Osmani fton partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar subjektet politike për takim të mërkurën, më 4 qershor, për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale, përcjell albinfo.ch.

Lajmi u bë i ditur nga këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina. Ai ka thënë se menjëherë pas konsultimeve, presidentja do ta caktojë datën e zgjedhjeve.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Menjeherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e shkuara lokale ishin mbajtur në tetor të vitit 2021.

Marta Kos: Rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes dialogut e jo hapave të njëanshëm

Në një deklaratë, komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë të martën në një debat në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian se Komisioni është i gatshëm të përpilojë mendimin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në BE kur Këshilli të kërkojë një gjë të tillë. Por ka nënvizuar nevojën që Kosova të formojë sa më shpejtë institucionet e saja dhe të ketë parasysh se përparimi drejt BE-së lidhet me dialogun me Serbinë, përcjell albinfo.ch.

“Në Kosovë, pas zgjedhjeve të shkurtit, është esenciale që shpejt të formohen institucionet dhe të lëvizet përpara me reformat kyçe në drejtësi, media dhe administratën publike. Një qeveri funksionale dhe një Kuvend janë të domosdoshëm në mënyrë që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, ka thënë kjo komisionere e BE-së.”

“Komisioni mbetet i gatshëm të përgatisë mendimin për anëtarësimin e Kosovës në BE kur të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli. Por, më lejoni të jem e qartë, rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të raporteve me Beogradin e jo përmes veprimeve në njëanshme”, ka thënë Kos.

Kosova qysh në dhjetor të vitit 2022 kishte dorëzuar formalisht kërkesën për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë asnjëherë nuk është shqyrtuar nga ana e Këshillit. Sipas procedurave në BE, vendet anëtare në Këshill duhet të mandatojnë Komisionin Evropian për të përpiluar mendimin nëse Kosova i përmbush apo jo kushtet për status kandidati. Pastaj vendimet në bazë të atij mendimi i merr Këshilli duke vepruar njëzëri nga të gjitha vendet anëtare. Dhe këtu është pengesa kryesore për Kosovën pasi akoma nuk njihet nga 5 vendet anëtare.

Disa vende anëtare thonë se përparimi në dialog me Serbinë do t’i ndihmonte Kosovës që të lëvizte nga pozicioni që ka në procesin e zgjerimit.

Kosova është i vetmi vend në Evropë i cili ka kërkuar anëtarësim në BE dhe nuk ka status kandidati.

Danina Rexhepi për të dytin vit radhazi shpallet Kampione e Ballkanit në grupmoshën e saj

Karateistja e re nga Prishtina, Danina Rexhepi është shpallur kampione ballkanike në garat e mbajtura në Stamboll në kategorinë deri në 54 kilogramë, transmeton albinfo.ch.

Danina Rexhepi është një tjetër sportiste luftarake që ka nisur shkëlqimin në ‘tapetet’ evropiane.

Ajo shkëlqeu në Kampionatin Ballkanit apo “Balkan Championships For Children”, që u mbajt në Tivar, Mali i Zi nga data 29 maj deri më 1 qershor.

Në një konkurrencën të fortë, Rexhepi u shpall kampione ballkanike në këtë turne të madh në kategorinë deri në 54kg.

Kosova mori pjesë me 60 sportist (meshkuj dhe femra) në disiplinat Kata dhe Kumite në mesin e 13 shteteve pjesëmarrëse me 1895 garues.

Garuesit kosovarë i sollën Kosovës 6 medalje dhe shumë plasmane.

1. Danina Rexhepi- 🥇Kumite Female -54kg, për herë të dytë radhazi 🇽🇰

2. Shkëmb Malokaj – 🥈Kumite Male  -55kg

3. Amar Daku – 🥉Kumite Male -40kg

4. Yll Selimi -🥉Kumite Male -55kg

5. Leart Sadiku -🥉 Kumite Male +52kg

6. Reina Rama-🥉Kumite Female -35kg

Erin Makolli -Vendi i 5-të Male Kumite -50kg

Art Tmava-Vendi i 5-të Male Kumite -45kg

Ylli Malokaj – Vendi 5-të Male Kumite -50kg

Studentët e arkitekturës së UP-së fitojnë vendin e parë në “Inspireli Awards”

Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin “Hasan Prishtina”, ka njoftuar se studentët e këtij departamenti kanë arritur që ta fitojnë vendin e parë ditë më parë në edicionin e 9-të të Inspireli Awards, konkursit ndërkombëtar më prestigjioz për studentë të arkitekturës dhe dizajnit, përcjell albinfo.ch.

“Projekti “Sustainable Village  ECOUNITY”, i realizuar nga Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mentorimin e Prof. Asst. Rozafa Basha, ka bërë që Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës të renditet në Top 10 në botë  një arritje e jashtëzakonshme dhe historike për institucionin tonë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ata patën mundësi që të marrin pjesë në hapjen solemne të Muzeut të Schindler-it  një ngjarje me rëndësi të thellë historike dhe kulturore, që përfaqëson kujtesën, humanizmin dhe fuqinë e brezit të ri për të ndikuar pozitivisht në shoqëri. /Albinfo.ch

Mira Murati, krijuesja e Chat Gbt, Open AI dhe Thinking Machines Lab, peshon 5 milionë dollarë

Shqiptarja nga Vlora, Mira Murati qe krijoi aplikacionin CHATGPT dhe ndryshoi botën, tani peshon 5 milionë dollarë, transmeton albinfo.ch.

Mira Murati, pas punës në ChatGbt dhe Open AI, ka themeluar një kompani misterioze, Thinking Machines Lab.

Murati po përpiqet të sigurojë mbi 100 milionë dollarë financim për startup-in e saj, megjithëse kjo shumë ende nuk është finalizuar.

Murati u largua nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare për të studiuar në Kanada dhe më pas u diplomua për inxhinieri në Kolegjin Dartmouth në SHBA. Ajo e filloi karrierën e saj në Tesla, në zhvillimin e Model X, dhe në vitin 2018 u transferua në OpenAI

Mira Murati, e lindur më 16 dhjetor 1988 në Vlorë të Shqipërisë, konsiderohet si një nga femrat më të fuqishme në botën e teknologjisë. Si ish-zyrtare kryesore e teknologjisë e OpenAI, ajo ishte një figurë kyçe në zhvillimin e mjeteve më të famshme të AI sot: ChatGPT, DALL-E dhe GPT-4.

Sot, pasuria e saj vlerësohet në 5 milionë dollarë, dhe startup-i i saj i ri tashmë vlen 9 miliardë dollarë.

Vlera Hasani pas studimeve në Britani, Paris, Kanada dhe SHBA, merr edhe një vlersim tjetër

Platforma mediale Albinfo.ch ju sjell një tjetër profil suksesi në fushën akademike nga diaspora.

Bëhet fjalë për Vlera Hasanin, shqiptarja nga Kosova e cila pas studimeve në Kanada,SHBA, Oksford dhe Paris, së fundmi është dekoruar edhe me titullin “Summa Cum Laude” në Middlebury College.

Ajo ka arritur të diplomohet me këtë titull në bazë të rezultateve (notave) me 10-A pas studimeve në disa Institucione prestigjioze të përmendura si më lartë.

Në fakt kjo është dëshmi e një rruge të ndërtuar me pasion dhe ekselencë drejt dijës dhe profesionalitetit. /Albinfo.ch

Valon Behrami kthehet në Angli në rolin e drejtorit sportiv

Pas tetë vjetësh, rrugët e Valon Behramit dhe Watfordit do të kryqëzohen sërish, përcjell albinfo.ch.

Ai nuk do të jetë në Premier League, siç ishte në kohën si lojtar, por në Championship.

40-vjeçari do të jetë drejtor i ri sportiv i Watfordit, ka raportuar gazetari italian ¡ “DAZN”, Horace Accomando.

Siç është bërë e ditur, bisedimet janë drejt perfundimit.

Klubi anglez perfundoi sezonin në një pozitë zhgënjyese. Perfundoi në pozitën e 14-të, ndersa për herë të fundit në Premier League ishte në edicionin 2021/2022.

Për ish-mesfushorin e Zvicrës, do të ishte roli i parë si drejtues që nga pensionimi i tij nga futbolli aktiv në verën e vitit 2022.

Behrami ka bërë karrierë te madhe si futbollist.

Për Watfordin luajti nga viti 2015 deri në vitin 2017. Ka luajtur edhe për klube te ndryshme në Itali, Gjermani dhe Zvicër./Albinfo.ch

Studim shpresëdhënës: Ushtrimet fizike parandalojnë rikthimin e kancerit

Një studim i paraqitur në konferencën më të madhe në botë për kancerin dhe i botuar në New England Journal of Medicine, ka sjellë provat e para të qarta se ushtrimet fizike të strukturuara pas trajtimit të kancerit ulin rrezikun e vdekjes për 37%, ndërkaq rreziku pë rikthimin e sëmundjes apo shfaqjen e një kanceri të ri është 28 për qind, ka raportuar The Guardian.

“Unë do ta kisha quajtur ‘ilaç më i mirë’, sepse ushtrimet nuk kanë të gjitha efektet anësore që kanë ilaçet. Këto janë përfitime të të njëjtit nivel me shumë ilaçe që miratohen për efekte më të vogla, e që janë të shtrenjta dhe toksike”, ka thënë doktoresha Julie Gralow, drejtoreshë Shoqatës Amerikane të Onkologjisë (ASCO).

Studimi përfshiu 889 pacientë me kancer të zorrës së trashë nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Franca, Kanadaja dhe Izraeli, të cilët kishin përfunduar trajtimin me kirurgji dhe kimioterapi. Rreth 90% e tyre ishin në fazën e tretë të sëmundjes.

Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: njëri grup mori vetëm një broshurë me këshilla për stilin e jetesës së shëndetshme, ndërsa tjetri ndoqi një program të strukturuar ushtrimesh për 3 vjet, nën mbikëqyrjen e trajnerëve personalë ose profesionistëve të shëndetit.

Grupi që ushtrohej kishte si objektiv 3 deri në 4 ecje në javë nga 45 deri në 60 minuta ose aktivitete të tjera të përshtatura si kajak, skijim apo palestër, përcjell albinfo.ch.

Pas pesë vjetësh, rreziku për të pasur rikthim apo kancer të ri ishte 28% më i ulët tek ata që ushtroheshin. Pas tetë vjetësh, rreziku i vdekjes ishte 37% më i ulët krahasuar me grupin që kishte marrë vetëm këshilla të përgjithshme.

“Kur pacientët pyesin: ‘Çfarë mund të bëj më shumë për të përmirësuar shanset për shërim?’, tani kemi një përgjigje të qartë: ushtrimet ndihmojnë jo vetëm për të parandaluar rikthimin e sëmundjes, por përmirësojnë ndjeshëm edhe jetën dhe mirëqenien”, ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Christopher Booth nga Universiteti Queen’s në Kanada.

Sipas ekspertëve, ky studim do të ndryshojë mënyrën si trajtohet kanceri pas terapisë, duke e bërë aktivitetin fizik pjesë të pandashme të rikuperimit.

“Këto gjetje janë vërtet emocionuese, nga ecjet e thjeshta deri te ushtrimet më intensive, aktiviteti fizik mund të jetë mënyra më e fuqishme për të forcuar trupin dhe për të parandaluar rikthimin e kancerit”, ka thënë profesori Sir Stephen Powis, drejtor mjekësor i institucioneve shëndetësore në Angli.

Ekspertët kanë theksuar se, ndonëse studimi është bërë me pacientë që kishin kancer të zorrës së trashë, përfitimet mund të vlejnë edhe për lloje të tjera kanceri, si ai i gjirit apo i prostatës. Janë të nevojshme studime të reja për ta konfirmuar këtë, por prova si këto nuk mund të injorohen.

“Ushtrimet si ndërhyrje janë zgjedhje e qartë, nuk kanë efekte anësore, janë falas dhe të dobishme për të gjithë. Duhet të zbatohen gjerësisht”, ka theksuar doktoresha Pamela Kunz nga Universiteti i Yaleit.

Megjithatë, mjekët kanë theksuar se çdo pacient duhet të këshillohet me mjekun para se të nisë ndonjë regjim të ri fizik. Ushtrimet janë të fuqishme, por nuk janë të përshtatshme për të gjithë.

“Aktiviteti fizik për disa pacientë mund të jetë pika e kthesës që ndryshon të gjithë ecurinë e rikuperimit. Por siguria dhe përshtatshmëria mbeten të parat”, ka thënë profesori Charles Swanton nga Cancer Research UK.

 

 

Aksidenti në Gotthard: Raporti përfundimtar i hetimit zbardh dëmet në vlerên e 150 milionë frangave

Më 10 gusht 2023, një tren mallrash doli nga shinat në Tunelin Bazë të Gotthardit, duke shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore. Sot, hetuesit federalë të aksidenteve kanë paraqitur raportin përfundimtar për ngjarjen që tronditi transportin hekurudhor zviceran.

Çfarë ndodhi?

Një rrotë e thyer ishte shkaku i aksidentit. Treni, që udhëtonte nga Ticino drejt Gjermanisë, doli nga shinat në mes të një prej projekteve më të kushtueshme infrastrukturore në Evropë  Tunelit Bazë të Gotthardit.

Raporti përfundimtar i Bordit Zviceran për Hetimin e Aksidenteve të Transportit (SUST) konfirmon se rrota kishte çarje vertikale që ishin zgjeruar për shkak të “stresit termik”, si pasojë e frenimit të vazhdueshëm direkt mbi rrota. Defekti nuk ishte zbuluar nga kontrollet rutinë, transmeton albinfo.ch.

Pasojat

Shinat u shkatërruan për disa kilometra.

Dëmi material arrin në rreth 150 milionë franga zvicerane.

Tuneli ishte pjesërisht i mbyllur për më shumë se një vit.

U desh të përdorej rruga malore alternative për pasagjerët dhe mallrat.

Masat që rekomandohen

Ekspertët kërkojnë kontrolle më të shpeshta dhe më të thelluara të rrotave dhe boshtit të tyre. Gjithashtu, do të shqyrtohet përbërja metalurgjike e frenave për të gjetur materiale më të qëndrueshme. Problemi nuk është i izoluar  prek shumicën e vagonëve të mallrave në Evropë.

Edhe pse janë regjistruar rreth dhjetë çarje të ngjashme të rrotave në rrjetin evropian në vitet e fundit, vetëm pas aksidentit në Gotthard filloi një hetim serioz mbi këtë çështje.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi?

Aktualisht, SBB dhe dega e saj SBB Cargo do të përballojnë kostot. Megjithatë, në parlament janë ngritur pyetje serioze: pse kompania që zotëronte vagonin problematik nuk mban përgjegjësi?

Një propozim për rritjen e përgjegjësisë së pronarëve të vagonëve është refuzuar ngushtë, por priten mocione të tjera.

 

Ish-kryediplomatja gjermane Anna Baerbock zgjidhet Presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Ish-ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, është zgjedhur Presidente e re e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Politikania 44-vjeçare e Partisë së Gjelbër mori një shumicë të madhe votash, pavarësisht një manovre penguese nga Rusia.

Në një votim të fshehtë të kërkuar nga Moska në organin më të madh të OKB-së, Baerbock mori 167 vota. 14 shtete abstenuan, ndërsa 7 të tjera votuan për kandidaten e mëparshme gjermane, Helga Schmid, transmeton albinfo.ch.

Posti i Presidentes së Asamblesë së Përgjithshme ka më tepër rëndësi protokollare dhe nuk duhet ngatërruar me rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.

Votimi nën hije përplasjeje diplomatike

Sipas burimeve diplomatike, Rusia kërkoi një votim të fshehtë  një veprim i pazakontë, pasi zakonisht ky post miratohet me konsensus dhe pa votim formal. Fletët e votimit përmbanin vetëm emrin e Baerbock, me mundësi për të abstenuar ose për të shtuar një tjetër emër.

Në javët e fundit, Rusia nuk ka fshehur qëndrimin e saj kritik ndaj Baerbock, duke e konsideruar atë si “të njëanshme në mënyrë të skajshme”, për shkak të qëndrimit të saj të ashpër ndaj Moskës pas pushtimit rus të Ukrainës.

Fillimisht ishte propozuar diplomatja gjermane Helga Schmid, e cila gëzonte edhe mbështetjen e Rusisë. Baerbock u përfshi në garë relativisht vonë, pas humbjes së saj në zgjedhjet federale.

 

Studiuesit zviceranë zhvillojnë trajtim të ri kundër limfomës

Sipas Institutit Paul Scherrer (PSI), kanceri mund të luftohet në mënyrë efektive me elementin radioaktiv terbium. Megjithatë, terapia ende nuk është testuar te njerëzit.

Në eksperimente laboratorike, përbërësi i ri aktiv me substancën terbium-161 shkatërroi qelizat kancerogjene nga dy deri në 43 herë më mirë se përbërësi me substancën lutetium-177, i cili tashmë përdoret në spitale.

Ky rezultat u publikua të hënën në revistën Journal of Nuclear Medicine. Minjtë me kancer, të trajtuar me terbium-161, mbijetuan mesatarisht dyfish më gjatë sesa ata që morën substancën ekzistuese, transmeton albinfo.ch.

“Rezultatet tona japin tregues të mirë se ky përbërës mund të jetë gjithashtu efektiv edhe kundër limfomës te njerëzit,” tha autorja kryesore Elisa Rioja-Blanco në një deklaratë për shtyp nga PSI.

I lidhur me antitrupa

Së bashku me studiues nga Spitali Universitar i Bernës (Inselspital), studiuesit e PSI kanë lidhur substancën radioaktive terbium-161 me një antitrup. Në të ardhmen, ajo mund të injektohet në gjakun e pacientëve të prekur.

Antitrupi lidhet me një strukturë në trup që gjendet shpesh në qelizat tumorale të limfomës: receptori i ashtuquajtur CD30. Në atë vend, ai shkatërron qelizat kancerogjene me rrezatimin e tij radioaktiv. Sipas PSI, qelizat tumorale formojnë receptorin CD30 në afro një të tretën e pacientëve me limfomë.

Parimi tashmë i njohur

Ky parim është i njohur dhe tashmë përdoret në spitale. Megjithatë, këto terapi të quajtura radionukleide aktualisht realizohen me izotopin lutetium-177.

Sipas PSI, ky përbërës përdoret për kancerin e prostatës dhe tumore që zhvillohen nga qelizat që prodhojnë hormone. Por terapia me lutetium-177 nuk është e përshtatshme për limfomën, pasi qelizat tumorale individuale dhe grupet më të vogla të tyre, që ndodhin në këtë lloj kanceri, nuk arrijnë të kapen nga elementi. Sipas studiuesve, terbium-161 lëshon “projektilë” më të saktë.

Tashmë, studimet klinike do të tregojnë nëse kjo terapi e re funksionon vërtet edhe te njerëzit.

Ndeshja Shqipëri-Serbi pa tifozat “Kuq e Zi”, për herë të parë jashtë stadiumit

Për herë të parë që nga themelimi i tyre 21 vite më parë, grupi më i madh i tifozëve shqiptarë, Tifozat Kuq e Zi (TKZ), ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm në stadium për të përkrahur Kombëtaren në ndeshjen e shumëpritur kundër Serbisë, që do të luhet më 7 qershor 2025 në “Air Albania”.

Në një deklaratë publike, TKZ shprehet se kjo është hera e dytë në historinë e tyre që nuk do të jenë në tribunë për të mbështetur Kombëtaren. Herën e parë, më 14 tetor 2014, kjo ndodhi për shkak të ndalimit nga autoritetet serbe në Beograd. Kësaj here, sipas tyre, pengesa vjen nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), të cilën ata e akuzojnë për përjashtim të tifozëve të vërtetë dhe organizim të padrejtë të shpërndarjes së biletave.

TKZ kundërshton ashpër sistemin e aplikimit me short, që e cilësojnë si të manipuluar dhe të ndërtuar për të favorizuar agjencitë turistike dhe spekulimet me çmime. Ata theksojnë se nuk kanë marrë pjesë në këtë proces, duke e cilësuar si “farsë”, transmeton albinfo.ch.

Sipas tyre, çmimet e larta të biletave që shkojnë nga 150 deri në 1000 euro kanë kthyer një ndeshje futbolli në një aktivitet luksi të papërballueshëm për tifozin mesatar. “Është e paimagjinueshme që një familje e zakonshme shqiptare të shpenzojë rreth 600 euro për të ndjekur një ndeshje futbolli”, thuhet në deklaratë.

TKZ shpreh zhgënjim të thellë ndaj politikave të FSHF-së, të cilat sipas tyre përjashtojnë ata që kanë qenë pranë Kombëtares në çdo ndeshje, në çdo shtet dhe në çdo mot, për më shumë se dy dekada.

“Gjithpërfshirja i ka të gjithë brenda përveç se TKZ-në. Aty janë agjencitë e udhëtimit dhe politikanët, por vetëm BESNIKËT e përjetshëm JO,” theksohet në reagim.

Megjithatë, pavarësisht bojkotit të ndeshjes, TKZ përfundon mesazhin e tyre me një shpresë të thjeshtë, por domethënëse:

“Le të fitojë njëherë Kombëtarja.”

 

Zvicra do të ashpërsojë masat ndaj shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë që shmangin shërbimin ushtarak

Një marrëveshje e vjetër mes Bernës dhe Parisit, e lidhur në vitin 1997, i lejonte shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë zvicerano-franceze të shmangnin shërbimin ushtarak në Zvicër, nëse ata merrnin pjesë në “Ditën e Mbrojtjes dhe Shtetësisë” në Francë (Journée défense et citoyenneté). Çdo vit, rreth 800 të rinj me shtetësi të dyfishtë përfitojnë nga kjo rregullore për të shmangur detyrimet ushtarake në Zvicër.

Mirëpo, përballë mungesës së rekrutëve dhe përkeqësimit të situatës së sigurisë në Evropë, autoritetet zvicerane fillimisht parlamenti, e më pas edhe Këshilli Federal kanë vendosur të rishikojnë këtë marrëveshje, transmeton albinfo.ch.

Qëllimi është që një kurs gjysmë-ditor teorik në Francë të mos konsiderohet më i mjaftueshëm për të përjashtuar një shtetas të dyfishtë nga shërbimi ushtarak zviceran. Zvicra do të kërkojë rinegocimin e marrëveshjes me Francën për këtë çështje.

Nisma për ndryshimin e marrëveshjes është ndërmarrë nga deputeti Pascal Schmidt nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), i cili në shkurt 2025 dorëzoi një mocion parlamentar për këtë qëllim.

Sipas tij, qytetarët me shtetësi të dyfishtë duhet t’i nënshtrohen shërbimit ushtarak zviceran nëse trajnimet që marrin jashtë vendit nuk përmbushin standardet e Zvicrës siç ndodh me Francën.

Sipas Ministrisë franceze të Mbrojtjes, “Dita e Mbrojtjes dhe Shtetësisë” është një aktivitet gjysmë-ditor që synon të ndërgjegjësojë të rinjtë për rëndësinë e lirisë dhe ofron informacione mbi karrierat civile dhe ushtarake. Gjithashtu, ofron mbështetje për të rinjtë në vështirësi që kërkojnë orientim profesional.

Por kjo përvojë është shumë larg nga ajo që kërkohet në Zvicër, ku rekrutët duhet të përfundojnë 18 javë trajnim bazë dhe të marrin pjesë në gjashtë trajnime të përsëritura nga tri javë secili, përgjatë nëntë viteve.

“Personat me nënshtetësi të dyfishtë janë në një pozicion të favorshëm,” deklaroi Schmidt. “Vetëm në pesë vitet e fundit, ushtria zvicerane ka qenë me 5,000 rekrutë më pak, pikërisht për shkak të kësaj dispozite.”

Ai shtoi se nuk e imagjinon që shumica e parlamentit të dëshirojë të ruajë këtë situatë.

 

Si mund të penalizoheni në Zvicër nëse dilni në pension herët

Nëse po ëndërroni të ndërprisni punën para moshës zyrtare të pensionit prej 65 vjeç, mund t’ju duhet ta rishikoni këtë plan  të paktën kështu kërkon qeveria zvicerane.

Edhe në kushtet më të mira, dalja në pension para kohe nuk është e leverdishme financiarisht – përveç nëse jeni të pasur dhe keni mjete të mjaftueshme për të jetuar rehat për pjesën tjetër të jetës.

Por nëse nuk jeni në këtë kategori, përgatituni për pensione më të ulëta.

Për shembull, nëse dilni në pension një vit më herët (në moshën 64), pensioni juaj nga shtylla e parë (AHV/AVS) do të reduktohet përgjithmonë me 6.8 përqind, shkruan the local transmeton albinfo.ch.

Nëse dilni dy vite më herët (në moshën 63), reduktimi arrin në 13.6 përqind.

Kjo do të thotë se, nga një pension maksimal mujor prej 2,520 frangash, do të humbisni 171 franga në rastin e parë dhe 342 franga në të dytin.

(Natyrisht, shumica e njerëzve në Zvicër kanë gjithashtu pensione nga shtylla e dytë dhe e tretë, të cilat ndihmojnë në zbutjen e këtij reduktimi.)

Penalizimet mund të thellohen

Aktualisht, rreth 11 përqind e popullsisë në moshë pune zgjedh të dalë në pension herët, dhe qeveria po përpiqet të dekurajojë këtë praktikë.

Për këtë arsye, po shqyrtohet rritja e penaliteteve për ata që largohen nga tregu i punës përpara kohe  goditja më e madhe do të jetë në portofol.

Në vend të një penaliteti 6.8 përqind për daljen në pension në moshën 64, kjo shifër mund të rritet në 7.5 përqind.

Ndërsa ata që dalin në pension në moshën 63, mund të përballen me një shkurtim prej 15 përqind.

Pse këto masa të ashpra?

Gjithçka lidhet me financat.

Popullsia e Zvicrës po plaket dhe njerëzit jetojnë më gjatë  një zhvillim pozitiv që gjithsesi paraqet sfida të mëdha.

Sipas institutit të mendimit Avenir Suisse, “numri i pensionistëve në Zvicër do të rritet me 61 përqind deri në vitin 2035, ndërsa popullsia aktive do të shtohet vetëm me 7 përqind.”

Kjo do të thotë se shpenzimet për pensionet (AHV/AVS) do të rriten ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të ardhshme, por kontributet nga të punësuarit nuk do të mjaftojnë për ta mbajtur sistemin të qëndrueshëm financiarisht.

Nëse nuk merren masa, pritet që AHV/AVS të ketë një deficit prej 2.5 miliardë frangash brenda pesë viteve të ardhshme.

Për këtë arsye, qeveria zvicerane po përpiqet të inkurajojë njerëzit që të punojnë përtej moshës zyrtare të pensionit dhe të shmangin daljen para kohe nga puna.

Sipas ministres Elisabeth Baume-Schneider, përgjegjëse për Zyrën Federale të Sigurimeve Shoqërore, “do të shqyrtojmë normat e reduktimit për pensionin e parakohshëm.”

 

“Larg së qenuri ideal”

Jo të gjithë në Zvicër janë dakord me këto propozime.

Gabriela Medici, përgjegjëse për çështjet sociale në Federatën e Sindikatave të Zvicrës, mendon se ky propozim nuk është thjesht një taktikë frikësimi  qeveria mund të marrë me të vërtetë masa për të rritur penalitetet.

Megjithatë, sipas saj, kjo do të ishte “larg së qenuri zgjidhja ideale.”

“Ka njerëz me të ardhura të ulëta që nuk mund të gjejnë më punë dhe detyrohen të dalin në pension herët,” tha ajo, duke shtuar se masa e propozuar “do t’i penalizonte këta njerëz.”

Çfarë pritet më tej?

Për momentin, nuk ka ende vendime konkrete  është një propozim në fazë shqyrtimi.

“Sot për sot, bëhet fjalë për një mandat shqyrtimi, dhe nuk janë paraqitur masa të detajuara para Këshillit Federal,” tha zëdhënësi Harald Sohns.

Një lajm i mirë është që qeveria nuk ka ndërmend të rrisë taksat për të kompensuar mungesat në fondin e AHV/AVS.

Në një komunikatë të fundit për shtyp, Këshilli Federal deklaroi se “ka vendosur të mos prezantojë burime të reja financimi, si taksë mbi transaksionet financiare, taksë trashëgimie apo taksë mbi fitimet nga pasuritë e paluajtshme.”

 

Kombëtarja e Kosovës vazhdon përgatitjet për miqësoret e qershorit

Përfaqësuesja A e Kosovës ka vazhduar sot me seancën e radhës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në fillim të muajit qershor, ndaj Armenisë më 6 qershor dhe Komoreve më 9 qershor.

Në seancën e sotme kanë munguar mbrojtësi Ismajl Beka dhe portieri Amir Saipi. Beka ka pësuar një lëndim të lehtë gjatë stërvitjes së parë dhe, me rekomandim të stafit mjekësor, është stërvitur individualisht. Ndërkohë, mungesa e Saipit është për shkak të arsyeve shëndetësore.

Përzgjedhësi Franco Foda, së bashku me stafin teknik, ka zhvilluar një seancë dinamike duke u fokusuar në aspektet taktike dhe filozofinë e lojës që synohet të aplikohet në dy ndeshjet në vijim, përcjell albinfo.ch.

Gjatë ditës, Kombëtarja është vizituar edhe nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka përshëndetur lojtarët dhe stafin teknik, duke u dëshiruar mirëseardhje futbollistëve të rinj dhe duke i inkurajuar të gjithë të japin më të mirën në paraqitjet e ardhshme.

Mesfushorët Bledian Krasniqi dhe Florian Haxha, që janë për herë të parë pjesë e Kombëtares A, janë shprehur të lumtur për ftesën dhe të motivuar për sfidat që i presin.

“Jam shumë i kënaqur me pritjen në ekip dhe krenar që jam përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën. Stërvitja ishte shumë pozitive dhe besoj se do të kemi paraqitje të mira në dy ndeshjet e ardhshme,” u shpreh Bledian Krasniqi. Ndërsa Florian Haxha tha se është shumë i lumtur për këtë mundësi.

“Seanca e sotme ishte intensive dhe besoj se nga nesër do të fokusohemi në mënyrë specifike për ndeshjen kundër Armenisë. Objektivi ynë është të kemi paraqitje serioze dhe të marrim rezultate pozitive, pasi këto ndeshje janë përgatitje për kualifikimet e ardhshme të Botërorit.”, u shpreh ai.

Ndeshja ndaj Armenisë do të zhvillohet më 6 qershor, ndërsa ajo ndaj Komoreve më 9 qershor, të dyja në orën 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Këto miqësore do të shërbejnë si përgatitje për ciklin kualifikues të Kampionatit Botëror, i cili fillon në muajin shtator, ku Kosova bën pjesë në Grupin B së bashku me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

Cilat janë kompanitë më të mira për të punuar në Zvicër në vitin 2025?

Një sondazh i ri ka zbuluar cilat kompani, vendase dhe ndërkombëtare, vlerësohen më shumë nga punonjësit për kushtet dhe kulturën e tyre të punës.

Sondazhi është realizuar nga organizata Great Place To Work, e cila njihet si eksperte në kulturën e vendit të punës. Sipas tyre, 280 organizata në Zvicër morën pjesë në studim dhe 64,578 punonjës u intervistuan në mënyrë anonime për faktorët që bëjnë një kompani të jetë “vend i shkëlqyer për të punuar”, transmeton albinfo.ch.

Fituesit janë ndarë në disa kategori, sipas madhësisë së kompanisë:

Kompanitë e mëdha (250+ punonjës):

1. Hilti – pajisje dhe vegla industriale

2. Stryker – teknologji mjekësore

3. DHL – transport

4. Cisco Systems – teknologji informacioni dhe telekomunikacioni

5. Salesforce – softuer

Kompanitë e mesme (100-240 punonjës):

1. Hilton Hotel – mikpritje dhe hoteleri

2. Amgen – bioteknologji dhe farmaceutikë

3. ServiceNow – teknologji informacioni

4. APP Unternehmensberatung – konsulencë biznesi dhe teknologjie

Kompanitë e vogla (50–99 punonjës):

1. Orange Business Digital – telekomunikacion

2. Farfalla Essentials – shitje me pakicë, produkte wellness

3. Entris Banking – shërbime financiare dhe sigurime

4. ARISCO Versicherungen – konsulencë për rreziqet

5. Trek Fahrrad GmbH – tregtar biçikletash

Kompanitë shumë të vogla (20-49 punonjës):

1. Steinmann & Partner GmbH – çështje sociale dhe administratë publike

2. goSecurity AG – teknologji informacioni

3. Gambit Consulting AG – konsulencë menaxhimi biznesi

4. at rete ag – konsulencë IT

5. Medinova AG – bioteknologji dhe farmaceutikë

Kompanitë ‘mikro’ (10-20 punonjës):

1. Deciphera Pharmaceuticals AG – farmaceutikë

2. Lémanis SA – transport

3. Ergosign Switzerland AG – teknologji informacioni

4. J-eNOV SA – softuer

5. ELSIBE GmbH – inspektime elektrike

 

 

Microsoft investon 400 milionë dollarë në Zvicër për teknologji cloud dhe inteligjencë artificiale

Microsoft ka njoftuar një investim strategjik prej 400 milionë dollarësh amerikanë (rreth 326 milionë franga zvicerane) në Zvicër, duke e pozicionuar vendin si një qendër kyçe për zhvillimin e teknologjisë cloud dhe inteligjencës artificiale (AI) në Evropë.

Në kuadër të këtij investimi, Microsoft do të zgjerojë qendrat ekzistuese të të dhënave në rajonet e Gjenevës dhe Cyrihut, të cilat janë funksionale që nga viti 2019. Investimi përfshin pajisje të reja me procesorë grafikë të avancuar për të përmbushur kërkesën në rritje për shërbime cloud dhe kapacitet të lartë për AI.

Një komponent thelbësor i këtij projekti është promovimi i edukimit dhe trajnimeve në fushën e inteligjencës artificiale. Microsoft synon që deri në fund të vitit 2027, një milion qytetarë zviceranë të kenë ndjekur trajnime në fushën e AI. Ky objektiv do të arrihet përmes platformave të dedikuara si AI-Fitness.ch dhe LerneKI.ch, si dhe mbështetjes për programe të specializuara për studentët dhe punonjësit në zhvillim profesional, transmeton albinfo.ch.

Gjigandi teknologjik planifikon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin me startup-e dhe ndërmarrje të vogla e të mesme (SME) në Zvicër, duke punuar në partneritet me rrjetin kombëtar të parqeve të inovacionit. Ky bashkëpunim synon të shpejtojë kalimin nga kërkimi shkencor drejt aplikimeve tregtare.

Në kuadër të këtij investimi, Microsoft riafirmon angazhimin e tij për mbrojtjen e privatësisë dhe sigurinë e të dhënave për përdoruesit evropianë, përfshirë ata zviceranë. Po ashtu, kompania synon të forcojë bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare dhe agjenci të OKB-së me bazë në Gjenevë, për të avancuar dialogun politik në lidhje me teknologjitë e reja.

Kjo nismë është pjesë e një plani më të gjerë të Microsoft për të rritur kapacitetet e qendrave të të dhënave në të gjithë Evropën me 40% gjatë dy viteve të ardhshme.

 

Gjykata gjermane: Kthimet e azilkërkuesve në kufi janë “të paligjshme”

Një gjykatë administrative në Berlin vendosi të hënën se kthimet e azilkërkuesve të zbatuara nga qeveria e Friedrich Merz janë “të paligjshme”. Merz e ka bërë reduktimin e emigracionit një nga prioritetet e tij kryesore.

“Shtetasit që kërkojnë azil gjatë kontrolleve kufitare në territorin gjerman nuk mund të kthehen pas pa u aplikuar procedura e Dublinit, e cila përcakton se cili shtet anëtar është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës së tyre për azil,” thuhet në deklaratën e gjykatës, pas shqyrtimit të një padie të paraqitur nga tre shtetas somalezë, transmeton albinfo.ch.

Dy burra dhe një grua mbërritën me tren nga Polonia. Pas një kontrolli doganor më 9 maj 2025 në stacionin Frankfurt (Oder), ata u kthyen në Poloni të njëjtën ditë, pavarësisht se kishin paraqitur kërkesë për azil. Aktualisht ndodhen në Poloni dhe po sfidojnë këtë dëbim në gjykatat gjermane.

“Gjendja e jashtëzakonshme” nuk justifikon kthimin

“Kthimi i aplikantëve ishte i paligjshëm,” shpjegon gjykata. Meqenëse shtetasit somalezë kishin kërkuar azil, “duhej të lejoheshin të kalonin kufirin”, dhe Gjermania duhej të zbatonte procedurën e Dublinit për të përcaktuar vendin përgjegjës.

Gjermania nuk mund të “thirret në një gjendje emergjente”, siç pretendon qeveria, shtoi më tej gjykata, duke theksuar se policia “nuk ka provuar në mënyrë të mjaftueshme ekzistencën e një kërcënimi për sigurinë apo rendin publik”. “Vendimi është përfundimtar,” përmbyllet deklarata, përcjell albinfo.ch.

Menjëherë pas marrjes së detyrës në fillim të majit, qeveria e Merz njoftoi refuzimin e shumicës së azilkërkuesve në kufi dhe rritjen e ndjeshme të kontrolleve, një masë e diskutueshme që nuk u prit mirë nga vendet fqinje.

Ticino voton për projektin 16 milionësh të rindërtimit të stacionit hekurudhor në Locarno

Më 15 qershor 2025, banorët e kantonit të Ticinës do të votojnë në një referendum vendimtar për të ardhmen e stacionit hekurudhor Locarno-Muralto. Në qendër të debatit është një projekt i madh urban prej 16 milionë frangash zvicerane, që synon modernizimin e zonës përreth stacionit dhe përmirësimin e transportit publik në qytetin turistik të Locarnos, përcjell albinfo.ch.

Projekti, i përbashkët mes Kantonit të Ticinës, komunës së Muralto, qytetit të Locarno-s, Komisionit ndërkomunal të transportit Locarno-Vallemaggia, Hekurudhave Federale Zvicerane (SBB), kompanisë FART dhe PostBus, parasheh ndërtimin e një terminali të ri autobusësh përpara stacionit. Përveç kësaj, pritet që zona përpara stacionit t’u kushtohet këmbësorëve, çiklistëve dhe linjave të transportit publik.

Ndërhyrjet përfshijnë:

Riorganizimin e trafikut rrugor

Ndërtimin e hapësirave të reja për biçikleta

Parkime afatshkurtra për automjeteve

Zhvillimin e një hapësire të gjelbër përgjatë bulevardit Viale Cattori

Zvicër: Rezultati i zgjedhjeve në Vernier u manipulua

Është konfirmuar se ka pasur probleme me zgjedhjet e fundit lokale në komunën Vernier në Gjenevë  dhe autoriteti i ri i zgjedhur ende nuk do të marrë qëndrimin e tij.

Kancelarja e Shtetit e Gjenevës, Michèle Righetti-El Zayadi, thotë se disa vota mund të jenë manipuluar.

Një raport eksperti, veçanërisht mbi shkrimin me dorë, tregoi se diçka e dyshimtë ka ndodhur me disa fletëvotime.

Çështja tani është në dorë të gjykatave, transmeton albinfo.ch.

Nëse gjykata e gjen mashtrimin mjaft serioz, zgjedhjet mund të anulohen dhe të bëhen përsëri.

Kancelarja tha se kjo është një çështje serioze që ka tronditur besimin e njerëzve.

Ajo gjithashtu vuri në dyshim nëse nevojiten ndryshime në mënyrën se si kontrollohen votat  dhe madje la të kuptohej se votimi me postë mund të ketë nevojë për disa rregulla të ashpra.

Ndërkohë, qeveria kantonale ka emëruar administratorët e mëparshëm për të drejtuar komunën  ata vijnë nga Partia Socialiste, Të Gjelbrit dhe Liberalët.

 

 

Alba Festival 2025: Muzika që bashkon një brez të tërë shqiptarësh në diasporë

Disa evente janë më shumë se vetëm koncerte. Ato janë më shumë se aq, janë plot gjallëri që pulsojnë në ritmin e brezit të ri. Kështu pritet të jetë edhe Alba Festival 2025, ngjarja më e madhe open-air shqiptare në Zvicër, që më 21 dhe 22 qershor do të shndërrojë Kasernenareal në Cyrih në një skenë të përbashkët të tingujve, argëtim, kërcimit dhe përkatësisë.

Kjo nuk është vetëm një festë muzikore  është zëri kolektiv i një gjenerate që rritet mes dy botëve, që jeton në Zvicër, por akoma rreh me ritmin e gjuhës dhe shpirtit shqiptar.

© 2019 Albinfo.ch/Foto Rromir Imami

Kur popi shqiptar pushton zemrën e Zvicrës

Festivali vjen me një line-up të jashtëzakonshëm që përfaqëson më të mirët e skenës shqiptare moderne. Në qendër të vëmendjes është Adelina Ismaili, një ikonë që i bashkon të gjitha brezat. Pranë saj, emra si Alban Skënderaj, Ledri Vula, MC Kresha, Geasy, Ylli Limani, Era Istrefi, Capital T, DJ Gimi-O, Xhensila, UKAY, Singullar, Mozzik, Azet, Lluni, Lyrical Son, Lumi B, Klajdi, Bruno Miri, DJ Flow, DJ Vicky dhe Feri do të elektrizojnë skenën me energji, stil dhe përkatësi.

Albinfo.ch, si sponsor medial, ndjek këtë festival prej vitesh  jo vetëm për rëndësinë kulturore, por sepse është një hapësirë ku diaspora shqiptare e shpreh veten me krenari dhe kreativitet.

Një ndjenjë që nuk shuhet: me këngë, me vallëzim, me gjuhë të zemrës

Për shumë shqiptarë të rinj që janë rritur në Zvicër, Alba Festival është një vend ku mund të ndihen si në shtëpi, pa u shpjeguar. Ku mund të flasësh shqip pa fjalë, por me kërcim dhe këngë. Një vend ku ndjesia e përkatësisë nuk është e lidhur me kufijtë, por me emocionin kolektiv.

Ky është atdheu i përkohshëm i brezit të ri shqiptar në Evropë, një hapësirë që nuk e ndan kohën në “këtu” dhe “aty”, por që i bashkon me dashuri dhe ritëm.

Kulturë, integrim dhe shumë më shumë se një festival

Alba Festival ka tejkaluar prej kohësh kuadrin e një eventi etnik. Ai perceptohet si një platformë kulturore bashkëkohore, e hapur për të gjithë ata që e ndjejnë veten pjesë të një historie në lëvizje. Mediat zvicerane e kanë vlerësuar si një model pozitiv të bashkëjetesës kulturore, që tregon se integrimi nuk bëhet vetëm nëpër zyra – por edhe në skena, në këngë dhe në përqafime shumëngjyrëshe.

 

Për të gjitha detajet, biletat dhe programin e plotë vizitoni faqen zyrtare:
🔗 www.alba-festival.ch

Laçi: Do të japin zemrën në fushë

Qazim Laçi tha se ndeshja me Serbinë është e fortë dhe se ekipi do të përgatitet për të marrë maksimumin nga kjo sfidë.

Mesfushori luftarak shtoi se lojtarët janë profesionistë dhe do të japin zemrën në fushë, raporton FSHF, transmeton albinfo.ch.

Serbia shihet në letër si një kundërshtar më i fortë se Shqipëria, a është ky një avantazh për ne? – Kemi një ndeshje shumë të fortë, luajmë brenda në shtëpi, nuk është njëra apo tjetra skuadër e favorizuar, jemi të barabartë dhe do të duket brenda në fushë. Ne do të përgatitemi nga ana jonë për fitoren, ajo ka rëndësi për momentin. Do të mundohemi ta marrim ndeshjen si profesionistë dhe mos emocionohemi aq shumë si njerëzit jashtë. Është gjë e mirë kjo, se dhe ne në fushë mund të japim më shumë.

Thirrje për tifozët? – Besoj tifozët do të jenë gjithmonë pas nesh, siç kanë qenë gjithmonë. Patjetër është ndeshje shumë e veçantë, vetëm duhet me pas kujdes. Tifozët në gjithë këto vite që jam këtu nuk kanë bërë asnjëherë gjëra të këqija. Besoj do të jenë korrektë. I presim në stadium, na ndihmojnë dhe mbështesin sa më shumë.

Gjendja fizike e skuadrës? – Nga ana fizike të gjithë lojtarët do të përgatitemi mirë, por mentalisht besoj do të jetë më e rëndësishme. Fizikisht shumë lojtarë nuk do të jetë e lehtë të jenë në nivelin e duhur, por nga ana e mentalitetit duhet të jesh aty dhe këtë do ta tregojmë. Kur je mentalisht i fortë, ndihmon edhe trupin të jesh fizikisht mirë.

Ndeshje përballë rivalit direkt ndaj vendit të dytë, çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të fituar ndeshjen? – Kemi një shans të madh sepse e luajmë në shtëpinë tonë. Kjo do të jetë forca jonë, besoj. Nga minuta e parë duhet të futemi me mendimin për të fituar ndeshjen, emocionet t’i lëmë jashtë. Duhet të punojmë në stërvitje, disa gjëra që kemi biseduar me trajnerin shpresoj të dalin edhe në fushë.

Më mirë në Shqipëri apo Serbi ndeshja e parë? – Nuk ka rëndësi, jemi profesionistë, do të merremi në aspektin e futbollit. Është gjë e mirë që kemi ndeshje në shtëpinë tonë, do të kemi mbështetjen e tifozëve, do të mundohemi të japim maksimumin për 3 pikëshin që do të jetë i rëndësishëm dhe për kualifikimin në Botëror.

Sa zemër do të kërkojë sfida me Serbinë? – Nuk besoj që ekipit kombëtar i mungon zemra. E kemi treguar gjithmonë. Lojtarët kanë edhe mentalitetin dhe zemrën për ta fituar këtë ndeshje.

Sa ekziston rreziku të nënvlerësojmë ndeshjen me Letoninë, që është pas përballjes me Serbinë? – Për mendimin tim nuk kemi pasur asnjëherë ndeshje të lehtë. Duhet me pas gjithmonë në mendje që kemi dy ndeshje. Nuk është vetëm ndeshja me Serbinë, edhe me Letoninë. Një fitore me Serbinë duhet të lidhet me fitoren në Letoni dhe do të jetë aq më mirë për të gjithë.