Abdixhiku uron Kurban Bajramin: Thirrje për solidaritet dhe bashkim shoqëror

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazh paqeje, shëndeti dhe harmonie në familje, përcjell albinfo.ch.

Në urimin e tij, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e kësaj feste si kujtesë për vlerat e sakrificës, solidaritetit dhe kujdesit për ata që kanë nevojë.

Ai ka bërë thirrje që në këtë ditë të shenjtë qytetarët të jenë më pranë familjes, miqve dhe fqinjëve, si dhe të ofrojnë mbështetje për ata që kanë nevojë për shpresë dhe mirësi.

“Me fat Kurban Bajramin! Paçi gëzim, qetësi e mbarësi në çdo shtëpi tuajën”, ka shkruar Abdixhiku.

Kurti uron besimtarët për Kurban Bajramin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke iu drejtuar besimtarëve myslimanë dhe shqiptarëve kudo që jetojnë, përcjell albinfo.ch.

Në mesazhin e tij, Kurti ka theksuar rëndësinë e vlerave si dashamirësia, zemërgjerësia dhe solidariteti, duke bërë thirrje që ato të udhëheqin jetën e përditshme dhe marrëdhëniet shoqërore.

“Gëzuar festën e Kurban Bajramit besimtarëve myslimanë, qytetarëve tanë, shqiptarëve kudo! Le të udhëhiqemi çdo ditë nga dashamirësia dhe zemërgjerësia, solidariteti dhe respekti… Paçim gjithmonë mirësi, begati e mbarësi”, ka shkruar Kurti në urimin e tij./Albinfo.ch

Osmani uron Kurban Bajramin: Solidaritet, paqe dhe dashuri mes njerëzve

Vjosa Osmani ka uruar festën e Kurban Bajrami, duke theksuar rëndësinë e besimit, solidaritetit dhe kujdesit ndaj njëri-tjetrit.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka deklaruar se kjo festë kujton forcën e besimit në Zot dhe vlerën e solidaritetit njerëzor.

Ajo ka bërë thirrje që në këto ditë të bekuara të hapen zemrat për më shumë dashuri dhe kujdes, veçanërisht për ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi.

“Uroj që Kurban Bajrami të sjellë paqe në zemrat tuaja, harmoni në familje, shëndet, begati dhe gëzim në çdo vatër. Qoftë kjo festë një moment bashkimi, faljeje dhe shprese për ditë më të mira për të gjithë. Me fat Kurban Bajrami!”, ka shkruar ajo.

Kongresistë amerikanë takojnë Kurtin në Prishtinë, fokus të drejtat e pakicave në Kosovë dhe Luginë

Kongresistë amerikanë takojnë Kurtin në Prishtinë, fokus të drejtat e pakicave në Kosovë dhe Luginë

Dy kongresistë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, pritet të takohen sot me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, në orën 11:50.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, delegacioni amerikan gjatë vizitës së tij në Kosovë do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve qendrore, si dhe me autoritete të sigurisë ndërkombëtare. Gjithashtu janë paraparë takime me shoqërinë civile dhe përfaqësues të mediave.

Gjatë vizitës së tij në Luginën e Preshevës, kongresisti republikan Keith Self deklaroi se ekzistojnë “probleme reale” mes shqiptarëve dhe Serbisë, duke theksuar se qëllimi i vizitës është vlerësimi i gjendjes së pakicave në të dyja vendet.

Ndërkohë, kongresisti demokrat Suhas Subramanyam ngriti shqetësime lidhur me sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë të shqiptarëve në Serbi, duke i cilësuar këto si çështje të rëndësishme të të drejtave të pakicave.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se vizita e kongresistëve amerikanë është sinjal pozitiv se çështjet e shqiptarëve në Luginë po marrin vëmendje ndërkombëtare.

Edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, theksoi se ndërsa Serbia kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde nuk po zbatohen për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Vendimi për 2 milionë euro për fluturimet e mërgatës ngjall reagime të ashpra politike dhe publike

Vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovo për ndarjen e 2 milionë eurove për mbështetjen e linjave ajrore që shërbejnë për mërgatën ka nxitur reagime të shumta politike dhe publike, vetëm pak javë para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, transmeton albinfo.ch. 

Qeveria njoftoi se mjetet janë ndarë në kuadër të masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, me arsyetimin se synojnë lehtësimin e fluturimeve për destinacionet që frekuentohen nga diaspora kosovare.

Megjithatë, reagimet më të forta kanë ardhur nga opozita, shoqëria civile dhe njohës të ekonomisë, të cilët e kanë cilësuar këtë vendim si përdorim të parasë publike për përfitime elektorale.

Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, e quajti vendimin “të turpshëm dhe të papranueshëm”, duke e cilësuar si “keqpërdorim klasik të buxhetit në kohë zgjedhjesh”.

Sipas saj, Qeveria po përdor fondet publike për të ndikuar tek vota e diasporës.

“100-she, 500-she, subvencione e bileta – krejt këto jo pse Kurti brengoset për ju, po sepse keni me votu me 7 qershor”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Edhe ekonomisti Fidan Qerimi ka shprehur shqetësim për mënyrën e ndarjes së mjeteve, duke vlerësuar se vendimi nuk është në harmoni me planifikimet buxhetore për vitin 2026 dhe mund të prodhojë pasoja ekonomike, përfshirë rritjen e inflacionit.

Kritik ndaj këtij vendimi është shprehur edhe Eugen Cakolli nga Kosovo Democratic Institute, i cili e cilësoi subvencionimin e fluturimeve si “qershia mbi tortë në keqpërdorimin e resurseve publike për qëllime puro elektorale”.

Sipas tij, një praktikë e tillë cenon seriozisht parimin e zgjedhjeve të ndershme dhe krijon epërsi të padrejtë për partinë në pushtet përmes përdorimit të institucioneve dhe buxhetit shtetëror.

Reagime ka pasur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti Përparim Gruda i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetime lidhur me këtë vendim.

“Kur pushteti përdor buxhetin e Kosovës për fushatë, zgjedhjet nuk janë më as të lira dhe as të ndershme”, ka deklaruar Gruda.

Ndërkohë, analisti politik Ilir Deda tha se vendimi “e mbivendos partinë ndaj shtetit”, duke shtuar se veprime të tilla tregojnë se institucionet po përdoren në funksion të interesave partiake në prag të zgjedhjeve.

Vendimi i Qeverisë vjen në një periudhë të ndjeshme politike, ndërsa debati për përdorimin e fondeve publike gjatë fushatës zgjedhore pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim./Albinfo.ch 

Zvicerani arrestohet në Romë me 19.5 kg marihuanë nga Bangkoku

Në aeroportin ndërkombëtar Aeroporto di Roma Fiumicino në Romë, autoritetet italiane kanë arrestuar një shtetas zviceran pasi në bagazhin e tij u gjetën rreth 19.5 kilogramë marihuanë, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve, i dyshuari kishte udhëtuar nga qyteti Bangkok dhe ishte ndaluar gjatë një kontrolli rutinë të zhvilluar nga njësitë e Guardia di Finanza, të cilat po monitoronin trafikun ndërkombëtar të drogës.

Droga ishte e paketuar me vakum dhe, sipas mediave italiane, disa paketa ishin të pajisura edhe me pajisje GPS për gjurmim, duke ngritur dyshime për një rrjet të organizuar të trafikut të narkotikëve.

Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se ky nuk është një rast i izoluar, pasi në periudhën 2024–2026 janë regjistruar dhjetëra arrestime dhe janë sekuestruar mbi 830 kilogramë marihuanë në operacione të ngjashme në aeroporte dhe pika kufitare.

Hetimet për rastin e shtetasit zviceran po vazhdojnë për të zbuluar destinacionin final të drogës dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. /Albinfo.ch

Pesë fakte interesante rreth festës së Kurban Bajramit

Nga historia e profetit Ibrahim deri te format moderne të bamirësisë, Kurban Bajrami mbetet simbol i sakrificës, besimit dhe solidaritetit, përcjell albinfo.ch.

Eid al-Adha, i njohur te shqiptarët si Kurban Bajrami, është një nga festat më të rëndësishme në fenë islame dhe shoqërohet me tradita të veçanta fetare e familjare.

Therja simbolike lidhet me një histori të lashtë

Kjo festë bazohet në historinë e profetit Abraham (Ibrahim), i cili ishte i gatshëm të flijonte të birin si akt bindjeje ndaj Zotit. Sipas traditës islame, në momentin e fundit Zoti e zëvendësoi sakrificën me një dash, duke e kthyer këtë ngjarje në simbol të besimit, sakrificës dhe përkushtimit shpirtëror.

Festohet gjatë periudhës së Haxhit

Kurban Bajrami përkon me ditët e Hajj, pelegrinazhit të madh islam në Mecca. Besimtarët myslimanë që ndodhen në Arabinë Saudite kryejnë therjen e kurbanit pas përfundimit të riteve të Haxhit.

Jo të gjithë janë të detyruar të bëjnë kurban

Sipas rregullave fetare, kurbani kryhet nga besimtarët që kanë mundësi financiare. Ata që nuk kanë kushte ekonomike nuk obligohen të therin kafshë, ndërsa festa mbetet e lidhur ngushtë me solidaritetin dhe ndihmën për familjet në nevojë.

Kurbani sot realizohet edhe përmes donacioneve online

Në vitet e fundit, shumë besimtarë që jetojnë në diasporë ose nuk kanë mundësi ta kryejnë vetë therjen, kontribuojnë përmes organizatave bamirëse online. Këto organizata realizojnë kurbanin në emër të tyre dhe mishin e shpërndajnë tek familjet në nevojë në vende të ndryshme të botës.

Një nga ditët më humane të vitit

Gjatë Kurban Bajramit, miliona kilogramë mish shpërndahen në mbarë botën për të varfrit. Në disa vende afrikane apo aziatike, është dita e vetme në vit kur shumë njerëz hanë mish.

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin

Sot, besimtarët myslimanë në gjithë botën festojnë Kurban Bajramin, përcjell albinfo.ch.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Namazi i Kurban-Bajramit është falur në orën 05:40.

Thirrjet për unitet, dashuri e solidaritet ishin në qendër të mesazhit të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur të mërkurën, gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Në ligjëratën para besimtarëve, Tërnava theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, derisa kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake.

Ai tha se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.

“Vendi ka nevojë për stabilitetin ekonomik e politik dhe institucione funksionale e përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore, përplasjet e pafundme të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të rii. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, tha myftiu Tërnava.

Ai bëri thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor të zhvillohen me maturi dhe dinjitet, duke u bazuar në ide dhe vizion. Ndërsa ftoi edhe qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm.

“Në këtë fushatë parazgjedhore le të mos ketë vend për gjuhë të urrejtjes, fyerje, lincim, akuza të pabazuara dhe njollosje të njëri-tjetrit me akuza të pavërteta vetëm për një votë. Një fushatë e ndërtuar me përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës dhe as të ardhmes së saj. Le të mbizotërojë dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut. Le të ketë respekt të mendimit ndryshe… Mbesim me shpresë se pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore, që institucionet e vendit të formohen sa më shpejtë dhe të krijohet stabiliteti politik institucional për të punuar bashkërisht për të ardhmen e Kosovës, mirëqenien e qytetarëve dhe të ardhmen e të rinjve… Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat”, tha ai.  

 

Studentët në Tiranë në mbështetje të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut

Në Tiranë është mbajtur një protestë nga studentë të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, të cilët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në shenjë mbështetjeje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ata kërkojnë që provimet dhe proceset akademike të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.

Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, protestuesit marshuan drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe solidariteti si “Ne jemi bashkë”. Gjatë tubimit u këndua himni kombëtar dhe u dëgjuan thirrje në mbrojtje të gjuhës shqipe, si dhe u interpretua kënga “Mora fjalë”.

Studentët theksuan se protesta nuk ka karakter politik, por synon vetëm mbrojtjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, kjo çështje lidhet me barazinë dhe respektin për identitetin gjuhësor.

Një student nga Maqedonia e Veriut u shpreh se kërkesa e tyre ka të bëjë me dinjitetin dhe të drejtat e barabarta, duke theksuar se gjuha shqipe është pjesë e rëndësishme e identitetit të tyre.

Në protestë morën pjesë studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Publikohet lista: Shtetet që dominojnë eksportin global të ushqimit

Eksporti i produkteve ushqimore është shndërruar në një nga treguesit kryesorë të fuqisë ekonomike në botë.

Një grafik i bazuar në të dhëna të Organizatës Botërore të Tregtisë tregon 30 vendet më të mëdha eksportuese të ushqimit në nivel global. Këto shtete, së bashku, përbëjnë mbi 80% të tregut botëror të eksporteve bujqësore, i cili vlerësohet në rreth 1.5 trilion dollarë.

Të dhënat tregojnë një përqendrim të madh të furnizimit global me ushqim, ku një numër i kufizuar vendesh luan rol vendimtar në tregun botëror. Kjo i jep disa ekonomive ndikim të rëndësishëm mbi çmimet dhe zinxhirët globalë të furnizimit, sidomos në një kohë kur kostot e transportit, çmimet e plehrave dhe tensionet gjeopolitike mbeten të larta.

Në krye të listës dominojnë vendet e Amerikës. SHBA, Brazili, Kanadaja dhe Meksika së bashku përbëjnë afërsisht 30% të eksporteve globale bujqësore, duke përfshirë drithëra, mish, fara vajore dhe produkte të përpunuara.

Megjithatë, disa shtete me prodhim të lartë bujqësor nuk renditen aq lart sa pritej. Kina, pavarësisht se është prodhuesi më i madh bujqësor në botë, mbetet prapa SHBA-së dhe Brazilit për nga vlera e eksporteve, pasi një pjesë e madhe e prodhimit konsumohet brenda vendit.

Në rajonin e Azi-Paqësorit, disa vende kanë role të specializuara në tregtinë globale. Australia është një nga eksportuesit kryesorë të mishit të viçit, grurit dhe elbit, ndërsa Indonezia luan rol të rëndësishëm në eksportin e vajit të palmës.

Edhe Evropa mbetet një aktor i fuqishëm në eksportet ushqimore. Holanda, pavarësisht madhësisë së saj të vogël, renditet ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë, falë bujqësisë efikase dhe rolit të saj si qendër tregtare. Franca dhe Gjermania gjithashtu janë ndër liderët globalë në këtë sektor.

Ekspertët theksojnë se tregtia e ushqimit po bëhet gjithnjë e më strategjike, për shkak të rritjes së kostove të energjisë, problemeve në transport dhe pasigurive gjeopolitike. Kjo e rrit rëndësinë e vendeve të mëdha eksportuese, të cilat mund të garantojnë furnizim të qëndrueshëm në tregjet botërore.

Qeveria e Kosovës ndan 2 milionë euro për mbështetjen e linjave ajrore për mërgatën

Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 2,000,000.00 € (dy milionë euro), në kuadër të Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, transmeton albinfo.ch.

Sipas vendimit, fondet do të përdoren për mbështetjen e linjave ajrore drejt destinacioneve që shërbejnë mërgatën kosovare, me qëllim lehtësimin e udhëtimeve dhe forcimin e lidhjeve me diasporën.

Këto ligje në Zvicër ndryshojnë nga 1 qershori 2026

Nga 1 qershori 2026 në Zvicër hyjnë në fuqi disa ndryshime ligjore që prekin shërbimin ushtarak, azilin, sigurinë kufitare, tregun e punës, furnizimin me gaz dhe sektorin shëndetësor.

Fundi i librezës së shërbimit ushtarak

Libri i shërbimit në formë letre do të hiqet nga përdorimi duke filluar nga 1 qershori dhe do të zëvendësohet me një zgjidhje digjitale. Në të ardhmen, të dhënat përkatëse do të menaxhohen përmes platformave digjitale “Service Manager” ose “Civil Protection Service Manager”, të cilat shërbejnë si sisteme qendrore për shërbimin ushtarak dhe mbrojtjen civile.

Gjithashtu, njoftimet për përmbushjen e detyrimeve të qitjes do të dërgohen në mënyrë elektronike.

Ndryshime në ligjin e azilit

Nga 1 qershori hyn në fuqi një ndryshim i ri ligjor për sigurinë dhe funksionimin e qendrave federale të azilit. Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) dhe palët e kontraktuara nga ai do të kenë kompetenca më të zgjeruara.

Këto përfshijnë:

kontrollin e personave dhe sendeve personale

masa disiplinore, si reduktimi i përfitimeve

ndalimin e përkohshëm deri në dy orë në raste rreziku të menjëhershëm

Zbatimi i rregullave të reja Schengen

Zvicra do të përshtasë legjislacionin e saj me Kodin e përditësuar të kufijve Schengen. Kjo i jep Këshillit Federal të drejtën të rikthejë përkohësisht kontrollet kufitare ose të vendosë kufizime hyrjeje në aeroporte gjatë krizave, si për shembull pandemitë.

Po ashtu, procedurat për urdhërat e dëbimit gjatë kontrolleve të përbashkëta kufitare me vendet fqinje do të thjeshtohen.

Fleksibilitet më i madh për madhësinë e ushtrisë

Ushtria zvicerane do të ketë më shumë fleksibilitet në përcaktimin e madhësisë së saj. Nga 1 qershori vendoset një objektiv prej të paktën 100,000 rekrutësh, në vend të një kufiri të fiksuar.

Qëllimi është që ushtria të jetë gjithmonë plotësisht operacionale.

Transparencë në marrëveshjet kolektive të punës

Punonjësit dhe punëdhënësit që janë pjesë e marrëveshjeve kolektive të përgjithshme do të kenë të drejtë të shohin llogaritë vjetore të organeve të përbashkëta.

Ky ndryshim synon rritjen e transparencës mbi përdorimin e fondeve.

Rregulla të reja për trajnimin në ushtri

Personat që kryejnë trajnimin për shofer kamioni (kategoritë C/CE) në ushtrinë zvicerane do të duhet të rimbursojnë pjesërisht kostot nëse e ndërpresin shërbimin ushtarak para kohe.

Rimbursimi mund të kërkohet në rastet e:

arritjes së kufirit të moshës

përjashtimit nga shërbimi

paaftësisë për shërbim

kalimit në shërbim civil

Shuma deri në 10,000 franga zvicerane zvogëlohet në varësi të ditëve të shërbimit të kryera pas trajnimit.

Rezerva e gazit vazhdon

Këshilli Federal ka zgjatur detyrimin për mbajtjen e rezervës së gazit për vitet 2026 dhe 2027. Furnizuesit duhet të sigurojnë një rezervë prej të paktën 15% të konsumit vjetor gjatë periudhës tetor–dhjetor.

Qëllimi është garantimi i sigurisë së furnizimit në rast krizash të rënda.

Rregulla më të rrepta për barnat esenciale

Do të forcohet detyrimi i raportimit për kompanitë farmaceutike lidhur me barnat jetike. Mbajtësit e autorizimeve duhet të raportojnë çdo javë gjendjen e stokut.

Gjithashtu, ndërprerjet e furnizimit që pritet të zgjasin më shumë se 14 ditë duhet të raportohen menjëherë, së bashku me arsyet dhe kohëzgjatjen e tyre.

Nidwalden voton për uljen e taksave për të ardhurat e larta

Në kantonin zviceran Nidwalden po zhvillohet një debat dhe votim mbi ndryshimet në ligjin tatimor, me fokus kryesor uljen e mëtejshme të taksave për të ardhurat e larta.

Kantoni, i njohur tashmë për nivelin e ulët të tatimeve mbi të ardhurat, ka miratuar një paketë ndryshimesh që parashikon ulje të mëtejshme të taksave, si dhe rritje të zbritjeve tatimore për fëmijët dhe shpenzimet për kujdes dhe arsim.

Propozimi ka ndarë partitë politike. Të Gjelbrit dhe Socialdemokratët kundërshtojnë uljen për të ardhurat e larta, duke argumentuar se kjo favorizon më të pasurit dhe rrit presionin në tregun e banesave, duke e bërë më të vështirë për klasën e mesme gjetjen e banimit të përballueshëm. Ata kanë mbledhur edhe nënshkrime për një referendum konstruktiv dhe mbështesin një version alternativ të reformës me ulje më të kufizuar të taksave.

Nga ana tjetër, FDP dhe SVP mbështesin propozimin fillestar, duke argumentuar se lehtësimet tatimore janë të drejta për të gjitha grupet e të ardhurave dhe se kantoni ka kapacitet financiar për ta përballuar uljen, duke përmendur rezervat e larta kantonale.

Reforma e propozuar pritet të ulë të ardhurat e kantonit me rreth 4.1 milionë franga zvicerane, ndërsa versioni alternativ i referendumit do të sillte një humbje më të vogël, rreth 2.9 milionë franga.

Qeveria kantonale nuk ka dhënë ende një rekomandim zyrtar për votimin. Ndërkohë, në të njëjtën paketë investimesh parashikohet edhe ndërtimi i një salle të re sportive trefishe në Stans me vlerë 26 milionë franga, e cila pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2029.

AVS kalon për herë të parë 2.6 milionë pensione pleqërie

Sigurimi i pleqërisë dhe i të mbijetuarve (AVS/OASI) ka arritur për herë të parë të paguajë mbi 2.6 milionë pensione pleqërie.

Sipas Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore (FSIO), numri i përfituesve të pensioneve të pleqërisë është rritur sërish gjatë vitit të kaluar. Në total janë paguar 2.64 milionë pensione pleqërie, që përbën një rritje prej 1.6% krahasuar me vitin e kaluar.

Vetëm në vitin 2024, numri i pensionistëve ishte rritur me rreth 1.8%, ose mbi 44,000 persona. Këtë vit, rritja është më e moderuar, me rreth 40,400 përfitues të rinj.

Në total, deri në fund të vitit 2025, AVS ka paguar rreth 2.91 milionë pensione, duke përfshirë edhe pensionet për të vejat, të vejtë dhe jetimët. Rreth një e treta e pagesave u janë bërë personave që jetojnë jashtë vendit.

Rezultate financiare pozitive

Nga ana financiare, AVS e ka mbyllur vitin e kaluar sërish me rezultat pozitiv. Të ardhurat kanë tejkaluar shpenzimet me 1.8 miliardë franga zvicerane. Duke përfshirë edhe të ardhurat nga kapitali, rezultati total ka arritur në 4.4 miliardë franga.

Në vitin 2024, sistemi kishte regjistruar një tepricë më të lartë operative prej 5.6 miliardë frangash.

Mbrëmje kulturore në zemër të Frankfurtit

Një mbrëmje kulture, arti dhe humori në zemër të Frankfurtit! “4 në 1” nga Varg e Vi në partneritet me HorizontAL, financim nga TOSKA ELEKTRONICS, me ekspozitë artistike e stand-up komedi dhe energji të paharrueshme nga publiku.

Ky event i shkëlqyeshëm kulturor në Frankfurt kishte katër elemente të ndryshme: Stand up comedy, ekspozitë me piktura, instalacion video dhe ekspozitë me fotografi, transmeton albinfo.ch.

“Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e kësaj nate speciale në Frankfurt!”, ka shkruar aktori Avni Shkodra.

 

Në Gjenevë organizohet konferencë kushtuar Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte

Më 13 qershor 2026, në ora 19:00, në Ecole du Bosson – Aula, Av. du Bois-de-la-Chapelle 90, 1213 Onex në Gjenevë, do të mbahet konferenca kushtuar Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte.

Ngjarja organizohet nga shoqata “Zëri i Gruas LIRA”, me mbështetjen e Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë dhe do të sjellë në panel emra të njohur të institucioneve, diplomacisë, shëndetësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesëmarrëset e konferencës janë: Vasfije Krasniqi Goodman – e deleguara e posaçme për çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës; Feride Rushiti – themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT); Floreta Kabashi Ademaj – udhëheqëse e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë; Leonora Selmani – kryetare e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës; Shqipe Shehu Brovina – psikiatre dhe psikoterapeute FMH, ish-shefe klinike në HUG dhe mjeke konsulente në HUG; si dhe Linda Rexhaj Maliqi – organizatore dhe themeluese e “Zërit të Gruas LIRA”.

Konferenca synon të nxisë reflektim dhe ndërgjegjësim mbi pasojat afatgjata të dhunës seksuale në konflikte, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë, rehabilitimit dhe mbështetjes institucionale për të mbijetuarit.

Organizatorët kanë bërë të ditur se të interesuarit duhet të regjistrohen paraprakisht për pjesëmarrje përmes platformës: e-drejtajote.ch

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

 

 

Në Tiranë protestohet për gjuhën shqipe

Ka nisur në Tiranë protesta në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët edhe në tubimet e tyre kanë kërkuar të drejtën për ta zhvilluar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, grumbullimi i studentëve shqiptarë, por edhe atyre të ardhur nga RMV, nisi në sheshin Skënderbej, për ta vazhduar marshimin drejt ambasadës së Maqedonisë, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Me thirrjen “Ne jemi bashkë”, studentët po zhvillojnë protestën në Tiranë, si një përgjigje kundër autoriteteve maqedonase, të cilat nuk i lejuan t’i bashkoheshin studentëve shqiptarë në Maqedoni në protestën e tyre në Shkup pak ditë më parë.

Dy të rinj nga Kosova kapen me armë gjatë kontrollit të makinës

Të shtunën në mbrëmje, policia kantonale e Schwyz, së bashku me policinë kantonale të Cyrihut, kryen një operacion të përbashkët hetimor penal. Policia e Schwyz deklaroi në një njoftim për shtyp të martën se “fokusi ishte në vendet kyçe si stacionet e trenave, zonat buzë liqenit dhe autostrada A3.”, transmeton albinfo.ch

Patrullat nga policia e kantoneve të Schwyzit dhe Cyrihut ndaluan një furgon shpërndarjeje në autostradën A3 që përdorte targa të vjedhura, shkruan polizeinews.ch. Brenda automjetit, që i përkiste shoferit 27-vjeçar dhe pasagjerit të tij 26-vjeçar, policët gjetën, ndër të tjera, një pistoletë, maska dhe mjete për vjedhje.

Sipas policisë, shtetasi 26-vjeçar kosovar gjithashtu banonte ilegalisht në Zvicër dhe kërkohej me një urdhër arresti ndërkombëtar.

Prokuroria Publike e Schwyzit ka hapur procedurë penale kundër dy kosovarëve dhe ka kërkuar paraburgim nga gjykata e masave të detyrueshme, përcjell albinfo.ch. Së bashku me Policinë Kantonale të Schwyzit, Zyra e Prokurorit Publik po kryen hetimin dhe po përcakton nëse dy personat e arrestuar janë përgjegjës për vepra të tjera penale.

Prezumimi i pafajësisë vlen për të dy të përmendurit.

(Foto: KAPO Schwyz)

Kongresistët amerikanë arrijnë në Prishtinë, priten takime me udhëheqësit e Kosovës

Delegacioni i kongresistëve amerikanë ka mbërritur të martën në Prishtinë, si pjesë e turit të tyre në Ballkanin Perëndimor, ku të nesërmen pritet të ketë takime edhe me udhëheqësit e Kosovës.

Delegacioni, i përbërë nga Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve, e vizituan të martën pasdite kampin Bondsteel – bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë, transmeton albinfo.ch.

“Delegacioni kaloi pasditen në kampin Bondsteel duke u takuar me anëtarët e shërbimit të përkushtuar të Komandës Rajonale të KFOR-it-Lindje dhe Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan”, shkroi Ambasada në X.

Vizita e tyre në Kosovë zhvillohet pas atyre në Sarajevë dhe Serbi, përfshirë Luginën e Preshevës, ku Self dhe Subramanyam theksuan se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë.

Self tha në Preshevë se “kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje”.

Ai tha se po i vizitojnë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre në këto vende.

Të mërkurën paradite, Self dhe Subramanyam pritet të takohen me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun.

Javën e kaluar, Kurti njoftoi se e kishte zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, në mesin e tyre edhe Self.

“Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së”, shkroi Kurti në X, pas asaj bisede.

Në fund të prillit, Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

Rezoluta me mbështetje dypartiake thekson, mes tjerash, se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.

Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Ajo gjithashtu është aktualisht duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të zgjasë deri më 2028. Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, i cili shërben si rrugë për çdo vend që dëshiron të bëhet anëtare e aleancës ushtarake.

Pranimi i një anëtari të ri kërkon njëzëshmëri brenda aleancës, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin më të ri në Evropë.

 

 

Protestë simbolike për mbrojtjen e jetës tradicionale në Bjeshkët e Nemuna

Banorë të zonës, bjeshkatarë, guida malore, pronarë stanesh dhe operatorë turistikë kanë paralajmëruar një protestë simbolike kundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit për ndalimin e transportit të materialeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Protesta do të mbahet të martën, më 2 qershor 2026, nga ora 11:00, te rampa (Laura) e Parkut Kombëtar në Grykën e Deçanit.

Organizatorët thonë se banorët e këtyre bjeshkëve nuk janë kundër natyrës, por pjesë e saj, duke theksuar se jeta në stanet alpine dhe tradita e blegtorisë ekzistojnë prej brezash në këtë zonë.

Sipas tyre, ndalimi i transportit të materialeve ndërtimore vështirëson mirëmbajtjen e stanëve ekzistuese dhe ndikon drejtpërdrejt në jetën e banorëve lokalë dhe zhvillimin e turizmit malor.

Përmes kësaj proteste simbolike, ata kërkojnë:

  • ruajtjen e jetës tradicionale në bjeshkë,
  • mundësi për mirëmbajtjen e staneve ekzistuese,
  • mbështetje për turizmin malor dhe banorët lokalë,
  • si dhe dialog institucional për zgjidhje konkrete.

“Bjeshka pa njerëz nuk mbrohet, braktiset”, thuhet në thirrjen publike të organizatorëve.

Fehim Abazi: “Kurban Bajrami na kujton përgjegjësinë ndaj familjes, shoqërisë dhe njëri-tjetrit”

Në prag të festës së Kurban Bajramit, kryetari i ri i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, Fehim Abazi, në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch, flet për domethënien e kësaj feste, për ruajtjen e vlerave brenda diasporës shqiptare dhe për prioritetet e tij në drejtimin e komunitetit.

Ai thotë se Kurban Bajrami mbetet një ndër festat që i rikthen njerëzit tek kujdesi për tjetrin, solidariteti dhe lidhja me familjen: “Në prag të festës së Kurban Bajramit, dëshiroj t’ua përcjell urimet më të sinqerta të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë në Zvicër dhe kudo që ndodhen. Kjo festë e madhe na kujton vlerat më të larta njerëzore dhe fetare: besimin, sakrificën, përkushtimin dhe afërsinë me Allahun xh.sh.”

Sipas kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, Fehim Abazi  sfidat që po kalon sot shoqëria kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe afërsi njerëzore: “Sot bota po përballet me shumë sfida, pasiguri shpirtërore, tensione sociale, luftëra, varfëri dhe mungesë solidariteti. Në një kohë të tillë, Kurban Bajrami na fton të rikthehemi tek vlerat e mëshirës, paqes, respektit dhe kujdesit për njëri-tjetrin. Është një festë që na mëson se besimi nuk është vetëm ritual, por përgjegjësi ndaj familjes, shoqërisë dhe njerëzimit.”

Në mesazhin e tij  kryetari i KMShZ-së drejtuar shqiptarëve në Zvicër, ai kërkon ruajtjen e lidhjes me gjuhën, kulturën dhe komunitetin: “Mesazhi im për bashkatdhetarët tanë është që ta ruajmë unitetin, dashurinë dhe lidhjen me fenë, gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare. Le të jetë kjo festë një mundësi për pajtim, afrim dhe forcim të lidhjeve familjare e shoqërore.”

Një pjesë e rëndësishme e intervistës lidhet edhe me rolin e gjeneratës së re shqiptare në diasporë, kryetari i Fehim Abazi thotë se ruajtja e traditave dhe edukimit fetar kërkon angazhim të vazhdueshëm: “Diaspora shqiptare në Zvicër ka ruajtur me shumë përkushtim traditat fetare dhe kombëtare, por sfidat e kohës kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, sidomos për edukimin e gjeneratave të reja.”

Ai thekson se të rinjtë duhet të përfshihen më shumë në jetën e komunitetit dhe aktivitetet humanitare: “Fryma e Kurban Bajramit ruhet duke kultivuar solidaritetin, humanizmin dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj komunitetit. Ne duhet t’i afrojmë të rinjtë më shumë me xhaminë, me edukimin fetar dhe me aktivitetet kulturore e humanitare, në mënyrë që ata ta kuptojnë fenë si burim morali, identiteti dhe shprese.”

Sipas tij, bashkëpunimi mes familjes, imamëve dhe institucioneve është i domosdoshëm për edukimin e brezave të rinj: “Është shumë e rëndësishme që familja, imamët dhe institucionet tona të punojnë së bashku për t’i edukuar të rinjtë me ndjenjën e respektit, mirësisë dhe përgjegjësisë sociale. Kur të rinjtë angazhohen në aktivitete bamirësie, ndihmë për nevojtarët dhe jetën në komunitet, atëherë fryma e Bajramit bëhet pjesë e jetës së tyre të përditshme.”

Duke folur për përgjegjësinë e re në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, ai thotë se prioritet do të jetë forcimi i organizimit dhe bashkëpunimit brenda komunitetit: “Është një përgjegjësi dhe amanet i madh të udhëheqësh Komunitetin Mysliman Shqiptar në Zvicër. Prioriteti ynë do të jetë forcimi i unitetit dhe organizimit institucional të komunitetit tonë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes xhamive, imamëve dhe besimtarëve.”

Ai shton se fokusi do të jetë edhe edukimi i gjeneratës së re dhe ruajtja e identitetit fetar e kulturor të shqiptarëve në Zvicër: “Një ndër fokuset kryesore do të jetë edukimi fetar dhe kombëtar i gjeneratës së re, ruajtja e identitetit tonë fetar e kulturor, si dhe avancimi i rolit të komunitetit në jetën shoqërore të shqiptarëve në Zvicër.”

Në fund të intervistës për albinfo.ch, Fehim Abazi rendit edhe prioritetet konkrete të punës së tij: “Po ashtu, do të punojmë në: forcimin e transparencës dhe komunikimit me besimtarët; mbështetjen e aktiviteteve edukative, kulturore dhe humanitare; përfaqësimin dinjitoz të komunitetit tonë në institucionet zvicerane; promovimin e vlerave të paqes, dialogut dhe bashkëjetesës.”

Ai e përmbyll intervistën me urimin për besimtarët myslimanë shqiptarë: “Ne dëshirojmë që komuniteti ynë të jetë një derë e hapur për të gjithë shqiptarët myslimanë në Zvicër, një vend ku ruhet feja, kultura, gjuha dhe fryma e solidaritetit. Me këtë rast, të gjithë besimtarëve u uroj: Gëzuar Kurban Bajramin! Allahu i pranoftë ibadetet, kurbanet dhe lutjet tona!”

Për albinfo.ch Luljeta Ademi.

 

Sigurimet shëndetësore në Zvicër pritet të shtrenjtohen sërish

Qytetarët në Zvicër mund të përballen me një tjetër rritje të ndjeshme të primit të sigurimeve shëndetësore këtë vjeshtë.

Sipas parashikimeve të ekspertëve, çmimet pritet të rriten mesatarisht rreth 5 për qind në vitin e ardhshëm.

Rritja lidhet kryesisht me kostot gjithnjë e më të larta në sistemin shëndetësor, përfshirë shpenzimet për trajtime, barna dhe kujdesin spitalor.

Ekspertët paralajmërojnë se presioni financiar mbi familjet zvicerane po bëhet çdo vit më i madh, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Në vitet e fundit, sigurimet shëndetësore janë rritur vazhdimisht në Zvicër, duke u kthyer në një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve. Shumë familje tashmë shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave mujore vetëm për pagesat e primit.

Autoritetet zvicerane pritet të publikojnë shifrat zyrtare të rritjes së primit gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa debatet politike për reformimin e sistemit shëndetësor janë intensifikuar.

Ekspertët theksojnë se pa masa konkrete për uljen e kostove në sektorin e shëndetësisë, trendi i rritjes së sigurimeve do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.