Dalin detaje të reja tronditëse për vdekjen e shqiptares në Nju-Jork

Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e shqiptaro-amerikanes Donika Gocaj në New York, pasi raporti mjeko-ligjor ka zbuluar shkakun e saktë të humbjes së jetës së saj pas rënies në një pusetë të hapur në Manhattan, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit, 56-vjeçarja me origjinë nga Shkodra ka humbur jetën si pasojë e thithjes së avullit ekstremisht të nxehtë brenda pusetës, si dhe traumave të rënda të pësuara gjatë rënies. Mjekët kanë konstatuar djegie serioze në rrugët e frymëmarrjes dhe dëmtime në pjesën e gjoksit, të cilat kanë rezultuar fatale brenda pak momentesh.

Ajo që e bën ngjarjen edhe më tragjike është fakti se vdekja nuk ka ardhur kryesisht nga plagët fizike të jashtme, por nga ekspozimi ndaj avullit të nxehtë, i cili dyshohet se ka shkaktuar ndalje të menjëhershme të funksioneve jetësore.

Ngjarja ka ndodhur më 19 maj pranë Fifth Avenue në Manhattan, kur Donika Gocaj, sapo kishte zbritur nga një automjet, ka bërë një hap pas dhe ka rënë në një pusetë të hapur, duke u zhdukur menjëherë nga sipërfaqja.

Dëshmitarët kanë treguar se për disa minuta janë dëgjuar thirrjet e saj për ndihmë, ndërsa përpjekjet e qytetarëve për ta shpëtuar kanë qenë të pamundura për shkak të thellësisë së pusetës dhe avullit të fortë. Më pas në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e emergjencës, por ajo është nxjerrë pa shenja jete.

Sipas raportimeve, në vendin e ngjarjes nuk kishte tabela paralajmëruese apo barriera sigurie, çka ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi rrethanat e sigurisë publike.

Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të thellë në familje, tek miqtë dhe në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë pas një rast tragjik që ka tronditur opinionin publik. /Albinfo.ch

Mbyllet papritur hoteli luksoz “Seehof” në Davos

Një nga hotelet më të njohura dhe tradicionale në Davos të Zvicrës, hoteli luksoz “Seehof”, do të mbyllë papritur dyert më 14 qershor, duke i dhënë fund operimit gjatë sezonit veror, transmeton albinfo.ch.

Lajmi ka surprizuar jo vetëm turistët dhe punonjësit, por edhe sektorin hotelier në rajon, pasi “Seehof” konsiderohet një prej simboleve të mikpritjes elitare në Davos.

Sipas mediave zvicerane, kompania gjermane që menaxhon hotelin, Revo Hospitality Group, ka vendosur të ndërpresë aktivitetin veror me arsyetimin e optimizimit të “sinergjive” me një hotel tjetër të grupit.

Megjithatë, pas vendimit qëndrojnë edhe vështirësi serioze financiare. Në muajin janar, rreth 140 kompani bija të grupit Revo kishin paraqitur kërkesë për falimentim, duke ngritur pikëpyetje për stabilitetin ekonomik të kompanisë.

Pavarësisht mbylljes gjatë verës, menaxhmenti ka bërë të ditur se synon ta rikthejë funksionimin e hotelit në sezonin dimëror, kur Davosi mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike dhe ekonomike në Zvicër.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe hotelieri i njohur zviceran Ernst “Aschi” Wyrsch, i cili e cilësoi situatën si një lajm të trishtueshëm për Davosin dhe traditën hoteliere të qytetit.

Nga 1 qershori, aviokompanitë përfitojnë deri në 6 euro për çdo mërgimtar që sjellin në Kosovë

Nga 1 qershori do të nisë zbatimi i programit të Qeverisë për subvencionimin e linjave ajrore që transportojnë mërgimtarët drejt Kosovës gjatë sezonit veror, transmeton albinfo.ch.

Vlen të theksohet se aviokompanitë do të përfitojnë nga 3 deri në 6 euro subvencion për secilin pasagjer që sjellin në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Programi, i quajtur “Mbështetja e Konektivitetit për sezonin veror 2026”, përfshin fluturimet nga shtete si Zvicra, Gjermania, Austria, Turqia, Belgjika, Franca, Suedia, Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka — vende ku jeton një pjesë e madhe e diasporës kosovare.

Sipas kritereve të përcaktuara, kompanitë ajrore do të marrin:

  • 3 euro për çdo pasagjer nëse realizojnë mbi 85 për qind të fluturimeve të planifikuara;
  • 6 euro për pasagjerët shtesë në fluturime mbi planifikimin bazë, nëse avionët mbushen mbi 80 për qind;
  • si dhe 6 euro për pasagjer në rast të hapjes së linjave të reja me kapacitet të lartë të udhëtarëve.

Verifikimi i performancës së kompanive do të bëhet në fund të sezonit veror të aviacionit, më 24 tetor.

Qeveria në detyrë ka arsyetuar këtë masë me nevojën për ruajtjen e linjave ajrore dhe shmangien e anulimeve të mundshme për shkak të rritjes së kostos së karburantit në tregun ndërkombëtar.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se masa nuk lidhet me zgjedhjet, por me sezonin veror dhe ruajtjen e konektivitetit ajror të Kosovës me Evropën.

“Bëhet fjalë për një mbulim të një gjendjeje jo të zakonshme që po e bëjnë edhe shtete tjera dhe nuk ka të bëjë me muajin qershor, por me komplet stinën e verës”, ka deklaruar Kurti.

Megjithatë, vendimi ka nxitur reagime të shumta politike dhe kritika nga opozita, pasi është miratuar vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Kundërshtarët e qeverisë kanë ngritur dyshime se subvencionimi i biletave për diasporën mund të interpretohet si tentativë për ndikim elektoral dhe favorizim të votës së mërgatës, e cila tradicionalisht ka mbështetur në masë të madhe Vetëvendosjen./Albinfo.ch

Pianistja kosovare Lule Elezi mban recital në Pallatin mbi Ujë në Varshavë

Pianistja e njohur kosovare Lule Elezi do të mbajë një koncert recital në një prej hapësirave më mbresëlënëse kulturore në Poloni – Pallatin mbi Ujë, i njohur zyrtarisht si Pallati në Ishull, në kuadër të Parkut Mbretëror Łazienki në Varshavë, transmeton albinfo.ch.

Përmes një njoftimi publik, artistja e cilësoi këtë paraqitje si një privilegj të veçantë, duke theksuar rëndësinë historike dhe artistike të sallës ku do të performojë.

“Një privilegj i veçantë të performoj në këtë hapësirë ikonike, ku tradita e muzikës klasike dhe atmosfera krijojnë një përjetim unik klasik”, ka shkruar Elezi.

Koncerti organizohet nga Muzeu Mbretëror Łazienki në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare Frederic Chopin në Varshavë, ndërsa mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës.

Paraqitja e Lule Elezit në këtë skenë prestigjioze konsiderohet një tjetër prezantim i rëndësishëm ndërkombëtar i artit dhe kulturës kosovare në Evropë./Albinfo.ch

Pritje deri në tre orë për kosovarët në aeroportin e Baselit

Sistemi i ri evropian për kontrollin e hyrje-daljeve, i kombinuar me numrin e madh të fluturimeve gjatë sezonës së udhëtimeve, ka shkaktuar pritje të gjata për qytetarët e Kosovës në aeroportet evropiane, transmeton albinfo.ch.

Të enjten, në aeroportin e Baselit, i cili shërben si pikë hyrëse për Zvicrën, Francën dhe Gjermaninë, pritjet për kontrollin kufitar kanë arritur deri në tre orë.

Shumë udhëtarë kanë raportuar radhë të gjata dhe vonesa të konsiderueshme gjatë procedurave të hyrjes në zonën Schengen, sidomos për shtetasit nga vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Sistemi i ri i hyrje-daljeve (EES), i cili po implementohet gradualisht nga Bashkimi Evropian, synon forcimin e kontrollit kufitar përmes regjistrimit elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet e treta.

Autoritetet aeroportuale paralajmërojnë se pritje të ngjashme mund të ketë edhe gjatë javëve në vazhdim, për shkak të fluksit të shtuar të udhëtimeve dhe procedurave të reja të kontrollit. /Albinfo.ch.

Babai i autorit të sulmit në Winterthur: Djali im është i sëmurë psikikisht, jo terrorist

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me sulmin me thikë që ndodhi të enjten në stacionin e trenit në Winterthur të Zvicrës, ku 31-vjeçari Nesip Dedeler plagosi tre persona gjatë orëve të mëngjesit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë sulmit, autori thuhet se ka bërtitur “Allahu akbar”, ndërsa autoritetet zvicerane e kanë cilësuar rastin si një akt me motive terroriste. Megjithatë, babai i tij ka kundërshtuar ashpër këtë përshkrim, duke deklaruar se djali i tij vuan nga probleme të rënda psikike dhe ka nevojë për trajtim.

“Djali im nuk është terrorist, por i sëmurë psikikisht dhe ka nevojë për ndihmë”, ka deklaruar babai i tij, Ayhan Dedeler, për mediat zvicerane.

Sipas policisë, nga sulmi mbetën të plagosur tre burra të moshave 28, 43 dhe 52 vjeç. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerët kanë pësuar lëndime mesatare. Sulmuesi u arrestua menjëherë në vendin e ngjarjes.

Babai i autorit ka pranuar se djali i tij kishte frekuentuar më herët xhaminë e njohur An’Nur në Winterthur, e cila vite më parë ishte lidhur me raste radikalizimi të disa të rinjve. Megjithatë, ai insistoi se problemet kryesore të djalit të tij lidhen me gjendjen mendore dhe izolimin social.

Ai përshkroi një jetë të vështirë për 31-vjeçarin, duke thënë se prej vitesh nuk kishte punë, trajnim profesional apo jetë sociale dhe se jetonte i izoluar në banesën e nënës së tij.

“Prej vitesh ai nuk bënte asgjë, pinte tri apo katër paketa cigare në ditë dhe kishte sjellje të çrregullta. Ne si familje jemi përpjekur vazhdimisht që ai të merrte ndihmë psikologjike”, ka thënë babai i tij.

Sipas familjes, gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm në dhjetë ditët e fundit. Ai kishte qëndruar edhe në një klinikë psikiatrike, por ishte larguar vetëm dy ditë para sulmit.

Autoritetet zvicerane vazhdojnë hetimet për motivin e sulmit, ndërsa rasti ka shkaktuar debat të madh publik në Zvicër për çështjet e sigurisë, radikalizimit dhe shëndetit mendor. /Albinfo.ch

Filharmonia e Kosovës mbërrin në Berlin për prezantimin e operës “Syrigana” të Petrit Halilajt

Instrumentalistët dhe ekipi i Filharmonisë së Kosovës kanë mbërritur në Berlin për përgatitjet finale të prezantimit të operës “Syrigana”, projekti artistik i artistit të njohur kosovar Petrit Halilaj, që do të prezantohet në muzeun prestigjioz Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenwart, përcjell albinfo.ch.

Para nisjes së provave dhe performancave, artistët vizituan ambientet e muzeut dhe ekspozitën “An Opera Out of Time”, ku opera “Syrigana” prezantohet si një formë e re performative që ndërthur muzikën, artin bashkëkohor dhe teatrin vizual.

Nën dirigjimin e Marco Crispo, Filharmonia e Kosovës do të interpretojë partiturën e kompozuar nga Lugh O’Neill, së bashku me sopranot Nina Guo dhe Urta Haziraj, si dhe ansamblin “Don’t Listen to Your Neighbors”.

Pas premierës së saj në Kosovë gjatë verës së vitit 2025, “Syrigana” po prezantohet tashmë edhe para publikut ndërkombëtar në Berlin, si pjesë e programit jubilar që shënon 30-vjetorin e Hamburger Bahnhof, një prej institucioneve më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Evropë.

Performancat do të mbahen më 29 dhe 30 maj 2026 në Berlin, duke shënuar një tjetër prezantim të rëndësishëm të kulturës dhe artit kosovar në skenën ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Shqipëria turistike sipas “El País”: mes magjisë natyrore dhe turizmit në rritje

Gazeta spanjolle “El País” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, duke e përshkruar si një destinacion që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, por që ende ruan vende autentike me ritëm të qetë dhe kulturë të paprekur.

Sipas shkrimit, Shqipëria nuk është më një sekret turistik. Veçanërisht Riviera Shqiptare është kthyer në një nga zonat më të frekuentuara gjatë verës, duke ndjekur modelin e destinacioneve të tjera mesdhetare që janë zhvilluar shpejt nga turizmi masiv.

Megjithatë, bukuria e brigjeve të Adriatikut dhe Jonit mbetet e veçantë. Rruga nga Tirana drejt jugut kalon nga qyteti i zhurmshëm në peizazhe me ullishte dhe më pas në pamjen e detit të pastër e të kaltër.

Në shumë zona bregdetare ende ruhet një jetë tradicionale, ku peshku shërbehet i freskët direkt nga varkat dhe fshatrat mbajnë një ritëm të qetë, ndonëse kjo bashkëjeton me zona shumë të mbushura turistike si Durrësi gjatë verës.

Artikulli thekson se Shqipëria nuk duhet parë vetëm si destinacion plazhi, por si një vend kontrastesh: det, male, laguna, qytete historike dhe gjurmë të periudhave osmane e komuniste.

Durrësi paraqitet si një port me histori të gjatë, ku ndërthuren rrënojat antike, arkitektura e vjetër dhe zhvillimi modern, ndërsa ndikimi italian është ende i fortë në jetën e përditshme.

Më në veri, Kepi i Rodonit përshkruhet si një zonë e qetë dhe ende e paprekur nga turizmi masiv, me natyrë të egër dhe monumente historike.

Në jug dhe përgjatë Rivierës, destinacione si Vlora, Himara, Dhërmiu, Saranda dhe Ksamili paraqiten si zona shumë të bukura, por gjithnjë e më të ngarkuara gjatë sezonit turistik.

Në brendësi të vendit, Berati dhe Gjirokastra tregojnë trashëgiminë historike osmane, ndërsa Tirana pasqyron transformimin modern dhe energjik të Shqipërisë së sotme.

Në përfundim, “El País” e përshkruan Shqipërinë si një vend ku bashkëjetojnë autenticiteti, historia dhe zhvillimi i shpejtë turistik, duke e bërë një destinacion gjithnjë e më të veçantë në Mesdhe.

Zvicra nuk është më vendi më i shtrenjtë në botë, ja kush ia zuri vendin e parë

Islanda është bërë zyrtarisht vendi më i shtrenjtë në botë, duke tejkaluar Zvicrën, me çmime mesatarisht rreth 3 për qind më të larta, sipas një raporti të publikuar nga sindikata islandeze Viska.

Sipas të dhënave të Eurostat-it dhe Bankës Qendrore të Islandës, niveli i çmimeve në Islandë ka kaluar atë të Zvicrës, e cila prej kohësh konsiderohej vendi më i shtrenjtë në botë. Herën e fundit kur Islanda kryesoi këtë listë ishte në vitin 2018. Në vitin 2024, Zvicra ishte ende rreth 7 për qind më e shtrenjtë se Islanda.

Inflacioni dhe turizmi si faktorë kryesorë

Ekspertët ekonomikë në Islandë e lidhin rritjen e çmimeve kryesisht me rritjen e inflacionit, i nxitur nga bumi i turizmit pas pandemisë së COVID-19. Sipas ekonomistit Vilhjalmur Hilmarsson nga Viska, turizmi është bërë një motor kryesor i ekonomisë islandeze, por ka sjellë edhe presion të madh mbi çmimet.

“Turizmi kontribuon ndjeshëm në inflacionin e sektorit të shërbimeve. Kërkesa e lartë ka rritur pagat,” u shpreh ai. “Gjithashtu, tregu i banesave është ndikuar drejtpërdrejt, pasi turistët konkurrojnë me banorët lokalë për strehim, për shembull përmes platformave si Airbnb.”

Indekse të ndryshme, rezultate të ndryshme

Megjithatë, renditja e vendeve më të shtrenjta ndryshon në varësi të metodologjisë së përdorur. Sipas Worldpopulationreview.com, një person në Zvicër shpenzon mesatarisht rreth 3,189 dollarë në muaj për një standard jetese të caktuar, ndërsa në Islandë kjo shifër arrin rreth 3,195 dollarë.

Nga ana tjetër, Indeksi i Kostos së Jetesës ende e rendit Zvicrën më të shtrenjtë (98.4 pikë) se Islanda (83.4 pikë), duke reflektuar dallime në mënyrën e llogaritjes së çmimeve dhe standardit të jetesës.

Rritja e çmimeve në Islandë tregon ndikimin e fortë të turizmit dhe inflacionit në ekonomitë e vogla të hapura, duke ndryshuar renditjet tradicionale të vendeve më të shtrenjta në botë.

Ushqimet në Austri deri në 93% më të shtrenjta se në Gjermani

Një studim i ri nga Dhoma e Punës e Austrisë (AK) zbuloi se ushqimet në Austri janë dukshëm më të shtrenjta se në Gjermani, me disa produkte identike që kushtojnë deri në 93 përqind më shumë. Sipas studimit, artikujt ushqimorë identikë kushtojnë mesatarisht 26 përqind më shumë në Austri sesa në Gjermani. AK kritikoi atë që e quajti “mbingarkesë austriake” për mallrat e konsumit.

Ndër produktet me ndryshimet më të mëdha në çmime ishin një markë specifike akulloreje me 70 përqind më të lartë, orizi me 43 përqind, thjerrëzat me 51 përqind, kapsulat e kafesë me 84 përqind dhe patatinat me 93 përqind më të shtrenjta në Austri. Nga 69 produktet e markave të shqyrtuara, 81 përqind ishin më të shtrenjta në Austri, 10 përqind ishin më të lira dhe pjesa tjetër kishte çmime të ngjashme.

Anketa u krye në fillim të majit duke përdorur dyqanet online austriake Billa dhe Interspar dhe dyqanet online gjermane Rewe dhe Globus. Produktet e krahasuara përfshinin akulloren Calippo Cola nga Eskimo, orizin Basmati të Ben, thjerrëzat Bonduelle, kapsulat e kafesë Lavazza dhe Lorenz Crunchips Paprika. Disa produkte u gjetën të kushtonin pothuajse dy herë më shumë në Austri, raporton theinternational, transmeton albinfo.at.

Çmimet u krahasuan duke përfshirë taksën e vlerës së shtuar (TVSH), e cila varion nga 10 deri në 20 përqind në Austri dhe 7 deri në 19 përqind në Gjermani. Ofertat promocionale u përfshinë, por zbritjet e kartave të besnikërisë dhe zbritjet e blerjeve me shumicë u përjashtuan.

Edhe duke përjashtuar TVSH-në, ushqimet me marka identike ishin ende mesatarisht rreth 22 përqind më të shtrenjta në Austri, sipas AK.

Organizata tha se krahasimet e saj të çmimeve tregojnë rregullisht një “mbishpagim të Austrisë” dhe bëri thirrje për veprime si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë të Bashkimit Evropian. Gabriele Zgubic, kreu i politikave të konsumatorit në AK, tha se organizata mirëpriti angazhimet si në programin qeveritar të Austrisë ashtu edhe në strategjinë e tregut të vetëm të BE-së për të eliminuar pabarazinë e çmimeve.

Zëvendëskryetarja parlamentare e SPÖ-së, Julia Herr, bëri thirrje gjithashtu për veprime më të forta në nivel të BE-së, duke thënë se Austria duhet të përdorë çdo mundësi për të shfuqizuar atë që ajo e përshkroi si një sistem të padrejtë çmimesh dhe për t’i bërë kostot e jetesës më të përballueshme.

Sipas Herr, korporatat ndërkombëtare shpesh shesin produkte me çmime më të larta në Austri për shkak të “kufizimeve territoriale të furnizimit”. Ajo tha se shitësit me pakicë austriakë detyrohen në mënyrë efektive të blejnë mallra përmes degëve austriake të kompanive ndërkombëtare, ku produktet ofrohen me çmime më të larta se në vendet e tjera të BE-së. Herr argumentoi se kjo praktikë bie ndesh me parimet e tregut të vetëm evropian.

Komisioni Evropian pritet të informojë shtetet anëtare mbi këtë çështje në një takim të Këshillit të Konkurrueshmërisë më 28 maj. Herr tha se Komisioni duhet të japë rezultate konkrete deri në fund të vitit.

Franca bëhet vendi i parë në Evropë që rimburson barnat për humbje peshe

Franca do të fillojë të rimbursojë barnat për humbje peshe, si Wegovy dhe Mounjaro, nga data 15 qershor, ka njoftuar ministrja e Shëndetësisë Stéphanie Rist.

Me këtë vendim, Franca bëhet vendi i parë në Evropë që mbulon kostot e këtyre barnave përmes sistemit publik të sigurimeve shëndetësore.

“Jam shumë krenare, sepse jemi vendi i parë në Bashkimin Evropian që ofrojmë rimbursim të plotë dhe të përhershëm përmes mbulimit standard,” tha Rist në një intervistë televizive.

Sipas saj, rimbursimi zyrtar do të jetë 65%, por në praktikë pothuajse të gjithë pacientët do të mbulohen plotësisht, pasi shumica prej tyre kanë sëmundje shoqëruese si hipertensioni apo diabeti. Kjo do të thotë se për pjesën dërrmuese të pacientëve, trajtimi do të jetë i rimbursuar 100%.

Barnat Wegovy, i prodhuar nga kompania daneze Novo Nordisk, dhe Mounjaro i kompanisë Eli Lilly, i përkasin një gjenerate të re ilaçesh për humbje peshe.

Të njohura si agonistë të receptorëve GLP-1 (glucagon-like peptide-1), këto ilaçe ndihmojnë në uljen e peshës duke imituar një hormon që redukton oreksin, transmeton albinfo.ch.

Sipas vlerësimeve, deri në fund të janarit mbi 70,000 pacientë në Francë po trajtoheshin me Mounjaro.

Megjithatë, çmimet e larta kanë qenë një pengesë e madhe për aksesin në këto trajtime në mbarë botën. Në Francë, pacientët aktualisht paguajnë rreth 300 euro në muaj për injeksionet.

Këto terapi janë të disponueshme me recetë në Francë që nga viti 2024, por deri tani nuk ishin të përfshira në skemën e rimbursimit të sigurimeve shëndetësore.

Në qershor të vitit 2025, Franca lejoi që këto barna të përshkruhen nga të gjithë mjekët, jo vetëm nga specialistët si endokrinologët.

Sipas Anketës Kombëtare Epidemiologjike për Mbipeshën dhe Obezitetin 2024, rreth 18% e popullsisë franceze (afërsisht 10 milionë njerëz) janë obezë.

Në nivel të Bashkimit Evropian, vlerësohet se 51% e popullsisë mbi 16 vjeç është mbipeshë dhe 17% është obezë, sipas të dhënave të Parlamentit Evropian.

Maji rekord në Evropë, temperaturat thyejnë rekordin

Evropa po përballet me temperatura rekord për muajin maj, ndërsa vala e hershme e të nxehtit ka përfshirë shumë vende të kontinentit.

Sipas raportimeve meteorologjike, temperaturat në disa shtete të Evropës Perëndimore kanë arritur deri në 12-16 gradë Celsius mbi normalen sezonale, duke shënuar një nga periudhat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë për muajin maj.

Britania e Madhe, Franca, Spanja dhe Gjermania kanë regjistruar temperatura rekord, ndërsa ekspertët flasin për një fenomen të quajtur “heat dome” — një masë ajri të nxehtë që bllokohet mbi rajon dhe mban temperaturat ekstremisht të larta për disa ditë, transmeton albinfo.ch.

Meteorologët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike. Në Francë janë raportuar edhe viktima të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa disa vende kanë aktivizuar alarmet shëndetësore për qytetarët.

Ekspertët e klimës thonë se temperaturat globale pritet të mbeten pranë niveleve rekord edhe në vitet e ardhshme, me mundësi të lartë që të thyhen rekorde të reja deri në vitin 2030.

Ushtria zvicerane nuk duhet të mbetet pa ushtarë, debati për shërbimin civil ndez përplasje politike

Në Zvicër po zhvillohet debat i fortë politik lidhur me një reformë që synon ta bëjë më të vështirë kalimin nga shërbimi ushtarak në shërbimin civil. Çështja pritet të jetë në qendër të votimeve të 14 marsit dhe ka hapur përplasje të theksuara mes të majtës dhe të djathtës në parlament.

Sipas propozimit, synohet që më pak të rinj të largohen nga ushtria dhe të kalojnë në shërbimin civil, me qëllim ruajtjen e numrit të ushtarëve në ushtrinë zvicerane. Por politikanët janë thellësisht të ndarë në vlerësimin e pasojave.

Frika nga rritja e largimeve mjekësore

Deputetja socialdemokrate Franziska Roth paralajmëron se ashpërsimi i rregullave mund të sjellë efekt të kundërt. Sipas saj, nëse bëhet më e vështirë hyrja në shërbimin civil, më shumë të rinj mund të kërkojnë përjashtim mjekësor dhe të largohen plotësisht nga shërbimi.

“Rreziku që ata të zgjedhin rrugën ‘blu’ dhe të dalin fare nga sistemi është më i madh sesa të mbeten në ushtri nëse u vendosen pengesa,” u shpreh Roth.

Qëndrim i kundërt: më shumë ushtarë do të qëndrojnë

Nga ana tjetër, këshilltari i shteteve i FDP-së nga Uri, Josef Dittli, nuk pret rritje të madhe të largimeve. Sipas tij, raste të tilla do të jenë të rralla dhe shumica e të rinjve do të mbeten në ushtri.

Ai mbështet veçanërisht një masë të re: ata që kalojnë në shërbim civil pas kursit të parë rifreskues do të detyrohen të kryejnë një periudhë më të gjatë shërbimi civil – rreth 150 ditë.

“Vetëm ata që kanë një konflikt të vërtetë ndërgjegjeje duhet të kryejnë edhe 150 ditë shtesë shërbimi,” tha Dittli, duke shtuar se kjo do t’i bëjë shumë të rinj të mendojnë më seriozisht para se të largohen nga ushtria.

Kritikë: masa që dëmton ushtrinë

Nga kampi i majtë vijnë kritika të ashpra. Sipas Roth, ashpërsimi i kushteve nuk do ta forcojë ushtrinë, por përkundrazi do ta dëmtojë atë, pasi të rinjtë mund të zgjedhin shërbimin civil që në fillim ose të shmangin fare shërbimin ushtarak.

“Këto rregulla më të ashpra janë një goditje për vetë ushtrinë,” deklaroi ajo.

Aktualisht, rreth një në tre persona që kalon në shërbim civil e bën këtë pas përfundimit të shkollës së rekrutëve, pra gjatë shërbimit ushtarak.

Qëllimi i reformës: më pak kalime në shërbim civil

Qeveria federale synon të ulë numrin e kalimeve në shërbimin civil nga rreth 7,000 në vit në afërsisht 4,000. Megjithatë, autoritetet pranojnë se është e vështirë të parashikohet sjellja e të rinjve dhe nuk japin vlerësime të sakta për efektet në numrin e ushtarëve.

A ka mungesë ushtarësh?

Aktualisht, ushtria zvicerane nuk përballet me mungesë personeli dhe madje ka më shumë ushtarë se sa objektivi prej 100,000 trupash. Megjithatë, nga viti 2028 pritet një rënie e përkohshme e numrave për shkak të lirimit të njëkohshëm të dy gjeneratave nga shërbimi ushtarak.

Në afat më të gjatë, parashikimet tregojnë një rënie graduale të numrit të ushtarëve për shkak të zhvillimeve demografike, gjë që sipas disa politikanëve e bën të domosdoshëm forcimin e sistemit të rekrutimit.

Kompani zvicerane akuzohen nga SHBA për pastrim të parave nga nafta iraniane

SHBA-të kanë akuzuar disa kompani zvicerane se janë të përfshira në një rrjet që ndihmon Iranin të menaxhojë një flotë të fshehtë anijesh transportuese të naftës dhe të kryejë transaksione financiare që dyshohet se mbështesin Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe Forcën Quds (QF). Sipas autoriteteve amerikane, këto veprime ndihmojnë Teheranin të anashkalojë sanksionet ndërkombëtare dhe të financojë strukturat e tij ushtarake dhe politike.

Rrjeti i transportit të naftës dhe kompanitë e përfshira

Sipas të dhënave të publikuara, në vitin 2022 kompania Fractal Shipping SA mori nën menaxhim një flotë prej rreth 30 tankerësh të vjetër nafte. Fillimisht, këto anije transportonin naftë ruse. Pas shtrëngimit të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, drejtori ekzekutiv Mathieu Philippe krijoi një degë të kompanisë në Dubai.

Që nga korriku i vitit 2025, Mathieu Philippe dhe kompanitë e tij në Dubai dhe Gjenevë janë futur në listën e sanksioneve amerikane. Sipas Uashingtonit, këto kompani janë pjesë e një rrjeti të transportit të naftës iraniane.

Figura kryesore e rrjetit

Sipas inteligjencës amerikane, në krye të këtij rrjeti qëndron biznesmeni iranian i naftës Hossein Shamkhani, djali i Ali Shamkhani, këshilltar i liderit suprem iranian Ali Khamenei.

SHBA ka vendosur sanksione të reja ndaj rrjetit të kompanive të lidhura me Shamkhani, duke e akuzuar për përdorim të strukturave të ndërlikuara financiare për të fshehur origjinën e fondeve.
Lidhje me Zvicrën: fondet dhe investimet
Një nga kompanitë e lidhura me këtë rrjet është Ocean Leonid Investments AG, me bazë në Zug. Ajo u themelua nga një partner biznesi i Shamkhanit, iraniani Mahdiyar Zare Mojtahed, i regjistruar si shtetas i Dominikës.

Sipas dokumenteve, kompania funksiononte si fond investimesh (hedge fund) dhe merrej me tregti të rrezikshme në sektorin e mallrave. Aktualisht ajo është në proces likuidimi. Në korrik, autoritetet amerikane e sanksionuan kompaninë duke e akuzuar për investim të fondeve që lidhen me tregtinë e naftës iraniane.

Pas këtyre zhvillimeve, të gjithë anëtarët e bordit drejtues kanë dhënë dorëheqjen. Kompania kishte gjithashtu zyra në Londër dhe Dubai, të cilat janë mbyllur në fund të vitit 2024.

Akuza për pastrim parash dhe financim terrorizmi

Një tjetër rast i përmendur nga autoritetet amerikane lidhet me grupin Wellbred, me seli në Singapor, i cili dyshohet se është pjesë e rrjetit të Shamkhanit. Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, janë ngritur dy padi civile për sekuestrimin e më shumë se 15.3 milionë dollarëve, të cilët dyshohet se janë përdorur për financimin e rrjetit të shpërndarjes së naftës iraniane.
Grupi ka një degë në Gjenevë, Wellbred Trading SA. Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, rreth 7.6 milionë dollarë kanë kaluar nga një llogari në Zvicër drejt Singaporit përmes SHBA-së në janar, në kundërshtim me sanksionet amerikane ndaj Iranit. Drejtori i kompanisë nuk ka komentuar këto akuza.

Hetime edhe në sektorin bankar zviceran

Një tjetër hetim lidhet me bankën e biznesit MBaer, me bazë në Cyrih, e cila është mbyllur që nga shkurti. Banka u themelua në vitin 2018 nga Mike Baer, pasardhës i familjes Julius Baer.

Sipas Autoritetit Zviceran për Mbikëqyrjen e Tregjeve Financiare (FINMA), MBaer ka pasur “shkelje serioze dhe sistematike të detyrimeve për kujdes në luftën kundër pastrimit të parave”, si dhe mangësi në organizim dhe menaxhim rreziku. Hetimet janë ende në vazhdim nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës.
Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, banka dyshohet se ka pastruar mbi 60 milionë dollarë në emër të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe Forcës Quds, duke financuar kështu aktivitete të cilësuara si terroriste.

Njësia amerikane FinCEN raporton gjithashtu se transaksionet e bankës mund të jenë të lidhura me korrupsion në Venezuelë dhe aktivitete të paligjshme ruse.

Reagimi i Mike Baer

Themeluesi i MBaer, Mike Baer, i ka hedhur poshtë akuzat. Sipas një deklarate të agjencisë së tij të komunikimit, pretendimet e autoriteteve amerikane janë të pabazuara dhe nuk ka pasur asnjë tregues në momentin e transaksioneve që ato të lidhen me Iranin, organizata të sanksionuara apo aktivitete terroriste.

Dyshime për vdekjen e një foshnjeje në Zvicër nga qumështi i kontaminuar

Një rast i dyshimtë i vdekjes së një foshnjeje është raportuar në Zvicër në kuadër të skandalit të qumështit të kontaminuar me toksinën cereulide.

Sipas mediave zvicerane, foshnja nga kantoni St. Gallen kishte konsumuar qumësht pluhur për bebe që rezultoi pozitiv për praninë e toksinës cereulide. Autoritetet zvicerane u njoftuan për rastin më 11 shkurt.

Familja kishte vërejtur simptoma të ngjashme me ato që shkaktohen nga ekspozimi ndaj cereulides, përfshirë të vjella të forta. Foshnja më pas ndërroi jetë nga septicemia, një gjendje e rëndë që ndodh kur sistemi imunitar reagon në mënyrë ekstreme ndaj një infeksioni, raporton rts transmeton albinfo.ch.

Rasti lidhet me skandalin ndërkombëtar të qumështit të kontaminuar, i cili në fillim të vitit shkaktoi tërheqje masive të produkteve në rreth 60 shtete, duke përfshirë marka të njohura si Nestlé dhe Danone.

Produkti në fjalë ishte qumështi Aptamil, i prodhuar nga Danone. Ky produkt nuk tregtohej në Zvicër, por familja e kishte blerë në Austri. Kutia e prekur nuk ishte pjesë e tërheqjeve zyrtare në atë kohë dhe më vonë nuk u përfshi në listën e produkteve të rikthyera.

Hetimet laboratorike zbuluan se qumështi përmbante vaj të prodhuar nga nënkontraktori kinez Cabio Biotech, kompania që konsiderohet burimi i këtij skandali. Megjithatë, autoritetet deklaruan se niveli i toksinës së gjetur ishte nën kufirin që Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) e konsideron të rrezikshëm për shëndetin.

Sipas Zyrës Federale Zvicerane për Sigurinë Ushqimore dhe Çështjet Veterinare (FSVO), sasitë e zbuluara nuk konsiderohen të mjaftueshme për të shkaktuar pasoja negative për foshnjat.

Ekspertët theksojnë se aktualisht nuk ekziston ende një konsensus i plotë shkencor mbi efektet afatshkurtra dhe afatgjata të cereulides, sidomos në rastet e konsumit të përsëritur.

Pavarësisht kësaj, autoritetet zvicerane e trajtuan rastin me serioz maksimal. Kantoni i Cyrihut kërkoi urgjentisht nga Danone raportet e analizave dhe paralajmëroi se, në mungesë të dokumentacionit, mund të konfiskoheshin të gjitha produktet që përmbanin vajin ARA.

Hetimet për rastin vazhdojnë.

Kosovë: Subvencionimi i linjave ajrore nga mërgata, aviokompanitë përfitojnë deri në 6 euro për pasagjer

Nga 1 qershori do të nisë zbatimi i programit të Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e aviokompanive që sjellin mërgimtarë në vend gjatë sezonit veror. Sipas një dokumenti të siguruar nga Koha prej Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kompanitë ajrore do të përfitojnë nga 3 deri në 6 euro për secilin pasagjer.

Programi përfshin linjat ajrore që operojnë nga Zvicra, Gjermania, Austria, Turqia, Belgjika, Franca, Suedia, Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka. Për t’u bërë pjesë e skemës, kompanitë duhet të dorëzojnë orarin e planifikuar të fluturimeve.

Subvencionet do të ndahen pas përfundimit të sezonit veror të aviacionit, më 24 tetor, dhe bazohen në tri kritere kryesore. Kompanitë që realizojnë mbi 85 për qind të fluturimeve të planifikuara do të përfitojnë 3 euro për çdo pasagjer të transportuar.

Ndërsa kompanitë që shtojnë fluturime përtej planit bazë dhe arrijnë mbushje mbi 80 për qind të vendeve në avion, do të marrin 6 euro për secilin pasagjer shtesë. E njëjta mbështetje financiare do të vlejë edhe për hapjen e destinacioneve të reja nga Aeroporti i Prishtinës.

Sipas autoriteteve, iniciativa synon forcimin e lidhjeve ajrore të Kosovës me vendet evropiane dhe ruajtjen e kapaciteteve të aviacionit gjatë verës.

Vendimi është miratuar pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme të qershorit, duke nxitur reagime nga opozita, e cila ka akuzuar Qeverinë për ndikim në votën e diasporës. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se masa është e nevojshme për të shmangur anulimin e fluturimeve si pasojë e rritjes së kostove të karburantit.

Xhaka e Shaqiri në mesin e milionerëve të rinj në Zvicër

Janë të rinj, të suksesshëm dhe me pasuri që arrijnë miliona, madje edhe miliarda franga zvicerane.

Revista financiare zvicerane “Bilanz” ka publikuar listën e 100 personave më të pasur nën moshën 40-vjeçare në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Në krye të renditjes për herë të parë ndodhet David Wertheimer, 39 vjeç, trashëgimtar i familjes së njohur të Chanel, me një pasuri të vlerësuar mes 5 dhe 6 miliardë frangash. Ndërsa sipërmarrësi më i pasur i ri është Hany Rashwan, themelues në sektorin e kriptovalutave dhe fintech, me pasuri deri në 600 milionë franga.

Në listë gjenden edhe emra të njohur të sportit, si basketbollisti Clint Capela dhe ish-futbollisti Ivan Rakitić, të cilët kanë ndërtuar pasuri prej dhjetëra milionë frangash.

Të tjerë sportistë të njohur në listë janë edhe futbollistët Manuel Akanji, Yann Sommer, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, si dhe hokeisti Kevin Fiala (të gjithë me pasuri të vlerësuar nga 20 deri në 50 milionë franga), ndërsa skiatori Marco Odermatt ka një pasuri të vlerësuar mes 10 dhe 20 milionë frangash.

Pjesë e listës është edhe Edoardo Ermotti, djali i CEO-s së UBS, Sergio Ermotti. 30-vjeçari ka themeluar kompaninë e investimeve “14Peaks Capital”, e fokusuar kryesisht në fintech, dhe pasuria e tij vlerësohet deri në 10 milionë franga.

Sipas raportit, shumë nga të rinjtë super të pasur në Zvicër vijnë nga trashëgimi familjare, ndërsa një pjesë tjetër kanë krijuar pasurinë në teknologji, financë dhe sport.

Lumenjtë dhe liqenet zvicerane morën 43 jetë vitin e kaluar

Dyzet e tre mbytje ndodhën në Zvicër vitin e kaluar, pothuajse të gjitha në ujë të hapur. Të rinjtë dhe të moshuarit u prekën veçanërisht, tha Shoqata Zvicerane e Shpëtimit të Jetës (SSS).

Kjo është hera e parë që nga viti 2021 që numri i mbytjeve ka rënë nën 50 vdekje, tha SSS në një njoftim për shtyp. Numri i mbytjeve fatale ishte 59 në vitin 2024 dhe kishte arritur në 66 në vitin 2022, një vit rekord.

Ashtu si në vitet e mëparshme, 80% e viktimave ishin burra. Ekziston një numër relativisht i lartë viktimash në grupmoshën 17-32 vjeç, me tetë burra dhe dy gra, që përbëjnë pothuajse një të katërtën (23%) të të gjitha vdekjeve.

Një tjetër trend i vërejtur vitet e fundit është konfirmuar: 17 persona mbi 65 vjeç (14 burra dhe tre gra) humbën jetën në vitin 2025, pra 40% e totalit. Sipas SHSSH-së, ky fenomen – i cili vërehet edhe jashtë vendit – mund të shpjegohet me faktin se të moshuarit janë më aktivë në ujë, si dhe nga problemet shëndetësore dhe një vlerësim i dobët i aftësive të tyre, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, mbytjet fatale që përfshijnë fëmijë të vegjël janë të rralla. Vitin e kaluar, një djalë dyvjeçar vdiq në një pishinë mbi tokë në një kopsht, dhe një djalë 14-vjeçar u gjet i vdekur në një përrua.

Parandalimi është ende thelbësor

Shumica e mbytjeve fatale ndodhën në ujë të hapur: 23 në liqene dhe 15 në lumenj. Këto shifra përfshijnë dy aksidente zhytjeje, një në liqenin Thun dhe tjetri gjatë një operacioni policor në Limmat.

Pavarësisht rënies së numrit të vdekjeve, SHSSH beson se “ende nuk është e mundur të ngrihet alarmi”. Korriku 2025 ishte një muaj shumë i lagësht dhe i ndryshueshëm, dhe në shumë rajone reshjet ishin shumë mbi mesataren.

Në këtë sfond, “përpjekjet parandaluese nuk duhet të dobësohen, në përgjithësi, por veçanërisht në fushën e fëmijëve”, vëren SHSSH. Aty theksohet se njerëzit që shoqërojnë fëmijët në pishina shpesh shpërqendrohen nga telefonat e tyre celularë ose aktivitete të tjera.

Maqedoni e Veriut: Së shpejti provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka njoftuar se gjatë kësaj jave pritet të miratohet drafti përfundimtar i vendimit që do të lejojë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, si dhe një vlerësim nëse ka nevojë për të dërguar propozimin për opinion në Komisionin e Venecias.

“Gjatë kësaj jave, besoj të enjten (28.5.), duhet të miratohet një draft përfundimtar, një vendim përfundimtar, dhe do të vendoset nëse modeli i propozuar duhet të shkojë në Komisionin e Venecias. Është krejtësisht e parëndësishme nëse do të kalojë edhe një muaj në Komisionin e Venecias apo do të miratohet dhe zbatohet”, tha ai për tv21, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, ky nuk është një ligj i ri që do të adresojë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por më tepër priten ndryshime në ligjin ekzistues teksa njoftoi se po kërkohet një zgjidhje edhe për dhënien e provimeve të tjera profesionale, domethënë për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

“Kjo çështje hapi edhe diçka tjetër, sa certifikata do të lëshohen në dy gjuhë, si do të jepet provimi në gjuhën shqipe, si janë të organizuara provimet, ku jepen – në dhomat e tregtisë, në dhomën e mjekësisë, në shoqatën e avokatëve, për përmbaruesit, kontabilistët e kështu me radhë. Kemi bërë një hartëzim, bëhet fjalë për mbi 40 provime. Secili do të marrë një zgjidhje, do të zgjidhen një nga një. Po përpiqemi të mbulojmë gjithçka dhe ta mbyllim këtë temë njëherë e përgjithmonë”, ka deklaruar ai.

Miu zviceran me inteligjencë artificiale synon të zëvendësojë testimin në kafshë të gjalla

Studiuesit zviceranë kanë krijuar një version të inteligjencës artificiale të një miu që do të zëvendësonte testimin në kafshë të gjalla duke vlerësuar efektet e përbërësve të rinj aktivë në një kompjuter.

Laboratorët Federalë Zviceranë për Shkencën dhe Teknologjinë e Materialeve (Empa) thanë se modeli mund të përdoret si një ndihmë vendimmarrëse në zhvillimin e barnave.

Ai llogarit se si shpërndahen nanopjesëzat me veti të caktuara në organizëm. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për zhvillimin e terapive kundër tumoreve të trurit, pasi nanopjesëzat mund të kalojnë barrierën gjak-tru.

Studiuesja Jimeng Wu zhvilloi të ashtuquajturin model farmakokinetik të bazuar në fiziologji, raporton swissinfo. Ajo përdori 18 studime të mëparshme me minj si bazë të dhënash. Me ndihmën e të mësuarit automatik, modeli mund të përshtatë parametrat e tij me vetitë e nanopjesëzës përkatëse.

Mjeti IA bën të mundur testimin virtual të grimcave që janë të përshtatshme për një detyrë edhe para se ato të prodhohen, u citua të thoshte Wu në njoftimin për shtyp.

Sipas studiuesve, modeli kontribuon në konceptin “I Sigurt dhe i Qëndrueshëm sipas Dizajnit”, pasi rrit sigurinë e terapive të reja në një fazë të hershme, transmeton albinfo.ch.

Inteligjenca artificiale njerëzore në proces

Hulumtuesi Peter Wick pranon se baza e të dhënave e modelit me 18 studime është ende e vogël. Tani është e nevojshme të trajnohet miu virtual me të dhëna të mëtejshme në mënyrë që të rritet besueshmëria e tij. Në planin afatgjatë, procesi nga zhvillimi në aplikim tek njerëzit duhet të shkurtohet dhe testimi në kafshë duhet të hiqet dorë fare.

Hapi tjetër është transferimi i parimit në kërkimin tek njerëzit. Një model përkatës për njerëzit mund të mundësojë gjithashtu ekzaminimin e organeve të ndjeshme të synuara.

Glarus: Arrestohet shqiptari me një kilogram heroinë dhe para të gatshme

Gjatë një kontrolli në një shtëpi të premten, më 8 maj 2026, në Näfels, hetuesit nga Policia e Kantonit të Glarusit gjetën afërsisht një kilogram heroinë dhe 1,700 franga zvicerane në para të gatshme. Një 20-vjeçar shqiptar u arrestua me këtë rast, transmeton albinfo.ch.

Të premten, më 8 maj 2026, hetuesit nga Policia e Kantonit të Glarus kryen një kontroll në banesën e një shtetasi 20-vjeçar shqiptar si pjesë e një hetimi për trafik të dyshuar droge, shkruan linth24.ch. U sekuestruan me atë rast afërsisht një kilogram heroinë dhe rreth 1,700 franga zvicerane në para të gatshme.

I dyshuari u arrestua dhe tani ndodhet në paraburgim.

Hetime të mëtejshme nga Policia Kantonale e Glarus janë duke vazhduar. Çështja po trajtohet nga Prokuroria e Shtetit dhe Zyra e Prokurorit për të Mitur të Kantonit të Glarusit.

(Foto: Kantonspolizei Glarus)

Fillon montimi i avionit të parë zviceranë F-35

Dorëzimi i avionëve luftarakë F-35 në Zvicër ka arritur një moment të ri historik me montimin e avionit të parë që fillon në fabrikën e Lockheed Martin në Georgia, Shtetet e Bashkuara.

Prodhimi i komponentëve të parë për avionët zviceranë ka filluar tashmë, deklaroi armasuisse. Fazat e ardhshme të prodhimit dhe montimit do të pasojnë në muajt në vijim, transmeton albinfo.ch.

Më shumë se 2,100 nënkontraktorë në të gjithë botën janë aktivë në zinxhirin e prodhimit.

Tetë F-35-at e parë do të përdoren për të trajnuar pilotët zviceranë nga mesi i vitit 2027 në Arkansas, SHBA. Dorëzimi në Zvicër pritet një vit më vonë.

F-35-at e mbetur do të dorëzohen nga vendi i montimit përfundimtar në Cameri, Itali.