Taksa e tranzitit në Zvicër një hap më afër zbatimit

Zvicra është një hap më afër vendosjes së një takse tranziti për shoferët e huaj që kalojnë nëpër territorin e saj nga një shtet fqinj në tjetrin, përcjell albinfo.ch.

Pas muajsh debatimesh, kjo masë ka marrë miratimin e komisioneve përkatëse të Këshillit të Shteteve dhe Këshillit Kombëtar, duke hapur rrugën për diskutime të mëtejshme në nivel politik.

Sipas propozimit, taksa do të aplikohej për drejtuesit e mjeteve me targa të huaja që përdorin rrugët zvicerane vetëm për tranzit, pa pasur destinacion brenda vendit.

Megjithatë, Këshilli Federal i Zvicrës ka shprehur rezerva lidhur me zbatimin praktik të kësaj mase. Autoritetet theksojnë se një taksë e tillë do të kërkonte monitorim të gjerë të të gjitha pikave kufitare, gjë që do të sillte kosto dhe sfida administrative.

Për më tepër, vendosja e taksës së tranzitit do të kërkonte edhe ndryshime kushtetuese, çka nënkupton mbajtjen e një referendumi kombëtar, sipas procedurave ligjore në Zvicër.

Diskutimet pritet të vazhdojnë, ndërsa çështja po tërheq vëmendje të veçantë, sidomos për sektorin e transportit dhe për shtetet fqinje që përdorin rrjetin rrugor zviceran për tranzit./Albinfo.ch

Kosova dhe Serbia takohen sot në Bruksel për dialogun e ndërmjetësuar nga BE

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë qëndrojnë sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, transmeton albinfo.ch.

Zyrtarët nuk kanë dhënë hollësi mbi temat e plota të diskutimit, por pritet që fokus kryesor të jetë nisja e punës së Komisionit të përbashkët për të pagjeturit. Çështjet e tjera që mund të diskutohen varen nga planet e të dërguarit të posaçëm për dialog, Peter Sorensen, si dhe nga gatishmëria e palëve për të trajtuar këto tema.

Takimet zakonisht zhvillohen fillimisht në mënyrë të ndarë me lehtësuesin e BE-së, ndërsa më pas, nëse palët arrijnë dakordësi, mbahet edhe sesioni i përbashkët trepalësh. Kjo strukturë pritet të ndiqet edhe sot. Takimet shërbejnë gjithashtu për t’i dhënë sinjale BE-së dhe opinionit publik se dialogu po vazhdon, edhe pse deri më tani nuk ka pasur progres të prekshëm.

Nga pala serbe, mediat kanë raportuar se pritet të kërkohet formimi urgjent i Asociacionit të Komunave Serbe dhe të tërhiqet vërejtja mbi atë që ata e quajnë “presion ndaj Serbëve në Kosovë”. Bashkimi Evropian ka konfirmuar për KOHËN se takimi po mbahet sot, me Peter Sorensen në rolin e udhëheqësit të dialogut.

Së shpejti do të shënohen tre vjet nga njoftimi i BE-së për arritjen e “Marrëveshjes së Brukselit” apo “Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”. Megjithatë, implementimi i saj ka qenë minimal. Marrëveshja nuk u nënshkrua nga Serbia, por BE-ja ka insistuar gjithmonë se zbatimi i saj është obligim ligjor i palëve.

Peter Sorensen u emërua lehtësues i dialogut para një viti dhe së fundmi mandati i tij u zgjat për të paktën dy vjet. Ai pasoi Miroslav Lajçak nga Sllovakia. Bashkimi Evropian fajëson mungesën e progresit te palët dhe mungesën e gatishmërisë për të zbatuar detyrimet nga dialogu, ndërsa si pengesa përmenden kriza politike në Kosovë dhe situata e tensionuar politike në Serbi gjatë vitit të kaluar. /Albinfo.ch

Kurti përkujton 28-vjetorin e sulmit të dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes së komandantit Adem Jashari, i cili ndodhi më 22 janar 1998 në Prekaz, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se, ashtu si në vitin 1991, edhe në vitin 1998 familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u shndërruar në shembull dhe simbol të rezistencës kundër regjimit shtypës të Serbisë dhe të luftës për çlirimin e Kosovës.

“Çdo 22 janar, e kujtojmë ditën e kësaj date të vitit 1998, kur policia serbe e sulmoi për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz. Mëngjesin e hershëm të asaj dite, për gjysmë ore, një grup policësh serbë shtiu në breshëri predhash dhe armë automatike ndaj shtëpive të Shaban Jasharit. Duke e mbrojtur familjen dhe shtëpitë e tyre nga ky sulm kriminal, prej brenda shtëpive rezistuan me armë Shabani dhe djali i tij Hamza. Rezistenca e tyre i ktheu mbrapsht policët serbë, por nga plumbat e të shtënave të shumta, u plagosën dy vajza, Selvete dhe Iliriana Jashari. Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.Kjo ishte hera e dytë që familja Jashari në Prekaz ishte cak i aksioneve policore, pas aksionit të parë të 30 dhjetorit 1991, datë kjo që vite më pas do të nis të shënohet si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si më 1991 edhe më 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u kthyer në shembull dhe simbol të rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.

“Një muaj e gjysmë më pas, regjimi i Millosheviqit do të ekzekutonte një aksion shumëherë më të egër e më të gjerë ndaj familjes Jashari dhe tërë fshatit Prekaz, gjatë të cilit rezistenca e kësaj familje dhe e këtij fshati do të shënojnë kulmin e saj, duke frymëzuar mijëra njerëz që t’i bashkoheshin UÇK-së. Historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri. Mes kujtimesh plot respekt dhe nderimesh të thella për familjen e Shaban Jasharit nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës”, ka shkruar Kurti./Albinfo.ch

Pse Edi Rama nuk mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos?

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës se pse nuk ishte në Davos për të nënshkruar Kartën për Bordin e Paqes, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se ishte mes një zgjedhjeje, të shkonte në Davos për ftesën e Trump apo të priste vajzën e tij, Ivanka Trump, e cila dje ishte në Vlorë. Rama tha se zgjodhi të dytën, me lejen e presidentit të SHBA-ve.

“Meqë po përsëritet e njëjta pyetje dhe mos shqetësoheni pse unë nuk jam atje se mezi prisnit, duhet të bëja një zgjedhje mes ti përgjigjesha ftesës së babait apo të mikprisja vajzën këtu në Shqipëri. Edhe zgjodha vajzën. Natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait”, tha Rama.

Kujtojmë se ditën e kaluar, Ivanka Trump ishte në Vlorë ku me vete kishte 80 arkitektë me vete, të huaj dhe vendas./Albinfo.ch 

Rita Ora flet për karrierën, familjen dhe muzikën në “The Jennifer Hudson Show”

Këngëtarja shqiptaro-britanike Rita Ora ishte mysafire në emisionin e njohur amerikan “The Jennifer Hudson Show”, ku ndau me publikun detaje nga karriera e saj artistike, përvojat televizive dhe jeta personale, transmeton albinfo.ch.

Gjatë intervistës, Ora foli për rolin e saj si gjyqtare në spektaklin shumë të ndjekur “The Masked Singer”, duke theksuar se atmosfera në panelin e jurisë është e mbushur me humor, energji dhe emocione pozitive. Ajo e përshkroi ekipin si një “familje televizive”, ku çdo episod sjell hamendësime të papritura dhe momente argëtuese, shpesh edhe jashtë kamerave.

Rita u ndal edhe te performanca e saj e këngës “Golden”, duke zbuluar se kjo këngë ka një domethënie të veçantë personale për të, ndaj nuk është interpretuar nga artistë të tjerë. Sipas saj, kënga përfaqëson një periudhë të rëndësishme në jetën dhe rrugëtimin e saj artistik.

Në bisedë, këngëtarja foli edhe për stilin personal, duke treguar se pamjen e saj në emision e kishte realizuar vetë, si shprehje e identitetit dhe stilit të saj unik artistik.

Një nga momentet më të ndjera të intervistës ishte rrëfimi për propozimin që ajo i kishte bërë bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi, si dhe për marrëdhënien e ngushtë që ka ndërtuar me vajzat e tij, duke theksuar rëndësinë që familja zë në jetën e saj.

Episodi u mbyll me një moment të veçantë muzikor, ku Rita Ora dhe Jennifer Hudson improvizuan një duet, duke mahnitur publikun me energjinë dhe fuqinë e tyre vokale në skenë.

Paraqitja e Rita Orës në “The Jennifer Hudson Show” u prit me interes të madh nga fansat, duke rikujtuar edhe një herë ndikimin e saj të vazhdueshëm në skenën ndërkombëtare të muzikës dhe televizionit./Albinfo.ch

Këto janë 19 vendet që kanë nënshkruar pjesëmarrjen në Bordin e Paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar pjesëmarrjen e vendit në Bordin e Paqes të Presidentit amerikan Donald Trump gjatë një ceremonie të mbajtur të enjten në Davos të Zvicrës. Para nënshkrimit, Osmani ia ka zgjatur dorën Trumpit dhe kanë shkëmbyer disa fjalë të shkurtra, shkruan albinfo.ch.

Në ditën e themelimit të këtij bordi, pjesëmarrjen e tyre e kanë nënshkruar 19 shtete:

• Argjentina

• Armenia

• Bullgaria

• Bahrejni

• Azerbajxhani

• Hungaria

• Indonezia

• Jordania

• Kazakistani

• Katari

• Kosova

• Maroku

• Pakistan

• Paraguai

• Arabia Saudite

• Turqia

• Emiratet e Bashkuara Arabe

• Uzbekistan

• Mongolia

Bordi i Paqes është një organ ndërkombëtar i ri, i iniciuar nga Trump, që synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës. Sipas planit të Trumpit, Bordi përshkruhet si një “organ ndërkombëtar tranzitor” që do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze, me udhëheqës botërorë në përbërje dhe Presidentin Trump në krye.

Ky hap thekson angazhimin e Kosovës në iniciativat ndërkombëtare për paqe dhe pjesëmarrjen aktive në forumet globale./Albinfo.ch

Vjosa Osmani nënshkruan anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

Kosova ka zyrtarizuar anëtarësimin e saj në Bordin e Paqes, një organizatë ndërkombëtare e themeluar nga Presidenti amerikan Donald Trump, shkruan albinfo.ch.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar dokumentet e anëtarësimit gjatë ceremonisë në Davos të Zvicrës, në një moment që u duartrokit nga vetë Donald Trump dhe nga liderë të tjerë botërorë të pranishëm.

Ky hap përforcon angazhimin e Kosovës në iniciativat globale për paqe dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke e vendosur vendin në hartën e forumave të rëndësishme ndërkombëtare./Albinfo.ch

Kryeministri kanadez Mark Carney pritet me ovacione në Davos

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, u prit me ovacione në këmbë pas fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku deklaroi se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla nuk funksionon më siç pretendohet, përcjell albinfo.ch.

Duke cituar Václav Havel, Carney tha se shumë shtete “po jetojnë brenda një gënjeshtre”, ndërsa fuqitë e mëdha përdorin tregtinë, financat dhe zinxhirët e furnizimit si mjete presioni politik. Sipas tij, bota po përjeton një çarje të thellë, ndërsa institucione si OKB-ja dhe OBT-ja janë dobësuar.

Ai paralajmëroi se izolimi dhe “fortesat kombëtare” do ta bënin botën më të pasigurt dhe më të varfër, duke theksuar se vendet e mesme duhet të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë koalicione funksionale.

Carney prezantoi qasjen e re të Kanadasë, “realizëm i bazuar në vlera”, duke nënvizuar forcimin e ekonomisë, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe zgjerimin e partneriteteve globale.

“Epoka e vjetër nuk do të kthehet. Nostalgjia nuk është strategji,” përfundoi ai.

Presidentja Osmani e vetmja grua mes liderëve botërorë në Bordin e Paqes

Në Davos të Zvicrës ka nisur ceremonia për themelimin e Bordit të Paqes, ku janë mbledhur udhëheqës botërorë që kanë pranuar ftesën e Presidentit amerikan Donald Trump për t’iu bashkuar iniciativës së tij, shkruan albinfo.ch.

Karriget në skenë janë duke u mbushur gradualisht me presidentët e Azerbajxhanit, Argjentinës, Kazakistanit dhe Indonezisë, si dhe me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán. Kjo ngjarje ndërkombëtare synon të promovojë dialogun global dhe bashkëpunimin për paqe.

E vetmja grua e pranishme në takim është Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke theksuar përfaqësimin e grave në forumet ndërkombëtare të nivelit të lartë. Karrigia e bardhë në skenë është e rezervuar për Donald Trump, i cili e ka shpallur veten udhëheqës të përjetshëm të Bordit të Paqes.

Ky aktivitet nënvizon pjesëmarrjen aktive të Kosovës në iniciativat globale dhe angazhimin e saj në çështjet e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./Albinfo.ch

Presidentja Vjosa Osmani takohet me Donald Trump në Davos

Kosova po merr pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes të Presidentit amerikan Donald Trump, e cila po mbahet sot në Davos të Zvicrës, shkruan albinfo.ch.

Para pak minutash, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me Donald Trump dhe me disa liderë të tjerë botëror gjatë aktivitetit, duke përfaqësuar vendin në këtë iniciativë ndërkombëtare për paqen.

Ky hap nënvizon angazhimin e Kosovës në dialogun global dhe pjesëmarrjen aktive në forumet ndërkombëtare të paqes dhe bashkëpunimit./ Albinfo.ch

 

SHBA-ja del sot zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

Shtetet e Bashkuara pritet të dalin zyrtarisht të enjten nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), një vendim që ka nxitur shqetësime për ndikimin në shëndetin publik në SHBA dhe në nivel global, përcjell albinfo.ch.

Presidenti Donald Trump kishte njoftuar largimin që në fillim të presidencës së tij në vitin 2025, duke argumentuar se OBSH-ja nuk kishte menaxhuar dhe ndarë informacionin në mënyrë efikase, çka i kishte kushtuar SHBA-së triliona dollarë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit theksoi se ky vendim synon pezullimin e çdo fondi apo mbështetjeje amerikane drejt organizatës.

Ekspertë dhe drejtues të OBSH-së, përfshirë Tedros Adhanom Ghebreyesus, kanë paralajmëruar se largimi i SHBA-së është një humbje për shëndetin global dhe kanë bërë thirrje për rishqyrtim të vendimit. OBSH-ja ka njoftuar se SHBA ende nuk ka paguar tarifat për vitet 2024 dhe 2025, ndërsa shtetet anëtare do të diskutojnë çështjen në mbledhjen e bordit ekzekutiv të organizatës në shkurt.

Në Davos, Bill Gates, financues i projekteve globale të shëndetit, u shpreh se nuk pret rikthimin e SHBA-së në afat të shkurtër, duke theksuar rëndësinë e OBSH-së për botën: “Bota ka nevojë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë”.

Presidentja Osmani në Davos për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në Davos të Zvicrës pas ftesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes 2026, shkruan albinfo.ch.

Gjatë hyrjes në objektin ku zhvillohet ceremonia, Presidentja Osmani ka takuar disa udhëheqës botërorë, përfshirë përfaqësues nga Zvicra, ku u prit me ngrohtësi nga Karin Keller-Sutter.

Nga Davosi, Osmani ka ndarë me publikun pamje nga vizita dhe ka shkruar në rrjetet sociale:“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes.”

Ky aktivitet nënvizon rolin aktiv të Kosovës në forumet ndërkombëtare dhe angazhimin e saj në çështjet globale të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/r/1BxNVdM8Rc/?mibextid=wwXIfr

Kurti në Davos promovon Kosovën si partner të besueshëm për investime

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ka prezantuar Kosovën si një destinacion tërheqës për investime, duke theksuar stabilitetin institucional, politikat fiskale të favorshme dhe potencialin e të rinjve të vendit, transmeton albinfo.ch.

Kurti bëri të ditur se gjatë takimeve me partnerë ndërkombëtarë dhe investitorë potencialë, Kosova është prezantuar si një shtet partner i besueshëm, e jo vetëm si treg apo platformë për prodhim me kosto të ulët.

“Ne u tregojmë partnerëve tanë se Kosova ka një qeveri partnere, politika fiskale të favorshme dhe një forcë punëtore të re, energjike, të talentuar dhe shumëgjuhëshe,” tha Kurti.

Ai theksoi se pozita gjeografike e Kosovës ofron mundësi unike për bizneset ndërkombëtare, duke qenë në zemër të rajonit EMEA, Evropë, Lindje e Mesme dhe Afrikë Veriore, transmeton tutje albinfo.ch.

“Shteti ynë ofron mundësi reale për krijimin e degëve apo bizneseve të reja në një rajon strategjik me qasje të gjerë tregtare,” u shpreh Kurti.

Kryeministri në detyrë vuri theksin edhe në rëndësinë e besimit dhe parashikueshmërisë institucionale, veçanërisht në një kohë sfidash gjeopolitike dhe çrregullimesh në zinxhirët globalë të furnizimit.

“Kosova ofron një shtet demokratik me sundim të ligjit dhe stabilitet institucional, elemente kyçe për investitorët në një mjedis global të pasigurt,” tha ai.

Sipas Kurtit, ekonomia e Kosovës po shënon rritje të vazhdueshme, ndërsa ndërmarrjet me pronësi të huaj janë rritur me 55 për qind krahasuar me katër vite më parë.

Duke folur për pjesëmarrjen në Davos, Kurti theksoi se angazhimi i këtij viti ka qenë më intensiv se në edicionet e kaluara, me më shumë panele diskutimi dhe takime bilaterale, të zhvilluara në kuadër të “Shtëpisë së Kosovës”.

Ai falënderoi gjithashtu ndërmarrësit nga diaspora për kontributin e tyre të vazhdueshëm në promovimin e Kosovës dhe në forcimin e lidhjeve ekonomike me partnerë ndërkombëtarë./Albinfo.ch

House of Kosova në Davos: Diplomaci aktive gjatë ditës, tinguj rok në mbrëmje

Në Davos të Zvicrës, ku po zhvillohen takime të nivelit më të lartë ndërkombëtar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga pothuajse të gjitha shtetet e botës, Kosova po përfaqësohet përmes platformës së saj të veçantë, House of Kosova, shkruan albinfo.ch.

Për tri ditë me radhë, në këtë hapësirë janë mbajtur takime të shumta dhe të rëndësishme me personalitete të ndryshme politike, ekonomike dhe institucionale nga mbarë bota. Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të shteteve të ndryshme, duke shfrytëzuar House of Kosova si një pikë kyçe për dialog, bashkëpunim dhe prezantim të interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Përveç agjendës intensive diplomatike dhe ekonomike gjatë ditës, House of Kosova solli edhe një dimension kulturor në mbrëmje. Në një atmosferë të veçantë, u organizua një mbrëmje muzikore live rok, duke ofruar një përzierje të diplomacisë dhe artit, shkruan tutje albinfo.ch.

Grupi i njohur nga Prishtina, “Asgjë Sikur Dielli”, solli në skenën e Davosit tingujt e rock-ut alternativ urban të Kosovës. Me performancën e tyre, ata prezantuan anën kreative dhe moderne të vendit, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve ndërkombëtarë dhe mysafirëve të shumtë.

Mbrëmja muzikore dëshmoi se House of Kosova nuk është vetëm një hapësirë për takime politike e ekonomike, por edhe një platformë për promovimin e kulturës, artit dhe identitetit bashkëkohor të Kosovës në skenën globale./Albinfo.ch

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

 

Një shqiptar në krye të Komisionit Suprem për Barazi dhe Integrim Shoqëror në Gjermani

27-vjeçari Berat Arifi nga SPD është zgjedhur unanimisht kryetar i Komisionit Suprem për Barazi Strategjike dhe Integrim Shoqëror në Gelsenkirchen. Me këtë vendim, SPD dërgon një mesazh të qartë për drejtësi sociale, përfaqësim dhe pjesëmarrje demokratike në një shoqëri të larmishme urbane, transmeton albinfo.ch.

Zgjedhja e Arifit përbën një moment të rëndësishëm për diasporën shqiptare në Gjermani, duke dëshmuar rolin aktiv të brezit të dytë të familjeve me histori migrimi në institucionet vendimmarrëse të vendit.

Me prejardhje nga Lipjani i Kosovës, Arifi vjen nga një familje refugjatësh lufte të viteve 1998/1999. Ai ka qenë anëtar i Këshillit të Integrimit në legjislaturën e kaluar dhe aktualisht punon si këshilltar politik për siguri dhe integrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Nordrhein-Westfalen-it, transmeton tutje albinfo.ch.

Komisioni, i njohur më herët si Këshilli i Integrimit, është organi kryesor për hartimin dhe bashkëformësimin e politikave të integrimit në Gelsenkirchen, ndërsa Arifi mban njëkohësisht edhe postin e kryetarit të Jusos në këtë qytet./Albinfo.ch

Një shqiptare në mesin e 10 grave më të spikatura botërore në sektorin e energjisë

Agjencia prestigjioze ndërkombëtare Reuters ka publikuar listën vjetore “Trailblazing Women 2025”, e cila përfshin gratë që po udhëheqin ndryshime të rëndësishme në sektorët strategjikë përmes ndikimit, inovacionit dhe lidershipit, transmeton albinfo.ch.

Në këtë listë elitare është përfshirë edhe shqiptarja Shqipe Neziri Vela, e renditur ndër 10 gratë më të spikatura në nivel global në sektorin e energjisë, një arritje e rëndësishme që përfaqëson suksesin profesional dhe ndikimin ndërkombëtar të grave shqiptare.

Sipas Reuters, përzgjedhja është bërë mbi bazën e arritjeve profesionale, ndikimit publik, kontributit social dhe aftësive udhëheqëse, duke vlerësuar gratë që kanë luajtur rol kyç në hartimin e politikave dhe zbatimin e praktikave të qëndrueshme në industri të rëndësishme globale, transmeton tutje albinfo.ch.

Shqipe Neziri Vela është vlerësuar veçanërisht për udhëheqjen e saj në qeverisjen e burimeve natyrore, promovimin e transparencës dhe avancimin e standardeve të qëndrueshme në industrinë e energjisë dhe minierave.

Aktualisht, ajo është e angazhuar në Sekretariatin Ndërkombëtar të Iniciativës për Transparencë në Industritë Nxjerrëse (EITI) në Norvegji, ndërsa njëkohësisht mban edhe postin e kryesueses së rrjetit profesional “Gratë në Energji dhe Miniera”, një platformë që synon fuqizimin, rrjetëzimin dhe rritjen e përfaqësimit të grave në sektorët energjetikë dhe nxjerrës.

Përfshirja e Shqipe Neziri Velës në listën “Trailblazing Women 2025” të Reuters përbën një njohje të rëndësishme ndërkombëtare, jo vetëm për karrierën e saj profesionale, por edhe për kontributin e grave shqiptare në zhvillimin dhe transformimin e industrive globale./Albinfo.ch

 

 

Granit Xhaka rrëfen vendimin e papritur për rikthimin në Premier League

Granit Xhaka ka rrëfyer se rikthimi i tij në Premier League ishte një surprizë, por u konkretizua shpejt pas interesimit të Sunderlandit. Mesfushori shqiptar u transferua këtë verë për rreth 17 milionë funte, duke u bërë një nga afrimet më të bujshme pas rikthimit të “Macëve të Zeza” në elitën angleze, transmeton albinfo.ch.

33-vjeçari, ish-lojtar i Arsenalit, u emërua menjëherë kapiten dhe po shfaq formë të shkëlqyer nën drejtimin e trajnerit Régis Le Bris, duke ndihmuar Sunderlandin të renditet lart në tabelë.

Xhaka pranoi se kishte menduar të përfundonte karrierën në Bayer Leverkusen, por interesimi i Sunderlandit e bëri të ndryshonte planet. Në vendimin e tij ndikuan edhe këshillat e Jermain Defoe dhe Lorik Canës, ish-lojtarë të klubit.

“Nuk prisja të kthehesha në Premier League, por vendimi erdhi shpejt”, tha Xhaka, duke shtuar se vendimi ishte marrë pas diskutimeve me familjen dhe përfaqësuesit e klubit./Albinfo.ch

Hapet shkolla shqipe në Heppenheim të Gjermanisë

Në qytetin Heppenheim (Bergstraße), në landin e Hessenit, është hapur zyrtarisht shkolla në gjuhën shqipe, një nismë me rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatë. Mësimin në këtë shkollë do ta ndjekin mbi 20 nxënës shqiptarë nga ky rajon, transmeton albinfo.ch.

Hapja e shkollës u shënua me një ceremoni solemne, ku mori pjesë Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Frankfurt, zGëzim Gashi. Të pranishëm ishin gjithashtu prindërit e nxënësve, mësuesja Alma Selimi Zyberi, veprimtari dhe publicisti Argjend Hasani, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.

Në fjalën e tij, Konsulli i Përgjithshëm Gëzim Gashi falënderoi Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Hessen (LAPSH Hessen) për angazhimin dhe sukseset e arritura në institucionalizimin e mësimit të gjuhës shqipe. Ai theksoi se falë këtij organizimi, sot rreth 400 nxënës ndjekin mësimin shqip në landin e Hessenit, duke u mbuluar pothuajse i gjithë territori, nga Kassel në veri e deri në Heppenheim në jug.

Atmosfera në ditën e hapjes ishte e mbushur me entuziazëm dhe emocione, veçanërisht tek nxënësit, klasa e të cilëve gumëzhinte nga gëzimi. Ambienti ishte i stolisur me flamurin kombëtar shqiptar dhe flamurin shtetëror të Kosovës, ndërsa prindërit shprehën kënaqësinë e tyre që, pas një angazhimi të madh dhe bashkëpunimi të suksesshëm, shkolla shqipe u bë realitet. Në këtë proces u veçua edhe kontributi i Gani Lajçi, në bashkëpunim të ngushtë me mësuesen Alma Selimi Zyberi, transmeton tutje albinfo.ch.

Në fjalën e saj përshëndetëse, mësuesja Alma Selimi Zyberi uroi mirëseardhjen nxënësve, prindërve dhe mysafirëve, duke theksuar emocionin e rikthimit të saj në profesion pas nëntë vitesh ndërprerjeje. Ajo falënderoi prindërit, Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë në Gjermani, Konsullin Gëzim Gashi dhe drejtuesit e Gjimnazit “Starkenburg” në Heppenheim për mbështetjen e dhënë në hapjen e kësaj shkolle.

Me këtë rast, Konsulli Gashi dhe shkrimtari Argjend Hasani përshëndetën të pranishmit, duke vënë në pah rëndësinë e shkollave shqipe në mërgatë për edukimin dhe identitetin kombëtar të brezave të rinj.

Në përmbyllje të aktivitetit, mësuesja Alma Selimi Zyberi, së bashku me Konsullin Gashi, shpërndanë librat mësimorë për nxënësit, të cilët janë dhuratë nga Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës për fëmijët shqiptarë në diasporë.

Organizatorët ftojnë prindërit shqiptarë të këtij rajoni që të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe dhe të kontribuojnë në ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe ndër brezat e rinj./Albinfo.ch

Adresa e shkollës shqipe:

Starkenburg Gymnasium

Gerhart-Hauptmann-Straße 21

64646 Heppenheim, Gjermani

Nuk ka akuza në hetimin zviceran mbi abuzimin në Kishën Katolike

Prokurorët në qytetin zviceran të St. Gallen kanë përfunduar një hetim mbi pesë ankesa për abuzim seksual ndaj Kishës Katolike pa ngritur asnjë akuzë.

Ankesat u dorëzuan pas publikimit të raportit mbi abuzimet në shtator 2023. Njëra prej pesë ankesave u dorëzua nga Dioqeza e Churit lidhur me një sulm të pretenduar në vitet 1970, ndërsa tjetra nga një individ privat, transmeton albinfo.ch.

Pesë priftërinj u akuzuan gjithsej, dhe dhjetë persona u identifikuan si viktima potenciale. Hetimet ishin “kohë-zgjedhëse dhe komplekse”, tha zëdhënësi i prokurorisë, Leo-Philippe Menzel, për transmetuesin publik zviceran SRF.

Koha e gjatë që ka kaluar që nga sulmet e pretenduara e bëri hetimin edhe më të vështirë. Statuti i kufizimit u përmend si një nga arsyet kryesore pse disa raste të tjera nuk mund të hetoheshin.

Në dy raste, dhoma e aktakuzës e kantonit St. Gallen refuzoi autorizimin për të hapur procedime penale, për shkak të mungesës së juridiksionit ose sepse një prift i akuzuar ishte përgjithmonë i paaftë për të qëndruar para gjykatës. Ky prift ka ndërruar jetë që atëherë.

Në katër raste ku statuti i kufizimit nuk kishte skaduar ende, prokuroria zhvilloi hetime të gjera. Megjithatë, akuzat nuk mund të vërtetoheshin. Kjo për shkak se të akuzuarit mohuan akuzat dhe viktimat, për shkak të kohës së madhe që kishte kaluar, ose nuk mundën të jepnin deklarata të mjaftueshme ose nuk dëshironin të riktheheshin te ngjarjet. Për këtë arsye, nuk u ngritën akuza në asnjë nga rastet.

Dioqeza e St. Gallen konfirmoi se një nga ankesat kishte ardhur nga ipeshkvi i dioqezës. Incidenti i raportuar përfshinte një anëtar të një urdhri fetar dhe dyshohet të ketë ndodhur në fillim të viteve 1970.

Gjykata e apelit në këtë rast gjithashtu refuzoi autorizimin për ndjekje penale, pasi anëtari i Kishës ishte shumë i moshuar. Të dy dioqezat theksuan se do të vazhdojnë të dërgojnë çdo informacion mbi shkelje të mundshme penale te autoritetet dhe do të zbatojnë vazhdimisht masat sipas ligjit kanonik.

Dioqeza e St. Gallen njoftoi se gjetjet e prokurorisë do të përfshihen në dy hetime të vazhdueshme sipas ligjit kanonik. Ndryshe nga ligji civil, Kisha mund të heqë statutin e kufizimit.

Kantoni i Baselit konfirmon rritjen e mungesave të nxënësve në shkolla

Numri i nxënësve që mungojnë në shkolla ka shënuar rritje në kantonin Basel-Landschaft gjatë viteve të fundit. Qeveria ka konfirmuar këtë trend në një raport të publikuar të mërkurën.

Sipas raportit mbi një mocion të Ernst Schürch (SP), numri i mungesave të justifikuara si përqindje e totalit të orëve mësimore ishte gati 3.6% në vitin shkollor 2023/24, krahasuar me rreth 1.4% në vitin 2019/20. Ndërkohë, mungesat e paarsyetuara ishin 0.04% në atë kohë dhe u rritën në 0.12% vitin e kaluar shkollor, transmeton albinfo.ch.

Shkollat kanë hapësirë për veprim

Drejtoria e arsimit synon të trajtojë këtë problem përmes një projekti të veçantë gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Qeveria thekson se shkollat kanë në dispozicion të gjithë masat disiplinore në çdo nivel për të përballuar këtë situatë, dhe për këtë arsye kanë hapësirë të mjaftueshme për ta menaxhuar mungesën e nxënësve.

Mungesat në shkollë i referohen mungesave të shpeshta që nuk lidhen me sëmundje fizike, por më shumë me një rezistencë të konsiderueshme ndaj ndjekjes së mësimeve.

Studim: Fluori në ujë pijes është i sigurt

Hulumtuesit në Bazel nuk gjetën lidhje mes fluorit dhe faktorëve të rrezikut në mbi 11 milionë lindje. Rezultatet e studimit konfirmojnë sigurinë e fluorit në ujë për gratë shtatzëna.

Sipas studimit të publikuar në revistën JAMA Network Open, ekipi ndërkombëtar i hulumtuesve, përfshirë Universitetin e Bazelit, konkludoi: “Këto rezultate konfirmojnë sigurinë e fluorit në ujë gjatë shtatzënisë.”

Fluori ndihmon në parandalimin e kariesit, shpjegoi Universiteti i Bazelit në një komunikatë për shtyp. Përveç përdorimit në shumicën e pastave të dhëmbëve, ky element gjurmë përdoret edhe për të promovuar shëndetin dentar të popullatës. Në Zvicër, kjo kryesisht bëhet duke shtuar fluor në kripën e tryezës.

Në Shtetet e Bashkuara, megjithatë, fluori është shtuar në ujë që nga fundi i viteve 1940. Kjo praktikë është e diskutueshme dhe shqetësime mbi rreziqet për shëndetin, sidomos për fetusin, shfaqen shpesh. Debati vazhdon edhe në nivel politik. Për shembull, sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., së fundmi lavdëroi shtetin e Utah për ndalimin e fluoridimit të ujit dhe kërkoi rishikimin e rekomandimeve zyrtare, transmeton albinfo.ch.

Studimi aktual trajton këtë çështje. Hulumtuesit analizuan të dhëna nga rreth 11.5 milionë lindje në SHBA gjatë një periudhe 21-vjeçare. Ata krahasuan ndryshimet në lindshmëri brenda një qarku para dhe pas shtimit të fluorit në ujë. Qarqet që nuk shtuan fluorin gjatë periudhës së studimit ose e bënë këtë më vonë, shërbyen si grup kontrolli.

Rezultatet ishin të qarta: nuk u gjetën ndryshime të matshme në peshën mesatare të lindjes, në frekuencën e lindjeve me peshë të ulët (nën 2500 gramë), moshën gestaionale ose rrezikun e lindjeve të parakohshme. Efektet e llogaritura ishin jo vetëm statistikisht të parëndësishme, por edhe klinikisht të paqartë.

Gjetjet e studiuesve mbështesin rekomandimet e autoriteteve për përdorimin e fluorit.

Pa borë, bizneset kërkojnë orar të shkurtuar

Shumë biznese turistike në kantonin Graubünden janë të detyruara të aplikojnë për kompensim pune me kohë të shkurtuar për shkak të mungesës së borës gjatë muajit dhjetor. Në total, gjashtë kompani, kryesisht restorante dhe kafene që ndodhen pranë pistave të skive në rajonet Surselva dhe Graubünden Qendror, janë prekur nga kjo masë.

“Rreth 100 punonjës do të preken në total,” tha Gian Reto Caduff, kreu i zyrës kantonale, duke konfirmuar raportimin e RSI për Keystone-SDA. Aplikimet e gjashtë kompanive u dorëzuan në kohë deri më 5 janar.

Sezona e kaluar dimërore nuk pati asnjë kompani në kanton që të aplikonte për punë me kohë të shkurtuar për shkak të humbjeve të klientëve nga moti. “Herën e fundit që regjistruam një numër më të lartë ishte në dhjetor 2022, me 13 regjistrime të aprovuara paraprakisht, dhe më pas përsëri në fillim të vitit 2023,” shtoi Caduff.

Shumë pista janë të mbyllura

Një vëzhgim i faqeve zyrtare të teleferikëve në Surselva dhe Graubünden Qendror tregon se shumë pista mbeten të mbyllura për shkak të mungesës së borës. Në Flims Laax Falera, vetëm 107 nga 216 kilometra pistash janë të hapura. Në Obersaxen Mundaun, 12 nga 45 pistat janë të aksesueshme.

Në Savognin, entuziastët e sporteve dimërore mund të skijojnë në një duzinë pistash, megjithëse zona e skive ka gjithsej 25 pista. Teleferiku Brambrüesch mbi Chur shtyu hapjen e tij për pothuajse një muaj dhe filloi të funksionojë vetëm më 13 janar.