Hoxha për 7 Marsin: Mësuesit ndërtojnë urën mes diasporës dhe Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Albania, Ferit Hoxha, ka uruar mësuesit shqiptarë me rastin e Dita e Mësuesit, duke theksuar rolin e tyre të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Përmes një mesazhi publik, ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, të cilët, sipas tij, me përkushtim dhe pasion kultivojnë dhe transmetojnë gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar te brezat e rinj shqiptarë kudo në botë.

Hoxha theksoi se puna e tyre është një kontribut i çmuar në forcimin e lidhjes së diasporës me Shqipërinë dhe me rrënjët kombëtare.

Ai përmendi gjithashtu edhe rëndësinë e Samiti i Diasporës 2026, i cili do të mbahet më 14 dhe 15 prill, dhe që do të fokusohet në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore të shqiptarëve në mbarë botën.

Në fund të mesazhit të tij, ministri uroi të gjithë mësuesit shqiptarë, kudo që ndodhen, me rastin e 7 Marsit.

Presidentja Osmani uron mësuesit: 7 Marsi, dita e shpirtit të kombit dhe e gjuhës shqipe

Presidentja e Kosovo, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë mësuesit për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke e konsideruar këtë datë si një festë të shpirtit të kombit shqiptar, i cili mbijetoi falë ruajtjes së gjuhës shqipe.

Në mesazhin e saj, presidentja Osmani thekson se shkolla shqipe ka qenë akt qëndrese, duke funksionuar në shtëpi, bodrume dhe në kushte sakrifice gjatë kohës së përndjekjeve.

“Në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan. Ata mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që donte të jetonte i lirë. Nga banka e parë e shkollës deri te universitetet, është i njëjti mision: të rrisim breza që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë”, shkruan Osmani.

Ajo nënvizon gjithashtu se 7 Marsi është një ditë mirënjohjeje dhe respekti për çdo mësues, i cili përmes dijes dhe përkushtimit edukon brezat dhe forcon themelet e shtetit. Mesazhin e saj e përmbylli me fjalinë:

“Urime 7 Marsi të gjithë mësuesve!”

Në këtë mënyrë, Presidentja Osmani i rikujton qytetarët për rëndësinë e mësuesve dhe rolit të tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor shqiptar.

Ida Jashari dhe përkushtimi për ruajtjen e gjuhës shqipe tek fëmijët në Zvicër

Në komunitetin shqiptar në Ostermundigenm, Bernë, mësimi i gjuhës shqipe vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore për ruajtjen e identitetit dhe kulturës kombëtare. Përmes shkollës shqipe, fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur në diasporë krijojnë një lidhje të qëndrueshme me gjuhën, historinë dhe rrënjët e tyre.

Në këtë intervistë për albinfo.ch, mësuesja Ida Jashari flet për përvojën e saj shumëvjeçare në arsimin shqip në Zvicër, për sfidat e mësimit të gjuhës në një mjedis shumëgjuhësh dhe për rëndësinë që shkolla shqipe ka në formimin e identitetit të brezave të rinj. Për të, mësimdhënia nuk është vetëm një profesion, por një mision që lidh gjuhën, kulturën dhe kujtesën e një populli.

albinfo.ch: Çfarë domethënie ka për ju Dita e Mësuesit?

Ida Jashari: 7 Marsi është një datë shumë e rëndësishme për arsimin shqiptar. Ajo na kujton përpjekjet dhe sakrificat që janë bërë për ta mbajtur gjallë gjuhën dhe shkollën tonë. Për një mësuese në diasporë kjo ditë ka një kuptim të veçantë, sepse përmes gjuhës ne ruajmë edhe identitetin dhe kulturën tonë.

albinfo.ch: Si do ta përshkruanit përvojën tuaj si mësimdhënëse e gjuhës shqipe në Zvicër?

Ida Jashari: Është një përvojë shumë domethënëse. Çdo orë mësimi është një mundësi që fëmijët e lindur dhe rritur në diasporë të afrohen me gjuhën dhe kulturën e tyre. Është kënaqësi të shohësh se si ata fitojnë siguri dhe fillojnë të ndihen krenarë për origjinën e tyre.

albinfo.ch: Cili është historiku i shkollës shqipe ku ju jepni mësim?

Ida Jashari: Shkolla shqipe në Ostermundigen është themeluar rreth 35 vite më parë nga LAPSH – Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, me synimin që fëmijët shqiptarë në diasporë të mos e humbin lidhjen me gjuhën e tyre amtare.Mësuesja e parë që e themeloi këtë klasë ishte Saime Isufi, e cila kontribuoi me shumë përkushtim për vite me radhë. Më pas pata nderin ta vazhdoj këtë rrugë. Pas një përvoje 13-vjeçare në arsimin shqip në Tetovë, rreth 18 vite më parë në Zvicër pranova me kënaqësi të punoja si mësimdhënëse në këtë shkollë.

albinfo.ch: Sa e rëndësishme është që fëmijët e diasporës ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe?

Ida Jashari: Gjuha është themeli i identitetit. Kur një fëmijë mëson shqip, ai nuk mëson vetëm një gjuhë, por lidhet me historinë dhe kulturën e popullit të tij. Kjo i ndihmon të rriten me vetëdije për prejardhjen e tyre.

albinfo.ch: Si e vlerësoni interesimin e prindërve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe?

Ida Jashari: Interesimi i prindërve është shumë i rëndësishëm. Shumë prej tyre e kuptojnë se gjuha shqipe është një pasuri dhe përpiqen që fëmijët të mos e humbin lidhjen me të, pavarësisht angazhimeve në shkollat zvicerane.

albinfo.ch: Cilat janë sfidat kryesore në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë?

Ida Jashari: Sfida më e madhe është fakti që fëmijët rriten në një mjedis ku gjuha dominuese është gjermanishtja. Gjithashtu mësimi plotësues zhvillohet vetëm disa orë në javë, prandaj mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme.

albinfo.ch: Çfarë ju motivon më shumë në punën tuaj me nxënësit?

Ida Jashari: Motivimi më i madh janë vetë nxënësit. Kur i sheh duke lexuar, shkruar apo folur shqip me krenari, kupton se përpjekja ia vlen.

albinfo.ch: Përveç mësimdhënies, ju drejtoni edhe Korin e grave “Lulëkuqet”. Sa e rëndësishme është kultura në diasporë?

Ida Jashari: Kultura dhe muzika janë pjesë e rëndësishme e identitetit tonë. Pas tetë vitesh veprimtarie, kori i grave “Lulëkuqet” u regjistrua zyrtarisht si një shoqatë kulturo-artistike. Përmes këngës ne ruajmë traditat dhe krijojmë një ndjenjë të fortë bashkësie mes shqiptarëve në diasporë.

albinfo.ch: Çfarë mesazhi do t’u përcillnit prindërve dhe fëmijëve shqiptarë në Zvicër në këtë Ditë të Mësuesit?

Ida Jashari: Mesazhi im për prindërit është të flasin sa më shumë shqip në familje dhe t’i mbështesin fëmijët në mësimin e gjuhës. Ndërsa fëmijëve do t’u thosha: mësoni dhe flisni shqip me krenari, sepse është gjuha e rrënjëve tuaja dhe një urë që ju lidh gjithmonë me historinë dhe kulturën tuaj.

Në fund, Ida Jashari thekson se ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një përgjegjësi e përbashkët e mësuesve, prindërve dhe komunitetit. Përmes shkollës, kulturës dhe përkushtimit të përditshëm, kjo gjuhë vazhdon të jetojë edhe larg atdheut, duke mbetur një lidhje e fortë mes brezave dhe rrënjëve të identitetit kombëtar.

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

 

​Kostoja marramendëse e zgjedhjeve: Si po rrezikohet stabiliteti i Kosovës për kolltukë politikë

Shkuarja e mundshme në zgjedhje të reja në Kosovo po shihet nga njohësit e ekonomisë si një barrë e rëndë financiare dhe institucionale për vendin. Sipas tyre, përveç kostos direkte të organizimit të procesit zgjedhor, situata politike mund të pengojë edhe realizimin e projekteve të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, përcjell albinfo.ch.

Kjo situatë vjen pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si detyrim kushtetues. Sipas saj, vendimi erdhi pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afateve të përcaktuara, ndërsa moszgjedhja e kreut të shtetit deri më 5 mars e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Eksperti ekonomik Safet Gërxhaliu vlerëson se në një kohë kur vendet e zhvilluara përpiqen të forcojnë stabilitetin institucional dhe mirëqenien e qytetarëve, në Kosovë po krijohen situata që dëmtojnë ekonominë.

Sipas tij, dështimet politike që çojnë në zgjedhje të reja përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë për ekonominë e vendit. Ai thekson se niveli i lartë i kredive të qytetarëve dhe bizneseve, rritja e normave të interesit dhe inflacioni në rritje po e bëjnë edhe më të brishtë situatën ekonomike.

Gërxhaliu thekson se vetëm organizimi i zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 9 deri në 10 milionë euro. Sipas tij, përveç kësaj, shpenzime shtesë do të kenë edhe partitë politike dhe kandidatët për deputetë gjatë fushatës zgjedhore.

Ai paralajmëron gjithashtu për mundësinë e keqpërdorimit të parasë publike gjatë periudhës së fushatës, përmes shpërndarjes së ndihmave apo formave të tjera të mbështetjes që mund të përdoren për qëllime elektorale.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Adem Qorrolli, shprehet kritik ndaj situatës aktuale institucionale dhe ekonomike në vend. Sipas tij, Kosova po përballet me probleme serioze sociale dhe ekonomike, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve jetojnë me të ardhura shumë të ulëta.

Ai thekson se shumë qytetarë jetojnë me rreth dy euro në ditë, ndërsa pensionet mbeten në nivele të ulëta, gjë që e bën edhe më të rëndë situatën sociale në vend.

Sipas Qorrollit, shkuarja në zgjedhje në një kohë kur buxheti përballet me mungesa dhe kur qytetarët përballen me varfëri mund ta rëndojë edhe më shumë situatën ekonomike dhe sociale në vend.

Ndërkohë, të enjten në mbrëmje, Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin e ri të vendit. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se procesi i votimit nuk mund të vazhdojë për shkak të mungesës së kuorumit prej 80 deputetësh.

Ajo njoftoi gjithashtu se i është drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës me kërkesë për pezullimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, sipas presidentes Osmani, afatet kushtetuese tashmë kanë përfunduar, çka çoi në vendimin për shpërndarjen e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja.

Dita e Inxhinierëve në EPFL bashkon studentët shqiptarë dhe profesionistët në Lozanë

Shoqata Étudiants Albanais de Lausanne organizoi me sukses aktivitetin Engineers’ Day 2026, një mbrëmje e dedikuar shkëmbimit të përvojave dhe ideve mes studentëve dhe profesionistëve shqiptarë në fushën e inxhinierisë, shkruan albinfo.ch.

Ngjarja u zhvillua në ambientet e École Polytechnique Fédérale de Lausanne dhe u organizua në bashkëpunim me Albanian Engineering of Switzerland. Aktiviteti mblodhi studentë, profesionistë dhe alumni, duke krijuar një hapësirë për diskutime frymëzuese, këshilla profesionale dhe shkëmbim përvojash.

Gjatë mbrëmjes, disa ish-studentë të EPFL ndanë rrugëtimin e tyre profesional, përvojat në tregun e punës dhe këshilla të vlefshme për studentët që synojnë të ndërtojnë karrierë në fushën e inxhinierisë.

Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, studentët dhe të ftuarit që kontribuan në krijimin e një atmosfere dinamike dhe motivuese.

Sipas organizatorëve, aktivitete të tilla synojnë të forcojnë lidhjet mes studentëve shqiptarë në Zvicër dhe profesionistëve të suksesshëm, duke krijuar mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim profesional edhe në të ardhmen. /Albinfo.ch

 

Mund të jetë një imazh i teksti

Mund të jetë një imazh i duke studiuar dhe teksti që thotë "Key message Keymessageforstudents for students Be curious and follow your Becurlousandfollwyourcuriosity curiosity"

Mund të jetë një imazh i duke studiuar dhe teksti

Mund të jetë një imazh i duke studiuar, harta dhe teksti

Laura Fazliu në finale të Grand Prix Linz pas fitoreve bindëse

Xhudistja kosovare Laura Fazliu po vazhdon paraqitjet e shkëlqyera në turneun ndërkombëtar Grand Prix Linz, duke siguruar kualifikimin në finale pas një tjetër fitoreje bindëse në gjysmëfinale, shkruan albinfo.ch.

Në këtë fazë, Fazliu triumfoi ndaj xhudistes gjermane Sara-Joy Bauer. Ajo fillimisht realizoi një Waza-ari, ndërsa më pas me një superhedhje e mbylli luftën me Ippon, duke vulosur vendin në finale të kategorisë deri në 63 kilogramë.

Rrugëtimi i saj drejt finales nisi me një performancë shumë bindëse në xhiron e dytë ndaj xhudistes nga Slovenia, Leila Mazouzi. Fazliu realizoi dy aksione për Yuko, përpara se ta përfundonte ndeshjen me Ippon.

Në përballjen pasuese, xhudistja kosovare ishte po aq dominuese edhe ndaj kroates Nina Cvjetko. Ajo realizoi një hedhje për Waza-ari dhe më pas e mbajti kundërshtaren në tokë për Ippon, duke siguruar kalimin në gjysmëfinale.

Fazliu garon në kategorinë deri në 63 kilogramë dhe në këtë turne mban statusin e bartëses së dytë, duke u konsideruar një nga pretendentet kryesore për medalje.

Në edicionin e sivjetmë të turneut në Linz po marrin pjesë 479 xhudistë nga 59 shtete të botës, duke e bërë këtë garë një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit ndërkombëtar të xhudos.

Fluturime speciale nga Lindja e Mesme drejt Zvicrës pas tensioneve në rajon

Lufta mes Iranit dhe vendeve të rajonit ka shkaktuar pasoja të mëdha në trafikun ajror në Lindjen e Mesme, duke lënë përkohësisht mijëra udhëtarë të bllokuar në aeroporte të ndryshme. Gjatë javës së parë të konfliktit, edhe shumë shtetas zviceranë mbetën të stranded në aeroporte në qytete si Abu Dhabi dhe Dubai, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, pavarësisht se sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit vazhdojnë, trafiku ajror ka filluar të stabilizohet gradualisht. Si pjesë e përpjekjeve për të kthyer turistët në Evropë, të shtunën pritet që dy avionë specialë të kompanisë ajrore zvicerane Edelweiss të transportojnë turistë nga Omani drejt aeroportit të Cyrihut.

Sipas kompanisë, fluturimet speciale u njoftuan të enjten dhe u mbushën shumë shpejt me rezervime. Megjithatë, një pjesë e pasagjerëve kanë vendosur ta anulojnë udhëtimin me këto fluturime.

Zëdhënësi i Edelweiss, Andreas Meier, ka bërë të ditur se disa udhëtarë kanë zgjedhur alternativa të tjera më të hershme, pasi disa kompani ajrore kanë rifilluar fluturimet nga Dubai dhe Maskat drejt Evropës.

Ndërkohë, të premten në mbrëmje, pak pas orës 20:00, një avion i kompanisë Emirates që vinte nga Dubai ka ateruar në aeroportin e Cyrihut. Kompania pritet të realizojë sërish fluturime drejt Zvicrës edhe gjatë së shtunës. Sipas shërbimit të monitorimit të fluturimeve Flightradar, një tjetër avion i Emirates pritet të niset nga Dubai drejt Cyrihut rreth orës 15:00.

Po ashtu, edhe nga Abu Dhabi pritet të ketë fluturime drejt Zvicrës. Avionët e kompanisë Etihad parashikohet të nisen drejt Cyrihut gjatë së shtunës dhe të dielës rreth orës 15:00.

Megjithatë, hapësira ajrore e disa vendeve të tjera të Gjirit, si Katari dhe Bahrejni, mbetet ende e mbyllur për shkak të situatës së tensionuar në rajon.

Vala e re e sulmeve ndaj Iranit, Trump: Më e keqja nuk ka ardhur ende

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Izraeli ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Teheranit, teksa konflikti në Lindjen e Mesme rrezikon edhe më shumë përshkallëzimin, përcjell albinfo.ch.

Aeroporti Mehrabad, në kryeqytetin iranian, është përfshirë nga flakët pas bombardimeve izraelite në zonë.

Goditjet erdhën vetëm disa orë pasi Irani kishte ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj disa vendeve të rajonit, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin.

Përplasjet në rajon u intensifikuan ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk do të negocionte më me Iranin dhe se mënyra e vetme për t’i dhënë fund konfliktit ishte “dorëzimi i pakushtëzuar”.

Trump këmbënguli gjithashtu se “duhet të jetë” i përfshirë në përzgjedhjen e udhëheqësit të ri të Iranit, pas vrasjes së liderit të liderit suprem, Ali Khamenei, gjatë nisjes së ofensivës një javë më parë.

Trump shtoi megjithatë se do të pranonte edhe një zgjedhje jo-demokratike, për sa kohë udhëheqësi i ri do të ishte miqësor ndaj SHBA-së dhe Izraelit.

Sulmet dhe kundërsulmet vazhduan përgjatë gjithë natës. Garda Revolucionare iraniane njoftoi se kishte nisur raundin e 23-të të goditjeve, ndërsa ushtria izraelite tha se po interceptonte raketa të lëshuara drejt Tel Avivit.

Ndërkohë kryeministri britanik Keir Starmer i premtoi princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, se Mbretëria e Bashkuar ishte “gati të ndërhynte” në krizën e Lindjes së Mesme dhe të mbështeste mbrojtjen e tyre, pasi më në fund i lejoi Trumpit të përdorë bazat ushtarake britanike për sulmet kundër Iranit. Bombardues të Forcave Ajrore të SHBA-së, të aftë të godasin objektiva me deri në 34 ton eksploziv, mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar të premten në mbrëmje, duke shtuar dyshimet se mund të jetë i afërt sulmi i madh ndaj Iranit- të cilin Trump e ka quajtur “ai kryesori”, teksa thotë se “më e keqja s`ka ardhur ende”.

Me konfliktin që hyn tani në javën e dytë, Donald Trump nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje nga veprimet ushtarake në rajon.

Sipas burimeve pranë administratës amerikane, presidenti po shqyrton seriozisht edhe mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në terren në Iran, edhe pse më herët e hodhi poshtë një ide të tillë si humbje kohe.

7 Marsi – Dita e Mësuesit

Çdo vit festohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887 u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik (jo fetar), ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.

Dita e Mësuesit është festë kombëtare, nuk është vetëm për punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për nxënës e studentë, është një festë që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar te populli ynë. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha për zhvillimin e arsimit kombëtar.

Duke kujtuar 7 Marsin –Ditën e Mësuesit, nuk mund të lëmë në heshtje e të mos nderojmë edhe rolin e kontributin e mësuesve të palodhur dhe prindërve të urtë shqiptarë që me vetëkontribut mbajnë hapur shkollat shqipe të mësimit plotësues në shumë kantone të Zvicrës.

Zhvillimet e fundit në Kosovë, Grenell: Zoti po na përgatit për rikthimin e Thaçit

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, ka reaguar pas shpërndarjes së Assembly of Kosovo dhe mundësisë për zgjedhje të reja në Kosovo, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në platformën X, Grenell e ka cilësuar zhvillimin si lajm të mirë, duke përmendur edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Lajm i shkëlqyer. Zoti po na përgatit të gjithëve për kthimin e Hashim Thaçit në Kosovë. Thaçi për kryeministër”, ka shkruar Grenell në reagimin e tij.

Sonte “Nata e Zjarreve” në Prekaz

Sot në mbarë Kosovo mbahen aktivitetet përmbyllëse për shënimin e 28-vjetorit të Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Manifestimi tradicional “Nata e Zjarreve” do të nisë në Prekaz nga ora 18:00, ndërsa paralelisht do të bëhet ndezja e flakadanëve në shtatë rajonet e vendit.

Në kuadër të aktiviteteve, nga ora 19:00 në Skenderaj, në sheshin Sheshi Adem Jashari do të mbahet një program artistik përkujtimor.

Ndërkohë, edhe Prishtina do të organizojë ndezjen e flakadanëve në amfiteatrin e sheshit Sheshi Zahir Pajaziti, ku do të hapet edhe një ekspozitë me punime të nxënësve.

Aktivitete përkujtimore do të mbahen edhe në Vushtrria, ku Komuna organizon “Natën e Zjarreve” te Brigada 142 në Stroc, në nderim të sakrificës së luftëtarëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Terras: Kosova përballet me pasiguri të re politike, vërtet zhgënjyese

Raportuesi për Kosovën në European Parliament, Riho Terras, ka reaguar pasi Assembly of Kosovo nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri të vendit, përcjell albinfo.ch.

Pas këtij dështimi, presidentja e Kosovo, Vjosa Osmani, mori vendim për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes një postimi në platformën X, Terras e cilësoi situatën si shqetësuese.

“Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë Presidentin. Kjo është një pengesë serioze. Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, ka shkruar ai.

 

Glauk Konjufca takon ambasadorin zviceran në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovo, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Switzerland në Kosovë, Jürg Sprecher, transmeton albinfo.ch.

Gjatë takimit, ambasadori Sprecher e përgëzoi Konjufcën për mandatin e ri dhe riafirmoi përkushtimin e Zvicrës për bashkëpunim të ngushtë me Kosovën.

Palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, si dhe për rritjen e koordinimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë Organization for Security and Co-operation in Europe.

Në takim u theksua gjithashtu roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në Zvicër, e cila konsiderohet një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve dhe është e përfaqësuar në nivele të ndryshme të jetës publike.

Republika e Kosovës, sipas Konjufcës, mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit dhe bashkëpunimit me Konfederatën Zvicerane./Albinfo.ch

Shaqiri vlerëson Koloton pas fitores së Baselit ndaj Lausannes

Futbollisti shqiptar i Xherdan Shaqiri ka vlerësuar paraqitjen e sulmuesit të talentuar Giacomo Koloto, i cili ishte vendimtar në fitoren e FC Basel ndaj FC Lausanne-Sport me rezultat 2:1 në Swiss Super League, transmeton albinfo.ch.

Koloto realizoi dy golat e ndeshjes, duke i siguruar tri pikë të rëndësishme ekipit të Baselit në garën për pozitat e larta në tabelë.

Shaqiri, i cili u aktivizua në 20 minutat e fundit të takimit të zhvilluar të dielën, theksoi se skuadra zhvilloi një paraqitje të mirë edhe pa praninë e tij në fushë.

“Skuadra luajti mirë edhe pa mua. Këto tri pikë janë shumë të rëndësishme për vetëbesimin tonë”, ka deklaruar Shaqiri për mediumin zviceran Blick.

Pas kësaj fitoreje, Baseli renditet në vendin e katërt në tabelë me 43 pikë, duke vazhduar garën për pozitat që çojnë në garat evropiane. /Albinfo.ch.

Albanian Film Festival Berlin mbahet për herë të parë në zemër të Berlinit

Për herë të parë në qendër të Berlin do të mbahet Albanian Film Festival Berlin, një ngjarje që synon të prezantojë historitë dhe krijimtarinë e kinemasë shqiptare para publikut ndërkombëtar, transmeton albinfo.ch.

Festivali do të zhvillohet nga 5 deri më 9 mars 2026 në ambientet e ACUDkino, ku do të shfaqen filma artistikë, tituj të vlerësuar me çmime dhe programe speciale nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veiut dhe diaspora shqiptare.

Organizatorët e cilësojnë këtë aktivitet si më shumë se një festival filmi, duke e përshkruar atë si një festë të kulturës, identitetit dhe kinemasë shqiptare që synon të bashkojë komunitetin dhe të promovojë artin filmik shqiptar në skenën ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Katër nxënës nga Kosova kualifikohen në finalen ndërkombëtare të STEM në Romë

Katër nxënës nga Vushtrria kanë arritur të kualifikohen në fazën finale të garës ndërkombëtare të shkencës dhe teknologjisë STEM Competition, e cila do të mbahet në Romë, transmeton albinfo.ch.

Nxënësit që siguruan këtë sukses janë Arnis Kasumi nga SHFMU “Migjeni”, Ibrahim Maloku dhe Eris Azemi nga shkolla “Andon Zako Çajupi”, si dhe Engjëll Ibrahimi nga SHMU 2.

Kualifikimi i tyre erdhi pas rezultateve të mira në procesin e përzgjedhjes, duke i renditur në mesin e pjesëmarrësve që do të garojnë në nivel ndërkombëtar.

Gara organizohet në bashkëpunim me Infinit Center dhe pjesëmarrja e nxënësve nga Vushtrria konsiderohet një përfaqësim i rëndësishëm i talentit të ri kosovar në fushën e shkencës dhe teknologjisë. /Albinfo.ch

Etnik Shala shkëlqen në Milano Fashion Week

Stilisti kosovar Etnik Shala ishte ndër emrat që tërhoqi vëmendje në edicionin e këtij viti të Milano Fashion Week, i mbajtur më 25 shkurt në ambientet historike të Chiostri di San Barnaba në Milan, transmeton albinfo.ch.

Koleksioni i tij u veçua mes prezantimeve të stilistëve nga vende të ndryshme, duke konfirmuar Shalën si një nga zërat në rritje të modës bashkëkohore nga Kosova.

Vetë stilisti e përshkroi prezantimin në Milano si një moment të veçantë në karrierën e tij, duke theksuar se skenat ndërkombëtare janë një vlerësim i drejtë për punën e dizajnerëve.

Në prezantimin e tij morën pjesë mbi 300 të ftuar, të cilët reaguan me admirim ndaj koleksionit, duke e shndërruar sfilatën e Shalës në një nga momentet më të spikatura të mbrëmjes. /Albinfo.ch

Targa “SO 1” arrin rekord në ankand: 390 mijë franga

Përpjekja e dytë ishte një sukses: Ankandi online për targën “SO 1” i solli një shumë të konsiderueshme Kantonit të Solothurnit: 390,000 franga zvicerane. Ky është një rekord zviceran.

Ankandi, me një çmim fillestar prej 10,000 frangash zvicerane, zgjati një javë dhe përfundoi të mërkurën në mbrëmje, trnsmeton albinfo.ch. Pati 29 oferta. Ofertuesi përfundimtar ishte ai me shifrën “edelstark”. Periudha e ofertimit u zgjat disa herë me disa minuta sepse disa oferta shtesë u morën pak para përfundimit të planifikuar në orën 5:00 pasdite, shkruan watson.ch.

Ankandi i targës “SO 1” ka një histori: Gjatë ankandit të parë në dhjetor, pati oferta abuzive me emra fiktivë që arrinin në total më shumë se një milion franga zvicerane.

Kjo ngriti dyshime midis administratës kantonale brenda natës. Një ditë para se të arrinte shifrën një milion, administrata raportoi se kishte marrë “oferta serioze dhe të besueshme” deri në 357,000 franga, përcjell albinfo.ch. Rritjet jashtëzakonisht të mëdha të çmimeve, në veçanti, ngritën dyshime për oferta mashtruese.

Kantoni kontaktoi ofertuesit më të lartë – dhe dyshimi u konfirmua: ato ishin oferta të rreme. Kantoni e mbylli ankandin dhe premtoi një ankand të ri me një “proces ankandi në përputhje me ligjin”. Kushdo që dëshironte të ofronte tani duhej të identifikohej paraprakisht me të dhëna të vlefshme identifikimi dhe të regjistrohej në internet. U krye edhe një kontroll krediti.

Me ankandin e “SO 1”, kantoni jo vetëm që fitoi një shumë të konsiderueshme, por theu edhe një rekord kombëtar. Rekordi i mëparshëm ishte 299,000 franga, të paguara në vitin 2024 për targën ZH 24.

Bashkimi Evropian kufizon ndihmat për të huajt

Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi se shtetet e BE-së mund të kërkojnë që të huajt nga vendet jashtë Bashkimi Evropian të kenë leje afatgjatë qëndrimi në mënyrë që të përfitojnë ndihma sociale të cilat nuk lidhen me punësimin.

Ky vendim vlen veçanërisht për përfitimet sociale të financuara nga fondet shtetërore, si shtesa për pensionistët me të ardhura të ulëta, dhe jo për ndihmat e lidhura me kontributet e punës.

Vendimi u mor pas padisë së një gruaje shqiptare që jetonte ligjërisht në Itali për dhjetë vjet me djalin e saj, thotë DW, transmeton albinfo.ch.

Ajo kishte leje qëndrimi dyvjeçare dhe leje pune, por nuk kishte punuar kurrë. Kur aplikoi për shtesën e pensionit bazë, kërkesa u refuzua sepse nuk kishte leje qëndrimi afatgjatë. Gjykata Kushtetuese italiane ia referoi çështjen Gjykatës Evropiane, e cila interpretoi ligjet e BE-së mbi trajtimin e barabartë në sigurimet shoqërore.

Gjykata shpjegoi se shtesat e tilla janë ndihmë sociale e pavarur nga kontributet dhe financohen nga fondet shtetërore për të mbrojtur individët nga vështirësitë ekonomike. Prandaj, shtetet mund të vendosin kushte që tregojnë një nivel të caktuar integrimi, si për shembull leja e qëndrimit afatgjatë.

Edhe qytetarët e BE-së mund të kërkojnë ndihma sociale vetëm nëse kanë të drejtë të qëndrojnë përgjithmonë në vendin përkatës.

Jo vetëm karburantet, edhe çmimet e energjisë rriten pas krizës në Lindjen e Mesme

Çmimet e energjisë elektrike në tregjet evropiane po luhaten në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë ditës, ndërsa ndërprerjet në furnizimin me gaz të shkaktuara nga lufta me Iranin po përforcojnë paqëndrueshmërinë në rritje të tregjeve të energjisë në Evropë, në një kohë kur përdorimi i energjisë së rinovueshme po zgjerohet me shpejtësi.

Çmimet me shumicë në tregje si Holanda, Danimarka dhe Gjermania po rriten dhe bien me qindra euro për megavat-orë brenda vetëm disa orësh pasditeje, sipas të dhënave nga Montel Analytics.

Kjo ndodh pasi prodhimi i madh i energjisë nga panelet diellore gjatë ditës zëvendësohet nga prodhimi me gaz natyror kur dielli perëndon. Pas kulmit të kërkesës në mbrëmje, çmimet bien sërish, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Më 4 mars, çmimet ditore në Danimarkë u rritën nga 26 euro për megavat-orë në orën 14:00 në pothuajse 430 euro në orën 17:45, më pak se katër orë më vonë. Në Holandë, çmimet u rritën nga 24 euro në 450 euro gjatë të njëjtës periudhë, ndërsa luhatje të ngjashme të mëdha u regjistruan edhe në Belgjikë dhe Gjermani.

Çmimet me shumicë të energjisë në Evropë janë bërë më të paqëndrueshme vitet e fundit për shkak të rritjes së energjisë së rinovueshme, e cila është e ndërprerë nga natyra. Kur ka erë dhe diell, çmimet bien për shkak të prodhimit të lartë; kur kërkesa mbulohet nga karburantet fosile, çmimet rriten.

Kjo prirje është përforcuar edhe më shumë këtë javë për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me gaz nga Lindja e Mesme, të cilat kanë rritur koston e gazit për centralet elektrike. “Po shohim çmime shumë të ulëta ose edhe negative pasdite, pasi energjia diellore e nxjerr gazin jashtë tregut,” tha Jean-Paul Harreman, drejtor në Montel. “Pastaj në mbrëmje duhet të fillojë prodhimi me gaz, por me ato çmime më të larta për shkak të luftës me Iranin. Kjo krijon këto luhatje masive të çmimeve.”

Ai shtoi se hendeku midis çmimeve ka gjasa të zgjerohet ndërsa afrohet pranvera dhe prodhimi nga energjia diellore rritet. Kjo situatë pritet të jetë shumë pozitive për pronarët e asetepve të ruajtjes së energjisë, si bateritë. “Për ata që kanë një aset fleksibël, ky është një lajm i shkëlqyer,” tha ai.

Këto luhatje pasqyrojnë transformimin e formës së tregjeve të energjisë në shumë vende evropiane për shkak të rritjes shumë të shpejtë të energjisë diellore, e cila ka tejkaluar ndjeshëm zhvillimin e kapaciteteve të ruajtjes së energjisë në bateri.

Bashkimi Evropian kishte rreth 406 gigavat kapacitet të instaluar të energjisë diellore deri në fund të vitit të kaluar. Në qershor të vitit të kaluar, për herë të parë, energjia diellore u bë burimi më i madh i prodhimit të energjisë elektrike në BE. Në atë muaj, Holanda prodhoi rreth 40 për qind të energjisë së saj nga dielli; ndërsa në Gjermani dhe Danimarkë energjia diellore përbënte më shumë se 20 për qind të prodhimit.

Numri i paneleve diellore është tashmë aq i madh në disa tregje saqë centralet me gaz nuk janë të nevojshme gjatë mesditës, kur panelet prodhojnë sasi të mëdha energjie elektrike.

Megjithatë, pjesa më e madhe e kësaj energjie nuk mund të ruhet ende. Si rezultat, çmimet bien ndjeshëm dhe shpesh bëhen negative, duke bërë që prodhuesit të paguajnë konsumatorët për të marrë energjinë, në mënyrë që të shmangin ndalimin e kushtueshëm të prodhimit.

Kur dielli perëndon, centralet me gaz ose qymyr duhet të hyjnë në punë për të përmbushur kërkesën, shpesh me çmime më të larta se në të kaluarën, sepse ato duhet të gjenerojnë fitim edhe pse operojnë për më pak kohë.

Sipas të dhënave nga S&P Global Commodity Insights, në dhjetë tregje evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, çmimet e energjisë u bënë negative një rekord prej 2,821 herë gjatë verës së kaluar, ndërsa numri i orëve me çmime shumë të larta gjithashtu u rrit ndjeshëm. Kjo dinamikë është bërë veçanërisht e fortë këtë javë, sepse çmimi i gazit është rritur ndjeshëm pasi Katari, prodhuesi i dytë më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm (LNG), ndaloi prodhimin pas sulmeve ndaj infrastrukturës së tij dhe pasi Ngushtica e Hormuzit u bë pothuajse e pakalueshme.

Kjo situatë ka çuar gjithashtu në rritjen e çmimeve të qymyrit, pasi kompanitë e energjisë në Evropë dhe në Azinë verilindore po kërkojnë alternativa ndaj gazit për të siguruar furnizimin me energji elektrike.

Edhe në Itali rriten çmimet e karburanteve

Çmimet e karburantit në Itali kanë vijuar rritjen. Çmimi mesatar i benzinës arriti në 1.724 euro për litër në qytete, kundrejt 1.672 euro të hënën dhe 1.836 euro në autostrada, kundrejt 1.778 euro të hënën.

Çmimet e naftës janë rritur edhe më tej: 1.818 euro për litër në qytete nga 1.727 euro të hënën dhe 1.948 euro në autostrada nga 1.727 euro të hënën.

Sipas statistikave, ky është niveli më i lartë që nga marsi i vitit 2024, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Codacons (shoqata italiane e mbrojtjes së konsumatorit) ka raportuar rritje prej 2.50 euro për litër për naftën në autostradë dhe ka theksuar se ulja e taksës së akcizës mund të zbusë çmimet.

Adoc (shoqata italiane e mbrojtjes së konsumatorit) i ka konsideruar këto lëvizje si “spekulime” nga kompanitë e naftës.

Shoqata i ka dërguar një raport Ministrit të Transportit, duke kërkuar masa për të frenuar rritjen, “duke filluar me fenomenet spekulative të raportuara ” dhe për transparencë maksimale në lidhje me rritjet, të cilat shoqata i vlerëson deri në 30 cent.

Ministri i Sipërmarrjeve, ka thirrur dy takime të Komisionit të Alarmit të Shpejtë të Çmimeve, të kryesuar nga rregullatori italian. Takimi i parë do të përqendrohet në ecurinë e tregut të energjisë, me fokus në produktet e naftës dhe i dyti do të përqendrohet në ndikimet e mundshme inflacioniste.

Me një udhëzim të fundit, monitorimi i karburantit është rritur që nga fillimi i javës dhe gjetjet fillestare i janë përcjellë Guardia di Finanza. Gjithashtu, rregullatori u ka kërkuar kompanive kryesore të naftës sqarime mbi ndryshimet e fundit të çmimeve, veçanërisht rritjet e shpejta të çmimeve.

Akuzë për racizëm pas sulmit me çekiç ndaj nxënësit shqiptar dhe atij nga Iraku

Pas një sulmi me çekiç ndaj dy nxënësve në Bavari, Prokuroria Publike e Mynihut ka akuzuar një 15-vjeçar për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë. Hetuesit deklaruan të mërkurën se besojnë se nxënësi sulmoi viktimat e tij, të moshës 13 dhe 14 vjeç, të cilët janë nga Kosova dhe Iraku, për motive raciste, transmeton albinfo.ch.

Akuzat janë ngritur në Dhomën e të Miturve të Gjykatës Rajonale të Augsburgut, shkrun br.de.

I akuzuari është në paraburgim. Ai dyshohet se shkoi në shkollën e mesme në Friedberg, Swabia, më 2 tetor, i veshur me një kostum si uniformë dhe me një helmetë ushtarake, me qëllim vrasjen “e të huajve dhe myslimanëve”.

15-vjeçari thuhet se ishte i armatosur me dy pistoleta airsoft dhe një çekiç. Ai akuzohet se i ka sulmuar viktimat e tij pa paralajmërim, duke i goditur në kokë dhe trup, duke u shkaktuar lëndime të lehta deri të mesme.