Nga 1 korriku, një kafe në Kosovë deri në 3€

Afaristi Ragip Mustafa ka ngritur alarmin se pas 1 korrikut Kosova do të pësojë një çrregullim ekonomik si pasojë e liberalizimit të tregut energjetik, përcjell albinfo.ch.

Mustafa tha se nga tregu i hapur energjetik do ta pësojnë më së shumti qytetarët në Kosovë, të cilët do të paguajnë çdo produkt më shtrenjtë se që është aktualisht.

“Këtu nuk po tregohet se rritja nuk do të bëhet veç për bizneset sepse kjo rritje e çmimit të rrymës do t’i prekë të gjithë qytetarët, ata do të paguajnë shportën e konsumit shumë më shtrenjtë se që po paguajnë aktualisht. Çmimet veç se kanë fillu të rriten, si të vjen tash fatura e fundit shembull po e marr edhe në byfe këtu e ke pas një kafe 50 centë tash e paguan 1 euro, pas 1 korrikut rrezikon të shkojë deri në 3 euro e ku mbesin pastaj gjërat e tjera”, tha ai.

Afaristi Mustafa duke folur për përvojën e tij me tregun e hapur energjetik në shtetin e Shqipërisë, tha se atje janë 5 ose 6 kompani të cilat ofrojnë energji elektrike. Ndërsa tha se në Kosovë është instaluar monopol. Mustafa shtoi se tashmë një numër i afaristëve janë duke menduar seriozisht largimin nga Kosova.

“Atje minimum 3 ose 4 vjet është i hapur tregu, por janë disa kompani minimumi 5 ose 6. Ndërsa këtu u kriju monopol dhe një kompani e vetme ta shet rrymën sa të donë. Unë në Shqipëri kam investu dhe do të investojë prapë. Edhe tash pas konsultave me 5-6 kolegë deri tash vetëm se kemi fillu të tërhiqemi nga Kosova. Është e vështirë ka pengesa të mëdha edhe veç se i kemi nisë investimet tona në Shqipëri, Greqi, Gjermani”, tha ai.

Telashe tjetër e madhe për bizneset në Kosovë vazhdon të jetë mungesa e fuqisë punëtore situatë kjo e cila pas liberalizimit të vizave veç se ka shkuar duke u përkeqësuar.

Rrëfimi i 27 vjeçarit palestinez që përfundoi nga Gaza në Kosovë

Mësohet se një migrant palestinez, 27-vjeçar, ka mbërritur ilegalisht në Kosovë, duke përballuar rrugë të rrezikshme e kosto të larta. Policia e Kosovës thotë se po forcon kontrollin në kufij me dronë dhe operacione të përbashkëta me shtetet fqinje, për të ndaluar kontrabandën e migrantëve. Por, sa efektive janë këto masa?

Kur lufta dhe varfëria i detyrojnë njerëzit t’i lënë pas shtëpitë, rrugëtimi drejt një jete më të mirë kthehet në një aventurë të pasigurt dhe me rreziqe.

Husam Nmvawi, nga Rripi i Gazës, pas ecjeve të gjata nëpër male e pagesave prej qindra eurosh, ka përfunduar muajin e kaluar në Kosovë.

Teksa rri gjysmë i shtrirë në shtratin e tij në Qendrën për Azil në Magurë të Lipjanit, ai duket se nuk ka një plan të qartë për të ardhmen.

“Unë kam qenë fillimisht në Turqi. Prej aty kam paguar 800 euro për të shkuar në Greqi. Nga Greqia, për të kaluar në Shqipëri, kam paguar 300 euro”, tregon 27-vjeçari.

Rrugëtimi i tij nuk përfundoi aty. Ai do të gjente një mënyrë për të hyrë në Kosovë,  pa dokumente dhe pa siguri  ku tashmë ka aplikuar për statusin e azilkërkuesit.

“E kam paguar një person 100 euro dhe më ka treguar rrugën. Kam përdorur edhe telefonin”, rrëfen Husami për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk dëshiron të zbulojë shumë për rrugëtimin e tij, për grupet që mund ta kenë ndihmuar apo për rreziqet që ka hasur gjatë rrugës.

“Kam ecur shumë, edhe nëpër ujë, për të kaluar kufij”, thotë me fytyrën ngrysur.

Zëri i zihet edhe më shumë kur përmend Gazën,  aty ku thotë se nuk ka më jetë dhe se ikja ishte e vetmja zgjidhje.

Rrëfime si ky marrin edhe më shumë peshë sot, më 20 qershor, në Ditën Botërore të Refugjatëve, kur bota ndalet për të reflektuar mbi dhimbjen dhe qëndrueshmërinë e miliona njerëzve të zhvendosur.

Por, se pse ndodhet pikërisht në Kosovë, Husami nuk e shpjegon qartë.

“Për momentin jam duke qëndruar këtu”, thotë, dhe nuk tregon nëse Kosovën e ka destinacion përfundimtar apo vetëm ndalesë drejt ndonjë shteti tjetër.

Ai përmend shkurt se disa nga të afërmit e tij janë të shpërndarë në shtete të ndryshme evropiane, por nuk thotë nëse ka tentuar të bashkohet me ta.

Ngjashëm, as autoritetet e Kosovës nuk kanë informacione të qarta për qëllimet afatgjate të migrantëve si Husami, ndërsa përpiqen të forcojnë kontrollin në kufij  me përdorimin e dronëve dhe me operacione të përbashkëta me shtetet fqinje  për të ndaluar kontrabandën dhe kalimet ilegale.

Me dronë që patrullojnë ditë e natë, Policia e Kosovës thotë se është duke monitoruar me kujdes brezin kufitar me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Vetëm këtë vit, ajo ka ndaluar 15 persona të dyshuar për kontrabandim të migrantëve dhe 13 viktima  rastet e të cilave janë përcjellë nëpër gjykata  ndërsa, vitin e kaluar, thotë se ka trajtuar rastet e 1.025 migrantëve.

“Grupet e tilla i kemi kapur përmes dronëve të natës, kur kemi zhvilluar operacione”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nexhmi Krasniqi, drejtor i Departamentit për Kufijtë në veriperëndim të Gjakovës.

Ai thekson se pika më kritike në këtë aspekt, është zona e Vërmicës, pranë Prizrenit, por shton se, muajve të fundit, lëvizjet e migrantëve janë reduktuar ndjeshëm, falë bashkëpunimit të ngushtë edhe me Policinë e Shqipërisë.

“Veç patrullimeve të përbashkëta mujore që i kemi, ne bëjmë edhe operacione bashkë, kur kemi raste të tilla”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, këto rrjete kontrabande janë të përziera dhe udhëhiqen kryesisht nga marokenë e sirianë, me pjesëmarrje edhe të afganëve.

Ai thotë se ata përdorin teknologji moderne, si interneti dhe telefonat celularë, për të komunikuar dhe koordinuar lëvizjet, duke i sjellë migrantët nga Greqia, përmes Shqipërisë, në Kosovë, e më pas në Serbi dhe më tej në Evropë.

Disa prej këtyre individëve mund të kenë lidhje edhe me persona nga Kosova, thotë Krasniqi, ndonëse numri i tyre nuk është i madh.

“Njerëzit që i kanë ndihmuar, kanë qenë pak nga Prizreni, nga Gjilani, Mitrovica… Këta janë të lidhur me ata që kanë kompanitë e veta të taksisë dhe me njerëz që kanë edhe furgonë dhe bëjnë transportin e tyre”, shpjegon Krasniqi.

Sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës, migrantët e ndaluar në Kosovë janë kryesisht nga Maroku, Siria, territoret palestineze, Egjipti dhe vende të tjera.

Ata hyjnë në Kosovë nga të gjitha vendet me të cilat kufizohet, e sidomos nga kufiri me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Por, lufta kundër kontrabanduesve nuk mbyllet me aksionet e policisë.

Në këtë proces janë të angazhuara edhe institucionet e drejtësisë, që synojnë goditjen e rrjeteve kriminale.

Prokuroria Themelore në Prizren,  një prej komunave më kritike për kontrabandimin e migrantëve  bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë viteve të fundit ka trajtuar një numër të konsiderueshëm rastesh, me mbi 30 lëndë të hapura dhe dhjetëra persona të përfshirë, ndërsa në vitin 2025, deri më tani, nuk është pranuar asnjë rast i ri.

“Në vitin 2022, kjo prokurori ka pranuar 13 lëndë ndaj 48 personave; ka kryer 19 lëndë ndaj 46 personave dhe ka ngritur aktakuzë në 13 lëndë ndaj 31 personave. Në vitin 2023 janë pranuar 3 lëndë ndaj 13 personave dhe janë kryer 3 lëndë ndaj 32 personave. Në vitin 2024 janë pranuar 3 lëndë ndaj 4 personave, është kryer 1 lëndë ndaj 9 personave dhe është ngritur aktakuzë ndaj 8 personave pas hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prizren, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Aktualisht, në Qendrën për Azil në Magurë janë të strehuar 17 migrantë, ndërsa në Qendrën për Migrantë në Vranidoll janë 9.

Fitim Zariqi, drejtor i Qendrës për Azil në Magurë, thotë për Radion Evropa e Lirë se, ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit është shënuar një rënie e numrit të personave të strehuar në këtë qendër.

“Nga janari i këtij viti e deri më tash kemi pasur 44 aplikues për mbrojtje ndërkombëtare. Disa nga ta janë larguar. Siç dihet, Kosova  në shumicën e rasteve  shfrytëzohet si vend transit për migrantë dhe nuk qëndrojnë këtu. Shumica janë larguar, kurse tani kemi vetëm 17 persona”, thotë Zariqi.

Milan-Leverkusen, sot kontakte direkte për transferimin e Xhakës

Mesfushori i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka mund të luajë në Serie A në sezonin e ri 2025/26, përcjell albinfo.ch.

Xhaka ka marrë ofertën e parë serioze nga Milan dhe tashmë kanë filluar bisedimet mes tij dhe drejtorit sportiv, Igli Tare.

Nuk dihet se cila ka qenë oferta e parë drejtuar Leverkusenit për mesfushorin shqiptar, por ajo që bëhet e ditur është fakti që Xhaka tashmë është i tërhequr me projektin e ri të klubit “kuqezi”.

Granit Xhaka zhvilloi dy super sezone me Bayer Leverkusenin, ku edhe u shpall kampion i Bundesligas pa pësuar humbje, me një rekord të pabesueshëm.

Por ndryshimet që janë bërë në skuadrën gjermane, si largimi i yjeve dhe trajnerit Xabi Alonos,  mund ta shty edhe Xhakën ta lë stadiumin “BayArena”.

Xhaka do ishte i lumtur të luante përkrah Luka Modricit, i cili flitet se do t’i bashkohet ekipit të Milanit pas përfundimit të ndeshjeve në Kupën e Botës për Klube.

https://x.com/WhistleNinety/status/1935950887559872878?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1935950887559872878%7Ctwgr%5E40da34ea6775dbce7c0241cbe7bb0fa20c7ea023%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Findeksonline.net%2Feshte-serioze-shkon-oferta-e-pare-per-granit-xhaken-nga-ac-milan%2F

Shqipëria pret Samitin e NATO-s në vitin 2027, konfirmimi vjen nga Holanda

Shqipëria pritet të konfirmohet si mikpritëse e Samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në vitin 2027, një ngjarje historike që do të shënojë herën e parë që vendi ynë pret një samit të aleancës, përcjell albinfo.ch.

Konfirmimi vjen nga drafti i deklaratës së Samitit të sivjetshëm të NATO-s, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Hagë, Holandë, dhe të cilin Radio Evropa e Lirë e ka parë.

Në fund të draftit të deklaratës thuhet qartë: “Ne shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen nga Mbretëria e Holandës. Mezi presim takimin tonë të ardhshëm në Turqi më 2026, i cili do të pasohet nga një takim në Shqipëri.”

lg.php.gif

Shqipëria si aktore gjeopolitike dhe investimet në mbrojtje

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, kishte paralajmëruar verën e kaluar se Shqipëria do ta mirëpriste samitin e NATO-s më 2027, një paralajmërim që tashmë duket se do të zyrtarizohet.

Për Shqipërinë, ky do të jetë një moment kulminant pas anëtarësimit në NATO në vitin 2009. Kryeqyteti shqiptar, Tirana, ka qenë tashmë mikpritëse e ngjarjeve të rëndësishme, si samiti i Komunitetit Politik Evropian në maj të këtij viti, duke dëshmuar aftësitë organizative të vendit.

NATO-ja ka një prani të konsiderueshme në Shqipëri, duke përfshirë bazën ajrore në Kuçovë, e cila është e vetmja në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo bazë u përurua në mars 2024, pas një investimi prej afërsisht 50 milionë eurosh nga NATO dhe më shumë se 5 milionë eurosh nga Qeveria shqiptare.

Gjithashtu, Shqipëria është në bisedime me NATO-n për ndërtimin e një baze detare në Porto Romano në bregdetin e Adriatikut, duke theksuar rolin strategjik në rritje të vendit në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe euro-atlantike.

lg.php.gif

Kjo ngjarje duket se do të jetë një mundësi mjaft e mirë për Shqipërinë që të shfaqë rolin e saj aktiv dhe kontributin në Aleancë.

Angazhimet e NATO-s dhe mbështetja për Ukrainën

Samiti i Hagës pritet të riafirmojë angazhimet thelbësore të aleancës. Sipas draftit të deklaratës, udhëheqësit e NATO-s do të riafirmojnë angazhimin për mbrojtje kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, si dhe vendosmërinë për të mbrojtur qytetarët dhe demokracinë.

Një tjetër angazhim i rëndësishëm është rritja e shpenzimeve në mbrojtje në të paktën 5% të PBB-së deri në vitin 2032. Kjo shifër ndahet më tej: 3.5% për kapacitetet ushtarake dhe 1.5% për infrastrukturën kritike, inovacionin dhe industrinë e mbrojtjes.

lg.php.gifMbështetja për Ukrainën mbetet e fortë dhe do të përfshihet në llogaritjet e shpenzimeve të mbrojtjes. Aleanca angazhohet gjithashtu të forcojë industrinë e përbashkët të mbrojtjes, të heqë barrierat tregtare dhe të promovojë bashkëpunimin teknologjik mes aleatëve.

Izraeli dhe Irani shkëmbejnë më shumë sulme gjatë natës

Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) thonë se kanë kryer dhjetëra sulme ajrore gjatë natës, duke synuar disa vende në Teheran me më shumë se 60 avionë luftarakë izraelitë, përcjell albinfo.ch.

Rreth 120 municione u përdorën për të kryer sulmet, të cilat shënjestruan vendet e prodhimit të raketave ushtarake dhe një qendër kërkimore bërthamore, të cilën ushtria izraelite thotë se ishte e përfshirë në zhvillimin e armëve bërthamore të Iranit, raporton BBC.

Gjatë natës, IDF tha gjithashtu se Irani kreu sulme ndaj Izraelit, me raportime për sulme në jug të vendit.


Irani nuk ka komentuar për këto sulme.

Shqiptarja nga Amerika kurorëzohet me “Miss Globe USA 2025”

Femrat shqiptare shquhen për bukurinë e tyre, ndërkohë konkurentja Samantha Sarelli, shqiptaro-amerikania nga Connecticut, është shpallur Miss Globe USA 2025 dhe  do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në finalen botërore që do të mbahet në Shqipëri, transmeton albinfo.ch.

Ish-Miss Connecticut Teen USA dhe aktiviste kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Samantha është duke ndjekur një karrierë në drejtësi në Nju Jork dhe flet tre gjuhë.

Ajo ka folur në samite ndërkombëtare dhe ka krijuar programe edukative për të rinjtë.

Miss Globe, me seli në Shqipëri dhe themeluar në vitin 1925, është një nga konkurset më të vjetra dhe më të respektuara në botë.

SHBA: Vlora Gjeka nderohet me medaljen “Police Combat Cross”

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut (NYPD) ka nderuar Oficeren shqiptaro-amerikane, Vlora Gjeka, me medaljen “Police Combat Cross”, dekorata e dytë më e lartë për trimëri që jepet nga kjo forcë policore. Nderimi vjen në vlerësim të guximit të saj të jashtëzakonshëm gjatë një incidenti të rrezikshëm për jetën, ndërsa ndodhej jashtë detyrës.

Oficerja Gjeka, me origjinë nga Gjakova, tregoi kurajo të rrallë teksa ndërhyri së bashku me kolegun Michael Saline në një përplasje të armatosur, duke neutralizuar një kërcënim të rrezikshëm dhe duke mbrojtur jetën e kalimtarëve të pafajshëm. Veprimi i tyre u cilësua si shembull i vlerave thelbësore të forcave të rendit: guxim, integritet dhe përkushtim.

Edhe Oficeri Saline, me origjinë italiano-kalabreze, u shpreh krenar për lidhjet e tij me komunitetin shqiptar, duke theksuar unitetin kulturor që bashkon komunitete të ndryshme në shërbim dhe sakrificë për të tjerët.

Shoqata Amerikano-Shqiptare e Forcave të Rendit (AALEA) përgëzoi Oficeren Gjeka për këtë arritje të merituar dhe u bëri thirrje shqiptarëve në SHBA dhe mbështetësve të ligjit të ndihen krenarë për këtë moment historik.

Dua Lipa mbush Wembley-n me 160 mijë fansa, ndalesa e radhës, Prishtina!

Dua Lipa këtë javë do të performojë në stadiumin legjendar Wembley në Londër, dhe jo një herë, por dy net me radhë, më 20 dhe 21 qershor.

Vlen të theksohet se të dy koncertet janë “sold out”, me mbi 160 mijë bileta të shitura brenda minutave, një tjetër rekord në rrugëtimin e saj triumfues.

E gjitha kjo është pjesë e turneut të saj të ri “Radical Optimism”, që po përshkruhet si një shpërthim energjie, muzike dhe bashkëpunimesh me emra të mëdhenj të industrisë, përfshirë edhe fitues të çmimeve Grammy që pritet të jenë mysafirë surprizë në skenë.

Në Londër është hapur edhe një pop-up shop ekskluziv i Dua Lipës, ku fansat mund të blejnë produkte të personalizuara, të bëjnë foto e madje të provojnë pijet e saj të preferuara.

Pas Wembley-t, Dua do të ndalet në Anfield në Liverpool më 25 dhe 27 qershor, dhe më pas në Dublin në stadiumin Aviva. Por ajo që na bën zemrën të rrahë më fort është se disa javë më vonë. ndalesa e saj e radhës do të jetë PRISHTINA!

Më 1 gusht, Dua kthehet në vendlindjen e saj, për të performuar në festivalin më të madh të muzikës në rajon Sunny Hill Festival, që tashmë është zyrtarisht pjesë e turneut të saj global “Radical Optimism”.

Nga skenat më të mëdha të botës, drejt zemrës së Prishtinës!

Gjenevë: Sot mbahet takimi i zyrtarëve evropianë dhe atyre nga Irani

A do të pranojë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në Gjenevë sot kapitullim pa kushte si do Trump? Evropianët duan të flasin për programin bërthamor të Iranit që të përdoret vetëm për qëllime civile. Takim i grupit E3 me Iranin, shkruan DW, përcjell albinfo.ch.

Në Gjenevë takohen të premten (20.06.) ministrat e Jashtëm të të ashtuquajturit “E3” – Gjermania,  Franca  dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët diskutojnë të ardhmen e programit bërthamor iranian me homologun e tyre iranian, Abbas Araghchi. Pritet që të marrë pjesë edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul foli në programin gjerman të ARD-së rreth kërcënimit që paraqet Irani,  i cili prek jo vetëm Izraelin,  por “edhe ne”. Ndërsa Irani kohët e fundit e ka ngadalësuar programin e tij bërthamor, pasurimi “padyshim ka vazhduar” dhe është “shumë mbi nivelet civile”. Pra, çfarë roli ndërmjetësues mund të luajë Gjermania dhe çfarë pritjesh kanë ministrat e E3 në Gjenevë?

Norbert Röttgen, nënkryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, i cili shpesh e kishte kritikuar qeverinë e koalicionit të mëparshëm gjerman për politikën e saj të paqëndrueshme ndaj Iranit, e sheh tani Gjermaninë në një “pozicion të qartë”. Kancelari Merz ka “marrë drejtimin” dhe e ka bërë të qartë se rreziku buron nga Irani, pasi ky vend po përpiqet të bëhet një fuqi bërthamore.

Kjo është një pikë thelbësore dhe “ndryshim i vërtetë nga politika e mëparshme në Lindjen e Mesme”, tha Röttgen. Por nëse do të ketë edhe një ndryshim të vërtetë në në negociata në Gjenevë mbetet e paqartë.

Po pse të vazhdojnë negociatat kur diplomacia nuk ka qenë në gjendje ta ndalojë programin bërthamor të Iranit në të kaluarën? “Ne duhet të provojmë se jemi ende të aftë të zgjidhim konfliktet në këtë botë në mënyrë diplomatike”, thotë zëdhënësi i politikës së jashtme të SPD-së, Adis Ahmetoviç. Regjimi iranian duhet të rikthehet në tryezën e negociatave. Gjermania gëzon besim të madh në Lindjen e Mesme, edhe për shkak të rolit të saj në negociatat për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, sipas Ahmetoviç.

Trump do “kapitullim pa kushte”

Politikani i Partisë së Gjelbër dhe Zvendëspresidenti i Bundestagut, Omid Nouripour, tha për programin e mëngjesit të ARD, se i konsideron përpjekjet diplomatike “shumë të mira dhe të rëndësishme”. Ai beson se ky mund të jetë shansi i fundit “për të parandaluar shpërthimin e madh”. Ai vetë erdhi në Gjermani me familjen e tij nga Irani në moshën 13 vjeç.

Po ndërsa evropianët duan të flasin për programin bërthamor të Iranit që të përdoret vetëm për qëllime civile, Presidenti i SHBA-së Trump foli së fundmi për “kapitullim pa kushte”. Irani duhet ta braktisë plotësisht programin e tij bërthamor. “Ka shumë pasiguri tek kjo pikë”, thotë Nouripour. “Pra, pyetja është nëse evropianët do të negociojnë në një mënyrë që i kënaq amerikanët.”

Edhe pse diplomacia evropiane ka hasur shpesh në limitet e saj në të kaluarën, eksperti i politikës së jashtme Röttgen megjithatë i sheh bisedimet në Gjenevë si një mundësi, pasi situata e Iranit tani është e ndryshme dhe ekzistenca e regjimit të mullahëve është e kërcënuar. Ndoshta braktisja e programit bërthamor është aktualisht “e keqja më e vogël”, thotë Röttgen. “Regjimit duhet t’i jepet mundësia. Është mirë që evropianët ia ofrojnë atë.”

Trump merr vendim për TikTok-un

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shtyrë afatin e përdorimit të rrjetit social ‘TikTok’ për 90 ditë të tjera.

“Sapo kam nënshkruar Urdhrin Ekzekutiv që zgjat afatin për mbylljen e TikTok për 90 ditë (17 shtator 2025). Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!” shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Ai gjithashtu bashkëngjiti edhe vendimin e shtyrjes, të nënshkruar nga Shtëpia e Bardhë.

Historia e ndalimit të përdorimit të TikTok në Amerikë fillimisht lindi nga presidenti paraprak, Joe Biden, i cili nënshkroi vendimin që kërkonte që kompania që krijoi këtë rrjet social, Byte Dance, e cila është me origjinë kineze, ose të largohet nga kjo platformë ose të ndalohet për rrjetin amerikan.

Kjo ishte bërë për çështje të qasjes në të dhënat e përdoruesve amerikan.

 

 

 

Shtatë profesionet më të rrezikshme në botë

Ndërsa shumë prej nesh punojnë në ambiente të sigurta, të ulur pas një tavoline, ekzistojnë profesione ku çdo ditë përballesh me rrezik të vazhdueshëm.

Bazuar në një raport të vitit 2019 nga Byroja e Statistikave të Punës, këto janë shtatë nga profesionet më të rrezikshme në botë:

1. Mekanik automobilistik

Puna si mekanik kërkon durim, përqendrim dhe njohuri të thella teknike. Megjithatë, ky profesion përfshin ekspozimin ndaj substancave të rrezikshme si vaji i nxehtë, acidi i baterisë, ftohësit dhe lëngje të tjera industriale, të cilat mund të shkaktojnë dëmtime serioze shëndetësore.

2. Roje sigurie

Rojet e sigurisë mbrojnë individë, biznese apo asete të ndryshme. Ata përballen shpesh me rreziqe si grabitje, sulme apo situata me sjellje të dhunshme, çka i detyron të jenë në vigjilencë të vazhdueshme dhe të marrin vendime të shpejta nën presion.

3. Personeli ushtarak

Ky profesion është sinonim i rrezikut. Qoftë në terren në zona konflikti apo në role mbështetëse, çdo anëtar i ushtrisë përballet me kërcënime të vazhdueshme, nga sulmet e armatosura deri te ekspozimi ndaj kushteve ekstreme të motit dhe stresit mendor.

4. Elektricist

Elektricistët instalojnë dhe mirëmbajnë sistemet elektrike në ndërtesa, rrugë dhe objekte të tjera. Rreziku i kësaj pune qëndron te ekspozimi ndaj goditjeve elektrike, punës në lartësi, si dhe përdorimit të materialeve toksike në ambiente të pasigurta.

5. Pilot komercial

Pilotët komercialë mbajnë përgjegjësinë për sigurinë e pasagjerëve, ekuipazhit dhe ngarkesës. Ata përballen me presion të madh gjatë fluturimeve, sidomos në kushte atmosferike të vështira apo gjatë emergjencave teknike.

6. Shofer shpërndarjeje

Përveç lodhjes fizike nga drejtimi për orë të tëra dhe transporti i vazhdueshëm i mallrave, shoferët e shpërndarjes shpesh rrezikohen nga aksidentet rrugore dhe grabitjet, veçanërisht në zonat urbane me kriminalitet të lartë.

7. Punëtor ndërtimi

Ky është një ndër profesionet më të rrezikshme për shkak të natyrës fizike dhe dinamike të punës. Rreziqet përfshijnë rrëzimet nga lartësitë, goditjet me objekte të rënda, lëndimet nga makineritë dhe ekspozimi ndaj kushteve të papërshtatshme atmosferike.

 

 

Gjermania miraton eksporte të reja armësh për Izraelin

Qeveria e re gjermane ka miratuar eksporte armësh drejt Izraelit me vlerë afro 4 milionë euro gjatë pesë javëve të para të mandatit të saj, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria Federale e Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës. Këto eksporte u autorizuan midis 7 majit dhe 10 qershorit 2025, në përgjigje të një pyetje parlamentare të ngritur nga Partia e Majtë.

Izraeli ndodhet aktualisht nën akuza ndërkombëtare për gjenocid në Rripin e Gazës, çka e bën këtë vendim edhe më të ndjeshëm politikisht. Pavarësisht kësaj, Gjermania ka vijuar bashkëpunimin ushtarak me shtetin izraelit.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024 Gjermania ka eksportuar armë dhe pajisje ushtarake në Izrael në vlerë prej 161,1 milionë euro. Një vit më parë, në 2023, kjo shumë kishte arritur në 327 milionë euro,  një rritje dhjetëfish krahasuar me vitin 2022.

Vendimet për eksportet e armëve në Gjermani merren nga disa institucione shtetërore, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës, Ministrinë e Jashtme si dhe Zyrën Federale për Kontrollin e Eksportit (BAFA). Në raste të veçanta dhe të ndjeshme, vendimi kalon për miratim në Këshillin Federal të Sigurisë, ku bëjnë pjesë kancelari dhe disa ministra kyç.

Ndërkohë, autoritetet gjermane nuk ofrojnë informacion publik mbi eksportet e armëve që mund të realizohen përmes vendeve të treta, çka lë hapësirë për mungesë transparence në këtë proces.

Testi i ri i gjakut që zbulon kancerin vite përpara simptomave

Një zbulim premtues nga shkencëtarët amerikanë mund të revolucionarizojë mënyrën si diagnostikohet kanceri. Studiues nga Universiteti Johns Hopkins kanë zhvilluar një test gjaku që identifikon shenja të kancerit deri në tre vjet para se të shfaqen simptomat e para.

Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Cancer Discovery, ky test  i njohur si MCED (Multicancer Early Detection),  mund të zbulojë mutacione të ADN-së që lidhen me tumoret, duke ofruar mundësi për ndërhyrje të hershme dhe më efektive.

Testi u aplikua mbi mostra të mbledhura nga një studim i mëparshëm i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA. Nga 52 pjesëmarrësit, 26 u diagnostikuan me kancer brenda 6 muajve pas dhurimit të gjakut. Tetë prej tyre rezultuan pozitivë në testin MCED dhe shumica prej tyre u diagnostikuan me sëmundjen brenda katër muajsh.

Edhe më befasues ishte fakti që te disa prej këtyre individëve, mutacionet kancerogjene ishin të pranishme në mostrat e gjakut që ishin marrë më shumë se tre vjet përpara diagnostikimit.

“Zbulimi i hershëm ofron shanse më të mëdha për shërim,” theksoi Yuxuan Wang, bashkautor i studimit, ndërsa kolegu i tij Nicolas Papadopoulos shtoi: “Ky test mund të bëhet një mjet i rregullt për kontrollin vjetor të shëndetit.”

Studiuesit shpresojnë që, pas testimeve më të gjera, kjo metodë të kthehet në standard për diagnostikimin e hershëm të kancerit dhe të ndihmojë në reduktimin e rasteve fatale.

Shqipëria, e shtata në botë për çmimin më të lartë të naftës

Shqipëria është vendi i shtatë në botë për çmimin më të lartë të naftës.

Me mbi 2 dollarë për çdo litër karburant, ajo kryeson në Ballkanin Perëndimor me diferencë të fortë nga vendi i dytë Serbia.

Krahasuar me Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut apo Kosovën, një litër naftë në pikat e karburanteve në Shqipëri kushton gati dyfish më shumë.

Shqipëria renditet e pesta në kontinentin Evropian në drejtim të çmimit më të lartë të naftës, duke lënë pas vende si Norvegjia, Finlanda apo Irlanda. Në krye renditen Islanda, Lihtenshtaini dhe Danimarka.

Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është i përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria.

Në bursa çmimi është rritur disi, por nga ana tjetër dollari vijon të zhvlerësohet. Çmimet e karburanteve rrjedhimisht do duhej të ishin më të lira.

Shqipëria ka importuar këtë vit më shumë karburant se kurrë më parë. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në harkun e muajve janar maj u blenë nga jashtë gati 280 tonë karburant.

Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, importet janë zgjeruar me mbi 31 mijë tonë apo 12.8 për qind, raporton “A2CNN”, transmeton albinfo.ch.

Besimi në mediat në Zvicër është rritur gjatë vitit të fundit

Sipas raportit “Digital News Report 2025” nga Instituti Reuters, besimi i të rriturve në Zvicër ndaj lajmeve është rritur në 46%, duke shënuar një rritje prej 5 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin e kaluar.

Linards Udris, nga Instituti për Shkencën e Komunikimit dhe Hulumtimin e Medias në Universitetin e Cyrihut, shpjegon se, megjithëse ka një rritje të besimit në media, nuk mund të flitet për një trend të qartë afatgjatë. Ai thekson se nuk duhet ekzagjeruar kjo rritje e fundit, por është një tregues pozitiv që të dhënat për besimin në media janë mbledhur në Zvicër që prej vitit 2016. Ndërkombëtarisht, ku këto të dhëna mblidhen në rreth 50 vende, vërehet që besimi në media së paku nuk po bie më, duke sfiduar idenë se ai do të vazhdojë të zvogëlohet.

Interesant është edhe fakti se raporti tregon se interesimi i djemve për lajmet po rritet, por edhe këtu nuk mund të nxirret një përfundim i qartë apo një trend i fortë. Sipas Udrisit, është e rëndësishme të mos tejinterpretohet ky rezultat, pasi gjithashtu vërehet një tendencë që njerëzit po tërhiqen apo shpeshherë shmangin lajmet, ndonjëherë edhe me vetëdije, transmeton albinfo.ch.

Megjithëse duket paradoksale me rritjen e besimit, tendenca e shmangies së lajmeve duket se po qëndron afatgjatë. Rreth një e treta e atyre që shmangin lajmet kanë interes dhe besim në media, por thjesht ndihen të mbingarkuar ose ndjehen keq për shkak të ndikimit negativ që lajmet mund të kenë në humorin e tyre.

Nga ana tjetër, sfida mbetet përdorimi në rënie i lajmeve dhe gatishmëria e ulët për të paguar për to. Megjithatë, ekziston një shpresë te brezi i ri, i cili duket më i gatshëm të paguajë për lajme, çka ngre pyetjen nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të mbështetur financimin e gazetarisë në të ardhmen.

Interesi për lajmet dhe politikën është gjithashtu një nga arsyet kryesore pse njerëzit janë të gatshëm të paguajnë për informacion. Kjo thekson rëndësinë e edukimit politik dhe medial në shoqëri, si dhe nevojën për promovimin e njohurive mbi shkrirjen e informacionit të saktë nga ai i rremë, përmes arsimit dhe politikave sociale.

Rritje e ndjeshme e mashtrimeve me “policë të rremë” në Zvicrën frankofone

Në Zvicrën frankofone, rastet e mashtrimeve nga të ashtuquajturit “policë të rremë” janë rritur ndjeshëm. Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar afërsisht 1,000 raste. Kryesisht, autorët e këtyre mashtrimeve vijnë nga Franca dhe Afrika e Veriut.

Gjatë vitit 2024, në kantonet Gjenevë, Vaud, Friburg, Valais, Neuchâtel dhe Jura u raportuan rreth 800 raste të tilla, sipas statistikave të Policisë Kantonalë të Vaudit. Ndërsa këtë vit, vetëm në periudhën janar-maj, numri ka kaluar 1,000, transmeton albinfo.ch.

Vlera totale e dëmeve të shkaktuara për këtë periudhë kap më shumë se 3 milionë franga zvicerane, ndërsa gjatë vitit të kaluar dëmet arritën në 3.7 milionë franga.

Policia është alarmuar nga këto shifra dhe ka intensifikuar fushatat e parandalimit, të cilat po japin rezultate. Nga rastet e regjistruara këtë vit, më shumë se gjysma kanë qenë tentativa të dështuara, ndërsa dy të tretat e autorëve të identifikuar janë arrestuar.

Si funksionon mashtrimi?

Mashtruesit synojnë kryesisht personat e moshuar. Ata kërkojnë emra që duken tipikë për të moshuarit në katalogët telefonikë online. Mashtrohet fillimisht me një telefonatë, ku “polici i rremë” u thotë viktimave një lajm të rremë dhe alarmues për të marrë paratë apo sendet me vlerë.

Më pas, një person tjetër që pret në banesën e viktimës paraqitet si kolegu i “policit” dhe merr kartat bankare, paratë dhe bizhuteritë. Gjatë gjithë kohës, viktima nuk lihet vetëm dhe përpiqen të mos i lënë të kontaktojnë familjen apo policinë për të verifikuar informacionin.

Sipas autoriteteve, shumica e personave që telefonojnë janë nga Franca ose Afrika e Veriut, të cilët rekrutojnë “kurierë” në Zvicër për të marrë sendet e vjedhura. Këta “kurierë” paguhen me disa qindra deri në mijëra franga për disa ditë pune dhe zakonisht nuk bëjnë pyetje.

Megjithë përpjekjet, fenomeni vazhdon sepse sa herë arrestohen disa, vijnë të tjerë të rinj.

 

Rritje e rasteve të ankthit dhe depresionit pas Covid 19

Një në gjashtë persona në Evropë jeton me një çrregullim të shëndetit mendor, ndërsa një në tre prej atyre që vuajnë prej tij nuk marrin trajtimin që u nevojitet, deklaruan studiuesit në konferencën e organizuar nga OBSH.

Edhe më dramatike janë të dhënat që lidhen me psikozën: një në katër persona që vuajnë prej saj nuk kanë qasje në trajtim ose një rrugë kujdesi.

Takimi pa përfaqësues nga 31 vende të nënshkruanin një angazhim të përbashkët: ta bëjnë shëndetin mendor një komponent strukturor të të gjitha politikave publike.

Me pandeminë Covid-19, rastet e ankthit dhe depresionit janë rritur me 25%, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Në Rajonin Evropian të OBSH-së, pasojat janë të dukshme veçanërisht midis grupeve më të prekshme: 11% e adoleshentëve kanë sjellje problematike që lidhen me mediat sociale, një në katër vajza 15-vjeçare deklaron se ndihen të vetmuara pothuajse gjithmonë, dhe e njëjta gjë vlen edhe për një në katër 60-vjeçarë.

Ndër të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç, vetëvrasja është shkaku kryesor i vdekjes.

Përballë kësaj, mbetet një mungesë serioze e profesionistëve të shëndetit mendor. Gjatë konferencës së Parisit, delegatët miratuan “Deklaratën e Parisit”, një dokument që përshkruan udhëzime të përbashkëta.

Shëndeti mendor, është mesazhi që del, njihet si një përgjegjësi kolektive, e cila kërkon veprim të koordinuar në sektorët e arsimit, punës, planifikimit urban, medias, drejtësisë dhe kulturës.

Ndër prioritetet: përfshirja e pacientëve në proceset e vendimmarrjes, promovimi i hapësirave publike që nxisin përfshirjen dhe mirëqenien mendore, dhe sigurimi i shkrim-leximit dixhital për përdorim të sigurt të internetit dhe mediave sociale.

“Kur e ndërthurim mirëqenien mendore në çdo vendim, bëjmë shumë më tepër sesa thjesht lehtësojmë vuajtjet: ndezim dinjitet, shpresë dhe mundësi për të gjithë”, thekson drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge.

Trump i jep Iranit afat dy-javor para vendimit përfundimtar

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se do të marrë një vendim përfundimtar brenda dy javësh lidhur me një mundësi për ndërhyrje ushtarake ndaj Iranit.

Duke folur përmes një deklarate të lexuar nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, Trump tha se do t’i japë hapësirë përpjekjeve diplomatike para se të vendoset për përfshirjen e SHBA-së në konfliktin që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme.

“Duke pasur parasysh mundësinë reale të negociatave me Iranin në të ardhmen e afërt, do të vendos nëse do të veprojmë ushtarakisht apo jo, brenda dy javëve,” thuhet në deklaratë.

Këto komente vijnë në një kohë kur Irani ka filluar të godasë Izraelin, pas sulmeve të fundit izraelite ndaj bazave ushtarake dhe bërthamore iraniane. Burime të afërta me administratën amerikane kanë treguar se Trump është i prirur të mbështesë një përfshirje të SHBA-së në konflikt, nëse negociatat nuk japin rezultat.

Ushqimet që nuk duhet të konsumohen në plazh

Në plazh duhet të shmangni ushqimet që prishen shpejt në nxehtësi, si djathi, sallamrat, vezët, patatet e skuqura, produktet me qumësht, brioshet dhe ushqimet e përpunuara. Këto mund të shkaktojnë probleme me tretjen dhe janë jo të shëndetshme në temperatura të larta.

Rekomandohet të konsumoni fruta të freskëta, sallata të thjeshta dhe akullore, që janë më të lehta dhe ndihmojnë në hidratim. Për fëmijët, është më mirë të evitohen ushqimet e skuqura dhe biskotat, duke zgjedhur drithëra ose fruta.

Gjithashtu, evitoni pijet e gazuara dhe çamçakëzin, pasi shkaktojnë fryrje të barkut dhe shqetësime të tjera. Kujdesi në zgjedhjen e ushqimit do t’ju ndihmojë të kaloni një ditë më të këndshme dhe të shëndetshme në plazh.

 

Shaqiri, më i miri te Baseli

Xherdan Shaqiri është shpallur lojtari më i mirë i Baselit për edicionin 2024/2025.

Ai fitoi me 66 për qind të votave. Baseli ka zgjedhur një mënyrë të veçantë t’i gëzojë shikuesit që kanë marrë pjesë në sondazh.

Baseli ka vendosur t’i dhurojë 25 fanella me ngjyrë ari të vendosura në kornizë dhe të nënshkruara nga ylli dhe kapiteni i Baselit, Xherdan Shaqiri.

Fanellat për shënimin e 131-vjetorit të themelimit të klubit, ishin shitur plotësisht, transmeton albinfo.ch.

Shaqiri fitoi titullin dhe Kupën me Baselin, duke kurorëzuar një edicion shumë të suksesshëm.

33-vjeçari u kthye te Baseli në gusht të vitit 2024.

Ai e mbylli edicionin 2024/2025 me 21 gola dhe 22 asistime në 39 ndeshje në Superligë dhe Kupë të Zvicrës.

Me Baselin ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.

Gjenevë: Hapet qendra e re federale për azilkërkuesit pranë aeroportit

Qendra e re Federale për Azilkërkuesit në Grand-Saconnex, e cila është pritur me kritika nga grupet për të drejtat e migrantëve, hapi zyrtarisht dyert të hënën. Të mërkurën, disa media patën mundësinë të vizitojnë ambientet për të siguruar transparencë, sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM).

“Ky qendër bën pjesë në reformën e sistemit të azilit që u miratua nga popullsia zvicerane në vitin 2016, përfshirë edhe në kantonin e Gjenevës,” u shpreh zëdhënësja e SEM-it, Anne Césard. Qendra përmban 250 vende akomodimi nga gjithsej 5,000 që planifikohen në gjithë vendin, ku një e katërta ndodhen në Zvicrën frankofone. “Këto vende janë të nevojshme,” theksoi ajo, transmeton albinfo.ch.

Ndërtimi i ri, me një kosto prej rreth 27 milionë frangash zvicerane, ndodhet pranë aeroportit të Gjenevës, afër autostradës, në një tokë të kantonit.

Personat që aplikojnë për azil do të qëndrojnë aty për një periudhë maksimale prej 140 ditësh, me përjashtim të të miturve të pashoqëruar. “Për kantonin, kjo do të thotë më pak persona që kalojnë në procedura të gjata,” sqaroi Césard.

Hapja e qendrës u shoqërua edhe me protesta nga qytetarë dhe aktivistë që kundërshtojnë vendndodhjen dhe kushtet e pritjes për azilkërkuesit.

 

 

Identiteti elektronik shtetëror në Zvicër: Fillon fushata pro ligjit të ri, votimi më 28 shtator

Një aleancë e gjerë parlamentare në Zvicër ka nisur fushatën në mbështetje të ligjit të ri për identitetin elektronik (e-ID), i cili do t’i nënshtrohet votimit popullor më 28 shtator 2025. Projektligji parashikon krijimin e një identiteti dixhital tërësisht në pronësi dhe nën administrimin e shtetit, pas refuzimit të një versioni të mëparshëm privat në vitin 2021.

Sipas mbështetësve të tij, ky sistem i ri do të ofrojë një infrastrukturë të sigurt dhe moderne, duke mundësuar përdorim të thjeshtë dhe universal për shërbime qeveritare. Të dhënat do të ruhen në mënyrë të decentralizuar në pajisjet mobile të përdoruesve dhe jo në një bazë të dhënash qendrore shtetërore. Përdorimi i e-ID-së do të jetë falas dhe vullnetar.

Zyrtarë nga të gjitha partitë politike kanë theksuar rëndësinë kombëtare të projektit dhe përfitimet për qytetarët, bizneset dhe administratën publike si përmirësimi i proceseve dixhitale, reduktimi i burokracisë dhe forcimi i konkurrencës, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, disa parti dhe grupe kundërshtare, përfshirë UDF-në, të rinjtë e UDC-së, Miqtë e Kushtetutës dhe grupe të tjera, kanë ngritur shqetësime për mbikëqyrje dixhitale dhe ndikimin e korporatave private në infrastrukturën teknologjike, duke theksuar se kontrolli shtetëror mund të jetë i rremë.

Komiteti kundër ligjit ka dorëzuar mbi 60 000 firma për të kërkuar referendum, çka tregon ndasi të qarta brenda opinionit publik.