Popullsia e kantonit të Neuchâtel do të votojë për futjen e një dispozite që lidhet me të drejtat e të moshuarve në Kushtetutën kantonale. Këshilli i Madh e miratoi këtë ndryshim të martën në lexim të dytë, me 58 vota pro, 38 kundër dhe 4 abstenime.
I gjithë grupi i UDC-së, anëtarë të grupit PLR-Le Centre, PVL si dhe tre socialistë votuan kundër. Edhe Këshilli i Shtetit u shpreh kundër futjes së këtij neni kushtetues, transmeton albinfo.ch.
“Megjithëse i kuptojmë synimet pas këtij propozimi dhe nevojat e të moshuarve, në kontekstin e plakjes së popullsisë, ne mendojmë se Kushtetuta nuk është vendi i duhur”, deklaroi presidentja e Këshillit të Shtetit, Crystel Graf, gjatë debatit në lexim të parë.
Qeveria gjithashtu ngriti pikëpyetje lidhur me përkufizimin dhe shtrirjen e termit “të moshuar”.
Nxitja e pjesëmarrjes dhe autonomisë së të moshuarve
Projekti u hartua në komision me nismën e grupeve VertPOP dhe socialiste, duke u frymëzuar nga neni 208 i Kushtetutës së Geneva-s.
Nëse miratohet nga popullsia, Kushtetuta kantonale e Neuchâtel-it do të përfshijë një nen të ri, i cili përcakton se Shteti dhe komunat duhet të sigurojnë promovimin e pjesëmarrjes, autonomisë, cilësisë së jetës dhe respektit për personalitetin e të moshuarve.
Një 21-vjeçar me prejardhje shqiptare është akuzuar nga prokurorët austriakë për terrorizëm, pasi dyshohet se kishte planifikuar një sulm gjatë një koncerti të Taylor Swift në Vjenë, në gusht të vitit 2024.
Autoritetet vendosën të anulonin tre koncerte të turneut të saj pas paralajmërimeve për një kërcënim të mundshëm. Zëdhënësi i Prokurorisë Publike në Vjenë konfirmoi se i dyshuari ndodhet në paraburgim, ndërsa mediat austriake raportojnë se ai ishte arrestuar që në gusht të vitit të kaluar.
Sipas hetimeve, 21-vjeçari kishte siguruar në internet udhëzime për ndërtimin e një bombe me bazë peroksidi organik, lëndë që shpesh lidhen me sulme të grupeve ekstremiste si Shteti Islamik. Prokurorët pretendojnë se ai kishte arritur të prodhonte edhe një sasi të vogël eksplozivi.
Ai dyshohet gjithashtu se kishte tentuar disa herë të blinte armë në mënyrë të paligjshme jashtë Austrisë dhe t’i sillte ato në vend. Hetimet e lidhin emrin e tij edhe me plane të tjera të dyshuara për sulme në Dubai dhe Stamboll, të cilat nuk u realizuan.
Nëse shpallet fajtor nga gjykata, i riu rrezikon deri në 20 vjet burgim. Pas anulimit të koncerteve, këngëtarja reagoi në rrjetet sociale duke shprehur frikën dhe zhgënjimin për situatën, si dhe keqardhjen për fansat që kishin planifikuar të merrnin pjesë në ngjarje.
Një burrë në Mynih është dënuar me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje të gruas së tij të ndarë, duke i shkaktuar më shumë se 20 plagë me thikë.
Gjykata e Landit e Mynihut e gjeti të dëshmuar se 34-vjeçari e goditi me thikë gruan në mes të ditës pranë një sheshi lojërash në prill të vitit 2025, në prani të djalit të tyre, transmeton albinfo.ch. Sipas gjykatës, gruaja mbijetoi vetëm falë një operacioni emergjent pothuajse tetë-orësh, pavarësisht lëndimeve kërcënuese për jetën në organe të shumta.
Gjyqtarja kryesuese e trupit gjykues Elisabeth Ehrl, ka thënë se si trup gjykues nuk kanë parë asnjë arsye për të vendosur një dënim më të lehtë ndaj të akuzuarit. Edhe pse 34-vjeçari në thelb e kishte pranuar sulmin, Ehrl, megjithatë, e konsideroi deklaratën e tij si një nënvlerësim, shkruan dpa.de. Sips saj ishte absurde që e kishte siguruar thikën vetëm si mjet frikësimi. Në vend të kësaj, gjykata arriti në përfundimin se ishte një tentativë vrasjeje e paramenduar e motivuar nga motive të ulëta.
Vendimi nuk është ende ligjërisht i detyrueshëm. Si mbrojtja ashtu edhe prokuroria kanë një javë kohë për të apeluar në Gjykatën Federale të Drejtësisë.
Sulmi ndodhi pak para seancës së planifikuar të divorcit.
Gjykata deklaroi se motivi i burrit kosovar ishte mosgatishmëria e tij për të pranuar dëshirën e gruas së tij për t’u ndarë.
Për më tepër, ai qe zemëruar nga fakti se gruaja e tij, gjithashtu kosovare, kishte raportuar vazhdimisht dhunë të përsëritur në familje kundër saj, përfshirë gjatë shtatzënive të saj, përcjell albinfo.ch. Gjykata gjithashtu e konsideroi faktin se apartamenti i përbashkët dhe kujdestaria e fëmijëve do t’i kishin shkuar gruas së tij në rast divorci si motiv për sulmin – i cili ndodhi dy ditë para seancës së planifikuar të divorcit.
. , … Gjykatësja Ehrl shpjegoi se gjykata e dënoi atë me burgim të përjetshëm pavarësisht shprehjeve të tij të pendimit, pjesërisht sepse viktima mbijetoi vetëm falë punës së jashtëzakonshme të mjekëve – një mrekulli, siç tha ajo. Sulmi u krye me një shkallë të lartë intensiteti kriminal, dhe gruaja vazhdon të vuajë nga pasoja të rënda fizike dhe psikologjike.
Fakti që burri e goditi me thikë në një shesh lojërash para djalit të tyre luajti gjithashtu një rol në vendimin.
“Babi, çfarë ke bërë?”
Gjyqtarja Ehrl i kërkoi të pandehurit të përdorte kohën e tij në burg për të reflektuar mbi pasojat e veprimeve të tij. Ajo theksoi se kjo nuk kishte të bënte vetëm me viktimën e tij, por edhe me djalin e tij, i cili u desh ta shihte nënën e tij të mbuluar nga gjaku.
Gjatë procesit gjyqësor i pandehuri përshkroi se si momenti kur e kuptoi se djali i tij po qëndronte pranë tij dhe po e pyeste: “Babi, çfarë ke bërë?” i është ngulitur në kujtesë. Ai tha se kjo e kishte prekur thellë.
Pas sulmit, burri e kishte telefonuar nënën e tij, i kishte thënë: “Mbaroi” dhe i kishte bërë një foto të gruas së plagosur. Vetëm policët, me armët e nxjerra, arritën ta detyronin të ulte thikën.
Viktima: Frika nga familja e ish-burrit
Dëshmia e gruas tani të divorcuar, e cila u paraqit si bashkë-paditëse, u zhvillua në gjykatë nëpërmjet lidhjes video dhe pas dyerve të mbyllura me kërkesën e saj. Sipas prokurorisë, ish-gruaja ende ka frikë nga familja e të pandehurit, trnsmeton lbinfo.ch. Prandaj, gjyqtarja Ehrl u bëri thirrje të afërmve të burrit, të cilët ishin në sallën e gjyqit për vendimin, të tregonin dhembshuri dhe ta linin gruan të qetë.
Shefi lokal i zjarrfikësve për një vendpushim skish zviceran në Crans-Montana, ku shpërtheu një zjarr i Vitit të Ri në një bar, duke marrë 41 jetë, u mor në pyetje për herë të parë të hënën nga prokurorët hetues zviceranë.
Seanca dëgjimore e së hënës ishte shumë e pritur nga avokatët dhe palët civile, pas zbulimeve nga transmetuesi publik zviceran RTS të dielën, i cili pretendonte se një audit i vitit 2023 nxori në pah mangësi serioze në sigurinë nga zjarri të komunës, transmeton albinfo.ch.
“Jam i befasuar që ky raport po publikohet vetëm një muaj e gjysmë pasi filluan ngjarjet, veçanërisht pasi komuna na tha se po bashkëpunonte me sistemin e drejtësisë për të zbuluar të vërtetën. Fatkeqësisht, shoh se nuk është kështu”, tha për AFP-në Alain Viscolo, një avokat që përfaqëson dy viktima.
“Kishim pritshmëri të larta dhe gjithmonë kemi mbetur të zhgënjyer”, shtoi ai.
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka telefonuar ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi me rastin e 17 Shkurtit, i cili ndodhet në Hagë duke e uruar për Pavarësinë e Kosovës.
“Gëzuar komandant! Më vjen keq që nuk bëj dot më shumë”, thotë Rama gjatë telefonatës, transmeton albinfo.ch.
Në postimin e ndarë në Facebook, Rama shkruan se prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është emocionalisht e vështirë, por këtë herë, sipas tij, Thaçi ishte më i qetë se kurrë.
“Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush!”, citon Rama fjalët e ish-presidentit, duke e shoqëruar mesazhin me simbolin kombëtar dhe referimin ndaj tij si “Komandanti”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në njoftimin e saj, thuhet ishte 18 vjetori i Pavarësisë që i bëri bashkë liderët e dy vendeve, në një atmosferë festive.
“Faleminderit që jeni gjithnjë pranë Kosovës dhe qytetarëve tanë, Zoti President!”, ka shkruar Osmani, transmeton albinfo.ch.
Në ditën e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në një takim që theksoi lidhjet e ngushta dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.
Gjatë takimit, presidenti Begaj shprehu urimet e tij më të përzemërta për popullin dhe shtetin e Kosovës për 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ndërkaq kryeministrit Kurti i uroi për mandatin e tij të ri dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e aspiratave të popullit të Kosovës për mirëqenie e begati, si dhe të objektivave të qeverisë.
Bashkë biseduan për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në vend dhe në rajon, si dhe për rezultatet e marrëveshjeve të deritashme ndërqeveritare, teksa ritheksuan vullnetin e dyanshëm për të zgjeruar edhe më shumë sektorët e bashkëpunimit dhe për të thelluar më tej raportin ndërshtetëror.
Në vitin 2026, normat e sigurimit shëndetësor janë rritur, mesatarisht, me 4.4 përqind. Megjithatë, varësisht nga kantoni juaj i banimit, ju po paguani një prim më të lartë ose më të ulët, raporton The Local.
Për shembull, me një rritje prej 6.9 përqind mbi primet aktuale, banorët e Ticinos janë të ngarkuar me rritjen më të lartë – 582 franga në muaj, shkruan albinfo.ch.
Këto janë rritjet më të larta, sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH). Sa i përket banorëve të Vaud-it, me një rritje prej 4.3 përqind, ata janë pak a shumë nën mesataren kombëtare, por prapëseprapë kanë një shumë të konsiderueshme prej 527 frangash në prime mujore për të paguar.
Megjithatë, tarifat në një numër kantonesh janë në fakt shumë më poshtë se primi mesatar – edhe pse shuma aktuale e primeve është e lartë.
Në Gjenevë, për shembull, tarifat u rritën vetëm me 2.6 përqind, por banorët ende duhet të paguajnë 586 franga në prime mujore.
Bazeli do të shohë gjithashtu prime nën mesataren (2.9 përqind – 521 franga).
(Ndërsa përqindjet janë fikse, shumat aktuale mund të ndryshojnë në bazë të llojit të planit që keni, sasisë së ‘franchizës’ suaj, etj.).
Pse ka një pabarazi të tillë midis kantoneve?
Përgjigja e përgjithshme është se kantonet kanë infrastrukturë shëndetësore dhe nivele të ndryshme të financimit qeveritar.
Dhe demografia hyn gjithashtu në lojë: primet shëndetësore në kantonet me popullsi më të re dhe më të shëndetshme do të jenë më të ulëta se në ato me incidencë më të lartë të sëmundjeve dhe njerëz më të moshuar, me sëmundje kronike.
Megjithatë, një hulumtim i ri i kryer nga Instituti CSS për Ekonomi Empirike të Shëndetit zbulon se faktorë të tjerë luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në përcaktimin se sa paguani për sigurimin shëndetësor aty ku jetoni.
Sipas Caroline Chuard-Keller, menaxheres së projektit shkencor të Institutit, “dallimet rajonale në kostot e kujdesit shëndetësor janë ndër çështjet kryesore të pazgjidhura në politikën shëndetësore”.
Studimi tregon se rreth 40 përqind e variacionit rajonal mund t’i atribuohet “dallimeve në furnizim” – për shembull, numri/dendësia e institucioneve rajonale të kujdesit shëndetësor, si dhe ofruesve të shërbimeve të përgjithshme dhe të specializuara, madje edhe farmacive.
60 përqindëshi i mbetur drejtohet nga kërkesa – me fjalë të tjera, sa shpesh banorët e një kantoni të caktuar kërkojnë ndihmë mjekësore.
Ju mund t’i rrisni ose t’i ulni kostot në rajonin tuaj
Natyrisht, banorët e një kantoni të caktuar nuk mund të ndikojnë në pjesën e ‘furnizimit’ – domethënë, prevalencën dhe dendësinë e spitaleve, mjekëve dhe shërbimeve shëndetësore në zonën e tyre.
Kjo varet kryesisht nga buxheti i qeverisë lokale i dedikuar shërbimeve shëndetësore dhe infrastrukturës.
Megjithatë, banorët mund – të paktën deri në një farë mase – ta formësojnë pjesën e kërkesës së ekuacionit nga sa shpesh kërkojnë kujdes mjekësor: a vrapojnë për të parë mjekun për çdo dhimbje – dhe për këtë arsye i rrisin kostot e përgjithshme – apo kërkojnë trajtim me kursim.
Pra, mesazhi kryesor këtu është ky: nëse jetoni në një kanton ‘të shtrenjtë’ (për sa i përket kujdesit shëndetësor), e dini pse ndodh kjo: ka një përqendrim të lartë mjekësh, spitalesh dhe pajisjesh të teknologjisë së lartë, dhe banorët i përdorin këto shërbime shpesh.
Prandaj, është kombinimi i të dy faktorëve – furnizimi dhe kërkesa – që përcakton koston e sigurimit tuaj shëndetësor.
Pse Zvicra nuk ka prime kombëtare shëndetësore – të njëjta në të gjitha kantonet?
Arsyeja është sistemi i decentralizuar i qeverisjes, sipas të cilit kantonet ushtrojnë shumë pushtet.
Sa i përket kujdesit shëndetësor, përgjegjësitë ndahen midis autoriteteve federale dhe kantonale.
Qeveria federale rregullon financimin e sistemit shëndetësor, siguron cilësinë e kujdesit, si dhe sigurinë e barnave dhe pajisjeve mjekësore, dhe promovon kërkimin dhe trajnimin.
Ajo gjithashtu mbikëqyr dhjetëra transportues privatë për të siguruar që ata të jenë në përputhje me ligjin federal KVG / LaMal, i cili ndalon diskriminimin bazuar në moshën ose gjendjen shëndetësore, mbajtjen e trajtimeve të nevojshme dhe dispozita të tjera që garantojnë që çdo mbajtës i polisës merr të njëjtën cilësi kujdesi.
Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) është gjithashtu përgjegjëse për miratimin e primeve.
Kantonet, nga ana tjetër, janë përgjegjëse për hartimin e politikave të kujdesit shëndetësor në territoret e tyre, licencimin e ofruesve mjekësorë, koordinimin e shërbimeve spitalore dhe përcaktimin e primeve të kujdesit shëndetësor.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Londër dy ditë më parë, ku 22-vjeçari nga Kosova, Lorik A., humbi jetën pas një sulmi me thikë.
Në një postim në rrjetet sociale, familja e Lorikut shkruante: “Loriku ishte një i ri i kujdesshëm, i zgjuar dhe me një sens të mirë humori, me gjithë të ardhmen përpara. Ne, prindërit e tij, vëllai, e dashura, gjyshërit dhe familja e gjerë si dhe miqtë, e donim shumë. Një dritë është shuar në jetët tona dhe jemi të shkatërruar përtej fjalëve nga humbja e tij. Ju lutemi me mirësi të respektoni privatësinë tonë në këtë kohë”.
Gjithashtu, edhe familjarë të tjerë reaguan në rrjetet sociale, me mesazhe prekëse për ndarjen nga jeta të parakohshme të 22-vjeçarit, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.
Loriku ishte nipi i këngëtares së njohur nga Kosova, Ganimete Abazi, e njohur si “Ganja”, e cila gjithashtu reagoi me një postim në rrjetet sociale.
Pas ngjarjes, dy vajza, të dyja 25 vjeçare, dhe një djalë 28 vjeçar u arrestuan si të dyshuar për vrasje. Njëra nga vajzat u lirua me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Edhe kur jeton jashtë, vendlindja mbetet identiteti yt dhe trashëgimia për familjen tënde. Sot ke mundësinë të investosh aty ku fillon historia jote.
Marigona Sun përfaqëson një standard të ri jetese në Kosovë – elitare, moderne dhe e ndërtuar për ata që kërkojnë më të mirën për familjen e tyre.
Një shtëpi që të pret sa herë kthehesh. Një investim që nuk është vetëm pasuri, por edhe lidhje me origjinën.
Sepse vendlindja nuk është thjesht një vend që viziton – është vendi ku rrënjët mbeten, edhe kur jeta të çon larg.
Shtëpia Solara 371m² – elegancë me pamje panoramike mbi Prishtinë
E pozicionuar në fillim të lagjes, në një nga pikat më të favorshme, kjo shtëpi unike ofron pamje të papenguar dhe mahnitëse mbi tërë qytetin e Prishtinës – një privilegj që e bën çdo moment më të veçantë.
Niveli i parë është konceptuar si hapësirë moderne dhe e hapur, duke përfshirë qëndrimin ditor, kuzhinën dhe tryezarinë në një harmoni të plotë. Dritaret e mëdha lejojnë dritë natyrale gjatë gjithë ditës dhe hapen drejt një tarrace të madhe, me gjelbërim të kuruar dhe pishinë private, një ambient ideal për relaks ekskluziv dhe mikpritje elegante.
Sutereni ofron privatësi dhe funksionalitet maksimal: një suitë kryesore gjumi me gardërobë dhe banjo të veçantë, një zyrë pune, si dhe 4 garazhe në të njëjtin nivel, duke garantuar komoditet dhe siguri të plotë.
Niveli i sipërm përmban tre suita gjumi, secila me gardërobë dhe banjo private, si dhe pesë ballkone që ofrojnë pamje mahnitëse.
Sipas informacionit të lëshuar të martën, më 17 shkurt, nga Instituti Federal Zviceran për Kërkimin e Borës dhe Ortekëve (SLF), një “rrezik shumë i lartë” (niveli 5 nga 5) aktualisht ekziston në disa pjesë të Alpeve Valais. Alarmi është në fuqi deri të mërkurën, më 18 shkurt, në mesnatë.
Sipas Buletinit të Ortekëve në faqen e internetit Whiterisk.ch, e cila është pjesë e SLF, “Priten shumë ortekë natyrorë shumë të mëdhenj. Ortekë natyrorë jashtëzakonisht të mëdhenj janë të mundshëm. Ortekët mund të arrijnë lartësi të ulëta, veçanërisht në shtigjet tipike të ortekëve. Rrugët e ekspozuara të transportit dhe vendbanimet e ekspozuara janë të rrezikuara. Nuk këshillohet të angazhoheni në turne në natyrë dhe aktivitete të tjera jashtë pistave jashtë pistave të shënuara dhe të hapura”, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Reshjet e dendura të dëborës që nga e diela dhe erërat e vazhdueshme kanë çuar në mbyllje të shumta rrugësh në Valais. Luginat Saas dhe Lötschental janë veçanërisht të prekura dhe aktualisht janë të pakalueshme nga rruga.
Dhe një ortek ka ndodhur të hënën në mëngjes pranë Goppenstein (Valais), duke ndërprerë trafikun hekurudhor në linjën midis Brig (Valais) dhe Frutigen (Berne).
Ku është rreziku më i madh tani?
Zonat më të errëta në hartën më poshtë tregojnë vendet ku është shpallur rreziku më i lartë i ortekëve (niveli 5 nga 5).
Konkretisht, këto janë zonat e Val d’Entremont-Val Ferret, Emosson, Conthey-Fully, Montana, Leuche – Lötschental, Riederalp dhe Konkordia.
Situata mbetet kritike edhe në shumë zona të tjera të Alpeve: niveli i rrezikut 4 (i kuq) ende vlen atje.
Diku tjetër në Zvicër, rruga kombëtare H11 midis Wassen dhe Färnigen në Uri, si dhe rruga H19 Furkastrasse midis Hospental dhe Realp, janë gjithashtu të mbyllura për shkak të rrezikut të orteqeve. Alarmi është në fuqi deri në orën 10 të mëngjesit të mërkurën.
Cili është parashikimi i motit për ditët në vijim?
Reshje të dendura dëbore priten përsëri të martën, më 17 shkurt, veçanërisht në shpatet veriore të Alpeve dhe në Valais.
Në total, deri në 70 cm borë të freskët parashikohet deri të martën në mbrëmje, me edhe më shumë reshje dëbore që priten në ditët në vijim.
Vargët e dëborës do të bien në lartësi më të ulëta – midis 500 dhe 700 metra mbi nivelin e detit.
Të qëndrosh i sigurt
Çdo vit, dhjetëra njerëz vdesin nga orteqet në Alpe.
SLF raporton se të paktën 11 persona janë vrarë në aksidente me orteqe në Zvicër gjatë sezonit aktual dimëror 2025/2026; Në kohën kur po e lexoni këtë, edhe më shumë njerëz mund të bien viktimë e këtyre masave rrëshqitëse të borës dhe akullit në Alpet Zvicerane.
Këshilla e shëndoshë është të qëndroni larg pistave të pashënuara dhe zonave të përcaktuara si të rrezikshme nga orteqet.
Këto zona janë gjithmonë të shënuara qartë, por gjithashtu mund të bëni vetë detyrat e shtëpisë para se të dilni në shpatet.
Burimi më i mirë i këtij informacioni është Buletini i Orteqeve që përditësohet vazhdimisht.
Përveç dhënies së informacionit specifik në lidhje me zonat e rrezikshme, buletini përfshin edhe harta të detajuara të borës, duke përfshirë se si ndryshon thellësia e saj nga një zonë në tjetrën.
Ka përfunduar marshi i thirrur në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi që po gjykohen në Hagë.
Në fund organizatorët u bënë thirrje marshuesve që të kalojnë nga obelisku “New Born” për të marrë dhurata që mbajnë datën 17 shkurt dhe me simbolet e marshit “Drejtësi, jo politikë”, transmeton albinfo.ch.
Tasholli: UÇK-ja nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë
Mijëra qytetarë nga gjithë Kosova, janë mbledhur në Prishtinë në këtë përvjetor të 18 të pavarësisë, për t’i dhënë mbështetje ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ismail Tasholli nga “Liria ka emër”, ishte i pari që i hapi fjalimet në marshin “Drejtësi, jo politikë”. Ai tha se kur vjen fjala për UÇK-në, aty nuk ka ndarje, nuk ka poste.
“Aty jemi krejt bashkë. Njëjtë, aty jemi bijtë e bijat e një historie që na ka bashkuar në momentet më të vështira. Ushtra Çlirimtare nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë, dhe për atë themel nuk flasim me dallime, por me një zemër, prej zemrës.”, tha para mijëra marshuesve ai.
Tasholi tha se në çdo fshat e qytet ku kanë shkuar , një fjalë ka qenë mbi të gjitha, UÇK. “Ka qenë fjala e nderit, fjala që na ka bashkuar, fjala që i ka mbushur sytë me lot e zemrat me krenari. Nuk ka pasur shtëpi, nuk ka pasur asnjë shesh ku nuk e kemi parë emrin e Ushtrisë Çlirimtare. E kemi parë me sytë tanë sa shumë e do ky popull UÇK-në si simbol, si sakrificë, si themel i lirisë, si pjesë e identitetit tonë”, tha ai.
Krasniqi: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, duhet të lirohen, ata e mbrojtën popullin e vetë si gjithë Ushtria Çlirimtare
Fjalë mbajti edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë. Mes emocionesh tha se liria nuk erdhi vetvetiu, por me gjak e sakrificë.
“Na flasim për drejtësi dhe krimet që kreu Serbia në Kosovë, ne jemi të gjithë këtu për t’i liruar ata nga Haga. Nëse doni me ditë çka e bashkon popullin shqiptar është cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit gjithë juve që i shërbyet atdheu kur më së shumti kishte nevojë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, ata duhet të lirohen, ata e mbrojtën popullin e vetë si gjithë Ushtria Çlirimtare”, tha ajo.
Haziri: Sakrifica e UÇK-së nuk i përket vetëm një familjeje, por i përket gjithë popullit
Para mijëra qytetarëve foli edhe djali i Xhavit Hazirit, bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroit të kombit, i cili ende figuron si i zhdukur.
Çlirim Haziri tha se babai i tij është një hero që doli për liri e nuk u kthye më kurrë.
“Ka një mungesë me të cilën nuk mësohesh asnjëherë, një pritje që nuk mbaron, një vend të zbrazët në familje që nuk zëvendësohet kurrë. Kjo është jeta jonë, jeta e familjeve të të zhdukurve, këtë ndjenjë e kam që kur isha 7 vjeç. Por, unë nuk u rrita me urrejtje, u rrita me krenari, sepse ata që nuk janë në mesin tonë sot, nuk u sakrifikuan për veten, por sakrifikuan që ne sot të jemi të lirë”, tha ai.
Tutje, Haziri që në krah mbante emblemën e Ushtrisë Çlirimtare tha se kur preket sakrifica, të gjithë janë bashkë.
“Ne, sot, të mbledhur këtu nuk jemi familje të ndara, por familje e madhe e sakrificës, jemi familja e Rexhës, bacës Jakup, familja e Kadriut, familja e Hashimit, sepse kur preket sakrifica, qohemi të gjithë bashkë, sepse sakrifica e UÇK-së nuk i përket vetëm një familjeje por i përket gjithë popullit”.
Ai tha se 17 shkurti nuk është vetëm festë, por është betim. “Betim që nuk harrojmë sakrificën, që nuk lejojmë të përbalten luftëtarët tanë, betim që nuk e ulim kokën para padrejtësisë, betim që e mbrojmë me dinjitet luftën e UÇK-së”.
Shqipe Krasniqi: Sot kur kërkojmë drejtësi, nuk kërkojnë mëshirë
Ish-ushtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shqipe Krasniqi, që gjithashtu mbajti fjalë rasti në këtë manifestim, tha se si shumë vajza e gra shqiptare e mori armën e doli në front. “E vesha uniformën më të bukur në botë e iu bashkova radhëve të UÇK-së, jo sepse e doja luftën, por sepse e doja lirinë, sepse kur mohohet dinjiteti, rezistenca bëhet detyrim, sepse humbëm shumë”, tha ajo.
Krasniqi tha se bashkëluftëtarët e saj po përballen me padrejtësi nga Gjykata Speciale.
“Kjo na dhemb të gjithëve, sepse prekë kujtesën tonë, sakrificën tonë. Na dhemb se prekë dinjitetin tonë. Ky shtet që sot po feston 18 vjetorin nuk lindi rastësisht, lindi dhe u ndërtua mbi sakrificën e dëshmorëve, qëndresën e grave, durimin e nënave e mbi guximin e gjithë luftëtarëve”.
Ish-luftëtarja e UÇK-së tha se sot kur kërkojmë drejtësi, nuk kërkojnë mëshirë, kërkojnë drejtësi të vërtetë, pa politikë, drejtësi të paanshme, drejtësi që respekton faktet dhe rrethanat e kohës. “Sepse kur gjykohet padrejtësisht sakrifica, lëndohet kujtesa e popullit tonë. Ballafaqimi me drejtësinë është pjesë e shtrembërimit, por drejtësia duhet të jetë e drejt, e barabartë, e pandikuar, sepse kur lëndohet drejtësia, lëndohet besimi, e kur lëndohet besimi, rrezikohet e ardhmja”.
Më 14 shkurt, në Bülach, u zhvillua promovimi i librit “Unë, bija e Atdheut” të autores dhe aktivistes shqiptare nga Novi Pazari, Amina Nuraj, një vepër që artikulon përvojën individuale në raport të drejtpërdrejtë me dimensionin historik dhe shoqëror të shqiptarëve në Sanxhak. Aktiviteti, i organizuar nga Ansambli “Vatra” në bashkëpunim me LKSHM, u konceptua si një hapësirë komunikimi e hapur, duke favorizuar ndërveprimin mes autores, panelistëve dhe publikut.
Mbrëmja u zhvillua në një atmosferë të përqendruar dhe reflektuese, ku përvoja personale dhe dimensioni kolektiv ndërthureshin natyrshëm në diskutim. Të pranishëm ishin përfaqësues institucionalë, studiues, veprimtarë dhe përfaqësues të jetës kulturore e shoqërore shqiptare në Zvicër. Pjesëmarrja e Shefit të Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, e vendosi ngjarjen në një kontekst institucional, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës shqipe.
Paneli i përbërë nga Lulzim Krasniqi, Bardhec Berisha, Musa Jupolli dhe Mentor Thaqi e trajtoi veprën në një plan interpretues të zgjeruar. Në këtë kuadër, Musa Jupolli theksoi se libri funksionon si një strukturë narrative që materializon përvojë kolektive të artikuluar, duke e shndërruar përvojën individuale në një referencë me funksion ndërgjegjësimi në diskursin kulturor.
Në këtë rrjedhë, autorja e konkretizoi këtë dimension përmes një dëshmie të drejtpërdrejtë, duke e përshkruar rrugëtimin e saj si një proces të vështirë dhe të shënuar nga përballje të hershme: “Rruga ime ka filluar para 13 vitesh dhe ka qenë shumë e vështirë,” u shpreh ajo, duke rikujtuar edhe arrestimin në moshë 16-vjeçare nga autoritetet serbe, një përvojë që, siç theksoi, u përjetua në pasiguri të plotë për të ardhmen.
Duke e zgjeruar këtë reflektim, ajo e vendosi librin në një dimension më të gjerë përkatësie, duke theksuar: “Ky libër është për të gjithë ata që dashurinë ndaj atdheut e mbajnë gjallë në zemër,” një formulim që e zhvendos rrëfimin nga niveli individual në një adresim kolektiv.
Në planin letrar dhe kritik, vepra u vlerësua për koherencën tematike dhe për aftësinë për të artikuluar një realitet që mbetet në periferi të diskursit publik, duke ruajtur një ekuilibër ndërmjet dëshmisë personale dhe reflektimit kulturor.
Në të njëjtën kohë, autorja vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes institucionale nga Republika e Kosovës dhe Shqipëria në rikthimin e mësimit të gjuhës shqipe pas një ndërprerjeje të gjatë historike, si dhe theksoi se konteksti në Sanxhak vazhdon të karakterizohet nga kufizime dhe presione. Në këtë kuadër, ajo apeloi për një përkrahje më të strukturuar, duke nënvizuar edhe dimensionin social të angazhimit të saj, ku një pjesë e të ardhurave nga libri dedikohet për mbështetje konkrete në komunitet.
Diskutimet e zhvilluara gjatë promovimit orientuan vëmendjen drejt nevojës për koordinim më të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve, botës akademike dhe komunitetit shqiptar në Sanxhak dhe Luginën e Preshevës, si një parakusht për artikulimin e qëndrueshëm të interesave dhe synimeve kolektive.
Në përmbyllje, bashkëbisedimi me publikun mori një dimension konkret, duke prodhuar propozime për bashkëpunim dhe mbështetje të mëtejshme.
Promovimi i “Unë, bija e Atdheut” në Bülach e vendosi veprën në një kontekst ku përvoja individuale lexohet si pjesë e një realiteti më të gjerë shoqëror dhe identitar, duke e zhvendosur vëmendjen nga rrëfimi personal drejt një kuptimi më të artikuluar publik. Në këtë mënyrë, libri u trajtua jo vetëm si tekst letrar, por si një ndërhyrje në diskursin mbi identitetin, kujtesën dhe pozicionin e shqiptarëve në hapësira të ndërlikuara historike.
Presidenti i Izraeli, Isaac Herzog, ka uruar Presidenten e Kosova, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, duke theksuar simbolikën e veçantë të këtij numri në traditën hebraike, përcjell albinfo.ch.
Në letrën e tij, Herzog theksoi se numri 18 përfaqëson “jetën” dhe konsiderohet si një ogur i fortë dhe pozitiv. Ai përmendi gjithashtu pesëvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, si hapa të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Presidenti izraelit nënvizoi se marrëdhëniet mes dy shteteve janë thelluar edhe pas sulmit të 7 tetorit dhe shprehu pritjen për zgjerimin e mëtejmë të partneritetit në të ardhmen.
Letra mban datën 17 shkurt 2026 dhe nis me fjalët:
“Shkëlqesia Juaj,
Në emër të Shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij, kam nderin t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë suaj. Në traditën hebraike, numri 18 përfaqëson ‘jetën’ dhe shihet si një ogur i fortë dhe pozitiv.”
Marshi “Drejtësi, jo politikë” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po gjykohen në Hagë është përmbyllur në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.
Mijëra qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit, duke shprehur mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Tubimi nisi në sheshin “Skënderbeu” dhe u zhvillua nën moton “Drejtësi, jo politikë”.
Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në kuadër të marshit “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, transmeton albinfo.ch.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar qytetarët për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Përmes një video të shpërndarë në faqen e tij zyrtare, Hargreaves tha se Britania e Madhe është krenare që ka një partnere si Kosova.
“Ndërsa shohim përpara, ne mbetemi të përkushtuar për të punuar krah për krah për një Evropë të fortë, të sigurt dhe të begatë,” shtoi ai, duke përmendur edhe deklaratën e ish-kryeministrit Hashim Thaçi gjatë shpalljes së Pavarësisë.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar partneritetin e fortë mes dy vendeve, përcjell albinfo.ch.
“Nga Gjermania në Prishtinë dhe Kosova në Berlin, sot festojmë së bashku. Gjermania dhe Kosova janë të bashkuara nga demokracia, liria dhe respekti i ndërsjellë. Si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, Gjermania është krenare për partneritetin tonë të fortë dhe të qëndrueshëm, të ndërtuar shumë kohë para pavarësisë dhe të forcuar çdo ditë që atëherë,” thuhet në njoftim.
Ambasada gjithashtu përmend rolin e diasporës: “Gati 600,000 kosovarë që jetojnë në Gjermani e mbajnë lidhjen midis vendeve tona të gjallë. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, Kosova është një histori e vërtetë suksesi. Le të vazhdojmë të shkruajmë kapitullin tjetër të një të ardhmeje të ndritur të përbashkët. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”
Për nder të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, është mbajtur ceremonia zyrtare e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë, një ngjarje që simbolizon forcën dhe stabilitetin e shtetit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Gjatë ceremonisë, Presidentja Vjosa Osmani kujtoi sakrificat e brezave të tërë për lirinë dhe mëvetësinë e vendit. Në fjalimin e saj, ajo theksoi se askush nuk mund ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e përshkruar atë si një luftë të drejtë dhe çlirimtare, të udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet.
“Ajo ishte një luftë e drejtë, një luftë çlirimtare, një luftë mbrojtjeje e udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet. Pa këtë kontribut të jashtëzakonshëm të UÇK-së dhe pa këtë sakrificë, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realiteti që e festojmë sot,” deklaroi Presidentja Osmani, duke nënvizuar rolin vendimtar të UÇK-së në arritjen e Pavarësisë. /Albinfo.ch
Kryeministri Albin Kurti deklaroi në paradën e pavarësisë që po mbahet në Prishtinë se nuk do t’i mbyllin sytë para padrejtësisë që po bëhet ndaj drejtuesve të UÇK-së në Hagë, përcjell albinfo.ch.
“ Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare”.
“Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar, çlirimtare dhe antikoloniale. Një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur nën aparteid dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshojë asnjëherë“, deklaroi ai.
Mes tjerash, shefi i Qeverisë tha se do të vazhdojnë investimin në ushtri dhe polici.
Brohoritje dhe duartrokitje u dëgjuan teksa Rifat Jashari, përfaqësues i familjes legjendare të komandantit Adem Jashari, po kalonte rrugën ku do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe policët e vendit, në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë, përcjell albinfo.ch.
Jashari, me duar lart, përshëndeti qytetarët që tradicionalisht çdo vit ndjekin nga afër parakalimin solemn të FSK-së dhe Policisë, një ngjarje që për banorët e qytetit jep ndjenjë krenarie dhe respekti për historinë e Kosovës.
Në sheshin “Skënderbeu”, me flamuj të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të Kosovës dhe kombëtarë, po mblidhen qytetarë nga i gjithë vendi, madje edhe jashtë kufijve. Ata do të kërkojnë njëzëri, në orën 14:00, drejtësi për katërshen e UÇK-së që po mbahet në Hagë, përcjell albinfo.ch.
Ngjarjes i shoqëron mbishkrimi “Drejtësi, jo politikë”, së bashku me fotografitë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët prej më shumë se pesë vjetësh po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Në një botë ku kufijtë fizikë dhe mendorë duken gjithnjë e më të pamëshirshëm, rrallëherë shfaqen histori që i tejkalojnë ata me qetësi, dinjitet dhe kuptim të thellë njerëzor. Historia e Uta Ibrahimit nuk është vetëm një rrëfim për alpinizëm ekstrem apo për ngjitjen e majave mbi 8,000 metra. Ajo është një histori identiteti, përkatësie dhe sakrifice, e shkruar hap pas hapi mes akullit, rrezikut dhe vetmisë, por e mbajtur gjallë nga dashuria për Kosovën dhe njerëzit e saj. Për tetë vite me radhë, Uta Ibrahimi ka sfiduar jo vetëm malet më të rrezikshme të planetit, por edhe kufijtë e trupit, mendjes dhe shpirtit.
Çdo ekspeditë ka qenë një përballje me frikën, humbjen, lodhjen dhe pasigurinë, por edhe një dëshmi e jashtëzakonshme e qëndrueshmërisë njerëzore. Në çdo majë ku ka qëndruar, flamuri i Kosovës dhe ai kombëtar, ka qenë i pranishëm jo si simbol formal, por si barrë emocionale dhe përgjegjësi morale për të përfaqësuar një vend të vogël me histori të dhimbshme, por me forcë të jashtëzakonshme shpirtërore.
Kjo intervistë nuk është një listë suksesesh apo rekordesh sportive. Është një rrëfim i sinqertë për dhimbjen e humbjes, për sakrificat personale që nuk shihen, për paragjykimet, për vetminë dhe për momentet kur kthimi në shtëpi ka qenë më i rëndësishëm se arritja e majës. Uta flet hapur për babain e saj, për traumën e Shishapangmës, për vitet e jetuara në pasiguri dhe për çmimin personal që ka paguar për të jetuar besnikërisht ndaj vetes.
Në të njëjtën kohë, kjo është një histori shprese. Një dëshmi se nga një vend i vogël si Kosova mund të dalin histori që prekin botën. Se gratë mund të jenë të forta pa humbur ndjeshmërinë. Dhe se ëndrrat e mëdha, edhe kur duken të pamundura, mund të realizohen kur puna, dashuria dhe guximi ecin së bashku.
Në këtë intervistë ekskluzive për Albinfo.ch, Uta Ibrahimi rrëfen gjithçka, pa filtra, pa zbukurime dhe pa kompromis, duke ndarë me lexuesin jo vetëm majat që ka ngjitur, por edhe peshën që ka mbajtur në zemër gjatë gjithë këtij rrugëtimi.
Albinfo.ch: Çfarë përfaqëson Kosova për ju në këtë rrugëtim?
UTA IBRAHIMI: Për mua, Kosova ka qenë dhe mbetet motivi kryesor pas çdo ngjitjeje që kam bërë. Çdo hap drejt majave më të larta të botës e kam marrë duke e pasur Kosovën me vete – në zemër, në mendje dhe në flamur. Pavarësia e Kosovës është një nga momentet më të bukura dhe më të paharrueshme të jetës sime. Ende e kam shumë të freskët kujtimin e asaj dite dhe gëzimin e madh në Sheshin Nënë Tereza, ku u ndje një energji e rrallë bashkimi, shprese dhe krenarie.
Albinfo.ch: Çfarë ndjeni në momentet kur arrini majën?
UTA IBRAHIMI: Në ato momente, më vijnë në mendje të gjithë njerëzit e Kosovës – si një i vetëm. Është sikur i mbaj të gjithë me vete, në një thes simbolik, lart në majë. Më shfaqen para syve sytë e bukur dhe të ndritshëm të fëmijëve që i takoj nëpër shkolla gjatë vizitave të mia. Energjia e tyre, ëndrrat e tyre dhe besimi i pastër që kanë në jetë janë aty me mua, në çdo frymëmarrje. Në atë çast, nuk jam vetëm – jam e mbushur me gjithë forcën, shpresën dhe dritën e tyre.
Albinfo.ch: Sa i rëndësishëm ka qenë identiteti juaj shqiptar në rrugëtimin tuaj?
UTA IBRAHIMI: Identiteti im si shqiptare ka qenë një shtyllë shumë e rëndësishme në gjithë rrugëtimin tim profesional dhe jetësor. Të vish nga një vend i vogël, me një histori të dhimbshme, por me njerëz jashtëzakonisht të fortë, të mëson që qëndrueshmëria, durimi dhe këmbëngulja nuk janë zgjedhje – janë mënyrë jetese. Si shqiptare, jam rritur me ndjenjën se duhet të punoj dyfish për t’u dëshmuar, por edhe me krenarinë për të përfaqësuar një popull që nuk është dorëzuar kurrë. Ky identitet më ka dhënë forcë të besoj në veten time edhe kur kushtet kanë qenë të pabarabarta, kur dyshimet kanë qenë të mëdha dhe rruga shumë e vështirë. Në çdo majë ku kam qëndruar, identiteti im shqiptar nuk ka qenë thjesht një përkatësi kombëtare, por një burim force, përgjegjësie dhe frymëzimi – për të treguar se edhe prej një vendi të vogël mund të dalin histori të mëdha.
Albinfo.ch: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë këtij projekti?
UTA IBRAHIMI: Kam pasur shumë momente jashtëzakonisht të vështira gjatë ngjitjeve në majat më të larta të botës. Ky ka qenë një projekt që ka zgjatur 8 vite – vite me punë të pandërprerë për sigurimin e fondeve, me stërvitje të vazhdueshme dhe me përballje të pafundme me ngjitje shumë të rënda, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Edhe pse jam një person që përpiqet gjithmonë ta mbajë motivin lart dhe të gjejë diçka pozitive edhe në momentet më të errëta, ka pasur çaste kur lodhja, frika dhe dyshimi kanë qenë reale. Pikërisht në ato momente, forca kryesore për të vazhduar kanë qenë njerëzit e mi – familja, shoqëria, mbështetja e tyre e pakushtëzuar – por edhe fëmijët dhe i gjithë populli i Kosovës, që i kam ndjerë gjithmonë pranë me besim dhe përkrahje. Mendimi se nuk jam vetëm aty lart, se çdo hap përpara përfaqëson shpresë, frymëzim dhe një mesazh për të tjerët, më ka dhënë forcë të vazhdoj edhe atëherë kur trupi donte të ndalej.
Albinfo.ch: Cila ka qenë maja më sfiduese për ju?
UTA IBRAHIMI: Pa asnjë dyshim, maja më sfiduese për mua, emocionalisht, ka qenë Dhaulagiri. Është një majë e mbushur me emocione të thella dhe sa herë e kujtoj, më rrjedhin lotët. Dhaulagirin e kam ngjitur në tentimin e tretë. Në tentimin e parë, gjatë kohës që isha në ekspeditë, ndërroi jetë babai im – bibi im, heroi im. Në atë moment, pa asnjë dyshim, e ndërpreva ekspeditën dhe u ktheva në shtëpi. Asnjë majë nuk kishte më rëndësi. Tentimi i dytë dështoi për shkak të kushteve të rënda – mali nuk na la të kalonim. Ishte një tjetër provë durimi dhe pranimi. Në tentimin e tretë, gjithçka mori një kuptim tjetër. E ngjita majën më 17–18 maj, pikërisht në ditëlindjen e bibit tim. Në summit ishim vetëm katër persona. Ngjitja ishte pothuajse e pamundur, por gjatë gjithë rrugës e ndjeja babain pranë meje. Sikur më udhëhiqte hap pas hapi, sikur më mbante dorën deri në fund të majës. Kjo majë më ka rritur dyfish – si njeri dhe si grua. Më ka ndryshuar thellë, më ka forcuar, por njëkohësisht më ka zbutur. Dhaulagiri nuk ishte vetëm një ngjitje; ishte një proces shërimi, një dialog i heshtur mes meje dhe dhimbjes, dhe një dëshmi se dashuria dhe lidhja shpirtërore nuk ndalen as në lartësitë më ekstreme.
Ndërsa fizikisht, majat më të vështira për mua kanë qenë K2 dhe Annapurna. Të dyja këto maja njihen botërisht si ndër më të vështirat dhe më të rrezikshmet në botë, për shkak të terrenit ekstrem, kushteve të paparashikueshme dhe rrezikut të vazhdueshëm. Çdo hap në këto male ka qenë një përballje e drejtpërdrejtë me kufijtë e trupit dhe mendjes. Për këtë arsye, jam përjetësisht mirënjohëse ndaj Nënës Natyrë që më lejoi t’i ngjis këto maja dhe, mbi të gjitha, të kthehem e plotë dhe e sigurt në shtëpi. Në fund, suksesi i vërtetë nuk është vetëm të arrish majën, por të kesh mundësinë të kthehesh dhe ta vazhdosh jetën me edhe më shumë respekt për forcën dhe madhështinë e maleve.
Albinfo.ch: Çfarë do të thotë për ju fakti që sot jeni frymëzim për shumë gra?
UTA IBRAHIMI: Është një ndjenjë shumë e bukur dhe e veçantë për mua fakti që sot jam frymëzim për shumë vajza dhe gra shqiptare – dhe jo vetëm. Më gëzon thellë të di që rrugëtimi im vazhdon të frymëzojë jo domosdoshmërisht vetëm për të ngjitur maja të larta, por mbi të gjitha për të besuar tek vetja dhe tek forca e brendshme. Kur e nisa këtë rrugëtim drejt majave të botës, nuk e kisha mbështetjen e duhur nga shoqëria. Kishte shumë dyshime, paragjykime dhe mungesë besimi. Por pikërisht përmes punës së madhe, këmbënguljes dhe përkushtimit, arrita jo vetëm ta përfundoj projektin tim, por edhe të kthehem në një shembull që sot i motivon të tjerët. Me thënë të drejtën, është një ndjenjë që të mbush zemrën. Gjithmonë kam besuar se jemi në këtë jetë për të bërë diçka jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Dhe sot, me bindje të plotë, mund të them se ia kam dalë ta jetoj këtë besim në praktikë.
Albinfo.ch: Cilat kanë qenë sakrificat personale më të mëdha?
UTA IBRAHIMI: Kjo është një pyetje shumë e gjerë dhe, sinqerisht, do të mund të flisja pafund për të. Por ajo që më dhemb më shumë është fakti kur ka njerëz që, nga karriget e ngrohta dhe nga një jetë e rehatshme, komentojnë lehtë dhe thonë: “Po ani, de, për vete e ke bërë.” Këto fjalë shpesh i minimizojnë vite të tëra sakrifice që nuk shihen dhe nuk kuptohen. Sfidat e mia nuk kanë qenë vetëm ngjitjet në male. Ky ka qenë një rrugëtim që ka zgjatur 8 vite dhe që, në shumë forma, vazhdon ende. Ka qenë një jetë e kaluar larg njerëzve të dashur, larg një stabiliteti financiar dhe larg një stabiliteti familjar. Sot jam 42 vjeçare dhe pothuajse gjithë jetën e kam jetuar në lëvizje, në pasiguri, duke zgjedhur një rrugë që rrallë kush është i gatshëm ta marrë. Besoj që gratë e kuptojnë këtë më mirë se kushdo tjetër – sidomos kur shoqëria shpesh pret prej teje siguri, qetësi dhe role të përcaktuara, jo rrezik, sfidë dhe pasiguri të vazhdueshme. Sidoqoftë, pavarësisht gjithë këtyre sakrificave, zemra ime është e mbushur plot. Po, ka momente kur ndihem e vetmuar, dhe ato janë reale. Por në fund, e di që kjo rrugë më ka dhënë diçka shumë të çmuar: ndjenjën se kam jetuar me kuptim, me guxim dhe me besnikëri ndaj vetes sime.
Albinfo.ch: A ka pasur momente dyshimi apo frike të thellë?
UTA IBRAHIMI: Nuk kam pasur shumë momente ku kam dyshuar në veten time, sepse gjithmonë jam përpjekur të gjej diçka pozitive për të vazhduar përpara, edhe kur ka qenë shumë e vështirë. Por ka një moment që më ka tronditur thellë dhe që e mbaj ende me vete. Ai moment lidhet me Shishapangma, kur isha shumë afër vdekjes. Një ortek ra para syve të mi dhe, në atë tragjedi, humbëm katër shokë/shoqe nga ekipi ynë. Ishte një përjetim që më theu emocionalisht dhe psikologjikisht. Pas atij momenti, e pata jashtëzakonisht të vështirë të kthehesha sërish në ekspedita, e sidomos të mendoja rikthimin në të njëjtën majë. Kur u ktheva në shtëpi, trupi dhe mendja ime ishin plotësisht të shkatërruara. Kam kaluar shumë kohë në fizioterapi, duke u përpjekur të rikthehem jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Trauma ishte dhe mbetet reale – ende e mbaj me vete. Kapërcimi nuk ka ardhur shpejt dhe as lehtë. Ka ardhur përmes kohës, pranimit, punës së madhe me veten dhe respektit për frikën. Nuk e kam mohuar atë që më ndodhi; e kam pranuar si pjesë të rrugëtimit tim. Dhe ndoshta pikërisht kjo më ka ndihmuar të vazhdoj: të eci përpara jo duke harruar, por duke jetuar me atë që kam përjetuar.
Albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për të rinjtë shqiptarë?
UTA IBRAHIMI: Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë është i thjeshtë, por i vërtetë: me punë arrihet gjithçka. Punë e vazhdueshme, punë me përkushtim, dhe shpeshherë shumë më tepër punë sesa mendojmë se kemi forcë të japim. Por puna vetëm nuk mjafton. Duhet edhe shumë dashuri – dashuri për atë që ëndërroni, për veten tuaj, për rrugën që zgjidhni dhe për njerëzit përreth jush. Do të ketë pasiguri, dyshime dhe momente kur askush tjetër nuk do të besojë tek ju. Në ato çaste, besimi juaj tek vetja është ajo që bën dallimin. Mos prisni të jeni gati. Filloni. Punoni. Gaboni. Mësoni. Dhe vazhdoni. Sepse ëndrrat e mëdha kërkojnë guxim të madh, por shpërblimi i tyre është të jetosh një jetë me kuptim.
Albinfo.ch: Çfarë dëshironi që historia juaj t’i tregojë botës për Kosovën?
UTA IBRAHIMI: Historia ime tashmë u ka treguar shumë vendeve të botës se kush është Kosova dhe kush janë shqiptarët. Në secilën ekspeditë – jo vetëm në majat mbi 8,000 metra – kam vendosur flamurin e Kosovës dhe të kombit shqiptar, si një simbol krenarie, përkatësie dhe identiteti. Jam ndër të paktat atlete nga Kosova që kam arritur të marr mbështetje nga brende të mëdha ndërkombëtare, dhe kjo ka qenë një mënyrë tjetër për ta vendosur Kosovën në hartën botërore të sportit dhe aventurës. Sot, shumë njerëz e dinë ku është Kosova. Shumë e dinë se çfarë populli jemi: punëtor, i qëndrueshëm, i guximshëm dhe me ëndrra të mëdha. Ajo që dua që historia ime t’i tregojë botës është se nga një vend i vogël mund të dalin njerëz me forcë të madhe, me vlera, me vizion dhe me aftësi për të qëndruar denjësisht krah për krah me më të mirët në botë.
Kjo është Uta e Kosovës në majat e botës…
Foto: Rromir Imami/albinfo.ch
Historia e Uta Ibrahimit mbetet një nga rrëfimet më të fuqishme bashkëkohore për atë që do të thotë të jetosh me qëllim. Ajo na kujton se suksesi nuk matet vetëm me arritjen e majës, por me guximin për t’u kthyer, për të vazhduar dhe për të mbetur besnik ndaj vetes, edhe kur rruga është e vetmuar dhe e pasigurt.Përtej alpinizmit, Uta Ibrahimi përfaqëson një brez grash dhe burrash që refuzojnë të kufizohen nga rrethanat, nga pritshmëritë shoqërore apo nga frika.
Ajo është dëshmi se sakrifica, edhe kur është e dhimbshme, mund të shndërrohet në kuptim, dhe se humbja, edhe kur lë plagë të thella, mund të kthehet në forcë. Në çdo fjalë të kësaj interviste ndihet pesha e një jete të jetuar pa kompromis, por edhe qetësia e një njeriu që e di pse ka zgjedhur këtë rrugë. Rrëfimi i saj nuk kërkon duartrokitje, por mirëkuptim. Nuk kërkon heroizëm, por respekt për guximin njerëzor.
Në fund, historia e Uta Ibrahimit është një pasqyrë për të gjithë ne: një thirrje për të mos pritur momentin e duhur, për të mos u frikësuar nga rruga e vështirë dhe për të besuar se edhe nga vendet më të vogla mund të lindin histori që lëvizin botën. Kjo intervistë nuk është thjesht një rrëfim personal. Është një kapitull i gjallë i historisë moderne të Kosovës, i shkruar në lartësi ekstreme, por me këmbë të forta në tokë dhe me zemër të hapur për brezat që vijnë.