3eni.com, aty ku Arben “Beni” Myftari bashkon artin, teknologjinë dhe shpirtin

Arben Myftari nuk e sheh dizajnin thjesht si kombinim formash dhe ngjyrash. Për të, dizajni është mbi të gjitha një mjet që ndërton besim – besimin që një produkt apo kompani arrin të krijojë përmes mënyrës se si paraqitet. Ai e sheh dizajnin si mënyrën për ta shprehur vizualisht identitetin e vërtetë të një kompanie, ashtu siç ajo dëshiron të perceptohet. Në studion e tij 3eni.com, Arbeni realizon pikërisht këtë shërbim: një dizajn të qartë, që kuptohet dhe vlerësohet shpejt.

 

 

Një përzgjedhje punimesh të realizuara ndër vite nga 3eni.com.

 

I udhëhequr nga një pasion për dizajnin qëkur ishte fëmijë, Arben Myftari pas dekadash karrierë në agjenci të ndryshme ndërkombëtare krijoi studion e tij për dizajn grafik, në Vjenë. 3eni.com është thjesht një përmbushje e ëndrrës së tij që nisi qysh në moshën 10 vjeçare, kur prindërit i blenë kompjutërin e parë Commodore 64. Më vonë, si 13-vjeçar ai posedonte një PC 286, nga i cili nisi të eksploronte mundësitë që jepnin programet si CorelDRAW – program për dizajn grafik – dhe me AutoCAD – për arkitekturë. Arbeni kujton me nostalgji pikërisht këtë kohë kur ky si fëmijë i mësonte përdorimin e kompjuterit për arkitekturë, një miku të familjes, profesor i arkitekturës, Agush Beqirit.

„Ai ishte rreth 60 vjeç, unë vetëm 13, por të dy kishim dëshirë të mësonim nga njëri-tjetri. Ai mbetet për mua një shembull frymëzimi – të mbetem gjithmonë kureshtar dhe me etje për dije. Në ato katër vite mësova shumë, profesionalisht dhe në aspektin njerëzor e krijues“, kujton Arbeni.

Fillimisht ai po planifikonte të shpërngulej nga Kosova në Nju Jork. Por, Amerika i dukej shumë larg familjes, andaj vendosi që më 1997 të shpërngulej në Vjenë për të studiuar për dizajnin grafik dhe multimedian. Sot, Arbeni jeton me gruan dhe dy fëmijët e tij në Seestadt, në Vjenë.

Nga posterat që preknin zemrat, te dizajnet që ndërtojnë identitetet e bizneseve

Arbeni kishte vite përvojë pune në botën e dizajnit grafik. E nisur në Kosovë, ku po punonte në faqosjen e gazetës „Koha Ditore“, ai ishte krijuesi i dy postereve që ngelen në memorie nga historia e kohës së luftës në Kosovë.

 

Reklamë e publikuar në gazetën Koha Ditore për të shënuar tirazhin ditor prej 30.000 në vitin 1997, si dhe një poster që paraqet të gjitha llojet e faqeve të gazetës Koha Ditore.

 

“´Ti na duhesh për UÇK-në´ dhe ´Do you need to see everything to help?´, janë dy punë të lindura në moment, të cilat u shpërndanë gjerësisht nëpërmjet e-mailit dhe u bënë pjesë e frymës së kohës.“

 

 

“Në vitet që pasuan udhëtova shpesh mes Vjenës dhe Prishtinës, duke punuar në projekte të ndryshme si logoja e mëparshme e IPKO-s, …

 

 

… dizajni i gazetës “Express”, …

 

“… si edhe në identitetin vizual e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK).”

 

 

“Kam krijuar gjithashtu disa fushata politike, përfshirë ato të Ramush Haradinajt dhe Behgjet Pacollit, në periudhën kur ai hyri për herë të parë në politikë“, kujton ai përvojën e tij në Kosovë. Pas disa vitesh përvojë pune në agjenci ndërkombëtare, Arbeni vendosi të hapte kompaninë e tij, ku siç thotë ai, synonte për të bashkuar përvojën profesionale të agjencive të mëdha me qasjen personale dhe të afërt ndaj klientëve. Kur flet për suksesin e tij më të madh, thotë se besimi që kanë klientët për të është vlerësimi më i lartë.

 

Disa postera për Jazz Festivalin në Prishtinë. Njëri prej tyre tërhoqi vëmendjen e gazetares Eliza Hoxha, e cila shkroi një koment të veçantë me titullin „Zemra rrah për ata që kanë vesh!“

 

Veçantia e 3eni.com, misioni dhe shërbimet

Studio e Arben Myftarit i ndihmon bizneset të duken ashtu siç duan të perceptohen.

„Shumë kompani kanë shërbime ose produkte të mira, por nuk arrijnë ta përcjellin vlerën e tyre vizualisht. Aty fillon puna ime – nga logoja, identiteti vizual dhe webfaqja, deri te komunikimi dhe materialet e shtypura – unë ndihmoj që mënyra si e sheh vetveten një kompani të përputhet me mënyrën se si e shohin të tjerët. Në thelb, nuk është fjala vetëm për ngjyra apo forma, por për besimin që një dizajn i mirë arrin të krijojë. Një markë e paraqitur qartë kuptohet më shpejt, vlerësohet më shumë dhe zgjidhet më shpesh“, tregon dizajneri Myftari.

Pjesë nga “Corporate Design Manual”, i cili është ridizajnuar për start:bausparkasse.

 

 

Projektet që i merr studio 3eni.com, zakonisht vijnë nga rekomandimet që klientët u japin të tjerëve. Sipas Arbenit, kjo tregon se sa besim kanë klientët e tij tek puna e tij.

„Për një kohë të gjatë madje nuk kisha as webfaqe të studios – siç thuhet me shaka: “Këpuctari këpucët e veta i rregullon të fundit.” Tani, më në fund, kam krijuar faqen time me projektet e realizuara, dhe çdo javë shtoj punë të reja, por edhe projekte më të vjetra që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim profesional. Klientela ime është kryesisht austriake, por bashkëpunoj rregullisht edhe me kompani shqiptare të suksesshme, si dhe me klientë ndërkombëtarë që kërkojnë cilësi, qartësi dhe një qasje strategjike në dizajn“.

 

Për të parë projektet e Arben Myftarit, klikoni këtu: www.3eni.com

 

Çka e dallon tregun e dizajnit austriak nga ai shqiptar?

Kur flet për klientelën austriake dhe shqiptare, Beni siç e njohin të gjithë, tregon dallimet që kanë në zhvillimin e projekteve këto dyja.

„Më herët, në Kosovë e Shqipëri, kush kishte një kompjuter dhe programe si CorelDRAW apo Photoshop, mendonte se mund të bënte dizajn. Në Austri, dizajni shihet ndryshe – si një shërbim profesional dhe strategjik, i lidhur ngushtë me komunikimin e markës dhe identitetin e kompanisë. Këtu çdo projekt fillon me analizë, objektiva të qarta dhe strategji vizuale, jo thjesht me estetikë. Fatmirësisht, edhe tregu ynë po zhvillohet me hapa të shpejtë në këtë drejtim – vlera e dizajnit profesional dhe e mendimit krijues po vlerësohet gjithnjë e më shumë“, sqaron ai.

Si fillon një projekt i mirë, sipas Benit?

Kur tregon për veten e tij, Arbeni shpesh rikthehet në fëmijëri. Një nga pasionet e tij të kahershme janë artet marciale. Ai kishte ushtruar tashmë karate në Pejë, ndërsa kishte vazhduar me Kung-Fu pasi ishte shpërngulur në Vjenë. Me kalimin e viteve filloi një përvojë interesante me joga-n, ku do të kombinoheshin ushtrimet fizike, frymëmarrja, biseda interaktive dhe meditimi.

“Aty kuptova se disiplina, përqendrimi dhe balanca që kërkon dizajni janë të njëjtat që kërkon edhe jeta shpirtërore. Ndoshta edhe për këtë arsye më pëlqen të mendoj se çdo projekt i mirë fillon me frymëmarrje të thellë – me durim, me vëmendje dhe me një zemër të qetë”.

Dy projektet më sfiduese të Arben Myftarit deri më tani

Arbeni thote se për të çdo projekt është si një histori e re për t’u treguar. Por, ai ka vendosur t´i ndajë dy me lexuesit e Albinfo.at.

„E para lidhet me Hagelversicherung, një kompani sigurimi austriake që mbron fermerët, blegtorët, vreshtarët dhe prodhuesit lokalë nga rreziqet e motit dhe dëmet natyrore. Isha në Prishtinë kur mora e-mailin me ftesë për të marrë pjesë në garë me disa agjenci të tjera marketingu, bashkë me materialet për fushatën. Në shënime shkruhej: “Nëse blini 10% më shumë produkte rajonale dhe bujqësore, krijoni 17.000 vende pune dhe mbroni klimën. ”Teksa fillova punën, u ndërpre rryma – dhe idenë e zhvillova nën dritën e qiriut. Mendova: “Si do ta interpretonte këtë një fëmijë?”. Kështu lindi koncepti ku një vajzë e vogël i thotë babait: “Kam një punë për ty”, duke mbajtur në duar produkte rajonale. Kur u ktheva në Vjenë për prezantim, mendova se do të flisja vetëm me drejtorin e marketingut – por në sallë ishte i gjithë bordi i kompanisë. Me pak emocion prezantova idenë, dhe në mes të fjalës, drejtori i kompanisë më ndërpreu duke thënë: “Ide fantastike!”. Fushata më pas u publikua për një vit në revista dhe gazeta të ndryshme austriake.

 

Ideja me të cilën 3eni.com u zgjodh fitues përballë disa agjencive në Vjenë.
Pamje nga një fushatë me testimonialë, si Mario Plachutta dhe Mag. Isabella Krassnitzer.

 

Projekti i dytë është WienerSozialdienste.at – ofruesi kryesor i shërbimeve sociale në Vjenë, me mbi 1.800 punonjës nga 70 kombe, i themeluar në vitin 1946. Projekti nisi më 2019 dhe përfshinte ridizajnimin e plotë të faqes së internetit, ku sfida kryesore ishte paraqitja e 19 shërbimeve të ndryshme në mënyrë intuitive për përdoruesin. Bashkëpunimi me ta vazhdon ende sot dhe është kthyer në një marrëdhënie të qëndrueshme besimi dhe bashkëpunimi afatgjatë“.

 

Pamje e faqes kryesore të webfaqes WienerSozialdienste.at, e cila është ridizajnuar nga 3eni.com.

 

Rëndësia e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për komunitetin shqiptar në tregun austriak

Sipas Arben Myftarit, bashkëpunëtor i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare që ka degë edhe në Austri, ka rëndësi të madhe krijimi i urave bashkëpunuese dhe krijimi i besimit mes sipërmarrësve shqiptarë.

“Shumë prej bizneseve tona janë të suksesshme, por shpesh u mungon lidhja dhe prezantimi në një nivel më të gjerë. Përmes rrjetit, ndihmojmë që këto biznese të njihen, të afirmohen dhe të pozicionohen më mirë në tregun austriak, duke ndarë përvoja, kontakte dhe mundësi konkrete bashkëpunimi. Këtë e bëjmë edhe përmes Panairit të Bizneseve Shqiptare në Vjenë, të cilin e organizuam për herë të pestë në prill 2025”, thotë ai.

Myftari thotë se Rrjeti e forcon komunitetin duke dëshmuar se bashkë mund të jenë më të dukshëm, më profesional dhe më të respektuar në tregun austriak.

 

Pamje nga katalogu i titulluar “Rrjeti”, i realizuar nga 3eni.com, ku 73 kompani janë të prezantuara me nga një faqe reklamuese dhe i cili botohet dhe shpërndahet gjatë panairit.

 

Synimi për të ardhmen për studion 3eni.com është që të ndërtohen bashkëpunime afatgjata me biznese që mendojnë me vizion, ku dizajni shihet jo si shpenzim, por si investim në besim dhe vlerë. Arbeni thotë se studion do ta pozicionojë si pikë referimi për dizajn cilësor dhe strategjik, që lidhet me emocione dhe rezultate.

 Mesazh për të rinjtë:

Mbani gjithmonë një bllok skicimi dhe një laps me vete – ka diçka magjike në mënyrën analoge, në kontaktin e drejtpërdrejtë me lapsin dhe letrën. Të skicojnë ide sa herë që kanë mundësi, të analizojnë reklamat e mira, të lexojnë dhe të shkruajnë (madje edhe ditar) – sepse kreativiteti ushqehet nga vëzhgimi dhe reflektimi i përditshëm.

 

Albinfo.at

 

Lirohet nga spitali familja kosovare e aksidentuar në Austri

Një familje nga Kosova e cila ishte aksidentuar në Austri, është liruar nga spitali dhe ka vazhduar rrugën për në Kosovë.

Albinfo.at ka mësuar që familja kosovare katër anëtarëshe e cila ishte aksidentuar mëngjesin e ditës së shtunë, në autostradën pranë Spital am Pyhrn, në Austri, është në gjendje shëndoshë e mirë.

Imer Aliu, kryetar i Shoqatës Kulturore Sportive “28 Nëntori” në Kirchdorf am Krems ka thënë për albinfo.at se, me të marrë lajmin për këtë aksindent ka kërkuar informacione nga institucionet austriake për gjendjen shëndetësore të bashkatdhetarëve tanë.

“Sapo kam lexuar lajmin për këtë aksident, kam vizituar spitalin në Kirchdorf. Ata nuk më dhanë informacione. Më pas kam kontaktuar policinë austriake. U paraqita në emër të shoqatës dhe u thash se, jemi të gatshëm t’ju ofrojmë ndihmë çfarëdo që noveitet. Më kanë thënë se duhet të pres dhe ju njoftojmë. Dje gjatë ditës më kanë telefonuar dhe më kanë njoftuar se familja ka pasur vetëm disa lëndime të lehta. Pas trajtimit mjekësor ata kanë marrë një veturë në huazim dhe kanë vazhduar rrugën e tyre”, thotë ai.

Imeri tregoi se emrat e personave dhe asnjë detaj tjetër nuk i kanë dhënë policia, përveçse familja ishte me pasaportë të Kosovës ndërsa me banim në Gjermani.

Kujtojmë se, të shtunën albinfo.at, raportoi se, një familje nga Kosova ishte aksidentuar rëndë në autostradën pranë Spital am Pyhrn, në Austri. Në veturë ndodheshin një çift bashkëshortor dhe dy fëmijët: 15 dhe 9 vjeç.

Thirrja e Ambasadës: Mashtrimi përmes martesës është krim i rëndë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, i ka bërë thirrje qytetarëve kundër përpjekjeve për sigurimin e dokumenteve të emigracionit përmes martesave.

Në njoftimin e saj, Ambasada thekson se mashtrimi përmes martesës është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe ndëshkohet me pasoja serioze ligjore.

“Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze”, thekson ambasada, transmeton albinfo.ch.

Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin gjithmonë rrugët ligjore të emigracionit për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

“Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur” përfundon mesazhi i Ambasadës.

Teste të rreme për COVID-19 dhe grip zbulohen në të gjithë Europën

Njësi të manipuluara të një testi të kombinuar për COVID-19 dhe grip kanë hyrë në tregun europian. Prodhuesi ka konfirmuar se partia FCO24090516 është e rreme.

Agjencia Spanjolle e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (AEMPS) është njoftuar nga autoritetet portugeze për qarkullimin e kompleteve të vetëtestimit të falsifikuara, të cilat pretendojnë se zbulojnë njëkohësisht koronavirusin dhe gripin A+B.

Produkti origjinal prodhohet nga Safecare Biotech, me seli në Hangzhou (Kinë). Megjithatë, njësitë e dyshuara mbajnë numrin e partisë FCO24090516, të cilin kompania e ka deklaruar zyrtarisht si fals, transmeton albinfo.ch.

Megjithëse AEMPS ka nisur një hetim për të gjurmuar shpërndarjen në Spanjë, deri tani nuk ka prova që këto produkte të manipuluara të kenë mbërritur në farmaci apo te distributorët zyrtarë në vend.

Ekzistojnë versione legjitime të të njëjtit test me të njëjtën referencë (FCO-6032), gjë që e vështirëson identifikimin vizual të menjëhershëm. Nga jashtë, testi duket pothuajse identik, përveç disa detajeve të vogla.

Si të identifikohen produktet e manipuluara

Autoritetet kanë identifikuar tre dallime kryesore te testet e rreme:

Etiketa përmban informacion të ndryshuar:

Partia: FCO24090516

Data e prodhimit: shtator 2024

Afati i përdorimit: shtator 2026

Kaseta e testit dhe tubi me solucionin nxjerrës nuk kanë të shënuar numrin e lotit dhe datat përkatëse.

Shkopi i mostrës (tamponi) nuk është ai i prodhuesit origjinal, i cili bashkëpunon me kompaninë Dalian Rongbang Medical (Lotus NL është përfaqësuesi europian).

Autoritetet theksojnë se këto produkte duhet të blihen vetëm në farmaci. Përndryshe, nuk ka garanci për origjinën, kushtet e ruajtjes apo këshillimin profesional. Nëse dikush ka një test të tillë në shtëpi, rekomandimi është i qartë: të mos përdoret.

Falsifikimi i pajisjeve mjekësore përbën një rrezik serioz. Këto pajisje përdoren për vendime që lidhen me shëndetin individual dhe publik, dhe një rezultat i pasaktë mund të çojë në infeksione të pazbuluara ose trajtime të panevojshme.

Një badhkatdhetar që po shkonte në Kosovë u arrestua në Serbi e më pas u lirua

Një bashkatdhetar, i cili ishte arrestuar sot nga autoritetet serbe gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi, është liruar dhe është nisur drejt Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci, i cili sqaroi se ndalimi kishte ndodhur për shkak të një embleme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që ndodhej në veturën e të ndaluarit. Sipas tij, identiteti i personit të liruar nuk është bërë publik, transmeton albinfo.ch.

Koci e ka cilësuar arrestimin si të pajustifikueshëm dhe ka përsëritur thirrjen ndaj bashkatdhetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve tranzit nëpër Serbi. Ai ka apeluar që të shmanget mbajtja e simboleve apo emblemave të UÇK-së në automjete, pasi këto mund të shërbejnë si arsye për ndalim ose arrestim nga autoritetet serbe.

Ngjarja ka rikthyer shqetësimet lidhur me sigurinë e qytetarëve të Kosovës gjatë kalimit nëpër territorin e Serbisë.

Mërgimtarët në Kosovë për festa, këto janë pikat më të ngarkuara kufitare

Me afrimin e sezonit të festave dhe shkuarjen e mërgimtarëve për pushime, në pikat kufitare të Kosovës po vërehet rritje e qarkullimit, por situata paraqitet kryesisht e qetë dhe e menaxhueshme.

Sipas të dhënave të fundit të përditësuara më 21 dhjetor 2025 në ora 22:37, pritjet për automjete në shumicën e pikave kufitare variojnë nga 1 deri në 10 minuta, pa kolona të theksuara, transmeton albinfo.ch.

Pritjet më të gjata regjistrohen në pikën kufitare Jarinje, ku për hyrje në Kosovë qytetarët po presin rreth 25–30 minuta, ndërsa në dalje pritjet janë minimale. Gjendje pak më e ngarkuar vërehet edhe në Vërmicë, ku për hyrje janë shënuar pritje 5–7 minuta dhe kolona rreth 20 metra.

Në pikat e tjera kufitare, përfshirë Bërnjakun, Dheu i Bardhë, Merdarën, Kullën, Hanin e Elezit, Qafën e Morinës dhe Qafën e Prushit, pritjet për automjete janë të shkurtra, nga 1 deri në 5 minuta, pa kolona.

Sa i përket qarkullimit të kamionëve, situata paraqitet stabile në të gjitha pikat kufitare, me pritje 3–5 minuta si në hyrje ashtu edhe në dalje, dhe pa kolona të evidentuara.

Autoritetet kufitare rekomandojnë qytetarët që para nisjes të informohen rregullisht për gjendjen në kufi.

Akuza serioze ndaj Aare Seeland Mobil: Shoferët e trenave në kufijtë e durimit

Shoferët e trenave të kompanisë zvicerane të transportit publik Aare Seeland Mobil (ASM) kanë ngritur akuza serioze për kushte të rënda pune. Sipas tyre, ata përballen me turne shumë të gjata, ditë pune të njëpasnjëshme dhe periudha pushimi të pamjaftueshme, çka ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor dhe sigurinë në punë.

Punonjësit raportojnë se shpesh punojnë deri në nëntë ditë rresht, me vetëm nëntë orë pushim mes turneve. Edhe pse kjo lejohet nga ligji, shoferët e konsiderojnë këtë praktikë të papranueshme dhe të rrezikshme. Disa prej tyre flasin për lodhje ekstreme dhe raste të përgjumjes gjatë drejtimit.

Gjithashtu, ka akuza për presion psikologjik nga menaxhmenti, veçanërisht ndaj punonjësve që raportojnë sëmundje ose shprehin kritika. Si pasojë, që nga viti 2020, 21 nga 30 shoferë trenash kanë lënë kompaninë ose janë larguar nga puna.

ASM i hedh poshtë akuzat, duke deklaruar se planifikimi i turneve përputhet me ligjin dhe se siguria është prioritet absolut. Megjithatë, konflikti mes punonjësve dhe drejtuesve mbetet i hapur, ndërsa pakënaqësia brenda kompanisë vazhdon.

Migros: Punëtorët e larguar nga puna mbeten pa dhurata të Krishtlindjeve

Punonjësit e Migros që janë larguar nga puna ose kanë dhënë dorëheqjen para fundit të tetorit nuk do të përfitojnë dhuratën e Krishtlindjeve, pavarësisht se kompania po shënon 100-vjetorin e themelimit të saj. Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi dhe zhgënjim mes ish-punëtorëve.

Me rastin e jubileut, Migros ka vendosur t’u dhurojë punonjësve aktivë një kupon dhurate me vlerë deri në 300 franga zvicerane, në varësi të nivelit të punësimit. Megjithatë, ata që janë pushuar nga puna ose kanë dhënë dorëheqjen para datës 31 tetor mbeten jashtë kësaj skeme, edhe nëse janë ende në periudhën e njoftimit.

Një punonjës i Migros, i identifikuar si T., ka deklaruar për median zvicerane 20 Minuten se, ndonëse është punonjës afatgjatë dhe vazhdon të punojë gjatë periudhës së njoftimit, nuk ka marrë asnjë dhuratë. “Kjo tregon sa pak vlerësohen punonjësit. Një dhuratë është një falënderim për punën e bërë ndër vite”, shprehet ai.

Sipas tij, vendimi prek edhe punëtorët e larguar për shkak të shkurtimeve të stafit. “Nuk është faji i tyre që Migros po shkurton vende pune”, thekson ai, duke e cilësuar situatën si një tjetër goditje për moralin e punonjësve.

Kritika nga ekspertët e burimeve njerëzore

Vendimi është kritikuar edhe nga ekspertë të fushës së punësimit. Ursula Bergundthal, eksperte e burimeve njerëzore, vlerëson se në çështjet që lidhen me mirënjohjen për punën e kryer, punonjësit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. “Sidomos në kohë mungese të fuqisë punëtore, përjashtimi i ish-punonjësve nga dhuratat nuk është një qasje e menduar mirë”, shprehet ajo.

Sipas saj, ky veprim mund të ndikojë negativisht edhe te punonjësit aktualë, të cilët mund të ndihen të pasigurt për mënyrën se si do të trajtohen në rast largimi nga kompania.

Qëndrimi i Migros

Zëdhënësja e Federatës së Kooperativave Migros, Prisca Huguenin-dit-Lenoir, ka deklaruar se vendosja e një date përfundimtare është e nevojshme për arsye administrative dhe organizative. Ajo thekson se kjo praktikë nuk është e re dhe se çdo njësi e Migros e zbaton në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, Migros nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të punonjësve që mbeten pa dhuratë këtë vit.

Vendimi vjen në një periudhë të ndjeshme për Migros, e cila muajt e fundit është përballur me shitjen e disa filialeve dhe me valë shkurtimesh të stafit, duke shtuar pasigurinë dhe pakënaqësinë mes punonjësve.

 

Mbi 41 mijë migrantë kaluan La Manshin gjatë vitit 2025

Më shumë se 41 mijë migrantë kanë kaluar Kanalin e La Manshit me mjete të vogla lundruese gjatë vitit 2025, sipas të dhënave më të fundit zyrtare.

Vetëm gjatë natës mes së premtes dhe të shtunës, rreth 803 persona u nisën nga veriu i Francës drejt Britanisë së Madhe, duke përdorur 13 gomone dhe duke marrë përsipër një udhëtim të rrezikshëm në kushte të vështira detare.

Me këto kalime, numri i përgjithshëm i migrantëve që kanë përshkuar La Manshin këtë vit ka arritur në 41 455. Kalimet e së shtunës përfaqësojnë shifrën më të lartë ditore që nga 8 tetori, kur në një ditë të vetme u regjistruan 1 075 mbërritje.

Po ashtu, bëhet fjalë për numrin më të madh të migrantëve të regjistruar në një ditë gjatë muajit dhjetor, bazuar në statistikat që nga viti 2018. Dhjetori konsiderohet zakonisht një periudhë më e qetë për kalimet në La Mansh, për shkak të temperaturave të ulëta, dukshmërisë së kufizuar dhe motit të paqëndrueshëm, që e bën udhëtimin veçanërisht të rrezikshëm.

Rekordi i mëparshëm i mbërritjeve në muajin dhjetor ishte shënuar në vitin 2024, me 3 254 persona. Deri tani, gjatë dhjetorit të këtij viti, janë regjistruar rreth 2 163 mbërritje.

Ndërkohë, Gjermania ka miratuar këtë javë një ligj të ri që parashikon dënime deri në 10 vjet burg për trafikantët e qenieve njerëzore që tentojnë të organizojnë kalime të migrantëve drejt Britanisë së Madhe. Ligji pritet të hyjë në fuqi para përfundimit të vitit dhe synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe shkëmbimin e informacionit mes autoriteteve gjermane dhe britanike.

Në të njëjtën kohë, autoritetet franceze kanë paralajmëruar masa të reja, duke planifikuar ndalimin e mjeteve të vogla lundruese në det, përpara se ato të marrin migrantë që synojnë të kalojnë drejt Britanisë së Madhe.

 

Këshilli Federal heziton për masa më të forta në mbrojtjen e të rinjve në rrjetet sociale

Mbrojtja e të rinjve në mediat sociale nuk po zë vend qendror në planet e Këshillit Federal për rregullimin e platformave digjitale. Sipas raportimeve të gazetës NZZ am Sonntag, hezitimi i qeverisë lidhet, mes tjerash, me shqetësimet për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe ndikimin e gjigantëve amerikanë të teknologjisë.

Në fund të tetorit, Këshilli Federal hapi një proces konsultimi për një projektligj që parashikon një rregullim relativisht të moderuar të platformave të mëdha digjitale. Masa më konkrete e propozuar ka të bëjë me krijimin e “pikave të kontaktit” për raportimin e përmbajtjeve të urrejtjes apo diskriminuese. Megjithatë, projektligji nuk përfshin dispozita specifike për mbrojtjen e grupeve të ndjeshme, veçanërisht të miturve.

Sipas NZZ am Sonntag, diskutimet për mbrojtjen e të rinjve në rrjetet sociale kanë nisur që në pranverën e vitit 2023. Megjithatë, Këshilli Federal ka vendosur të mos ecë përpara me masa më kufizuese dhe ka kërkuar nga administrata hartimin e një projekti më pak restriktiv, transmeton albinfo.ch.

Mospërputhje mes institucioneve federale

Jo të gjitha institucionet federale ndajnë të njëjtin qëndrim. Departamenti Federal i Mbrojtjes (DDPS) kishte kërkuar, pa sukses, ndalimin e reklamave që synojnë drejtpërdrejt fëmijët dhe të rinjtë, në linjë me rregullat që zbatohen tashmë në Bashkimin Evropian. Në një vlerësim të brendshëm, ky departament ka theksuar se është e papranueshme që të rinjtë në Zvicër të jenë më pak të mbrojtur sesa bashkëmoshatarët e tyre në BE.

Ndërkohë, Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore, përgjegjëse për mbrojtjen e të rinjve, thuhet se nuk është përfshirë fare në hartimin e projektligjit. Zyra Federale e Komunikimeve (OfCom), nën Departamentin Federal të Mjedisit, Transportit, Energjisë dhe Komunikimeve, ka deklaruar se ka vepruar sipas udhëzimeve qeveritare, duke shmangur përfshirjen e masave shtesë për të mos vonuar procesin ligjor.

Frika nga reagimi i SHBA-së

Sipas NZZ am Sonntag, një arsye e pathënë zyrtarisht për këtë hezitim lidhet me dimensionin politik të çështjes. Qeveria amerikane mban lidhje të ngushta me gjigantët e teknologjisë dhe, sipas raportimeve, Departamenti i Punëve të Jashtme i Zvicrës ka paralajmëruar për rrezikun e tensionimit të marrëdhënieve me Uashingtonin, veçanërisht në kontekstin e mospajtimeve mes SHBA-së dhe BE-së mbi rregullimin e platformave digjitale.

Megjithatë, këshilltarja federale Elisabeth Baume-Schneider ka mohuar se dëshirat e Kalifornisë apo Uashingtonit ndikojnë në vendimmarrjen zvicerane. Ajo është shprehur e hapur edhe për diskutimin e një ndalimi të rrjeteve sociale për të miturit, duke paralajmëruar se një raport për këtë çështje është në përgatitje dhe do të diskutohet më intensivisht vitin e ardhshëm.

Presioni politik po rritet

Ndërsa Australia ka vendosur tashmë një ndalim të rreptë të rrjeteve sociale për personat nën moshën 16 vjeç dhe Parlamenti Evropian po shtyn për një moshë minimale përdorimi, presioni politik po rritet edhe në Zvicër.

Në muajin mars, Këshilli i Shteteve i kërkoi Këshillit Federal të hartojë një raport mbi ndalimin e rrjeteve sociale për të rinjtë. Së fundmi, më shumë se 60 deputetë nga spektri i majtë dhe i djathtë kanë nënshkruar një mocion që kërkon kontroll të detyrueshëm të moshës për qasjen në platformat digjitale.

Sipas Zyrës Federale të Komunikimeve, Këshilli Federal ende ka mundësi të përfshijë masa shtesë për mbrojtjen e të rinjve në ligjin e ri për rregullimin e platformave të mëdha si Meta, X apo YouTube.

 

Përhapja e qirave Airbnb po rrit pakënaqësinë në Zvicrën frëngjishtfolëse

Zgjerimi i shpejtë i qirave afatshkurtra përmes platformave si Airbnb po shkakton pakënaqësi në rritje mes banorëve në disa qytete të Zvicrës, veçanërisht në Gjenevë dhe në kantonin e Vaud. Banorët ankohen për shqetësime të vazhdueshme, humbje të jetës komunitare dhe presion gjithnjë e më të madh në tregun e banesave.

Sipas të dhënave nga platforma Inside Airbnb, në Gjenevë janë të regjistruara mbi 2.700 njësi akomodimi për qira afatshkurtra, ndërsa në kantonin e Vaud rreth 5.500, kryesisht të përqendruara në Lozanë dhe përgjatë Rivierës. Gazeta 24 Heures raporton se numri i këtyre akomodimeve në Vaud është rritur me rreth 20 për qind gjatë tre viteve të fundit.

Banorë të irrituar dhe humbje e jetës në lagje

Edhe pse fenomeni nuk ka arritur përmasat e disa metropoleve evropiane, ai po ndikon ndjeshëm në jetën e përditshme të banorëve. Në Lozanë, shumë qytetarë raportojnë shqetësime të shpeshta të shkaktuara nga vizitorë të përkohshëm, ndërsa marrëdhëniet tradicionale fqinjësore po zëvendësohen nga një qarkullim i vazhdueshëm turistësh.

“Ka ndërtesa ku nuk i njeh më banorët. Apartamentet përdoren nga njerëz që vijnë e ikin vazhdimisht”, shprehet Christoph Brandner, anëtar i komitetit të shoqatës së lagjes Pâquis në Gjenevë. Ai thekson se në zonat qendrore dhe turistike, gjithnjë e më shumë banesa po zhduken nga tregu i strehimit për banorët vendas, pasi qiratë turistike janë më fitimprurëse.

Presion në tregun e strehimit

Ndikimi i qirave afatshkurtra po ndihet edhe në aksesin në banesa dhe në rritjen e qirave. Sipas kritikëve, ky trend po e zvogëlon ndjeshëm ofertën për banorët dhe po përkeqëson situatën e strehimit, veçanërisht në zonat urbane të frekuentuara nga turistët.

Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Zvicrën frëngjishtfolëse. Edhe në kantone të tjera, si Cyrihu, janë raportuar raste të ndërtesave të dedikuara pothuajse tërësisht për qiradhënie turistike, duke nxitur reagime dhe protesta simbolike nga banorët.

Rregullore ekzistuese, zbatim i vështirë

Autoritetet zvicerane kanë ndërmarrë disa masa për të frenuar këtë zhvillim. Kantoni i Gjenevës ka vendosur që në vitin 2018 një kufi maksimal prej 90 ditësh në vit për qiratë afatshkurtra, ndërsa taksat turistike tashmë mblidhen automatikisht në Gjenevë dhe Vaud.

Megjithatë, pavarësisht rregulloreve, numri i reklamave vazhdon të rritet dhe jo të gjitha regjistrohen. Në kantonin e Vaud janë shqiptuar gjoba deri në 6.000 franga për shkelje të rregullave, por autoritetet pranojnë se zbatimi mbetet sfidues.

Ndërkohë, disa qytete evropiane kanë marrë masa më radikale. Barcelona ka vendosur ndalimin e akomodimeve turistike deri në vitin 2029, në përpjekje për të luftuar krizën e strehimit.

 

Si mund ta shfrytëzojë Kosova momentin gjeopolitik për t’u afruar me NATO-n?

Anëtarësimi në NATO është më shumë se një dëshirë politike për Kosovën – është nevojë urgjente. Ky është pozicioni që mbajnë jo vetëm autoritetet e vendit, por edhe disa aleatë të rëndësishëm, në kohën kur paralajmërimet për rrezikun në rritje nga Rusia nuk ndalen.

NATO-ja premton se angazhimi i saj për stabilitetin e rajonit do të mbetet i palëkundur, por a mjafton kjo për një vend që ndodhet në vijën e parë të sfidave strategjike?

Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmon se anëtarësimi në aleancën ushtarake të Perëndimit mbetet synim i Republikës, por thekson se rruga drejt këtij objektivi “varet edhe nga rrethanat dhe zhvillimet gjeopolitike”.

Zyrtarët nuk i dhanë një përgjigje të drejtpërdrejtë Radios Evropa e Lirë nëse ka plane për një aplikim formal për anëtarësim, por vunë në pah angazhimin e vazhdueshëm të vendit në këtë drejtim.

“Gjatë viteve të fundit i kemi rritur ndjeshëm investimet e dedikuara për mbrojtje. Në vitin 2024, Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, e ka avancuar statusin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar. Ndërkaq, tri herë, më 2021, 2023 dhe 2025, kemi qenë vend pjesëmarrës dhe mikpritës i ushtrimeve ushtarake Defender Europe”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtare të NATO-s. Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Kosova mbetet jashtë edhe këtij kuadri bashkëpunimi, për arsye politike.

Në NATO-n 32-anëtarëshe janë katër vende – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa për shumicën e aleatëve, normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë mbetet kusht kyç për çdo hap përpara drejt anëtarësimit.

Serbia, nga perspektiva e Kosovës, përbën rrezikun kryesor të sigurisë, ndërsa Rusia shihet si aktori që e ushqen dhe e shfrytëzon këtë tension për të zgjeruar ndikimin e saj destabilizues në Ballkan.

Ndaj, zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal, sipas presidentes Vjosa Osmani.

“Për ne, të jemi në NATO nënkupton të jemi të sigurt. Mendoj se Rusia ka interes afatgjatë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, e përmes tij gjithë kontinentin evropian. Dhe nuk do të heqë dorë nga ky synim”, tha Osmani në një intervistë për Politico-n.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin më 11 dhjetor, duke paralajmëruar se aleatët e Aleancës janë shënjestra e radhës e Rusisë.

“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë, dhe Evropa duhet të jetë e përgatitur”, sipas tij.

Qysh prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, para gati katër vjetësh, Kosova ka kërkuar disa herë anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Radio Evropa e Lirë pyeti në këtë aleancë nëse ka plane për të thelluar angazhimin me Kosovën, përtej misionit paqeruajtës KFOR, apo nëse po shqyrtohen mekanizma që do t’i ofronin Kosovës garanci më të fuqishme sigurie.

Në përgjigjen e marrë nga një zëdhënës thuhet vetëm se “Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e tij është i palëkundur dhe ne nuk do të lejojmë që të ketë vakum të sigurisë”.

Ndërsa pranoi se shtetet autoritare, si Rusia, përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, zëdhënësi i NATO-s nënvizoi gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar dialogun me Serbinë si thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

NATO-ja u zgjerua për herë të fundit vitin e kaluar me Suedinë. Pushtimi rus i Ukrainës e nxiti atë dhe Finlandën një vit më herët t’u jepnin fund dekadave të neutralitetit ushtarak dhe të kërkonin siguri kolektive.

Këtë javë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi është i gatshëm të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive të sigurisë. Pavarësisht kësaj, anëtarësimi i Ukrainës në aleancë – anëtaret e së cilës janë të detyruara ta mbrojnë njëra-tjetrën – ka qenë gjithmonë thuajse i pamundur, për shkak të kundërshtimit të Rusisë.

Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kosova ndoshta mund të përfitojë nga kjo situatë, sepse NATO-ja nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se Rusia ka të drejtë vetoje mbi vendimmarrjen e saj.

“NATO-ja është krenuar gjithmonë me autonominë e vendimeve të saj. Dhe, nëse për momentin i duhet të heqë dorë nga anëtarësimi i Ukrainës, ajo mund të dëshirojë ta kompensojë këtë duke u zgjeruar drejt dy vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor – Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës – për të treguar se dyert e Aleancës mbeten të hapura”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Neni 10 i Traktatit të NATO-s përcakton kushtet e zgjerimit, duke theksuar se anëtarësimi u ofrohet të gjitha shteteve evropiane që ndajnë vlerat e Aleancës dhe kanë kapacitetin të kontribuojnë në sigurinë e Atlantikut të Veriut.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili ka marrë pjesë në negociatat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, argumenton se Kosova ka përparuar në aspektin ushtarak, por vë në pah pengesat në funksionimin e brendshëm të shtetit. Për pjesën më të madhe të këtij viti, Kosova ka qenë me qeveri në detyrë dhe pa kuvend funksional.

Mediu nënvizon rëndësinë e unitetit politik, duke përmendur edhe përvojën e Shqipërisë, ku pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrim të përbashkët gjatë procesit të anëtarësimit.

“Pa këtë, është e pamundur të avancohet në NATO. NATO-ja nuk është vetëm një dëshirë. Është një proces i angazhimeve politike, institucionale, juridike, i luftës kundër krimit, kundër korrupsionit… Kjo është paketa politike. E, pastaj, vjen reforma në forca të armatosura, ku Kosova nuk ka ecur me hapa të ngadaltë, por me hapa pozitivë”, thotë Mediu për Exposenë.

Sipas Mediut, integrimi i Kosovës në NATO nuk vjen vetëm duke u pozicionuar kundër Serbisë apo Rusisë – ai kërkon ofertë konkrete strategjike ndaj aleatëve, veçanërisht SHBA-së.

Marrëdhëniet me SHBA-në, thotë ai, nuk mund të merren si të mirëqena; duhet të jetë e qartë se çfarë ofron Kosova dhe faktori shqiptar në rajon në këmbim.

Ai sheh zgjidhje në integrim gradual de facto: bashkëpunim ushtarak rajonal dhe kapacitete të përbashkëta operative.

“Kjo do të ishte një platformë shumë pozitive për ta përshpejtuar procesin. Nëse Kosova do të përfshihej me vendet tjera të NATO-s në rajonin e Ballkanit, në krijimin e niveleve të përbashkëta operacionale, që kanë të bëjnë me forca të gatshme për të vepruar, me vëzhgimin e hapësirës ajrore, detare, tokësore etj., Kosova, de facto, do të ishte e kyçur në një marrëdhënie me NATO-n”, thotë Mediu.

Në të njëjtën linjë, Shea thotë se Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë, me të cilat tashmë ka partneritet në fushën e mbrojtjes, për të demonstruar kontributin e saj në stabilitetin rajonal.

Paralelisht, sipas tij, vendi duhet t’i avancojë reformat e brendshme dhe angazhimin diplomatik.

“Mendoj se, së pari, duhet të kemi një marrëdhënie më të mirë pune mes Qeverisë së Albin Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara dhe fuqive kryesore evropiane. Të flasim hapur, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të lehta gjatë viteve të fundit, dhe Kurti është përballuar me kritika të drejtpërdrejta nga SHBA-ja dhe disa aleatë evropianë. Gjendja e brendshme në Kosovë, me bllokadat në Parlament, dështimin për të zgjedhur kryetar, dhe fakti që tani kemi sërish zgjedhje më 28 dhjetor, ka ndikuar gjithashtu që jostabiliteti politik të mos shkojë në favor të Kosovës”, thotë Shea.

Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte kryesisht përfitime politike, pasi KFOR-i e mbron vendin me vite tashmë. Anëtarësimi do t’i siguronte njohje të plotë, vend në tryezën e NATO-s, kredibilitet ndërkombëtar dhe rol më të fuqishëm në sigurinë rajonale dhe evropiane.

Megjithatë, Shea paralajmëron se çdo reduktim apo ripozicionim i forcave amerikane në Evropë do ta detyronte kontinentin të merrte më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, përfshirë edhe Kosovën.

Këtë vjeshtë, SHBA-ja ka njoftuar për një reduktim të forcave rotative amerikane në Rumani. Radio Evropa e Lirë ka pyetur Departamentin amerikan të Mbrojtjes më 31 tetor dhe më 16 dhjetor nëse këto ndryshime do të kenë ndonjë ndikim në pozicionimin ushtarak të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka marrë përgjigje.

Në fillim të këtij muaji, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësuesi republikan, Keith Self, e përshkroi rajonin si një “shkrepëse” dhe theksoi se udhëheqja e SHBA-së duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit atje.

“Vendet e NATO-s në Ballkan duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar mbrojtje ushtarake dhe politike. Kosova është veçanërisht e ekspozuar pa anëtarësim në NATO – proces që mbetet i bllokuar për shkak të refuzimit të Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për ta njohur pavarësinë e saj”, tha Self.

Edhe pse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm, vendet mosnjohëse nuk kanë lëvizur, por ngjashëm as Kosova nuk ka bërë ndonjë hap të madh, përveçse nga një cikël i rregullt zgjedhor në fillim të vitit në një tjetër të parakohshëm tani në fund.

E, nga këndvështrimi i sigurisë, ky ritëm mund të shihet si një shembull i kuptimit të vonuar të urgjencës strategjike./REL

Pritet rritje e çmimeve të ilaçeve në Zvicër

Drejtori ekzekutiv i Roche, Thomas Schinecker, ka ushtruar presion mbi kompaninë për të rritur çmimet e barnave të reja në Zvicër. Kreu i kompanisë farmaceutike përshkroi pasojat nëse Zvicra nuk i rrit këto çmime.

“Pastaj, për fat të keq, ndoshta do të ketë vonesa të mëtejshme në futjen e barnave të reja,” tha Schinecker në një intervistë me gazetën SonntagsZeitung të dielën, transmeton albinfo.ch.

Zvicra ka më shumë për të fituar dhe më shumë për të humbur, tha ai. Vetëm të ardhurat tatimore të industrisë farmaceutike janë më të larta se ato që shpenzohen për barnat inovative në Zvicër, tha ai.

Nëse Zvicra nuk ndjek sistemin e referencës amerikane dhe nuk rrit çmimet për barnat e reja në përputhje me rrethanat, Roche do të jetë në gjendje të investojë më pak në kërkime të përparuara, sipas Schinecker. Kjo për shkak se grupi do të gjeneronte më pak xhiro. Si rezultat, Roche do të paguante “më pak taksa dhe do të krijonte më pak vende pune”.

Rreth 4,200 njerëz marrin pjesë në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë

Për Notin tradicional të Krishtlindjeve në Gjenevë, Coupe de Noël, këtë fundjavë, rreth 4,200 notarë do të notojnë në liqen, i cili është pothuajse 9°C. 3,700 pjesëmarrësit e parë, filluan të shtunën.

Për herë të parë, notarët olimpikë do të marrin pjesë në ngjarjen më të vjetër sportive të kantonit, Coupe de Noël de Genève të 87-të. Charlotte Bonnet dhe Jeremy Desplanches janë patronët e këtij edicioni dhe do të marrin pjesë vetë të dielën, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Të shtunën, Liqeni i Gjenevës kishte një temperaturë prej 8.71°C. Në brigjet e Kopshtit Anglez, pjesëmarrësit notuan në valë prej rreth 25 personash, disa prej tyre me kostume origjinale dhe të sigurta për zhytje. Disa notuan 100 metrat e përcaktuar të veshur si kërpudha, gjela deti ose piratë.

Noti i Krishtlindjeve në Gjenevë u prezantua në vitin 1934 dhe u shpall pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të Zvicrës nga UNESCO në vitin 2023.

SHBA paralajmëron shqiptarët për martesat e rreme, paralajmërohen dënime serioze

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar një njoftim për qytetarët shqiptarë, duke thënë se mashtrimi përmes martesës për qëllime emigrimi përbën krim federal në SHBA.

Në njoftim, ambasada u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin vetëm rrugë të ligjshme për të hyrë dhe qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze. Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Tutje, është bashkëngjitur një fotografi me një mbishkrim, ku thuhet se martesat e rreme dënohen me 5 vjet burg dhe 250 mijë dollarë dënim.

Foto: U.S. Citizenship and Immigration Services

Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri reagon pas sulmit në xhaminë shqiptare

Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri ka dalë me reagim publik pas sulmit të armatosur ndaj një xhamie shqiptare.

“Mbrëmë, pak para orës 00:00, xhamia jonë në Hollabrunn ka qenë objekt i një sulmi me armë zjarri. Për fat të mirë, në momentin e incidentit nuk ka pasur persona brenda objektit, pasi besimtarët ishin larguar vetëm disa minuta më herët nga xhamia. Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri e dënon ashpër këtë akt dhune të drejtuar kundër një institucioni fetar. Sulme të tilla përbëjnë një kërcënim serioz jo vetëm për sigurinë e komuniteteve fetare, por edhe për bashkëjetesën paqësore dhe rendin demokratik në shoqëri”, thuhet në reagim.
Përmes deklarates, u bëhet thirrje organeve kompetente të sigurisë që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e autorëve, si dhe për garantimin e sigurisë së institucioneve fetare dhe qytetarëve, transmeton albinfo.at.
“Njëkohësisht, u bëjmë apel përfaqësuesve politikë dhe opinionit publik që të shmangin çdo formë gjuhe nxitëse apo urrejtjeje ndaj institucioneve fetare dhe anëtarëve të tyre. Fjalët kanë peshë dhe përgjegjësi – veçanërisht në kohë të ndjeshme. Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri qëndron i vendosur në përkushtimin e tij për paqe, dialog, respekt të ndërsjellë dhe bashkëjetesë në shoqërinë austriake”, përfundon deklarata.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Votimi do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë do të organizojë votimin në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, më 27 dhjetor do të hapen qendrat e votimit në 29 përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës për të mundësuar votimin e më shumë se 19,300 shtetasve të Kosovës.

“Më 27 dhjetor, procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të shpërndara në 18 shtete të ndryshme të botës. Sipas kohës lokale, së pari votimi do të fillojë në konsullatën e Kosovës në Stamboll, për të vazhduar me hapjen e qendrave tjera në përfaqësitë diplomatike të vendosura në shtetet e Evropës. Në fund, votimi do të mbyllet me Uashingtonin, Nju Jorkun, Otavën dhe Toronton”, tha Elezi për KP, transmeton albinfo.ch.

Elezi ka shpjeguar edhe ndryshimet që kanë shoqëruar procesin e përcaktimit të përfaqësive diplomatike në të cilat do të zhvillohet votimi fizik. Fillimisht, KQZ kishte planifikuar që votimi të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike dhe në 10 qendra votimi jashtë tyre, por që hapësirat e votimit jashtë përfaqësive u anuluan nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme.

Më 18 dhjetor, KQZ ka rishqyrtuar vendimin dhe procesi i votimit nuk do të zhvillohet as në 8 përfaqësi të tjera, si ajo në Tiranë, Shkup, Podogoricë, Ankara, Abu Dhabi, Iowa, Podgoricë, Tokio dhe Kanbera ku ishin regjistruar gjithsej 70 votues.

“Planifikimi fillestar i KQZ-së ka qenë që ky proces të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike të vendosura në 36 shtete, si dhe në 10 qendra votimi jashtë përfaqësive diplomatike. Pastaj, pas vendimit të PZAP-it, Gjykatës Supreme dhe pas përfundimit të regjistrimit të votuesve – KQZ ka reduktuar votimin në 37 përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, nga kjo listë janë larguar edhe 8 përfaqësi të tjera për shkak të numrit të vogël të votuesve të regjistruar. 70 votuesit e këtyre përfaqësive janë udhëzuar që të votojnë përmes postës”, tha Elezi.

Procesi i votimit më 27 dhjetor 2025 do të zhvillohet në këto përfaqësi diplomatike: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashington – ambasadë; Nju Jork – konsullatë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 9. Kanada (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë).

Pritje të gjata nëpër pika kufitare për bashkëatdhetarët që vijnë në Kosovë

Pritje të gjata në pika të ndryshme kufitare janë regjistruar për mërgimtarët që kanë marrë rrugët tokësore për në Kosovë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se pritjet më të gjata janë te Dheu i Bardhë, deri në 40 minuta, transmeton albinfo.ch.

Përveç hyrjes në Kosovë, pritje kanë raportuar bashkëatdhetarët edhe në kufirin Kroaci-Serbi, deri në tetë orë.

Ndërkohë, në rrjete sociale kanë qarkulluar pamje, ku shihej policia kroate lejoi kalimin vetëm të makinave me targa kroate dhe serbe, duke mbajtur të bllokuar mërgimtarët shqiptarë mbi 12 orë. Si reagim, mërgimtarët bllokuan autostradën për të gjithë, dhe vetëm pas kësaj nisën zhbllokimet.

Shkupi sot, qyteti më i ndotur në Evropë

Shkupi sot është renditur i pari ndër qytetet më të ndotura në Evropë.

Sipas listës së publikuar nga kompania zvicerane “IQ Air”, me një nivel mesatar të ndotjes prej 101, Shkupi zë vendin e parë në Evropë dhe vendin e 21-të në botë, teksa pasohet nga Amsterdami dhe Sarajeva, transmeton albinfo.ch.

Masat e Qeverisë për mbrojtjen e popullatës nga ndotja, vazhdojnë të jenë në fuqi, sipas të cilave, të gjithë punëdhënësve u rekomandohet që t’i lirojnë nga obligimet e punës gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe qytetarët me astmë kronike, ata që kanë kaluar infarkt të zemrës ose goditje në tru, pavarësisht moshës.

Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi drejt studimeve doktorale në Zvicër

Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi janë dy të rinj shqiptarë që po konsiderohen shembull suksesi i diasporës shqiptare në Zvicër. Me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe disiplinë të vazhdueshme, ata kanë përfunduar studimet në mjekësi në Universitetin prestigjioz të Baselit, duke hapur një rrugë të re drejt karrierës profesionale dhe duke frymëzuar brezat e rinj për të ndjekur ëndrrat e tyre akademike.

 

 Dy histori të ndryshme, një synim i përbashkët

Rrugëtimi i Thesar Abdullahut dhe Morgan Hetemit drejt diplomimit në mjekësi në Universitetin e Baselit nis nga përvoja personale të ndryshme, por të ndërtuara mbi të njëjtën bazë, me përkushtimin ndaj dijes dhe disiplinën e vazhdueshme.

Të dy me prejardhje nga Kosova, ata kanë përfunduar studimet në Universitetin prestigjioz të Baselit, duke hapur një kapitull të ri profesional në fushën e mjekësisë.

Thesari është lindur dhe rritur në Zvicër, në Pratteln, ku ka përfunduar shkollimin fillor, ndërsa gjimnazin e ka vazhduar në Muttenz. Për vite me radhë, jeta e tij ka qenë e ndarë mes librave dhe pishinës së notit. Si sportist, ai ka mësuar herët se suksesi kërkon ekuilibër dhe vetëkontroll. “Noti ka qenë një nga ekuilibrat më të rëndësishëm në jetën time”, thotë ai, duke theksuar se sporti e ka ndihmuar të ruajë balancën mes shkollës dhe jetës së përditshme.

Ndryshe nga Thesari, Morgani ka lindur në Breitenbach të kantonit Solothurn, por është rritur në Arlesheim të Bazelit, aty ku edhe ka hedhur hapat e parë të arsimit. Gjimnazin e ka ndjekur në Münchenstein, ndërsa zgjedhja për të studiuar mjekësi në Universitetin e Baselit ka qenë një vazhdimësi e natyrshme e rrugëtimit të tij akademik. “Jam rritur në rrethin e Baselit dhe studimet në këtë universitet ishin një hap logjik për mua”, shprehet ai për platformën Albinfo.ch duke nënvizuar rëndësinë e mjedisit në formimin e tij profesional.

Dy histori të ndryshme, por që takohen në të njëjtën pike, auditorët e Universitetit të Baselit, ku pas viteve të gjata studimi, përkushtimi dhe sakrifice, të dy kanë arritur të realizojnë një nga synimet më të mëdha të jetës së tyre, duke diplomuar për mjekësi.

 

Rrugëtimi profesional i dy mjekëve shqiptarë pas diplomimit në Bazel

Rrugëtimi akademik i Morgan Hetemit dhe Thesar Abdullahut nuk ka qenë vetëm një sfidë individuale, por edhe një përvojë e ndarë mes miqësisë, identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. Që në semestrin e parë të studimeve në Universitetin e Baselit, ata kanë gjetur te njëri-tjetri jo vetëm një koleg, por edhe një lidhje kulturore që i ka afruar menjëherë.

 

Thesar Abdullahu

 

Thesari kujton se njohja me Morganin erdhi natyrshëm, sapo zbuluan se të dy kishin prejardhje nga Ferizaj. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim”, shprehet ai, për albinfo.ch. Kjo afërsi i shtyu të ruanin lidhjen me kulturën shqiptare edhe brenda një mjedisi akademik zviceran. Me dëshirën për të krijuar më shumë ura mes studentëve shqiptarë të mjekësisë dhe stomatologjisë, Thesari ndërmori iniciativën për të krijuar një grup të vogël studentësh nga vite të ndryshme studimi, ku shkëmbeheshin përvoja, këshilla dhe mbështetje. Edhe pse numri i studentëve shqiptarë në mjekësi mbetet i vogël, përpjekja për të ndërtuar një rrjet solidariteti ka qenë një hap i rëndësishëm drejt forcimit të komunitetit.

Edhe për Morganin, kjo lidhje ka pasur një vlerë të veçantë. Ai thekson se të kesh dikë që ndan të njëjtat rrënjë e bën më të lehtë të kuptuarit reciprok. Takimet në kampus, pjesëmarrja në aktivitete shqiptare dhe shkëmbimi i përvojave si studentë me prejardhje kosovare kanë qenë momente që i kanë ndihmuar të ndihen më pranë njëri-tjetrit, edhe në një shoqëri ku, herë pas here, ndihet njëfarë distance kulturore.

Të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave, asaj zvicerane dhe shqiptare, ka qenë një tjetër element formues në rrugëtimin e tyre. Morgani e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të marrë më të mirën nga të dyja botët. I lindur dhe rritur në Zvicër, ai thekson se vlerat e familjes, bashkimi, respekti dhe mirënjohja, vijnë nga kultura kosovare dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin e tij. Kjo përzierje kulturash, sipas tij, e ka bërë më të hapur ndaj këndvështrimeve të ndryshme dhe më të vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka për të dhënë shembull pozitiv si i ri me prejardhje shqiptare. Në të njëjtën frymë, Thesari mendon se kjo përvojë përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme. Ai vëren se kontrasti mes dy botëve është i madh, por pikërisht nga ky kontrast ka mësuar të vlerësojë diversitetin dhe fleksibilitetin. Dashuria për Kosovën, e përcjellë nga prindërit, mbetet për të një burim force dhe qëndrueshmërie, edhe pse kontaktin e parë me vendin e origjinës e ka pasur relativisht vonë. Sipas tij, balancimi i dy kulturave nuk është gjithmonë i lehtë, por kur arrihet, shndërrohet në një avantazh të rrallë personal dhe profesional.

Pas diplomimit, planet e tyre profesionale janë të qarta, por njëkohësisht të hapura ndaj bashkëpunimit. Thesari synon ta vazhdojë specializimin në Zvicër, ndërsa shpreh dëshirën për të ndërtuar ura bashkëpunimi me mjekë në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Për të, shkëmbimi i përvojave dhe ndihma e ndërsjellë mes profesionistëve shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë, mund të krijojë vlera të mëdha për komunitetin. Kontributi ndaj vendit të origjinës, qoftë edhe përmes hapave të vegjël, mbetet një nga synimet e tij afatgjata.

 

Karriera e re e dy mjekëve shqiptarë pas diplomimit në Bazel

Pas përfundimit të studimeve, rrugëtimi profesional i Morgan Hetemit dhe Thesar Abdullahut ka hyrë në një fazë të re, ku teoria po shndërrohet gradualisht në praktikë dhe përgjegjësi konkrete.

 

Morgan Hetemi

 

Morgani ndodhet tashmë në një proces intensiv profesional. Ai është duke punuar në doktoraturën e tij në Spitalin St. Clara në Bazel, ndërkohë që është aktiv edhe si tutor për studentët e mjekësisë në nivel master, duke i ndihmuar ata në përgatitjen për provimet praktike. Këtë angazhim ai e përshkruan si një përvojë shumë të vlefshme dhe motivuese, që i ka forcuar edhe më shumë bindjen për rëndësinë e ndarjes së dijes. Në vazhdim, ai do të kryejë shërbimin praktik katërmujor si mjek ushtarak dhe gjatë verës do të fillojë punën e tij të parë si mjek asistent në rajonin e Bazelit. Morgani e lë të hapur mundësinë për përvoja profesionale jashtë vendit, veçanërisht në fushën e kërkimit shkencor, por nuk përjashton as një angazhim të përkohshëm në Kosovë apo Shqipëri, si pjesë e një rrugëtimi që dëshiron ta mbajë të hapur dhe dinamik.

Ndërkohë, Thesari po kryen shërbimin e tij ushtarak, një fazë tranzicioni para fillimit të angazhimeve të reja akademike dhe klinike. Menjëherë pas përfundimit të tij, ai do të nisë punën në kuadër të doktoraturës në Spitalin “Insel” në Bernë, ndërsa nga muaji qershor planifikon të fillojë specializimin në mjekësinë e brendshme në Bazel. Edhe pse ende nuk është vendosur përfundimisht për një drejtim specifik, interesimi i tij shtrihet në fusha të rëndësishme si kardiologjia, gastroenterologjia dhe urologjia. Për të, kjo fazë përfaqëson një periudhë eksplorimi profesional, ku dëshiron të ndërtojë bazën e duhur për vendime afatgjata.

Për të dy, përvoja e studimeve dhe sfidat e përballuara gjatë këtyre viteve janë shndërruar edhe në një mesazh të qartë për brezat e rinj shqiptarë që ëndërrojnë mjekësinë. Thesari thekson rëndësinë e kurajos dhe këmbënguljes, duke nënvizuar se studimet në këtë fushë kërkojnë disiplinë dhe përkushtim të madh, por se çdo përpjekje ia vlen. Ai inkurajon të rinjtë të mos hezitojnë të kontaktojnë njerëz, të pyesin dhe të marrin iniciativa, sepse shpesh pikërisht këto hapa bëjnë diferencën drejt suksesit.

Në të njëjtën frymë, Morgani këshillon të rinjtë që të informohen mirë, të dëgjojnë veten dhe të mos tremben nga vështirësitë apo testet e pranimit. Sipas tij, profesioni i mjekut është një nga më të bukurit dhe më të larmishmit, me shumë rrugë dhe mundësi zhvillimi, dhe aty ku ka vullnet, gjithmonë ka edhe rrugë për të arritur qëllimin.

Pavarësisht angazhimeve profesionale në Zvicër, lidhja me Kosovën mbetet e fortë për të dy. Thesari shprehet se Kosova për të nuk është thjesht një vend, por një ndjenjë e thellë që i jep forcë dhe identitet. Ai e viziton rregullisht, disa herë në vit, dhe ruan një lidhje shumë të ngushtë me familjen atje, të cilën e konsideron një mbështetje të vazhdueshme në gjithë rrugëtimin e tij. Edhe për Morganin, vizitat në Kosovë janë momente rikthimi tek rrënjët, qoftë për të takuar familjen apo për të përjetuar atmosferën e vendit, të cilën e përshkruan si gjithmonë të veçantë dhe frymëzuese. /Albinfo.ch

 

Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi

Dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën në aksidentin Beograd-Nish

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Beograd – Nish, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën dy persona, shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Bëhet e ditur se aksidenti ndodhi pranë daljeve të Umçarit, pasi vetura me targa gjermane, për arsye ende të paqarta, doli nga rruga. Raportohet se shoferi humbi kontrollin mbi mjetin, përplasi gardhin mbrojtës dhe shenjën rrugore pranë autostradës, përcjell albinfo.ch.

Tutje, u njoftua se nga makina e aksidentuar u nxorën trupat e një burri dhe një gruaje, të cilët u konfirmuan se janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri

Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë sulmuar hyrjen e xhamisë shqiptare në Hollabrunn, Austri.

Individë të panjohur dëmtuan zonën e hyrjes së xhamisë në Znaimer Straße në Hollabrunn. Banorët raportuan se kishin dëgjuar zhurma të forta pak pas mesnatës.

Sipas policisë, dëme u gjetën në një xham të ndërtesës. Ekspertët mjeko-ligjorë po hetojnë nëse dëmi ishte shkaktuar nga një predhë. Dy persona ishin brenda ndërtesës në kohën e incidentit; askush nuk u lëndua, shkruan orf.at, përcjell albinfo.at.

Xhamia përdoret nga një shoqatë e myslimanëve shqiptarë, dhe ngjarja po hetohet nga Zyra Shtetërore për Mbrojtjen e Sigurisë dhe Luftën kundër Ekstremizmit në bashkëpunim me Policinë Kriminale të Niederösterreich. Autoritetet austriake bëjnë thirrje për çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve, duke i kërkuar qytetarëve që të kontaktojnë Policinë e Hollabrunn në numrin 059 133/3410.