Rame Lahaj dhe Fondacioni Rame Lahaj, zëri botëror në shërbim të një misioni kombëtar

Me rastin e tetëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kjo intervistë ekskluzive sjell një rrëfim të thelluar me tenorin mirënjohur Rame Lahaj, një nga figurat më përfaqësuese të artit shqiptar në skenat botërore të operës. Në një bisedë që tejkalon biografinë personale dhe hyn në dimensionin e përgjegjësisë kulturore, Lahaj flet për rrugëtimin e tij nga një realitet i shënuar nga lufta dhe mungesa, drejt skenave më prestigjioze ndërkombëtare, për identitetin si bosht krijues, si dhe për Fondacionin Rame Lahaj si mision afatgjatë në shërbim të artit dhe brezave të rinj shqiptarë.

albinfo.ch Si e përkufizoni rrugëtimin tuaj artistik nga një kontekst shoqëror i shënuar nga lufta dhe mungesa drejt institucioneve më elitare të operës botërore?

Rame Lahaj: Rrugëtimi im artistik është i pandashëm nga konteksti në të cilin jam rritur, edukuar dhe formuar. Duke u rritur në një provincë të vogël, në fund të viteve ’90, me mundësi minimale jetese, mungesa ka qenë forca dhe motori kryesor i gjithë asaj që ka ndodhur më pas. Në atë kohë, shumë gjëra dukeshin pothuajse të pamundura jo vetëm për t’u realizuar, por edhe për t’u ëndërruar. Pikërisht ky kontrast mes pamundësisë dhe dëshirës së madhe për të eksploruar jetën, profesionin dhe vetveten kam ndërtuar themelet e personalitetit tim artistik. Rrugëtimi im nuk ka qenë linear; ka qenë një proces i gjatë ballafaqimesh, sakrifice dhe vetëdisipline, që gradualisht më ka çuar drejt institucioneve më elitare të operës botërore.

albinfo.ch Në çfarë mase identiteti juaj kulturor shqiptar ka ndikuar në formësimin e estetikës suaj së interpretimit dhe në përqafimin ndërkombëtar të artit tuaj?

Rame Lahaj: Identiteti im kulturor shqiptar nuk ka qenë kurrë një element i shtuar artificialisht mbi artin tim. Jam rritur me këngën popullore, folkloristike, patriotike dhe të dashurisë, forma të sinqerta shprehjeje që nuk vinin nga shkolla të mëdha evropiane, por nga përvoja e jetuar. Ky autenticitet ka ndikuar thellë në estetikën time të interpretimit. Kur jam përballur me repertorin elitar operistik, ky bagazh kulturor ka funksionuar si një pasuri e brendshme, duke i dhënë interpretimit tim një sinqeritet dhe një ngjyrim emocional që publiku ndërkombëtar e percepton si origjinalitet.

albinfo.ch: A ekziston një moment paradigmatik në karrierën tuaj kur afirmimi personal u shndërrua në përfaqësim kulturor kolektiv?

Rame Lahaj: Nuk do ta veçoja një moment të vetëm. Që nga fillimi, paralelisht kanë bashkëjetuar dy kolona, zhvillimi im personal dhe përfaqësimi i identitetit kombëtar. Kudo që kam performuar rëndësia nuk ka qenë vetëm cilësia artistike, por edhe mënyra se si përfaqësohej kultura shqiptare. Kjo nuk ka qenë një strategji e menduar, por një gjendje e mishëruar thellë brenda meje.

albinfo.ch Si ruani autonominë artistike dhe integritetin estetik në një sistem global ku standardet institucionale dhe konkurrenca janë përcaktuese?

Rame Lahaj: Besoj fuqishëm se çdo artist është unik vetëm atëherë kur e jep origjinalitetin e vet pa kompromis. Në një sistem global ku rreziku i uniformizimit është i madh, ruajtja e autonomisë artistike kërkon vetëdije dhe guxim. Nuk e kam ndjerë kurrë të nevojshme të adaptohem në mënyrë të sforcuar ndaj trendeve apo rregullave të jashtme. Rrugëtimi im jetësor, pasuria ime shpirtërore dhe disiplinimi profesional kanë krijuar standardin tim dhe më kanë lejuar të ruaj integritetin estetik edhe në mjedise shumë konkurruese.

albinfo.ch Kush është Rame Lahaj jashtë skenës, në jetën e përditshme?

Rame Lahaj: Jashtë skenës jam një njeri i thjeshtë dhe reflektiv, pa nevojën për të ndërtuar një fasadë publike. Respekti për punën, për njerëzit dhe për disiplinën është pjesë e edukatës sime. Nuk kam vepruar kurrë për të krijuar një imunitet artificial apo për të dëshmuar veten përmes pozitës, gjithçka që kam ndërtuar ka ardhur nga dashuria për zhvillimin dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit tim.

albinfo.ch Kur shihni pas në rrugëtimin tuaj jetësor dhe artistik, cilat kanë qenë momentet që ju kanë formuar më thellë?

Rame Lahaj: Formësimi im nuk lidhet me një kulm të vetëm, por me një vazhdimësi përvojash. Fëmijëria në fund të viteve ’90, trauma e luftës, përballja me realitete të vështira sociale dhe më pas sfidat profesionale në ambiente ndërkombëtare janë gërshetuar natyrshëm. Pikërisht këto periudha të vështira kanë ndërtuar një personalitet që sot jeton në paqe me veten dhe e sheh jetën si një proces të pandërprerë zhvillimi.

Rame Lahaj, FB

albinfo.ch Si e interpretoni sot situatën e vitit 2019 me koncertin e planifikuar në Shkup?

Rame Lahaj: Sot e shoh atë situatë me qartësi profesionale. Nuk ishte një bojkot institucional, por pasojë e joprofesionalizmit të disa individëve që tentuan të destabilizonin një nismë kulturore. Në një kontekst shoqëror të ndjeshëm, reagimi im ishte i bazuar në parim, zero tolerancë ndaj mungesës së disiplinës profesionale. Koncerti u realizua, edhe pse në një format tjetër, duke dëshmuar se arti nuk duhet të ndalet nga energji destruktive.

albinfo.ch Si e lexoni marrëdhënien mes artit tuaj dhe mërgatës shqiptare, veçanërisht në Zvicër?

Rame Lahaj: Mërgata shqiptare është një nga audiencat më të sinqerta dhe më të ndjeshme. Për dekada, ajo ka qenë e ekspozuar ndaj formave të muzikës që nuk kanë qenë gjithmonë autentike. Përmes koncerteve dhe festivaleve, kam synuar të krijoj një dialog mes muzikës klasike urbane dhe këngës shqipe. Mërgata është e hapur për të eksploruar, për sa kohë ndien respekt dhe sinqeritet në atë që i ofrohet.

albinfo.ch A mendoni se në të ardhmen do të angazhoheni institucionalisht për mbështetjen e talenteve të reja shqiptare?

Rame Lahaj: Ky angazhim tashmë po realizohet përmes Fondacionit Rame Lahaj, i cili mbështet talentet e reja dhe krijon ura mes artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Fondacioni përveç që paraqet një projekt kulturor, gjithashtu është një mision afatgjatë për të ndërtuar një infrastrukturë më të qëndrueshme artistike dhe për të mbushur një boshllëk institucional që ende ekziston në realitetin tonë kulturor.

albinfo.ch Në përmbyllje, kush është sot Rame Lahaj dhe cili është mesazhi për brezat e rinj shqiptarë?

Rame Lahaj: Jetojmë në një kohë të mbingarkuar me zhurmë digjitale dhe frustrim, që shpesh na çon drejt heqjes dorë nga edukimi dhe sakrifica. Besoj se njeriu e gjen vetveten vetëm përmes punës, studimit dhe analizës së vazhdueshme të vetes. Ky është mesazhi im për brezat e rinj shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut, të mos heqin dorë nga ky proces, sepse vetëm kështu ndërtohet një vizion i qartë për jetën, profesionin dhe kontributin në komunitet. Duke qenë se kjo intervistë botohet në albinfo.ch, platformë e mërgatës shqiptare dëshiroj t’i ftoj lexuesit, veçanërisht ata që jetojnë në Zvicër dhe në diasporë, të jenë pjesë e aktiviteteve të Fondacionit Rame Lahaj gjatë muajit korrik. Programi përfshin festivale, koncerte, masterclasse, punëtori dhe projekte edukative të dedikuara për të gjitha gjeneratat, duke krijuar hapësira ku muzika, dija dhe përvoja ndërthuren natyrshëm. Përmes këtyre aktiviteteve synojmë të ndërtojmë ura të qëndrueshme mes Kosovës, mërgatës dhe hapësirës kulturore evropiane, duke e pozicionuar kulturën si një nga format më të qëndrueshme të lidhjes dhe përfaqësimit. Ju faleminderit!

Kjo bisedë nxjerr në pah Rame Lahajn si figurë të formuar përmes një procesi të qëndrueshëm pune dhe përvoje, të ndërtuar mbi disiplinë, përkushtim dhe vetëdije të qartë për përgjegjësinë që arti mbart në hapësirën publike. Rrëfimi i tij dëshmon se veprimtaria artistike dhe prania skenike përbëjnë pjesë integrale të një procesi më të gjerë përfaqësimi kulturor dhe të një marrëdhënieje të ndërgjegjshme me shoqërinë.

Në kontekstin e tetëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kjo intervistë e trajton kulturën si element thelbësor të ndërtimit shoqëror dhe të përfaqësimit publik. Angazhimi i Lahajt përmes Fondacionit Rame Lahaj përfaqëson një orientim të qartë drejt krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm mbështetës për brezat e rinj, duke e zhvendosur theksin nga arritja individuale drejt përgjegjësisë institucionale. Në këtë kuadër, arti konceptohet si veprimtari me funksion afatgjatë, e lidhur ngushtë me edukimin, trashëgiminë kulturore dhe konsolidimin e një vizioni të qëndrueshëm për të ardhmen.

Mërgata, ndër audiencat më të sinqerta

Mërgata shqiptare është një nga audiencat më të sinqerta dhe më të ndjeshme. Për dekada, ajo ka qenë e ekspozuar ndaj formave të muzikës që nuk kanë qenë gjithmonë autentike. Përmes koncerteve dhe festivaleve, kam synuar të krijoj një dialog mes muzikës klasike urbane dhe këngës shqipe. Mërgata është e hapur për të eksploruar, për sa kohë ndien respekt dhe sinqeritet në atë që i ofrohet.

Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, iu drejtua qytetarëve gjatë seancës solemne në nder të Ditës së Pavarësisë, duke rikujtuar sakrificat dhe përpjekjet e vazhdueshme të popullit shqiptar.

“Sot shënojmë 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Pavarësi që u bë e mundur falë përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të popullit shqiptar, përmes luftës për çlirim, gjakut të shumë heronjve që ranë ndër breza, që ne të jemi sot ku jemi këtu,” tha Haxhiu.

Kryekuvendarja përkujtoi gjithashtu popullin shqiptar përkushtuar për të nderuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për liri: “Përkulje e përjetshme për ata që dhanë jetën për lirinë e vendit, para dëshmorëve dhe martirëve, para atyre që përjetuan dhunë në forma të ndryshme, para familjeve që ende mbajnë dhimbjen e luftës, dhe të gjithë atyre që edhe sot kërkojnë drejtësi.”

Haxhiu vlerësoi rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se: “UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet, pa pasur synim shkatërrimin e askujt tjetër. Dhe çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik dhe politik, rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe.”

Seanca solemne në 18-vjetorin e Pavarësisë

Parlamenti i Kosovës është mbledhur sot në një seancë solemne në 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Në fjalën e saj Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në këto 18 vite vendi ka arritur shumë, por ka edhe shumë rrugë përpara.

“Kosova u bë shtet për të mbrojtur të vërtetën, populli i Kosovës sakrifikoi gjithçka, në mënyrë që ne sot të gëzojmë lirinë. Në këtë përvjetor me mirënjohje dua të falënderoj aleatët tanë, SHBA, çdo shtet europian që qëndruan krah Kosovë sikur liria dukej e largët dhe e pamundur. Sot pas 18 vitesh kemi arrti shumë, por kemi dhe shumë rrugë përpara.”, u shpreh Osmani.

Nder të tjera, ajo ka thënë e UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj.

Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u luftuan, u burgosen por asnjëherë nuk u nënshtruan. Në themelin e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik, Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë sonë. Me vizion ai udhëhoqi popullin. Historia u brumos në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e komandantit Adem Jashari. UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë dhe gjithnjë e pastër. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është e padrejtë, historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë dhe me popullin tonë u ngritën për liri e dinjitet”, ka thënë ajo.

Rama uron Pavarësinë e Kosovës

Në një postim në Facebook kryeministri Rama ka ndarë foto nga vizita e tij e djeshme në Prishtinë ku u takua me Presidenten Vjosa Osmani dhe me homologun e tij, Albin Kurti, përcjell albinfo.ch.

“Keqardhje që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritet me 4 pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shkruan kryeministri.

Postimi i plotë:

MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë

Kurti: Historia do të bëjë gjykimin e drejtë për ish-krerët e UÇK-së

Gjatë seancës solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e vlerave të lirisë, demokracisë dhe barazisë, duke përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë, përcjell albinfo.ch.

Kurti ka theksuar se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por kultura dhe populli i Kosovës janë të lashtë. Ai ka theksuar se kontributi i atyre që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë është i çmuar dhe historia do të bëjë gjykimin e drejtë.

Kryeministri gjithashtu ka bërë thirrje për përkushtim të gjithë qytetarëve, duke i inkurajuar të punojnë për forcimin e shtetit dhe për arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

Osmani dekoron Alicia Kearns me Medaljen Presidenciale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, Alicia Kearns, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj sovranitetit të Kosovës dhe përkushtimin për paqe e siguri në vend dhe në rajon, përcjell albinfo.ch.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljes, Osmani shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin e vazhdueshëm të deputetes Kearns në ngritjen e vetëdijes ndërkombëtare për rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani e cilësoi Kearns si “një mike të madhe të Kosovës”, duke theksuar se populli i Kosovës është përzemërsisht mirënjohës për përkrahjen e saj të vazhdueshme dhe kontributin në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Austria uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

Në mesazhin e saj, ambasada thekson se Austria feston së bashku me popullin e Kosovës dhe përcjell urimet më të ngrohta me rastin e 17 Shkurtit, përcjell albinfo.at.

Austria vlerëson partneritetin e saj të fortë me Kosovën, të ndërtuar mbi miqësi, interesa të përbashkëta dhe lidhje të ngushta mes dy popujve. Në mesazh shprehet gatishmëria për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të punuar së bashku drejt një të ardhmeje të begatë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”, përfundon urimi i Ambasadës së Austrisë.

Begaj uron Kosovën në Ditën e Pavarësisë: Le të ecim bashkë, për jetë e mot

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i Shqipërisë tha se në këtë përvjetor Kosova është më e fortë me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

“Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!  Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë! BASHKË, JETË E MOT”, ka shkruar ai.

Macron uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në mesazhin e tij, Macron përcjell urimet më të përzemërta në emër të Francës dhe në emrin e tij personal, duke riafirmuar përkushtimin e shtetit francez ndaj pavarësisë së Kosovës dhe perspektivës së saj evropiane. Ai thekson se ribashkimi i kontinentit evropian kalon përmes integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Presidenti francez vë theks të veçantë te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë si çështje të sigurisë evropiane dhe dimension qendror të procesit të afrimit me BE-në. Sipas tij, Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje e sigurisë evropiane dhe një dimension qendror i procesit të afrimit të tyre me Bashkimin Evropian. Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit kanë përcaktuar drejtimin. U takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra përsipër”, thuhet në letrën e urimit.

Në fund të mesazhit, Macron nënvizon edhe vlerat e përbashkëta mes dy vendeve, si olimpizmi, frankofonia dhe avancimi i të drejtave të grave, duke shprehur shpresën për thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe, përfshirë edhe shkëmbimet ekonomike.

Screenshot

5000 emblema të UÇK-së vendosen në NEWBORN në shenjë kundërshtimi ndaj Gjykatës Speciale

Monumentit të Pavarësisë NEWBORN i janë vendosur 5000 emblema të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë, transmeton albinfo.ch. 

Platforma Liria ka emër ka bërë të ditur se aksioni simbolik është realizuar si mesazh kundërshtimi ndaj Gjykata Speciale. Sipas njoftimit, pas “burgosjes” simbolike të monumentit me rrethoja hekuri dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur!”, këtë mëngjes ai është mbuluar me 5000 emblema magnetike të UÇK-së.

Aktivistët e platformës kishin rrethuar një natë më parë monumentin me hekura metalike, duke e shndërruar në një imazh burgu, ndërsa sot e plotësuan aksionin me vendosjen e emblemave.

Eliza Hoxha nga “Liria ka emër” deklaroi se reagimi qytetar vjen si kundërshtim ndaj asaj që e cilësojnë padrejtësi nga Gjykata Speciale, duke shtuar se e konsiderojnë këtë proces si tendencë për rishkrim të historisë dhe cenim të luftës për liri dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

Liderët shtetërorë në Prekaz për përvjetorin e pavarësisë

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Pavarësisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti kanë zhvilluar homazhe në Prekaz, duke nderuar sakrificën për liri dhe shtetndërtim, përcjell albinfo.ch.

Më pas, krerët institucionalë vendosën lule edhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

Homazhe u bënë gjithashtu pranë Monumentit të të Pagjeturve dhe te Pllaka Përkujtimore për Fëmijët e Vrarë, në kujtim të viktimave të luftës dhe të atyre që kontribuuan në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë.

Flamujt që fillimisht u propozuan për flamur të shtetit të Kosovës

Revista Albinfo.ch rikujton artikullin lidhur me flamujt që fillimisht u propozuan si simbol i shtetit të Kosova. Para se të zgjidhej flamuri që valon sot, në qershor të vitit 2007 u hap një konkurs ndërkombëtar për dizajnin e flamurit shtetëror, ku morën pjesë 993 konkurrentë me propozime të ndryshme. Nga ky proces u përzgjodh edhe flamuri aktual, që sot përfaqëson identitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

OKB caktoi disa rregulla se si duhet të ishte flamuri i Kosovës. Sipas OKB-së të gjitha simbolet duhet të reflektonin natyrën multi-etnike të Kosovës, dhe duhet të shmangin përdorimin e shqiponjave me dy koka shqiptare apo përdorimin e vetëm ngjyrës së kuqe dhe të zezës, ose të kuqes, të kaltrës dhe të bardhë. E kuqja dhe e zeza janë ngjyrat e përdorura në flamurin shqiptar, ndërsa e kuqja, e kaltra dhe e bardha janë ngjyrat kryesore të flamurit serb. Përveç kësaj, të gjitha modelet duhet të ishin drejtkëndore.

Një grup politikanësh dhe ekspertësh kosovarë të njohur si “Ekipi i Unitetit” zgjodhi dizajne të cilat do të shkonin përpara për votim nga Kuvendi i Kosovës.

Një sipërfaqe e kaltër me një hartë të bardhë të Kosovës e rrethuar me 5 yje. Yjet ndryshojnë në madhësi dhe përfaqësojnë grupet e ndryshme etnike që banojnë në Kosovë. Ylli më i madh do të përfaqësonte shqiptarët etnikë.

Flamuri u propozua nga Joseph J. DioGuardi për flamurin e ri të Kosovës bazuar në flamurin e Shqipërisë dhe SHBA-së.

Një flamur që ishte sinonim i flamurit kombëtar të Shqipërisë me gjashtë yje të shoqëruar me sfond gjysmë të kuqe dhe gjysma tjetër e kaltër.

Flamuri u propozua më 2005 për flamurin e ri të Kosovës bazuar në flamurin e OKB-së dhe shqiponjës së Shqipërisë.

Një trengjyrëshe vertikale e zezë, e bardhë dhe e kuqe me një simbol spirale në qendër të shiritit të bardhë, i cili është një simbol dardan për diellin rrotullues.

Është Muhamer Ibrahimi i cili e kishte fituar garën për dizajnimin e flamurit dhe të stemës së Republikës së Kosovës, me të cilat simbole edhe u shpall pavarësia e vendit. /Albinfo.ch

Ngritja solemne e flamurit shënon 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me ceremoni shtetërore është ngritur flamuri i Republikës së Kosovës në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së vendit, transmeton albinfo.ch.

Nën praninë e krerëve institucionalë, përfaqësuesve të kabinetit qeveritar dhe pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ceremonia simbolike rikujtoi 17 shkurtin e vitit 2008 – ditën kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Aktiviteti u zhvillua në frymën e respektit dhe mirënjohjes për kontributin e të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. /Albinfo.ch.

11 fakte për 17 Shkurtin 2008, Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosova,Albinfo.ch  ju sjell 11 fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit 2008:

1. Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë.

2. Dizajni i flamurit dhe i stemës së Kosovës është realizuar nga Muhamer Ibrahimi.

3. Të parët që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë ishin presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi.

4. Shtetet e para që njohën Kosovën ishin Kosta Rika, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

5. Deklarata e Pavarësisë është nënshkruar në një pergamenë rreth 200-vjeçare.

6. Pergamena ruhet në zyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

7. Bashkë me të ruhen edhe lapsi me të cilin janë vënë nënshkrimet, lista e deputetëve nënshkrues dhe flamuri i përdorur gjatë seancës solemne.

8. Pergamena është dhuruar nga Muzeu i Londrës.

9. Flamujt e parë zyrtarë të Republikës së Kosovës janë shtypur në Turqi.

10. Himni shtetëror i Kosovës, i kompozuar nga Mendi Mengjiqi, u intonua për herë të parë në seancën e shpalljes së Pavarësisë.

11. Yjet e bardhë në flamur simbolizojnë komunitetet që jetojnë në Kosovë, harta e artë përfaqëson territorin dhe pasurinë e vendit, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon orientimin evropian. Seanca u transmetua drejtpërdrejt nga media ndërkombëtare si CNN dhe BBC.

Diaspora: 15 miliardë € në 18 vjet për Kosovën

Që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, komuniteti shqiptar në diasporë ka mbështetur vendin me remitenca që kanë prekur çdo sferë të jetës ekonomike dhe sociale, duke kontribuar në përmirësimin e standardit të jetesës së familjeve shqiptare dhe të vendit në tërësi.

Kosova feston këtë vit 18 vjet Pavarësi, një rrugëtim historik i ndërtuar mbi sakrificë, guxim dhe përkushtim. Një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi janë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët i janë gëzuar më së shumti Pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke investuar në shumë sfera. 

Diaspora ka dërguar mbi 15 miliardë euro remitenca në Kosovë nga viti 2008 deri më 2025. Në fakt, kjo mbështetje e vazhdueshme nuk është thjesht financiare, ajo pasqyron lidhje të forta emocionale, solidaritet dhe përgjegjësi ndaj familjeve dhe vendit, shkruan albinfo.ch. 

 

Diaspora, një shtyllë e qëndrueshme e ekonomisë

Përtej ndihmës familjare, remitencat e diasporës kanë transformuar ekonominë e Kosovës. Paratë që vijnë nga jashtë vendit përdoren për ushqim, veshmbathje, shërbime arsimore dhe shëndetësore, duke përmirësuar jetesën e mijëra familjeve. Ato stimulojnë tregun vendas, mbështesin bizneset lokale, lehtësojnë aksesin në shërbime financiare për individët dhe krijojnë mundësi të reja investimi. Çdo euro që arrin nga diaspora ka ndikim të drejtpërdrejtë në blerjet për ushqim, veshmbathje dhe shpenzime të tjera jetësore, duke reduktuar varfërinë dhe duke ndihmuar familjet të jetojnë më mirë.

Revista Albinfo.ch ka siguruar të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sipas të cilave remitencat kanë shënuar një rritje të qëndrueshme, duke kaluar nga 608.7 milionë euro në vitin 2008 në mbi 1.4 miliardë euro në vitin 2025.

Këto shifra tregojnë se diaspora ka qenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, veçanërisht në muajt e pushimeve verore dhe dimërore, kur shumë bashkatdhetarë vizitojnë vendin dhe dërgojnë përfitime shtesë për familjet.

 

Lidhja emocionale dhe sociale me Kosovën

Përveç ndikimit ekonomik, diaspora ka ruajtur identitetin, kulturën dhe traditat kosovare. Shumë familje presin kthimin e bashkatdhetarëve gjatë pushimeve për të ndarë histori, për të festuar së bashku dhe për të forcuar lidhjet familjare, shkruan tutje albinfo.ch. 

Investimet dhe remitencat nuk janë thjesht para, ato janë shprehje e kujdesit, dashurisë dhe përgjegjësisë ndaj vendit të lindjes.

18 vjet Pavarësi tregojnë se sukseset e Kosovës nuk janë vetëm arritje politike, por edhe rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të diasporës. 

Përmes remitencave, shqiptarët jashtë vendit kanë ndihmuar vendin të rritet, të forcojë ekonominë, dhe të përmirësojë jetën e çdo qytetari.

Historia e suksesit ekonomik të Kosovës është pjesërisht edhe historia e përkushtimit dhe sakrificës së diasporës, prandaj ajo ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë një simbol i lidhjes së pandashme me Kosovën./Albinfo.ch 

Albinfo.ch
Albinfo.ch

Kosova shënon 18 vjet Pavarësi

Sot, më 17 shkurt, Kosova shënon 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë – një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të vendit. Më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë, u shpall zyrtarisht Pavarësia e Kosova, duke hapur një kapitull të ri në shtetndërtimin dhe konsolidimin institucional të saj, shkruan albinfo.ch.

Kjo ditë përkujton momentin kur përfaqësuesit e zgjedhur të popullit miratuan Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Që nga ajo ditë, vendi ka kaluar nëpër sfida të shumta politike, ekonomike dhe diplomatike, por ka shënuar edhe përparime të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Agjendë festive dhe aktivitete shtetërore

Edhe këtë vit, institucionet e vendit kanë paraparë një agjendë të ngjeshur aktivitetesh për shënimin e 18-vjetorit. Ceremoni shtetërore, homazhe pranë monumenteve të rëndësishme, ngritja solemne e flamurit, si dhe aktivitete kulturore e artistike janë pjesë e programit zyrtar.

Në kryeqytet dhe në qytete të tjera organizohen koncerte festive, ekspozita dhe aktivitete për qytetarët, duke e kthyer këtë ditë në një festë mbarëkombëtare që bashkon qytetarët brenda dhe jashtë vendit.

Rrugëtimi i njohjeve ndërkombëtare

Gjatë këtyre 18 viteve, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Njohjet diplomatike nga një numër i konsiderueshëm shtetesh kanë konsoliduar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare, ndërsa anëtarësimi në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare ka ndihmuar në rritjen e prezencës së saj globale.

Po ashtu, vendimi i Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010, i cili konstatoi se shpallja e Pavarësisë nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, përbën një nga momentet kyçe në forcimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Një shtet në ndërtim e sipër

18 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova vazhdon procesin e konsolidimit institucional, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të demokracisë. Sfida mbeten, por përparimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe integrim ndërkombëtar janë dëshmi e rrugëtimit të saj si shtet i ri në Evropë.

17 shkurti mbetet një ditë reflektimi për sakrificën e brezave dhe njëkohësisht një ditë shprese për të ardhmen. Me agjendën festive të sotme dhe me përkushtimin për zhvillim të mëtejmë, Kosova shënon 18 vjet shtetësi me synimin për të forcuar edhe më tej pozicionin e saj në familjen e kombeve. /Albinfo.ch

Mbreti Charles III uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një mesazh urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e përvjetorit të 18-të të Pavarësisë së vendit.

Në letrën e tij, Mbreti Charles III ka shprehur urimet më të ngrohta për qytetarët e Kosovës dhe ka theksuar lidhjet e forta dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

“Kjo ditë ofron një rast të veçantë për të vlerësuar miqësinë e qëndrueshme midis vendit tonë dhe Kosovës. Jam i motivuar nga lidhjet tona bilaterale dhe i përkushtuar të forcoj bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Ndërsa përballemi me sfidat globale, veçanërisht ato që lidhen me mjedisin dhe ruajtjen e natyrës, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje të qëndrueshme”, thuhet në mesazhin e Mbretit, të publikuar nga Ambasada britanike në Kosovë.

Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla gjithashtu kanë uruar paqe, mirëqenie dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ambasada e Francës uron Kosovën për 18-vjetorin e pavarësisë

Ambasada e Francës në Kosovë ka dërguar urime për festimin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në një postim në Facebook, ambasada ka shpërndarë një foto ku shihen flamujt e Kosovës dhe Francës, duke shprehur urimet e tyre:

“Ambasada e Francës uron Republikën e Kosovës për Ditën e Pavarësisë.”

Rriten dërgesat ilegale të medikamenteve nga BE drejt Zvicrës

Dërgesat ilegale të barnave drejt Zvicrës po vijnë gjithnjë e më shumë nga vendet e Bashkimit Evropian. Në vitin 2022, vetëm 9% e paketave ilegale ishin nga BE-ja, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër arriti 40%. Paketat vijnë kryesisht nga Francë dhe Gjermani, ndërsa dërgesat nga India dhe Europa Lindore kanë rënë.

Swissmedic paralajmëron për rreziqe shëndetësore dhe evidenton se ofrues të huaj operojnë si farmacitë online zvicerane të pretenduara. Edhe pse numri i dërgesave ilegale ka pësuar një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2024, situata mbetet relativisht e qëndrueshme. Paketat më të shpeshta përmbajnë medikamente për çrregullime të ereksionit, por janë rritur edhe ato me trajtime për humbje të flokëve dhe preparate hormonale.

Stuhitë Atlantike shkaktojnë kaos moti në Evropë

Europa po përballet me kaos moti. Stuhitë e dhunshme dhe përmbytjet e papritura në Spanjë dhe Francë kanë shkaktuar viktima dhe dëme të shumta. Në të njëjtën kohë, Zvicra po pret borë të madhe dhe kushte të rrezikshme në malet e saj.

Obergesteln, në kantonin Valais, u zgjua të hënën nën një shtresë të trashë bore. Meteorologët parashikojnë deri në një metër borë gjatë kësaj jave, ndërsa erërat e forta rrisin rrezikun e lavinave në Valais, në anët veriore të Alpeve dhe në Graubünden.

“Kjo javë do të jetë e stuhishme deri të enjten,” thotë Klaus Marquardt nga Meteo News. “Ndoshta dielli do të shfaqet për pak, por kryesisht do të ketë stuhi dhe reshje të dendura bore në male.”

Një incident i parë u regjistrua të hënën në mëngjes: një tren në Goppenstein u rrëzua për shkak të një lavine, dhe ekipet e shpëtimit presin disa të lënduar.

Megjithatë, për qendrat e skijimit, reshjet e borës janë një bekim pas një janari të pazakontë dhe të thatë, duke mundësuar kushte më të mira për pistat dhe një sezon më të gjatë, veçanërisht në Alpet perëndimore dhe qendrore.

Shkaku i këtyre motit ekstrem janë sistemet e reja stuhore që formohen mbi Atlantik dhe pastaj lëvizin drejt Evropës, duke sjellë stuhitë, përmbytjet dhe borën e dendur që po përjeton kontinenti.

Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës ka bërë ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Zvicra, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Sipas Policisë, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane për shkak të urdhërarrestit të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vrasje në tentativë”. I njëjti ishte shmangur nga drejtësia para se të arrestohej jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Ekstradimi u realizua në bashkëpunim mes institucioneve të Kosovës dhe atyre zvicerane. Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari është dorëzuar njësive përkatëse policore për procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës njoftoi se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për të parandaluar dhe hetuar aktivitetet kriminale, si dhe për të kapur personat dhe grupet kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.