Gjenden në Bjeshkët e Strellcit mbetje mortore, dyshohet se janë të viktimave të luftës

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Kosovë ka njoftuar sot se në lokacionin Lugjet e Nekës në Bjeshkët e Strellcit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që potencialisht u përkasin viktimave të luftës, të cilat ende figurojnë në Listën e Personave të Zhdukur.

Sipas njoftimit, me urdhër të prokurorit, mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së, transmeton albinfo.ch.

Ky Komision ka thënë se për zhvillime të reja do të njoftojë pas përfundimit të procedurave ndërkombëtare teksa edhe një herë ka përsëritur thirrjen që qytetarët të ndajnë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e personave të zhdukur.

Ligjvënësit zviceranë hedhin poshtë iniciativën për kontrollin e popullsisë

Dhoma e Përfaqësuesve e Zvicrës ka rekomanduar që votuesit të refuzojnë një iniciativë popullore për kontrollin e numrit të popullsisë.

Iniciativa “Jo 10 milionë Zvicër” nga Partia Popullore e Zvicrës u refuzua nga dhoma parlamentare, e cila gjithashtu nuk dëshiron të ketë të bëjë me një kundërpropozim, transmeton albinfo.ch.

Dhoma mori vendimet e saj pas një debati maratonë që zgjati disa orë. Pak më shumë se 100 parlamentarë shprehën pikëpamjet e tyre. Vetëm Partia Popullore e Zvicrës e mbështeti iniciativën.

Partia e krahut të djathtë dëshiron të shtojë një nen mbi “zhvillimin e qëndrueshëm të popullsisë” në kushtetutë, shkruan swissinfo. Sipas kësaj, popullsia e Zvicrës nuk duhet të kalojë dhjetë milionë në vitin 2050.

Nëse ka tashmë 9.5 milionë njerëz që jetojnë në vend para asaj kohe, Këshilli Federal dhe parlamenti duhet të ndërmarrin veprime.

Për shembull, personat e pranuar përkohësisht nuk do të jenë më në gjendje të marrin një leje qëndrimi të përhershme ose të natyralizohen. Imigracioni i anëtarëve të familjes do të kufizohet. Marrëveshjet ndërkombëtare që çojnë në rritje të popullsisë do të duhet të rinegociohen me qëllim një klauzolë përjashtimi. Nëse gjithçka tjetër dështon, Marrëveshja e BE-së për Lëvizjen e Lirë të Personave do të duhet të anulohet si masë përfundimtare.

BERZH: Shqipëria dhe Kosova, performancë të qëndrueshme, rrezik rënia e remitancave

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e ka mbajtur të pandryshuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në nivelin e 3.5% për 2 vitet e ardhshme.

Sipas raportit për perspektivat ekonomike rajonale BERZH cilëson se një përmirësim i lehtë pritet deri në fund të 2025 ku ekonomia shqiptare do të arrij në 3.5% nga 3.4% e cila rezulton në tremujorin e parë të vitit. Një përfundim i bazuar sipas BERZH në ecurinë e sektorëve kryesorë në Shqipëri.

“Rritja ekonomike u moderua në 3.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në tremujorin e parë të vitit 2025, e nxitur nga sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërsa industria dhe bujqësia përjetuan tkurrje të lehta. Presionet inflacioniste mbetën të ulëta. Në përgjigje, Banka e Shqipërisë e uli normën e interesit bazë në 2.5% në korrik 2025. Rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto parashikohet të jetë 3.5% në vitet 2025 dhe 2026.”

BERZH liston edhe rreziqet që mund të përfshijnë ekonominë e vendit tonë duke u ndalur kryesisht tek remitancat, shkruan TCH, përcjell albinfo.ch.

“Rreziqet negative përfshijnë mundësinë e zbutjes së kërkesës brenda Eurozonës, rënien e flukseve hyrëse të remitancave dhe faktorët e pafavorshëm klimatikë si thatësira, të cilët mund të vazhdojnë të ndikojnë negativisht në prodhimin e energjisë elektrike dhe prodhimin bujqësor. Nga ana tjetër, zbatimi i përshpejtuar i reformave strukturore dhe përparimet e mëtejshme në integrimin në Bashkimin Evropian mund të forcojnë perspektivën e rritjes së Shqipërisë.”

Sa i përket rajonit, BERZH liston Shqipërinë dhe Kosovën me performancë më të qëndrueshme ekonomike, ku rritja ekonomike pritet në 3.9% për Kosovën, Mali i Zi 2.6, Serbia 2.5% dhe Bosnje dhe Hercegovina 2.2%.

KFOR-i: Nuk kemi identifikuar shkelje me dronë që mund ta rrezikojnë sigurinë në Kosovë

Nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i kanë deklaruar se nuk janë identifikuar shkelje të hapësirës ajrore përmes dronëve që do ta cenonin sigurinë  në Kosovë.

Sipas njoftimit, çdo aktivitet në hapësirën ajrore koordinohet me KFOR-it, ashtu që “të shmangen tensionet” dhe që të ketë siguri.

“Ne nuk kemi identifikuar shkelje përmes dronëve që mund ta cenojnë sigurinë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, prandaj KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion. KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me institucionet e sigurisë së Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë”, është thënë nga KFOR-i, përcjell albinfo.ch.

Lufthansa planifikon të shkurtojë mijëra vende pune

Grupi Lufthansa po përgatit një program të gjerë ristrukturimi, i cili pritet të përfshijë shkurtime masive të vendeve të punës, sidomos në pozitat administrative. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, linja ajrore synon të eliminojë deri në 20% të pozicioneve të saj administrative, në kuadër të një strategjie për ulje drastike të kostove, përcjell albinfo.ch.

Paqartësi për ndikimin në degën Swiss

Aktualisht, nuk është e qartë nëse filiali zviceran i Lufthansa-s, Swiss International Air Lines, do të preket nga këto masa. Kompania ende nuk i është përgjigjur pyetjeve të mediave, përfshirë edhe ato nga “20 Minuten”.

Megjithatë, duke qenë se masa do të ndikojë në të gjithë grupin Lufthansa, ekziston rreziku real që edhe Swiss të përfshihet në planin e ristrukturimit.

Detajet pritet të zbulohen së shpejti

Sipas burimeve të brendshme, më shumë detaje zyrtare do të publikohen të hënën, gjatë ditës së parë të tregjeve të kapitalit të grupit, ngjarje kjo që zhvillohet për herë të parë pas gjashtë vjetësh. Numri i saktë i vendeve të punës që do të preken ende nuk është konfirmuar, por pritet të jetë në mijëra.

Lufthansa hesht për momentin

Vetë kompania nuk ka dhënë komente zyrtare mbi raportimet e Reuters. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që grupi sinjalizon vështirësi: gjatë vitit 2024, Lufthansa lëshoi dy paralajmërime për fitim, dhe së fundmi njoftoi një program riorganizimi, që përfshin centralizimin e funksioneve dhe uljen e kompetencave të linjave ajrore të pavarura brenda grupit – përfshirë Swiss dhe të tjera. /Albinfo.ch

Pothuajse 10 mijë BMW në Zvicër tërhiqen për këtë arsye

Prodhuesi gjerman i automjeteve BMW ka njoftuar tërheqjen e qindra mijëra veturave në nivel global për shkak të një problemi teknik në motorin e nisjes, i cili në raste ekstreme mund të çojë deri te zjarri në automjet, përcjell albinfo.ch.

Sipas BMW Zvicër, 9,917 automjete të regjistruara në vend janë të prekura nga ky problem. Drejtori i Komunikimit, Sven Grützmacher, konfirmoi se këto makina do të kontrollohen dhe riparohen falas në punishtet autorizuara të kompanisë.

Në Gjermani, numri i automjeteve të prekura arrin në rreth 136,500 njësi, ndërsa në SHBA përfshihen afërsisht 195,000 automjete të tjera. BMW ende nuk ka publikuar një shifër të saktë globale, por duke marrë parasysh përmasat dhe përhapjen e modeleve të përfshira, numri i përgjithshëm pritet të jetë ndjeshëm më i lartë – duke përfshirë edhe rajone si Azia dhe pjesë të tjera të Evropës.

Çfarë e shkakton problemin?

BMW sqaron se në automjetet e prekura, uji mund të depërtojë në motorin e starterit në pika të caktuara dhe të shkaktojë korrozion. Si pasojë, mund të dështojë ndezja e motorit, ose në rast më të rëndë, mund të ndodhë një qark i shkurtër që çon në mbinxehje lokale dhe rrezik për zjarr.

“Në rastin më të keq, kjo mund të çojë në zjarr të automjetit,” paralajmëroi prodhuesi.

Modelet dhe viti i prodhimit

Problemi teknik përfshin disa modele të BMW të prodhuara në periudhën shtator 2015 – shtator 2021. Lista e saktë e modeleve të prekura nuk është publikuar ende në detaje, por pritet të përfshijë një sërë automjetesh të zakonshme të markës.

Çfarë duhet të bëjnë pronarët?

Pronarët e automjeteve të prekura do të njoftohen drejtpërdrejt nga BMW ose nga partnerët zyrtarë të shitjes. Ata këshillohen të kontaktojnë menjëherë një servis zyrtar për të caktuar një takim për inspektim dhe riparim.

Këshilli Federal planifikon të taksojë makinat elektrike nga viti 2030

Këshilli Federal po përgatitet të prezantojë një takim të ri për makinat elektrike, që do të hyjë në fuqi nga viti 2030, me synimin për të kompensuar humbjet e të ardhurave që vijnë nga rënia e konsumit të karburanteve fosile, përcjell albinfo.ch.

Me përhapjen e shpejtë të automjeteve elektrike, të ardhurat nga taksat mbi naftën minerale janë në rënie të vazhdueshme. Deri më tani, këto taksa kanë qenë një burim i rëndësishëm për financimin e infrastrukturës rrugore dhe transportit. Sipas autoriteteve, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit për mirëmbajtjen e rrugëve rrezikon të mungojë nëse nuk gjendet një alternativë.

Dy skenarë taksimi në diskutim

Këshilli Federal ka propozuar dy variante të mundshme për të taksuar makinat elektrike:

Taksë për kilometër të përshkuar – ku përdoruesit do të paguajnë në varësi të distancës që udhëtojnë.

Taksë mbi energjinë elektrike të faturuar – ku do të vendoset një tarifë shtesë mbi rrymën e përdorur për karikimin e automjetit.

Që ndryshimi të hyjë në fuqi, do të kërkohet miratimi i popullit përmes një referendumi, pasi kërkon ndryshime në Kushtetutën Federale.

“Objektivi nuk është penalizimi i makinave elektrike, por sigurimi i një trajtimi të barabartë për të gjithë përdoruesit e rrugëve,” thuhet në deklaratën e Këshillit Federal.

Sfida për balancimin e drejtësisë fiskale

Makinat elektrike aktualisht përfitojnë nga përjashtimi nga taksat mbi karburantet, por gjithashtu përdorin rrjetin rrugor në të njëjtën masë si automjetet me djegie të brendshme. Autoritetet e konsiderojnë të nevojshme që kjo kategori mjetesh të kontribuojë në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme në financimin e sistemit të transportit.

Megjithatë, pritet që propozimi të ngjallë debat publik, duke qenë se shumë qytetarë janë të motivuar të kalojnë në automjete elektrike pikërisht për shkak të përfitimeve fiskale dhe ekologjike që ato ofrojnë. /Albinfo.ch

Më shumë info: news.admin.ch

 

 

Qeveria dëshiron të mirëpresë 20 fëmijë të plagosur nga Gaza në Zvicër

Autoritetet zvicerane janë në bisedime me qeverinë izraelite për të siguruar leje që 20 fëmijë të plagosur ose të sëmurë nga Rripi i Gazës të mund të udhëtojnë drejt Zvicrës për trajtim mjekësor, përcjell albinfo.ch.

Në këtë iniciativë humanitare janë përfshirë disa instanca federale, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Punëve të Brendshme dhe Departamentin e Mbrojtjes, të cilat po bashkëpunojnë për të organizuar pranimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve dhe personave shoqërues.

“Administrata federale po shqyrton mundësitë e akomodimit dhe mbështetjes për këta fëmijë në territoret zvicerane,” konfirmuan zyrtarë të përfshirë në projekt.

Disa kantone zvicerane janë shprehur të gatshme të mirëpresin këto grupe, duke ofruar mbështetje logjistike dhe mjekësore për të lehtësuar trajtimin e tyre në kushte të sigurta.

Megjithatë, plani varet nga miratimi i autoriteteve izraelite, pa të cilin asnjë fëmijë nuk mund të largohet aktualisht nga Rripi i Gazës, për shkak të kontrollit të rreptë të kufijve dhe situatës së paqëndrueshme në terren.

Zvicra ka një histori të gjatë të angazhimit në ndihmë humanitare dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut, dhe ky projekt paraqet një përpjekje konkrete për të ofruar ndihmë mjekësore për viktimat më të pafajshme të konfliktit – fëmijët.

Autoritetet shëndetësore zvicerane hedhin poshtë spekulimet për paracetamolin

Autoriteti rregullator zviceran për barnat dhe produktet mjekësore, Swissmedic, ka hedhur poshtë pretendimet që sugjerojnë një lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe shfaqjes së autizmit tek fëmijët, përcjell albinfo.ch.

Ky reagim vjen pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump hodhi dyshime publike mbi sigurinë e këtij ilaçi, duke sugjeruar se mund të ketë pasoja të rënda për zhvillimin neurologjik të fetusit. Megjithatë, autoritetet zvicerane theksojnë se nuk ka asnjë provë shkencore që mbështet këto pretendime.

“Në shumë vite që nga autorizimi i parë i paracetamolit, nuk është vërtetuar asnjë lidhje shkencore midis përdorimit të tij gjatë shtatzënisë dhe shfaqjes së autizmit tek fëmijët,” deklaroi Swissmedic të enjten.

Sipas institucionit, ky qëndrim është në përputhje me vlerësimet e agjencive të tjera rregullatore ndërkombëtare, si dhe me mendimin e komunitetit global mjekësor. Për më tepër, Swissmedic konfirmon se raporti përfitim-rrezik i paracetamolit mbetet pozitiv, kur ai përdoret në përputhje me udhëzimet mjekësore.

“Përdorimi i kontrolluar dhe i kufizuar i paracetamolit gjatë shtatzënisë është konsideruar i sigurt dhe nuk ka asnjë bazë për frikë apo panik të panevojshëm,” thekson agjencia.

Paracetamoli është një prej medikamenteve më të përhapura për trajtimin e temperaturës dhe dhimbjeve të lehta, veçanërisht i rekomanduar gjatë shtatzënisë kur opsionet për ilaçe të tjera janë të kufizuara.

Ndërkohë që në SHBA kanë nisur hetime të brendshme mbi këto pretendime, deri më sot asnjë studim i besueshëm nuk ka arritur të vërtetojë një lidhje shkak-pasojë midis këtij ilaçi dhe çrregullimeve të spektrit autistik.

Këshilla për gratë shtatzëna

Mjekët këshillojnë që gratë shtatzëna të konsultohen gjithmonë me profesionistët shëndetësorë përpara se të përdorin ndonjë medikament, por njëkohësisht nënvizojnë se paniku i pabazuar mund të sjellë më shumë dëm se dobi.

Rainer Rudolph pritet të jetë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka përfunduar mandatin e tij pesëvjeçar, duke dërguar një mesazh lamtumire përmes një videoje, përcjell albinfo.ch.

Faleminderit shumë për pesë vitet, ka thënë fillimisht Rohde, duke shtuar se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka parë shumë zhvillime.

“Liberalizimi i vizave në vitin 2024 ishte një arritje e madhe. Ka gjithashtu gjëra që nuk janë realizuar, si anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës. Lidhjet mes vendeve tona janë unike. Siç e dini, 600 mijë kosovarë ose gjermanë me prejardhje kosovare jetojnë në Gjermani. Ky numër po rritet. Jam i sigurt se lidhjet tona do të vazhdojnë të rriten. Ne do të jemi një partner i madh i Kosovës. Kemi qenë një partner i madh që nga pavarësia”, është shprehur ambasadori.

Ai ka ftuar qytetarët e Kosovës që ta mirëpresin pasardhësin e tij, Rainer Rudolph, i cili pritet të marrë detyrën së shpejti.

“Do të doja t’ju lutesha që t’ia zgjasni mirësinë dhe miqësinë tuaj edhe pasardhësit tim. Si dhe, për të qëndruar në gjuhën e futbollit, unë së shpejti do t’ia kaloj topin atij”, tha Rohde.

Sot dorëzohet padi ndaj Dimal Bashës për artikullin kundër UÇK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha do të paditet dhe do të dorëzohet kallëzim penal ndaj tij në Prokurorinë Speciale, ka njoftuar avokati Gent Gjini, derisa bërë të ditur se padia lidhet me “pretendimet e Bashës për financimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kartelët e drogës” dhe për “bashkëpunimin e tij me një autore për publikimin e këtyre pretendimeve” në një revistë shkencore të një universiteti në SHBA, përcjell albinfo.ch.

Gjini njoftoi se padia do të dorëzohet nga ai dhe një përfaqësues i UÇK-së të premten në orën 13:20.

Avokati Gent Gjini në njoftimin e tij tha se do të kërkojnë nga Prokuroria Speciale që Bashës t’i ndalohet ushtrimi i detyrës së kryeparlamentarit, përderisa siç potencoi ai çështja do të trajtohet dhe të hetohet.

Ndërkaq, të mërkurën, kryeparlamentari Dimal Basha ka njoftuar se tashmë emri i tij është larguar nga bashkë-autorësia bashkë me kapitullin 3 për të cilin ai pranoi se kishte shkruar për islamin fundamentalist në Kosovë.

Dronë serbë fluturojnë mbi Kosovë, thonë autoritetet

Në një deklaratë për media, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se së fundi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore të vendit, për të cilat dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Ai ka theksuar se Policia është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po kryen monitorime të situatës.

“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, ka theksuar Hoxha pas ceremonisë së shkatërrimit të armëve të vogla dhe të lehta ilegale që e ka bërë Policia të premten.

Ai ka theksuar se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.

“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it”, u shpreh Hoxha.


Më tej, ai bëri të ditur se institucionet ndërkombëtare janë njoftuar për këtë situatë dhe se përgjegjësia i takon KFOR-it.

“Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim”, ka theksuar Hoxha.

Në përvjetorin e dytë të sulmit në Banjskë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kritikuar mungesën e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë për dorëzimin e përgjegjësve, përfshirë Milan Radoiçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij. 

Sveçla gjithashtu ka theksuar se Serbia shkel kohë pas kohe hapësirën ajrore të Kosovës përmes dronëve, duke e konsideruar këtë kërcënim të vazhdueshëm. Ai siguroi se institucionet e Kosovës po veprojnë për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me KFOR-in dhe shërbimet partnere.

Ministri foli edhe për mbylljen e institucioneve që veprojnë sipas sistemit të Serbisë dhe integrimin e atyre që lidhen me shëndetësinë dhe arsimin. Ai theksoi nevojën për presion të vendosur ndaj qeverisë së Serbisë për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.

Sveçla komentoi gjithashtu vendimin e SHBA-së për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke theksuar se institucionet po punojnë për të sqaruar partnerët dhe aleatët për situatën dhe veprimet e ndërmarra.

Bie borë në Slloveni

Fjollat e para të dëborës së kësaj vjeshte kanë rënë në Kredarica. Sipas Agjencisë së Mjedisit, afërsisht një centimetër dëborë ra në stacionin më të lartë meteorologjik të Sllovenisë, përcjell albinfo.ch.

Një front i ftohtë që arriti në Slloveni këtë javë ka siguruar dëborën e parë të kësaj vjeshte.

Bora e parë këtë herë ra në stacionin më të lartë meteorologjik në Kredarica në Slloveni, ku ra gjithsej një centimetër dëborë në 12 orët e fundit, sipas Agjencisë së Mjedisit të Republikës së Sllovenisë (Arso) në faqen e saj të internetit.

Siç shpjeguan meteorologët, për shkak të kalimit të frontit të ftohtë, është e mundur që të bjerë edhe më shumë dëborë në majat më të larta të Sllovenisë në ditët në vijim, por kjo nuk do të zgjasë për momentin.

Ata shtojnë gjithashtu se dëbora në malet e larta në verë dhe në fillim të vjeshtës nuk është asgjë e pazakontë. Për shembull, Kredarica dhe Kanin u bënë të bardha në fillim të korrikut të këtij viti, raporton N1.

Vjosa Osmani diskuton sfidat e sistemit global të refugjatëve në panel të organizuar nga SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë si e ftuar në panelin “Sistemi Global i Refugjatëve dhe Azilit: Çfarë shkoi keq dhe si të rregullohet”, të organizuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara, me ftesë të Zëvendës Sekretarit të Shtetit, Christopher Landau, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përcjell albinfo.ch.

Gjatë diskutimit, Osmani theksoi rëndësinë e një qasjeje më të koordinuar ndërkombëtare për trajtimin e krizave të refugjatëve dhe nevojën për politika më efektive që sigurojnë mbrojtje dhe integrim për personat në nevojë. Ajo ndau gjithashtu përvojat e Kosovës në menaxhimin e flukseve të refugjatëve dhe sfidat që ballafaqohen vendet e vogla në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare.

Ky panel vjen në një kohë kur sfidat globale të migracionit dhe azilit janë gjithnjë e më të ndërlikuara, duke kërkuar bashkëpunim të fortë ndërkombëtar dhe zgjidhje praktike.

Emin Haziri, nga arratisja në Kosovë tek ylli Michelin në Milano

Nga Klina e Kosovës deri në zemër të Milanos, rrugëtimi i Emin Hazirit është një histori suksesi që frymëzon, shkruan albinfo.ch.

Shefi i kuzhinës, i cili nisi jetën profesionale me “zero”, sot është pronar i një restoranti Fine Dining në qendër të Milanos, të vlerësuar me yll Michelin, një nga çmimet më prestigjioze në botën e gastronomisë.

Haziri kujton se rruga nuk ka qenë aspak e lehtë. Ai u rrit mes sfidave të jetës në Kosovë, duke u përballur me vështirësi që nga fëmijëria e deri te emigrimi. Megjithatë, pasioni për gatimin e udhëhoqi drejt një karriere të jashtëzakonshme në Itali.

“Edhe pse nuk u bëra doktor siç donte mami, sot e bëra krenare me një yll Michelin,” thotë ai me humor dhe emocion. Për të, ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një dëshmi se përkushtimi, pasioni dhe puna e palodhur mund të hapin dyer të mëdha. /Albinfo.ch

albinfo.chhttps://www.youtube.com/watch?v=1Us6vgSYoLU

Revolta feministe nga Kosova prezantohet në Festivalin WeToo në Paris

Më 19 shtator 2025, organizata Artpolis solli në Paris shfaqjen “Revolt. She Said. Revolt Again”, me regji të Zana Hoxhës, si pjesë e Festivalit WeToo, një ngjarje e njohur feministe dhe gjithëpërfshirëse, përcjell albinfo.ch.

Shfaqja, e bazuar në tekstin e Alice Birch dhe e interpretuar nga aktoret Olive McHugh, Tanaka Mpofu, Xixi Xiao dhe Natalia May, u prit me reagime të fuqishme nga rreth 80 të pranishëm. Ajo trajtoi tema si seksualiteti, pushteti, puna dhe liria, duke ofruar një përvojë teatrore intensive dhe provokuese.

Elementet vizuale, përfshirë skenën e mbushur me shalqi, sollën një dimension eko-feminist, duke lidhur shtypjen patriarkale me shfrytëzimin e natyrës.

Kritikja Gili Hoxhaj e përshkroi shfaqjen si një thirrje për veprim, jo vetëm për mendim, për gratë e shekullit XXI.

Ky prezantim në Paris u vlerësua si më shumë se një shfaqje teatrore – një akt solidariteti ndërkombëtar që artikulon gjuhën universale të barazisë dhe lirisë. /Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/14Gu33Dvqjb/?mibextid=wwXIfr

Dy vëllezërit shqiptarë, Arber dhe Florian Xhekaj shkruajnë histori në NHL

Një ngjarje e rrallë dhe mjaft emocionuese ndodhi në arenën e NHL-së. Bëhet fjalë për vëllezërit Arber dhe Florian Xhekaj, me origjinë shqiptare nga Kosova, shkëlqyen duke luajtur për herë të parë së bashku me ekipin e Montreal Canadiens në një ndeshje përgatitore kundër Philadelphia Flyers, shkruan albinfo.ch.

Të dy jo vetëm që ndanë fushën si bashkëlojtarë, por arritën edhe të shënonin gola, duke i dhuruar publikut dhe familjes së tyre një moment të paharrueshëm.

Për nënën e tyre, Simona Xhekaj, e pranishme në arenë, ky ishte çasti kulmor i një rrugëtimi të gjatë familjar. Pamjet ku ajo shpërthen në lot gëzimi, teksa shihte djemtë e saj të realizonin ëndrrën e fëmijërisë, u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe mediat sportive.

Historia e familjes Xhekaj është e lidhur ngushtë me komunitetin shqiptar në Kanada. Prindërit e tyre, emigrantë nga Kosova, u vendosën në Hamilton, Ontario, duke punuar me përkushtim për t’u ofruar fëmijëve mundësinë e një jete më të mirë. Sot, arritja e Arberit dhe Florianit në një nga klubet më prestigjioze të hokejit është dëshmi e përkushtimit, punës dhe ëndrrave të realizuara.

Ky moment i veçantë i vendos vëllezërit Xhekaj jo vetëm në qendër të vëmendjes sportive në NHL, por edhe si simbol krenarie për komunitetin shqiptar në diasporë. /Albinfo.ch

Ambasada e Kosovës dhuron libra për shkollat shqipe në Londër

Shkolla shqipe “Kosova” dhe shkolla shqipe “Arbëria” në Londër janë vizituar nga diplomatët e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim të mbështetjes së mësimit plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të vizitës, Ambasada dorëzoi një sasi librash dhe materialesh mësimore për nxënësit shqiptarë. Zv. Shefi i Misionit, Vlorat Gashi, dhe zv. Konsulli, Ilir Bytyqi, u pritën në shkollën shqipe “Kosova” nga themeluesi dhe udhëheqësi i saj, Talat Pllana, së bashku me mësueset dhe nxënësit.

Gashi shprehu mirënjohje për punën dhe përkushtimin e Pllanës, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë të angazhuara në mbështetjen e shkollave shqipe në diasporë.

Më pas, diplomatët vizituan edhe shkollën shqipe “Arbëria”, ku u pritën nga drejtoresha Rozana Hykaj. Edhe aty, Gashi vlerësoi angazhimin e stafit mësimor për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar te fëmijët shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në përmbyllje të vizitës, ai theksoi se Ambasada do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për shkollat shqipe, duke falënderuar mësuesit dhe prindërit që me vullnet dhe përkushtim kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare ndër brezat e rinj. /Albinfo.ch

Gjermania planifikon investim prej 35 miliardë eurosh në sigurinë hapësinore

Deri në vitin 2030, Gjermania synon të investojë 35 miliardë euro për të krijuar një infrastrukturë të qëndrueshme të sigurisë hapësinore, njoftoi sot ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Investimi do të mbulojë ndërtimin e satelitëve, stacioneve tokësore, kapaciteteve të sigurta për nisje dhe shërbimeve të lidhura, duke synuar të garantojë mbrojtje dhe efikasitet operativ.

Pistorius theksoi rëndësinë e forcimit të sistemeve gjermane kundër ndërprerjeve dhe sulmeve, duke përfshirë masa të forta mbrojtjeje kibernetike për të gjitha sistemet hapësinore. Ai shtoi se vëzhgimi hapësinor do të përmirësohet përmes radarëve, teleskopëve dhe në të ardhmen edhe satelitëve mbikëqyrës, ndërsa nuk përjashtohet edhe zhvillimi i kapaciteteve sulmuese.

“Gjermania duhet të jetë në gjendje të parandalojë rreziqet në hapësirë për të garantuar mbrojtjen e saj,” tha ministri.

Megjithatë, Federata e Industrisë Gjermane (BDI) paralajmëron se nevojiten investime edhe më të mëdha për të mos mbetur pas fuqive kryesore hapësinore. Një studim i publikuar në Berlin nga BDI dhe kompania konsulente “Roland Berger” tregon se hendeku mes Gjermanisë dhe Europës nga njëra anë, dhe SHBA-së dhe Kinës nga ana tjetër, është zgjeruar vitet e fundit, duke pasur ndikim të madh mbi industrinë.

Aktualisht, Gjermania ka rreth 80 satelitë, ndërsa SHBA ka mbi 10,000 dhe Kina më shumë se 900. Studimi kritikon nënfinancimin e dekadave të fundit dhe varësitë problematike, sidomos në komunikimet satelitore, ku nuk ekziston një alternativë gjermane apo europiane ndaj rrjetit amerikan.

Parashikohet që tregu global për infrastrukturën dhe shërbimet hapësinore të katërfishohet deri në vitin 2040, duke u rritur nga rreth 500 miliardë euro aktualisht në afërsisht 2 trilionë euro.

 

Rënia e lindjeve në Britani rrezikon mbylljen e 800 shkollave fillore

Numri në rënie i fëmijëve në Britaninë e Madhe mund të çojë në mbylljen e 800 shkollave fillore deri në vitin 2029, sipas një studimi të fundit të Institutit për Politikat e Arsimit (EPI), i publikuar nga “The Guardian”.

Sipas raportit, kjo tendencë lidhet kryesisht me uljen e nivelit të lindjeve në vend, duke krijuar presion të madh financiar mbi shkollat. Shumë këshilla lokale tashmë po përballen me vështirësi për të mbajtur operacionet dhe shërbimet arsimore.

Studimi thekson gjithashtu se vendimet e familjeve për vendbanimin dhe shkollimin e fëmijëve po ndikohen nga faktorë të tjerë, si kostot e larta të strehimit. Trendin më të dukshëm e shohim në Londër, ku shumë familje po zhvendosen jashtë kryeqytetit ose po zgjedhin shkolla private për fëmijët e tyre.

Regjistrimi në shkollat fillore shtetërore kishte arritur kulmin në 4.5 milionë nxënës gjatë vitit shkollor 2018-2019, por që atëherë ka rënë me rreth 2%. E ardhmja parashikon një ulje shtesë prej 4% gjatë pesë viteve të ardhshme, që përkthehet në humbjen e 162 mijë nxënësve – ekuivalenti i mbylljes së 800 shkollave fillore.

 

 

Bitcoin përballet me pasiguri për shkak të politikës monetare të SHBA-së

Tregjet globale të kriptomonedhave, sidomos Bitcoin, po shfaqin luhatje të ndjeshme për shkak të pasigurisë rreth inflacionit dhe politikave të Rezervës Federale të SHBA-së mbi normat e interesit.

Çdo deklaratë ose sinjal nga banka qendrore amerikane mbi uljen apo rritjen e normave të interesit ka efekt të menjëhershëm në çmimin e kriptomonedhave. Kohët e fundit, pritshmëritë për një qëndrim të rreptë të Fed, që nënkupton mbajtjen e normave të larta të interesit për një periudhë më të gjatë, kanë ushtruar presion mbi asetet dixhitale.

Ekspertët theksojnë se, ndonëse Bitcoin shpesh shihet si një “strehë sigurie” kundër inflacionit, ai në fakt është shumë i ndjeshëm ndaj politikave monetare dhe rrjedhjeve të kapitalit në tregjet ndërkombëtare.

“Bitcoin nuk është i izoluar nga ekonomia globale. Kur normat e interesit janë të larta, investitorët zakonisht preferojnë asetet më të sigurta,” shpjegon një analist financiar, përcjell albinfo.ch.

Në anën tjetër, nëse Rezerva Federale do të njoftonte për një politikë më të butë monetare, duke ulur normat e interesit për të stimuluar ekonominë, pritet që çmimi i Bitcoin dhe kriptomonedhave të tjera të rritet për shkak të rritjes së gatishmërisë për rrezik nga investitorët.

Aktualisht, Bitcoin mbetet në qendër të vëmendjes së investitorëve, por është i ndikuar nga zhvillimet e politikës monetare, inflacioni dhe pasiguritë makroekonomike globale.

 

Merz: Fondet e ngrira ruse duhet të përdoren për ndihmë ndaj Ukrainës

Kancelari gjerman, Friedrich Merz propozon që fondet e ngrira ruse në Evropë të përdoren për të mbështetur financimin e mbrojtjes së Ukrainës, raporton Financial Times.

“Bashkimi Evropian mund t’i japë Ukrainës një hua pa interes prej 140 miliardë eurosh, ndërsa fondet e ngrira ruse në Evropë mund të shërbejnë si garanci,” shkruan kancelari gjerman Friedrich Merz (Unioni Kristian-Demokrat CDU), transmeton albinfo.ch.

Sipas Merz, Ukraina do të kthejë huanë vetëm kur Rusia të kompensojë dëmet e shkaktuara gjatë luftës. Kështu, ndihma e BE-së për Ukrainën do të financohet përmes huasë dhe jo nga buxhetet kombëtare si më parë, ndërsa fondet e Bankës Qendrore Ruse të bllokuara në Belgjikë mund të përdoren si depozitë.

Njëkohësisht, kancelari gjerman thekson se është kundër konfiskimit të pronave ruse, pasi kjo do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ai shtoi se është koha që Rusia të detyrohet të ulet në tryezën e negociatave.