Në Gjermani hapet edhe një klasë e re për mësimin e gjuhës shqipe në Eggenfelden

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSh-i) në Bavari, shoqatë që ka për mision rritjen e numrit të nxënësve dhe hapjen e klasave të reja me mësim plotësues në gjuhën shqipe, e cila vazhdon pandërprerë përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare ndër fëmijët e mërgatës shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Në qytetin Eggenfelden, në Landin e Bavarisë, ku u hap një klasë e re me mësim plotësues në gjuhën shqipe. Kjo u arrit falë përkushtimit të koordinatorit Uran Statovci dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin shqiptar në këtë zonë.

Në ceremoninë inauguruese morën pjesë Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih, znj. Gentiana Mburimi, si dhe Kryetari i Bashkisë së Eggenfeldenit, z. Martin Bieber. Znj.

Mburimi falënderoi koordinatorin Statovci dhe komunitetin shqiptar, të cilët pas gjashtë vitesh përpjekje arritën të hapin këtë pikë të re shkollore. Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje të veçantë ndaj z. Bieber për mbështetjen e pakursyer ndaj komunitetit shqiptar, duke e cilësuar bashkëpunimin si të shkëlqyer dhe duke përmendur lidhjet e hershme të kësaj qyteze me Shqipërinë.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe gazeta regjionale gjermane “Passauer Neue Presse – PNP”, e cila pritet të pasqyrojë lajmin për këtë hapje në faqet e saj.


Falënderime të veçanta iu drejtuan edhe mësueses Hatmane Thaçi, e cila ka qenë e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për realizimin e kësaj iniciative.


Nxënësit dhe mësuesja u pajisën me libra shkollorë, dhe informojmë të gjithë bashkëkombësit se mësimi në gjuhën shqipe zhvillohet çdo të premte nga ora 14:00 deri në 15:30, adresën: Stadtplatz 1, 84307 Eggenfelden

Gjithçka gati për “Alba Festival”, a jeni gati edhe ju?

Po afrohet Alba Festival 2025 me line-up-in më të fuqishëm ndonjëherë , festa mbarëshqiptare në zemër të Cyrihut

Nga 21 deri më 22 qershor 2025, në qendër të Cyrihut do të mbahet festivali më i madh i muzikës shqiptare në diasporë  “Alba Festival”.

Për dy ditë me radhë, një numër i madh artistësh shqiptarë do të performojnë për të argëtuar mijëra të rinj nga Zvicra, Evropa dhe më gjerë.

Në një intervistë për albinfo.ch, organizatori Adem Morina theksoi se “këtë vit, planifikimi i festivalit ka qenë më i qetë dhe më i strukturuar se kurrë më parë”, duke shtuar se line-up-i i këtij edicioni është më i miri ndonjëherë.

Artisti më i rëndësishëm  i alba Festival-it të këtij viti është Topic, një DJ me famë botërore nga Gjermania. DJ-i 33-vjeçar i muzikës Electronic Dance, i njohur për hitet ndërkombëtare si “Breaking Me” (me pothuajse 1 miliard dëgjime në Spotify) apo “Your Love” (mbi 500 milionë dëgjime në Spotify), jeton dhe prodhon muzikë në Dubai.

Pjesë e artistëve kryesorë janë edhe:

Adelina Ismaili, mbretëresha e pop-it shqiptar, ish-Miss Kosova dhe anëtare jurie në “Albanians got Talent”;

Azet, reperi gjerman me prejardhje shqiptare, anëtar themelues i grupit KMN dhe i njohur për performancat plot energji me hite si “Qa Bone”;

Gimi-O, një nga emrat më premtues të skenës shqiptare të trap-it;

Trim Ademi aka Capital T, superyll nga Kosova që e mori emrin artistik nga nofka “Trimush”;

Ukay, cloud-rapper i njohur për tingujt e tij melankolikë dhe të qetë.

Për tinguj më  emocionalë do të kujdesen:

Alban Skenderaj, kantautor dhe ish-anëtar jurie në “The Voice of Albania”, i njohur për baladat “Dikur” dhe “Duart lart”;

Xhensila Myrtezaj, këngëtare që u bë e njohur përmes talent-show-it “Ethet e së premtes mbrëma”.

Përsëri në skenën e alba Festival-it ngjitet Ledri Vula, fitues i “My Music Hit of the Year Award” dhe një nga artistët më të dashur për publikun në Ballkan.

Moderatorja e festivalit është sërish influencerja e njohur Mimoza Lekaj (@mimoza).

Artistët që ndezin skenën në 2025

Line-Up 2025

E shtunë, 21 qershor 2025:

Adelina Ismaili, Capital T, DJ Flow, Fero, Geasy, Ledri Vula, Lumi B, Mozzik, PINT, Singullar dhe Ukay

E diel, 22 qershor:

Alban Skenderaj, Azet, Bruno / Klajdi / Miri / DJ Vicky, DJ Flow, Era Istrefi, Gimi-O, Topic dhe Ukay, Xhensila Myrtezaj dhe Yll Limani

Organizim dhe siguri në nivel të lartë

Festivali mbahet në adresën Militärstrasse 45, 8004 Zürich, në zonën e njohur si Kasernenareal, dhe është i hapur për pjesëmarrës mbi moshën 18 vjeç. Organizatorët kanë vendosur masa të qarta sigurie: nuk lejohen pije të sjella nga jashtë, çantat kontrollohen në hyrje dhe rekomandohet përdorimi i transportit publik për të arritur në vendin e ngjarjes.

Biletat janë të disponueshme online në faqen zyrtare: www.alba-festival.ch

Një traditë që vazhdon, përtej sfidave

Pas mungesave në vitet 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë, si dhe anulimit të edicionit të vitit 2023 për arsye organizative, Alba Festival u rikthye vitin e kaluar, duke sfiduar edhe reshjet e shiut. Megjithatë, të rinjtë nuk u ndalën së festuari në ritmet e muzikës shqiptare. Këtë vit pritet një atmosferë edhe më entuziaste dhe një pjesëmarrje rekord në zemër të Cyrihut, ku artistët më të njohur shqiptarë do të ngjiten në skenë për dy ditë me radhë..

Si do që të jetë “Alba Festival” është rikthyer fuqishëm në kalendarin kulturor të shqiptarëve në Zvicër dhe Evropë.

 

Itali: Futbollisti shqiptar vdes aksidentalisht

Mediat e huaja shkruajnë se një  klub i futbollit është në zi pasi lojtari i tyre ra nga çatia e një lokali në qendër të Adelaides, shkruan “Daily Mail”, përcjell albinfo.ch.

Bëhet fjalë për Mario Bacajn, 28-vjeçar, që duhej të luante për skuadrën e futbollit Adelaide Eagles më 15 qershor, por rreth orës 10 e 15 në mëngjes, ai shkroi në grupin e ekipit të tij se nuk ndihej mirë dhe nuk do të mund të luajë.

Disa orë më vonë, bashkëlojtarët e tyre pranuan lajmin tronditës se Bacaj vdiq pasi ra nga çatia e një ndërtese tetëkatëshe rreth orës 4 pasdite.

“Jemi të shkatërruar”, ka thënë një person i afërt me klubin. “Ai është shqiptar, i rritur në Itali. Ai e ka dashuruar futbollin. Ishte djalë i lumtur, djalë i bukur  thuajse më i përkryeri në komunitetin tonë. Kemi luajtur me të çdo javë”.

Bacaj kishte banuar në Adelaide për disa vjet, ka punuar dhe studiuar, dhe ishte në prag të marrjes së lejes së ndërtimit.

Të hënën, bashkëlojtarët me zemër të thyer u mblodhën te vendi i ngjarjes tragjike, dhe kanë lënë lule të bardha në shenjë respekti.

“Pushofsh në paqe, Mario”, shkruante në shqip në njërën prej letrave të lëna aty.

Policia dhe shërbimet e emergjencës e kanë rrethuar vendin të dielën pasdite, ndërsa ishte ndërprerë qarkullimi për disa orë për shkak të hetimit të rastit.

Është mësuar se Bacaj ka shkuar tek ai vend i vetëm dhe vdekja e tij nuk po trajtohet si e dyshimtë.

Instagram sjell risi të mëdha me përditësimin më të fundit

Instagram po përgatitet për disa ndryshime të rëndësishme që synojnë të përmirësojnë mënyrën si përdoruesit ndërveprojnë me përmbajtjen dhe platformën në përgjithësi.

Një nga risitë më të mëdha është integrimi i aplikacionit me Spotify brenda seksionit “Notes”. Tashmë, përdoruesit do të mund të ndajnë automatikisht këngët që po dëgjojnë, pa pasur nevojë t’i shtojnë manualisht si më parë. Ky funksion i ri do të sinkronizohet në kohë reale me Spotify dhe do të përditësohet sa herë që kënga ndryshon. Kjo sjellje e re është një zgjerim i funksionit “Shto në Spotify”, që u prezantua më herët, dhe pritet të forcojë më tej lidhjen mes dy platformave.

Përveç kësaj, Instagram po teston edhe disa përmirësime që kanë të bëjnë me kontrollin më të madh mbi profilin personal. Një nga opsionet që do të bëhet së shpejti i disponueshëm është organizimi i postimeve sipas dëshirës, pa u kufizuar në rendin kronologjik. Kjo është veçanërisht e dobishme për krijuesit e përmbajtjes dhe për markat që dëshirojnë të menaxhojnë në mënyrë strategjike pamjen e profilit të tyre.

Ndërkohë, Instagram ka filluar të zgjerojë testimin e funksionit për publikimin e Reels, që u mundëson krijuesve të shohin paraprakisht performancën e videove të tyre përpara se t’i ndajnë me publikun. Sipas platformës, kjo veçori ka rezultuar efektive dhe ka çuar në një rritje prej 40% të numrit të postimeve ndër përdoruesit e përfshirë në testim.

Të gjitha këto ndryshime janë pjesë e një iniciative më të madhe të quajtur “Sidoqoftë”, e cila ka për qëllim të ulë stresin dhe presionin që shpesh lidhet me përdorimin e rrjeteve sociale. Ideja është të inkurajohet një mënyrë më e lirshme dhe krijuese për të ndarë përmbajtje.

Një tjetër lajm i rëndësishëm është se kompania Meta ka filluar të punojë në një version të dedikuar të Instagram për iPad. Pas shumë kërkesave nga përdoruesit, kjo nismë synon të ofrojë një përvojë më të mirë për ata që përdorin tabletët e Apple, duke u bashkuar me pajisjet Android që tashmë e mbështesin këtë platformë.

Në cilat vende punojnë pensionistët pas daljes në pension

Një qëllim jetësor për disa, një fillim i ri për të tjerët. Perceptimi dhe qëndrimi ndaj daljes në pension ndryshojnë gjerësisht në të gjithë Bashkimin Evropian, me, në disa raste, shkallë marramendëse të pensionistëve që vendosin të qëndrojnë aktivë edhe pasi të kualifikohen për pension pleqërie.

Mesatarja në të gjithë bllokun midis sipërmarrësve dhe punonjësve është 40%, sipas të dhënave të Eurostat të publikuara në qershor. Shumica dërrmuese e pensionistëve që vazhdojnë të punojnë janë të vetëpunësuar (56%), me një shkallë më të vogël, megjithëse ende relevante, midis punonjësve (24%).

Estonia dhe Islanda dallohen si vendet me përqindjen më të lartë të pensionistëve që punojnë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Suedia ka deri tani sipërmarrësit më të zellshëm në pension. Pothuajse të gjithë (98.4%) vazhdojnë të punojnë pasi të marrin pensionin e tyre të pleqërisë. Shkalla të mëdha edhe në Finlandë dhe Irlandë, afër 90%.

Përkundrazi, në Spanjë dhe Greqi, shumica dërrmuese preferojnë të shijojnë daljen në pension, dhe vetëm rreth një në pesë sipërmarrës mbeten aktivë (18% në Spanjë dhe 20% në Greqi).

Në disa vende, pensionistët e punësuar punojnë po aq orë ose më shumë sesa punëtorët e zakonshëm.

Pothuajse 39 në Bullgari, 38.5 në Greqi, 35.8 në Lituani dhe 35.7 në Qipro, normat më të larta në BE. Por shumica e pensionistëve që vazhdojnë të punojnë preferojnë opsione me kohë të pjesshme (57%).

Cilët punëtorë kanë më shumë gjasa të vazhdojnë të punojnë pasi të marrin një pension pleqërie?

Norma është më e lartë midis menaxherëve (40.1%) dhe punëtorëve të kualifikuar të bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit (40.1%). Shitësit (32.2%) dhe teknikët (30.3%) gjithashtu kanë përpjesëtime të konsiderueshme.

 

Euromillions: Fituesi me fat rrëmben çmimin e madh prej 233 milionë frangash zvicerane

Pas disa javësh ku çmimi i parë i lotarisë Euromillions mbeti pa fitues, të martën në mbrëmje dikush arriti të rrëmbejë një shumë të jashtëzakonshme prej më shumë se 233 milionë frangash zvicerane.

Fituesi me fat luajti numrat 13, 22, 23, 44, 49 dhe yjet 3 dhe 5, duke fituar kështu çmimin e madh prej 233,712,750 frangash, transmeton albinfo.ch.

Në total, ky ishte çmimi më i madh i fituar deri më tani në Euromillions këtë vit, duke u ngjitur pranë rekordit prej 239 milionë frangash të fituar më 28 mars.

Shuma e çmimit të parë nuk mund të rritej më tej për shkak të kufirit maksimal të përcaktuar në lotarinë evropiane.

Përveç fituesit kryesor, edhe tre lojtarë të tjerë patën fatin të fitojnë çmime nga 8.4 milionë franga secili, pasi gjetën pesë numra dhe një yll.

 

A mundet të qëndrojë Asllani tek Interi?

Mesfushori shqiptar Kristjan Asllani mund të qëndrojë tek Interi.

Ai pritet ta nisë titullar në ndeshjen e parë të Interit te Botërori i klubeve, transmeton albinfo.ch.

Zikaltrit do të përballen me Monterejn, më 18 qershor në orën 03:00.

Mediat në Itali e projektojnë nga minuta e parë në formacionin e Christian Chivu, që në anën tjetër do e ketë debutim.

Kjo është mundësi për Asllanin, që të tregojë aftësitë para trajnerit të ri.

Kujtojmë se u bashkua me vonesë me grupin, për shkak të angazhimit te Kombëtarja shqiptare.

Zbulohet shkaku i black-out-it masiv në Spanjë dhe Portugali

Më 28 prill, Spanja dhe Portugalia u përballën me një ndërprerje masive të energjisë elektrike që zgjati disa orë, duke shkaktuar kaos në transport dhe komunikime. Një raport i publikuar nga qeveria spanjolle të martën tregon se shkaku ishte një valë e fortë e rrymave (power surges) që nxiti një “reakcion zinxhir” ndërmjet dispeçerëve dhe disa kompanive energjetike, të cilat ndërprenë në mënyrë të papërshtatshme furnizimin për të mbrojtur instalacionet e tyre.

Ministrja e Tranisit Ekologjik, Sara Aagesen, theksoi se incidenti kishte shkaqe të ndryshme dhe përfshinte “gabime në vlerësim” nga operatori i rrjetit elektrik spanjoll (REE), i cili atë ditë kishte planifikuar një sistem shumë të dobët. Në 30 minutat para ndalimit të energjisë, u regjistruan dy oscilacione të fuqishme elektrike, pasuar nga tri incidente në stacionet elektrike në jug të Spanjës.

Raporti përjashton hipotezat e sulmit kibernetik dhe problemeve nga prodhimi i tepërt i energjisë diellore, por evidenton dobësi në sistemin e kontrollit dhe sigurisë së rrjetit, për të cilat pritet të merren masa përmirësuese.

Derisa nuk janë vendosur përgjegjësitë për këtë ngjarje, komisioni hetimor, i krijuar pas incidentit, ka përshpejtuar punën dhe është mbledhur disa herë për të përgatitur raportin. Ministrja Aagesen u shpreh se tani ka një kuptim të qartë të shkaktes dhe do të ndërmerren hapa për të parandaluar përsëritjen e një fatkeqësie të tillë.

 

Gjermania do të hapë llogari pensioni për çdo fëmijë nga mosha 6-vjeçare

Nga viti 2026, shteti gjerman do të nisë një nismë të re pensionale për fëmijët që ndjekin shkollën, duke vendosur çdo muaj nga 10 euro në një llogari të veçantë pensioni për secilin prej tyre.

Ky program, i quajtur “pensioni me fillim të hershëm” (Frühstart-Rente), është pjesë e marrëveshjes së koalicionit mes Unionit konservator dhe Socialdemokratëve, dhe synon të nxisë kursimin për pleqëri që në moshë të vogël.

Si funksionon?

Fëmijët nga mosha 6 deri në 17 vjeç që ndjekin shkollën në Gjermani do të përfitojnë 10 euro çdo muaj në një llogari pensioni personale.

Paratë do të jenë të pa taksueshme dhe nuk do të jenë të disponueshme deri në moshën e daljes në pension.

Pas moshës 18-vjeçare, shteti nuk do të bëjë më pagesa, por prindërit ose vetë të rinjtë mund të vazhdojnë kontributet me dëshirë, transmeton albinfo.ch.

Llogaritë do të jenë të mbrojtura nga ndërhyrjet e shtetit.

Sa mund të përfitohet?

Në 12 vite, një fëmijë do të ketë përfituar 1,440 euro pa përfshirë interesin.

Sipas përllogaritjeve të Sparkasse, nëse investimi sjell një fitim mesatar prej 8% në vit, kjo shumë mund të rritet në:

107,000 euro në moshën e pensionit (67 vjeç) pa kontribute shtesë.

Deri në 175,000 euro nëse kontribuohet vazhdimisht me 10 euro në muaj pas moshës 18.

Dilemat dhe kritikat

Ekspertët financiarë shprehen skeptikë për ndikimin real të nismës në edukimin financiar të të rinjve.

Johannes Geyer nga DIW Berlin tha se kur paratë jepen pasivisht, nuk përmirësohet domosdoshmërisht aftësia për të menaxhuar financat.

Christoph Schmidt nga Instituti RWI e cilësoi idenë si “me qëllim të mirë”, por me përfitime të kufizuara praktike.

Megjithatë, shumë prindër dhe fëmijë do ta mirëpresin këtë gjest si një hap pozitiv për të ardhmen.

 

 

Parlamenti zviceran rrezikon ta shfuqizojë pagën minimale në Gjenevë

Parlamenti zviceran ka votuar këtë javë në favor të dhënies së përparësisë marrëveshjeve kolektive të punës (CLA) mbi pagat minimale të përcaktuara nga kantonet, një vendim që mund të çojë në shfuqizimin e pagës minimale më të lartë në Zvicër asaj të Gjenevës.

Kantoni i Gjenevës ka vendosur një pagë minimale prej 25 euro në orë, ndërsa kantoni i Neuchâtel 21 euro. Të dyja janë miratuar më parë përmes referendumeve popullore. Megjithatë, me vendimin e Këshillit Kombëtar, ekziston rreziku që këto paga të hiqen nëse edhe Këshilli i Shteteve mbështet nismën. Në një hap të mëtejshëm, çështja mund të dërgohet në votim kombëtar, transmeton albinfo.ch.

Zvicra, ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, nuk ka një pagë minimale kombëtare. Në vend të saj, paga dhe kushtet e punës rregullohen përmes CLA-ve, të cilat përfshijnë jo vetëm pagat, por edhe pushimet, pensionet dhe mbrojtjen nga pushimi nga puna.

Vendimi ka ngjallur reagime të ashpra nga sindikatat, të cilat e kanë cilësuar si një “sulm ndaj demokracisë”, duke thënë se ai e bën të pavlefshme vullnetin popullor. Nga ana tjetër, grupet e biznesit e kanë përshëndetur vendimin, duke e konsideruar si një hap në drejtim të forcimit të modelit të partneritetit social zviceran.

 

Vazhdon rritja e numrit të turistëve në Shqipëri

Turizmi në Shqipëri njeh rritje jo vetëm në shifrat e turistëve që e vizitojnë nga viti në vit, por edhe se ata po qëndrojnë më gjatë.

Të dhënat e strukturave akomoduese të publikuara nga INSTAT tregojnë se në muajin prill 2025, u shënua rritje e ndjeshme e vizitorëve dhe netëqëndrimeve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, shkruajnw mediat shqiptare, pwrcjell albinfo.ch.

Sipas INSTAT, netqëndrimet gjithsej për turistët e huaj që vizituan Shqipërinë gjatë muajit prill rezultojnë se u rritën me 23%.

Referuar statistikave, në prill 2025, shumica e vizitorëve që u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri erdhën nga Italia 16%, Kosova 14%, dhe Gjermania 8%. Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar kontribuan përkatësisht me 7% dhe 6% të vizitorëve, ndërsa 49% e tyre ishin nga vende të tjera.

Të dhënat reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës.

Gjatë kësaj periudhe thekson INSTAT, fluksi turistik duket se ka qenë i shpërndarë kryesisht në rajonin qendror. Sipas INSTAT, rritja më e madhe e vizitorëve jorezidentë u shënua në zonat jobregdetare, me 8,5%, pasi kjo periudhë korrespondon me periudhën e dimrit dhe të pranverës.

Zvicra përballet me rritje rekord të bllokimeve në trafik, mbi 55 mijë orë në vitin 2024

Në vitin 2024, në rrugët kombëtare të Zvicrës janë regjistruar mbi 55,500 orë bllokime trafiku, duke shënuar një rritje prej gati 14% krahasuar me një vit më parë. Këto të dhëna u publikuan nga Zyra Federale për Rrugët (Astra), e cila njoftoi se shkaku kryesor i kësaj situate mbetet trafiku i rënduar, ndërsa vetëm 4% e bllokimeve vijnë nga punimet rrugore.

Megjithëse rrugët kombëtare përbëjnë vetëm 4% të gjithë rrjetit rrugor në vend, ato përballojnë mbi 40% të volumit të qarkullimit, me 29.8 miliardë kilometra të përshkuara nga automjetet në vitin që lamë pas, transmeton albinfo.ch.

Astra thekson se rritja e bllokimeve është një sinjal i qartë se rrjeti rrugor po arrin kufijtë e kapacitetit të tij. Për këtë arsye, po ndërmerren masa të reja për menaxhimin e trafikut dhe mirëmbajtjen afatgjatë të rrjetit rrugor.

Ndërkohë, ETH Cyrih është duke analizuar projektet e ardhshme të zgjerimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Rezultatet priten në tremujorin e tretë të këtij viti dhe pritet të ndikojnë në vendimmarrjen për politikat e transportit në të ardhmen.

 

Italia zbaton ndalimin e telefonave edhe për nxënësit e shkollave të mesme

Pas pushimeve verore, nxënësit e shkollave të mesme në Itali nuk do të mund të përdorin më telefonat celularë gjatë orëve mësimore, sipas një vendimi të ri të Ministrisë së Arsimit.

Ndalesa, e cila më parë aplikohej kryesisht për nxënësit më të rinj, tani do të zgjerohet edhe për maturantët. Vendimi përjashton rastet e veçanta kur telefoni është i domosdoshëm për shkak të nevojave specifike ose aftësive të kufizuara të nxënësit, transmeron albinfo.ch.

Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, pjesë e partisë Lega, deklaroi se qëllimi është krijimi i një mjedisi më të qetë në klasa dhe rikthimi i përqendrimit tek mësimi. Ai iu referua studimeve të ndryshme që sugjerojnë se përdorimi i tepërt i pajisjeve celulare ndikon negativisht në shëndet dhe rezultatet shkollore.

Në mënyrë formale, Italia ka pasur një politikë të ndalimit të celularëve në shkolla, por zbatimi i saj nuk ka qenë gjithmonë i rreptë. Kjo nismë e re synon të forcojë zbatimin dhe të shmangë shpërqendrimet në klasë.

Ministria, që tani mban emrin “Ministria e Arsimit dhe Meritës” si pjesë e vizionit të qeverisë aktuale për të theksuar rëndësinë e arritjeve individuale, vazhdon të promovojë një qasje më rigoroze ndaj disiplinës në sistemin arsimor.

 

 

 

Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?

Tashmë është zyrtare. Pas tre vjetësh radhazi në krye të listes vjetore të përpiluar nga Economist Intelligence Unit (EIU), kryeqyteti austriak është lënë pas nga Kopenhaga.  Kryeqyteti i Danimarkës ka zënë vendin e parë në renditjen e qyteteve më të mirë për të jetuar në botë për vitin 2025, transmeton albinfo.at

ElU, renditi 173 qytete në mbarë botën duke u bazuar në disa faktorë, përfshirë kujdesin shëndetësor, arsimin, stabilitetin, infrastrukturën dhe mjedisin. Kopenhaga triumfoi pasi mori vlerësime “të përkryera” për stabilitetin, arsimin dhe infrastrukturën, ndërsa Vjena u rendit e dyta, për të vijuar me vendin e tretë, Cyrihun. Melburni i Australisë u rendit i katërti, ndërkohë Gjeneva e Zvicrës, e pesta në listë.

Ku humbi pikë Vjena?

Edhe pse Vjena ruajti rezultate të larta në shumicën e kategorive, ajo pësoi një rënie të ndjeshme në vlerësimin për stabilitetin,  faktor ky që ndikoi drejtpërdrejt në humbjen e vendit të parë. Në të kundërt, Kopenhaga mori vlerësime të larta dhe të qëndrueshme në të gjitha kategoritë.

Sipas raportit, rënia e “fortë dhe e papritur” në pikët e Vjenës për stabilitetin i atribuohet një kërcënimi me bombë të një 19 vjeçari, i arrestuar si i dyshuar, si simpatizant i IS-së gjatë një koncerti të Taylor Swift verën e kaluar, që çoi në anulimin e aktivitetit. Po ashtu, plani për të sulmuar me bombë në stacionin kryesor të Vjenës(Hauptbahnhof) i cili ndodhi në fillim të vitit 2025, ishin arsyet kryesore për rënie të pikëve që Vjena mori në fushën e stabilitetit, shkruajnë mediat austriake, transmeton albinfo.at.

“Indeksi Global i Jetëshmërisë 2025” i përpiluar nga departamenti i kërkimit dhe analizës së Grupit Ekonomist të quajtur EIU (Njësia e Inteligjencës Ekonomiste) përfshinë 173 qytete në të gjithë botën dhe vlerësohen bazuar në 30 tregues në pesë kategori.

Rregullat e reja të Spanjës për turistët: Kufizime të ashpra nga pijet alkoolike te grupet turistike

Spanja vazhdon të jetë destinacioni më i preferuar i pushimeve për turistët britanikë, me një rekord prej 94 milionë vizitorësh në vitin 2024, ku britanikët zënë pjesën më të madhe. Megjithatë, reagimet e banorëve vendas ndaj turizmit masiv po shtohen, me shqetësime për mbipopullimin dhe ndikimin në çmimet e banesave përballueshme.

Më 15 qershor 2025, qytete si Barcelona dhe Palma de Mallorca panë protesta kundër turizmit të tepruar, ku disa aktivistë shprehën pakënaqësi duke përdorur edhe mjete si pistoletat me ujë për të ndalur sjelljen e pakontrolluar të vizitorëve.

Si pasojë e këtij presioni, autoritetet spanjolle kanë vendosur masa të reja që turistët duhet t’i njohin përpara udhëtimit në Spanjë apo Ishujt Kanarie këtë verë.

Taksa turistike në Ishujt Balearik

Në ishujt Majorka, Menorka, Ibiza dhe Formentera, pritet të rritet taksa për qëndrimet brenda natës, me një rritje nga 3.36 paund në 5.04 paund për person. Kjo tarifë do të jetë më e lartë për hotelet luksoze dhe gjatë muajve të verës. Pasagjerët e anijeve turistike gjithashtu do të përballen me rritje të ndjeshme të tarifave. Përjashtohen fëmijët nën 16 vjeç dhe ata që vizitojnë në janar e shkurt.

Taksa e Barcelonës

Në Barcelonë, taksa turistike do të dyfishohet duke arritur deri në 12.40 paund për natë, varësisht nga cilësia e akomodimit. Kjo ndryshon nga tarifa aktuale që është 6.20 paund për hotele me pesë yje dhe më pak për akomodime të tjera. Fëmijët nën 16 vjeç janë të përjashtuar.

Limit për pijet alkoolike

Në zonat e njohura për festa si Playa de Palma, Magaluf në Mallorca dhe West End në Ibiza, është vendosur një kufi prej gjashtë pijeve alkoolike për mysafirët. Ky kufi përfshin tre pije në drekë dhe tre në darkë dhe synon të frenojë sjelljen problematike të turizmit masiv.

Kufizime për grupet e tureve në këmbë

Në Palma të Majorkës, turët në këmbë do të kufizohen në grupe prej maksimumi 20 personash, me qëllim të reduktimit të mbipopullimit në rrugët e qytetit. Në pjesë të tjera të Ishujve Balearik, grupet mund të jenë deri në 70 persona.

Ndryshime në përdorimin e monedhës

Qeveria spanjolle ka vendosur masa për të luftuar mashtrimet me kartëmonedha. Nga korriku, kartëmonedhat e dëmtuara 50 euro mund të refuzohen nga tregtarët, ndaj turistët duhet të jenë të kujdesshëm me gjendjen e parave që përdorin.

Rregulla të reja në plazhet e Gran Canaria

Në plazhet e Gran Canaria-s janë vendosur ndalime të shumta, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të cigareve elektronike, muzikës në zona publike, ngritjen e çadrave, si dhe ndalimin e mbledhjes së guaskave apo gurëve. Shkeljet e këtyre rregullave mund të gjobiten me shuma që shkojnë deri në 2,500 paund.

Zona vetëm për banorët në Sóller

Në qytetin e vjetër të Majorkës, Sóller, automjetet e huaja dhe makinat me qira nuk lejohen të qarkullojnë në një zonë prej 70 hektarësh, duke u lënë përparësi makinave të regjistruara nga banorët vendas.

Ndalimi i pijes alkoolike në disa zona

Në disa zona të njohura si Magaluf dhe Sant Antoni, është vendosur ndalim i shitjes së alkoolit nga ora 21:30 deri në 8:00 të mëngjesit për të parandaluar sjelljet e çrregullta gjatë natës. Po ashtu, anijet e festave nuk lejohen të operojnë brenda një milje detare nga bregu.

 

 

 

Një insulinë në javë, jo më çdo ditë, Italia hap rrugën e re për pacientët me diabet

Diabetikët në Itali tashmë mund të marrin insulinën vetëm një herë në javë, në vend të injeksioneve të përditshme, falë një risie që përfaqëson një hap gjigand në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Nënsekretari italian i Shëndetësisë, Marcello Gemmato, theksoi se Italia është vendi i parë që ofron këtë trajtim pa kosto për pacientët, në kuadër të sistemit shëndetësor publik. Sipas tij, ky hap tregon cilësinë e lartë të farmacisë italiane dhe përkushtimin ndaj inovacionit.

Manuela Bertaggia, drejtuese e Federatës Kombëtare të Diabetikëve (FAND), e përshkroi këtë ndryshim si një “ndryshim rrënjësor për cilësinë e jetës së pacientëve”, duke theksuar se një injeksion në javë e bën më të lehtë ndjekjen e trajtimit dhe përmirëson përkushtimin ndaj tij.

Megjithatë, shpërndarja e barit nuk është ende njësoj në të gjitha rajonet italiane. Sipas Raffaella Buzzetti, presidente e Shoqatës Italiane të Diabetologjisë (SID), rajone si Lombardia, Lazio dhe Emilia Romagna kanë përqafuar menjëherë këtë formulim të ri, ndërsa zona të tjera si Sardenja, Siçilia dhe Kalabria janë ende në pritje të miratimit të fundit.

Zëvendëskryetari i Dhomës së Deputetëve, Giorgio Mulè, u shpreh se ky zhvillim vendos Italinë ndër vendet më të avancuara për sa i përket prioriteteve shëndetësore, ndërsa Gian Marco Centinaio, nënkryetar i Senatit, e vlerësoi si dëshmi të përkushtimit të institucioneve për të bërë të aksesueshme inovacionet që përmirësojnë jetën e pacientëve.

 

 

 

Muzeu i Luvrit mbyll përkohësisht dyert për shkak të mbingarkesës turistike

Muzeu i famshëm i Luvrit, një nga institucionet më të njohura të artit në botë, ka ndalur aktivitetin përkohësisht si pasojë e një proteste të papritur nga punonjësit e tij. Ky vendim nuk u diktua nga ngjarje ekstreme si lufta apo ndonjë akt dhune, por nga lodhja dhe pakënaqësia e stafit që thotë se muzeu po përballet me një krizë të thellë përbrenda.

Pamjet e turistëve që qëndronin në radhë jashtë portave të mbyllura të muzeut treguan qartë një situatë të pazakontë: vizitorë me bileta në dorë, të paqartë për arsyen e mbylljes së muzeut më të vizituar në botë, transmeton albinfo.ch.

Stafi protestoi gjatë një mbledhjeje të zakonshme, duke refuzuar të vijojë punën për shkak të fluksit të pakontrollueshëm të turistëve, mungesës së theksuar të personelit dhe kushteve të vështira të punës. Përfaqësues të sindikatës “CGT-Culture” deklaruan se situata është bërë e papërballueshme dhe kërkojnë zgjidhje urgjente.

“Ekipet tona janë nën presion të vazhdueshëm. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e artit, por edhe me mirëqenien e njerëzve që kujdesen për të”, u shpreh Sarah Sefian nga sindikata.

Kjo mbyllje vjen pak muaj pas prezantimit të një plani 10-vjeçar nga presidenti Emmanuel Macron, që synon modernizimin e muzeut dhe zgjidhjen e problemeve si rrjedhjet, infrastruktura e vjetëruar dhe kontrolli i vizitorëve.

Megjithatë, për punonjësit, këto masa afatgjata nuk mjaftojnë për të përballuar krizën e tanishme.

 

 

 

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë: Diaspora do të votojë vetëm përmes postës

Për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të kenë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e votimit. Këtë herë, votimi do të bëhet ekskluzivisht përmes postës. Kjo do të thotë se, ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme të përgjithshme, përfaqësitë diplomatike nuk do të shërbejnë si qendra votimi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, sqaroi këtë ndryshim gjatë një interviste në RTK. Ai theksoi se kjo praktikë vjen si pasojë e ndryshimeve të bëra në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, të miratuara gjatë reformës zgjedhore.

“Ligji i ri nuk parashikon mundësinë e votimit në ambasada për zgjedhjet lokale. Prandaj, diaspora do të ketë mundësi të shprehë vullnetin e saj vetëm përmes postës. KQZ do të hapë kuti postare në disa vende ku jetojnë bashkatdhetarët tanë,” shpjegoi Elezi, transmeton albinfo.ch.

Ndryshim tjetër për këto zgjedhje është mënyra e dërgimit të fletëvotimeve. Në vend që votuesit t’i shkarkojnë vetë nga faqja zyrtare e KQZ-së, siç ndodhi më 9 shkurt, këtë herë ata do të marrin pakon e votimit direkt nga KQZ-ja. Shpenzimet për këtë proces do të mbulohen nga vetë institucioni, përveç kthimit të pakos me fletëvotim, që do të jetë në ngarkim të votuesit.

Regjistrimi për të votuar jashtë Kosovës do të jetë i hapur nga data 23 korrik deri më 29 gusht.

Elezi gjithashtu shpjegoi se votimi për kryetar komune dhe për kuvendin komunal janë dy procese të ndara. Një votues ka të drejtë të votojë për kandidatin e një subjekti në garën për kryetar komune, dhe të zgjedhë një subjekt tjetër për asamblenë komunale. Për dallim nga zgjedhjet parlamentare, ku lejohej votimi për deri në 10 kandidatë për deputetë, në zgjedhjet komunale lejohet votimi vetëm për një kandidat të vetëm për kuvendin lokal.

Listat e kandidatëve nga partitë politike duhet të dorëzohen në periudhën nga 26 qershori deri më 13 gusht, dhe të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen verifikimit nga institucionet përkatëse para certifikimit.

 

 

Çmimi i naftës rritet sërish për shkak të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit

Tregjet aziatike të naftës janë përballur me një tjetër valë rritjeje të çmimeve si pasojë e përshkallëzimit të përplasjeve mes Izraelit dhe Iranit. Ky zhvillim vjen në një klimë të tensionuar gjeopolitike, ku pasiguria ka ndikuar drejtpërdrejt në bursat ndërkombëtare.

Sipas agjencisë ANSA, çmimi i naftës së lehtë është rritur me 1.07%, duke arritur në 72.54 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent ka pësuar një rritje prej 0.87%, duke u tregtuar me 73.87 dollarë për fuçi, transmeton albinfo.ch.

Edhe tregjet e mëngjesit kanë reflektuar këtë prirje: WTI për dërgesat në korrik ka arritur në 72.40 dollarë për fuçi, ndërsa Brent për gushtin është tregtuar me 73.91 dollarë për fuçi  të dyja me rritje të lehta por të qëndrueshme.

Ekspertët vlerësojnë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm në tregjet ndërkombëtare të energjisë, por edhe në ekonomitë e vendeve që varen nga importet e naftës.

 

 

 

Afatet e taksave gjermane që duhet t`i dini në 2025-ën

Afatet e dorëzimit të taksave në Gjermani ndryshojnë në varësi të vitit dhe mënyrës se si depozitoni. Ne zbërthejmë datat që duhen ditur për këtë vit.

Çdo vit, njerëzit nga të gjitha sferat e jetës janë të detyruar të paraqesin një deklaratë tatimore (Steuererklärung) për vitin e kaluar tatimor. Këto deklarata tatimore duhet të dorëzohen në zyrën përkatëse tatimore (Finanzamt) brenda një date të caktuar.

Këtu është një përmbledhje që duhet të dorëzojë një kthim në Gjermani, së bashku me një vështrim në datat dhe rregullat përkatëse.

Kush duhet të paraqesë një deklaratë tatimore?

Afati normal i paraqitjes së taksave vlen për të gjithë ata që janë të detyruar të paraqesin një deklaratë tatimore mbi të ardhurat (Einkommensteuererklärung).

Këtu përfshihen profesionistët e pavarur (Freiberufler) dhe njerëzit që janë të vetëpunësuar (selbstständig), si dhe këdo që ka marrë përfitime të zëvendësimit të pagës gjatë vitit përkatës tatimor, duke përfshirë; papunësi (Arbeitslosengeld), sëmundje (Krankengeld), prindërore (Elterngeld) ose përfitime të shkurtuara të kohës së punës (Kurzarbeitsgeld).

I njëjti rregull vlen nëse fitoni më shumë se 520 € në vit të ardhura nga qiraja.

Të ardhura të tjera, si nga dhënia me qira e makinës suaj, për shembull, i nënshtrohen kufijve të përjashtimit të zbatueshëm aktualisht (të cilët ndryshojnë çdo vit).

Kur duhet të dorëzoj deklaratën time tatimore të vitit 2025?

Nëse dëshironi të përgatisni vetë deklaratën tuaj tatimore për vitin 2024, keni kohë deri të enjten, 31 korrik 2025.

Kini parasysh se kjo është një muaj më herët se viti i kaluar (kur afatet tatimore u zgjatën pas pandemisë COVID).

Në Gjermani, ka afate më të gjata për njerëzit që dorëzojnë deklaratat e tyre nëpërmjet një këshilltari tatimor (Steuerberater) ose shoqatës së tatimit mbi të ardhurat.

Cili është afati i fundit për dorëzimin e deklaratave tatimore nëpërmjet një këshilltari tatimor?

Nëse nuk jeni në gjendje të plotësoni deklaratën tuaj tatimore në kohë, kërkimi i mbështetjes së një këshilltari tatimor (Steuerberater) është një mënyrë për të vonuar afatin, transmeton albinfo.ch.

Në kontrast me deklaratat tatimore që i plotësoni vetë, në përgjithësi ekziston një periudhë shtyrjeje prej shtatë muajsh kur dorëzoni te një këshilltar tatimor ose në një organizatë të asistencës tatimore mbi të ardhurat (Lohnsteuerhilfeverein).

Afati i fundit për deklaratën tuaj të tatimit mbi të ardhurat 2024, nëse dorëzohet nga një profesionist, është e diela, 1 mars 2026.

Në praktikë, kjo do të thotë e hënë, 2 mars 2026.

Kur afatet tatimore bien në një fundjavë ose festë publike në Gjermani, dritarja për dorëzimin e deklaratës tatimore kalon në ditën tjetër të punës.

Në rrethana të caktuara, zyra e taksave mund të kërkojë kthimin tuaj tatimor përpara afatit të zakonshëm – dhe ka pak hapësirë ​​të çmuar për të kundërshtuar nëse kjo ndodh. Çdo afat individual i caktuar nga zyra e taksave është i detyrueshëm.

Çfarë ndodh nëse e dorëzoj deklaratën time tatimore shumë vonë?

Nëse jeni të shqetësuar se mund të humbisni afatin këtë vit, sigurohuni që ta njoftoni zyrën e taksave.

Nëse jeni vetë-deklarues, do t’ju duhet të kërkoni një zgjatje me shkrim nga zyra përkatëse e taksave.

Shpjegoni pse keni nevojë për një zgjatje dhe propozoni një afat të ri. Nuk ka asnjë detyrim nga ana e zyrës së taksave për të dhënë një zgjatje, por ia vlen. Edhe Finanzamt i Gjermanisë është i gatshëm të tregojë mëshirë në rastet e sëmundjeve të rënda, një qëndrimi më të gjatë jashtë vendit ose një lëvizje, raporton thelocal.

Nëse e humbisni afatin dhe nuk mund të fitoni një zgjatje as duke shpjeguar rrethanat tuaja të përfshirjes së shërbimeve të një Steuerberater ose Lohnsteuerhilfeverein, do të përballeni me një tarifë shtesë për paraqitjen me vonesë në formën e një gjobe, e cila duhet të paguhet përveç taksave që ju detyroheni.

Shtesa në përgjithësi arrin në një minimum prej 25 € në muajin e fundit ose 0.25 për qind të detyrimit tuaj tatimor të vlerësuar dhe do të zbatohet automatikisht, duke filluar nga 1 gushti 2025.

Nëse ende nuk i depozitoni taksat pasi keni humbur afatin, zyra e taksave mund t’ju dërgojë një kërkesë zyrtare me një afat të ri. Mungesa e kësaj mund të rezultojë në një pagesë shtesë ndëshkimi (Zwangsgeld). Dënimi është zakonisht midis 100 dhe 500 €, por mund të jetë shumë më i lartë në raste të rënda.

Sa të alarmuar duhet të jemi për shtrëngimin e rregullave të shtetësisë në Evropë?

Në të gjithë Evropën, qeveritë po ashpërsojnë rregullat dhe retorikën rreth aftësisë së banorëve të huaj për të marrë nënshtetësinë. Claudia Delpero bisedon me një ekspert për të zbuluar se sa të shqetësuar duhet të jenë njerëzit nga trendi.

Në muajt e fundit, disa vende në Evropë kanë njoftuar planet, ose kanë thënë se të paktën po shqyrtojnë, rregulla të reja për marrjen e shtetësisë.

Në Suedi, një hetim propozoi kohët e fundit zgjatjen e kërkesës së qëndrimit në tetë vjet nga pesë aktuale dhe që nga 1 prilli, Agjencia e Migracionit ka ashpërsuar kontrollet e sigurisë për aplikantët, gjë që çoi në një ngrirje të përkohshme të përpunimit të aplikacioneve. Suedia ka folur gjithashtu për futjen e testeve gjuhësore dhe qytetare për aplikantët e shtetësisë.

Vitin e kaluar, Finlanda zgjati periudhën e nevojshme të qëndrimit për natyralizim nga pesë në tetë vjet dhe shkurtoi afatet kohore për mungesën e lejuar.

Në Gjermani, qeveria e re ka miratuar një projekt-ligj për të hequr rrugën e shpejtë të shtetësisë, e cila kërkon vetëm tre vjet qëndrim për njerëzit që konsiderohen “shumë të integruar”. Projektligji, i cili ende ka nevojë për miratimin e Bundestagut, anulon një pjesë të reformës së shtetësisë të miratuar në vitin 2024.

Në Itali, një referendum që synonte të reduktonte kërkesën e rezidencës për të marrë nënshtetësinë nuk mori pjesëmarrje të mjaftueshme për të qenë i vlefshëm. Më vete, parlamenti kohët e fundit miratoi rregulla të reja që kufizojnë në dy breza mundësinë për të marrë nënshtetësinë nga prejardhja.

Autoritetet në Danimarkë rritën tarifën e nënshtetësisë me 50 për qind më 1 maj. Muaj më parë, Ministria e Emigracionit e vendit caktoi gjithashtu një panel ekspertësh për të shqyrtuar mundësinë e shqyrtimit të aplikantëve për pikëpamjet e konsideruara “antidemokratike”.

Diku tjetër në nordikët, Norvegjia do të mbajë zgjedhje të përgjithshme në shtator dhe si Partia Konservatore ashtu edhe Partia e Përparimit, të cilat mund të formojnë një koalicion të krahut të djathtë, thanë se duan të shtrëngojnë kërkesat e shtetësisë, transmeton albinfo.ch.

Në Francë, ku e djathta ekstreme kundër imigracionit është rritur në popullaritet vitet e fundit, ministri i Brendshëm i vendit Bruno Retailleau foli për planet e tij për të ‘ngurtësuar’ regjimin e shtetësisë, duke përfshirë shtimin e mundshëm të një testi historik dhe qytetar.

Reformat e kombësisë ishin gjithashtu në qendër të axhendës politike në Holandë, ku qeveria e ekstremit të djathtë, e cila së fundmi është shembur, donte të rriste kërkesat e qëndrimit nga pesë në dhjetë vjet, raporton thelocal. Një plan i ngjashëm për të zgjatur periudhën e kualifikimit të qëndrimit është marrë nga qeveria laburiste në MB, si pjesë e propozimeve për të shtrënguar më tej rregullat e imigracionit.

Pse kaq shumë ndryshime?

Profesor Maarten Vink, Kryetar i Studimeve të Shtetësisë në Qendrën Robert Schuman, Instituti Universitar Evropian në Firence, sugjeroi që qytetarët në mbarë Evropën nuk duhet të jenë shumë të alarmuar nga shtrëngimi dhe ndryshimi i rregullave.

“Është mjaft e zakonshme që vendet të ndryshojnë rregullat e shtetësisë çdo dy vjet,” tha Vink.

“Ne jemi në një demokraci, kështu që nëse në zgjedhje ndryshon balanca politike, është normale që kjo të reflektohet në legjislacion. Kur migrimi është një temë shumë e rëndësishme në politikë, çështjet që lidhen me migracionin, si shtetësia, janë gjithashtu pjesë e kësaj dinamike”, tha ai.

Profesor Vink tha se ligjet e shtetësisë në Evropë kohët e fundit kanë qenë “më dinamike se në pjesët e tjera të botës”, megjithëse “ndryshimet shkojnë në drejtime të ndryshme”.

Shtetësia e dyfishtë

Trendi më domethënës që është shfaqur dhe është “njëdrejtimësh”, argumentoi ai, është pranimi i shtetësisë së dyfishtë.

“Në vitet 1960, shumica e vendeve anembanë botës kufizuan shtetësinë e dyfishtë, sepse kjo shihej si një problem besnikërie dhe besnikërie, veçanërisht në kohët e më shumë luftërave dhe rekrutimit ushtarak”, tha Vink.

Megjithëse përjashtime mbeten në Austri, Holandë, vendet baltike dhe disa shtete të Evropës Lindore, kjo është një zonë që ka parë “një prirje shumë të qartë liberalizimi globalisht dhe në Evropë”.

Vink tha se kjo ishte pjesërisht e nxitur nga migrimi pasi më shumë njerëz u shpërngulën dhe ndërtuan një jetë në një vend tjetër dhe mbanin lidhje familjare me vendin nga vinin ose nga erdhën prindërit dhe gjyshërit e tyre.

Një faktor tjetër ishte barazia gjinore.

“Në të kaluarën, një grua që martohej me një burrë nga një vend tjetër do të bëhej automatikisht shtetase e atij vendi, ose do të humbiste të sajin, dhe fëmijët do të ishin vetëm shtetas të vendit të babait. Njohja e një gruaje dhe një burri si të pavarur në ligjin e shtetësisë, siç ndodhi në të gjitha vendet evropiane, lejoi krijimin e familjeve me shtetësi të përzier,” shpjegoi ai.

Vink thekson se edhe qeveria e re gjermane, e cila ka propozuar një hap prapa në “modernizimin” e ligjeve të shtetësisë duke hequr një procedurë të shpejtë, ka rënë dakord të ruajë elementët kryesorë të reformës historike të 2024 – pranimin e shtetësisë së dyfishtë dhe reduktimin e kërkesës për qëndrim nga tetë në pesë vjet.

Zhvillimet në të drejtën familjare ndikojnë gjithashtu në shtetësinë, për shembull me të drejtën për të transmetuar shtetësinë nga prindi jobiologjik tek një fëmijë në një familje të të njëjtit seks.

“Vendet skandinave kanë qenë shumë proaktive në përfshirjen e këtyre elementeve të së drejtës familjare në ligjin e shtetësisë, ndërsa në vende si Italia ka ende kufizime,” tha Vink.

Në mënyrë thelbësore, shumica e qeverive në Evropë nuk mund të bëjnë gjithçka që duan kur bëhet fjalë për ligjet e shtetësisë.

Në shumicën e vendeve evropiane kjo zonë rregullohet gjithashtu nëpërmjet Konventës Evropiane për Shtetësinë, nënshkruar në 1997 nën Këshillin e Evropës (jo një institucion i BE-së). Rreth 29 vende evropiane e nënshkruan Konventën, por 8 (Kroacia, Franca, Greqia, Italia, Letonia, Malta, Polonia dhe Rusia) nuk e kanë ratifikuar atë.

Për shembull, sipas rregullave të përcaktuara nga konventa, kërkesa e qëndrimit për shtetësi nuk mund të kalojë 10 vjet, një kufi i sipërm që plotësohet nga të gjitha vendet evropiane, me kushtin më të zakonshëm të vendosur në 5 vjet.

Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€

Për një euro mund të blini më shumë në disa vende pushimi sesa në Austri. Kjo është veçanërisht e vërtetë këtë vit për Hungarinë, Portugalinë dhe Spanjën, sipas krahasimit vjetor të Bankës Austria “euro pushimesh”. Por në destinacionet e njohura si Greqia, Sllovenia, Kroacia dhe Italia, austriakët gjithashtu mund të përballojnë më shumë me të njëjtat para. Është më e shtrenjtë se në shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe veçanërisht Zvicrën.

“Ndër vendet më të njohura për pushime, ju përfitoni më shumë për euron tuaj këtë verë në Hungari  rreth 50 për qind më shumë se në Austri,” shkruan Stefan Bruckbauer, kryeekonomist në UniCredit Bank Austria. Në Portugali dhe Spanjë, euro për pushime vlen rreth 30 për qind më shumë; në Greqi dhe Slloveni rreth 20 për qind më shumë. Në Turqi, inflacioni i lartë e ka zhvlerësuar euron me rreth 20 për qind këtë vit, duke e bërë atë afërsisht të barabartë në vlerë me Austrinë. Nuk pritet asnjë rritje e fuqisë blerëse në Gjermani apo Francë, ndërsa në Itali dhe Kroaci euro blen rreth 10 për qind më shumë, transmeton albinfo.at.

Pavarësisht një euro të fortë, ju merrni dukshëm më pak fuqi blerëse në SHBA (20 për qind më pak) dhe veçanërisht në Zvicër (një e treta më pak).

Nëse doni edhe më shumë vlerë, merrni parasysh vendet më pak të vizituara: euro vlen 75 për qind më shumë në Bullgari, 50 për qind më shumë në Rumani dhe ende 30 për qind më shumë në Republikën Çeke dhe Sllovaki, shkruan theinternational.

Bank Austria u kujton lexuesve se këto janë shifra mesatare dhe udhëtarët duhet të shikojnë ende çmimet individuale. “Krahasuar me verën e vitit 2024, vlera relative e euros për pushime ka rënë me rreth një për qind, pasi rritjet e çmimeve në disa vende tejkaluan atë të Austrisë, vetëm pjesërisht kompensuar nga ndryshimet e kursit të këmbimit,” vëren Bruckbauer. Megjithatë, Gjermania, Franca, Italia, Greqia dhe Spanja janë bërë “magjinalisht më të lira”.