Negociatat me BE-në për mbrojtjen e pagave mbeten të bllokuara

Negociatat ndërmjet Zvicrës dhe Bashkimit Evropian lidhur me masat për mbrojtjen e pagave kanë mbetur në vendnumëro, përcjell albinfo.ch.

Bisedimet kanë të bëjnë me punëtorët që vijnë nga vendet anëtare të BE-së për të punuar përkohësisht në Zvicër, ndërsa pagat e tyre vazhdojnë të paguhen nga punëdhënësit në shtetet e origjinës.

Autoritetet zvicerane insistojnë që këta punëtorë të trajtohen në mënyrë të barabartë me punonjësit vendas, duke siguruar që pagat e tyre të jenë në të njëjtin nivel me ato të punëtorëve zviceranë.

Sipas raportimeve, pala e BE-së po e zvarrit procesin e negociatave. Megjithatë, duke qenë se çështja e mbrojtjes së pagave konsiderohet thelbësore për Zvicrën, Këshilli Federal u ka dhënë të gjitha palëve afat deri në fund të janarit për të arritur një marrëveshje.

Presidentja Osmani priti Përfaqësuesin e BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, gjatë të cilit u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situate e sigurisë, raportet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë, përcjell albinfo.ch.Në takim, Presidentja Osmani, theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve. Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Osmani tha se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin.
Më tej, Presidentja Osmani e informoi z. Sørensen për zhvillimin e suksesshëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë dhe vlerësoi se zgjedhjet dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane.
Në takim u diskutuan gjithashtu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Presidentja Osmani përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, të shpallur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së. Presidentja Osmani vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, bilancin e dëshmuar demokratik dhe vrullin e reformave në vend. Presidentja theksoi se do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës, pa vonesa të mëtejme.

Zvicra dhe Këshilli i Evropës dënojnë dhunën në Iran

Pas dy javësh protestash antiqeveritare në Iran, mijëra mbështetës të Republikës Islamike dolën në rrugë të hënën në Teheran, ndërsa situata mbetet e tensionuar. Sipas Iran Human Rights, numri i të vdekurve nga shtypja e protestave arrin në 648, përcjell albinfo.ch.

Në frontin diplomatik, Zvicra, e cila përfaqëson gjithashtu interesat e SHBA-së në Iran, u bëri thirrje autoriteteve iraniane të ndalojnë dhunën ndaj protestuesve dhe të garantojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme theksoi se mandati për fuqi mbrojtëse nuk e pengon Zvicrën të shprehë qëndrimin e saj.

Po ashtu, Këshilli i Evropës, përmes Sekretarit të Përgjithshëm Alain Berset, dënoi dhunën dhe organizoi një takim me ambasadorët e vendeve që kufizohen me Iranin për të diskutuar masat e mëtejshme. BE-ja ka ndaluar hyrjen e diplomatëve iranianë në Parlamentin Evropian.

Ndërkohë, Irani ka hapur një kanal komunikimi me të dërguarin e Donald Trump, Steve Witkoff, duke shfaqur gatishmëri për negociata, por duke kërcënuar gjithashtu me veprime ushtarake./Albinfo.ch

Besfort Zeneli nis aventurën e re te kampioni i Belgjikës

Mesfushori 23-vjeçar Besfort Zeneli ka kompletuar transferimin te kampioni i Belgjikës, Royale Union Saint-Gilloise, nga klubi suedez Elfsborg, ku ka luajtur që nga viti 2022, regjistruar 93 ndeshje, 5 gola dhe 15 asistime, përcjell albinfo.ch.

Royal Unioni ka paguar afro 4 milionë euro për kartonin e tij, dhe Zeneli ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare, duke zgjedhur fanellën me numër 23. Në një deklaratë për faqen zyrtare të klubit, mesfushori shprehu emocionin e tij:

“Pas bisedës së parë me drejtuesit e Unionit, menjëherë e telefonova menaxherin tim për t’i thënë se doja t’i bashkohesha këtij klubi. Është një klub familjar në nivelin më të lartë.”

Besfort Zeneli është vëllai i vogël i Arbër Zenelit. Ai ka qenë pjesë e Kosovës U21, por më pas ka vendosur të përfaqësojë Suedinë në nivel ndërkombëtar. /Albinfo.ch

Spanjë: Goditet grup kriminal shqiptar që grabiste vila luksoze në Costa del Sol

Bëhet e ditur se autoritetet spanjolle kanë goditur një grup kriminal shqiptar, i dyshuar për grabitjen e banesave luksoze në zonën elitare të Costa del Sol, përcjell albinfo.ch.

Sipas Guardia Civil, anëtarët e grupit ndiqnin për ditë me radhë persona me pasuri të mëdha, për të identifikuar adresat dhe rutinat e tyre, dhe më pas hynin në banesa të maskuar me maska dhe paruke për të shmangur kamerat e sigurisë.

Pas një hetimi disa mujor, pesë persona u arrestuan, ndërsa 11 të tjerë janë nën hetim. Autoritetet sekuestruan 39,465 euro cash, tre armë zjarri, dy makina luksoze, shtatë targa të përkulura dhe orë luksoze të markave të njohura, me një vlerë totale mbi 80 mijë euro.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha rastet e grabitjeve dhe për të identifikuar të tjerë të përfshirë në rrjetin kriminal./Albinfo.ch

Inflacioni bie në 0.2% në Zvicër në vitin 2025

Inflacioni në Zvicër ka arritur në 0.2% në vitin 2025, niveli më i ulët pesëvjeçar dhe më i ulët që nga viti 2020, kur inflacioni ishte negativ (-0.7%). Për krahasim, rritja e çmimeve ishte 1.1% në 2024, 2.1% në 2023 dhe 2.8% në 2022, duke shënuar një rritje historike të 30 viteve të fundit, përcjell albinfo.ch.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, rritja e lehtë e vitit 2025 lidhet kryesisht me qiratë më të larta, vakte në restorante dhe çokollatën, ndërsa çmimet e energjisë elektrike, benzinës dhe ilaçeve u ulën.

Shkalla e inflacionit ka ndikim në negociatat për pagat, qiratë dhe caktimin e alimentacionit në procedurat e divorcit. Megjithatë, norma nuk përfshin primet bazë të sigurimit shëndetësor, të cilat po rriten me ritme të shpejta./Albinfo.ch

Aron Babaj, talenti 16-vjeçar kosovar, nënshkruan me AC Milan

Mesfushori 16-vjeçar nga Kosova, Aron Babaj, djali i ish-futbollistit Shpëtim Babaj, ka nënshkruar kontratë me AC Milan, duke u bërë pjesë e Milan Futuro Project, iniciativës së klubit italian për zhvillimin e talenteve të rinj, transmeton albinfo.ch.

Babaj, i lindur në vitin 2009, më parë ka luajtur për KF Prishtina e Re dhe ka përfaqësuar Kosovën në grupmoshat U16 dhe U17. Njoftimi i klubit italian e konfirmon se mesfushori do të jetë pjesë e planeve afatgjata të klubit për talentet e reja.

Edhe KF Prishtina e Re ka uruar Babajn për sukses në kapitullin e ri të karrierës, duke theksuar rëndësinë e këtij transferimi për futbollin kosovar. Kalimi te Milani konsiderohet një hap i madh për karrierën e talentit dhe një dëshmi e interesit në rritje të klubeve evropiane për lojtarët e rinj nga Kosova./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/p/1CWDJojuKv/?mibextid=wwXIfr

Dua Lipa frymëzon emrat e foshnjave në 2026

Ndikimi i këngëtares kosovaro-britanike Dua Lipa nuk po kufizohet vetëm në muzikë dhe modë, por po reflektohet edhe në zgjedhjet personale të prindërve për emrat e foshnjave. Sipas platformës ndërkombëtare për prindër BabyCentre, një numër në rritje prindërish që presin fëmijë në vitin 2026 po frymëzohen nga yjet e kulturës pop, përfshirë Dua Lipën, duke zgjedhur emra modernë, të fuqishëm dhe me identitet të qartë, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat tregojnë një prirje në rritje për emra që lidhen me energji pozitive, dritë dhe “aura” të veçantë—një tendencë që ekspertët e lidhin me figurat publike që përfaqësojnë guxim, stil dhe prezencë globale.

Për vajza, prindërit po preferojnë emra si Lily, Maeve, Ayla, Clara, Nora dhe Eliana, ndërsa për djem rikthehen emra klasikë me ngarkesë simbolike dhe historike si Alexander, Gabriel, Caleb dhe Asher.

Ekspertët e BabyCentre nënvizojnë se kultura pop, muzika dhe ndikimi i figurave publike luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si prindërit e shohin emrin e fëmijës. Ai nuk është vetëm një identifikim personal, por edhe një mënyrë për të shprehur vlerat, aspiratat dhe identitetin që dëshirojnë t’ua transmetojnë brezit të ardhshëm./Albinfo.ch

“Jam shqiptare”, këngëtarja e famshme turke Simge Sağın zbulon origjinën nga Peja

Këngëtarja e njohur turke Simge Sağın ka befasuar ndjekësit e saj me një deklaratë të veçantë gjatë një video-interviste me gazetarin me origjinë nga Gostivari, Yusuf Emini, transmeton albinfo.ch.

Gjatë intervistës, Simge ka treguar me krenari se është me origjinë shqiptare, duke theksuar se familja e saj vjen nga Peja, Kosova. Për të treguar lidhjen me identitetin e saj, ajo nuk ngurroi të bënte edhe shqiponjën, simbol të kulturës shqiptare.

Kur u pyet për qytetin e saj të preferuar, këngëtarja përmendi Prishtinën, duke treguar dashurinë dhe lidhjen personale me vendin e saj të origjinës.

Simge Sağın është një nga artistet më të njohura në Turqi, me projekte muzikore që kanë thyer kufijtë e tregut vendor. Këngët e saj në YouTube numërojnë miliona shikime, duke e vendosur atë ndër artistet më të dëgjuara të skenës turke./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/r/17kGibhwPW/?mibextid=wwXIfr

Londër: Performancë e jashtëzakonshme e Ermonela Jahos në “La Traviata”

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka dhënë një performancë të jashtëzakonshme sonte në Royal Opera House në Londër, në produksionin shumë të vlerësuar të La Traviata nga Richard Eyre, i krijuar më 1994. Interpretimi i saj në rolin e Violetës ka bërë krenar publikun dhe kritikët, duke u përshkruar si një shfaqje e thellë dhe e lëvizshme, shkruan albinfo.ch.

Sipas kritikëve, Jaho “imponon veten si një Violetë thellësisht e ndjeshme”, me një delësi vokale që luhatet nga qetësia fillestare në pasionin e plotë, duke depërtuar më pas në skenë me qartësi të jashtëzakonshme. Rendicioni i saj i këngës ikonike Addio, del passato bei sogni ridenti është përshkruar si një butësi zemërthyese, që e bën interpretimin e Violetës të thellësisht emocionues.

Jo vetëm Jaho, por edhe protagonistët e tjerë kanë shkëlqyer në performancën e tyre, veçmas tenori Giovanni Sala ka bërë një debutim të jashtëzakonshëm në rolin e Alfredos, ndërsa baritoni Aleksei Isaev ka imponuar zërin e tij madhështor në rolin e Giorgio Germont.

Ky produksion, mbështetur nga Royal Ballet And Opera, ka lënë një përshtypje të thellë tek publiku dhe ka konfirmuar talentin e jashtëzakonshëm të Ermonela Jahos si një nga sopranot më të mëdha të kohës sonë./Albinfo.ch

 

https://www.facebook.com/share/p/1BvuEEkcKE/?mibextid=wwXIfr

Mashtruesit zbrazin llogaritë bankare në kantonin Schwyz

Një rast mashtrimi i ndërlikuar në kantonin Schwyz ka shkaktuar humbjen e rreth 250,000 frangave zvicerane për një viktimë. Policia kantonale njofton se mashtruesit kontaktojnë viktimat përmes telefonit, duke u paraqitur si punonjës banke, dhe i bindin ata të instalojnë një program që supozohet antivirus. Në fakt, programi u jep atyre qasje direkte në kompjuterët dhe llogaritë bankare të viktimave, të cilat shpesh zbrazën deri në vetëm disa franga.

Këshilla e policisë:

Mos instaloni programe nga persona të panjohur.

Mos ndani të dhënat e hyrjes në llogari.

Nëse keni dyshime, ndërprisni thirrjen dhe kontaktoni bankën zyrtare.

Raportoni çdo mashtrim tek policia menjëherë.

Policia po heton rastin dhe paralajmëron banorët për rritjen e këtij lloji mashtrimesh.

Katastrofa në Crans-Montana: Avokatja italiane kërkon fond miliardësh për viktimat

Pas tragjedisë në barin Le Constellation në Crans-Montana, Zvicër, ku humbën jetën të paktën 40 persona dhe mbi 100 të tjerë u lënduan, avokatja italiane dhe figurë publike, Annamaria Bernardini de Pace, kërkon krijimin e një fondi kompensimi prej të paktën 50 miliardë eurosh për viktimat.

Në një intervistë për gazetën italiane Il Giornale, Bernardini de Pace kritikoi ashpër autoritetet dhe pronarët e lokalit. Sipas saj, nuk ishte thjesht një rast i pakujdesisë: “Kush kursen në masat e sigurisë dhe daljet emergjente, merr vdekjen e njerëzve me qëllim – dhe kjo mund të konsiderohet ligjërisht si ‘qëllim eventual’”.

Ajo u shpreh e revoltuar nga mungesa e masave të sigurta në vendngjarje: në një lokal të mbushur plot, kishte vetëm një dalje emergjente, e cila ishte e mbyllur, për shkak të frikës se të rinjtë mund të largoheshin pa paguar. “Lidhja e fitimit me sigurinë ka zënë vendin e jetës njerëzore,” shtoi avokatja.

Bernardini de Pace gjithashtu kritikoi hetuesit dhe autoritetet lokale për vonesat dhe moskontrollin e duhur, duke theksuar se provat mund të ishin manipuluar ose pasuritë lëvizur gjatë dhjetë ditëve të para pas zjarrit. Ajo tha se Zvicra është duke u bërë objekt talljeje ndërkombëtare dhe mund të rehabilitohet vetëm me veprime konkrete.

Tragjedi në Alpet Austriake: 13-vjeçari humb jetën nga orteku, tre të tjerë të plagosur

Tre skiatorë u kapën nga një ortek sot në Alpet Austriake, duke përfshirë një 13-vjeçar çek që humbi jetën. Ngjarja ndodhi në vendpushimin e Sportgastein, ku i riu po bënte ski me një mik.

Sipas Andreas Kandler, kreut të shërbimeve të shpëtimit malor në Bad Gastein, 13-vjeçari kishte dalë nga pista kur u përfshi nga orteku. Në Untertauern, një tjetër incident me ortek përfshiu një çift skiatorësh; burri arriti të shpëtonte gruan e tij, e cila mori lëndime të lehta.

Raportime të tjera tregojnë se të dielën, një skiator 58-vjeçar humbi jetën nga një ortek në rajonin Virberg pranë Tirolit, ndërsa disa të tjerë u plagosën. Vetëm gjatë këtij fundjave, Alpet Franceze regjistruan gjithsej gjashtë viktima nga ortekët, duke treguar rrezikun e lartë të lëvizjes së borës këtë sezon.

SBB përmirëson trenin dykatësh “dridhës”

Treni FV-Dosto i SBB-së, i njohur për dridhjet e shumta gjatë udhëtimeve, po riparohet për të ofruar një udhëtim më të qetë. Bogiet e trenit janë riprojektuar, duke hequr sistemin e kompensimit të rrotullimit dhe duke rritur lirinë e pezullimit.

Testet e fundit treguan se dridhjet u ulën rreth një të tretën, duke e bërë udhëtimin më komod, sidomos kur kalohen kthesa apo gabime në shina. Rimodelimi i plotë i të gjithë 62 trenave FV-Dosto do të kushtojë 90 milion franga dhe pritet të përfundojë brenda shtatë viteve.

Udhëtarët do të përfitojnë kështu nga një përvojë më e qetë dhe më komode në distanca të gjata.

KQZ hap 914 kuti votimi: Rinumërimi mund të zgjasë deri në 14 ditë

Ka nisur procesi i rinumërimit të 914 vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Ky proces po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pritet të zgjasë rreth dy javë, konkretisht nga 12 deri në 14 ditë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se rinumërimi do të realizohet në 20 tavolina numërimi, ndërsa çdo ditë planifikohet të rihapen mesatarisht rreth 80 kuti votimi. Vendimi përfshin 914 vendvotime nga gjithsej 2,557, që përbëjnë rreth 36% të totalit.

Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen të gjitha vendvotimet, ndërsa në 28 komuna të tjera rinumërimi do të përfshijë vetëm 10% të tyre. Elezi sqaroi se kjo qasje e diferencuar është vendosur në bazë të specifikave dhe gjetjeve për secilën komunë.

Vendimi për rinumërim është marrë pas identifikimit të mospërputhjeve gjatë procesit të verifikimit të votave për kandidatë për deputetë. Gjatë shqyrtimit të videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe verifikimit të brendshëm të fletëvotimeve në disa vendvotime, është konstatuar se numri i votave të evidentuara në fletëvotime nuk përputhej me ato të numëruara fillimisht.

Elezi theksoi se qëllimi i këtij procesi është garantimi i saktësisë së rezultateve dhe ruajtja e integritetit të zgjedhjeve, në mënyrë që rezultati përfundimtar të pasqyrojë realisht vullnetin e qytetarëve.

Rinumërimi erdhi si pasojë e raportit të Sekretariatit të KQZ-së, i cili pas verifikimit të 2% të vendvotimeve nga të gjitha komunat, ka konstatuar parregullsi në një numër prej tyre, çka ka nxitur marrjen e këtij vendimi nga KQZ.

Abdixhiku vë në dispozicion dorëheqjen, vendimi i takon Kuvendit të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen nga posti i tij, ndërsa vendimin përfundimtar ia ka lënë Kuvendit të partisë.

Pas një takimi maratonik që zgjati më shumë se pesë orë me drejtuesit kryesorë të LDK-së, Abdixhiku doli para mediave për të folur lidhur me rezultatin e partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai bëri të ditur se fillimisht do të thirret Kryesia e LDK-së, e më pas Kuvendi i partisë, para të cilit do të paraqitet edhe dorëheqja e tij si akt i marrjes së përgjegjësisë politike. Sipas tij, Kuvendi do të jetë organi që do të vendosë për hapat e mëtejmë të partisë.

Abdixhiku theksoi se deri në mbajtjen e Kuvendit, çdo anëtar ka të drejtë të paraqesë kandidaturën për kryetar të LDK-së. Ai sqaroi gjithashtu se takimi i mbajtur sonte ishte joformal, ndërsa mbledhja zyrtare e organeve të partisë pritet të zhvillohet javën e ardhshme.

Instagram u kërkon përdoruesve të injorojnë email-et për rivendosjen e fjalëkalimit

Një valë mesazhesh të padëshiruara ka përmbytur kutitë postare të përdoruesve të Instagramit, duke shkaktuar konfuzion të gjerë. Shkaku është një dobësi në sistemin e rrjetit social, e cila u lejoi hakerëve të aktivizonin një fushatë masive email-esh që u kërkonin përdoruesve të rivendosnin fjalëkalimet e tyre.

Meta, kompania mëmë e Instagramit, e ka pranuar problemin. Miliona përdorues kanë marrë email-e që i ftojnë të ndryshojnë fjalëkalimin. Sipas kompanisë, këto mesazhe janë legjitime, pasi janë gjeneruar drejtpërdrejt nga vetë sistemi i Instagramit.

Meta siguron se defekti tashmë është rregulluar dhe se llogaritë e përdoruesve janë të sigurta. Instagram u rekomandon përdoruesve që t’i injorojnë këto email-e për rivendosje fjalëkalimi.

Megjithatë, ekspertët rikujtojnë se është gjithmonë e këshillueshme të aktivizohet autentifikimi me dy faktorë, një praktikë që tashmë konsiderohet thelbësore për sigurinë në rrjetet sociale.

E majta zvicerane mobilizohet në qytetet e mëdha në mbështetje të trenave të natës

Grupet e majta politike po mobilizohen në disa qytete zvicerane për të kërkuar subvencionimin e trenave ndërkombëtarë të natës. Këtë javë, në Gjenevë dhe Lozanë do të dorëzohen mocione që u bëjnë thirrje komunave të veprojnë dhe të kërkojnë mbështetje federale për këto linja hekurudhore. Ky veprim po koordinohet edhe me Bazelin, Cyrihun dhe Bernën, mëson RTS.

A duhet që qytetet të ndërhyjnë për të mbështetur linjat hekurudhore ndërkombëtare, në vend që kjo të mbetet përgjegjësi e qeverisë federale? Kjo është pikërisht ideja e partive të majta, të udhëhequra nga socialistët dhe të gjelbrit, të cilët po koordinojnë iniciativa të ngjashme në pesë qytetet më të mëdha të Zvicrës.

“Ne po kërkojmë që të gjenden fonde për trenat e natës, por edhe për linjat ndërkombëtare ditore që lidhin Zvicrën me vendet e tjera. Po ashtu, i kërkojmë Konfederatës të veprojë me përgjegjësi dhe të respektojë ligjin për CO₂”, shpjegon Louis Dana, këshilltar bashkiak socialist në Lozanë.

Një iniciativë që nisi në Cyrih

Kjo iniciativë e ka zanafillën në Cyrih, pas një vendimi të Këshillit Kombëtar më 9 dhjetor, i cili shkaktoi reagime të forta. Pas Këshillit të Shteteve, dhoma e ulët e parlamentit refuzoi financimin e linjës Basel–Malmö, duke hequr një subvencion prej 10 milionë frangash që ishte i nevojshëm për nisjen e trenit të natës, planifikuar për pranverën e ardhshme.

“Është e qartë se qytetet nuk mund t’i financojnë këto linja trenash të vetme”, pranon Dominik Waser, këshilltar bashkiak i Partisë së Gjelbër në Cyrih. “Qeveria federale duhet të marrë përgjegjësinë e saj. Ne shpresojmë që mbështetja nga qytetet të jetë vetëm e përkohshme, deri sa Konfederata ta rifillojë plotësisht rolin e saj.”

Prioritete për t’u rishikuar

Kjo ide ka nxitur reagime edhe nga e djathta. Deputeti i UDC-së, Yvan Pahud, i cili kishte kundërshtuar financimin e linjës Basel–Malmö në Parlament, shprehet: “Sot financat federale janë në deficit dhe duhet të rishikojmë prioritetet tona. Financimi i trenave për udhëtime rekreative fundjave nuk është prioritet. Zvicra ka nevoja më urgjente: arsimi, shëndetësia, siguria.”

Louis Dana kundërshton këtë qëndrim: “Parlamenti nuk po i respekton angazhimet e veta për ligjin e CO₂, i cili parashikonte mbështetje për trenat e natës.” Sipas tij, këto linja kanë edhe rëndësi turistike: “Ato u shërbejnë qytetarëve zviceranë, por edhe turistëve të huaj. Për shembull, turistët nga Malmö mund të vijnë për pushime në Bazel. Disa vite më parë, nga Lozana kishte trena nate për Romë dhe Barcelonë.”

Ky aksion i koordinuar i së majtës në qytetet kryesore zvicerane synon të dërgojë një sinjal politik. Megjithatë, edhe nëse komunat reagojnë pozitivisht, do të duhet kohë për të siguruar financime alternative ndaj atyre që fillimisht ishin planifikuar nga Konfederata.

Kantoni i Vaudit: Taksa për automjetet më ndotëse rritet deri në 50%

Automjetet më ndotëse do të tatohen më rëndë në kantonin e Vaudit. Këshilli i Shtetit ka vendosur të rrisë me 50% taksën për këto mjete, niveli maksimal i lejuar me ligj. Vendimi është marrë me kërkesë të Parlamentit kantonal, por po kundërshtohet nga e djathta politike, e cila kërkon anulimin e tij.

SUV-të në shënjestër

Me këtë rritje, autoritetet synojnë veçanërisht drejtuesit e automjeteve të mëdha, si SUV-të. Shtesa për automjetet më ndotëse do të rritet nga 25% në 50%, çka pritet të sjellë fatura dukshëm më të larta për pronarët e tyre.

Në Vaud, taksa e automjeteve llogaritet sipas sistemit bonus–malus, i cili parashikon ulje ose shtesa në varësi të emetimeve të CO₂. Qëllimi është të inkurajohet blerja dhe përdorimi i automjeteve me emetime të ulëta.

Deri në qindra franga më shumë

Nuk do të ketë rritje për drejtuesit e modeleve bazë të makinave me benzinë, si Volkswagen Golf apo Skoda Octavia, as për automjetet elektrike si Tesla Model Y.

Po ashtu, pronarët e automjeteve të regjistruara për herë të parë deri më 31 dhjetor 2020 nuk do të preken nga rritja, për sa kohë që automjeti i tyre lëshon më pak se 149 g CO₂/km.

Nga ana tjetër, ata që tashmë i nënshtrohen taksës ndëshkuese do të shohin rritje prej 15%, 25% ose 50%, në varësi të automjetit. Në disa raste, rritja mund të arrijë pothuajse 500 franga. Për shembull, për një Audi RS6 me 600 kuaj fuqi, taksa vjetore do të rritet nga 2’423.70 franga në 2’908.50 franga.

Kundërshtime politike

Vendimi nuk është pritur mirë nga e djathta në Këshillin e Madh të Vaudit. Një mocion i paraqitur nga deputeti Yann Glayre (UDC), i bashkënënshkruar nga 18 deputetë të UDC-së dhe 11 të Partisë Liberale Radikale (PLR), kërkon rikthimin e tavanit të shtesës në 25%.

Mocioni u miratua me një diferencë shumë të ngushtë: 72 vota pro dhe 70 kundër. Mungesa e disa deputetëve të së majtës ndikoi në rezultatin përfundimtar. Teksti i kërkon gjithashtu qeverisë të anulojë hyrjen në fuqi të normave të reja të taksimit, të planifikuara për 1 janar 2026.

Objektivi financiar

Autoritetet kantonale synojnë që me këtë masë të sigurojnë rreth 10 milionë franga shtesë për buxhetin e vitit 2026, i cili parashikohet të jetë me deficit. Së shpejti, qytetarët do të mund të konsultojnë faqen zyrtare të Kantonit të Vaudit për të llogaritur shumën e taksës së re për automjetin e tyre.

Ndërkohë, TCS (Touring Club Suisse) e ka cilësuar këtë vendim si një masë ndëshkuese ndaj drejtuesve të automjeteve.

Pavarësisht kontestimeve, shiten rekord bileta për Eurovisionin në Vjenë

Biletat për finalen e madhe të këngës në “Eurovision 2026”, që këtë vit mbahet në Vjenë, janë shitur në kohë rekord, me pothuajse të gjitha 90 mijë biletat që u blenë brenda pak minutash, njoftuan sot organizatorët, përcjell albinfo.at

“Biletat për finalen e madhe u shitën për vetëm 14 minuta, ndërsa biletat për netët tjera gjysmëfinale, u shiten brenda një ore”, bëri të ditur Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU).

Në total, gjatë javës së “Eurovision”-it zhvillohen nëntë shfaqje, përfshirë dy prova gjenerale përpara çdo transmetimi live, shkruan ATSH, transmeton albinfo.at.

“Çdo biletë e mbetur, për shembull nëse delegacionet kombëtare nuk i shfrytëzojnë të gjitha kuotat e tyre, do të hidhet sërish në shitje në një datë të mëvonshme”, tha EBU.

“Reagimi ka qenë fenomenal”, deklaroi drejtori i “Eurovision”-it, Martin Green, në një komunikatë.

“Të shohësh që çdo shfaqje shitet kaq shpejt është një kujtesë e fuqishme për atë që përfaqëson festivalin e këngës në “Eurovision”, gëzim, bashkim dhe përvojë të përbashkët, në një kohë kur këto vlera janë më të rëndësishme se kurrë”, shtoi ai.

Edicioni i 70-të i Eurovisionit në Vjenë është shoqëruar prej muajsh nga debatet mbi pjesëmarrjen e Izraelit, në sfondin e fushatës së tij ushtarake dyvjeçare në Rripin e Gazës.

Spanja, Irlanda, Islanda, Holanda dhe Sllovenia kanë deklaruar se do ta bojkotojnë edicionin e këtij viti të spektaklit muzikor, në shenjë proteste.

Në total, në konkurs do të marrin pjesë 35 shtete. Të 15 këngët që do të konkurrojnë në secilin prej dy gjysmëfinaleve u konfirmuan dje.

Në gjysmëfinalen e parë, më 12 maj, Izraeli do të garojë për një vend në finale së bashku me këngë nga Greqia, Belgjika, Suedia dhe Kroacia, ndër të tjera.

Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe vendi pritës, Austria, kualifikohen automatikisht në finale më 16 maj dhe nuk kanë nevojë të garojnë në gjysmëfinale.

Shqipëria do të përfaqësohet në Vjenë me këngën “Nan” nga Alis Kallaçi.

Shqipëria, Turqia, Zvicra e Gjermania – në krye të listës së vizitorëve të huaj të Kosovë

Kosova ka shënuar një rritje të lehtë të vizitorëve në sektorin hotelier gjatë muajit nëntor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Të dhënat e publikuara nga tregojnë se interesimi për akomodim në vend ka vazhduar të jetë në rritje, si nga qytetarët vendorë ashtu edhe nga vizitorët e huaj.

Në total, 57 548 vizitorë kanë qëndruar në hotelet e Kosovës gjatë nëntorit të kaluar. Prej tyre, 42,8 për qind kanë qenë vizitorë vendorë, ndërsa 57,1 për qind kanë qenë të huaj.

Kjo përbën një rritje prej 2,7 për qind krahasuar me muajin nëntor të vitit 2024, kur numri i përgjithshëm i vizitorëve kishte arritur në 56 027.

Po ashtu, është rritur edhe numri i net-qëndrimeve në hotele, që në total kanë qenë 120 210. Nga kjo shifër, 50,3 për qind janë realizuar nga vizitorët vendorë, ndërsa 49,7 për qind nga ata të huaj. Kjo tregon një balancë të afërt mes dy kategorive, duke dëshmuar se tregu i brendshëm vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në vend, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Sipas ndarjes rajonale, Rajoni i Pejës vazhdon të mbetet destinacioni më i preferuar për vizitorët e brendshëm. Gjatë nëntorit 2025, në këtë rajon janë regjistruar 7 140 vizitorë vendorë, të cilët kanë realizuar gjithsej 25 108 net-qëndrime. Kjo e bën Pejën zonën më të frekuentuar në vend nga pushuesit e Kosovës, falë potencialit të saj turistik, sidomos në periudhën e dimrit, ku peizazhet malore dhe ofertat e hoteleve të Rugovës tërheqin numër të madh vizitorësh.

Edhe numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rritje të lehtë gjatë këtij muaji. Krahasuar me nëntorin e vitit 2024, ku kishte 32 236 vizitorë të huaj, në nëntor 2025 ky numër ka arritur në 32 909, që paraqet rritje prej 2,1 për qind.

Shqipëria, Turqia, Zvicra e Gjermania – në krye të listës së vizitorëve të huaj. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë nëntorit 2025 shumica e vizitorëve të huaj kanë ardhur nga vendet në vijim:

Shqipëria

Turqia

Zvicra

Gjermania

Maqedonia e Veriut

Kroacia

Italia

Austria

Franca

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj kanë ardhur nga Shqipëria, Turqia, Zvicra dhe Gjermania, ndërsa një pjesë më e vogël nga shtetet fqinje dhe nga vendet e tjera evropiane. Kjo strukturë e vizitorëve mbetet e ngjashme me trendin e viteve të fundit, ku Kosova po tërheq kryesisht turistë nga rajoni dhe diaspora.

Këto të dhëna dëshmojnë për një rimëkëmbje të qëndrueshme të sektorit hotelier pas sfidave të viteve të fundit. Rritja, megjithëse modeste, tregon për një stabilitet të tregut dhe për potencial që mund të rritet më tej me investime në infrastrukturë, promovim dhe cilësi të shërbimeve.

Në përgjithësi, nëntori 2025 shënoi një muaj pozitiv për turizmin në Kosovë, me rritje të numrit të vizitorëve, të net-qëndrimeve dhe me tendencë për balancë mes turistëve vendorë dhe të huaj.

Punimet në autostradën e Gjenevës zgjaten deri në vitin 2028

Punimet rrugore në autostradën në Palexpo në Gjenevë do të vazhdojnë të paktën deri në vitin 2028.

Kjo për shkak të forcimit të tubave të instaluar 7 vjet më parë – pasi ato janë gjetur të jenë me defekt.

Geneva Industrial Services ka nisur procedurat ligjore kundër firmës së ndërtimit, transmeton albinfo.ch. Gjithashtu, ajo duhet të shpenzojë 80 milionë CHF të tjera për të shmangur vonesat e mëtejshme.

Katër kontrata me vlerë gati 30 milionë CHF janë dhënë tashmë.

Shpresohet që ndërprerjet e trafikut të jenë minimale.