohtë.

Viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në pjesën e fytit, ndërsa vëllai i tij është dërguar për trajtim mjekësor.

Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen. Me urdhër të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria pritet të kërkojë caktimin e paraburgimit.

Ndërkohë, një tjetër vrasje ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë. Një person ka mbetur i vrarë në rrugën “Sali Nivica” pas të shtënave me armë zjarri.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.

Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorëve. /Albinfo.ch

Shqiptarët në Mal të Zi drejt unifikimit politik

Skena politike shqiptare në Mal të Zi po hyn në një fazë të re konsolidimi, pasi partitë shqiptare pritet të bashkohen në një subjekt të vetëm politik nën ombrellën e Forumit Shqiptar. Nëse finalizohet, ky do të jetë organizimi i parë i unifikuar politik i shqiptarëve në nivel shtetëror në Mal të Zi, përcjell albinfo.ch.

Sipas burimeve jozyrtare të cituara nga Radio Televizioni i Malit të Zi (RTCG), marrëveshja përfshin bashkimin e Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve dhe Unionit Nacional Shqiptar në një strukturë të përbashkët politike.

Ky hap konsiderohet rezultat i bashkëpunimit të deritanishëm politik mes partive shqiptare, i cili ka sjellë sukses të dukshëm në skenën politike malazeze. Ndër arritjet kryesore përmenden qeverisja me shumicë absolute në komunën e Tuzit, sigurimi i dy mandateve parlamentare në nivel shtetëror, si dhe përfaqësimi me dy poste ministrore në Qeverinë e Malit të Zi.

Burime pranë procesit të negociatave bëjnë të ditur se një shtysë shtesë për bashkimin e plotë kanë dhënë edhe sondazhet e fundit të opinionit publik, të cilat tregojnë rritje të mbështetjes për Forumin Shqiptar, veçanërisht në Ulqin, ku kjo forcë politike po konsiderohet si një nga alternativat më të fuqishme shqiptare.

Sipas të njëjtave burime, një nga objektivat strategjike të Forumit Shqiptar mbetet marrja e drejtimit të komunës së Ulqinit pas zgjedhjeve të ardhshme lokale.

RTCG raportoi gjithashtu se është pothuajse e sigurt që në krye të subjektit të bashkuar do të jetë Nik Gjeloshaj, ndërsa rol të rëndësishëm në procesin e bashkimit kanë pasur edhe Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha.

Njohës dhe pjesëmarrës të procesit e vlerësojnë këtë zhvillim si konsolidimin më të madh politik të faktorit shqiptar në Mal të Zi që nga rikthimi i pavarësisë së vendit. /Albinfo.ch

Ministrja Kusari-Lila prezantoi pesë prioritetet e Kosovës në takimin e CEFTA-s në Bruksel

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në takimin ministror të CEFTA-s të mbajtur në Bruksel, takim i cili këtë vit u kryesua nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, pasi Shqipëria mban kryesimin e CEFTA-s gjatë vitit 2026, përcjell albinfo.ch.

Në adresimin e saj para përfaqësuesve të vendeve anëtare të CEFTA-s, Kusari-Lila tha se Kosova e mirëpret mundësinë për të diskutuar hapur për arritjet dhe sfidat e procesit të CEFTA-s, duke theksuar se integrimi gradual në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian duhet të jetë më shumë sesa vetëm një zotim në dokumente.
Ministrja rikujtoi se edhe para 15 vitesh, gjatë mandatit të saj të parë si ministre e Industrisë dhe Tregtisë, kishte ngritur shqetësime për mangësitë në funksionimin e CEFTA-s, duke shtuar se disa nga ato probleme vazhdojnë të jenë ende të pranishme.
Ajo theksoi se Kosova ka dëshmuar seriozitet dhe qasje konstruktive gjatë kryesimit të CEFTA-s në vitin 2025, duke avancuar Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, nismën Green Lanes, Strategjinë e Menaxhimit të Rrezikut, njohjen e shërbimeve elektronike të besimit dhe Programin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar.
Sipas saj, për herë të parë Kosova kryesoi CEFTA-n në emrin e saj dhe jo përmes UNMIK-ut, duke e përdorur këtë mandat për ndërtim bashkëpunimi dhe jo për krijim pengesash politike.
Kusari-Lila bëri të ditur se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Protokollet Shtesë 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë, tregtinë e shërbimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke kërkuar që të gjitha palët të tregojnë të njëjtin përkushtim institucional.
Ajo tha se për Kosovën, CEFTA nuk është një koncept abstrakt, pasi vendimet që merren në këtë mekanizëm ndikojnë drejtpërdrejt te bizneset, eksportuesit dhe qytetarët e vendit. Sipas të dhënave të prezantuara nga ministrja, gjatë vitit 2025 tregtia e jashtme totale e Kosovës ka arritur në 7.9 miliardë euro, ndërsa eksportet drejt vendeve të CEFTA-s kanë arritur në 431.5 milionë euro, ose 45.8% të eksporteve totale të vendit.
Në fjalimin e saj, ministrja ngriti shqetësimin për barrierat tregtare dhe politizimin e proceseve brenda CEFTA-s, duke theksuar se marrëveshjet e tregtisë së lirë duhet të shërbejnë për heqjen e pengesave dhe jo për krijimin e tyre. Ajo paralajmëroi se, në mungesë të përgjigjeve konkrete ndaj barrierave të fundit tregtare, Kosova mund të shqyrtojë masa reciproke.
Gjatë takimit, Kusari-Lila prezantoi pesë prioritetet kryesore të Kosovës në kuadër të CEFTA-s.
Prioriteti i parë kishte të bënte me njohjen e vlerësimit të konformitetit dhe infrastrukturën e cilësisë. Ministrja theksoi se Kosova mbështet vetëm mekanizma që janë plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke kundërshtuar krijimin e sistemeve paralele që devijojnë nga standardet evropiane.
Si prioritet të dytë, ajo përmendi harmonizimin e procedurave kufitare dhe të orarit të punës në pikat kufitare, si dhe avancimin e shkëmbimit elektronik të certifikatave veterinare dhe fitosanitare, me qëllim të lehtësimit të tregtisë rajonale dhe uljes së pritjeve në kufi.
Prioriteti i tretë lidhej me tregtinë e shërbimeve, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe harmonizimin e procedurave për lejet e punës. Kusari-Lila tha se tregu i përbashkët rajonal nuk mund të jetë funksional pa lëvizje më të lirë të profesionistëve dhe shërbimeve ndërmjet vendeve të rajonit.
Në kuadër të prioritetit të katërt, ministrja kërkoi hyrjen në fuqi të Protokollit Shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke vlerësuar se mungesa e një mekanizmi funksional po ndikon negativisht në besueshmërinë e CEFTA-s.
Ndërkaq, prioriteti i pestë kishte të bënte me tregtinë digjitale dhe avancimin e njohjes së shërbimeve elektronike të besimit sipas standardeve eIDAS 2.0 të Bashkimit Evropian, si dhe krijimin e mekanizmave të alarmit të shpejtë për produktet jokonforme dhe sigurinë ushqimore.
Ministrja theksoi se Kosova ka ardhur në këtë takim me protokolle të ratifikuara, me rezultate konkrete nga kryesimi i CEFTA-s dhe me infrastrukturë funksionale kufitare, duke kërkuar seriozitet reciprok dhe zbatim të marrëveshjeve nga të gjitha palët.
Ajo tha se Tregu i Përbashkët Rajonal dhe integrimi gradual në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian ndërtohen përmes vendimeve konkrete, zbatimit të zotimeve dhe vullnetit politik të përbashkët.