Trump i kërkon Evropës të ndalojë blerjen e naftës ruse

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje vendeve evropiane të “ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia”, duke shtuar presion mbi Presidentin Vladimir Putin për të përfunduar luftën në Ukrainë.

Gjatë një darke në Mont Vernon, Virxhinia, Trump tha:

“Evropianët po blejnë naftë nga Rusia, kjo nuk duhet të ndodhë, apo jo?”

Sipas Bloomberg, Trump i kërkoi ambasadorit amerikan në NATO, Matthew Whittaker, të rrisë presionin ndaj Evropës. Ai shtoi:

“Ata duhet të ndalojnë së bleri naftë nga Rusia, Matt. Nuk duhet të vazhdojë shumë kohë.”

Trump shpesh kritikon vendet evropiane për blerjet e produkteve energjetike ruse. Kohët e fundit, pas një takimi me kryeministrin britanik Keir Starmer, ai deklaroi se është gati të rrisë presionin ekonomik mbi Moskën, por jo kur vendet për të cilat luftohet blejnë ende naftë ruse.

Presidenti amerikan gjithashtu tha se lufta në Ukrainë mund të përfundojë nëse çmimet e naftës “rriten më tej”.

 

Historike: Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka shpallur sot një vendim që mund të ndryshojë rrjedhën e politikës globale: Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës.

“Sot, për të rikthyer shpresën për paqe mes palestinezëve dhe izraelitëve dhe për të hapur rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh Palestinën”, tha Starmer.

Në të njëjtën linjë kanë vepruar edhe Kanadaja dhe Australia, duke dërguar një mesazh të fortë ndërkombëtar për drejtësi dhe paqe në Lindjen e Mesme

Zviceranja Marlen Reusser shpallet kampione e botës në kohë trial në çiklizëm

Marlen Reusser ka fituar për herë të parë titullin e kampiones së botës në kohë trial. Çiklistja nga Berni dominoi konkurrencën në Kigali, Ruandë, në hapjen e Kampionateve të Para të Botës në rrugë që mbahen në kontinentin afrikan.

27-vjeçarja mposhti sfiduesin 31 km përgjatë rrugëve të kryeqytetit ruandez. Ajo përfundoi garën solo në 43:09, duke lënë pas rivalet holandeze Anna van der Breggen dhe Demi Vollering me 52 sekonda dhe 1 minutë e 5 sekonda përkatësisht, transmeton albinfo.ch.

Medaliste e argjendtë në Imola në 2020 dhe në Flanders në 2021, si dhe medaliste bronzi në Australi në 2022, Reusser nuk kishte qenë kurrë më parë kampione e botës. Tani ajo do të mund të veshë fanellën me ngjyrat e ylberit në garat e kohë trial gjatë vitit të ardhshëm.

Me këtë titull botëror, vendësja e dytë në kohë trial në Lojërat Olimpike të Tokios në 2021 vulos një sezon të jashtëzakonshëm. E fitueshme në Tour de Suisse në qershor, ajo gjithashtu përfundoi e dyta në renditjen e përgjithshme në Giro dhe Vuelta a España.

 

Emigracioni ka zbrazur fshatin shqiptar

Një reportazh i gazetës britanike The Sun i ka kushtuar vëmendje fenomenit të emigracionit masiv nga Shqipëria, duke marrë shembull fshatin Golaj në veri të vendit, vetëm pak minuta larg qytetit të Hasit.

Nga një komunitet me rreth 4,000 banorë, thuajse 60% e të rinjve kanë braktisur vendlindjen për të shkuar në Britani të Madhe, ku kërkojnë një jetë më të mirë dhe punë të paguara më mirë, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Në fshat, mundësitë e punës mbeten të kufizuara në bujqësi me të ardhura minimale dhe disa kafene buzë rrugës, që mbijetojnë vetëm falë ndonjë turisti të rastësishëm. “Nuk ka më gangsterë këtu, se janë të gjithë në Angli”, i tha me ironi një banor vendas gazetës britanike.

Por fenomeni i emigracionit nuk ka kaluar pa pasoja. Përveç shumicës së shqiptarëve që punojnë ndershëm dhe kontribuojnë me etikën e tyre të punës, një pjesë e vogël ka krijuar lidhje me grupet kriminale, duke i dhënë shqiptarëve një imazh problematik në sytë e opinionit publik britanik.

Sipas statistikave të vitit të kaluar nga Ministria britanike e Drejtësisë, një në çdo 50 shqiptarë në Britani ndodhej në burg.

Në reportazh përmenden edhe dy vëllezër nga Golaj, Isuf dhe Fation Dauti, të cilët u dëbuan nga Mbretëria e Bashkuar pas akuzave për pjesëmarrje në një rrjet të krimit të organizuar. Fillimisht ata punuan në ndërtim e pastrim, por më pas u vunë re për jetën luksoze që bënin, përtej të ardhurave të deklaruara.

Në vitin 2021, Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) e konsideroi Fation Dautin si një “rrezik për sigurinë kombëtare”, duke e akuzuar për trafik droge, kontrabandë njerëzish dhe pastrim parash. Pas dëbimit të tij, rolin më aktiv në rrjet dyshohet se e mori i vëllai, Isufi.

Dy kushërinjtë e tyre, po nga Golaj, akuzohen se kanë qenë ndër organizatorët kryesorë të një grupi që kontrabandonte emigrantë të paligjshëm drejt Britanisë, përfshirë edhe fëmijë. Çmimi për kalimin ishte deri në 13,000 paund për një vend në kabinën e shoferit dhe 8,000 paund për t’u futur në pjesën e pasme të kamionëve, shpesh në kushte çnjerëzore dhe me rrezik për jetën.

Emigracioni masiv po e zbraz Golajn dhe zona të tjera të Hasit, duke i kthyer në fshatra ku jetojnë kryesisht të moshuarit, ndërsa e ardhmja e të rinjve kërkohet përtej kufijve.

https://www.thesun.co.uk/news/36780303/golaj-albanian-village-deserted-crime-uk/

Kosova shkëlqen në teknofest 2025, arrin finalet e Festivalit Ndërkombëtar të Teknologjisë

Një arritje historike për Kosovën në fushën e teknologjisë. Ekipi kosovar “EngineeringHER Future” është i vetmi që ka arritur të kualifikohet në finalet e TEKNOFEST 2025, festivali më i madh ndërkombëtar i aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë, i mbajtur këtë vit në Stamboll.

Ky edicion i TEKNOFEST-it ka tërhequr mbi 565 mijë ekipe dhe 1.2 milion pjesëmarrës nga 96 shtete, duke bërë përfaqësimin e Kosovës mes finalistëve një sukses të jashtëzakonshëm dhe dëshmi të potencialit të të rinjve tanë në shkencë, inovacion dhe teknologji.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, ekipi u takua me Selçuk Bayraktar, drejtor i kompanisë turke të teknologjisë Baykar dhe drejtor i TEKNOFEST-it, i cili vizitoi stendën e Kosovës dhe u njoh nga afër me projektin e “EngineeringHER Future”. Ky takim është një moment i rëndësishëm, duke ofruar njohje ndërkombëtare dhe motivim për gjeneratat e reja të interesuara në teknologji dhe inovacion.

“Kjo arritje ka një rëndësi të veçantë për qytetarët e Kosovës, sidomos për të rinjtë që synojnë të merren me shkencë, teknologji dhe sipërmarrje. Jemi krenarë që përfaqësuam vendin tonë në një ngjarje kaq të rëndësishme dhe shpresojmë që historia jonë të frymëzojë shumë të tjerë”, theksuan anëtarë të ekipit.

Gjatë pesë ditëve të festivalit, pjesëmarrësit prezantuan shpikje në fushat e robotikës, inteligjencës artificiale, hapësirës, mjekësisë digjitale dhe sigurisë kibernetike.

Rusia mund të shkatërrojë mbrojtjen evropiane për 5 ditë

Gjenerali britanik Sir Richard Shirreff, ish-Zëvendës Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë ka bërë një paralajmërim të fortë.

Në një intervistë për Daily Mail, Shirreff skicoi një skenar dramatik dhe shqetësues. Sipas tij, në më pak se pesë ditë Rusia mund të shkatërrojë mbrojtjen evropiane dhe të zhysë kontinentin në kaos.

Sipas simulimeve të përshkruara nga Shirreff, një ofensivë e befasishme ruse do të ishte e mjaftueshme për të kapërcyer mbrojtjen aktuale të NATO-s në Evropën Lindore brenda 100 orëve. Ky nuk është thjesht një skenar teorik, por një paralajmërim mbi dobësitë strukturore dhe logjistike të forcave evropiane.

“Nëse Moska do të niste një sulm të menjëhershëm, NATO nuk do të kishte kohë për të lëvizur trupa apo për të mbrojtur infrastrukturën kritike,” paralajmëron Shirreff. Shembja e mbrojtjeve, ndërprerja e transportit dhe komunikimeve, si dhe presioni psikologjik mbi shoqëritë perëndimore, janë ndër pasojat e parashikuara në këtë skenar ekstrem, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka garantuar se Aleanca “është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj”, por raportet ndërkombëtare tregojnë se realiteti në terren është më kompleks. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, problemet si vonesat në prodhimin e armatimeve, mangësitë në logjistikë dhe mungesa e koordinimit midis ushtrive kombëtare vazhdojnë të jenë shqetësuese.

Shtetet e Bashkuara, edhe pse përbëjnë boshtin e sigurisë së NATO-s, po përballen me kufizime të dukshme.

Nga ana tjetër, sipas Shirreff, edhe pse ka pësuar humbje të konsiderueshme në Ukrainë, Rusia ka rritur ndjeshëm prodhimin e saj ushtarak, me theks te artileria, dronët dhe raketat me rreze të mesme. Gjenerali amerikan Christopher Cavoli thekson se Moska aktualisht ka më shumë rezerva municionesh sesa SHBA-të dhe Evropa së bashku.

Përveç kapaciteteve konvencionale, Kremlini zotëron gjithashtu një arsenal të sofistikuar të luftës hibride, duke përfshirë sulme kibernetike, dezinformim, sabotim ekonomik dhe operacione të fshehta. Këto mjete i japin Rusisë mundësinë të destabilizojë Evropën pa shpallur një luftë të hapur.

Por a është real rreziku i Luftës së Tretë Botërore?

Ekspertët janë të ndarë. Shumë analistë mendojnë se një sulm i tillë në shkallë të gjerë është pak i mundshëm, për shkak të kufizimeve logjistike të Rusisë dhe aftësive mbrojtëse të NATO-s. Megjithatë, skenari “100 orë”, përbën një thirrje të fortë për zgjim: Evropa duhet të përshpejtojë përgatitjet ushtarake dhe të investojë seriozisht në mbrojtjen e saj.

Dy nga Zhegra e Gjilanit: dy trofe në Cyrih: Shaqiri dhe Rexhepi shkëlqejnë në swissalbs

Tapeti i kuq i Gala-s swissalbs u shtrua sërish për shqiptaro zviceranët. Në një atmosferë madhështore, me të ftuar nga fusha e biznesit, politikës, arsimit kulturës dhe sportit, në sallën prestigjioze Kongresshaus Zürich u mbajt edicioni i pestë i swissalbs Award Gala Night, eventi i komunitetit shqiptaro-zviceran, shkruan albinfo.ch.

Platforma mediale albinfo.ch është sponsor medial i këtij aktiviteti!

Ceremonia u moderua nga Zoe Torinesi, ndërsa muzika e këngëtares së njohur Miranda Hashani i dha mbrëmjes një atmosferë festive.

“Ne duam të tregojmë,”, theksoi Përparim Avdili, president i swissalbs “se si fëmijët dhe nipërit e ish-punëtorëve sezonalë sot po kontribuojnë në mënyrë të pazëvendësueshme në ekonomi, shkencë, kulturë dhe sport, duke e bërë shoqërinë zvicerane më të gjallë, më të larmishme dhe më të fortë.”

Ndërsa juristja dhe gazetarja zvicerane Nadine Jürgensen, duke iu drejtuar shqiptarëve të pranishëm tha se : “Korniza festive në këtë sallë të mrekullueshme, në zemër të Cyrihut, shërben gjithashtu për ta vënë në dritën e duhur imazhin e komunitetit shqiptar në Zvicër – dhe për të treguar se ju meritoni një pasqyrim pozitiv për diasporën tuaj në Zvicër, se ndonjëherë jeni madje edhe zviceranët më të mirë, dhe se tashmë jeni bërë pjesë e shoqërisë – pa i harruar rrënjët tuaja. Dhe këtë po e festojmë së bashku sonte.”

Rexhep Rexhepi,  sipërmarrësi i vitit 2025

Çmimi kryesor, “swissalbs Entrepreneur Award 2025”, iu nda prodhuesit të orëve Rexhep Rexhepi, themelues i markës së njohur Akrivia në Gjenevë. Një nga orët e prodhuara në atelienë e tij është shitur në ankand për 4,3 milionë franga, dëshmi e një mjeshtërie që ka thyer kufij. Rexhepi erdhi si fëmijë në Zvicër gjatë luftës së Kosovës dhe sot është bërë emër botëror, për të cilin kanë shkruar mediat më prestigjioze, si New York Times etj.

Duke e marrë çmimin, Rexhepi tha se ky vlerësim i dedikohet ekipit të tij dhe vlerave që e udhëheqin: pasioni, mjeshtëria dhe guximi për të sjellë risi në një zanat që është krenari e Zvicrës.

Xherdan Shaqiri, heroi i komunitetit

Me çmimin “swissalbs Community Hero 2025” u nderua ish futbollisti i shquar i kombëtares zvicerane dhe tani i FC Basel,  Xherdan Shaqiri. Heroi i ri i komunitetit, Shaqiri, i lindur në Zhegër të Gjilanit, ku është lindur edhe Rexhepi, doli në skenë modest, i thjeshtë, plot humor dhe sinqeritet.

Ylli i futbollit me origjinë nga Kosova shihet si shembull i guximit, disiplinës, këmbënguljes dhe punës së palodhur , vlera që i transmeton tek brezi i ri përmes aktiviteteve të tij të ndryshme.

Ai e cilësoi këtë nderim si një përgjegjësi për të dhënë më shumë për fëmijët dhe të rinjtë.

Shaqiri u shpreh veçanërisht i nderur që ky vlerësim i erdhi nga komuniteti shqiptaro-zviceran: “Jam krenar që marr këtë çmim nga swissalbs. Futbolli më ka hapur shumë dyer, dhe është detyrë e imja të jap diçka mbrapsht, sidomos për fëmijët e të rinjtë që përmes sportit gjejnë shoqëri, disiplinë dhe gëzim.”

Avdije Rizvani,  ekselenca akademike

Për herë të parë, në bashkëpunim me Shoqatën e Inxhinierëve Shqiptarë AES, u nda edhe çmimi “Academic Excellence Award”, që shkoi për Avdije Rizvanin. Ajo u vlerësua për kërkimet e saj shkencore në fushën e sigurisë kibernetike në tregjet financiare – punë me ndikim të madh potencial në mbrojtjen e ekonomisë dhe shoqërisë.

Arben Ademi,  inspirim me Gisada!

Një nga kulmet e mbrëmjes ishte rrëfimi i Arben Ademit, themelues dhe CEO i markës globale të parfumeve Gisada. Me historinë e tij për ngritjen nga fillimet modeste deri në suksesin ndërkombëtar, ai impresionoi publikun dhe dha një mesazh të fuqishëm: “Inovacioni, angazhimi dhe dijenia janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një e ardhme e suksesshme – për komunitetin tonë dhe për Zvicrën”.

“Historitë që dëgjuam sonte tregojnë fuqishëm se sa shumë forcë ka brenda komunitetit tonë. Inovacioni, angazhimi dhe dija janë shtyllat mbi të cilat mund të ndërtojmë së bashku një të ardhme të suksesshme – për komunitetin shqiptaro-zviceran dhe për Zvicrën.”, tha Ademi!

Nga Zhegra e Gjilanit në Cyrih mbrëmë u shkrua një kapitull i ri frymëzimi: Rexhep Rexhepi dhe Xherdan Shaqiri, dy shembuj të suksesit dhe humanizmit, që tregojnë fuqinë e mërgatës shqiptare.

Lexoni po ashtu:

Kosovari depërton me markën e vet në metropolin e orëve

Oktoberfest, festivali më i madh i birrë këtë edicion me rekord te çmimeve

Festa e birrës në 190 vjetorin e saj zhvillohet nga 19 shtatori deri më 5 tetor në parkun e Mynihut Theresienwiese. Që nga fundi i qershorit kanë nisur të ndërtohen çadrat dhe të vendosen tavolinat për hapjen e rubinetit të fuçisë së parë të birrës në festë me shprehjen legjendare nga kryebashkiaku i Mynihut  “O’zapft is!”. Oktoberfest e Mynihut konsiderohet si festa më e madhe popullore në botë, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Pjesa më e madhe e gjashtë deri shtatë milionë vizitorëve që priten vijnë nga Gjermania, më me preferencë e kanë këtë festë bavarezët. Po ashtu festa frekuentohet edhe nga vizitorë nga vende si SHBA-ja, Italia, Britania e Madhe, Austria, Polonia, Franca, Zvicra, Spanja, Holanda dhe që nga viti 2024 në Oktoberfestpo vijnë gjithnjë e më shumë edhe vizitorë nga India.

Rekord: Një krikëll birrë për 15 euro

Pyetja më e rëndësishme që shtrohet çdo vit është: Sa kushton birra? Ndryshe nga viti i kaluar, një krikëll një litërshe kushton sivjet 15 euro ndonjëherë edhe më shumë. 15,80 euro nëpër birrari. Vetëm pak lokale e ofrojnë litrin për 15 euro.

Ndonëse kryeqyteti i Bavarisë, Mynihu, është organizatori i festës së birrës, çmimet në fakt i negociojnë gastronomët e qytetit ndërmjet tyre. Por që çmimet të mos i kalojnë kufijtë e fantazive qyteti ruan kontrollin ndaj zhvillimit të çmimeve. Pavarësisht se sa e shtrenjtë është birra, gjatë Oktoberfest çdo vit konsumohen rreth 7 milionë krikëlla një litërshe.

Çadra feste me programe të larmishme për këdo

14 çadra të mëdha dhe 21 të vogla vendosen në Oktoberfest, ku ofrohen programe të ndryshme argëtuese, Në eventin “Oide Wiesn” janë instaluar shtesë edhe tri çadra feste. Këto çadra me përmasa të mëdha kanë kapacitet për mesatarisht 6000 vetë, ndërsa më të voglat ofrojnë hapësirë për deri në 3000 vetë.

Në Oide Wiesn është një kompartament i veçantë në parkun Theresienwiese, ku tradicionalisht interpretohet muzikë klasike me instrumente fryme.

Koncepte funksionuese për sigurinë

Siguria ka prioritet të lartë në evente të përmasave të tilla. Çdo vit Oktoberfest punon me koncepte të reja të përmirësuara të sigurisë. Kjo mirëpritet nga publiku. Të gjithë e vlerësojnë këtë dhe vizitorët janë bashkëpunues duke mos u bezdisur nga kontrollet, përkundrazi ata falenderojnë forcat e rendit, sepse duan të festojnë të sigurtë në parkun Wiesn, që këto ditë i dedikohet tërësisht birrës dhe argëtimit.

Andrea Grill, një përkthyese që e do Shqipërinë

Një sallë e bukur koncertale në qendër të Vjenës mblodhi entuziastët e fjalës së shkruar në një bashkëbisedim me njërën ndër përkthyeset më të njohura të letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, Andrea Grill. Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili edhe udhëhoqi këtë ngjarje artistike. Duke folur për mysafiren e ftuar ai theksoi se ajo ka studiuar biologji, italisht, spanjisht dhe gjuhësi në Salzburg, Selanik dhe Tiranë. Më 2003 Grill përfundoi doktoratën e saj për biologji evolutive në Universitetin e Amsterdamit. Ka botuar ese, poezi e tregime, si dhe disa romane dhe është vlerësuar me disa çmime. Më pas u bisedua me fillet e kontakteve me Shqipërinë, të cilat datojnë që në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Po ashtu u elaborua edhe procesi i përkthimit të teksteve letrare i cili është mjaft kompleks, kërkon njohje të thellë të të dy gjuhëve por edhe lejon përdorimin e nuancave dhe varieteteve gjuhësore të cilat nuk e humbin kuptimin e shkrimit në origjinal, përkundrazi e pasurojnë atë. Romani i Andrea Grill ‘‘Qaj dhe qesh’’, sjellë në shqip në mënyrë të përsosur nga Majlinda Cullhaj mori vëmendjen e veçantë të audiencës, fragmente të së cilit u lexuan nga poetja Gabriela Mujaj.

Në pjesën e dytë të mbrëmjes u diskutua për definicionin e letërsisë, rolin e saj në shoqëri, për elementet biografike në tekstet letrare, për jetën mes shumë gjuhëve, etj. Andrea Grill potencoi se në poezi ndjehet më mirë se sa në zhanret tjera. Atë e shkruan me ëndje dhe e përkthen me pasion. Duke ditur se ajo ka përkthyer poezitë e disa autoreve shqiptare, ajo, së bashku me Gabriela Mujaj lexuan, secila në gjuhën amtare, disa poezi të përzgjedhura shkruar nga Luljeta Leshanaku.

Në pjesën e tretë të këtij aktiviteti publiku pati rastin që të parashtrojë pyetje që kryesisht kishin të bënin me kualitetin e përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhët tjera dhe nevojën e përhershme për të bërë të njohur letërsinë shqipe jashtë kufijve të Ballkanit.

Në fund Lidhja ‘‘Aleksandër Moisiu’’ njoftoi të pranishmit se aktivitet i saj i radhës do të mbahet me 21 nëntor 2025, në të cilin si mysafirë janë të ftuar shkrimtari nga Shkodra, Primo Shllaku dhe poetja nga Prishtina, Vlora Ademi. Po ashtu të pranishmit u ftuan që të vizitojnë edhe edicioni e sivjetshëm të ‘‘Panairit të Librit – Vjena 2025’’ (13.-16.11.2025), në të cilin, me mbështetjen  e organizatës me renome ndërkombëtare Traduki do të marrin pjesë edhe dy autore shqiptare: shkrimtarja dhe përkthyesja nga Shqipëria, Ana Kove, dhe shkrimtarja dhe gazetarja me banim në Gjermani, Lindita Arapi. Panelin me Ana Kove do ta udhëheqë Andrea Grill.

Për anën konceptuale të kësaj mbrëmje të bukur artistike përgjegjës ishte kryetari i nderit i Lidhjes, Besim Xhelili, ndërsa për pjesët muzikore u përkujdes pianistja Vlora Melchard.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Duke u imponuar me një qasje serioze dhe kualitet në organizimin rreth 80 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shume domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

Tekstin e përpiloi: Anton Marku

E përditshmja italiane tregon vendet që duhet vizituar në Shqipëri

Ekzistojnë shumë pak vende sekrete dhe pothuajse të pacënuara në Evropë që ende ofrojnë peizazhe marramendëse me çmime të përballueshme, shkruan Rosanna Carrizzo në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Wom Travel”.

Jeni duke kërkuar një destinacion autentik pushimesh? Ne ju sugjerojmë një vend magjepsës: Shqipërinë. Por cilat plazhe në Shqipëri duhet të vizitoni?

Plazhet dhe deti në Shqipëri

Bregdeti shqiptar, i quajtur shpesh “Karaibet e Evropës”, është destinacioni i ardhshëm i shkëlqyer veror, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Ju mund të shijoni plazhet spektakolare, të pastra dhe detin bruz, në një atmosferë autentike dhe me çmime të përballueshme.

Mikpritja është e ngrohtë, kuzhina e shijshme dhe ndërthurja e historisë së lashtë dhe bukurisë natyrore e bën këtë vend një destinacion magjepsës.

Shqipëria është një perlë mesdhetare, me një vijë bregdetare prej 363 kilometrash – e lagur nga detet Adriatik dhe Jon – me peizazhe marramendëse të Rivierës.

Deti Adriatik kundrejt detit Jon: Cilin duhet të zgjidhni?

Zgjedhja e bregdetit varet nga lloji i pushimeve që po kërkoni.

Deti Adriatik, i cili shtrihet nga kufiri me Malin e Zi deri në Vlorë, karakterizohet nga plazhe të gjata me rërë të artë dhe ujëra të cekëta, ideale për familjet me fëmijë.

Vende si Durrësi, Golemi dhe Velipoja janë të njohura për lagunat dhe rezervatet natyrore.

Sapo të keni kaluar Qafën e Llogorasë, do të shfaqet peizazhi spektakolar i Rivierës Shqiptare në detin Jon.

Kjo zonë, e cila shtrihet nga Vlora deri në kufirin me Greqinë, ofron një sërë gjiresh të izoluara, shkëmbinj të pjerrët, plazhe me guralecë të bardhë dhe ujëra verbuese bruz.

Këtu do të gjeni detin më të bukur, perfekt për zhytje me maskë dhe për ata që kërkojnë peizazhe perfekte si në kartolina.

Destinacionet që duhet të vizitohen përfshijnë, Dhërmiun, Himarën, Borshin, Sarandën dhe Ksamilin.

Plazhet më të bukura të Shqipërisë nga veriu në jug

Ja një përzgjedhje plazhesh që nuk duhen humbur gjatë një udhëtimi në Shqipëri, nga plazhet më të famshme deri te ato më sekretet:

Ksamili: Perla e Rivierës, e famshme për gjiret e saj me rërë të bardhë dhe tre ishujt e arritshëm me not ose me varkë. Një parajsë e vërtetë Karaibesh, shumë e njohur në verë.

Plazhi i Pasqyrave: Pranë Ksamilit, merr emrin nga qartësia e jashtëzakonshme e ujërave të saj, të cilat shkëlqejnë si një pasqyrë. Një gji piktoresk i rrethuar nga shkëmbinj.

Gjipeja: Ndoshta plazhi më i egër dhe më spektakolar. I fshehur në fund të një kanioni, ai mund të arrihet me një ecje 30-minutëshe ose me varkë.

Dhërmiu: Një nga vendpushimet më të gjalla, me një plazh të gjatë me guralecë të bardhë, ujëra kristalore dhe bare e restorante të shumta në plazh.

Borshi: Me një gjatësi prej 7 kilometrash, është plazhi më i gjatë në bregdetin Jon. Më pak i mbushur me njerëz se plazhet e tjera, ideal për shëtitje të gjata dhe për ata që kërkojnë qetësi, me një peizazh të mrekullueshëm ullishtesh.

Livadhi: I vendosur pranë Himarës, është një plazh i madh dhe i bukur me guralecë të bardhë.

Porto Palermo: Një gji i vogël dhe piktoresk i dominuar nga Kalaja e Ali Pashës. Ujërat e tij janë të qeta dhe transparente, perfekte për zhytje me maskë.

Durrësi: Plazhi më i madh dhe më i populluar në vend, në bregdetin e Adriatikut. Me rërë dhe me ujëra të cekëta, është perfekt për familjet dhe ofron çdo lloj shërbimi.

Velipoja: Plazhi më verior në Shqipëri, pranë kufirit me Malin e Zi. Një hapësirë ​​e gjerë me rërë të errët me veti terapeutike, ideale për ata që kërkojnë relaks.

Kakome dhe Krorëza: Dy gjire binjake të arritshme pothuajse nga deti me ture me varkë nga Saranda. Ato ofrojnë një përvojë ekskluzive në një mjedis natyror të virgjër.

Saranda, kryeqyteti i Rivierës Shqiptare

Saranda, e njohur edhe si “Qyteti i Bardhë”, është destinacioni më i rëndësishëm turistik në jug të Shqipërisë.

E vendosur në një gji të bukur përballë ishullit grek të Korfuzit, është një qytet i gjallë dhe modern që ofron një ndërthurje perfekte plazhesh, jete nate, histori dhe kulturë.

Emri i saj rrjedh nga manastiri bizantin i “Dyzet Shenjtorëve” (Agioi Saranda), rrënojat e të cilit ende dominojnë qytetin nga lart.

Bregdeti i Sarandës është i mbushur me bare, restorante dhe bare ku mund të shijoni ushqime të freskëta deti ose të pini një pije në perëndim të diellit.

Përveç plazhit, Saranda është një bazë strategjike për të eksploruar mrekullitë përreth: nga plazhet magjepsëse të Ksamilit dhe Plazhit të Pasqyrave, te vendi arkeologjik i Butrintit (një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s), te mrekullia natyrore e Syrit të Kaltër.

Mos e humbisni një vizitë në Kalanë e Lëkurësit, e cila ofron pamje panoramike marramendëse të të gjithë gjirit.

Osmani takon mërgatën në SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka filluar qëndrimin e saj në SHBA duke takuar diasporën shqiptare.

“Filluam vizitën në SHBA me një takim te përzemërt në mesin e mërgatës sonë në Waterbury, Connecticut! Faleminderit për mikpritjen dhe për dashurinë që gjithmonë e mbani gjallë për vendlindjen”, ka shkruar ajo.

Osmani ka shprehur mirënjohje për Shoqatën “Hasan Prishtina” dhe për bashkëkombësit tanë për pjesëmarrjen!

Bujaria zvicerane vazhdon në vitin 2024

Kontributet tani kanë kapërcyer shifrën prej 2 miliardë CHF për pesë vjet rresht – dyfishi i nivelit të dy dekadave më parë. Zakonet e dhënies po ndryshojnë.

Donacionet e bëra me postë ose transfertë bankare ishin mesatarisht 198 CHF secila, krahasuar me vetëm 95 CHF për ata që përdorin pagesa dixhitale.

Twint, një aplikacion celular, mbeti kanali dixhital dominues për nga vëllimi, megjithëse shuma mesatare e transferuar përmes tij ra, transmeton albinfo.ch.

Në të kundërt, dhuratat mesatare më të larta u bënë përmes kartave PostFinance, financave elektronike dhe kartave të kreditit, të përpunuara përmes Raisenow, një shërbim pagesash.

2.25 miliardë CHF përfaqësojnë gati 250 CHF për frymë. Megjithatë, ky është një vlerësim shumë i përafërt. Shifrat e Zewo përfshijnë vetëm donacionet e marra nga organizatat që mbulon dhe përfshijnë donacione nga kompanitë.

Pavarësisht një niveli të lartë donacionesh, bamirësitë përballen me vështirësi. Dy të tretat e grupeve ndërkombëtare të ndihmës të certifikuara nga Zewo raportojnë shkurtime aktuale ose të pritura në fondet qeveritare për zhvillimin. Tre të katërtat tashmë i kanë shkurtuar aktivitetet e tyre, shpesh duke zvogëluar ose duke hequr dorë nga projektet lokale.

Zvicra e paaftë të mbrohet nga të gjitha kërcënimet, sipas ministrit të mbrojtjes

Ushtria e Zvicrës nuk mund ta mbrojë vendin nga çdo kërcënim i mundshëm, pranon Martin Pfister, ministri i mbrojtjes.

Gjatë vizitës në Gjenevë më 18 shtator 2025 për përvjetorët në tre institute sigurie të mbështetura nga Zvicra, ai i tha televizionit RTS se ushtria mbetet një punë në zhvillim e sipër: Ushtria është e aftë të mbrojë Zvicrën, por jo kundër të gjitha kërcënimeve që mund të imagjinohen, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Ai përmendi si shembull inkursionet ruse me dronë në hapësirën ajrore polake. Zvicra nuk ka armët kundër dronëve për të sprapsur sulme të tilla, as raketat me rreze të gjatë veprimi të nevojshme. Këto sisteme janë porositur, por ende nuk janë dorëzuar. Ai këmbënguli se një sistem i shtresëzuar i mbrojtjes ajrore është thelbësor.

Pfister diskutoi gjithashtu blerjen e avionëve ushtarakë F-35 nga Zvicra. Çmimi i avionëve është i diskutueshëm. Votuesit miratuan një buxhet prej 6 miliardë CHF, por kostot mund të rriten në 7 miliardë CHF ose më shumë. Ministri i mbrojtjes këmbëngul se një referendum tjetër është i panevojshëm – ligji lejon parlamentin të marrë vendime për prokurimin – por pranon se presioni politik mund ta rihapë çështjen.

Përtej avionëve, ushtria përballet me siklete të tjera: dronë të papërshtatshëm për motin e ftohtë dhe probleme të vazhdueshme të menaxhimit në RUAG, firmën shtetërore të armëve. Pfister i pranon problemet, por premton të rivendosë besimin. Ne kemi nevojë për besimin e politikanëve dhe popullit, tha ai. Rindërtimi i tij, argumenton ai, është parakusht për të gjitha blerjet e ardhshme ushtarake.

Pesë qytete zvicerane i kërkojnë Bernës të veprojë në lidhje me Gazën

Pesë qytete zvicerane i kanë bërë thirrje qeverisë federale të bëjë më shumë në lidhje me Gazën.

Në një deklaratë të përbashkët më 19 shtator 2025, përpara seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, ato i bënë thirrje ndërgjegjes dhe angazhimit të Këshillit Federal në mbështetjen e së drejtës ndërkombëtare, të cilën ai është nënshkrues, transmeton albinfo.ch.

Kryetarët e komunave të Biel, Gjenevë, Lozanë, Luzern dhe St Gallen argumentuan se mbledhja e OKB-së ishte një shans vendimtar për të mobilizuar opinionin dhe për të kritikuar veprimet e Izraelit. Ata përmendën Deklaratën e Nju Jorkut të miratuar më 12 shtator 2025, e cila riafirmoi mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete. Zvicra, si depozituese e Konventave të Gjenevës, shtuan ata, ka detyrë jo vetëm të zbatojë ligjin humanitar, por edhe të parandalojë dhe ndëshkojë gjenocidin.

Ndërhyrja vjen pas një raporti nga një komision hetimor i mandatuar nga OKB, i cili arriti në përfundimin se Izraeli po kryente gjenocid në Gaza siç përcaktohet nga e drejta ndërkombëtare. Këshilli i qytetit të Gjenevës shkoi më tej, duke i kërkuar Bernës të mbështeste Flotiljen Globale Sumud që kërkonte të thyente bllokadën e Izraelit dhe të shtynte për mbrojtje ndërkombëtare dhe korridore humanitare me të gjitha mjetet e mundshme diplomatike.

Qeveria federale pret 25,000 kërkesa për azil

Numri i kërkesave për azil që pritet të arrijë në 25,000 deri në fund të vitit është parashikimi i rishikuar i azilit i Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

25,000 kërkesa do të ishin pak më shumë se sa ishin pranuar në fillim të vitit. Në atë kohë, SEM priste 24,000 kërkesa për të gjithë vitin. Megjithatë, shifra e re do të ishte ende dukshëm më e ulët se shifrat e dy viteve të fundit. Kohët e fundit, në gusht, numrat madje ranë pak përsëri, thotë Reto Kormann i SEM. “Kjo na vendos përafërsisht në përputhje me diapazonin që parashikuam për këtë zhvillim.”

Fakti që SEM tani pret një numër pak më të lartë të kërkesave për azil në Zvicër gjatë gjithë vitit është kryesisht për shkak të situatës në Afrikën e Veriut. Pati një rritje të papritur të mbërritjeve në Italinë jugore në pranverë, thotë Kormann, duke shtuar: “Kryesisht ishin njerëz nga Etiopia, Eritrea dhe Somalia ata që kërkuan gjithnjë e më shumë rrugën e tyre për në Evropë.” Këta më vonë migruan nga Italia në Zvicër.

Zvicra aktualisht po përfiton më pak se vendet e tjera evropiane nga ndryshimi i pushtetit në Siri, me shumë më pak njerëz që ikin prej andej për në Evropë në vitin 2025. Megjithatë, Zvicra nuk ka qenë kurrë një destinacion i rëndësishëm për sirianët.

Është e mundur që të ketë më shumë kërkesa në shtator.

Është disi e pazakontë që numri i azilit u rrit në qershor dhe korrik të këtij viti. Qeveria federale reagoi duke rihapur tre qendra azili të mbyllura përkohësisht në korrik. Tani, pas pushimeve verore, numrat janë përsëri pak më të ulët – gjë që është gjithashtu mjaft e pazakontë për rrjedhën e vitit.

Askush nuk regjistrohet kur udhëton për në Zvicër, thotë Kormann. Prandaj, është gjithmonë pjesë e interpretimit të situatës. “Kishim pak më shumë aplikime në qershor dhe korrik sesa në vitet e kaluara, dhe tani më pak në gusht”, thotë Kormann. “Por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se nuk mund të përmirësohet përsëri në shtator.”

Rihapja e qendrave shtesë federale të azilit dhe rregullimi i lehtë i parashikimit për numrin e azilit deri në fund të vitit tregojnë se situata mbetet e tensionuar.

 

 

Zvicër: Cilat janë përfitimet e martesës?

Vejushat dhe vejanët marrin pension

“Nëse dikush vdes, çiftet e martuara janë më të mbrojtura se partnerët që bashkëjetojnë”, thotë Karl Flubacher i VZ Vermögenszentrum. Sipas ligjit, ata marrin pensione nga AHV (Sigurimi i Pleqërisë dhe i të Mbijetuarve), fondet e pensioneve ose sigurimi i aksidenteve, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Çiftet e martuara në përgjithësi kanë privilegje sipas AHV

Ndërsa çiftet e martuara nuk e marrin pensionin maksimal dy herë, ata në përgjithësi kanë privilegje sipas AHV (Sigurimi i Pleqërisë dhe i të Mbijetuarve): Personat që nuk punojnë mund të përjashtohen nga kontributi minimal falë martesës së tyre, dhe vejushat dhe vejanët marrin pensione dhe shtesa. Sipas Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore, këto përfitime arrijnë në 4.6 miliardë CHF në vit, duke tejkaluar qartë 3.4 miliardë CHF në pensionet e humbura.

Disa çifte paguajnë më pak taksa falë martesës

Ideja që çiftet e martuara paguajnë më shumë taksa është vetëm pjesërisht e vërtetë. “Në varësi të rrethanave, ekziston edhe një bonus martese”, thotë Flubacher. “Domethënë, kur të ardhurat shpërndahen jashtëzakonisht në mënyrë të pabarabartë.” Për shembull, nëse burri fiton mirë dhe gruaja qëndron në shtëpi, fatura e taksave për çiftet e martuara është më e ulët në shumë kantone. Çiftet e martuara gjithashtu përfitojnë nga një trajtim më i mirë tatimor kur tërheqin asetet nga fondet e pensioneve ose Shtylla 3a.

Çiftet e martuara trashëgojnë pa taksa

Bashkëshortët trashëgojnë me ligj, dhe pa taksa, për më tepër. Çiftet që bashkëjetojnë duhet të favorizojnë njëri-tjetrin në testamentet e tyre dhe të paguajnë taksa të larta trashëgimie dhe dhuratash në shumicën e kantoneve. Sipas Flubacher, kjo mund të jetë veçanërisht problematike nëse një çift që bashkëjeton ka blerë një shtëpi së bashku. “Disa partnerë mbijetues nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të paguar taksën e trashëgimisë për pjesën e trashëguar të shtëpisë.”

Pensioni ndahet pas ndarjes

Nëse nuk është rënë dakord ndryshe, asetet e fondit të pensioneve ndahen në rast divorci. Me Sigurimin e Pleqërisë dhe të Mbijetuarve (AHV), të ardhurat gjatë martesës ndahen gjithashtu, ku secili partner merr gjysmën e tyre. Prandaj, ata që fitojnë më pak se partneri i tyre janë më mirë si rezultat i martesës.

Njerëzit më të varfër marrin para kur ndahen

Nëse nuk është rënë dakord ndryshe, paratë që të dy partnerët kanë kursyer gjatë martesës ndahen në mënyrë të barabartë. Për më tepër, bashkëshorti më i pasur duhet të paguajë aliment pas divorcit nëse bashkëshorti tjetër nuk ka para të mjaftueshme. Të dyja janë të dobishme për personin që fitoi pak ose aspak. Sipas Flubacher, kjo shërben për të mbrojtur amvisat – dhe në ditët e sotme edhe amvisat – në role tradicionalisht të ndara.

Jetesa dhe puna në Zvicër falë martesës

Kushdo që martohet me një shtetas zviceran merr një leje qëndrimi dhe mund të bëhet shtetas zviceran më lehtë.

Çiftet e martuara nuk kanë pse të fajësojnë njëri-tjetrin

Çiftet e martuara gëzojnë të ashtuquajturën të drejtë për të refuzuar të dëshmojnë. Kjo vlen edhe për çiftet që bashkëjetojnë, por ata duhet të ofrojnë prova të bashkëjetesës së tyre.

Bashkëshortët marrin informacion nga spitali

Nëse çiftet e pamartuara duan informacion nga mjekët, ata kanë nevojë për një prokurë. Çiftet e martuara kanë të drejtë t’i përfaqësojnë ata me ligj. “Nëse dikush zhvillon demencë, bashkëshorti/ja shumë shpesh bëhet personi i tyre mbështetës,” thotë Flubacher. “Çiftet që bashkëjetojnë kanë nevojë për një direktivë paraprake për këtë.”

Burrat konsiderohen automatikisht baballarë

Baballarët e pamartuar duhet të pranojnë fëmijët e tyre. Nëse një burrë tjetër konsiderohet tashmë baba (si një burrë i bezdisur), babai biologjik duhet të ngrejë një padi.

A duhet të bëhet frëngjishtja e detyrueshme në shkollat fillore

Frëngjishtja tashmë në shkollën fillore? Jo, faleminderit! Në mars, këshilli kantonal i Appenzell Ausserrhoden vendosi të heqë frëngjishten e hershme, e ndjekur në shtator nga kantonet e Cyrihut dhe St. Gallen.

Këshilli Federal tani shpreh shqetësim në lidhje me këto vendime për të mësuar frëngjisht vetëm në klasat e larta. “Ky zhvillim rrezikon arsimin e harmonizuar shkollor dhe kohezionin kombëtar”, deklaroi qeveria kantonale në një deklaratë, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Prandaj, Këshilli Federal i ka ngarkuar Departamentit Federal të Punëve të Brendshme (FDHA) të përgatisë një propozim konsultimi që kërkon nga kantonet të vazhdojnë mësimin e një gjuhe të dytë kombëtare në nivelin e shkollës fillore. Qëllimi është të ruhet rëndësia e gjuhëve kombëtare dhe të promovohet shkëmbimi midis komuniteteve gjuhësore.

Dy variante për një specifikim

Këshilli Federal po zhvillon dy opsione për vendosjen e një kërkese mbi kantonet. Njëra është të përfshijë zgjidhjen aktuale të konkordatit në Aktin e Gjuhëve. Kjo përcakton që dy gjuhë të huaja, një gjuhë e dytë kombëtare dhe anglishtja duhet të mësohen në shkollat ​​fillore.

Opsioni i dytë është një kërkesë minimale që u jep kantoneve përgjegjëse për arsimin më shumë liri veprimi. Sipas kësaj, një gjuhë e dytë kombëtare duhet të mësohet nga shkolla fillore deri në fund të shkollës së mesme të ulët, pra deri në fund të arsimit të detyrueshëm.

Zbatohet vetëm nëse kompromisi dështon

Këshilli Federal e konsideron si përgjegjësi të përbashkët të Konfederatës dhe kantoneve të avokojnë për ruajtjen dhe promovimin e gjuhëve kombëtare dhe të forcojnë mirëkuptimin midis komuniteteve gjuhësore. Prandaj, Neni 15 i Aktit të Gjuhëve duhet të ndryshohet për të ruajtur shumëgjuhësinë në arsimin e detyrueshëm.

Megjithatë, Këshilli Federal deklaroi se kjo rregullore e re duhet të zbatohet vetëm nëse kompromisi ekzistues gjuhësor dështon. Kompromisi ka qenë në fuqi që nga viti 2004 dhe i detyron kantonet të koordinojnë përpjekjet e tyre arsimore.

Amerikanët drejtohen te bankat zvicerane në kërkim të një strehe të sigurt

Tërheqja është reputacioni i Zvicrës si një nga vendet më të qëndrueshme, me një ekonomi të begatë dhe një traditë neutraliteti, një lloj strehe e sigurt në stuhinë e tarifave të Uashingtonit, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Që në mars, banka private Pictet me seli në Gjenevë kishte vënë re një rritje të kërkesës nga klientët ekzistues dhe të rinj në objektin e saj PNAA (Pictet North America Advisors), i cili është i regjistruar në SEC, rregullatorin financiar amerikan. “Ne kemi vëzhguar të njëjtin trend që nga prilli,” konfirmoi një zëdhënëse e grupit për agjencinë e lajmeve AWP pa dhënë shifra.

Vëzhgimi ndahet nga Billy Obregon, drejtor menaxhues i Vontobel Swiss Financial Advisers (SFA). “Në muajt e fundit kemi parë kërkesë në rritje nga klientët tanë amerikanë që duan të diversifikojnë më shumë portofolet e tyre të investimeve”. Gjithashtu duke i tërhequr ata është “stabiliteti i natyrshëm” i sektorit financiar zviceran. “Në vend që të reagojnë ndaj luhatjeve afatshkurtra të tregut, është në interes të investitorëve të përqendrohen në bazat afatgjata dhe përfitimet afatgjata të diversifikimit.”

Sipas raportit financiar gjysmëvjetor të Grupit Vontobel, 52% e aseteve të bankës vijnë nga jashtë vendit. Që nga 30 qershori, Amerika e Veriut kontribuoi me 18 miliardë CHF nga një total prej 306 miliardë CHF, jo shumë larg Mbretërisë së Bashkuar me 24 miliardë CHF dhe Gjermanisë me 23 miliardë CHF.

Banka me seli në Cyrih emëroi gjithashtu një drejtues të klientëve privatë për rajonin e Amerikës, me seli në SHBA, për të udhëhequr fazën tjetër të zgjerimit. “Kemi parë interes të fortë nga investitorët amerikanë”, shpjegon një zyrtar shtypi. “Një interes që, sipas mendimit tonë, duhet të ruhet në të ardhmen e afërt.” Ka hyrje të konsiderueshme në segmentet e klientëve privatë dhe institucionalë.

Ka pak firma financiare në Zvicër që u shërbejnë klientëve amerikanë. Përveç Pictet dhe Vontobel, UBS dhe Julius Bär janë veçanërisht të rëndësishme. Rregulloret e rrepta të vendosura nga Akti i Pajtueshmërisë së Taksave të Llogarive të Huaja (FATCA) që nga viti 2014, të cilat i detyrojnë institucionet të raportojnë llogaritë e amerikanëve, kanë çuar në barrë administrative, kosto dhe rreziqe ligjore, veçanërisht pas sanksioneve të vendosura nga SHBA-të.

Sipas ekspertëve, megjithatë, një gjë është e qartë: Politikat e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po i shtyjnë investitorët drejt qendrave financiare qetësuese dhe të njohura si Singapori, Londra dhe Frankfurti. “Pasiguritë gjeopolitike dhe makroekonomike të bëjnë të kujtosh vlerën e stabilitetit zviceran: sundimin e ligjit, institucionet dhe forcën e frangës”, tha për AWP Ariane de Rothschild, drejtoreshë menaxhuese e bankës Edmond de Rothschild. Sistemi bankar zviceran ruan avantazhe të mëdha: njohuri të jashtëzakonshme, rezultat i një tradite të gjatë bankare, por edhe një ekosistem inovacioni në ESG (kriteret mjedisore, sociale dhe të qeverisjes së mirë), fintech (më shumë se 500 në Zvicër) dhe kripto-asete.

Sipas Martin Hess, ekonomist në Shoqatën e Bankierëve Zviceranë (SBA), “tensionet gjeopolitike kanë errësuar perspektivën dhe kanë shkaktuar luhatje të mprehta në kurset e këmbimit: në një mjedis të tillë, siguria është bërë një mall shumë i kërkuar”. Për Zvicrën, ka përparësi. “Gatishmëria e investitorëve për të paguar një çmim për asete të sigurta çon në norma më të ulëta interesi dhe kështu kosto më të ulëta investimi për kompanitë. Konsumatorët, nga ana e tyre, paguajnë më pak për mallrat e importuara dhe kështu kanë mjete shtesë për konsum ose ndërtim pasurie”.

Zvicra mbetet numri një në shumicën e renditjeve botërore në menaxhimin e pasurisë. Nga 8,400 miliardë CHF në asete të menaxhuara nga bankat zvicerane, 45% (3,800 miliardë CHF) vijnë nga klientë të huaj, llogarit SBA. Institucionet financiare zvicerane menaxhojnë më shumë se 20% të aseteve private ndërkufitare në botë.

Rritja e fluturimeve në Aeroportin e Tiranës

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes turistëve të huaj, veçanërisht pas përfundimit të pandemisë.

Turizmi është shndërruar në një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në vend dhe po kthehet në një motor të rëndësishëm për ekonominë kombëtare.

Një nga arsyet kryesore të këtij zhvillimi lidhet me hyrjen e linjave ajrore me kosto të ulët, siç ka ndodhur edhe në pjesë të tjera të Evropës, gjë që ka sjellë rritje të ndjeshme të numrit të fluturimeve.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, gjatë muajit gusht 2025 Shqipëria ka shënuar një performancë mjaft pozitive. Krahasuar me të njëjtën periudhë përpara pandemisë, fluturimet komerciale janë rritur me rreth 160%, duke e renditur vendin në krye të Evropës dhe rajonit, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Në nivel rajonal, pas Shqipërisë vjen Bosnje-Hercegovina me një rritje prej 64.1% të fluturimeve, ndërsa Serbia ka regjistruar një rritje prej 32.4%. Maqedonia e Veriut ka shënuar një ritëm më të moderuar me 6.5%, ndërkohë që Mali i Zi  paraqitet me një rritje prej 4.9%. Këto shifra tregojnë se Shqipëria po diferencohet qartë nga fqinjët e saj, duke u pozicionuar si një destinacion në rritje të shpejtë.

Në rang evropian, Shqipëria kryeson listën për rritjen e numrit të fluturimeve, e ndjekur nga Islanda me +103%. Pas saj renditen Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Qipro. Por jo të gjitha vendet kanë përjetuar rritje: Letonia ka pasur rënien më të theksuar me -30.8%, ndërsa Sllovenia (-23.8%), Suedia (-21.9%) dhe Finlanda (-18.1%) kanë shënuar gjithashtu bilanc negativ. Ky kontrast tregon se ndërsa disa shtete ende përballen me pasojat e krizës së transportit ajror, Shqipëria po përfiton nga një moment unik për të forcuar pozitat e saj në hartën turistike të Evropës.

Të rinjtë që punojnë në Call Center kanë probleme me kurriz, shikim e dëgjim

Mijëra të rinj kanë zgjedhur të punojnë nëpër call-center, jo se e pëlqejnë, por se nuk gjejnë një vend pune, ndonëse e kanë një diplomë.

Ata bëjnë një kompromis me veten për të qëndruar me ore te tej zgjatura ulur, përpara kompjuterit me kufje në vesh pa menduar për dëmet shëndetësore. Kompanitë e call-centerave mendojnë vetëm për numrin e telefonatave që kryejnë dhe shitjet.

Nga një studim i kryer, në 60% te sektorit të call-centerave rezulton se shumica e të rinjve kanë raportuar probleme shëndetësore si për sa i përket dëmtimit te shtyllës kurrizore, dëgjimit apo shikimit por edhe probleme të shëndetit mendor, për shkak të presionit dhe  stresit krijuar nga thirrjet e gjata telefonike me qytetarët, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

“95% e tyre raportuan spoliartroze, probleme me sytë, veshët etj”, shprehet Ilir Xhemalaj nga Sindikata Kombëtare e operatorëve telefonikë.

Shumë call-centera zënë ambiente me qira duke futur sa më shumë kompjuter e punonjës pa respektuar as hapësirën dritën apo standarde të tjera për punonjësit.

“Unë kam 16 vjet operator kam kompjuter të 2010-ës, kufje që punojmë tre veta se ndërrojmë turnet”, shprehet një i ri që punon në call-center

Të rinjtë janë të detyruar të punojnë përtej orarit 6 orësh të kontratës.

“6 orë është kontrata po për aq nuk paguhesh gjë. Duhet te qëndrojnë dy fish që të marrin një pagë për jetesë”

Mjeku i cili është një detyrim ligjor rezulton vetëm si emër nëpër letra pasi askush nuk ushtron kontrolle fizike në ambientet e tyre.

Aplikacioni me AI që tregon si te visheni

Ralph Lauren po përdor inteligjencën artificiale, duke shënuar një hap tjetër drejt inovacionit në modë me lansimin e “Ask Ralph AI”, sipas “Fashion United”.

Njëzet e pesë vjet pas debutimit të saj online – kompania ishte një nga markat e para luksoze të veshjeve – që u bë pioniere në tregtinë elektronike.

Marka amerikane tani po integron inteligjencën artificiale në përvojën e saj të blerjeve.

Shërbimi, i krijuar në bashkëpunim me Microsoft Azure OpenAI – do t’u ofrojë klientëve këshilla të personalizuara – duke sugjeruar veshje që mund të blihen direkt në aplikacionin e markës.

Aplikacioni i ri “Ask Ralph” nuk u përgjigjet vetëm pyetjeve për stilin – falë aftësisë së tij për të mësuar nga arkivi i markës dhe filozofia e stilistit, ai është në gjendje të sugjerojë veshje që mund të blihen menjëherë si për linjat e meshkujve ashtu edhe për ato të grave.

Përdoruesit mund të bashkëveprojnë me IA-në përmes komandave të thjeshta, nga pyetje të përgjithshme (“Çfarë duhet të vesh në një koncert?”) deri te pyetje më specifike se si të stilojnë rrobat e tyre.

Teknologjia është projektuar për të qëndruar e fokusuar te produkti, duke shmangur devijimet në pyetje jashtë teme dhe duke ruajtur një qasje të pastër dhe funksionale tregtare.

“Ask Ralph” u lansua më 10 shtator për përdoruesit e aplikacionit “Ralph Lauren” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rama paralajmëron se mund të shtohen ministrat virtual

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se do të shtohen ministrat virtual, duke i cilësuar si fëmijët e “Diellës”.

Rama, gjatë kohë që po prezantonte ministrin e drejtësisë nënvizoi se po mendohet për ndërmjetësimin me inteligjencë artificial edhe të çështjeve civile, ku sipas tij do të lehtësonte shumë punë për qytetarët, transmeton albinfo.ch.

“Duhet të mendojmë për ndërmjetësimin me inteligjencë artificiale të çështjeve civile. Është plotësisht e mundur që njerëzit të mos harxhojnë lekë, të mos harxhojnë kohë, të mos harxhojnë energji dhe të mos lënë mendjen e kokës nëpër procese të pafundme. Kur fare mirë mund të kalojnë në proceset e ndërmjetësimit të fëmijëve që Diella do të ketë së shpejti. Dhe shumë gjëra të tjera që duhet t’i shohim dhe duhet t’i bëjmë. Teknologjia dhe inteligjenca artificiale janë bekim i vendeve në zhvillim”, tha Rama.