“Dita e Gruas dhe Demokracia”, art dhe debat për 8 Marsin, Ditën e Gruas

Në nderim të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit, në Bibliotekën “Pestalozi” në Hardau (Cyrih) mbahet një aktivitet kulturor i llojit të veçantë. Me moton “Dita e Grave dhe Demokracia”, aktorja e njohur shqiptare me qëndrim në Zvicër, Liri Lushi do të interpretojë rolin e Donika Kastriotit, figura dhe legjenda, bazuar në tekstet e librave si ai i Mira Meksit dhe të tjerë.

Autorja e njohur Mira Meksi me këtë rast do t`i drejtohet publikut përmes një mesazhi me video, me ç`rast përshëndet idenë dhe përgëzon autoret e për realizimin e një projekti të tillë. Meksi kujton me këtë rast, krahas Donika Kastriotit edhe figurën më të vjetër të njohur të gruas shqiptare (ilire), Mbretëreshën e lavdishme të antikitetit, Teutën, e njohur për rolin e saj të rëndësishëm në epokën kur jetoi.

Aktiviteti, organizuar nga Suela Jorgaqi, drejtoreshë e PBZ Bibliothek Hardau, do të mbahet të shtunën, më 7 mars, me fillim në orën 16.30 në adresën:

PBZ Bibliothek Hardau
Norastrasse 20, 8004 Zürich

 

Nxënësit e Shkollës Shqipe e madhështojnë Akademinë solemne për Adem Demaçin

Nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër i japin gjallëri, shpresë dhe dinjitet çdo manifestimi ku marrin pjesë.

Kjo ndodhi edhe te Akademia solemne kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij, e organizuar më 1 mars 2026 nga Shoqëria «Lëvizja» në Winterthur, transmeton albinfo.ch.

Në këtë përvjetor të veçantë kishin ardhur ish-bashkëvuajtës të Bacës Adem, bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe familjarë të tij, thuhet në njoftim.

Me praninë e tyre e nderuan këtë akademi figura të njohura të çështjes kombëtare, ish-të burgosur politikë, familje dëshmorësh, veteranë të luftës, profesorë, artistë, studentë e nxënës.

Programi artistik ishte i pasur dhe mbresëlënës. Poezi kushtuar Adem Demaçit u interpretuan nga krijues të ndryshëm, ndërsa studentja Flutura Bytyqi solli emocione të veçanta me interpretimet e saj në piano.

Njëra ndër pjesët më të bukura dhe më emocionuese të mbrëmjes ishte paraqitja e nxënësve të Shkollës Shqipe në Zvicër, nën udhëheqjen e Mësuesit Atdhetar, Prof. Dr. Vaxhid Sejdiu.

Rina Shabani recitoi Vargjet për Adem Demaçin kurse Tana Limani, e veshur me kostum kombëtar, i dhanë shpirt sallës. Tana ia “hodhi” këngës “Në grykë të Kaçanikut” me një interpretim plot ndjenjë e forcë! Duartrokitjet e gjata dëshmuan emocionin që përcollën.

Në funksion të aktivitetit ishte edhe një ekspozitë me piktura dhe fotografi të Adem Demaçit, e realizuar me përkushtim profesional nga piktori Arsim Berisha.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pritet me mesazh nga opozitarët “NATO vret për përfitim”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë agjendës së sotme në Shkup, vizitoi presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, u takua me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe shkoi në Parlament, ku deputetët e partisë opozitare “E Majta” e pritën me një mesazh.

Ekstremistët nacionalistë në opozitë, të cilët përfaqësohen nga 6 deputetë, shpalosën një banderolë të madhe përpara podiumit, ku shkruhej “NATO vret për përfitim”, transmeton albinfo.ch.

Në axhendën e Rutte ishte fjalimi i tij para anëtarëve të parlamentit, por duket se u përball me një surprizë të papritur.

Kjo është vizita e parë e Rutte në Shkup si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Ai ishte në nëntor 2021 si Kryeministër i atëhershëm i Holandës.

“E dimë që Irani është eksportues i kaosit dhe përgjegjës për dekada për sulme terroriste dhe tentativa atentatesh. Nga përvoja ime personale dhe nga vendi im, ku ekziston diaspora iraniane e rrezikuar nga regjimi iranian, mund t’ju siguroj se NATO nuk është i përfshirë në konflikte, por do të mbrojë çdo pjesë të territorit të anëtarëve të NATO-s. Komandantët tanë ushtarakë punojnë çdo ditë për këtë dhe kanë një qasje 360 gradë, duke marrë parasysh çdo kërcënim terrorist”, tha Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, pas takimit me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Futbollisti i Kombëtares shqiptare largohet nga Irani

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit kanë sjellë pasoja edhe në futboll.

Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka deklaruar se pjesëmarrja e Kombëtares në Botërorin e këtij viti është vënë në pikëpyetje.

Sipas tij, vendimi përfundimtar i takon institucioneve ndërkombëtare të futbollit, por situata aktuale e bën të vështirë planifikimin normal.

Irani është shortuar në Grupin G dhe ndeshjet e tij janë parashikuar të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.

Nga FIFA është bërë e ditur se është ende herët për të dhënë një qëndrim zyrtar.

Ndërkohë, dy futbollistë shqiptarë që aktivizoheshin në Iran, Jasir Asani dhe Regi Lushkja, janë larguar nga vendi për arsye sigurie, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

“Klubi ka bërë gjithçka që unë të largohem, por pavarësisht kësaj situate të vështirë, shpresoj që gjërat të qetësohen dhe paqja të rikthehet. Lutem sinqerisht që gjithçka të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, sepse një vend si Irani me njerëz kaq të mirë që më kanë treguar dashuri dhe respekt meriton të jetojë në paqe”, ka shkruar Asani. Veç tij, edhe Regi Lushkja ka lënë Iranin dhe ndodhet në zonë të qetë.

Kampionatet në Iran dhe Katar janë pezulluar, ndërsa disa aktivitete ndërkombëtare në rajon janë shtyrë.

Takohen Dredha-Latifi, diskutojnë për bashkëpunimin dhe shërbimin ndaj diasporës në Zvicër

Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, pas marrjes së detyrës në Bernë, nisi takimet e kortezisë me homologët e tij, duke filluar me Ambasadën e Republikës së Kosovës, ku u prit nga Ambasadori, Mentor Latifi.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke reflektuar lidhjet e forta historike e shpirtërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe vullnetin e përbashkët për të punuar ngushtë në shërbim të diasporës sonë të bashkuar dhe shumë aktive në Zvicër.

 

Pasojat e rritjes së çmimit të naftës në Kosovë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) shpreh shqetësimin e saj lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, të cilat tashmë po reflektohen në rritjen e çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë.

Në reagimin e DHTIK-ut thuhet se, duke e parë se kriza po zgjerohet, rreziku i ndikimit negativ tek një numër i madh i sektorëve ekonomikë dhe i rëndimit të mëtejmë të kostos së jetesës dhe shportës së qytetarëve është i madh.

“Meqenëse Kosova importon 100% të karburanteve dhe të njëjtat kanë një përdorim të gjerë në ekonomi, rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së transportit dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë, duke prekur veçanërisht sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë”, thuhet në reagimin e DHTIK, transmeton albinfo.ch.

Më tej thuhet se kjo situatë do të rris kostot e prodhimit për bizneset vendëse, zvogëlon konkurrueshmërinë, ulë potencialin për eksport, i cili edhe ashtu është goditur rëndë nga rritja e çmimit të energjisë dhe liberalizimit i energjisë që u bë në mënyrë të padrejtë.

“Kriza mund të ndikoj edhe në rritje të inflacionit”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të menjëhershme, duke filluar me realizimin e një dialogu të strukturuar dhe të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit, me qëllim identifikimin e sfidave reale dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

DHTIK propozon që të shqyrtohet mundësia e uljes ose pezullimit të përkohshëm të disa taksave për bizneset që preken më së shumti nga rritja e çmimeve, si dhe rishikimi i barrës tatimore për produktet esenciale, në mënyrë që të zbutet ndikimi tek konsumatorët dhe të mbështetet prodhimi dhe eksporti vendor.

“Dhoma është e gatshme që të ofrojë kontributin e saj në tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në fund të reagimit të DHTIK-ut.

Reagon MPJD për vendosjen e etiketave fyese në gjuhën serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se në ambientet e jashtme të Ambasadës së Kosovës në Berlin, përkatësisht mbi pllakatin identifikues të objektit, janë vendosur etiketa fyese me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe.

Përmes një reagimi publik, MPJD shpjegon se mbishkrimet përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhet si: “Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, si dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.

Menjëherë pas identifikimit të rastit, Ambasada ka njoftuar autoritetet kompetente në Gjermani. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon fuqishëm çdo akt vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës”- thuhet në reagimin e lëshuar.

Në reagim theksohet se veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike.

Trump: Është tepër vonë – paralajmëron vazhdim të sulmeve ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar me një mesazh të shkurtër në rrjetin social Truth Social lidhur me zhvillimet e fundit të luftës në Iran, përcjell albinfo.ch.

Duke iu përgjigjur një përdoruesi që pretendoi se sulmet amerikane kanë sjellë “lindjen e Doktrinës Trump”, ai shkroi se mbrojtja ajrore, forcat ajrore, marina dhe lidershipi i Iranit “kanë ikur” dhe se pala iraniane “dëshiron të flasë”. “Unë thashë: ‘Tepër vonë!’”, citohet të ketë shkruar Trump.

Presidenti amerikan ishte gjithashtu i pari që njoftoi për vrasjen e udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, në sulmet e së shtunës — disa orë përpara se media shtetërore iraniane ta konfirmonte lajmin.

Duke folur nga White House, Trump deklaroi se operacionet ushtarake mund të zgjasin edhe katër deri në pesë javë. Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se “goditjet më të rënda ende nuk kanë ardhur”.

Tensionet në rajon vazhdojnë të rriten, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm apo hapësirë për negociata.

Shoferët e autobusëve në Winterthur paralajmërojnë grevë njëditore

Shoferët e autobusëve të kompanisë Stadtbus Winterthur kanë hyrë në grevë paralajmëruese mëngjesin e së martës, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës. Aksioni nisi në orën 04:30 dhe preku ndjeshëm qarkullimin urban në qytetin e Winterthur, përcjell albinfo.ch.

Sipas sindikatës VPOD, bisedimet e zhvilluara me këshilltarin komunal Stefan Fritschi (FDP) përfunduan pa rezultat konkret. Megjithatë, gjatë ditës orari i qarkullimit u rikthye gradualisht në normalitet.

Gjatë orëve të para të mëngjesit, nga 64 autobusë sa operojnë zakonisht, vetëm 21 ishin në qarkullim. Linjat kryesore funksionuan, por me vonesa të konsiderueshme, ndërsa shumë linja të tjera u anuluan plotësisht. Si pasojë, shumë pasagjerë u detyruan të shkojnë në punë me biçikletë ose në këmbë, përfshirë drejt stacionit kryesor hekurudhor.

Konflikti mes palëve ka kohë që vazhdon dhe lidhet me kushtet e punës së stafit drejtues. Sindikata kritikon caktimin e ditëve të punës me njoftim të shkurtër, mundësinë e krijimit të orëve negative, shtesa të ulëta për punën e natës, si dhe probleme në planifikimin e orareve. Po ashtu, pretendohet se punonjësit duhet të kontribuojnë financiarisht në rast dëmesh.

Një punonjës, që foli në kushte anonimiteti, deklaroi se shoferët kanë duruar prej vitesh “kushte të papranueshme pune” për të garantuar transportin publik në qytet.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, sindikata ka paralajmëruar se greva mund të përshkallëzohet në një ndalim pune gjatë gjithë ditës, duke paralizuar transportin urban në Winterthur. /Albinfo.ch

Spitali Universitar i Cyrihut në Top 10 botëror, kryeson renditjen për Zvicrën

Një studim i publikuar nga revista amerikane Newsweek ka analizuar 2,500 spitale në 32 shtete të botës, duke i renditur ato bazuar në vlerësimet e ekspertëve mjekësorë për cilësinë dhe sigurinë e përgjithshme, si dhe në matjet e rezultateve të raportuara nga pacientët (PROMs), përcjell albinfo.ch.

Sipas këtij vlerësimi, University Hospital Zurich ka arritur rezultatin më të lartë ndër institucionet shëndetësore zvicerane, duke u renditur në vendin e 9-të në nivel botëror.

Pas tij renditet Geneva University Hospital, i cili zë vendin e 19-të, ndërsa shumë pranë tij është edhe Lausanne University Hospital në pozitën e 21-të.

Ky vlerësim konfirmon nivelin e lartë të sistemit shëndetësor zviceran dhe veçanërisht rolin udhëheqës të Spitalit Universitar të Cyrihut, i cili po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e tij në arenën ndërkombëtare të kujdesit shëndetësor.

Zvicra po varet gjithnjë e më shumë nga punëtorët ndërkufitarë

Zvicra po mbështetet gjithnjë e më shumë te punëtorët ndërkufitarë për të plotësuar nevojat e tregut të punës, në një kohë kur vendi përballet me mungesë të fuqisë punëtore dhe ndryshime demografike, përcjell albinfo.ch.

Në shumë komuna pranë kufirit me Francën, punonjësit që jetojnë jashtë Zvicrës, por punojnë brenda saj, përbëjnë një përqindje të lartë të të punësuarve. Sipas të dhënave, ata përfaqësojnë rreth 59 për qind të fuqisë totale punëtore në Ballaigues (Vaud) dhe Boncourt (Jura), 50 për qind në Meyrin, si dhe 40 për qind në Le Locle.

Kjo varësi në rritje lidhet me mungesat në tregun zviceran të punës, të nxitura nga ndryshimet demografike. Përqindja e qytetarëve zviceranë në moshë pune është në rënie të vazhdueshme, duke e bërë gjithnjë e më të domosdoshëm angazhimin e punëtorëve nga jashtë.

Ekspertët vlerësojnë se, nëse trendi demografik vazhdon, roli i punëtorëve ndërkufitarë në ekonominë zvicerane do të bëhet edhe më i rëndësishëm në vitet në vijim.

Turistët zviceranë të bllokuar në Lindjen e Mesme rrezikojnë të humbin pagat

Mijëra turistë zviceranë kanë mbetur të bllokuar në Lindjen e Mesme, pasi fluturimet janë pezulluar për shkak të tensioneve dhe sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Si pasojë, shumë prej tyre nuk do të mund të kthehen në kohë në vendet e tyre të punës në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike të Zvicrës (State Secretariat for Economic Affairs – SECO), mungesa në punë si pasojë e anulimit të fluturimeve, në përgjithësi, bie mbi përgjegjësinë e punëmarrësit, sipas legjislacionit zviceran.

Kjo do të thotë se punonjësit e bllokuar jashtë vendit mund të mos përfitojnë pagë për ditët e mungesës, nëse kontrata e tyre e punës apo një marrëveshje kolektive nuk parasheh ndryshe.

Avokatja e Shoqatës së Punonjësve Zviceranë, Tanja Riepshoff, ka theksuar se ligji zviceran i punës nuk garanton automatikisht vazhdimin e pagesës së pagës në raste të tilla.

“Problemi është se legjislacioni zviceran i punës nuk garanton automatikisht pagesën e vazhdueshme të pagës, pasi kjo varet vetëm nga dispozitat kontraktuale ose nga një marrëveshje kolektive pune”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, situata mbetet e paqartë për mijëra qytetarë që presin rifillimin e fluturimeve për t’u kthyer në Zvicër, ndërsa përveç pasigurisë së udhëtimit, tani përballen edhe me pasiguri financiare./Albinfo.ch

Kopenhagë, festohet 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Konsullata e Republikës së Kosovës në Kopenhagë organizoi pritjen zyrtare me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republika e Kosovës, përmes një ceremonie solemne në kryeqytetin danez, transmeton albinfo.ch.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, zyrtarë nga Danimarka si dhe anëtarë të diasporës shqiptare, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.

Gjatë fjalimeve u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Danimarkës ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset e shtetndërtimit, sundimit të ligjit dhe tranzicionit energjetik.

Ceremonia u shoqërua me një performancë muzikore nga grupi i njohur Ethnically Plugged, duke i dhënë aktivitetit një dimension kulturor./Albinfo.ch

Gjermania mbështet Policinë e Maqedonisë me donacion prej 600 mijë eurosh

Republika Federale e Gjermanisë ka dhuruar pajisje dhe automjete për Policinë e Maqedonisë së Veriut në vlerë prej rreth 600 mijë eurosh, me qëllim forcimin e kapaciteteve operacionale dhe teknike të institucioneve të sigurisë, transmeton albinfo.ch.

Ceremonia e dorëzimit të donacionit u zhvillua në ambientet e Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e ministrit Pançe Toshkovski dhe ambasadores së Gjermania në Shkup, Petra Dreksler.

Donacioni përfshin automjete patrullimi, kamera termovizive, pajisje dhe softuer kompjuterik, mjete të specializuara për kontrollin e dokumenteve, si dhe automjete speciale për njësinë ajrore. Sipas autoriteteve, pajisjet janë siguruar gjatë periudhës së kaluar në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve.

Nga Ministria bëjnë të ditur se mbështetja do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit në menaxhimin e kufijve, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës me emigrantë, si dhe në avancimin e analizës kriminale, inteligjencës dhe ekzaminimeve forenzike.

Ky donacion konsiderohet si pjesë e vazhdimësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë, me theks të veçantë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përballimin e sfidave të migracionit dhe krimit të organizuar./Albinfo.ch

Surprizë në BRIT Awards 2026: Dua Lipa ndez skenën në Manchester

Dua Lipa ka dhuruar një performancë spektakolare në edicionin e sivjetmë të BRIT Awards, duke befasuar publikun në arenën Co-op Live në Manchester, transmeton albinfo.ch.

Këngëtarja 30-vjeçare u ngjit papritur në skenë gjatë performancës së producentit të njohur Mark Ronson, në mbrëmjen e së shtunës (28 shkurt). Mungesa e saj në tapetin e kuq e bëri paraqitjen edhe më të papritur, ndërsa fansat reaguan me ovacione të fuqishme.

Ajo interpretoi hitin e saj “Dance the Night”, duke elektrizuar sallën, ndërsa më pas në skenë iu bashkuan Lily Allen dhe RAYE për një medley homazh me disa nga këngët më të njohura të Ronsonit.

Në repertor u përfshinë edhe “Back to Black” e Amy Winehouse si dhe “Uptown Funk”, bashkëpunimi i njohur mes Bruno Mars dhe Ronson.

Gjatë ceremonisë, Mark Ronson u nderua me çmimin “Outstanding Contribution to Music”, duke e përmbyllur mbrëmjen me një moment vlerësimi për kontributin e tij në industrinë muzikore./Albinfo.ch

 

Dy të rinj nga Mitrovica humbin jetën tragjikisht në një aksident në Itali

Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur të premten në Itali, ku jetën e kanë humbur dy të rinj nga Mitrovica, shkruan albinfo.ch.

Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40 në autostradën A4, në drejtim të Triestes. Dy të rinjtë, të identifikuar me inicialet A.A (21) dhe F.P (27), po udhëtonin me veturë dhe, referuar raportimeve, ishin nisur në drejtim të kufirit me Slloveninë kur janë përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion që transportonte mallra të ndryshme.

Përplasja rezultoi fatale për të dy, të cilët humbën jetën në vendngjarje si pasojë e lëndimeve të marra.

Autoritetet përkatëse në Itali kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Familjet e viktimave janë njoftuar për rastin nga Ambasada e Kosovës në Itali, ndërsa pritet që në ditët në vijim të bëhen të ditura detaje të tjera lidhur me procedurat e mëtejshme./Albinfo.ch

Inxhinieri shqiptar me veshje kombëtare diplomon me titullin “Excellent with Highest Honours”

Klevis Imeri ka përmbyllur me sukses të shkëlqyeshëm studimet në drejtimin Inxhinieri e Shkencave Kompjuterike në Budapest University of Technology and Economics, duke u vlerësuar me titullin “Excellent with Highest Honours”, shkruan albinfo.ch.

Ai vjen nga një familje shqiptare me rrënjë nga Lugina e Preshevës dhe Shqipëria, ndërsa studimet i ka zhvilluar në një nga institucionet më të njohura teknike në Evropën Qendrore. Arritja e tij përfaqëson një profil suksesi akademik në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë kompjuterike.

Diplomimi u shënua me një ceremoni zyrtare në Budapest, ku morën pjesë familjarët e tij. Suksesi i Imerit konsiderohet një shembull i përkushtimit ndaj dijes dhe i përfaqësimit të studentëve shqiptarë në universitetet evropiane./Albinfo.ch

Sa larg mund të arrijnë raketat iraniane?

Raketa balistike me rreze më të gjatë veprimi që Iran përdor aktualisht, Sajjil, mund të arrijë deri në 2,000 kilometra, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), një organizatë britanike e specializuar në mbrojtje dhe siguri. Po ashtu, dronët sulmues Shahed të Iranit kanë një rreze të ngjashme veprimi.

Një distancë prej 2,000 kilometrash lejon goditjen e qyteteve si Athina ose Moska, por jo të Evropës qendrore dhe perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, bazat ushtarake britanike në Mesdheun lindor janë brenda kësaj rreze, si RAF Akrotiri në Qipro, që mund të goditet jo vetëm nga raketat Sajjil, por edhe nga raketat Ghadr dhe Emad-1.

Në ditët e fundit, incidentet me dronë pranë kësaj baze kanë rritur vëmendjen ndaj kapaciteteve të Iranit për sulme me raketa dhe dronë me rreze të gjatë veprimi.

Iran ka zhvilluar për vite me radhë raketa balistike me rreze të mesme veprimi, pjesë kyçe e strategjisë së tij ushtarake. Sistemet si Sajjil, Ghadr dhe Emad mund të mbulojnë pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe Mesdheut lindor. Kombinuar me dronët, që përdoren për zbulim dhe sulme të drejtpërdrejta, Irani ka mundësi të kërcënojë bazat ushtarake, infrastrukturën energjetike dhe korridoret detare në rajon.

Edhe pse nuk ka raketa balistike ndërkontinentale që do të arrinin Evropën Perëndimore, arsenali iranian me rreze deri në 2,000 kilometra mbulon Izraelin, shumicën e shteteve arabe në Gjirin Persik dhe pjesë të Evropës jugore dhe juglindore.

Prandaj, bazat britanike dhe ato të tjera perëndimore në Mesdheun lindor mbeten në rrezik potencial në rast të përshkallëzimit të situatës.

Përplasje në transportin urban në Winterthur: Punonjësit e autobusëve paralajmërojnë grevë të martën

Banorët e Winterthur duhet të përgatiten për ndërprerje në trafikun e autobusëve të qytetit të martën në mëngjes. Shoferët e autobusëve të Stadtbus Winterthur (SBW) do të zhvillojnë një grevë paralajmëruese nga ora 04:30 deri në 08:30, siç njoftoi sindikata VPOD. Vendimi u mor njëzëri në mbledhjen e stafit të dielën.

Sindikata kritikon kushtet e punës në SBW, duke përmendur turne shumë të gjata, periudha pushimi të shkurtra dhe orare të parregullta. Rreth 260 persona punojnë në shërbimin e drejtimit të autobusëve të qytetit. “Nën këto kushte nuk mund të kryejmë punën tonë sipas standardeve dhe përgjegjësive ndaj pasagjerëve,” citon deklarata e sindikatës një punonjës të SBW.

Ofertat për dialog refuzohen

Sipas SBW, negociatat kanë qenë më të vështira që nga përfundimi i marrëveshjes kolektive të punës në gusht 2025, megjithatë disa nga kërkesat e sindikatës janë përmbushur. VPOD ka miratuar tashmë orarin e punës për vitin aktual. SBW konsideron grevën e paralajmëruar të pajustifikuar. Edhe pse këshilltari i qytetit, Stefan Fritschi (FDP), ofroi javën e kaluar data të reja për bisedime, sindikata i refuzoi ato.

Fritschi u shpreh i befasuar nga qasja e sindikatës dhe theksoi se është në kontakt të rregullt me shoferët. “Pakënaqësia e përshkruar nga VPOD nuk më është komunikuar kurrë në biseda personale,” tha ai. Ai gjithashtu mbetet i gatshëm për dialog dhe planifikon të njoftojë një kompensim për shërbimin gjatë ditës së piketës, masë që ishte parashikuar më parë, por po përshpejtohet për shkak të aktualitetit.

Greva para zgjedhjeve lokale

Kjo grevë vjen pak ditë para zgjedhjeve lokale në Winterthur të dielën e ardhshme, ku Stefan Fritschi kandidon për kryetarin e qytetit. Ai beson se koha e njoftimit të grevës nuk është e rastësishme dhe mund të ndikojë në mediatizimin e fushatës. Sindikata, nga ana tjetër, mohon ndikimin politik. “Vendimi u mor njëzëri nga personeli,” thotë Micha Amstad nga VPOD, duke shtuar se situata mes stafit dhe SBW ka qenë e tensionuar për një kohë të gjatë.

Dialogu mbetet i hapur

Sindikata është ende e gatshme për dialog për të shmangur grevën e së martës, duke kërkuar diskutime mbi masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës. Grevat në transportin publik janë të rralla në Zvicër; e fundit ka qenë në Gjenevë në vitin 2022 për kërkesa të kompensimit të plotë të inflacionit.

Burgjet në Zvicër për gjobat e papaguara: një sistem i dyfishtë dhe i shtrenjtë

Në Zvicër, numri i personave që përfundojnë në burg për gjoba të papaguara është dyfishuar gjatë dy dekadave të fundit. Madje edhe për gjoba të vogla, dënimet me burg kontribuojnë në mbipopullimin e burgjeve.

Për shembull, Violette, 54 vjeçe, e varur nga droga dhe e përfitueshme nga asistenca për paaftësi, do të kthehet në burg për gjobat e grumbulluara gjatë 15 viteve të fundit, përfshirë bileta të transportit publik të papaguara dhe vjedhje të vogla. Po ashtu, Mathis (pseudonim) po vuan një dënim prej 60 ditësh për 2800 franga gjoba.

Burgjet, si ai i Wauwilermoos në Lucernë, janë riorganizuar për të pritur këta të burgosur “të rinj”, me kosto disa milionë franga për vetëm 12 individë. Drejtori Andreas Moser thekson se fluksi i këtyre dënimeve alternative ka ndryshuar ritmin e përditshëm të burgut.

Ekspertët dhe politikëbërësit e kritizojnë sistemin. Julie de Dardel nga Universiteti i Gjenevës shpjegon se vetëm personat e papaguar për shkak të borxheve përfundojnë në burg, ndërsa ata që mund të paguajnë por refuzojnë ndiqen civilisht. Kostoja e një dite burg për një person varion nga 200 deri në 400 franga, duke e bërë sistemin të shtrenjtë dhe joefektiv.

Politikisht, propozohet që gjobat nën 5000 franga të mos konvertohen më në kohë burgimi, por iniciativa u refuzua së fundi në Këshillin Kombëtar. Eksperti Benjamin Brägger sugjeron që dënimet me punë shoqërore të jenë alternativa më e mirë, më e lirë dhe më e dobishme për të mbështetur individët në margjina sociale.

Sipas statistikave, në 2024, mbi gjysmën e të burgosurve në Zvicër ishin për dënime financiare, një fenomen që është dyfishuar në 20 vjet.

Sulmet ndaj personelit spitalor po shtohen, ekspertët të shqetësuar

Në spitalet dhe klinikat zvicerane po rritet numri i sulmeve ndaj stafit mjekësor, sidomos në pavionet psikiatrike dhe urgjencë. Infermierët raportojnë shpesh dhunë verbale, fizike dhe seksuale.

Në një rast të fundit në Basel, një burrë akuzohet për tentativë përdhunimi ndaj një punonjëse psikiatrike. Një tjetër rast përfshin një infermier mashkull që u sulmua fizikisht. Daniel Simon, presidenti i degës së Basel të Shoqatës Profesionale të Infermierëve Zviceranë, shprehet: “Sulmet seksuale raportohen shpesh dhe nuk janë raste të izoluara.”

Sektori i kujdesit afatgjatë është veçanërisht i prekur, për shkak të pacientëve të moshuar dhe të shprehur disi më pak kontroll mbi veprimet e tyre. Edhe në urgjencë, tensionet rriten për shkak të pritjeve të gjata për trajtim.

Në Spitalin Universitar të Bernës (Inselspital), 90% e rasteve të dhunës regjistrohen në departamentin e urgjencës. Shumica përfshijnë keqtrajtime verbale ose dëmtime të pronës, por ndodhin edhe sulme fizike.

Nuk ka statistika kombëtare mbi këto incidente, por studime të Universitetit të Basel tregojnë se gati një e treta e infermierëve psikiatrikë kanë përjetuar lëndime serioze fizike gjatë karrierës së tyre. Sipas Marc Graf, ish-drejtor mjekësor në Klinikën Psikiatrike të UPK Basel, dhuna shpesh nuk raportohet për shkak të konflikteve të besnikërisë ndaj pacientëve dhe frikës nga pasoja të mëtejshme.

Ekspertët kërkojnë që sulmet ndaj stafit spitalor të trajtohen si vepra penale që ndiqen nga autoritetet vetë, pa pritur denoncim. Ndërkohë, spitalet duhet të kujdesen për sigurinë e punonjësve, duke përdorur roje sigurie dhe trajnime për de-eskalimin e situatave të tensionuara.

Tragjedi në Shkup, një nënë hidhet nga ballkoni me gjithë fëmijën e saj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin sot, më 2 mars, rreth orës 14:00, në lagjen Karposh, ku një grua së bashku me foshnjën e saj humbën jetën, pasi u hodhën nga një ndërtesë banimi, raportojnë mediat lokale.

Sipas informacioneve paraprake nga vendi i ngjarjes, viktimat ndërruan jetë në vend. Rrethanat e plota të rastit janë ende në hetim nga autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, dëshmitarë dhe banorë të zonës kanë deklaruar për mediat se gruaja dyshohet të ketë qenë viktimë e dhunës në familje për një periudhë të gjatë.

Në një reagim publik, vëllai i viktimës, Aleksandar Stojanoski, e cilësoi ngjarjen si një dështim të rëndë institucional. “Edhe pse është e vështirë për mua, dua të flas në emër të familjes sime, sot ndodhi një vrasje. Sot dështoi Ministria e Brendshme, Shërbimet Sociale, sot dështoi i gjithë sistemi ynë. Pas shumë vitesh raportimesh për dhunë fizike dhe psikologjike, kërcënime dhe incidente serioze, humba motrën dhe mbesën time,” u shpreh ai.

Stojanoski theksoi se familja do të kërkojë drejtësi dhe u bëri thirrje institucioneve dhe opinionit publik që rasti të mos trajtohet si një statistikë e radhës.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë të detajuar mbi rastin, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.