Ngjarje e rëndë në Austri: Nëna dyshohet se vrau me thikë djalin 12-vjeçar

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të premten në qytetin Leoben të Austrisë, ku dyshohet se një nënë ka vrarë djalin e saj 12-vjeçar, transmeton

Albinfo.at.

Sipas informacioneve fillestare, fëmija është goditur me thikë. Shërbimet e emergjencës kanë pranuar një telefonatë rreth orës 15:00, raporton media austriake Heute.

Në vendngjarje, në një apartament pranë spitalit LKH Leoben, ekipet e emergjencës gjetën një fëmijë me plagë thike në qafë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 12-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.

Sipas gazetës Kleine Zeitung, viktima ishte një djalë, ndërsa nëna u gjet gjithashtu e plagosur.

Hetimet janë marrë përsipër nga Zyra e Policisë Kriminale Provinciale, ndërsa një ekip hetimor është dërguar menjëherë në vendngjarje. Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi rrethanat e ngjarjes apo për ndonjë arrestim të mundshëm. /albinfo.at

Talenti shqiptar Betim Hasanaj firmos me Lillestrom

Futbollisti i ri shqiptar, Betim Hasanaj, ka shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e tij profesionale, duke nënshkruar kontratë me klubin norvegjez Lillestrom. Kjo skuadër ka siguruar së fundmi ngjitjen në elitën e futbollit norvegjez, çka e bën këtë transferim edhe më domethënës për të ardhmen e lojtarit, përcjell albinfo.ch.

Vetëm 17 vjeç, Hasanaj konsiderohet një nga talentet premtuese shqiptare. Ai dallohet për shkathësinë dhe inteligjencën taktike në fushë, duke qenë i aftë të luajë në disa pozicione. Mund të aktivizohet si mbrojtës i djathtë dhe mesfushor defansiv, ndërsa pozita e tij e preferuar mbetet ajo e qendërmbrojtësit.

Ky transferim përfaqëson një mundësi të rëndësishme zhvillimi për Hasanajn, i cili tashmë do të ketë mundësinë të rritet dhe të afirmohet në një kampionat konkurrues si ai norvegjez, ndërsa mbetet një emër për t’u ndjekur në të ardhmen e futbollit shqiptar.

Kroacia prezanton sistem të ri pagesash në autostrada

Kroacia, ku turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, ka qenë prej vitesh e kritikuar për sistemin e vjetër dhe joefikas të pagesës së tarifave të rrugës, që shkaktonte kolona të gjata dhe pritje të shumta. Tani kjo do të ndryshojë, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet kanë nisur implementimin e sistemit të ri të pagesës, të quajtur Crolibertas, në të gjitha autostradat e vendit, përfshirë ato të operuara nga “Hrvatske Autoceste”, “Bina Istra” dhe “Autocesta Zagreb–Macelj”. Projekti mbulon më shumë se 1,400 km rrugë dhe përfshin vendosjen e 212 portaleve, si dhe instalimin e pajisjeve teknologjike të avancuara, përfshirë kamera dhe antena.

Para futjes në përdorim, sistemi do të kalojë testime të plota për funksionim. Informacionet mbi përdorimin e tij do të jenë të përditësuara në faqen zyrtare të Crolibertas, e cila është publikuar dhe në dispozicion të publikut.

Sistemi pritet të jetë funksional në fillim të marsit 2027 dhe do të mundësojë lëvizje të lirë të automjeteve pa ndalje për të paguar tarifën.

Crolibertas do të përdorë dy teknologji kryesore:

Njësitë ENC në automjet, që regjistrojnë dhe paguajnë automatikisht tarifën;

Njohjen automatike të targave me kamera, ku pagesa lidhet me informacionet e regjistrimit të mjetit.

Ky sistem synon të eliminojë nevojën për ndalesa në kabinat e tarifave dhe të përmirësojë ndjeshëm rrjedhën e trafikut, duke shmangur pritjet e gjata që kanë shqetësuar shoferët dhe turistët. /Albinfo.ch

29-vjetori i rënies së Zahir Pajazitit

Sot shënohet 29-vjetori i rënies së heroit kombëtar, Zahir Pajaziti. Pajaziti, një nga figurat më të shquara të luftës për liri në Kosovë, dha jetën për çlirimin e vendit dhe mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës për kombin, përcjell albinfo.ch.

Në këtë ditë, qytetarë, institucione dhe organizata përkujtojnë veprën dhe trashëgiminë e tij, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike dhe të vlerave të lirisë që ai përfaqësoi.

Krerët e shtetit me një mesazh të fuqishëm, kjo është sakrifica që themeloi shtetin tonë

Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, përfaqësues të subjekteve politike, të komunës së Prishtinës, veteran e familjarë, kanë bërë homazhe pranë përmendores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, në përvjetorin e rënies së tij dhe bashkëluftëtarëve Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

 

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të tjerë institucionalë, kryetari i AAK-së, familjarë e veteran, dhe vendosën lule të freskëta dhe theksuan rëndësinë e sakrificës së tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi 31 janarin si një nga ditët më me peshë dhe më frymëzuese në historinë e Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se rënia e tre heronjve i dha kumtin lirisë dhe frymëzoi një popull të tërë të luftojë kundër mohimit shekullor.

“ Në këtë ditë ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, që të tre heronj të Republikës së Kosovës, duke dhënë kështu kumtin e lirisë dhe duke inspiruar një popull të tërë që të luftojë për lirinë që na ishte mohuar me shekuj. Natyrisht që kjo sakrificë e tyre ka vënë themelet e forta të Republikës së Kosovës, themele në këto që edhe sot qëndron shteti ynë sovran, i pavarur, i cili u ndërtua me gjak, i cili u ndërtua me mund dhe me shumë sakrificë e ndër to, ndër sakrificat më të rëndësishme që vërtet i dhanë peshë lirisë sonë dhe i japin dritë rrugës sonë përpara, ishte edhe sakrifica e Zahir Pajazitit me shokë, të cilët i kujtojmë sot.“, tha ajo.

 

Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti, pasi kujtoi se homazhet u bënë bashkë me presidenten, nënkryetaren e kuvendit, kolegë nga qeveria, aktivistë dhe ish-luftëtarë, e përshkroi Zahir Pajazitin si një luftëtar të paepur dhe një guerilas me aksione tejet të suksesshme.

Sipas tij, forcat serbe i vranë në pusi më 31 janar 1997, sepse ishin të tmerruara nga veprimtaria e tyre.

“Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, saqë vetëm kurthi, pusia, prita mund t’ju jepte shans forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin. Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu qysh nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjajshëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti. Në çdo janar ne i përkujtojmë ata, i kujtojmë ata në mënyrë që t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin që kemi dhe lirinë që gëzojmë, por në të njëjtën kohë edhe për të shprehur zotimin tonë për përgjegjësitë më të larta shtetërore që kemi, se do të vazhdojmë rrugës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit, gjaku i të cilëve është në themelet e Republikës së Kosovës“, tha ai.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i cilësoi tre heronjtë si figura themeltare të rezistencës së armatosur dhe të UÇK-së. Ajo theksoi se Zahir Pajaziti ishte një nga ideatorët dhe organizatorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, LVV 51.10%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

Pas vendimit për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur mbrëmë procesi i rinumërimit të 2,557 fletëvotimeve.

Sipas të dhënave të përditësuara dhe përfundimtare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje prin me 51.10% të votave, duke siguruar 487,077 vota dhe 57 ulëse në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 20.19% të votave ose 192,434 vota, duke fituar 22 ulëse.

Lidhja Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me 13.24% të votave ose 126,163 vota, që i japin 15 ulëse.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.50% të votave, pra 52,423 vota, përkatësisht 6 ulëse. 

Përfundon rinumërimi i votave, KQZ shpall sot rezultatet përfundimtare

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të premten në mbrëmje ka përfunduar procesin e rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor në Kosovë. Rinumërimi u realizua pas dyshimeve serioze për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë, përcjell albinfo.ch.

Gjatë këtij procesi, është konstatuar se votat për disa kandidatë kanë pësuar ndryshime të konsiderueshme – në disa raste deri në rreth 6 mijë vota për një individ – ndërkohë që votat për subjektet politike nuk janë prekur.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra të tjerë dhe kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë. KQZ-ja ka paralajmëruar se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen në paraditen e 31 janarit.

Për disa zyrtarë shtetërorë, ky proces është cilësuar si “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, duke marrë parasysh faktin se vendi është vlerësuar vazhdimisht nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe transparente.

Sipas njohësit të çështjeve politike, Agon Maliqi, një nga faktorët që mund të ketë ndikuar në rritjen e manipulimeve është ndryshimi i mënyrës së votimit. Në zgjedhjet e fundit, qytetarëve u është mundësuar të votojnë deri në dhjetë kandidatë për deputetë, nga pesë sa ka qenë më herët.

Faktorë të tjerë që janë përmendur lidhen me numrin më të vogël të vëzhguesve dhe faktin që numërimi fillestar i votave është kryer gjatë ditëve të festave të fundvitit. Sipas Maliqit dhe njohësve të tjerë të kësaj fushe, manipulime të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën, ndonëse mbetet e paqartë nëse ato janë kryer me ose pa miratimin e udhëheqësive partiake.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë dënuar dyshimet për manipulime dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, manipulimi i qëllimshëm i votës apo i rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Pas certifikimit të rezultateve, pritet të hapet rruga për formimin e institucioneve të reja. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kanë fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës prej gjithsej 120 deputetësh, çka pritet t’i mundësojë formimin e Qeverisë së re pa vështirësi.

Megjithatë, Kurti ka pranuar se në periudhën e ardhshme do të jetë e domosdoshme krijimi i një raporti të ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje madhore, si zgjedhja e presidentit dhe miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, procese për të cilat kërkohet mbështetja e dy të tretave të deputetëve.

Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe

Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare Ramë Lahaj ka realizuar së fundmi një paraqitje artistike në Federatën Ruse, duke e shndërruar këtë performancë jo vetëm në një ngjarje muzikore, por edhe në një akt të rëndësishëm promovimi të kulturës dhe identitetit shqiptar në skenën botërore, shkruan albinfo.ch.

Në një deklaratë pas performancës, artisti ka theksuar se promovimi i vlerave kulturore shqiptare ka qenë gjithmonë pjesë thelbësore e misionit të tij profesional. Sipas tij, muzika, kënga dhe fjala shqipe kanë udhëtuar falë tij në disa kontinente, duke qenë të pranishme në teatro dhe orkestrat më të rëndësishme ndërkombëtare.

“Një pjesë e përmbushjes sime më të madhe profesionale ka qenë promovimi i kulturës dhe vlerave tona, e në veçanti i muzikës, këngës dhe fjalës shqipe. Këtë herë e solla edhe në Rusi. Vitet e fundit, këngën shqipe e kam bërë të udhëtojë në disa kontinente dhe ajo ka qenë pjesë e teatrove dhe orkestrave të rëndësishme në mbarë botën,” është shprehur tenori.

Ai ka shtuar se lidhja e tij me gjuhën shqipe është e pazëvendësueshme dhe se do të vazhdojë ta përfaqësojë atë kudo që performon. “Shqip do t’i këndoj botës sa të jem gjallë, sepse shqipen e flet edhe vetë Zoti. Në shqip më buzëqesh shpirti dhe zemra, sepse në shqip më ka kënduar nëna; në këtë gjuhë kanë kënduar edhe të parët tanë, në momente gëzimi e hidhërimi,” ka theksuar ai.

Performanca në Rusi konfirmon edhe një herë rolin e artistëve shqiptarë si ambasadorë të kulturës kombëtare, duke dëshmuar se muzika shqipe vazhdon të gjejë jehonë dhe vlerësim në skenat më prestigjioze të botës. /Albinfo.ch

 

https://www.facebook.com/share/16sCVjnPLZ/?mibextid=wwXIfr

 

Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe

Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka ndërmarrë një iniciativë të re me rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptar në Gjermani, duke paralajmëruar hapjen e shkollave shqipe në qytetet Konstanz dhe Singen, shkruan albinfo.ch.

Kjo nismë arsimore po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin shqiptar lokal dhe synon të forcojë mësimin e gjuhës shqipe, si dhe ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar te fëmijët e diasporës. Përmes kësaj iniciative, brezat e rinj do të kenë mundësi të lidhen më ngushtë me gjuhën, historinë dhe traditat shqiptare.

Procesi mësimor do të zhvillohet në ambiente të shkollave publike dhe do të jetë i hapur për të gjithë fëmijët me prejardhje shqiptare, pa dallim. Programi është konceptuar për të ndihmuar nxënësit jo vetëm në përvetësimin e gjuhës amtare, por edhe në kultivimin e ndjenjës së përkatësisë dhe ruajtjen e vlerave kulturore shqiptare.

Konsullata u bën thirrje prindërve dhe bashkatdhetarëve në Konstanz dhe Singen që të mbështesin këtë iniciativë, duke u angazhuar aktivisht në regjistrimin e fëmijëve dhe në ndërtimin e një baze të qëndrueshme për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë./Albinfo.ch

Kur tregu i banesave i shërben diasporës, jo qytetarit të Kosovës

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave në Kosovë po shndërrohet në një nga sfidat më serioze sociale dhe ekonomike për qytetarët. Përveç faktorëve klasikë si rritja e kostove të ndërtimit, urbanizimi dhe kërkesa e lartë, një nga shkaktarët kryesorë të kësaj situate mbetet diaspora shqiptare, shkruan albinfo.ch.

Falë fuqisë më të madhe ekonomike, qasjes në kredi më të favorshme ose blerjes direkte me para kesh, diaspora ka ndikuar drejtpërdrejt në orientimin e tregut të banesave. Investitorët dhe ndërtuesit po i përshtatin çmimet dhe ofertat gjithnjë e më shumë për blerësit nga mërgata, duke i bërë banesat gati të papërballueshme për qytetarin mesatar në Kosovë, i cili mbështetet kryesisht në paga lokale dhe kredi afatgjata.

Të dhënat zyrtare: rritje e moderuar, por çmime të larta

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit për Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit për tremujorin e tretë të vitit 2025. Sipas raportit, çmimet e banesave në nivel vendi janë rritur me 2.4% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025 është shënuar një rënie prej 2.1%.

Megjithatë, kjo rënie tremujore nuk ka reflektuar lehtësim real për blerësit vendas, pasi çmimet mbeten në nivele historikisht të larta.

Prishtina: ngadalësim i rritjes, por jo i çmimeve

Regjioni i Prishtinës, që tradicionalisht mban çmimet më të larta të banesave, ka shënuar një rritje më të ulët se mesatarja kombëtare. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, çmimet në kryeqytet u rritën vetëm 1.3% në baza vjetore.

Ky ngadalësim vjen pas një periudhe me rritje të fortë, pasi vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, Prishtina kishte shënuar një rritje prej 11.3% krahasuar me vitin paraprak. Megjithatë, edhe me këtë ritëm më të ulët, çmimet mbeten të paarritshme për shumë familje vendase.

Regjionet tjera: rritje më e shpejtë, interes nga diaspora

Në kontrast me Prishtinën, regjionet e tjera të Kosovës kanë shënuar një rritje më të theksuar. ASK raporton se në tremujorin e tretë të vitit 2025, çmimet e banesave jashtë kryeqytetit u rritën me 4.3% në baza vjetore, pothuajse trefish më shumë se në Prishtinë.

Kjo dinamikë lidhet ngushtë me interesimin e diasporës për të investuar në qytete dhe qendra më të vogla, ku çmimet ende perceptohen si “të favorshme” në raport me tregjet evropiane.

Trendet afatgjata dhe ndikimi social

Të dhënat afatgjata tregojnë se tregu i banesave në Kosovë ka qenë në trend rritës që nga viti 2018, kur filloi monitorimi sistematik. Mesatarja vjetore e vitit 2024 shënoi një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2023, duke konfirmuar se rritja e çmimeve nuk është fenomen i përkohshëm.

Ndërsa diaspora mbetet një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës përmes remitencave dhe investimeve, ndikimi i saj në tregun e banesave ka krijuar një hendek të madh mes fuqisë blerëse të mërgimtarëve dhe qytetarëve rezidentë. Si pasojë, banesa, një nevojë bazike, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në luks për shumë familje në Kosovë, shkruan tutje albinfo.ch.

Publikimet e ASK-së bazohen në të dhënat administrative të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe janë përgatitur sipas standardeve ndërkombëtare, me asistencën teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar./Albinfo.ch

https://ask.rks-gov.net/Releases/Details/9902?fbclid=IwRlRTSAPqh9ZleHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZAo2NjI4NTY4Mzc5AAEePyDSPsuGXOf1wxnsKAof3Z9OrU1Jt_6QVdgtTVi25ri4I_I8zRgUazg9REk_aem_9_2TW-lDWe7XJeFveECdQg

 

https://askapi.rks-gov.net/Custom/93cca7a0-a217-4158-a78f-18dcc93b9f24.pdf

Të rinjtë nga Berlini njihen me trashëgiminë shqiptare në Fondacionin “Tradita Popullore”

Një grup nxënësish dhe mësuesish nga shkolla shqipe “Refik Veseli” në Berlin kanë zhvilluar një vizitë në ambientet e Fondacionit “Tradita Popullore”, në kuadër të aktiviteteve që synojnë promovimin e dialogut ndërkulturor dhe njohjen më të thellë me trashëgiminë shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Gjatë qëndrimit të tyre, vizitorët patën mundësinë të njihen nga afër me elementë të rëndësishëm të artizanatit dhe kulturës kombëtare. Ata zbuluan mjeshtëritë e trashëguara ndër breza, simbolikën e motiveve tradicionale dhe vlerat që këto pasuri përçojnë në formësimin e identitetit shqiptar. Demonstrimet praktike dhe bashkëbisedimet me përfaqësuesit e fondacionit krijuan një përvojë autentike, duke i afruar të rinjtë me historinë dhe shpirtin krijues të kulturës shqiptare.

Kjo vizitë shërbeu edhe si një urë lidhëse mes brezave dhe vendeve, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë kulturore dhe respektin për diversitetin. Nxënësit shprehën interes dhe kuriozitet për traditat shqiptare, ndërsa theksuan rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së këtij thesari kulturor tek brezat e ardhshëm.

Aktivitete të tilla dëshmojnë se edukimi përmes kulturës mbetet një ndër mënyrat më të fuqishme për të ndërtuar mirëkuptim, për të thelluar bashkëpunimin dhe për të frymëzuar brezat e rinj që të mbajnë gjallë vlerat universale të respektit, kujtesës dhe solidaritetit. /Albinfo.ch

Ndërron jetë aktorja Catherine O’Hara, e njohur si “nëna e Kevinit”

Aktorja amerikane Catherine O’Hara ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare. Aktorja fituese e çmimit Emmy ishte e njohur për dekada për rolet e saj komike – nga nëna e Kevinit në filmin kult të atmosferës së  krishtlindjeve “Home Alone” deri te ikona Moira Rose në “Schitt’s Creek”.

Sipas një deklarate nga agjencia e saj, Creative Artists Agency, O’Hara e lindur në Kanada vdiq “pas një sëmundjeje të shkurtër” në shtëpinë e saj në Los Angeles.

Detajet e mëtejshme nuk janë ende të disponueshme.

Gjatë karrierës së saj, O’Hara shkëlqeu si Moira Rose në tetëdhjetë episode të serialit të famshëm “Schitt’s Creek”. Ajo madje mori një Emmy për këtë rol në vitin 2020. Ishte Emmy i saj i dytë, pas fitores së saj në vitin 1982 për kontributin e saj në serialin komik “SCTV Network 90”.

O’Hara është shfaqur në filma të shumtë, duke përfshirë “Where the Wild Things Are” (2009) dhe komedinë horror-komedi të Tim Burton (67) “Beetlejuice” (1988), si dhe ribërjen e mëvonshme “Beetlejuice Beetlejuice” (2024).

Valisi lejon Italinë të hetojë në rastin Crans-Montana

Zyra e prokurorit publik të Valisit i është përgjigjur kërkesës për ndihmë ligjore nga zyra e prokurorit publik të Romës në rastin e zjarrit në Crans-Montana. Zyra Federale e Drejtësisë, autoriteti qendror për ndihmë ligjore ndërkombëtare në çështjet penale, e konfirmoi të premten këtënë njoftim, transmeton albinfo.ch.

“Nuk është se zyra e prokurorit publik të Valisit ka nevojë për ndonjë mbështetje,” tha Ingrid Ryser, drejtuese e informacionit në Zyrën Federale të Drejtësisë (FOJ), për programin rajonal të lajmeve për Bernën, Friburgun dhe Valisin në radion SRF1. Por, meqenëse qytetarët italianë u prekën gjithashtu nga zjarri në Crans-Montana, gjyqësori italian është i detyruar të hapë edhe procedura penale, deklaroi më tej Zyra Federale e Drejtësisë (FOJ) në përgjigje të një pyetjeje nga Keystone-SDA.

“Pra, mund të ketë kuptim që dy agjencitë e zbatimit të ligjit të bashkojnë forcat, të bashkojnë burimet e tyre dhe të punojnë së bashku në këtë çështje penale,” vazhdoi Ryser.

Zyra e Prokurorit Publik të Valisit tani po ofron ndihmë ligjore për Italinë në këtë kontekst – duke mbështetur kështu gjyqësorin italian në hetimet e tij, sipas deklaratës së Zyrës Federale të Drejtësisë (FOJ). Si pjesë e kësaj mbështetjeje, Zyrës së Prokurorit Publik të Romës do t’i jepet, në veçanti, qasje në provat e mbledhura tashmë. Kjo do të bëhet duke respektuar të drejtat e garantuara ligjërisht të palëve që mund të preken nga ndihma ligjore.

Masat individuale të ndihmës ligjore do të urdhërohen – siç është zakon në procedura të tilla komplekse të ndihmës ligjore – me anë të urdhrave të veçantë të ekzekutimit, përcjell albinfo.ch. Një takim i parë teknik midis autoriteteve të zbatimit të ligjit të të dy vendeve është planifikuar për mesin e shkurtit.

FOJ, si autoriteti qendror për ndihmën ligjore ndërkombëtare, do të marrë pjesë në këtë takim. Qëllimi është “të sqarohen detajet e bashkëpunimit dhe të koordinohen procedurat”.

Aktualisht nuk po publikohen informacione të mëtejshme mbi procedurën e ndihmës ligjore.

Serial televiziv gjerman për Ademin që u bë Adam

Shpallja që kishte lexuar për një dhomë me çmim çuditërisht të përballueshëm në një apartament të përbashkët nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për Ademin. Ndryshimi i emrit të tij hap derën drejt botës së një vëllazërie dueluese.

Me rrënjët e tij shqiptaro-kosovare, Ademi në jetën e tij në Gjermani ka njohur vetëm pengesa. Por, pasi u vendos në shtëpinë e vëllazërisë duke e gjermanizuar emrin e tij në “Adam”, gjithçka ndryshon, shkruanm zdf.de transmeton albinfo.ch. Ai përjeton solidaritet, mbështetje dhe shoqëri, veçanërisht në miqësinë e tij me Paulin dhe Vincentin.

Që tani e tutje, Ademi gëzon përfitimet e këtij komuniteti me të cilin ndan banesën. Ai madje, si pjesë e “vëllazërisë” provon edhe sportin e skermës me teh të mprehtë. Shpejt promovohet në “Fux” (jep betimin). Por a janë të gjithë këtu me të vërtetë aq të mirë sa duken? Kur Ademi bie në dashuri me studenten Mina, ai e mban sekret anëtarësimin e tij në vëllazërinë e përmendur.

Por çfarë do të ndodhë kur Mina të mësojë për identitetin e tij të dytë? Sa kohë mund ta mbajë Ademi fshehur jetën e tij të dyfishtë?

Mini-seriali “Füxe” (“Brucoshët”) ofron një vështrim në botën e vëllazërive dhe shoqatave studentore, një botë kryesisht e fshehur nga syri i publikut. Këto institucione jo vetëm që sigurojnë pushtet dhe ndikim për elitat, por ofrojnë edhe mundësi për përparim shoqëror, përcjell albinfo.ch. Brenda vetë vëllazërive, fokusi është në ngjitjen në hierarki që nga fillimi. “Füxe”-t e rinj përpiqen të arrijnë majën.

Si pjesë e programit “Das kleine Fernsehspiel” (Shfaqja e Vogël Televizive) të ZDF-së për zhvillimin e talenteve të reja, seriali “Füxe” u prodhua nga aktorë, anëtarë të ekipit, shkrimtarë dhe regjisorë, të gjithë të rinj, premtues.

Në rolet kryesore lujnë: Ademi – Valon Krasniqi; Mina – Roxana Samadi; Paul – Ferdinand Lehmann; Vincent – Vito Sack.

Swatch ka pësuar rënie të madhe të fitimit në vitin 2025

Kompania e madhe e orëve, Swatch ka raportuar shitje dhe fitime dukshëm më të ulëta vitin e kaluar, pasi tashmë kishte pasur një rënie masive edhe në vitin pararendës.

Shitjet ranë me 5.9 për qind ose për 6.28 miliardë franga zvicerane në vitin 2025, njoftoi kompania të premten, trnsmeton albinfo.ch. Të rregulluara nga efektet e lëvizjeve valutore dhe krahasuar me vitin e kaluar, shitjet ranë me 1.3 për qind. Analistët kishin pritur mesatarisht një rënie organike prej 5.0 për qind.

Fitimi operativ (EBIT) ra ndjeshëm në 135 milionë franga zvicerane nga 304 milionë në vitin 2025. Kjo rezultoi në një diferencë prej vetëm 2.1 për qind, nga 4.5 për qind në vitin 2024. Fitimi neto arriti në 25 milionë franga zvicerane (-89%). Analistët kishin pritur mesatarisht 127 milionë franga zvicerane, shkruan sda.ch.

Swatch planifikon t’u paguajë aksionarëve një divident prej 4.50 CHF për aksion, i pandryshuar nga viti i kaluar. Analistët kishin pritur vetëm 3.43 CHF.

Duke parë në perspektivë, Swatch është i sigurt për performancën e ardhshme të biznesit: Momenti shumë pozitiv i gjysmës së dytë të vitit që kaloi dhe përshpejtimi në tremujorin e fundit vazhduan në janar 2026 në të gjitha segmentet e çmimeve, deklaroi kompania.

Grupi parashikon rritje shumë pozitive të shitjeve dhe vëllimit për vitin 2026. Fitimi pritet të përmirësohet ndjeshëm.

Dy mjekë lirohen nga akuza pas vdekjes së pacientit në psikiatri

Zyra e prokurorit publik të Brugg-Zurzach kishte ngritur padi ndaj një mjeku dhe një mjekeje nga Shërbimet Psikiatrike të Aargaut. Padia kishte të bënte me vdekjen e 18-vjeçarit të sëmurë psikikisht Theo W. i cili qe vetëlënduar për vdekje në këtë klinikë në vitin 2020, transmeton albinfo.ch.

Tani gjykata ka vendosur: Mjeku dhe mjekja lirohen nga akuza.

Të pandehurit ishin të punësuar në atë kohë si mjek i lartë përkatësisht mjeke kryesore, në klinikën e Shërbimeve Psikiatrike të Aargaut (PDAG). Në repartin akut, ata ishin përgjegjës, ndër të tjera, për një pacient 18-vjeçar autik.

Theo W. vuante nga sindroma e Aspergerit dhe vdiq nga një dëmtim traumatik në tru pasi ra dhe goditi kokën disa herë në dysheme.

Mjekët u fajësuan se nuk arritën të adresonin në mënyrë adekuate rrezikun e vetëlëndimit dhe u akuzuan për vrasje të qëllimshme ose nga pakujdesia, shkruan sda.ch.

Prokuroria kërkoi një dënim me kusht dhe një gjobë për mjekun dhe një dënim me gjashtë vjet burg dhe pesë vjet dëbim për mjeken.

Megjithatë, gjykata arriti në përfundimin se të pandehurit kishin bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tyre për të parandaluar sjelljen vetëshkatërruese, në fund fatale, të pacientit, përcjell albinfo.ch. Ajo pranoi kërkesat e mbrojtjes për lirim nga akuzat.

Sjellja vetëshkatërruese e pacientit ishte veçanërisht problematike. Ai binte vazhdimisht me shpinë dhe e godiste kokën në dysheme dhe mure. Ajo që filloi me mavijosje dhe gunga në vithe, trup dhe kokë, kulmoi më 30 dhjetor me një dëmtim aq të rëndë në kokë sa që 18-vjeçari vdiq disa ditë më vonë në Spitalin Universitar të Cyrihut.

Gjermani: Nxirret nga qarkullimi kamioni me 60 defekte i kosovarit

Një kamion i vogël nga Kosova ishte aq i shkatërruar pothuaj i thyer përgjysmë. Policia e Lüdenscheid ka nxjerrë nga qarkullimi këtë automjet që kishte 60 defekte teknike dhe që paraqiste kërcënim për jetën e njerëzve.

Njësia e trafikut ndaloi automjetin në Römerweg. Ky automjet, lloj kamioni i vogël, që vinte nga Kosova, përbënte një rrezik lëvizës për të gjithë përdoruesit e tjerë të rrugës, transmeton albinfo.ch . Korniza kryesore e njësisë së kamionit ishte thyer plotësisht dhe ishte salduar vetëm në mënyrë amatoreske. Policia sekuestroi automjetin.

Një ekspert teknik më vonë inspektoi automjetin dhe gjeti gjithsej 60 defekte, disa prej të cilave serioze. Lista e defekteve duket si një histori horror: Disa traversa ishin ndryshkur, freni i dorës ishte i dëmtuar dhe shumica e dritave ishin jashtë funksionit, shkruan radiomk.de. Veçanërisht alarmante: Motori po rrjedhte aq shumë vaj sa pika vaji qartësisht të dukshme shiheshin në rrugën poshtë automjetit.

Si një përpjekje për riparim, dikush kishte instaluar një sistem shtesë pezullimi me ajër, i cili ishte salduar në kornizën kryesore tashmë të thyer duke përdorur çelik përforcues të gradës së ndërtimit. Këto riparime të improvizuara mund të kishin dështuar në çdo moment.

Edhe më alarmante ishte gjendja e rimorkios: Fletët e frenave mungonin në dy nga katër frenat. Si frenat e shërbimit ashtu edhe ato të parkimit ishin jashtë funksionit, dhe kablloja jetësore e shkëputjes nuk ishte as e bashkangjitur. Shumica e dritave të rimorkios ishin gjithashtu jashtë funksionit. Automjeti do të ishte bërë një rrezik i pakontrollueshëm për të gjithë përdoruesit e tjerë të rrugës në rast të frenimit emergjent ose kur rimorkioja të ishte shkëputur.

Si automjeti tërheqës ashtu edhe rimorkioja u sekuestruan menjëherë, dhe targat dhe dokumentet e regjistrimit të automjetit u konfiskuan, përcjell albinfo.ch lajmin nga mediumi gjerman. Shoferi duhej të paguante një gjobë në vend dhe gjithashtu të mbulonte shpenzimet e kontrollit teknik.

Automjeti lejohet të largohet nga pika e kontrollit vetëm me një kamion rimorkimi.

(Foto: Policia Lüdenscheid)

Kurti: Më pak mjekë që largohen nga Kosova dhe pacientë që dërgohen jashtë vendit

Sips kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, është ulur numri i mjekëve që largohen jashtë vendit dhe ai i kërkesave për shërim jashtë Kosovës.

“Lajm i mirë nga puna e përbashkët është se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve nga vendi dhe të numrit të kërkesave të pacientëve për shërim jashtë vendit, çka dëshmon përmirësimin e kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë dhe të shërbimeve për qytetarët e Republikës”. Kështu ka shkruar Kurti në Facebook duke ju referuar vizitës që bëri bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, në Odën e Mjekëve.

Një zhvillim tjetër pozitiv është gjithashtu fakti se në gjashtë muajt e fundit Oda e Mjekëve ka licencuar rreth 50 mjekë nga radhët e komunitetit joshumicë serb, që tregon vullnet të mirë dhe gatishmëri për integrim në sistemin e shëndetësisë, ka thënë tutje kryeministri në detyrë.

“Në anën tjetër, sfidë mbetet pensionimi i rreth 1600 mjekëve në 10 vitet në vijim, nga afër 5500 sa janë të licencuar aktualisht. Për këtë na duhet bashkëpunim i ngushtë me Odën dhe planifikim i mirë i Ministrisë së Shëndetësisë për zëvendësim të duhur me mjekë të rinj, në fusha sipas kërkesave dhe në komuna që kanë nevojë”, ka potencuar Kurti.

Filmi shqiptar ‘Shame and Money’ kthehet me çmim nga festivali “Sundance”

Filmi  “Shame and Money” i regjisorit Visar Morina ka fituar çmim në festivalin prestigjioz “Sundance” në kategorinë “World Dramatic Competition”.

Filmi flet për burrin e përkushtuar ndaj familjes i cili përpiqet të sigurojë jetesën, teksa presionet financiare shtohen. Edhe pse nëna dhe kunati i tij i ofrojnë ndihmë, pranimi i mbështetjes ia lëndon dinjitetin.

“Shame and Money” arriti të jetë në top 4 filmat e përzgjedhur për këtë çmim, në konkurrencë me 10 filma gjithsej.

Në filmin me skenar nga Morina dhe Doruntina Basha, luajnë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Fiona Gllavica ,Alban Ukaj, Tristan Halilaj,  Kumrije Hoxha, Labinot Lajçi dhe Rebeka Qena.

Filmi pati premierë botërore në “Sundance 2026” dhe ky ishte projekti i tij i dytë i regjisorit Morina që konkurroi në këtë festival prestigjioz pas “Exile” në vitin 2020.

Nesër shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nesër, në ora 10:00 do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“Ju njoftoj se nesër (e shtunë, 31 janar 2026, ora 10:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Kohën, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, kanë mbetur të rinumërohohen më pak se 50 vendvotime teksa pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, partitë ose kandidatët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Pse të mësuarit e një gjuhe zvicerane vetëm “sipas librit” mund të mos ju ndihmojë në karrierën tuaj

Të qenit në gjendje të flasësh një nga gjuhët kombëtare të Zvicrës është një domosdoshmëri për një numër kompanish, sektorësh dhe pozicionesh. Por mënyra se si e mëson atë ka më shumë rëndësi sesa certifikata që merr, shpjegon një ekspert.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) kërkon një nivel të caktuar aftësie në njërën nga gjuhët kombëtare për të marrë një leje pune, status të përhershëm qëndrimi dhe shtetësi.

Por a do t’ju lejojë arritja e një niveli të kërkuar të komunikoni lehtësisht dhe në mënyrë efektive në mjedisin e punës gjermanisht, frëngjisht ose italisht?
Shumë shtetas të huaj raportojnë se edhe pse kanë kaluar provimet e gjuhës së certifikuar nga SEM, ata ende kanë vështirësi në përcjelljen e qartë të mendimeve të tyre gjatë një takimi biznesi apo edhe në biseda joformale me folës amtare.

Akademik kundrejt performativ

Shumica prej nesh kanë dëgjuar njerëz të thonë (ose ndoshta e thatë vetë) se kanë pasur X vjet gjuhë X në shkollë, por ata ende nuk mund të lidhin një fjali koherente.

Arsyeja kryesore për këtë fenomen është se mësimdhënia e gjuhës në shumë shkolla në shumë vende është e orientuar kryesisht drejt të mësuarit të gramatikës, kohëve dhe strukturës së fjalive, duke injoruar aftësitë e të folurit aktiv.

Dhe e njëjta qasje është gjithashtu e zakonshme në shkollat ​​e gjuhëve – duke përfshirë ato në Zvicër.

Kjo metodë funksionon për kalimin e testeve, por jo për situata të jetës reale.

Qoftë në biznes apo në jetën shoqërore, “gjuha nuk është akademike, është performative”, i thotë The Local Eveline Rosa, themeluese e XLINGUA, një startup mësimi gjuhësh me bazë në Cyrih.

Dhe megjithëse puristët mund të mos pajtohen, në realitet trajnimi gjuhësor për qëllime karriere nuk duhet të bazohet në gramatikë të përsosur, tha ajo.

“Pas vitesh brenda shkollave tradicionale të gjuhëve, kuptova se shumë emigrantë shumë të kualifikuar kalojnë provimet e gjermanishtes, por ende humbasin ngritje në detyrë, mundësi lidershipi dhe integrim shoqëror sepse ngrijnë kur flasin nën presion.”

Të paktën një pjesë e fajit i takon strukturës së mësimeve tipike të gjuhës – si ato fizike ashtu edhe ato online, vuri në dukje Rosa: “Ora të mëdha mësimi, kurrikula të rënda në gramatikë dhe të mësuarit pasiv. Kjo funksionon për kalimin e testeve, por jo për momentet e të folurit me rrezik të lartë si takimet, negociatat ose rrjetëzimi.”

Prandaj, arritja e një niveli gjuhësor të mandatuar nga SEM dhe që mësohet në shkolla “krijon një ndjenjë të rreme gatishmërie”, thotë Rosa. “Njerëzit e kuptojnë shumë vonë se certifikatat nuk janë të barabarta me performancën.”

Për shembull, ajo thekson se niveli i aftësisë B2 është “gënjeshtra më e shtrenjtë”.

Kjo sepse “njerëzve u thuhet se kur të arrijnë atë nivel, do të jenë të rrjedhshëm”.

Në realitet, megjithatë, “shumë profesionistë arrijnë nivelin B2, ngrihen në detyrë, transferohen në Zvicër dhe më pas zbulojnë se ende ngrijnë në takime dhe ndërveprime të përditshme”.

Por ekziston një “kosto e fshehur karriere” për profesionistët e huaj në Zvicër dhe për mundësitë e punës që mund të mos u vijnë, thotë ajo.

“Shumë emigrantë me kualifikim të lartë kalojnë provimet e gjermanishtes, por prapë humbasin ngritje në detyrë, mundësi lidershipi dhe integrim social sepse ngrijnë kur flasin nën presion”, thotë Rose, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

“Njerëzit e kuptojnë shumë vonë se certifikatat nuk janë të barabarta me performancën. Karrierat ngecin, integrimi ngadalësohet dhe besimi bie”, thotë ajo.

Nuk janë më të lidhur me gjuhën

Për shtetasit e huaj që duan të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në Zvicër (gjuhët amtare të të cilëve nuk janë gjermanishtja, frëngjishtja ose italishtja), këto tre këshilla janë “kritike për të kapërcyer hendekun gjuhësor”, thotë Rose.

Mos prisni të flisni në mënyrë të përsosur

Harrojeni gramatikën e librave shkollorë në fillim dhe përqendrohuni në komunikim. “Qëllimi është të thyhet barriera psikologjike, jo të kalohet me sukses një test gramatikor. Zgjidhni një mjedis mësimor ku të folurit që nga dita e parë, në gjuhën e synuar, është përparësia.”

Stërvituni për situata reale, jo për gjuhën e librave shkollorë

Praktikohuni për atë që do të përballeni në të vërtetë: takime, seanca reagimi, prezantime dhe biseda të shkurtra. “Mësimi i bazuar në kontekst ndërton përgjigje automatike – pikërisht ajo që ju nevojitet nën presion. Ju po e mësoni gjuhën për jetën, jo për një klasë mësimi”, thotë ajo.

Mësoni shtresën kulturore

Në Zvicër, ju përballeni me gjermanishten e lartë (ose frëngjishten ose italishten) në punë, një dialekt shoqëror dhe norma komunikimi të nuancuara kudo.

“Zotërimi i këtyre shtresave ndërton besim dhe krijon prani të vërtetë lidershipi.”

Sulmet e dezinformimit të huaj synojnë Zvicrën

Zvicra ka vënë re një rritje të ndjeshme të numrit të përpjekjeve nga shtetet e huaja për të ndikuar në opinionin publik zviceran.

“Qëllimi është të polarizohet shoqëria, të përkeqësohen përçarjet ekzistuese dhe të minohet besueshmëria e institucioneve dhe medias. Ekziston gjithashtu një përpjekje për të tronditur besimin se ekziston informacioni objektiv”, tha Pälvi Pulli, Zëvendës Sekretar i Shtetit për Politikën e Sigurisë, për transmetuesin publik zviceran SRF.

Fushatat e dezinformimit për të prishur zgjedhjet ose referendumet zvicerane nuk janë vënë re deri më tani, shtoi Pulli. Por autoritetet janë në dijeni të aktiviteteve të tilla në vende të tjera.

Rumania mbajti zgjedhje të përsëritura presidenciale një vit më parë sepse, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ato ishin falsifikuar nga fushatat ruse të dezinformimit.

Michael Hermann, drejtor menaxhues i institutit kërkimor Sotomo, beson se demokracia e drejtpërdrejtë zvicerane e bën vendin veçanërisht të prekshëm. Kjo për shkak se njerëzit mbështeten në informacion të saktë për të vendosur për çështje thelbësore, transmeton albinfo.ch.

Por Hermann gjithashtu ka besim në qëndrueshmërinë e Zvicrës ndaj rreziqeve të mundshme nga fushatat e dezinformimit. “Demokracia e drejtpërdrejtë është gjithashtu një mundësi për të luftuar dezinformimin sepse njerëzit po diskutojnë të njëjtën temë njëkohësisht”, tha ai. “Nëse dikush pretendon diçka të rreme, pala tjetër mund ta korrigjojë atë.”

“Në demokracitë ku popullsia mund të votojë vetëm, gënjeshtrat mund të futen shumë më lehtë, të bëhen të besueshme nga një segment i popullsisë dhe të mos korrigjohen kurrë.”

Bashkimi Evropian po përpiqet të luftojë dezinformimin me Aktin e Shërbimeve Dixhitale. Në të kundërt, qeveria zvicerane është shumë e përmbajtur me rregulloren e saj.

Për shembull, ligji i propozuar i mediave sociale nuk kërkon që platformat dixhitale të bashkëpunojnë me zbatimin e ligjit ose të luftojnë dezinformimin.
Debati rreth dezinformimit, duke përfshirë çështjen se çfarë është dezinformim dhe çfarë jo, dhe nëse demokracia zvicerane ka nevojë për mbrojtje më të fortë kundër tij, sapo ka filluar në Zvicër. Kjo pjesërisht sepse Zvicra është ende më pak e prekur nga fushatat e dezinformimit sesa vendet e tjera.

Vedat Muriqi – lojtari i muajit në La Liga

Futbollisti nga Kosova, Vedat Muriqi është shpallur lojtari më i mirë i muajit në La Liga.

Muriqi e ka marrë këtë titull, përderisa luan në një ligë me dy prej klubeve më të mëdha në botë dhe emra si Kylian Mbappe e Robert Lewandowski, transmeton albinfo.ch.

Ai ka realizuar pesë gola në katër takimet e fundit, përfshirë edhe hat-trick ndaj Atheltic Bilbaos.

Ndryshe, Muriqi është i dyti në listën e top golashënuesve në La Liga me 14 gola, vetëm pas Kylian Mbappe që i ka 21.