Qeni nuhatës zbulon 128 kg hashash në Aeroportin e Cyrihut

Një qen nuhatës në Aeroportin e Cyrihut ka zbuluar 128 kilogramë hashash gjatë kontrollit të një ngarkese mallrash që vinte nga Shtetet e Bashkuara.

Droga ishte fshehur në 30 kuti të etiketuar si “dysheme vinili rezistente ndaj ujit”, transmeton albinfo.ch.

Në total, autoritetet kontrolluan 144 kuti të shpërndara në katër paleta. Qeni i policisë sinjalizoi praninë e substancave narkotike, të cilat më pas u sekuestruan dhe iu dorëzuan policisë kantonale të Cyrihut. /Albinfo.ch

KQZ me sqarim për votat e Mitrovicës e Gjakovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se gjatë ditës së sotme ka pranuar sqarim zyrtar lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë, përcjell albinfo.ch.

Sipas KQZ-së në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.

“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se për këtë përgjigje është njoftuar Prokuroria e Shtetit.”, thuhet në njoftim.

Lazim Destani nderohet nga Bashkia e Kukësit gjatë inaugurimit të Shqiponjës monumentale

Në një ceremoni të veçantë në qytetin e Kukësit, biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani u nderua me titullin “Çelësi i Qytetit” dhe me Certifikatën e Mirënjohjes, gjatë inaugurimit të Shqiponjës monumentale, simbol i krenarisë kombëtare, përcjell albinfo.ch.

Destani, i ftuar nga Kryetari i Bashkisë, Albert Halilaj, vizitoi fillimisht institucionet lokale dhe zhvilloi një takim miqësor me drejtuesit dhe qytetarët e Kukësit. Në ceremoninë e inaugurimit pranë rreth-rrotullimit të Gostilit, ai falënderoi edhe mikun e tij, Pandeli Majko, për angazhimin në vendosjen e Shqiponjës, që fluturoi nga Tirana për të gjetur vendin e vet në malet e Kukësit.

Në fjalën e tij, Destani theksoi rëndësinë e këtij simboli kombëtar dhe lidhjen e tij personale me Kukësin: “Sot ndjej të njëjtat emocione si kur kjo Shqiponjë u vendos në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Mirënjohja që pranova sot nga Bashkia juaj është ndër më të veçantat për mua.”

Ai gjithashtu uroi për zhvillim ekonomik dhe kulturor të Kukësit dhe gjithë trojeve shqiptare, duke nxjerrë në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe integrimit në Bashkimin Europian. Ceremonia u zhvillua në atmosferë festive, me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe miqve të Diasporës.

Postimi i plotë i tij:

Me rastin e inaugurimit të Shqiponjës monumentale në qytetin e Kukësit, dje pata kënaqësinë të kaloj një ditë të bukur këtu, në këtë qytet të njohur me epitetin ‘Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë’.

I ftuar nga Kryetari i Bashkisë – Kukës, z. Albert Halilaj, fillimisht pata nderin të realizoj një vizitë miqësore te kjo Bashki. Me këtë rast, në atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, nga Kryetari Halilaj pranova titullin “Çelësi i Qytetit” të Kukësit si dhe Çertifikatën e Mirënjohjes. Krahas drejtuesve të Bashkisë, në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe një grup nga miqtë e mi, të ardhur nga trojet tona e nga diaspora. Këta më thanë, erdhëm këtu për të qenë sot pranë teje, por më shumë, për ta nderuar qytetin e Kukësit, banorët e kësaj ane, dhe mbi të gjitha, në nderim të simbolit tonë kombëtar, Shqiponjës monumentale që sot po inaugurohet këtu në këtë qytet.

Me përfundimin e takimit në Bashki, të gjithë së bashku u nisëm për te rreth-rrotullimi i Gostilit, vendi i përurimit të Shqiponjës monumentale. Sado që ishte mot me shi, këtu gjetëm shumë banorë të zonës që ishin tubuar për ta ndjekur ceremoninë.

Për ftesën si dhe për mirënjohjen që pranova nga Bashkia e Kukësit falënderoj Kryetarin Albert Halilaj së bashku me stafin e tij si dhe gjithë kuksianët. Në mënyrë të veçantë falënderoj mikun tim Pandeli Majko për praninë këtu dhe për angazhimin e tij personal që kjo Shqiponjë të fluturojë nga Tirana për t’u vendosur në folenë e vet, në malet e Kukësit.

Fjala ime e plotë te ceremonia e inaugurimit të Shqiponjës monumentale:

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që sot ndodhem në mesin tuaj këtu në Kukës, ku po promovohet përurimi i kësaj Shqiponje, simbol dhe krenari e jona kombëtare.

Siç e dimë, kjo Shqiponjë fluturoi nga Tirana për tu vendosur këtu në Kukës. Në Tiranë, vendit ku qëndroi për disa vite, i dha emrin “Sheshi Shqiponja”, ndërsa erdhi këtu sepse siç duket, Shqiponjat i duan malet e larta.

Për angazhimin që kjo Shqiponjë të vendoset në Kukës, ju falënderoj personalisht juve zoti Halilaj si dhe stafin e Bashkisë që ju drejtoni.

Juve zoti Pandeli Majko ju falënderoj gjithashtu për angazhimin tuaj që kjo Shqiponjë të vijë këtu në Kukës, në këtë qytet me tradita të lashta kombëtare, e të njohur për moton “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.

Të nderuar qytetarë të Kukësit dhe gjithë ju bashkëkombës të dashur, si dhurues i kësaj vepre arti, sot në këtë ceremoni kam të njëjtat emocione siç i kisha kur ky monument u vendos në Tiranë me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë. Gëzimi dhe emocionet janë të njëjta pasi Shqiponja Dykrenare është në zemrën e çdo shqiptari.

Unë vij nga katundi Bozovcë i malësisë së Sharrit, rrethi i Tetovës, dhe këtë katund ku linda e u rrita, vetëm pak kodra e ndajnë nga Kukësi. Me këtë rast dua të sjell këtu një moment të veçantë nga fëmijëria ime, dhe që lidhet jo vetëm me mua por me gjithë shqiptarët e asaj ane. E kam fjalën për vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, e në vazhdim. Brezi ynë si dhe ata pas nesh, jemi rritur me zërin amënor e me tingujt e bukur të këngëve që vinin nga valët e Radio Kukësit. Zëri që na vinte nga ky qytet ka qenë ushqim shpirtëror i përditshëm për ne, ka qenë zëri që na mbushte zemrën me gëzim, na mbushte me frymë dhe energji të reja, dhe mbi të gjitha, na e forconte ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut.

Ky ka qenë motivi që më ka bërë edhe këtë qytet ta ndiej si qytetin tim. Në ato kohëra si fëmijë nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se pas më shumë se gjysmë shekulli qyteti i Kukësit do të më nderojë me titullin “Çelësi i Qytetit”. Andaj, mirënjohja që pranova sot nga Bashkia juaj, për mua është ndër më të veçantat. Sot e tutje, sa herë që do vij në Kukës, do ta çel portën e këtij qyteti me po atë ngrohtësi që e çel portën e shtëpisë sime në Tetovë!

Për Kukësin, për Shqipërinë, për të gjitha trojet tona uroj më të mirën, zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror e kulturor. Pandalshëm le të punojmë së bashku për forcimin e vendeve tona e për realizimin e aspiratave tona kombëtare. Të palëkundur le të ecim drejt integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian, sepse ne shqiptarët krahas gjeografisë, këtu e kemi edhe historinë tonë të lavdishme, si dhe përkatësinë tonë kulturore.

Meqenëse jemi në muajin nëntor, në Nëntorin e Festës së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit, juve këtu dhe gjithë bashkëkombësve ju uroj;

Gëzuar 113 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë!

Gëzuar Dita e Flamurit Kombëtar!

Ndërtimi si mision: Rrugëtimi i Jasmin Ibraimit në Zvicër

Jasmin ibraimi, me prejardhje nga Negotina e Pollogut të Maqedonisë së Veriut, ka ndërtuar një histori suksesi në sektorin e ndërtimit në Zvicër. Pasioni i tij për ndërtimin ka nisur që në moshë të re dhe me kalimin e viteve vetëm sa është rritur. Para 12 vitesh ai mori guximin të hapte kompaninë AkkoTech Bauunternehmen në Winthertur, e cila sot gëzon reputacion dhe besueshmëri në tregun zviceran.

Sfida e parë: fitimi i besimit

Vitet e para kanë qenë më të vështirat. Jasmini tregon se sfida më e madhe ka qenë fitimi i kredibilitetit në treg.
“Edhe pse kisha shtetësi zvicerane, shpesh më shikonin me skepticizëm, si arkitektët ashtu edhe investitorët. Por me korrektësi, profesionalizëm dhe cilësi, çdo projekt që realizuam solli kënaqësi dhe besim të ri, duke na hapur derën për projekte të tjera,” – rrëfen ai.

Krenaria e profesionit

Për Jasminin, çdo projekt i përfunduar me sukses dhe çdo klient i kënaqur është një arritje më vete.
“Kur arkitektët të komplimentojnë dhe kur investitorët shprehen të kënaqur, kjo është kënaqësia më e madhe. Çdo projekt mbart një ndjenjë krenarie të veçantë,” – thekson ai.

Mesazh për të rinjtë shqiptarë

Duke iu drejtuar të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të futen në sektorin e ndërtimit, ai thekson: “Mos u frikësoni nga puna. Është e vërtetë që ndërtimtaria kërkon shumë, por nëse e bën me zemër dhe me dëshirë, puna bëhet pasion. Unë kam filluar që në moshën 16-vjeçare dhe çdo vit që kalon, dashuria për këtë profesion vetëm sa është rritur. Puna me përkushtim sjell rezultate dhe sukses”.

Ibraimi vëren me krenari se shqiptarët po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në pozitat kyçe në Zvicër, jo vetëm në ndërtimtari, por edhe në fusha të tjera.
“Shqiptarët po ecin me hapa të mëdhenj përpara në çdo sektor”, thotë ai.

Kur pyetet se cilat aftësi janë më të rëndësishme në këtë profesion, ai ndalet te një këshillë që e ka marrë nga babai: “Bëje atë punë që e do. Nëse puna nuk të sjell gëzim, atëherë nuk është rruga e duhur. Dashuria për profesionin është çelësi i suksesit.”

Jeta si “Baumeister”

Si udhëheqës ndërtimi (Baumeister), dita e tij nis me projektet nga themelet (Tief- dhe Rohbau) dhe përfundon me mbikëqyrjen e çdo detaji teknik.
Projekti i parë, kujton ai, ishte një sfidë e madhe, jo vetëm nga ana materiale por edhe financiare. “Ishte një përvojë e vështirë, por më ka mbetur si kujtim i paharruar dhe më ka dhënë forcë për të mos u dorëzuar.”

Synimi i tij është që firma AkkoTech të vazhdojë të funksionojë. “Dëshira ime është të vazhdoj këtë rrugë me korrektësi dhe profesionalizëm. Kur të vijë koha të mbyllet, të mbyllet me dinjitet, duke falënderuar të gjithë ata që na kanë besuar,” – përfundon ai.

Shqiptarët, gjithnjë më të pranishëm në pozita kyçe

Ibrahimi vëren me krenari se shqiptarët po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në pozitat kyçe në Zvicër, jo vetëm në ndërtimtari, por edhe në fusha të tjera.
“Shqiptarët po ecin me hapa të mëdhenj përpara në çdo sektor”, thotë ai.

Kompania e Jasmin Ibraimit: https://akkotech.ch/

Foto Genti Mersinaj

Media britanike: Shqipëria mes vendeve më mahnitëse

Bota jonë është e madhe, e bukur dhe emocionuese, kryesisht sepse është e përbërë nga një diversitet kulturash, shkruan Elise Christian në të përditshmen britanike “Rest Less”, përcjell albinfo.ch.

Kultura është thelbësore për ekzistencën njerëzore dhe përshkruan besimet, vlerat dhe traditat e përbashkëta me të cilat jeton çdo komunitet. Udhëtimi në vende me kultura ndryshe nga e jona mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm.

Jo vetëm që ofron perspektiva të reja mbi botën, por gjithashtu mund të na ndihmojë të krijojmë lidhje të pasura dhe kuptimplote me një gamë njerëzish. Nëse dëshironi të shijoni muzikën “mariachi” në Meksikë, të eksploroni majat dramatike të Shqipërisë apo të bëni një ekskursion në “Fushat e Vrasjes” në Kamboxhia, ju rekomandojmë 13 vendet më mahnitëse për zbulime kulturore.

 

Shqipëria

Ndërsa Shqipëria ka regjistruar një rritje të turizmit vitet e fundit, kultura e saj rurale mbetet e fortë, me shumë vendas të punësuar në punë bujqësore. Shqipëria është gjithashtu një vend me plazhe të mrekullueshme, fshatra idilikë, pamje mahnitëse të Alpeve dhe vende historike të magjepsëse, siç janë mbetjet nga Perandoria Osmane. Ky vend i Evropës Jugore ka edhe shumë xhevahire të fshehura.

Për shembull, “Syri i Kaltër” është një burim me ujëra blu verbues me një thellësi të panjohur, ndërsa, në qytetin e Gjirokastrës, të listuar në UNESCO, shtëpitë prej guri ngjajnë me fortesa të vogla dhe rrugët me kalldrëm ju çojnë në pazarin e Qytetit të Gurtë.

“Rest Less” ka sugjeruar 13 destinacionet më të mira për të eksploruar në botë:

1. Shqipëria; 2. Peruja; 3. Kamboxhia; 4. Kina; 5. Portugalia; 6. Guatemala; 7. Japonia; 8. Nepali; 9. Turqia; 10. Maroku; 11. Jordania; 12. Etiopia; 13. Meksika

Zvicra pa mesfushorin Sierro për ndeshjet kualifikuese ndaj Suedisë dhe Kosovës

Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se mesfushori Vincent Sierro nuk do të jetë i disponueshëm për dy ndeshjet vendimtare të nëntorit kundër Suedisë dhe Kosovës, pas një lëndimi në këmbë të konstatuar nga stafi mjekësor, transmeton albinfo.ch.

Në njoftimin zyrtar thuhet se lëndimi është diagnostikuar të hënën në mesditë dhe se futbollisti është larguar nga grumbullimi për të marrë trajtimin e nevojshëm në klubin e tij.

“Mesfushori Vincent Sierro do të mungojë në dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Suedisë dhe Kosovës. Lëndimi në këmbë është diagnostikuar nga stafi mjekësor të hënën në mesditë. Sierro është larguar nga kombëtarja për të marrë trajtim te klubi”, thuhet në deklaratën e Federatës Zvicerane.

Kjo mungesë vjen në një moment të rëndësishëm për përfaqësuesen helvetike, e cila me një fitore në këto dy ndeshje do të siguronte matematikisht kualifikimin në Kupën e Botës.

Trajneri Murat Yakin pritet të bëjë rregullime në mesfushë për të mbuluar mungesën e Sierros, në përpjekje për të ruajtur stabilitetin dhe ritmin e skuadrës në fundin e fazës kualifikuese.

https://www.football.ch/sfv/nationalteams/a-team/news/maenner-nationalteam-vincent-sierro-faellt-verletzt-aus.aspx

Hill po vazhdon sot dëshminë në Speciale

Bëhet e ditur se i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovë në kohën e luftës dhe ambasador amerikan në Serbi deri në fillim të këtij viti, Christopher Hill, sot do të vazhdojë dëshminë e tij në gjykatoren e Speciales, në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përcjell albinfo.ch. 

Hill do të vazhdojë dëshminë në orën 9:00, ndërkohë që transmetimi bëhet më 45 minuta vonesë. 

Të hënën tek iu përgjigj mbrojtjes së Thaçit, Hill tha se i akuzuari i Speciales, në takimin e parë mes tyre, nuk ia dha përshtypjen si udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ai fliste butë në mënyrë të mendueshme dhe m’u krijua përshtypja se ai përputhej më shumë me ndonjë mjedis universitar sesa ndonjë mjedis ushtarak. Mua personalisht nuk ma kujtonte ndonjë mjedis ushtarak”, tha Hill.

I pyetur nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, se a e pati përshtypjen se Thaçi e kishte nën kontroll UÇK-në, dëshmitari Hill u përgjigj se nuk kishte bazë ta mendonte këtë.
“Nuk kisha asnjë bazë për këtë. Ai ishte një prej tre personave që erdhën. Ai ishte udhëheqësi i këtyre personave që i takova, por nuk m’u krijua përshtypja se ai ishte një person që kishte nën kontroll këtë organizatë të madhe ose që drejtonte këtë organizatë të madhe”, tha Hill.

Në këtë rast gjyqësor Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e publikuar në shkurt të 2023-tës, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

PDK-ja do të ankohet në PZAP për votat në Mitrovicë

Sot, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të dorëzojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me dyshimet për manipulim të votave në Mitrovicë, përcjell albinfo.ch.

Betim Gjoshi, sekretar organizativ i PDK-së në një postimi në Facebook ka  shkruar se vota është e shenjtë dhe partia të cilës i përket ai, është e vendosur për ta mbrojtur integritetin e zgjedhjeve.

“Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë brenda afatit ligjor ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar Gjoshi në profilin e tij në Facebook.

Të hënën në mbrëmje është ndërprerë procesi i numërimit në Mitrovicë për shkak të dyshimeve se ka pasur manipulim të votave. Kjo pasi janë hasur fletëvotime me numra të ndryshëm serik. Komisionerët e PDK-së në Mitrovicë dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë pranuar të rikthehen në sallën e numërimit, duke deklaruar se nuk pranojnë ta shkelin ligjin. Për këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me qëndrim zyrtar duke deklaruar se ka ndodhur një gabim teknik nga kompania që ka shtypur fletëvotimet. Tutje ka shtuar se kompania do të dalë me një sqarim lidhur me rastin. Fletëvotime me gabime të ngjashme ka pasur sipas KQZ-së edhe në Gjakovë. Ndërkaq në një njoftim vonë të hënën, ndërkohë, prokuroria ka njoftuar se ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të numërimit, deri në sqarimin e kompanisë.

Prokuroria urdhëron ndërprerjen e përkohshme të numërimit në Mitrovicë

Sot, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën  Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës, përcjell albinfo.ch.

Në njoftim është thënë se ka pasur pretendime për manipulim me fletëvotime dhe do të pritet deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që i ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar numrat e ndryshëm serikë në disa fletëvotime.

“Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime. Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, thuhet në njoftim.

Në balotazhin e të dielës, në këtë komunë sipas rezultateve preliminare, ka fituar Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje përballë Arian Tahirit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në mbrëmjen e së hënës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati thënë se ka konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit.  

Gjermani: Qeveria ashpërson masat kundër punës në të zezë

Mësohet se Qeveria federale gjermane po ndërmerr hapa të rinj për të forcuar luftën kundër punës në të zezë dhe punës së padeklaruar, një problem që vazhdon të ndikojë ndjeshëm në tregun e punës dhe në të ardhurat publike të vendit, përcjell albinfo.ch.

Referuar burimeve qeveritare, projektligji i ri, i përgatitur nga koalicioni CDU/CSU dhe SPD, pritet të votohet në Bundestag më 13 nëntor 2025. Ky ligj synon të ashpërsojë ndëshkimet dhe të përmirësojë mekanizmat e kontrollit, sidomos në sektorët ku fenomeni është më i përhapur.

fokus të veçantë të këtij ligji do të jenë shërbimet për shpërndarjen e ushqimit, si dhe disa shërbime të tjera të lëvizshme ku rastet e punës së padeklaruar janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

Sipas propozimit, punonjësit do të kenë detyrim të mbajnë dhe paraqesin dokumente identifikimidhe dëshmi të tjera që verifikojnë statusin e tyre të punës. Ndërkohë, punëdhënësit do të përballen me një detyrim të menjëhershëm raportimi për çdo punësim të ri, për të garantuar transparencë të plotë dhe shmangie të abuzimeve.

Përveç kësaj, gjobat për shkelje të rregullave pritet të rriten ndjeshëm, ndërsa organet kompetente do të pajisen me më shumë kompetenca për inspektime dhe ndëshkime.

Qeveria gjermane e sheh këtë hap si pjesë të një strategjie më të gjerë për të forcuar ekonominë formale, për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe për të siguruar konkurrencë të ndershmemidis bizneseve.

Dy aktorë shqiptarë shkëlqejnë në Netflix me filmin ndërkombëtar “Departure”

Bëhet fjalë për Xhemi Agaj dhe Etienne Kellici përfaqësojnë me sukses artin shqiptar në kinemanë botërore, transmeton albinfo.ch.

Dy aktorë me prejardhje shqiptare që jetojnë në Kanada, Xhemi Agaj dhe Etienne Kellici, po tërheqin vëmendjen e publikut ndërkombëtar me rolet e tyre në filmin “Departure”, i cili tashmë transmetohet në platformën gjigante Netflix.

Filmi trajton një histori të thellë emocionale që flet për humbjen, dhimbjen dhe forcën njerëzore për t’u rimëkëmbur, duke sjellë në ekran një mesazh prekës për shpresën dhe rilindjen. Me regji të kujdesshme dhe rrëfim të ndërtuar me ndjeshmëri, “Departure” është vlerësuar për realizmin e tij dhe interpretimet e fuqishme të aktorëve kryesorë.

Performancat e Agajt dhe Kellicit janë cilësuar si ndër pikat më të forta të filmit, duke reflektuar autenticitet, pasion dhe profesionalizëm. Me prezencën e tyre në këtë produksion ndërkombëtar, ata po e bëjnë të njohur artin shqiptar në një prej skenave më të mëdha të kinemasë botërore.

Ky sukses është një dëshmi e qartë se talentet shqiptare po fitojnë terren në industrinë globale të filmit, duke sjellë vlera, histori dhe identitet në çdo projekt ku marrin pjesë./Albinfo.ch

Shkencëtarja shqiptare në Microsoft në ballinën e revistës së njohur kanadeze

Në numrin më të ri të revistës Whoman Canada, ballina kryesore i është dedikuar Florida Doçit, një grua shqiptare që po formëson të ardhmen e inteligjencës artificiale në Kanada dhe në mbarë botën. Me një përkushtim të thellë ndaj zhvillimit etik të teknologjisë, Florida po dëshmon se inovacioni mund dhe duhet të udhëhiqet nga empatia dhe humanizmi, transmeton albinfo.ch. 

Ajo rrëfu se inteligjenca nuk ndërtohet vetëm në kod apo të dhëna, por edhe në dhembshuri, integritet dhe guximin për të ëndërruar përtej kufijve. Pikërisht kjo filozofi e ka bërë një prej zërave të dalluar në fushën e inteligjencës artificiale në Microsoft, ku punon si kërkuese shkencore në zhvillimin dhe implementimin e A.I.-së në mënyrë të përgjegjshme dhe bashkëpunuese.

Florida Doçi është pjesë e brezit të ri të mendjeve krijuese që po ndërthurin teknologjinë me vlerat njerëzore, duke ndikuar në mënyrën si kompanitë e mëdha ndërtojnë produkte që i shërbejnë shoqërisë.

Rruga e saj akademike është po aq mbresëlënëse: ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Windsor-it, ku mori dy diploma, Shkenca Politike dhe Shkenca Biologjike & Bioteknologji. Më pas, përfundoi Masterin në Shkenca Ndërdisiplinare të ShëndetitUniversitetin e Ottawa-s, ku aktualisht është në proces të përfundimit të doktoraturës në Shëndetin e Popullatës.

Historia e saj është dëshmi e fuqisë së dijes dhe përkushtimit. Nga auditorët universitarë në Kanada, deri në një nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë, Florida Doçi po frymëzon një brez të ri grash shqiptare që besojnë se mund të ndërtojnë botën e së nesërmes me mendje të hapur dhe zemër të madhe.

Lexoni historinë e saj frymëzuese në Whoman.ca – një reflektim i shkëlqimit, ekuilibrit dhe shpirtit njerëzor pas inovacionit. https://whoman.ca/dr-florida-doci-shaping-canadas-ai-landscape-with-vision-and-expertise/

Kantoni i Lucernit dërgon 18,000 letra të pasakta tatimore

Zyra Tatimore e Lucernit, në bashkëpunim me një partner të jashtëm, dërgoi javën e kaluar një letër informuese të gjithë individëve që nuk kishin dorëzuar ende deklaratat e tyre tatimore për vitin 2024. Letra i kujtonte ata të dorëzonin deklaratat deri më 31 dhjetor 2025, transmeton albinfo.ch.

Gabimi ndodhi gjatë përgatitjes së letrave, shkruan Kancelaria Shtetërore e Lucernit në një komunikatë për shtyp. Letra ishte dërguar si për individë, ashtu edhe për kompani.

Letra një-faqëshe ishte printuar në të dyja anët, dhe secila letër kishte emrin e një marrësi të ndryshëm në faqen e pasme. Në total, rreth 18,000 letra u prekën nga ky gabim.

Çfarë do të ndodhë tani?

Zyra Tatimore kërkon falje për gabimin dhe shqetësimet e shkaktuara. Të gjithë individët dhe kompanitë e prekura do të marrin së shpejti letra të reja dhe të sakta.

 

KQZ del me sqarim për fletëvotimet e dyshimta në Mitrovicë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar shqetësimet lidhur me një gabim të konstatuar në disa fletëvotime gjatë procesit të verifikimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut.

Bazuar në informatat e Komisioneve Komunale të Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut, gabimi lidhet me shtypjen e kodit të vendvotimit në disa fletëvotime. Kompania përgjegjëse për shtypjen ka pranuar mundësinë që problemi të ketë ndodhur në printerin mekanik dhe do të ofrojë një sqarim zyrtar në ditët në vijim.

KQZ thekson se numri total i fletëvotimeve është saktë dhe çdo fletëvotim ka numër serik që përputhet me numrin e pranuar dhe të verifikuar. Komisioni siguron se ky gabim teknik nuk ndikon në integritetin e procesit të votimit dhe numërimit, pasi fletëvotimet përmbajnë elementë sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre.

 

Donald Trump kërcënon BBC-në me padi për dokumentarin mbi 6 Janarin

Donald Trump i ka dërguar BBC-së një letër ku kërcënon me veprime ligjore, duke intensifikuar krizën për transmetuesin publik britanik mbi mënyrën se si është trajtuar periudha e administratës së tij.

Sipas raportimeve të BBC News të hënën, letra vjen vetëm një ditë pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm dhe të shefes ekzekutive të lajmeve të korporatës, të cilët u kritikuan për mbulimin e deklaratave të Trump më 6 janar 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan Kongresin Amerikan.

Një zëdhënës i BBC-së tha se letrën do ta shqyrtojnë dhe do t’i përgjigjen në kohën e duhur. Detajet e plota të saj nuk janë bërë publike.

Tim Davie, Drejtori i Përgjithshëm, dhe Deborah Turness, shefja e lajmeve, njoftuan dorëheqjet e tyre të dielën pas një vale kritike mbi supozimin e mungesës së paanshmërisë politike të BBC-së dhe sulmeve të drejtpërdrejta nga figura të së djathtës britanike dhe ekipi i Trump-it.

Trump dhe zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, kritikuan BBC-në për “lajme të rreme” dhe përshëndetën dorëheqjet përmes rrjeteve sociale, duke e quajtur çiftin e larguar “të pandershëm” dhe të përfshirë në përpjekje për të ndikuar zgjedhjet presidenciale.

Së fundmi, gazeta konservatore The Telegraph publikoi një memo nga ish-këshilltari i standardeve të BBC-së, Michael Prescott, ku përmendeshin disa dështime të supozuara të transmetuesit, duke përfshirë mbulimin e çështjeve transgjinore, konfliktin në Gaza dhe periudhën e presidencës së Trump.

Pretendimi kryesor ishte se Panorama kishte redaktuar fjalimin e Trump në mënyrë selektive, duke krijuar përshtypjen se ai kishte thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të luftojmë.” Në fakt, fjalia ishte nxjerrë nga pjesë të ndryshme të fjalimit, duke lënë jashtë segmentet ku Trump kërkonte që mbështetësit të vepronin paqësisht.

BBC është e detyruar të qëndrojë neutrale, dhe nuk është hera e parë që përballet me akuza për paanshmëri. Megjithatë, sulmet e fundit nga e djathta britanike ndodhin në një kohë delikate, ndërsa qeveria po shqyrton modelin e financimit të BBC-së.

Në deklaratën e dorëheqjes, Davie pranoi se “janë bërë disa gabime dhe përgjegjësia përfundimtare bie mbi mua.” Kryetari i BBC-së, Samir Shah, kërkoi ndjesë ndaj administratës Trump për mbulimin, por hodhi poshtë pretendimet e Prescott se BBC kishte tentuar të fshehte dështimet e saj.

Shah sqaroi se dokumentari mbi Trump ishte diskutuar nga Komiteti i Udhëzimeve Redaksionale dhe Standardi i BBC-së dhe ankesat e fundit çuan në “reflektim të mëtejshëm.” Ai pranoi se mënyra e redaktimit mund të kishte krijuar përshtypjen e një thirrjeje për dhunë dhe kërkoi ndjesë për gabimin.

Në lidhje me mundësinë e një padie nga Trump, Shah tha: “Nuk e di ende, por ai padit shpesh. Duhet të jemi të përgatitur për çdo rezultat.”

 

Ndalohet numërimi i votave në Mitrovicë, gjenden fletëvotime me numra të ndryshëm serik

Gjatë rinumrimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, gjatë ndërrimit të paradites, raportohet se u gjetën fletëvotime me numër serial të ndryshëm nga klasa përkatëse.

Ferdi Kadriu, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, njoftoi se ndërrimi i dytë i numërimit po kryhej, por procesi u ndërpre nga organet e rendit dhe të drejtësisë. Numëruesit u larguan nga salla dhe puna u pezullua.

Në vendngjarje tashmë ka arritur edhe prokurori i shtetit, ndërsa mediumi lokal Mitropol ka publikuar pamje nga brenda qendrës. Ekspertët e KQZ-së raportohet se po bëjnë verifikimin e fletëvotimeve

 

 

Studimi britanik: Nuk ka lidhje mes përdorimit të paracetamolit në shtatzëni dhe autizmit

Sipas të dhënave më të fundit shkencore, nuk ekziston asnjë provë që vërteton një lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe shfaqjes së autizmit te fëmijët, bën të ditur një studim i publikuar sot në revistën mjekësore britanike BMJ.

Ky hulumtim hedh poshtë pretendimet e bëra kohët e fundit nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili në shtator u kishte bërë thirrje grave shtatzëna të shmangnin përdorimin e këtij ilaçi.

“Të dhënat aktuale janë të pamjaftueshme për të mbështetur ndonjë lidhje mes ekspozimit ndaj paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe zhvillimit të çrregullimeve si autizmi apo ADHD te fëmijët,” – theksojnë autorët e studimit.

Komuniteti shkencor ka reaguar gjerësisht ndaj deklaratave të Trump, duke sqaruar se nuk ka asnjë konsensus mjekësor që mbështet këto akuza. Përkundrazi, paracetamoli (i njohur si “Tylenol” në SHBA) konsiderohet qetësuesi më i sigurt për gratë shtatzëna, ndryshe nga aspirina dhe ibuprofeni, të cilët janë vërtetuar se mund të dëmtojnë fetusin.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka përsëritur menjëherë pas deklaratave të Trump se nuk ekzistojnë prova shkencore që mbështesin një lidhje të tillë mes përdorimit të paracetamolit dhe çrregullimeve të zhvillimit.

 

Gjermani: Qeveria drejt kompromisit për rikthimin e shërbimit ushtarak

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, shprehu besimin se gjatë kësaj jave qeveria do të arrijë marrëveshje për një ligj të ri që synon rikthimin e një forme të shërbimit ushtarak, në kuadër të përpjekjeve për të rritur numrin e efektivëve në ushtri.

Gjatë një vizite në regjimentin e sigurisë kombëtare në Munster, Pistorius deklaroi se ishte “shumë optimist”, duke shtuar se “po afrohemi çdo ditë e më shumë drejt dakordësimit përfundimtar”.

Kabineti qeveritar, i përbërë nga blloku konservator i kancelarit Friedrich Merz dhe Partia Socialdemokrate, ka propozuar rikthimin e shërbimit vullnetar, si një mënyrë për të përforcuar Bundeswehr-in.

Sidoqoftë, brenda koalicionit kanë lindur mosmarrëveshje mbi hapat që duhen ndërmarrë në rast se mungojnë vullnetarët e mjaftueshëm për t’iu bashkuar forcave të armatosura.

Një nga opsionet e diskutuara është përzgjedhja e të rinjve me short për të kryer vlerësime fizike dhe psikologjike, e nëse është e nevojshme, përfshirja e tyre në një formë të kufizuar të shërbimit të detyrueshëm — propozim që ka hapur debat të gjerë publik.

Pistorius nënvizoi se shërbimi ushtarak duhet të mbetet mbi baza vullnetare, duke përmendur shembuj pozitivë nga vende të tjera evropiane. Megjithatë, ai shtoi se “nëse rezultatet nuk janë sipas pritshmërive, atëherë do të shqyrtohen edhe elementë detyrues”.

“Gjatë negociatave do të punojmë për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme e të balancuar, që të jetë në interes si të ushtrisë, ashtu edhe të brezit të ri”, përfundoi ministri.

 

Natmir Mehmedi, një histori suksesi dhe humanizmi që frymëzon

Në Zvicër jeton dhe vepron një emër që mishëron forcën, përkushtimin dhe shpirtin e pastër njerëzor. Natmir Mehmedi, me origjinë nga fshati Zagraçan i Strugës, është sot një shembull frymëzimi për komunitetin shqiptar dhe më gjerë, një dëshmi se suksesi i vërtetë nuk matet me pasuri, por me ndikimin që lë tek të tjerët.

Nga një fillim i vështirë drejt një rruge të re

Historia e tij nis në vitin 1999, kur vetëm 18-vjeçar, Natmiri mori një vendim që do t’ia ndryshonte jetën. “Mora 4 mijë marka borxh për të marrë pasaportë dhe vizë në një emër tjetër,” kujton ai. U nis drejt kurbetit, pa siguri e pa mbështetje, me vetëm një shpresë- të ndërtojë një jetë të re përmes punës së ndershme.

Katër ditë udhëtim e sollën në një realitet të panjohur, ku çdo ditë ishte sfidë për mbijetesë. Në fillim punoi në kopshtari dhe agrikulturë, por vendosmëria e tij e bëri të dallueshëm. Pas tre muajsh, u bë udhëheqës ekipi, duke fituar respektin e punëdhënësve. Megjithëse jetoi për një kohë pa dokumente, kurrë nuk e humbi besimin se çdo vështirësi është e përkohshme.

Nga mjeshtëria te sipërmarrja

Pas disa vitesh pune të palodhur, ai nisi një kapitull të ri. I mbështetur nga punëdhënës italianë, u zhvillua si mjeshtër i gipsit dhe më pas themeloi në vitin 2010 kompaninë e tij “FIT IM”, e specializuar në renovime dhe dizajn të brendshëm.

Kompania, që filloi me përpjekje modeste, sot është një emër i njohur në tregun zviceran dhe bashkëpunon me rrjetin e kinemave në Zvicër. Me profesionalizëm, përpikëri dhe ndershmëri, Natmir Mehmedi ka ndërtuar një reputacion që përfaqëson vlerat më të mira të punëtorit dhe sipërmarrësit shqiptar në Zvicër.

 

Humanizmi si themel i suksesit

Por ajo që e bën Natmirin të veçantë nuk është vetëm rrugëtimi i tij profesional, është mënyra se si ai e ka kthyer suksesin në shërbim të tjerëve.
Nëpër vite, ka ndihmuar dhjetëra bashkëkombës që kanë ardhur në Zvicër pa strehë, pa punë dhe pa mbështetje, duke u ofruar vendbanim, punësim apo thjesht një dorë të ngrohtë në momentin më të vështirë.

Një nga rastet më prekëse është ai i një personi nga Maqedonia, për të cilën ka paguar qiranë për dy vite me radhë dhe e ka ndihmuar në shpenzimet e përditshme gjatë trajtimit shëndetësor gjithmonë në heshtje, pa kërkuar publikisht njohje apo falënderime.

Ai është i pranishëm në shumë raste të ngjarjeve humanitare të organizuara në diasporë, shpesh si kontribues anonim. Ka ndihmuar familje në nevojë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, duke dërguar ndihma materiale, ushqimore e mjekësore, sidomos gjatë periudhave të krizave ekonomike e shëndetësore.
Për të, humanizmi është mënyrë jetese, jo rastësi. “Mirësia dhe humanizmi janë investim. Hap dyer që nuk i imagjinon, si fara e grurit që e mbjell dhe merr njëqindfish,” thotë ai shpesh, me qetësinë që e karakterizon.

Fuqia e unitetit – diaspora e Strugës në Zvicër

Përveç ndihmave individuale, Natmiri ka ditur ta shndërrojë ndjenjën e solidaritetit në organizim kolektiv. Ai është një nga figurat kyçe në krijimin dhe funksionimin e grupit të diasporës së Strugës në Zvicër, një rrjet që bashkon bashkëvendës nga të gjitha fshatrat e Strugës, të shpërndarë në kantone të ndryshme.

Nën udhëheqjen e tij, ky grup është bërë një urë bashkimi e mirëkuptimi, që mban gjallë lidhjen me vendlindjen përmes aktiviteteve kulturore, ndihmave për familjet në nevojë dhe përkrahjes së nismave lokale në Strugë.
Në bashkëpunim me të tjerë veprimtarë të diasporës, Natmiri ka ndihmuar në organizimin e mbledhjeve humanitare, në financimin e projekteve shoqërore dhe në krijimin e një fryme bashkëpunimi që ka tejkaluar dallimet krahinore apo politike.

Struga është rrënja jonë, Zvicra është toka ku lulëzojmë – dhe detyra jonë është të mos i ndajmë, por t’i lidhim,” shprehet ai me thellësi.
Për Natmirin, diaspora është një forcë që duhet të ndërtojë ura, të mbajë identitetin dhe të japë shembull bashkimi.

Familja, themeli i vlerave

Për Natmirin, suksesi i vërtetë qëndron në ruajtjen e ekuilibrit mes punës dhe familjes. Fëmijët e tij janë rritur me dashuri, përkushtim dhe ndjenjë përgjegjësie – vlera që ai i konsideron gurthemel të çdo arritjeje.
Unë nuk dua të ngre veten mbi të tjerët. Edhe një të dobët kur e shoh, i afrohem dhe e inkurajoj, sepse e kam përjetuar vetë çfarë do të thotë të mos kesh përkrahje,” rrëfen ai me sinqeritet.

Në jetën e tij, çdo arritje është e lidhur me respektin ndaj njeriut, punën e ndershme dhe mirënjohjen ndaj rrënjëve.

Një frymë që ngjall shpresë

Historia e Natmir Mehmedit është shumë më tepër se një biografi suksesi, është rrëfimi i një njeriu që ka ditur të ngrihet mbi sfidat, pa harruar asnjëherë të shtrijë dorën ndaj tjetrit.
Në një botë që shpesh harron vlerat e thjeshta, ai na kujton se mirësia është gjuha më universale, se bashkimi është forca që na bën të qëndrueshëm, dhe se suksesi pa shpirtin e ndarë me të tjerët mbetet i paplotë.

Faleminderit, Natmir Mehmedi, për shembullin që jep, për forcën që frymëzon dhe për dritën që shpërndan në heshtje, si një njeri që beson në punë, në dashuri dhe në humanitet.

 

Rritet numri i vizitorëve në Kosovë, Shqipëria dhe Gjermania kryesojnë listën

Sipas të dhënave zyrtare për sektorin e turizmit, gjatë shtatorit 2025, numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës ka shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në total, gjatë këtij muaji janë regjistruar 64,727 vizitorë.

Kosova vazhdon të tërheqë turistë edhe pas përfundimit të sezonit veror. Shtatori ka treguar një rritje të dukshme të aktivitetit turistik, me më shumë qëndrime në hotele dhe interes të shtuar si nga turistët vendorë, ashtu edhe nga ata të huaj.

Nga 64,727 vizitorë, 39.1% (rreth 25,330 persona) ishin vendas, ndërsa 60.9% (rreth 39,397 persona) të huaj, duke treguar rëndësinë e turizmit ndërkombëtar për sektorin hotelier të vendit.

Gjatë këtij muaji janë realizuar gjithsej 146,598 net-qëndrime: 50.6% (rreth 74,175 net-qëndrime) nga vizitorët vendas dhe 49.4% (rreth 72,423 net-qëndrime) nga turistët e huaj. Ky raport tregon një balancë të qëndrueshme mes turizmit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, duke dëshmuar aktivitet të qëndrueshëm edhe pas muajve të pikut veror.

Peja – destinacioni më i preferuar i turistëve vendas

Rajoni i Pejës ka qenë më i vizituari nga turistët vendas në shtator. Qyteti ka pritur 8,281 vizitorë vendorë, të cilët kanë kryer gjithsej 25,048 net-qëndrime. Ky rezultat konfirmon Pejën si një nga destinacionet kryesore të turizmit në Kosovë, për shkak të natyrës së pasur malore, burimeve termale dhe mundësive për turizëm rekreativ.

Turistët e huaj – kryesisht nga Shqipëria dhe Gjermania

Numri i vizitorëve të huaj ka mbetur i qëndrueshëm, me 39,397 persona gjithsej. Shtetet që kryesojnë listën e turistëve që vizituan Kosovën këtë muaj janë: Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Italia dhe Austria. Këto të dhëna tregojnë se Kosova mbetet një destinacion i preferuar për turistët rajonalë dhe diasporën, të cilët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të vizitorëve të huaj.

 

Në cilin shtet evropian do të rriten më shumë çmimet e ushqimeve në 2026?

Sipas parashikimeve ekonomike, Kroacia pritet të shohë një rritje më të fortë të çmimeve të ushqimeve në vitin 2026 krahasuar me mesataren e Eurozonës. Analistët theksojnë se kroatët shpenzojnë rreth 25% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqim, dhe nëse përfshihen edhe shpenzimet për strehim, energji dhe transport, mbi gjysmën e buxhetit familjar shkon për nevoja bazike.

Parashikohet që çmimet e ushqimeve në Kroaci të rriten me rreth 4.1%, që është dyfish më shumë se niveli i pritshëm për Eurozonën, i cili qëndron pranë 2%. Ndryshe nga Kroacia, shumica e vendeve të tjera të Eurozonës kanë ndalur rritjen e çmimeve ushqimore gjatë këtij viti. Mesatarisht, inflacioni i ushqimeve në Eurozonë (pa Kroacinë) ka rënë pak nga 3.3% në korrik në 3.2% në gusht, ndërsa ushqimet e papërpunuara u rritën deri në 5.5%, krahasuar me 2.6% për ushqimet e përpunuara, përcjell albinfo.ch

Në Kroaci, çmimet e ushqimeve u rritën ndjeshëm gjatë muajve maj, qershor dhe korrik, duke arritur një nivel të rreth 7%, përpara se të zbuteshin në 6.6% në gusht. Për një pjesë të madhe të vitit, rritja e çmimeve të ushqimeve ka qenë më e lartë se inflacioni i përgjithshëm.

Banka Kombëtare e Kroacisë (CNB) vuri në dukje se ushqimet kanë qenë motor kryesor i inflacionit këtë vit. Kryeekonomisti Vedran Šošić shpjegoi se rritja e çmimeve lidhet me luhatjet në tregjet globale të lëndëve të para ushqimore dhe me rritjen e pagave, që u mundëson prodhuesve të kalojnë kostot më të larta tek konsumatori. CNB parashikon që rritja e çmimeve të ushqimeve të ngadalësohet gradualisht deri në fund të vitit.

 

Zvicra pranë një marrëveshjeje të re tregtare me SHBA-në, tarifat pritet të ulen në 15%

Zvicra është raportuar se është pranë arritjes së një marrëveshjeje të përmirësuar tregtare me Shtetet e Bashkuara, e cila do të ulte tarifat doganore në 15% për eksportet zvicerane, sipas burimeve të Bloomberg, transmeton albinfo.ch.

Kjo marrëveshje do të përbënte një lehtësim të madh për Zvicrën, pas tarifës prej 39% të vendosur në gusht.