Zvicër: Temperaturat arritën 30 gradë për herë të parë në 2025

Në Zvicër dje temperaturat kaluan 30 gradë për herë të parë këtë vit. Në Basel – Binningen, temperaturat arritën në 30.2 gradë për të qenë të saktë.

Sipas Meteonews, temperatura është arritur në orën 15:00, transmeton albinfo.ch.

Në disa stacione monitorimi si Beznau (AG), Visp (VS), Leibstadt (AG), Chur (GR) ose Gösgen (AG) temperaturat arritën pothuajse 30 gradë. Në shumë zona të Zvicrës gjermanishtfolëse merkuri u ngrit mbi 28 gradë.

Pse Vatikani ende nuk e njeh Kosovën?

Pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe emërimit të një delegati apostolik për vendin, Vatikani vazhdon të mos e njohë zyrtarisht shtetin e Kosovës.

Sipas Radios Evropa e Lirë, arsyet kryesore lidhen me ndjeshmëritë ndërfetarë. Selia e Shenjtë përpiqet të ruajë marrëdhënie të mira me Kishën Ortodokse, sidomos me atë Serbe dhe Ruse, të cilat e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Një njohje zyrtare do të rrezikonte këto raporte, duke vështirësuar përpjekjet e Vatikanit për dialog ndërkishtar (ekumenik), përcjell albinfo.ch.

Një tjetër arsye është statusi ndërkombëtar i Kosovës. Vatikani e ndërlidh njohjen me progresin në dialogun Kosovë-Serbi dhe me përfshirjen e Kosovës në organizata globale si OKB-ja.

Sipas analistëve dhe ish-diplomatëve të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, Selia e Shenjtë “e njeh realitetin”, por zgjedh të mos e formalizojë atë për arsye strategjike dhe fetare.

Katër ditë pas rrëshqitjes në Blatten mali vazhdon të lëvizë, gjendja mbetet e pasigurt

Katër ditë pas shkëputjes së akullnajës Birch, mali në zonën e Blatten (Valais) vazhdon të jetë në lëvizje. Rrëshqitjet në Klein Nesthorn nuk janë ndalur dhe sipas autoriteteve gjithçka që rrëshqet ndalet në vendin ku më parë ndodhej akullnaja.

Situata aktuale në terren

Liqeni pas konit të rrënojave ka pësuar një rënie të lehtë të nivelit gjatë ditës së diel. Lumenjtë, si Lonza, vazhdojnë të jenë me nivele të larta; megjithatë uji është më pak i ndotur se ditët e kaluara. Gjeologët ende nuk kanë ngritur një alarm të ri.

“Kur rreziku kalon nga niveli 10 në 9, nuk mund të ndihemi të lehtësuar; lehtësimi vjen kur arrihet niveli 2 ose 3,” tha gjeologu kantonal i Valais, Raphaël Mayoraz.

Interesim i jashtëzakonshëm për biletat e ndeshjes Shqipëri-Serbi, FSHF garanton proces të ndershëm

Federata Shqiptare e Futbollit është e përkushtuar që të sigurojë një proces të ndershëm, të hapur dhe të barabartë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e atmosferës elektrizuese në “Arenën Kombëtare”, më 7 qershor, për përballjen shumë të pritur mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Procesi i aplikimit për bileta u hap më 15 maj dhe qëndroi aktiv deri më 30 maj, në orën 20:00. Çdokush, brenda apo jashtë Shqipërisë, pati mundësinë të aplikojë për deri në katër bileta. Ky hap është bërë për të siguruar akses të barabartë për të gjithë tifozët shqiptarë, kudo që ndodhen, përcjell albinfo.ch.

Nga data 31 maj deri më 2 qershor, zhvillohet shorti elektronik  një metodë e drejtë dhe transparente që përzgjedh në mënyrë të rastësishme aplikuesit fitues. Ata që do të përzgjidhen do të marrin një email zyrtar me një link personal për të vazhduar blerjen e biletave.

Me më shumë se 200 mijë aplikime të regjistruara, interesi për këtë ndeshje ka tejkaluar çdo parashikim. Për këtë arsye, janë vendosur masa të forta sigurie dhe verifikimi për të eliminuar aplikime të dyfishta, llogari të rreme apo tentative për spekulim.

Çdo biletë do të mbajë emrin dhe mbiemrin e blerësit. Në hyrje të stadiumit, Policia e Shtetit do të verifikojë identitetin e çdo personi përmes dokumentit të identifikimit, në mënyrë që biletat të mos keqpërdoren apo të kalojnë në duar të tjera.

Kjo mënyrë organizimi sipas FSHF ka si qëllim të ndalojë praktikat abuzuese  si blerjen masive nga platformat ndërkombëtare apo shitjen e paligjshme nga tregtarët informalë. FSHF është e vendosur të mbrojë tifozët dhe të garantojë që çdo biletë të përfundojë në duart e atyre që me të vërtetë duan të jenë në stadium.

Ky është i njëjti model që përdoret nga UEFA për ndeshjet më të mëdha në Europë  nga finalet e Champions League, te Europa dhe Conference League apo Europianët. Edhe atje, përballë kërkesës së madhe, përdoret shorti elektronik si mënyra më e drejtë për përzgjedhjen e tifozëve.

Shoferi 26-vjeçar kapet me shpejtësi 263 km/h në Deisswil

Siç njoftoi policia kantonale e Bernës të shtunën, shoferi po udhëtonte në A6 nga Lätti në drejtim të Schönbühl, në orën 3:20 të mëngjesit, në Deisswil. Policia kantonale kreu një kontroll shpejtësie. Pas matjes, drejtuesi i mjetit u ndalua nga policët dhe u dërgua për hetime të mëtejshme, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën ditë, një patrullë e policisë kantonale të Graubünden ndaloi një shofer me shpejtësi në tunelin e San Bernardino. Shoferi 53-vjeçar italian u kap me shpejtësi 158 km/h. Kufiri i shpejtësisë në tunelin e San Bernardino është 80 km/h. Menjëherë i’u hoq patenta e huaj. Ai gjithashtu u urdhërua të paguante një depozitë prej 5 500 CHF. Do të raportohet në prokurorinë publike të Graubünden.

Pendarovski: Shqiptarët mbajnë entuziazmin për anëtarësimin e Maqedonisë në BE

Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka paralajmëruar se vendi mund të përfundojë në një situatë të ngjashme me bllokimin e gjatë që përjetoi pas vetos në Samitin e NATO-s në Bukuresht, duke përballur një tjetër dekadë të humbur në pritje të integrimit evropian.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Pendarovski tha se mosveprimi aktual dhe refuzimi për të përmbushur kushtet që kërkon Bashkimi Evropian do të çojë drejt një gjendjeje stagnimi të ngjashme me bllokimin që zgjati një dekadë për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë. “Do të zgjohet shoqëria dhe do të thotë: prisni, a do të presim edhe 10-15 vjet derisa të firmosni atë që kërkon Europa?” tha ai, përcjell albinfo.ch.

Por ai vuri në dukje se tashmë nuk ka më entuziazëm shoqëror për integrimin evropian.

“Sipas sondazhit të fundit të Eurobarometrit, besimi në BE ka rënë në 54%. Dhe kjo shifër është mbajtur lart vetëm falë shqiptarëve. Nëse pyet vetëm maqedonasit etnikë, mbështetja është vetëm rreth 30%, një nivel që e gjejmë vetëm në Serbi,” theksoi Pendarovski.

Sipas tij, pas dekadash zhgënjimi dhe vështirësish ekonomike, qytetarët janë të “anestezuar” përballë retorikës boshe të klasës politike. “Nuk po them se kjo do të sjellë ndonjë krizë sigurie, por do të jetë një sinjal se si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët do të fillojnë të largohen përgjithmonë nga Maqedonia në numra edhe më të mëdhenj,” paralajmëroi ai.

Katastrofa në Blatten ndez debat të ri politik në Zvicër

Pas rrëshqitjes së tokës që tronditi Blattenin në kantonin Valais, Zvicra ndodhet përballë jo vetëm një tragjedie natyrore, por edhe një vale të re diskutimesh politike për mënyrën se si shteti duhet të përballet me pasojat e ndryshimeve klimatike, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Këshilltari Kombëtar i Valais, Christophe Clivaz (Partia e Gjelbër), paralajmëron një mocion që do të paraqitet në sesionin veror të Parlamentit që nis nesër. Ai kërkon që Barazimi Fiskal Kombëtar (NFA),  skema që ndan burimet financiare ndërmjet kantoneve  të marrë parasysh rreziqet nga fatkeqësitë natyrore. Kjo do të thotë që rajonet më të ekspozuara ndaj rrëzimeve të shkëmbinjve, zjarreve në pyje apo thatësirave, të përfitojnë më shumë fonde.

“Banorët e maleve janë të parët që përballen me pasojat e ndryshimeve klimatike”, thekson Clivaz për Blick, duke argumentuar se sistemi aktual nuk reflekton më realitetin e rrezikut.

Megjithëse nuk ka ende një konfirmim shkencor për rolin e drejtpërdrejtë të ngrohjes globale në rrëshqitjen në Blatten, Clivaz shprehet: “Ka shumë të ngjarë që klima të ketë luajtur rol, edhe nëse nuk është faktori i vetëm.” Ai shpreson se momenti pas katastrofës mund të krijojë një hapësirë të favorshme për të ndërtuar një shumicë parlamentare në mbështetje të reformës, transmeton albinfo.ch.

Kundër këtij propozimi del organizata liberale Avenir Suisse, e cila, që pas stuhive shkatërrimtare të një viti më parë në Valais dhe Ticino, ka propozuar që Zvicra duhet të mendojë për braktisjen e vendbanimeve shumë të ekspozuara. Sipas saj, ruajtja e infrastrukturës në zona të rrezikuara mund të bëhet ekonomikisht e paarsyeshme nëse ndikimet klimatike intensifikohen.

Ndërkohë, Partia Popullore Zvicerane (SVP) propozon një zgjidhje më të menjëhershme dhe populiste: ngrirjen e gjysmës së fondeve të ndihmës për zhvillim ndërkombëtar për të financuar rindërtimin e Blatten. Presidenti i SVP-së, Marcel Dettling, argumenton se buxheti për ndihmë ndërkombëtare është rritur trefish në tri dekadat e fundit dhe tani ka ardhur koha që ndihma të orientohet kah popullsia vendase në nevojë.

Ky propozim pritet të ndezë debate të forta për prioritetet e politikës së jashtme zvicerane në kohë krizash të brendshme. Edhe nëse nuk arrin të marrë shumicën, SVP ka arritur të vendosë në rend të ditës një temë të ndjeshme për opinionin publik, transmeton albinfo.ch.

Një zë i urtë, një grua e fortë: Shyhrete Rexhaj, në mbrojtje të shëndetit mendor të komunitetit shqiptar në Zvicër

Në një botë ku shëndeti mendor shpesh qëndron nën hijen e paragjykimeve, Shyhrete Rexhaj ecën me hapa të vendosur për ta sjellë atë në dritë. Grua shqiptare, me rrënjë të thella kulturore dhe një zemër të madhe, ajo ka ndërtuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm në Zvicër si profesioniste, si pedagoge, si kërkuese, por mbi të gjitha si njeri që dëgjon dhe ndien

Ishte viti 2003, kur gjatë një praktike klinike në psikiatri, ajo ndjeu për herë të parë thirrjen e kësaj fushe delikate. Ballafaqimi me të rinj që përballeshin me varësi ndaj alkoolit e preku thellë. “Ata më mësuan të vlerësoj momentet e vogla, hapat e vegjël drejt shërimit”, thotë ajo me një butësi që bart peshë të jetuar

Prej asaj dite, ajo nuk e ka ndalur më rrugën e saj. Ka qenë afër të rinjve, grave, familjeve të përballura me dhimbje të heshtura, trauma që s’kanë gjetur fjalë, dhunë që është fshehur pas dyerve të mbyllura, depresione që janë mbuluar me heshtje e turp. Ajo i ka dëgjuar të gjitha. Dhe nuk i ka gjykuar kurrë. Përkundrazi, ka ndërtuar ura, ka ofruar besim, ka sjellë dritë.

Shyhrete Rexhaj është aktualisht profesoreshë HES ordinaire dhe drejton Laboratorin e Kërkimit dhe Mësimdhënies në Shëndet Mendor e Psikiatri, pranë Institutit Haute École de la Santé La Source – HES-SO. Ajo është një zë i çmuar jo vetëm për shkencën, por për gjithë komunitetin shqiptar. Ajo ka zhvilluar edhe programe konkrete si “Së Bashku”, për të ndihmuar të afërmit e personave me sëmundje mendore  sepse, siç thotë ajo, “vuajtja nuk është vetëm e atij që sëmuret, por edhe e atyre që qëndrojnë pranë”.

Shyhretja flet hapur për barrierat që hasin shqiptarët në Zvicër për të kërkuar ndihmë psikologjike: gjuha, paragjykimet, mungesa e informacionit, turp  dhe nganjëherë, statusi i pasigurt që i lë në një boshllëk të dhimbshëm. Por ajo ka besim. E sheh ndryshimin. Brezat e rinj janë më të hapur, më të vetëdijshëm, më të guximshëm për të folur, për të kërkuar ndihmë.

Për të, çdo takim me një të ri që vendos të mos e fshehë dhimbjen, është një fitore. Çdo grua që kërkon ndihmë është një dritë shprese. Çdo familje që mëson të dëgjojë, është një hap drejt shërimit kolektiv.

Mesazhi i saj për të rinjtë shqiptarë në Zvicër është i thjeshtë, por i fuqishëm: :Të jenë krenarë për rrënjët që kanë, t’i marrin me vete për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Shëndeti mendor nuk është turp. Është pjesë e jetës. Dhe për të jetuar plotësisht, duhet ta pranojmë dhe të përkujdesemi për të  për veten tonë dhe për njëri-tjetrin”.

Austri – Gjermani: Zemërim për bllokimet e trafikut të shkaktuara nga kontrollet kufitare

Për më shumë se tre javë, kontrollet e shtuara kufitare në kufirin e jashtëm të Gjermanisë në Salzburg po shkaktojnë bllokime trafiku që shtrihen për kilometra të tëra. Kontrollet, të cilat janë rikthyer jo vetëm në Walserberg, por edhe në pikat kufitare të Lofer dhe Freilassing, po krijojnë vonesa të mëdha dhe vështirësi për udhëtarët dhe bizneset lokale, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Pronari i një restoranti lokal, Tobias Brandstätter, tregon se vonesat janë bërë një problem serioz: “Klientët e mi po vonohen deri në një orë e gjysmë. Kjo është një ngarkesë e madhe për ne.”

Ankesa të ngjashme vijnë edhe nga tregtarët vendas. Josef Rehrl shprehet i pakënaqur me situatën: “Duket sikur po kaloj nëpër një plantacion të kontrolluar. Brenda dhjetë kilometrave ka pesë pika kalimi kufitar që nuk kontrollohen, por ne duhet të përballemi me bllokime të gjata.”

Bizneset lokale kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe të arsyeshme, në mënyrë që të mund të funksionojnë pa pengesa dhe të shmangin humbjet ekonomike që po sjellin këto masa kontrolli, transmeton albinfo.ch.

Avokatët praktikantë në Zvicrë ankohen për pagat dhe kushtet e vështira të punës

Në Zvicrën frëngjishtfolëse, avokatët praktikantë përballen me paga minimale dhe kushte të vështira gjatë periudhës së trajnimit dyvjeçar. Rreth 15 praktikantë nga kantonet frëngjishtfolëse kanë denoncuar për RTS-në se paguhen me rreth 1,500 deri 2,100 franga neto në muaj  shuma që nuk mjafton për jetesë, transmeton albinfo.ch.

Përveç pagave të ulëta, praktikantët ankohen për orët shtesë të papaguara dhe mungesën e mbikëqyrjes adekuate nga avokatët përgjegjës. Disa tregojnë se janë përballur edhe me trajtim jo profesional, përfshirë sharje dhe nënçmime në ambientin e punës.

Julie, një nga praktikantet, thotë: “Paguar vetëm 2,100 franga në muaj, nuk arrij të përballoj shpenzimet e mia, edhe pse kontribuoj shumë në firmën ku punoj.” Antoine, shton se shpesh praktikantët fajësohen për gabimet, ndonëse nuk marrin asnjë mbështetje, transmeton albinfo.ch.

Kushte të ngjashme përshkruan edhe Pierre, i cili thekson mungesën e trajtimit profesional nga mbikëqyrësit, dhe Caroline, që përjetoi ngacmime dhe komente për pamjen e saj nga kolegët.

Megjithëse disa shoqata profesionale kanë rekomandime për paga minimale, ato janë të ulëta dhe shpesh nuk përballojnë kostot e provimeve dhe të jetesës. Për më tepër, praktikantët shpesh frikësohen të flasin hapur për këto probleme për shkak të ndikimit që mund të ketë në karrierën e tyre, transmeton albinfo.ch.

Avdullahu: “Më pëlqen të bëj punët e pista”

Leon Avdullahut iu deshën më pak se 10 sekonda për t’iu përgjigjur 20 prej 24 pyetjeve në intervistën e tij për SRF. Kjo tregon se i riu është i përgatitur. Dhe ai luan si në fushë: më tepër në mbrojtje, transmeton albinfo.ch.

“Këtë qetësi e kam pasur gjithmonë, edhe në ekipet e të rinjve”, thotë Avdullahu. Ai aktualisht është duke impresionuar në FC Basel si lojtar i rregullt në mesfushë në numrin gjashtë. “Më pëlqen. Më pëlqen të bëj punët e pista.”

Në moshën vetëm 21-vjeçare, Avdullahu është një lojtar kyç në mesfushën e kampionëve të Zvicrës. Kjo zgjon dëshirën dhe ngjall automatikisht interes  edhe nga jashtë, thonë thashethemet. Avdullahu: “Nuk jam i shqetësuar për këtë. Unë jam në FCB dhe ndihem rehat në FCB.”

Ai aktualisht dëshiron të fokusohet vetëm në finalen e kupës të së dielës. Basel do të përballet me Bielin e ligës së ulët dhe ka potencialin për të kompletuar dyfishin.

Leoni ka prindër nga Kosova, derisa deri më tani ka luajtur për grupmoshat e Zvicrës deri në U21.

Zvicra propozon lehtësime në eksportin e armëve në sfondin e riarmatosjes globale

Bota po riarmatoset që nga lufta në Ukrainë, dhe kjo ka sjellë një valë kërkesa për industrinë zvicerane të armëve, veçanërisht në Evropë. Megjithatë, drejtori i shoqatës Swissmem paralajmëron se disa kompani armësh janë në krizë për shkak të rregulloreve aktuale shumë të rrepta për eksportin, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Qeveria federale e Zvicrës po propozon një “fleksibilizim” të Aktit të Materialeve të Luftës, i cili aktualisht ndalon eksportin e armëve dhe municioneve në vendet e përfshira në konflikte apo që shkelin të drejtat e njeriut. Sipas draftit të ri, eksportet do të lejohen në mënyrë më të gjerë drejt vendeve me status të veçantë si vendet e BE-së, SHBA-ja dhe Zelanda e Re, përveç rasteve të jashtëzakonshme që kërcënojnë interesat e politikës së jashtme ose sigurisë së Zvicrës.

Stefan Brupbacher, drejtori i Swissmem, thekson se ndryshimet janë urgjente për të shmangur zhvendosjen e kompanive jashtë vendit dhe për të ruajtur teknologjinë zvicerane të mbrojtjes. Ai argumenton se aktualisht Zvicra nuk konsiderohet një partner i besueshëm për furnizime ushtarake në rast konflikti dhe duhet të përshtasë shpejt kushtet e eksportit.

Nga ana tjetër, kritika vijnë nga e majta politike. Anëtarja e Këshillit të Shteteve nga SP, Franziska Roth, e konsideron propozimin të papranueshëm, duke e cilësuar atë si një kthim pas të ndryshimeve legjislative që kishin ndalur eksportet e armëve në vende me shkelje të të drejtave të njeriut. Ajo kërkon që rieksporti i armëve të lejohet për vendet që preken nga lufta agresive dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë Ukrainën, si dhe në rast të sulmeve ndaj vendeve anëtare të aleancave si NATO, transmeton albinfo.ch.

Hopp Schwiiz me Riola Xhemailin në EURO 2025

Nuk është aspak e lehtë të jesh futbolliste në Zvicër, veçanërisht kur ke prejardhje të huaj. Me gjithë barrierat dhe stereotipat se futbolli është vetëm për meshkuj, gjithnjë e më shumë futbolliste shqiptare po u drejtohen fushave të gjelbra për të realizuar ëndrrën e tyre, të bëhen profesioniste në futbollin zviceran.

Ëndrra e tyre po kthehet në realitet, jo vetëm duke fituar trofe në ligat e Zvicrës, por edhe duke synuar pjesëmarrjen në një kampionat madhështor që do të zhvillohet pikërisht “në shtëpinë” e tyre. Zvicra do të jetë nikoqire e EURO 2025 për femra, një nga ngjarjet më të mëdha sportive në Evropë, pas vendimit të UEFA-s për ta organizuar këtë turne në tetë qytete zvicerane.

Ky do të jetë një moment historik, ngjarja më e madhe sportive për gratë që është zhvilluar ndonjëherë në Zvicër. Në këtë rrugëtim janë edhe futbollistet shqiptaro-zvicerane, të cilat po e realizojnë këtë ëndërr bashkë me tifozët e tyre, që do t’i ndjekin nga afër në stadiumet e Gjenevës, Cyrihut, Bernës, Bazelit, Thunit, Lucernit, Sionit dhe St. Gallenit, duke krijuar atmosferë elektrizuese në mbarë vendin.

Rreth 720 mijë bileta janë në dispozicion për këtë kampionat, i cili do të transmetohet në të gjithë Evropën. Zvicra synon suksesin në shtëpi, ndërsa Anglia vjen si kampione në fuqi.

Në këtë Evropian mund të shohim dy futbolliste shqiptare të shquara: njëra përfaqëson Zvicrën, tjetra Suedinë. Njëra është një talent i ri premtues, tjetra është një emër me përvojë ndërkombëtare.

Riola Xhemaili, 22-vjeçarja shqiptaro-zvicerane, do të jetë pjesë e listës së përfaqësueses së Zvicrës për EURO 2025. E rritur në një familje sportistësh, Riola është një talente me të ardhme të ndritur  dhe një ftesë në këtë turne do të ishte realizimi i një ëndrre të madhe për të.

Ndërkohë, Kosovare Asllani, një nga lojtaret kryesore të Suedisë, vjen me përvojë të jashtëzakonshme në Lojëra Olimpike dhe Kampionate Botërore. Euro 2025 në Zvicër do të ishte një tjetër kapitull i paharrueshëm për të. Me një shqiponjë  tatuazh në trup, ajo kurrë nuk e ka harruar prejardhjen e saj shqiptare.

Nga 2 deri më 27 korrik 2025, Zvicra do të jetë në qendër të vëmendjes me spektakël futbolli, pasion dhe histori personale frymëzuese. Dhe është pikërisht vendi i duhur për të shkëlqyer!

Në prag të këtij kampionati historik, paltforma albinfo.ch ka realizuar intervista me futbolliste shqiptaro-zvicerane që luajnë në klube dhe liga të ndryshme në Zvicër  për të sjellë më afër zërin, përjetimet dhe ëndrrat e tyre.

 

 

Dy të vdekur në Francë gjatë festimeve për fitoren e PSG

Një natë festimesh për triumfin evropian të Paris Saint-Germain është kthyer në një tragjedi në disa qytete të Francës. Një djalë 17-vjeçar u qëllua për vdekje me thikë në Dax, në rajonin e Landes, gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, më 31 maj dhe 1 qershor. Ngjarja ndodhi gjatë atmosferës festive për fitoren e PSG-së, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse viktima apo autori ishin të përfshirë në festime si tifozë, shkruan Le Monde, transmeton albinfo.ch.

Sipas prokurorisë, autori i dyshuar është në arrati dhe ndaj tij është hapur një hetim për vrasje, i cili po ndiqet nga policia gjyqësore e Bayonne. Viktima ndërroi jetë në spitalin e Dax nga plagët e marra. Nuk raportohet për viktima të tjera në këtë ngjarje. Një njoftim për shtyp nga autoritetet pritet të publikohet gjatë së dielës.

Ndërkohë, edhe në qytete të tjera të Francës u shënuan incidente serioze gjatë mbrëmjes së festimeve. Në Paris, në lagjen e 15-të, një e re 20-vjeçare humbi jetën pasi u godit nga një makinë ndërsa udhëtonte me skuter.

Në Grenoble, një tjetër incident tronditi opinionin publik: një makinë doli nga kontrolli dhe goditi një turmë njerëzish që po festonin. Sipas prokurorisë, “tre ose katër persona”, të gjithë nga e njëjta familje, u plagosën, dy prej tyre rëndë. Shoferi i automjetit u dorëzua vetë në polici dhe rezultoi negativ për drogë dhe alkool. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim, transmeton albinfo.ch.

Në shkallë kombëtare, sipas Ministrisë së Brendshme, u arrestuan 559 persona,  491 prej tyre vetëm në Paris  ndërsa 320 raste përfunduan në ndalim nga policia. 22 efektivë të forcave të sigurisë u plagosën, përfshirë 18 në Paris. Po ashtu, shtatë zjarrfikës dhe 192 qytetarë mbetën të plagosur gjatë incidenteve.

Ministria raportoi gjithashtu për 692 zjarre të shkaktuara gjatë mbrëmjes, përfshirë 264 automjete të djegura. Situata ka ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e rendit gjatë festimeve sportive në Francë.

Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe për shmangien e dhunës në ngjarje të tilla që synojnë të bashkojnë, jo të ndajnë shoqërinë. Hetimet mbi incidentet e ndryshme vijojnë, transmeton albinfo.ch.

Dita e Fëmijëve në Kosovë, organizatat thonë se të drejtat e fëmijëve janë në gjendje të rënduar

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, duke theksuar se situata është e rënduar dhe kërkon reforma urgjente në të gjithë sektorët që ndikojnë në jetën e fëmijëve, raporton albinfo.ch.

Sipas komunikatës së lëshuar nga KOMF, fëmijët nën moshën 18 vjeç përbëjnë rreth 28% të popullsisë së Kosovës, mirëpo përballen me një sistem të brishtë mbrojtjeje që rrezikon mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.

KOMF vlerëson se sistemi aktual i mbrojtjes sociale është reaktiv dhe jo parandalues, ndërsa investimet për shërbime sociale nuk janë të mjaftueshme për të zbutur varfërinë dhe pabarazitë mes fëmijëve. Ndër të tjera, theksohet se skema e asistencës sociale përmban kritere diskriminuese dhe nuk përfshin fëmijët e moshës 16–18 vjeç në shtesat për fëmijë.

Gjendja është gjithashtu e rënduar edhe në aspektin e dhunës ndaj fëmijëve. KOMF bën të ditur se 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme disiplinimi në shtëpi. Po ashtu, rreth 600 fëmijë janë pa kujdes prindëror, dhe 5% e tyre të përfshirë në punë të rënda, raporton albinfo.ch.

Në fushën e arsimit, Kosova vazhdon të ketë përqindjen më të ulët të përfshirjes në edukimin parashkollor në rajon, me vetëm 15% të fëmijëve të moshës 3 – 4 vjeç të përfshirë. Për më tepër, kalueshmëria në Testin e Arritshmërisë është vetëm 52.1%, ndërsa në testin PISA, Kosova është renditur e 76-ta nga 80 vende pjesëmarrëse.

Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsimin e rregullt është e kufizuar, dhe qasja fizike në institucionet arsimore mbetet problem për një pjesë të madhe të shkollave.

Në shëndetësi, mungesa e sigurimeve shëndetësore bën që prindërit të përballen me shpenzime të larta për trajtimin e fëmijëve. Ndërkaq, shërbimet për shëndetin mendor janë thuajse inekzistente, me vetëm 7 psikiatër për fëmijë në të gjithë vendin.

KOMF gjithashtu ka alarmuar për rritjen e delinkuencës së të miturve. Vetëm gjatë vitit 2024, në Prokuroritë Themelore janë pranuar 1,994 kallëzime penale ndaj 3,073 të miturve.

Koalicioni bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme dhe sistematike nga institucionet, për të garantuar mbrojtje, mirëqenie dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë fëmijët e Kosovës, raporton albinfo.ch.

KOMF bën thirrje për ndërmarrjen e veprimeve urgjente:

  •   Hartimi dhe zbatimi i politikave dhe programeve për mbështetjen dhe fuqizimin e familjeve, fuqizimin ekonomik; Miratimi i Ligjit të ri për Asistencë Sociale, largimi i kritereve diskriminuese për fëmijët; Reformimi i shtesave për fëmijë, rritja e shumës mujore dhe përfshirja e moshës 17-18 vjeç në kuadër të tyre;
  • Miratimi i Projektligjit për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuar;
  •   Themelimi i linjës telefonike falas për mbrojtjen e fëmijës dhe themelimi i shtëpive për mbrojtjen e fëmijëve sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës;
  • Themelimi i shërbimeve dhe programeve për parandalimin e përdorimit të drogave nga fëmijët;  Organizimi i ekipeve mobile në komunitet për identifikim, testim dhe mbështetje të rasteve të fëmijëve viktima të abuzimit me droga; Themelimi i shërbimeve për fuqizimin e prindërve për kujdesin dhe mbështetjen e fëmijëve gjatë rehabilitimit dhe re-integrimit;
  • Rritja e burimeve njerëzore brenda institucioneve publike shëndetësore për shëndetin mendor;
  • Rritja e numrit të institucioneve parashkollore dhe e përfshirjes së fëmijëve në nivelin parashkollor;
  • Rishikimi i planprogramit mësimor, rishikimi i kurrikulave dhe rishikimi i teksteve shkollore; Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe mbështetja dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i tyre;
  •    Rritja e numrit të mësuesve mbështetës, asistentëve mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe sigurimi i qasjes fizike për ta, në shkolla;
  • Themelimi i qendrave apo shtëpive të specializuara për trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin, nën moshën e përgjegjësisë penale.

 

Ticino: Kapet shqiptari me 9 kilogramë kokainë në makinë

Punonjësit e Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare kanë kapur një person të dyshuar për kontrabandë droge në Ticino të mërkurën. Ata kanë gjetur afërsisht nëntë kilogramë kokainë në makinën e tij.

Autoritetet e zbatimit të ligjit të Ticino-s dhe Zyra Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (FOCA) kanë lëshuar një njoftim për shtyp të premten duke informuar  për rastin.

Në njoftim thuhet se rojet kufitare kanë kontrolluar automjetin ndërsa 23-vjeçari po përpiqej të largohej nga Zvicra nëpërmjet pikës kufitare San Pietro në Stabio, Ticino, shkruan sda.ch, transmeton albinfo.ch.

Personi u arrestua më pas dhe u mor në pyetje nga Policia Kantonale e Ticino-s. Sipas njoftimit, i dyshuari është një shtetas shqiptar që jeton në Gjermani.

Zjarr në spital në Hamburg, 3 të vdekur dhe 50 të plagosur

Një zjarr i fuqishëm shpërtheu në orët e para të mëngjesit në Spitalin Marien në lagjen Hohenfeide të qytetit verior gjerman Hamburg, duke shkaktuar vdekjen e të paktën tre personave dhe plagosjen e 50 të tjerëve, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Zjarri filloi pak pas mesnatës në departamentin e kujdesit geriatrik të spitalit dhe u përhap shpejt duke mbuluar me tym të dendur të gjitha katet e ndërtesës. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur shkakun e nisjes së zjarrit.

Një numër i madh zjarrfikësish dhe personel emergjence u angazhuan për të shuar flakët dhe për të evakuuar pacientët në siguri. Disa prej të plagosurve po trajtohen në departamentin e urgjencës së Spitalit Marien, ndërsa të tjerët u dërguan në spitale të afërta për trajtim të mëtejshëm.

Në orët e para të së dielës zjarri u vu nën kontroll dhe u shua nga ekipet zjarrfikëse. Hetimet për shkakun e zjarrit vazhdojnë, transmeton albinfo.ch.

Fillon shitja e biletave për dy ndeshjet e qershorit të Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se ka filluar shitja e biletave për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor, ku Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Armeninë dhe Komoret në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja e parë do të zhvillohet më 6 qershor 2025, në ora 19:00, ndaj Armenisë, ndërsa tri ditë më vonë, më 9 qershor, po ashtu nga ora 19:00, Kosova do të luajë kundër Komoreve, transmeton albinfo.ch.

Biletat për të dy ndeshjet mund të blihen online përmes platformës eBileta, në këtë adresë:
🔗 https://eu.ebileta.al/biglietteria/listaEventiPub.do
Në faqe, përdoruesit duhet të zgjedhin ndeshjen përkatëse në anën e majtë të ekranit.

Çmimet e biletave janë si më poshtë:

  • Tribuna Veri dhe Jug – 5 euro
  • Tribuna Lindje – 10 euro
  • Tribuna Perëndim – 20 euro
  • VIP – 80 euro

FFK ka ftuar të gjithë tifozët që të jenë pjesë e këtyre dy ndeshjeve dhe të përkrahin ekipin kombëtar në stadium, transmeton albinfo.ch.

Blatten: Situata po përmirësohet, por rreziku mbetet i lartë

Pas disa ditësh pasigurie dhe përpjekjesh të vazhdueshme për menaxhimin e pasojave të rrëshqitjes masive në Blatten, autoritetet zvicerane njoftojnë për një stabilizim të lehtë të situatës, por theksojnë se rreziku mbetet ende i lartë dhe kërkohet kujdes i shtuar, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimeve zyrtare, niveli i Liqenit Blatten, që ndodhet mbi depozitën e rrëshqitjes, ka nisur të bjerë lehtësisht. Po ashtu, diga e përkohshme e ndërtuar në Ferden është mbushur nga kompania Lonza dhe po e përmbush funksionin e saj në parandalimin e përhapjes së mbetjeve.

Megjithatë, presidenti i bashkisë, Matthias Belwald, paralajmëroi se është shumë herët për të hequr alarmin. “Mali mbi Blatten vazhdon të gërryhet ngadalë”, tha ai të shtunën. Edhe gjeologu kantonal i Valais, Raphaël Mayoraz, theksoi se ndonëse ka shenja pozitive, situata është ende serioze: “Niveli i rrezikut mund të jetë zbritur nga 10 në 9, por kjo nuk është e mjaftueshme. Do të ndiheshim më të sigurt kur rreziku të bjerë në 2 ose 3.”

Ndërkohë, autoritetet federale po vazhdojnë përkrahjen. Presidentja federale Karin Keller-Sutter vizitoi rajonin të premten, duke siguruar banorët se “nuk janë vetëm”. Ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, zhvilloi një vizitë të dytë në zonë të shtunën, transmeton albinfo.ch.

Shembja e akullnajës Birch, e ndodhur të mërkurën, shkaktoi shkatërrimin e plotë të fshatit Blatten, duke detyruar evakuimin e 365 personave. Një banor i zhdukur  një fermer 64-vjeçar që ndodhej në stallën e tij  ende nuk është gjetur, dhe kërkimet janë pezulluar për shkak të rrezikut të lartë për ekipet e shpëtimit.

Solidariteti Zviceran ka aktivizuar fondin e tij të ndihmës për katastrofa në Zvicër, duke bërë thirrje për donacione për të ndihmuar viktimat e kësaj fatkeqësie. Po ashtu, Caritas Zvicër dhe Kryqi i Kuq Zviceran kanë mobilizuar 400,000 franga, ndërsa Fondi i Sponsorizimit të Komuniteteve Malore ka premtuar një milion franga ndihmë.

Situata mbetet e brishtë, ndërsa autoritetet dhe komuniteti po punojnë pa ndërprerje për rikthimin e sigurisë në zonë dhe për të ndihmuar ata që janë prekur më rëndë nga kjo tragjedi natyrore, transmeton albinfo.ch.

Festë dhe tension në Paris pas fitores historike të PSG-së në Ligën e Kampionëve

Fitorja e shumëpritur e Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Interit (5-0) u shoqërua me gëzim të jashtëzakonshëm në kryeqytetin francez, por nuk munguan as incidentet dhe tensionet që prishën atmosferën festive, shkruan Le Monde, transmeton albinfo.ch.

Sipas Prefekturës së Policisë së Parisit, 181 persona u arrestuan gjatë mbrëmjes së së shtunës, 31 maj, kryesisht në zonën e Champs-Élysées dhe përreth Parc des Princes, ku ndeshja u transmetua në ekrane gjigante për mijëra tifozë të pranishëm.

Pavarësisht se shumica e festimeve kaluan në paqe, autoritetet raportuan akte vandalizmi dhe plaçkitje, përfshirë një dyqan këpucësh sportive në Champs-Élysées ku rreth tridhjetë persona hynë me forcë. Tensionet filluan të ndihen që përpara fishkëllimës së fundit në orën 22:45, kur tashmë 81 persona ishin ndaluar nga policia.

Sipas autoriteteve, “problematikat” u përqendruan kryesisht në Porte de Saint-Cloud dhe në majë të Champs-Élysées. Një top uji u përdor nga policia për të shpërndarë turmat që tentuan të afrohen te Harku i Triumfit, zona e cila ishte bllokuar për trafik e këmbësorë gjatë gjithë mbrëmjes.

Një automjet u dogj rreth orës 23:00 në Porte de Saint-Cloud, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë disa herë për të shuar zjarre të shkaktuara nga biçikleta elektrike, që rrezikonin automjetet në afërsi. Edhe transporti publik nuk shpëtoi pa tensione  në stacionin Charles-de-Gaulle Etoile, policia ndërhyri pasi një turmë u përpoq të hipte me forcë në trenin RER A.

Në një deklaratë në platformën X, Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, dënoi ashpër dhunën: “Barbarët që dolën në rrugët e Parisit për të provokuar policinë nuk kanë asgjë të përbashkët me tifozët e vërtetë të PSG-së që festonin fitoren madhështore. Është e padurueshme që nuk mund të festohet në qetësi për shkak të një pakice që nuk respekton asgjë.”

Për sigurinë e qytetit, në mbrëmje ishin dislokuar 5,400 forca policore dhe xhandarë, të cilët mbetën në gatishmëri përgjatë gjithë zonës metropolitane, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, në Grenoble, festimet u kthyen në tragjedi pasi një makinë humbi kontrollin dhe përplasi një turmë, duke lënë të plagosur katër persona nga e njëjta familje, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Shoferi është ndaluar dhe ndodhet në paraburgim.

Megjithë incidentet, për mijëra qytetarë dhe tifozë të PSG-së, kjo mbeti një natë e paharrueshme që shënoi një kapitull të ri në historinë e klubit dhe futbollit francez, transmeton albinfo.ch.

Bislimi: Dialogu Kosovë – Serbi nuk është i barabartë, BE-ja ka qenë e anshme në proces

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian nuk ka qenë i balancuar dhe se BE-ja ka treguar njëanshmëri të qartë në favor të Serbisë. Këto komente ai i bëri në një intervistë për Deutsche Welle, gjatë pjesëmarrjes së tij në panelin “Më shumë Europë, për një Europë më të fortë?”, të mbajtur në Aachen të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Sipas Bislimit, dialogu që zhvillohet në Bruksel është ndërmjet dy shteteve dhe jo mes qyteteve, siç pretendohet në disa raste. Ai theksoi se Marrëveshja Bazike për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, është shpeshherë keqinterpretuar nga pala serbe për ta reduktuar në temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ka një përpjekje të qëllimshme nga Serbia për ta paraqitur Marrëveshjen Bazike si një rikonfirmim të Asociacionit, por kjo nuk qëndron. Në asnjë nga 11 nenet e saj nuk përmendet specifikisht Asociacioni,” tha Bislimi.

Ai akuzoi Serbinë për moszbatim të shumicës së marrëveshjeve të dakorduara ndër vite, duke përfshirë mbylljen e strukturave paralele, mosbllokimin e Kosovës në proceset ndërkombëtare dhe bashkëpunimin për menaxhimin e kufijve. “Lista e mospërmbushjes nga Serbia është dyfish më e gjatë se ajo e Kosovës,” theksoi ai.

Bislimi foli edhe për konfuzionin që është krijuar rreth Asociacionit, duke sqaruar se grupi punues që duhej të hartonte draft-statutin për Asociacionin  i përbërë nga katër anëtarë serbë  nuk e ka dorëzuar kurrë një version zyrtar që nga viti 2013 e deri në vitin 2024. “Si mund të fajësohet Kosova për një proces që është bllokuar nga vetë përfaqësuesit e komunitetit serb?” pyeti ai, transmeton albinfo.ch.

Zëvendëskryeministri gjithashtu kritikoi Bashkimin Europian për qasjen e njëanshme. Sipas tij, BE-ja ka akomoduar kërkesat e Serbisë me shpresën se kjo do të garantonte një marrëveshje, ndërsa Kosova nuk ka përfituar asnjë nga kërkesat që ka parashtruar.

“Serbia që në javët e para pas marrëveshjes mori dy të tretat e asaj që kërkonte: hapjen e negociatave me BE-në dhe garanci për Asociacionin. Kosova, ndërkohë, vazhdon të përballet me bllokada dhe fushata çnjohjeje nga Serbia,” tha ai.

Në fund, Bislimi tha se Kosova është e gatshme të tregojë transparencë të plotë para Bashkimit Europian për hapat që ka ndërmarrë në drejtim të integrimit të minoriteteve, përfshirë edhe komunitetin serb. Ai kërkoi që standardet të jenë të njëjta për të gjitha komunitetet në rajon, duke përmendur mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë në Luginën e Preshevës si një shembull të dyfishtë standardi.

“Brukseli merret me numrin e policëve serbë në Kosovë, por nuk e shqetëson që në Preshevë nuk është punësuar asnjë polic shqiptar,” përfundoi ai, transmeton albinfo.ch.

Stuhitë do të godasin Zvicrën, paralajmërime për rrezik të lartë në disa rajone

Pas një dite me temperatura të larta, moti pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë mbrëmjes së së shtunës. Sipas paralajmërimeve të fundit, disa qeliza stuhish pritet të arrijnë në Zvicër nga jugperëndimi, duke sjellë reshje të dendura dhe mundësi për breshër në rajone të ndryshme të vendit, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Stuhitë fillimisht do të prekin zonat e Gjenevës, Bielit dhe Neuchâtelit, si dhe pjesë të Zvicrës qendrore, përfshirë rajonin rreth Lucernës. Më pas, pritet që moti i keq të përhapet në Bernë, Fribourg, Olten dhe Zvicrën verilindore.

Qeveria federale ka lëshuar paralajmërime për “rrezik të konsiderueshëm” në disa rajone malore dhe fushore, përfshirë Vallée de Joux, Delémont-Bellelay, Gersau-Engelbergertal, Sarnen-Lungern dhe Luzern-Aplnacht. Stuhitë e pritura mund të sjellin rrufe, erëra të forta dhe breshër, duke rritur rrezikun për dëmtime materiale dhe rreziqe për sigurinë publike, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet këshillojnë banorët në zonat e prekura të shmangin lëvizjen në afërsi të trupave të ujit, zonave të hapura dhe vendeve të ekspozuara ndaj rrufeve, si kodrat, pemët dhe hapësirat pa mbrojtje.

Ndërkohë, niveli i paralajmërimit është rritur në shkallën e dytë më të lartë për Val de Travers, ku autoritetet kanë shpallur një “rrezik të madh” për stuhira deri në orën 21:00.

Institucionet përkatëse po monitorojnë nga afër situatën dhe i bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet më të fundit të motit, transmeton albinfo.ch.