Europol godet grupe mafioze, katër të arrestuar në Zvicër

Shtatë persona janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, katër prej tyre në Zvicër, në komunën e Roveredo në Graubünden. Të arrestuarit kishin leje qëndrimi B dhe lidhen me një rrjet ndërkombëtar të kokainës të Camorras dhe ‘Ndranghetas.

Hetimet, të koordinuara nga Europol dhe me pjesëmarrjen e Fedpol, zbuluan se droga transportohej nga Amerika e Jugut dhe fshihej në makina luksoze, ndërsa fitimet pastroheshin përmes kompanive dhe investimeve në prona. Në Zvicër nuk u bë asnjë arrestim gjatë bastisjeve.

Irani godet me dron në afërsi të Konsullatës amerikane në Dubai

Në afërsi të Konsullatës amerikane në Dubai është kryer sulm me dron nga Irani, duke shkaktuar shqetësim dhe tension të menjëhershëm në zonë.

Sipas informacioneve fillestare, droni goditi një parking pranë ndërtesës së konsullatës, duke shkaktuar edhe një zjarr të vogël. Autoritetet lokale njoftuan se situata u kontrollua shpejt dhe flakët u fikën pas ndërhyrjes së shpejtë të ekipit të emergjencës.

Dëshmitarët e sulmit filmuan momentet e incidentit dhe videot janë shpërndarë më pas në rrjetet sociale, duke treguar çastin kur droni goditi zonën pranë ndërtesës dhe tymin që u ngrit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha pak pas incidentit se i gjithë stafi i konsullatës është i sigurt dhe nuk ka pësuar lëndime. Ai shtoi se droni goditi vetëm hapësirën e jashtme dhe nuk arriti të depërtojë brenda objektit.

Ekipet e emergjencës në Dubai reaguan menjëherë, izoluan zonën dhe shuan zjarrin në kohë rekord.

Derisa nuk ka raportime për viktima apo të lënduar, hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

Kriza në policinë kantonale të Jurës: presion dhe mesazhe raciste të shumta

Policia kantonale e Jura po përballet me një krizë të brendshme. Oficerët denoncojnë presionin nga hierarkia dhe praktika të diskutueshme në lidhje me gjobat, ndërsa disa dëshmi përmendin edhe mesazhe raciste në WhatsApp. Qeveria ka vendosur të emërojë një ekspert për të analizuar situatën.

Në një intervistë anonime për RTS, oficerët shprehen të lodhur dhe nën presion të vazhdueshëm nga eprorët e tyre. Ata kritikojnë veçanërisht politikën e brendshme lidhur me gjobat, duke thënë se mungesa e gjobave të mjaftueshme sjell kritika dhe krahasime me kolegët.

Gjithashtu, është përmendur një grup WhatsApp me përmbajtje raciste, i ngjashëm me ato të policisë së Lausanne, ku mesazhet përmbanin sharje dhe nxitje kundër grupeve etnike.

Komandanti kantonal, Damien Rérat, ka refuzuar të komentojë, ndërsa ministri i mbikëqyrjes, Valentin Zuber, tha se nuk ka objektiva numerike të vendosura për gjobat dhe se fakti i mesazheve raciste, nëse vërtetohet, është serioz.

Situatën e tensionuar e thellojnë largimet e shumta: 6 oficerë u larguan në 2024 dhe 15 në 2025, nga një total prej 180 punonjësish, ose rreth 12% brenda dy vitesh. Sindikata e policisë e përshkruan këtë si “një simptomë e një problemi të thellë” dhe qeveria ka vendosur të angazhojë një ekspert të pavarur për të analizuar dhe përmirësuar klimën në forcën policore.

Këshilli i Madh i Vaudit mbështet marrëveshjet kolektive mbi pagën minimale kantonale

Këshilli i Madh i kantonit Vaud ka vendosur që marrëveshjet kolektive të punës të kenë përparësi mbi pagën minimale kantonale. Paga minimale e propozuar është 23 franga për orë, por me përjashtime dhe nëse marrëveshjet kolektive nuk përcaktojnë një shumë tjetër.

Shumica e djathtë e parlamentit miratoi kundërpropozimin e Këshillit të Shtetit me 78 vota pro, 51 kundër dhe 4 abstenime, duke kërkuar respektimin e marrëveshjeve kolektive dhe të realiteteve specifike të sektorëve ekonomikë, si hoteliere dhe restorante.

Përjashtime përfshijnë sektorin bujqësor, punët sezonale të studentëve dhe disa aktivitete të kujdesit për fëmijët. Deputetët e majtë e kritikuan vendimin, duke thënë se paga minimale është një mjet thelbësor për të siguruar një jetesë dinjitoze.

Sipas të dhënave të vitit 2022, 4.9% e punonjësve në Vaud paguhen më pak se 23 franga për orë, përkatësisht rreth 20,300 persona nga gjithsej 414,300 punonjës. Kantone të tjera zvicerane si Jura, Ticino, Basel-City, Neuchâtel dhe Gjenevë gjithashtu kanë vendosur paga minimale, me përparësi ose për marrëveshjet kolektive, ose për pagën minimale kantonale.

Dhuna ndaj grave në BE mbetet e përhapur dhe shpesh e neglizhuar

Dhuna ndaj grave në vendet e Bashkimit Evropian vazhdon të jetë e përhapur, po merr gjithnjë e më shumë forma digjitale dhe shpesh neglizhohet nga institucionet përgjegjëse për parandalimin dhe luftimin e saj. Kështu thuhet në një sondazh të publikuar të martën nga Agjencia për të Drejtat Themelore të BE-së (FRA) dhe Instituti Evropian për Barazi Gjinore (EIGE).

Sipas të dhënave, gati një në tre gra (30.7%) në BE kanë përjetuar dhunë fizike (përfshirë kërcënimet) dhe/ose seksuale gjatë jetës së tyre, që nga mosha 15 vjeçare. Edhe fëmijët preken ndjeshëm: 32.9% e vajzave kanë përjetuar dhunë fizike ose psikologjike nga prindërit.

Studimi tregon se 17.2% e grave kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Sipas FRA-së, gratë kanë pothuajse dyfish më shumë gjasa të përdhunohen përmes detyrimit ose paaftësisë për të refuzuar, sesa përmes përdorimit të forcës fizike të drejtpërdrejtë.

Dhuna nga partneri

Rreth 9.8% e grave kanë pësuar lëndime fizike nga partnerët e tyre, ndërsa 29.9% kanë përjetuar abuzim psikologjik nga bashkëshortët apo partnerët. Kjo përfshin poshtërim, xhelozi, frikësim dhe kontroll të vazhdueshëm. Për 12.7% të tyre, këto forma dhune ndodhin shpesh.

Po ashtu, 20.3% e grave raportojnë dhunë ekonomike nga partnerët, si ndalimi për të punuar ose mungesa e kontrollit mbi financat familjare.

Rritja e dhunës digjitale

Studimi thekson se digjitalizimi po e përkeqëson situatën:

8.5% e grave kanë qenë viktima të ngacmimit online

7% e grave që punojnë kanë përjetuar ngacmim seksual në internet

10.2% kanë qenë të monitoruara ose të gjurmuara nga partneri i tyre intim

Pak raste raportohen

Vetëm një pjesë e vogël e viktimave raportojnë dhunën:

6.1% e grave që përjetojnë dhunë nga partneri i drejtohen policisë

11.3% e atyre që dhunohen nga persona të tjerë bëjnë kallëzim

Turpi, frika, vetëfajësimi dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve janë arsyet kryesore të këtij heshtjeje.

“Kur abuzimet normalizohen ose injorohen, kjo tregon dështime sistemike. Shtetet kanë detyrimin të parandalojnë, të mbrojnë dhe të garantojnë qasje në drejtësi,” theksoi drejtoresha e FRA-së, Sirpa Rautio.

Çfarë duhet të bëjnë udhëtarët zviceranë të bllokuar në Lindjen e Mesme

Mijëra turistë, përfshirë mbi 4 mijë shtetas zviceranë, kanë mbetur të bllokuar në Lindjen e Mesme pas tensioneve mes Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Në këtë situatë të pasigurt, autoritetet dhe ekspertët japin disa udhëzime të qarta për veprim.

Së pari, kërkohet durim. Për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore dhe rrezikut nga sulmet, fluturimet janë të kufizuara dhe kthimi i menjëhershëm nuk është i mundur.

Udhëtarët duhet të ndjekin udhëzimet zyrtare. Autoritetet zvicerane rekomandojnë që qytetarët të qëndrojnë në kontakt me ambasadat dhe të informohen vazhdimisht për zhvillimet.

Kontakti me kompanitë ajrore është thelbësor. Pasagjerët duhet të komunikojnë me linjat ajrore ose agjencitë e udhëtimit për të riplanifikuar fluturimet. Në shumicën e rasteve, kompanitë mbulojnë shpenzimet bazë si akomodimi dhe ushqimi deri në organizimin e kthimit.

Duhet shmangur marrja e vendimeve të nxituara. Nëse udhëtarët zgjedhin të kthehen me mjete alternative, ekziston rreziku që kostot të mos rimbursohen, pasi anulimet konsiderohen si rrethana të jashtëzakonshme.

Për ata që planifikojnë të udhëtojnë, rekomandohet të shtyjnë ose rishikojnë planet. Autoritetet këshillojnë të shmangen udhëtimet jo të domosdoshme drejt shumë vendeve të rajonit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Arabinë Saudite.

Në përfundim, situata mbetet e paqëndrueshme dhe zgjidhja më e sigurt për udhëtarët është të qëndrojnë të informuar, të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të presin stabilizimin e trafikut ajror.

Temperaturat mbeten të larta në Zvicër gjatë dimrit 2025–2026

Temperaturat në Zvicër kanë qenë sërish veçanërisht të larta gjatë dimrit të fundit, sipas të dhënave nga MeteoSwiss.

Sipas këtij institucioni, temperatura mesatare gjatë dimrit meteorologjik (dhjetor 2025 dhe janar–shkurt 2026) ka qenë -0.2°C, që është 1.6°C më e lartë se mesatarja e periudhës referuese 1991–2020. Ky dimër renditet si i gjashti më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1864, transmeton albinfo.ch.

Shkurti 2026, ndër më të ngrohtit në histori

Gjatë muajve dhjetor dhe janar, temperaturat në zonat malore ishin më të buta se mesatarja afatgjatë. Ndërkohë, në shkurt temperaturat tejkaluan mesataren në të gjithë vendin.

Edhe pse pas dy muajsh me reshje të pakta, në rajonet frankofone, në Valais dhe në shpatet veriore të Alpeve pati reshje të konsiderueshme bore gjatë shkurtit, ky muaj mbeti sërish jashtëzakonisht i ngrohtë.

Shkurti 2026 renditet si muaji i pestë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, me një temperaturë mesatare 3.2°C mbi normën referuese.

Rritje e ndjeshme e temperaturave ndër vite

Të dhënat tregojnë një trend të qartë ngrohjeje: temperatura mesatare e muajit shkurt është rritur nga 1.4°C në 5.1°C gjatë 140 viteve të fundit. Kjo konfirmon ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për pasoja të vazhdueshme në vitet e ardhshme.

Probleme në linjën hekurudhore Lozanë–Gjenevë, anulime dhe vonesa

Qarkullimi hekurudhor mes Lozanë dhe Genevë është përballur me ndërprerje të martën për shkak të një defekti në linjën ajrore të energjisë mes Nyon dhe Gland, njoftoi Swiss Federal Railways (SBB).

Trafiku u ndal plotësisht për rreth 40 minuta, ndërsa aktualisht qarkullimi vijon vetëm në një binar, duke shkaktuar anulime dhe vonesa. Autoritetet presin normalizimin e plotë të shërbimit në mbrëmje.

Disa linja, përfshirë IC1 dhe IR90, janë pezulluar në segmente të caktuara, ndërsa linjat IR15 dhe IR95 po operojnë me pengesa. Trenat Regio Express vazhdojnë normalisht, por vonesat mbeten të mundshme.

Ky incident vjen pas një sërë problemesh të fundit në rrjetin hekurudhor në zonën e Lozanës, përfshirë dëmtime infrastrukturore dhe ndërprerje të tjera gjatë javëve të fundit.

Samiti IV i Diasporës Shqiptare: “Through Roots We Rise”, një kapitull i ri në marrëdhënien me diasporën

Samiti IV i Diasporës Shqiptare vjen këtë vit me mesazhin qendror “Through Roots We Rise”, duke reflektuar qasjen e re të Qeveria e Shqipërisë për të rilidhur, forcuar dhe ringjallur marrëdhënien strategjike me diasporën shqiptare – një nga asetet më të çmuara të vendit për imazhin, reputacionin dhe zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.

“Samiti nuk konceptohet thjesht si një takim simbolik, por si një hap i ri politik dhe institucional për të rishikuar mënyrën se si shteti shqiptar mbështet diasporën, dëgjon nevojat e saj dhe amplifikon sukseset e individëve, profesionistëve, sipërmarrësve dhe komuniteteve shqiptare në mbarë botën.”, thonë orgamizatorët.

Modeli H.E.A.R.T – pesë rrënjë strategjike

Arkitektura tematike e samitit është ndërtuar mbi modelin H.E.A.R.T, i cili përfaqëson pesë shtylla kryesore strategjike:

TWINNING – Dimensioni praktik i bashkëpunimit, që synon binjakëzimin e projekteve, shkëmbimin e ekspertizës dhe lidhjen e institucioneve, qyteteve dhe profesionistëve. Qëllimi është që marrëdhënia me diasporën të shndërrohet në një proces të vazhdueshëm dhe të matshëm.

REPUTATION – Shtylla që lidhet me forcimin e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Përmes digjitalizimit të shërbimeve, promovimit të historive të suksesit dhe rritjes së transparencës institucionale, synohet ndërtimi i një narrative pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët në botë.

ALLIANCES – E fokusuar në forcimin e diplomacisë dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike. Diaspora shihet si një faktor aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë publike dhe krijimin e aleancave afatgjata.

ECONOMY – Reflekton qasjen për ta konsideruar diasporën si partnere zhvillimi, përmes investimeve, remitancave, edukimit financiar dhe përfshirjes në ekonominë kombëtare. Synimi është ndërtimi i urave konkrete mes suksesit ekonomik të diasporës dhe potencialit zhvillimor të vendit.

HERITAGE – Vendos në qendër ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore shqiptare, si themel i identitetit përtej kufijve. Trashëgimia trajtohet si kapital aktiv identitar dhe diplomatik.

Drejt Shqipërisë 2030

Sipas organizatorëve, këto pesë rrënjë përbëjnë zemrën strategjike të Samitit IV të Diasporës Shqiptare, duke pasqyruar një vizion për një diasporë jo vetëm të lidhur emocionalisht me historinë e saj, por të përfshirë konkretisht në ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.

Samiti shënon kështu një moment të ri bashkimi dhe riorganizimi, një hapësirë dialogu ku synohet të dëgjohen zërat e diasporës dhe të ndërtohen politika më funksionale në funksion të objektivit afatgjatë: Shqipëria 2030.

 

Trump: Pas përfundimit të situatës në Iran, çmimet e naftës do të bien më shumë se më parë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se çmimet e naftës mund të mbeten të larta përkohësisht për shkak të zhvillimeve ushtarake mes Shtetet e Bashkuara, Izrael dhe Iran.

Ai theksoi se kjo rritje është e përkohshme dhe se sapo të përfundojë operacioni në Iran, çmimet e naftës pritet të bien, madje mund të ulen edhe më poshtë se niveli që kishin më parë.

“Nëse për një periudhë të shkurtër kemi çmime pak më të larta të naftës, pas përfundimit të situatës ato do të bien, ndoshta edhe më shumë se më parë,” shtoi Trump.

Çmimet e pronave në Shqipëri dhe Ballkan, sa dallojnë

Sipas studimit të Investropa që nga fillimi i vitit 2026, tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po shfaq një nivel më të lartë paqëndrueshmërie krahasuar me tregje më të konsoliduara si Greqia dhe Kroacia, por të ngjashëm me vende në zhvillim si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Madhësia relativisht e vogël e tregut shqiptar e bën atë më të ndjeshëm ndaj luhatjeve në investimet e huaja dhe flukset turistike, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në kërkesë dhe çmime.

Gjatë dekadës së fundit, rritja e çmimeve ka qenë e fortë. Në Tiranë, apartamentet janë rritur nga rreth 800–1,000 euro për metër katror në vitin 2015 në 2,300–2,700 euro për metër katror në vitin 2025, duke trefishuar vlerën në një dekadë. Në krahasim, tregje më të pjekura si bregdeti i Kroacisë kanë regjistruar rritje më të qëndrueshme, rreth 40%–60% në të njëjtën periudhë. Nga ana tjetër çmimet e pronave në Greqi u rritën me rreth 7% në të gjithë vendin gjatë 12 muajve të fundit që përfunduan në janar 2026, duke vazhduar trendin rritës që ka karakterizuar tregun grek që nga viti 2018. Çmimet e pronave në Mal të Zi gjithashtu u rritën me afërsisht 20% gjatë 12 muajve të fundit, bazuar në statistikat zyrtare që krahasojnë tremujorin e tretë të vitit 2024 me tremujorin e tretë të vitit 2025, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Analizat e bazuara në të dhënat e BIS, Eurostat dhe Raportin e Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë tregojnë se Shqipëria ka përjetuar luhatje më të theksuara ciklike.

Megjithatë, tregu ka dëshmuar një rezistencë të moderuar gjatë krizave. Në periudhën e krizës financiare globale 2008-2012, çmimet ranë rreth 10%–20% në terma nominalë dhe iu deshën 5–7 vite për t’u rikthyer në nivelet para krizës.

Historikisht, zonat që kanë ruajtur më mirë vlerën gjatë rënieve kanë qenë apartamentet në qendër të Tiranës, veçanërisht në zona si Blloku dhe pranë Sheshit Skënderbej, si edhe pronat buzë detit në Sarandë. Këto zona përfitojnë nga kërkesa e vazhdueshme si nga blerës vendas, ashtu edhe nga investitorë të huaj, duke i bërë më elastike në kohë pasigurie ekonomike.

Anulohen 18 mijë fluturime e rriten çmimet e biletave

Rrugët alternative për shkak të kufizimeve në hapësirën ajrore të Gjirit dhe mbylljes së hapësirës ajrore ruse. Çmimet e biletave të avionit arrijnë në nivele rekord, shkruan IlSole24ore.

Katër ditë pas nisjes së sulmit ndaj Iranit nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, tensioni në hapësirën ajrore mbetet i lartë. Konflikti po zgjerohet dhe Dubai, Katari, Abu Dabi e Libani janë bërë praktikisht të paarritshëm, ndërsa numri i fluturimeve të anuluara po rritet në mënyrë të pashmangshme.

Që nga fillimi i konfliktit, më 28 shkurt, janë anuluar 18 mijë fluturime me nisje dhe mbërritje nga Lindja e Mesme, nga 12,900 që ishin një ditë më parë – rreth 54% e fluturimeve të planifikuara, sipas kompanisë së analizës së aviacionit Cirium, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Dhjetëra mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar dhe fluturimet e vetme që po kryhen nga kompanitë ajrore janë ato speciale për evakuim. Në aeroportin Fiumicino të Romës, nga 28 shkurti deri të martën, 3 mars, janë anuluar 106 fluturime mes mbërritjeve dhe nisjeve, nga gjithsej 800 fluturime të planifikuara drejt dhe nga aeroporti i kryeqytetit. Vetëm sot janë raportuar 12 anulime, të njoftuara paraprakisht për pasagjerët që nuk u paraqitën në aeroport.

Për sot janë planifikuar gjithashtu dy fluturime riatdhesimi, një nga Etihad, kompania e Abu Dabit, dhe një nga Oman Air. Në aeroportin Milano Malpensa, që nga 28 shkurti janë anuluar rreth 85 fluturime mes mbërritjeve dhe nisjeve.

Pasojë e menjëhershme e kësaj situate është rritja e fortë e çmimeve të biletave ajrore në linjat Azi-Evropë, pas mbylljes së aeroporteve në Gjirin Persik. Kompanitë ajrore janë të detyruara të gjejnë itinerare alternative që shmangin Lindjen e Mesme, çka nënkupton rrugë më të gjata dhe më të kushtueshme për shkak të konsumit më të lartë të karburantit.

Një shembull vjen nga kompania australiane Qantas Airlines: për pasagjerët që duhet të kthehen urgjentisht në Londër nga Sidnei, itinerari i ofruar kalon përmes Los Anxhelosit ose Kejp Taunit, ndërsa zakonisht fluturimi realizohet përmes Singaporit. Megjithatë, kjo linjë përmes Singaporit do të jetë sërish e disponueshme vetëm nga 17 marsi. Çmimi i biletës në klasë ekonomike shkon rreth 2,500 euro.

Fluturimi direkt nga Bangkoku në Londër me Thai Airways është plotësisht i rezervuar. Ndërsa me Cathay Pacific, fluturimi direkt nga Hong Kongu në Londër nuk ka vende të lira në klasë ekonomike deri më 11 mars.

Nyjet ndërlidhëse kryesore të Gjirit, përfshirë aeroportin e Dubait – më i ngarkuari në botë për fluturime ndërkombëtare dhe që zakonisht menaxhon mbi 1,000 fluturime në ditë – kanë mbetur të mbyllur për të katërtën ditë radhazi. Kjo ka reduktuar ndjeshëm kapacitetin në linja të njohura si ato nga Australia drejt Europës, ku Emirates dhe Qatar Airways zakonisht mbajnë një pjesë të madhe të tregut.

Kompanitë ajrore që ofrojnë fluturime direkte mes Azisë dhe Evropës po përpiqen të shmangin hapësirën ajrore të mbyllur në Lindjen e Mesme duke fluturuar në veri përmes Kaukazit dhe Afganistanit, ose në jug përmes Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Omanit.

Megjithatë, këto itinerare zgjasin kohën e fluturimit dhe rrisin konsumin e karburantit, duke shtuar kostot në një moment kur çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm. Si pasojë, edhe çmimet e biletave ajrore janë në rritje.

Kompanitë e Gjirit po përballen me goditjen më të fortë. Emirates, kompania me bazë në Dubai, ka anuluar rreth 2,000 fluturime që nga fillimi i konfliktit, ndërsa hapësira ajrore pritet të mbetet e mbyllur të paktën deri më 4 mars. E njëjta situatë vlen edhe për Etihad, Air Arabia, Oman Air dhe Qatar Airways, të cilat aktualisht ofrojnë kryesisht fluturime riatdhesimi.

Ndërkohë, kompanitë që operojnë fluturime direkte ose përmes qendrave alternative jashtë rajonit të prekur – si Cathay Pacific e Hong Kongut, Singapore Airlines dhe Turkish Airlines – ndodhen në një pozicion më të favorshëm, të paktën në afat të shkurtër, pasi po zgjidhen si alternativë ndaj kompanive të Gjirit.

100 ditë nga fillimi i Botërorit: Shumë dilema para Kupës së Botës

Bota është një kaos total pas sulmit të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit dhe përgjigjes së këtij të fundit në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme me baza amerikane në to.

Dhe e gjithë kjo kur duhen edhe 100 ditë nga fillimi i kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik, Kupa e Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada, turne ku është kualifikuar edhe Irani.

Por parashikimet për këtë të fundit nuk janë shumë të mira teksa vetë presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit vuri në dyshim praninë e kombëtares së Iranit në këtë edicion të Kupës së Botës, ndërkohë që kritikat për përshkallëzimin e këtij konflikti të nisur nga SHBA dhe Donald Trump janë gjithnjë e më të forta, transmeton albinfo.ch.

Ajo që duhet të ishte një festë, numërimi mbrapsht i 100 ditëve, tani është një event i rrethuar na një det dyshimesh, pasiguria pushton një turne për të cilin janë ngritur shumë pikëpyetje.

FIFA përmes sekretarit të Përgjithshëm, Mathias Grafström tha se po monitoron situatën, por duket shumë e komplikuar që ky organizëm të bëjë diçka kundër një prej vendeve organizatore, SHBA dhe një prej partnerëve kryesorë, Trump, kur kanë mbetur pak më shumë se 3 muaj nga fillimi i Botërorit.

Situata në Lindjen e Mesme është gjithnjë e më e destabilizuar. Të hënën u bombardua një nga rafineritë që i përkisnin kompanisë Aramco, një prej kompanive më të mëdha të naftës në botë dhe partner i FIFA dhe sponsor zyrtar i Botërorit.

Ndërkaq, futbollistë, trajnerë dhe punonjës të huaj  në vendet pranë Iranit si Emiratet e Bashkuara Arabe, Oman apo Bahrejn kanë mbetur të bllokuar. ‘Luajtëm një ditë më parë një ndeshje të Kupës dhe kishim ditën e lirë. Kur ishim pranë, nisën të binin sirenat e alarmit dhe punonjësit e sigurisë na thanë se duhej të ktheheshim sepse sulmuan ambasadën e SHBA. Ishim të frikësuar, kjo duhet të përfundojë-tregon Miguel Angel Baltanas, anëtar i stafit teknik të Al Muharraq SC në Bahrein.

Por në këtë moment, nuk është vetëm Irani në dyshim për botërorin 2026; edhe Haiti që kthehet në një Kupë bote, pas 52 vitesh, është në listën e 14 vendeve jo të rregullta sipas politikës së emigracionit të Trump dhe për këtë arsye asnjë prej shtetasve haitianë nuk lejohet të hyjë në SHBA. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë përjashtim gjatë 38 ditëve të Botërorit

Një tjetër problem që lindi në prag të Kupës së Botës, lidhet me Meksikën, vendin tjetër pritës të kompeticionit. Dhuna e shfaqur në vend pas vrasjes së shefit të kartelit të Jaliscos, El Mencho, ka prekur qytetet meksikane që do të presin ndeshjet e Botërorit sic është Guadalajara, ku në 26 qershor është programuar të luhet psh ndeshja me Spanjës dhe Uruguait, sfida e fundit në grup.

Më shumë vende pune do të shkurtohen në Zvicër në vitin 2026

Grupi zviceran i logjistikës Kühne+Nagel po eliminon dukshëm më shumë vende pune sesa ishte planifikuar, tha kompania me seli në Schwyz.

Ajo do të eliminojë mbi 2,000 pozicione këtë vit, nga 1,000 në 1,500 të planifikuara fillimisht, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Arsyeja e shkurtimeve është financiare, që synon të gjenerojë kursime prej 150 milionë frangash, që tejkalon objektivin e mëparshëm prej 110 milionë frangash.

Kompania është në pronësi kryesisht të një shtetasi gjerman, Klaus-Michael Kühne.

Me një pasuri të vlerësuar në 41 miliardë franga, ai është banori i huaj më i pasur i Zvicrës.

Një nga shumë

Kühne+Nagel është e fundit në një linjë të gjatë kompanish në Zvicër që planifikojnë të shkurtojnë qindra apo edhe mijëra vende pune – ose e kanë bërë tashmë këtë.

Midis tyre është grupi i sigurimeve Helvetia Baloise, i cili do të eliminojë midis 1,400 dhe 1,800 vende pune në Zvicër gjatë tre viteve të ardhshme.

Rreth 3,000 punonjës të UBS do të humbasin gjithashtu vendet e tyre të punës në Zvicër, si pjesë e planit të bankës për të pushuar nga puna 10,000 nga fuqia punëtore e saj globale.

Gjigandi farmaceutik Novartis planifikon të shkurtojë 550 vende pune në Zvicër deri në fund të vitit 2027, dhe transmetuesi publik SRG do të eliminojë rreth 900 vende pune gjatë tre viteve të ardhshme, ndërsa përpiqet të ulë kostot.

Maja e ajsbergut

Megjithatë, vendet e punës po shkurtohen jo vetëm në sektorin privat.

Për shkak të shkurtimeve të fondeve nga Shtetet e Bashkuara, mijëra punonjës të organizatave të Kombeve të Bashkuara me seli në Gjenevë janë pushuar nga puna, dhe pritet që të pushohen nga puna edhe më shumë në vitin 2026.

Duke pasur parasysh të gjitha këto humbje, cili është parashikimi për tregun e punës në Zvicër?

Nuk është shumë keq, thonë ekonomistët.

Për shembull, sipas Institutit Ekonomik KOF, “pavarësisht rritjes së papunësisë [në vitin 2025], treguesit kryesorë vazhdojnë të tregojnë një treg të fortë pune”.

Kjo për shkak se “mungesa e fuqisë punëtore mbetet relativisht e lartë në pothuajse të gjithë sektorët dhe e njëjta gjë vlen edhe për numrin e vendeve të lira të punës”.

Ekspertët në Economiesuisse, organizata ombrellë për sektorin zviceran të biznesit, thonë gjithashtu se shkurtimet e vendeve të punës nuk duhet të kenë një ndikim shumë të madh në tregun zviceran të punës.

Pavarësisht shkurtimeve të vendeve të punës në shumë kompani, do të krijohen edhe shumë vende të reja pune, thonë ata.

Prandaj, shkalla e papunësisë ka të ngjarë të rritet vetëm pak këtë vit në një mesatare prej 3 përqind nga 2.8 përqind në vitin 2025.

“Dita e Gruas dhe Demokracia”, art dhe debat për 8 Marsin, Ditën e Gruas

Në nderim të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit, në Bibliotekën “Pestalozi” në Hardau (Cyrih) mbahet një aktivitet kulturor i llojit të veçantë. Me moton “Dita e Grave dhe Demokracia”, aktorja e njohur shqiptare me qëndrim në Zvicër, Liri Lushi do të interpretojë rolin e Donika Kastriotit, figura dhe legjenda, bazuar në tekstet e librave si ai i Mira Meksit dhe të tjerë.

Autorja e njohur Mira Meksi me këtë rast do t`i drejtohet publikut përmes një mesazhi me video, me ç`rast përshëndet idenë dhe përgëzon autoret e për realizimin e një projekti të tillë. Meksi kujton me këtë rast, krahas Donika Kastriotit edhe figurën më të vjetër të njohur të gruas shqiptare (ilire), Mbretëreshën e lavdishme të antikitetit, Teutën, e njohur për rolin e saj të rëndësishëm në epokën kur jetoi.

Aktiviteti, organizuar nga Suela Jorgaqi, drejtoreshë e PBZ Bibliothek Hardau, do të mbahet të shtunën, më 7 mars, me fillim në orën 16.30 në adresën:

PBZ Bibliothek Hardau
Norastrasse 20, 8004 Zürich

 

Nxënësit e Shkollës Shqipe e madhështojnë Akademinë solemne për Adem Demaçin

Nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër i japin gjallëri, shpresë dhe dinjitet çdo manifestimi ku marrin pjesë.

Kjo ndodhi edhe te Akademia solemne kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij, e organizuar më 1 mars 2026 nga Shoqëria «Lëvizja» në Winterthur, transmeton albinfo.ch.

Në këtë përvjetor të veçantë kishin ardhur ish-bashkëvuajtës të Bacës Adem, bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe familjarë të tij, thuhet në njoftim.

Me praninë e tyre e nderuan këtë akademi figura të njohura të çështjes kombëtare, ish-të burgosur politikë, familje dëshmorësh, veteranë të luftës, profesorë, artistë, studentë e nxënës.

Programi artistik ishte i pasur dhe mbresëlënës. Poezi kushtuar Adem Demaçit u interpretuan nga krijues të ndryshëm, ndërsa studentja Flutura Bytyqi solli emocione të veçanta me interpretimet e saj në piano.

Njëra ndër pjesët më të bukura dhe më emocionuese të mbrëmjes ishte paraqitja e nxënësve të Shkollës Shqipe në Zvicër, nën udhëheqjen e Mësuesit Atdhetar, Prof. Dr. Vaxhid Sejdiu.

Rina Shabani recitoi Vargjet për Adem Demaçin kurse Tana Limani, e veshur me kostum kombëtar, i dhanë shpirt sallës. Tana ia “hodhi” këngës “Në grykë të Kaçanikut” me një interpretim plot ndjenjë e forcë! Duartrokitjet e gjata dëshmuan emocionin që përcollën.

Në funksion të aktivitetit ishte edhe një ekspozitë me piktura dhe fotografi të Adem Demaçit, e realizuar me përkushtim profesional nga piktori Arsim Berisha.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pritet me mesazh nga opozitarët “NATO vret për përfitim”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë agjendës së sotme në Shkup, vizitoi presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, u takua me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe shkoi në Parlament, ku deputetët e partisë opozitare “E Majta” e pritën me një mesazh.

Ekstremistët nacionalistë në opozitë, të cilët përfaqësohen nga 6 deputetë, shpalosën një banderolë të madhe përpara podiumit, ku shkruhej “NATO vret për përfitim”, transmeton albinfo.ch.

Në axhendën e Rutte ishte fjalimi i tij para anëtarëve të parlamentit, por duket se u përball me një surprizë të papritur.

Kjo është vizita e parë e Rutte në Shkup si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Ai ishte në nëntor 2021 si Kryeministër i atëhershëm i Holandës.

“E dimë që Irani është eksportues i kaosit dhe përgjegjës për dekada për sulme terroriste dhe tentativa atentatesh. Nga përvoja ime personale dhe nga vendi im, ku ekziston diaspora iraniane e rrezikuar nga regjimi iranian, mund t’ju siguroj se NATO nuk është i përfshirë në konflikte, por do të mbrojë çdo pjesë të territorit të anëtarëve të NATO-s. Komandantët tanë ushtarakë punojnë çdo ditë për këtë dhe kanë një qasje 360 gradë, duke marrë parasysh çdo kërcënim terrorist”, tha Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, pas takimit me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Futbollisti i Kombëtares shqiptare largohet nga Irani

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit kanë sjellë pasoja edhe në futboll.

Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka deklaruar se pjesëmarrja e Kombëtares në Botërorin e këtij viti është vënë në pikëpyetje.

Sipas tij, vendimi përfundimtar i takon institucioneve ndërkombëtare të futbollit, por situata aktuale e bën të vështirë planifikimin normal.

Irani është shortuar në Grupin G dhe ndeshjet e tij janë parashikuar të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.

Nga FIFA është bërë e ditur se është ende herët për të dhënë një qëndrim zyrtar.

Ndërkohë, dy futbollistë shqiptarë që aktivizoheshin në Iran, Jasir Asani dhe Regi Lushkja, janë larguar nga vendi për arsye sigurie, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

“Klubi ka bërë gjithçka që unë të largohem, por pavarësisht kësaj situate të vështirë, shpresoj që gjërat të qetësohen dhe paqja të rikthehet. Lutem sinqerisht që gjithçka të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, sepse një vend si Irani me njerëz kaq të mirë që më kanë treguar dashuri dhe respekt meriton të jetojë në paqe”, ka shkruar Asani. Veç tij, edhe Regi Lushkja ka lënë Iranin dhe ndodhet në zonë të qetë.

Kampionatet në Iran dhe Katar janë pezulluar, ndërsa disa aktivitete ndërkombëtare në rajon janë shtyrë.

Takohen Dredha-Latifi, diskutojnë për bashkëpunimin dhe shërbimin ndaj diasporës në Zvicër

Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, pas marrjes së detyrës në Bernë, nisi takimet e kortezisë me homologët e tij, duke filluar me Ambasadën e Republikës së Kosovës, ku u prit nga Ambasadori, Mentor Latifi.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke reflektuar lidhjet e forta historike e shpirtërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe vullnetin e përbashkët për të punuar ngushtë në shërbim të diasporës sonë të bashkuar dhe shumë aktive në Zvicër.

 

Pasojat e rritjes së çmimit të naftës në Kosovë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) shpreh shqetësimin e saj lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, të cilat tashmë po reflektohen në rritjen e çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë.

Në reagimin e DHTIK-ut thuhet se, duke e parë se kriza po zgjerohet, rreziku i ndikimit negativ tek një numër i madh i sektorëve ekonomikë dhe i rëndimit të mëtejmë të kostos së jetesës dhe shportës së qytetarëve është i madh.

“Meqenëse Kosova importon 100% të karburanteve dhe të njëjtat kanë një përdorim të gjerë në ekonomi, rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së transportit dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë, duke prekur veçanërisht sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë”, thuhet në reagimin e DHTIK, transmeton albinfo.ch.

Më tej thuhet se kjo situatë do të rris kostot e prodhimit për bizneset vendëse, zvogëlon konkurrueshmërinë, ulë potencialin për eksport, i cili edhe ashtu është goditur rëndë nga rritja e çmimit të energjisë dhe liberalizimit i energjisë që u bë në mënyrë të padrejtë.

“Kriza mund të ndikoj edhe në rritje të inflacionit”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të menjëhershme, duke filluar me realizimin e një dialogu të strukturuar dhe të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit, me qëllim identifikimin e sfidave reale dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

DHTIK propozon që të shqyrtohet mundësia e uljes ose pezullimit të përkohshëm të disa taksave për bizneset që preken më së shumti nga rritja e çmimeve, si dhe rishikimi i barrës tatimore për produktet esenciale, në mënyrë që të zbutet ndikimi tek konsumatorët dhe të mbështetet prodhimi dhe eksporti vendor.

“Dhoma është e gatshme që të ofrojë kontributin e saj në tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në fund të reagimit të DHTIK-ut.

Reagon MPJD për vendosjen e etiketave fyese në gjuhën serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se në ambientet e jashtme të Ambasadës së Kosovës në Berlin, përkatësisht mbi pllakatin identifikues të objektit, janë vendosur etiketa fyese me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe.

Përmes një reagimi publik, MPJD shpjegon se mbishkrimet përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhet si: “Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, si dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.

Menjëherë pas identifikimit të rastit, Ambasada ka njoftuar autoritetet kompetente në Gjermani. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon fuqishëm çdo akt vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës”- thuhet në reagimin e lëshuar.

Në reagim theksohet se veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike.

Trump: Është tepër vonë – paralajmëron vazhdim të sulmeve ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar me një mesazh të shkurtër në rrjetin social Truth Social lidhur me zhvillimet e fundit të luftës në Iran, përcjell albinfo.ch.

Duke iu përgjigjur një përdoruesi që pretendoi se sulmet amerikane kanë sjellë “lindjen e Doktrinës Trump”, ai shkroi se mbrojtja ajrore, forcat ajrore, marina dhe lidershipi i Iranit “kanë ikur” dhe se pala iraniane “dëshiron të flasë”. “Unë thashë: ‘Tepër vonë!’”, citohet të ketë shkruar Trump.

Presidenti amerikan ishte gjithashtu i pari që njoftoi për vrasjen e udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, në sulmet e së shtunës — disa orë përpara se media shtetërore iraniane ta konfirmonte lajmin.

Duke folur nga White House, Trump deklaroi se operacionet ushtarake mund të zgjasin edhe katër deri në pesë javë. Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se “goditjet më të rënda ende nuk kanë ardhur”.

Tensionet në rajon vazhdojnë të rriten, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm apo hapësirë për negociata.