Zvicër: Ideja që kompanitë të paguajnë për sëmundjet e punonjësve diskutohen në Parlament

Christian Dandrès, deputet nga Partia Socialdemokrate, ka paraqitur një mocion në Parlament që propozon që punëdhënësit të kontribuojnë në shpenzimet e sigurimit shëndetësor të detyrueshëm për punonjësit e tyre, përcjell albinfo.ch.

Propozimi i tij bazohet në të dhëna që tregojnë një rritje të rreziqeve fizike dhe psikologjike të shkaktuara nga stresi në vendin e punës. Dandrès kërkon gjithashtu që kompanitë të mbulojnë kostot e certifikatave mjekësore që kërkojnë nga punonjësit e sëmurë.

Ekspertët konfirmojnë se disa kushte pune mund të rrisin nivelin e stresit, por theksojnë se është e vështirë të përcaktohet saktësisht sa sëmundje shkaktohen drejtpërdrejt nga puna. /Albinfo.ch

Rrezikohet prodhimi i “Aroma” në Zvicër, nis peticioni për të shpëtuar vendet e punës

Aromat, një element i përhershëm në tryezat zvicerane për gjenerata, po përballet me rrezikun e zhvendosjes jashtë vendit. Ky produkt i njohur është pjesë e identitetit kombëtar, por “zvicrania” e tij po dobësohet gradualisht, përcjell albinfo.ch.

Megjithëse prodhuesi i tij, Knorr, është në pronësi të multinacionales britanike Unilever, Aromat është prodhuar gjithmonë në Thayngen, kantoni Schaffhausen.

Tani, shqetësimet janë rritur për shkak të bashkimit të propozuar mes divizionit ushqimor të Unilever dhe kompanisë amerikane McCormick. Ky hap mund të çojë në zhvendosjen e prodhimit jashtë Zvicrës dhe humbjen e vendeve të punës për 180 punonjësit në Thayngen.

Për këtë arsye, është nisur një peticion me emrin “Aromat i përket Zvicrës”, me qëllimin për të mbledhur 10,000 nënshkrime që të ndalohet largimi i këtij produkti ikonë jashtë vendit. /Albinfo.ch

Xherdan Shaqiri shpallet lojtari më i mirë i xhiros 32 në Superligën zvicerane

Xherdan Shaqiri është zgjedhur futbollisti më i mirë i xhiros së 32-të në Swiss Super League, shkruan albinfo.ch.

Shaqiri luajti një rol vendimtar në ndeshjen e Baselit kundër Young Boys, ku rezultati përfundoi 3:3. Ai shënoi një supergol dhe ofroi pasime kyçe që çuan te dy golat e tjerë të ekipit të tij.

Futbollisti shqiptar me pasaportë zvicerane u shpall më i miri i xhiros përmes votave të tifozëve të ligës, duke dëshmuar sërish talentin dhe rëndësinë e tij në Superligën zvicerane. /Albinfo.ch

Zvicra arriti një rekord prej 23 medaljesh në Lojërat Olimpike Dimërore Milano‑Cortina 2026

Delegacioni zviceran arrin një nga rezultatet më të mira në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore, me medalje në disa disiplina dhe një nisje të artë nga Franjo von Allmen, përcjell albinfo.ch.

Delegacioni i Switzerland ka shkruar histori në 2026 Winter Olympics, duke fituar gjithsej 23 medalje – një nga rezultatet më të mira të arritura ndonjëherë nga vendi në një Olimpiadë Dimërore.

Suksesi për ekipin zviceran nisi që në fillim të garave, kur skiatori Franjo von Allmen fitoi medaljen e artë në disiplinën e zbritjes së shpejtë për meshkuj (downhill), duke i dhënë delegacionit një start të fuqishëm në këtë edicion olimpik.

Gjatë gjithë Lojërave, sportistët zviceranë u ngjitën disa herë në podium në disiplina të ndryshme të sporteve dimërore. Medaljet e arta, të argjendta dhe të bronzta erdhën nga sporte të ndryshme dhe nga atletë të brezave të ndryshëm, duke dëshmuar për forcën dhe traditën e gjatë të Switzerland në sportet dimërore.

Seria e sukseseve u përmbyll me medaljen e argjendtë në curling, duke e çuar numrin total të medaljeve në 23. Ky rezultat u festua gjerësisht në gjithë vendin dhe u konsiderua si një moment krenarie për sportin zviceran dhe për traditën e tij të fortë olimpike. /Albinfo.ch

Bunkerët ushtarakë në Zvicër po shndërrohen në qendra të sigurta për ruajtjen e të dhënave

Bunkerët e vjetër të ushtrisë në Switzerland po fitojnë një rol të ri, pasi gjithnjë e më shumë kompani ndërkombëtare po i përdorin ato për ruajtjen e të dhënave të ndjeshme në qendra të sigurta nëntokësore, përcjell albinfo.ch.

Sipas Bastien Henri, menaxher i shitjeve në kompaninë Bunker Swiss, këto objekte janë shumë të mbrojtura dhe funksionojnë në mënyrë tepër konfidenciale.

“Objektet nëntokësore janë rreptësisht konfidenciale, por ato ekzistojnë,” ka deklaruar ai.

Interesi për këto bunkerë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, pasi shumë kompani kërkojnë vende të sigurta për të ruajtur të dhënat e tyre, larg rreziqeve kibernetike apo kërcënimeve të tjera.

Megjithatë, kërkesa është shumë më e madhe sesa oferta. Sipas Henrit, kompania e tij merr rreth 100 kërkesa çdo javë nga kompani të ndryshme në mbarë botën që duan të vendosin serverët dhe të dhënat e tyre në bunkerët zviceranë. Madje disa klientë janë detyruar të presin në listë pritjeje.

Ai shtoi se hapësirat e disponueshme janë shumë të pakta, ndërsa investimi për këto qendra të ruajtjes së të dhënave mund të arrijë në dhjetëra miliona franga. /Albinfo.ch

Bota reagon pas armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit

Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë pajtuar të mërkurën për një armëpushim dyjavor, nën ndërmjetësimin e Pakistanit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë kësaj kohe, palët pritet të zhvillojnë bisedime për një marrëveshje për paqe të përhershme.

Më poshtë mund t’i lexoni reagimet nga anë e mbanë botës për armëpushimin e përkohshëm:

Bashkimi Evropian
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti armëpushimin dyjavor midis Shtetet e Bashkuara dhe Iran, duke thënë se ai do t’i ulë tensionet.

“E mirëpres armëpushimin dyjavor për të cilin SHBA-ja dhe Irani u pajtuan mbrëmë. Ai sjell uljen e tensioneve, që është shumë e nevojshme” tha ajo, duke shtuar se është thelbësore që negociatat të vazhdojnë për një zgjidhje të qëndrueshme.

Gjermania
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, gjithashtu e përshëndeti armëpushimin në luftën në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për një përfundim përfundimtar të konfliktit.

Qëllimi tani është “të negociohet një fund i qëndrueshëm i luftës në ditët në vijim”, tha ai në një deklaratë.

“Kjo mund të arrihet vetëm përmes diplomacisë”.

Ai shtoi se Gjermania do të kontribuojë “për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”.

Franca
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e përshëndeti armëpushimin, duke e quajtur marrëveshjen “gjë shumë e mirë”.

Irani pranon të hapë Ngushticën e Hormuzit për dy javë

Irani ka rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kushtëzuar marrëveshjen me ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj territorit të tij, sipas BBC, përcjell albinfo.ch.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili deklaroi se për një periudhë dyjavore do të garantohet kalim i sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas tij, kjo masë synon të ulë tensionet në një nga pikat më të ndjeshme të tregtisë globale të energjisë, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e naftës botërore.

Vendimi vjen pas një periudhe përshkallëzimi të ndjeshëm mes Teheranit dhe Uashingtonit, që kishte rritur shqetësimet për ndërprerje të furnizimeve globale dhe rritje të çmimeve të naftës.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili ka ndërmjetësuar bisedimet mes palëve, konfirmoi se armëpushimi ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ai e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të situatës në rajon dhe shmangies së një konflikti më të gjerë.

Analistët vlerësojnë se hapja e përkohshme e Ngushticës së Hormuzit mund të sjellë lehtësim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare, megjithatë paralajmërojnë se situata mbetet e brishtë.

E ardhmja e marrëveshjes pritet të varet nga zhvillimet në terren dhe nga gatishmëria e të dyja palëve për të vazhduar dialogun diplomatik.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe vijim të negociatave, duke theksuar rëndësinë strategjike të rajonit për sigurinë globale dhe ekonominë botërore.

Vjosa Osmani: E kam mbrojtur Albin Kurtin kur të gjithë donin ta rrëzonin, ai më rrëzoi mua

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një emison televiziv në Kosovë është pyetur mbrëmë në lidhje me akuzat që i janë bërë nga VV se ajo i kishte bërë një “puç” për ta rrëzuar Qeverinë bashkë me opozitën apo Edi Ramën, përcjell albinfo.ch.

Ajo e ka mohuar këtë, ndërsa tha se nëse do të donte ta rrëzonte Qeverinë nuk do të kërkonte të rizgjidhej si Presidente. Sipas saj, rizgjedhja e saj në krye të shtetit, i garantonte VV-së 51% e jo ndërprerjen e saj.

“Nëse do të kisha plane tjera, fare nuk do të merresha me Presidencën. Sikur të kisha plane tjera do të kandidoja edhe në zgjedhjet e dhjetorit, apo do të insistoja të mos respektoheshin afatet kushtetuese por të jepeshin edhe 60 ditë siç kërkonin në mënyrë kundërkushtetuese, ashtu që të bëhej një gjë e tillë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se për akuzat që i janë bërë për bashkëpunim me Aleksandër Vuçiqin e Serbisë apo Rusinë, do t’i drejtohet Gjykatës.

” Me komentues nuk merrem, por me ata që janë sot në politikë por më kanë akuzuar padrejtësisht për pjesëmarrje në situata të tilla, do të merrem në Gjykatë deri në frymën e fundit”, ka thënë ajo.

Osmani ka folur edhe për Albin Kurtin, dhe “mbrojtjen” që ajo ka thënë se i ka bërë atij.

“Unë e kam mbrojtur kryeministrin Kurti kur të gjithë donin ta rrëzonin, por ai më rrëzoi mua kur të gjithë më kërkonin si Presidente. E kam mbrojtur edhe në momente të rënda si marsi 2020, edhe sfida të shumta gjatë këtyre 5 viteve. Kur të gjithë donin ta rrëzonin unë dilja ta mbroja, kur populli më kërkonte ai e bëri të kundërtën. Bashkëpunimi ynë ka qenë garanca e një mandati tjetër të Qeverisë, ata nuk e duan, juu uroj suksese ta zgjedhin Presidentin e ri”, ka thënë Osmani.

Në lidhje me mundësinë për të kandiduar përsëri për Presidente, Osmani e ka parë pak a shumë si të pamundur.

“Unë nuk mund të kërkoj mbështetje nga partitë opozitare kur nuk e kam mbështetjen e partisë më të madhe shumë para dekretit”, ka shtuar ajo. /Albinfo.ch

Marigona Uka punësohet në Microsoft si Specialiste e Cloud dhe IA

Me prejardhje nga Polaci i Skenderajt, Marigona Uka nis një kapitull të ri si Specialiste e Cloud & Inteligjencës Artificiale në gjigantin global të teknologjisë, transmeton albinfo.ch.

Në një kohë kur konkurrenca globale në fushën e teknologjisë është më e fortë se kurrë dhe suksesi kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm, një emër nga Kosova po shënon një arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Marigona Uka ka arritur të sigurojë një pozitë të rëndësishme në gjigantin botëror të teknologjisë, Microsoft, duke u bërë ndër gratë e para nga vendi ynë që ngjitet në nivele të tilla në një kompani kaq prestigjioze.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Marigona, ku ka treguar emocionet për fillimin e rrugëtimit të saj të ri profesional.

“Sot, po filloj një kapitull të ri si Specialiste e Cloud & IA në Microsoft. Jam e emocionuar që po i bashkohem një ekipi kaq të talentuar dhe frymëzues… Pres me padurim të mësoj, të rritem dhe të kontribuoj në gjithçka që po ndërton ky ekip. Gëzuar fillimet e reja dhe sfidat përpara”, është shprehur ajo, transmetohet tutje albinfo.ch.

Ajo ka falënderuar gjithashtu bashkëpunëtorët dhe ekipin e integrimit për mbështetjen dhe pritjen e ngrohtë gjatë ditës së parë në këtë kompani.

Suksesi i Marigona Ukës konsiderohet një dëshmi e qartë e punës së palodhshme, disiplinës dhe këmbënguljes për të arritur majat e karrierës në një treg ndërkombëtar shumë kërkues./Albinfo.ch

 

Photo: Likendin (profile Marigona Uka)

Rina Januzi, artistja shqiptare nga Kosova që po shkëlqen në Finlandë

Bëhet fjalë për Rina Januzi, e cila është një artiste shqiptare nga Kosova, e cila jeton dhe vepron prej vitesh në Finlandë, ku po ndërton një rrugëtim serioz dhe të dallueshëm në skenën muzikore, transmeton albinfo.ch.

E njohur për një zë të veçantë dhe ngjyrime të ëmbla vokale, Rina shquhet për delikatesën në interpretimin live, duke reflektuar profesionalizëm dhe ndjeshmëri artistike në çdo paraqitje.

Ajo arrin të krijojë një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale, duke e bërë muzikën e saj lehtësisht të dallueshme dhe të pëlqyeshme për publikun.

Përveç këndimit, ajo shoqëron performancat e saj edhe me pianon, instrument të cilin e zotëron me mjeshtëri, duke i dhënë çdo interpretimi një dimension më të plotë dhe më artistik, transmeton tutje albinfo.ch.

 

Facebook

 

Së fundmi, Rina ka ndarë një lajm të rëndësishëm me ndjekësit e saj, duke bërë të ditur se është përzgjedhur mes 30 artistëve nga gjithsej 249 aplikantë, për të pasur mundësinë të performojë në festivalin prestigjioz Louhela Jam 2026, i cili mbahet në Vantaa, Finlandë.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohëse dhe e lumtur që jam përzgjedhur mes 30 artistëve nga 249 aplikantë… Tani gjithçka varet nga ju. Vetëm 5 artistë me më shumë vota nga publiku do të ngjiten në skenën e festivalit… dhe kjo do të thoshte shumë për mua”, është shprehur ajo.

Votimi është i hapur deri më 13 prill, ndërsa publiku ka mundësi të votojë për dy artistë të ndryshëm. Rina u ka bërë thirrje mbështetësve që ta votojnë dhe të shpërndajnë postimin e saj, duke theksuar se përkrahja e tyre është vendimtare në këtë hap të rëndësishëm të karrierës së saj./Albinfo.ch

Facebook

 

Nga Suedia, Rina Januzi nominohet në “Netët e Klipit Shqiptar 2025”

Ushtarë nga Austria, Italia dhe Rumania zhvillojnë trajnim për asgjësimin e mjeteve shpërthyese në Kosovë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se ushtarë nga Austria, Italia dhe Rumania kanë zhvilluar një ushtrim të përbashkët për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, si pjesë e aktiviteteve të rregullta të trajnimit në terren, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit, gjatë këtij ushtrimi janë ndjekur me përpikëri procedurat e nevojshme të sigurisë, si dhe standardet për mbrojtjen e mjedisit, me qëllim që operacionet e tilla të kryhen në mënyrë profesionale dhe të kontrolluar.

KFOR thekson se ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të garantuar stabilitet dhe siguri në Kosovë, duke rritur gatishmërinë operacionale të trupave të saj.

“Ky aktivitet i rregullt pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të bashkëpunuar me institucionet vendore, për të forcuar partneritetet dhe për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet mes tjerash në njoftimin zyrtar.

Misioni i KFOR-it vazhdon të luajë rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet lokale dhe ndërkombëtare./Albinfo.ch

Pezullohen sulmet ndaj Iranit, Trump e njofton zyrtarisht: Ka një plan me 10 pika

Në një deklaratë të shpërndarë në platformën Truth Social, Presidenti i SHBA-së, Donald J. Trump, tha se ka vendosur të pezullojë përkohësisht sulmet ndaj Iranit. Ky veprim lidhet direkt me zhvillimet diplomatike në rajon.

Trump sqaroi se ky vendim erdhi pas bisedimeve me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe komandantin ushtarak pakistanez, Asim Munir.

Deklarata e plotë:

“Bazuar në bisedimet me Kryeministrin Shehbaz Sharif dhe Field Marshal Asim Munir, të Pakistanit, dhe duke qenë se ata kërkuan që unë të ndal forcën shkatërruese që po dërgohej sonte drejt Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të bjerë dakord për HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë bie dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmin ndaj Iranit për një periudhë dyjavore. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM me dy palë!

Arsyeja për këtë është se ne tashmë kemi përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake, dhe jemi shumë përpara në arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare për PAQE afatgjatë me Iranin, si dhe për PAQE në Lindjen e Mesme.

Ne kemi marrë një propozim me 10 pika nga Irani dhe besojmë se ai përbën një bazë të realizueshme për negociata. Pothuajse të gjitha pikat e ndryshme të mosmarrëveshjeve të së kaluarës janë rënë dakord midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por një periudhë dyjavore do të lejojë që Marrëveshja të finalizohet dhe të përmbyllet.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si President, dhe gjithashtu duke përfaqësuar vendet e Lindjes së Mesme, është një nder që ky problem afatgjatë është pranë zgjidhjes. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!

President DONALD J. TRUMP”

Sipas kësaj deklarate, një armëpushim i përkohshëm dhe negociatat në vazhdim mund të hapin rrugën për një marrëveshje më të gjerë paqeje në rajon, përfshirë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iran, si dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.

Studim i ri: Një në pesë fëmijë në botë viktimë e dhunës seksuale

Një studim i ri tregon se dhuna seksuale në fëmijëri është e përhapur globalisht dhe ka pasoja serioze që vazhdojnë deri në moshën e rritur.

Sipas një analize globale, 20.1% e grave dhe 16.8% e burrave kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë fëmijërisë. Studimi mbuloi të dhëna nga 1,412 hulumtime në 147 vende, duke përfshirë mbi shtatë milionë persona, dhe tregon se mbi 130 milionë fëmijë ishin të prekur nga dhuna seksuale vetëm në vitin 2024, transmeton albinfo.ch.

Në Evropë dhe Amerikën e Veriut, përqindja e viktimave është 25.6% për gratë dhe 15.8% për burrat. Në Zvicër, sipas të dhënave të Child Protection Switzerland, rreth një në shtatë fëmijë ka përjetuar dhunë seksuale që përfshin kontakt fizik.

Dhuna ndaj fëmijëve shpesh mbetet e pazbuluar

Shumë raste nuk raportohet kurrë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se turpi, frika, varësia ose mungesa e fjalëve shpesh pengojnë viktimat të flasin. Ekspertët paralajmërojnë se shifrat e regjistruara janë vetëm maja e ajsbergut, dhe shumë raste mbeten të fshehura, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë të vegjël.

Pasojat mund të jenë të rënda dhe afatgjata

Studimet tregojnë se pasojat e dhunës seksuale shkojnë përtej fëmijërisë. Viktimat kanë rrezik më të lartë për depresion, ankth, çrregullime post-traumatike, varësi ose sëmundje fizike.

Në të njëjtën kohë, problematika po zhvendoset gjithnjë e më shumë në botën digjitale. Child Protection Switzerland paralajmëron se krimet seksuale në internet po rriten dhe kryesisht prekin të rinjtë.

Trump: SHBA po zhvillon bisedime intensive për konfliktin me Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara janë të përfshira në negociata intensive lidhur me konfliktin në Iran, pa zbuluar detaje mbi përmbajtjen e tyre.

“Nuk mund t’ju jap informacione të sakta, pasi aktualisht jemi në bisedime intensive,” tha Trump për Fox News gjatë një interviste të shkurtër telefonike, kur u pyet për progresin e negociatave.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se Trump është informuar mbi propozimin për një armëpushim dyjavor, i bërë nga kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, me qëllim lehtësimin e negociatave diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi për CNN se një përgjigje për këtë iniciativë do të jepet së shpejti:

“Presidenti është informuar mbi propozimin dhe një vendim do të komunikohet,” tha Leavitt.

Paralajmërimet e Trump rrisin tensionet në ngushticën e Hormuzit dhe çmimet e naftës

Çmimet e naftës në tregun amerikan kanë kaluar 117 dollarë për fuçi, pas tensioneve të reja që lidhen me Ngushticën e Hormuzit.

Rritja e çmimeve ndodhi pas paralajmërimeve të ish-presidentit Donald Trump për ndërmarrjen e veprimeve ndaj Iranit, nëse kjo rrugë kyçe për transportin e naftës nuk rihapet menjëherë.

Ekspertët vënë në dukje se bllokimi i ngushticës dhe përshkallëzimi i konflikteve shtojnë pasigurinë në tregjet globale dhe krijojnë presion mbi ekonominë botërore.

Mbrëmje falënderimi për kontribuesit e manifestimit “Kurora e Lirisë”

Shoqatat frankofone pjesëmarrëse në Manifestimin “Kurora e Lirisë” orgnizojnë një mbrëmje miqësore e cila do të mbahet në Lozanë, më 18 prill 2026 nga ora 18:00 Restaurant Le Florissant, Avenue de Florissant 28,1020 Renens.

Kjo mbrëmje është mendur si një moment i ngrohtë takimi dhe vlerësimi, kushtuar të gjithë atyre që me përkushtim, talent dhe shpirt kontribuan në realizimin e manifestimit “Kurora e Lirisë”.

Në program do të jetë prezantimi vizual i reportazhit të manifestimit nga BesaInfo, pastaj shprehje mirënjohjeje për të gjithë kontribuesit, prezantimi i projekteve dhe iniciativave që na presin në vazhdim, njofton albinfo.ch., sponsor medial i manifestimit.

Do të ketë një apero në një atmosferë festive me muzikë nga Grupi ART Band.

Me konsideratë të lartë dhe mirënjohje të veçantë, nga mikpritësit: ”Dora d’Istria”, “ART Band”, “Ilirët”, “Teuta” dhe “Lahutari”.

Të interesuariit për pjesëmarrje duhet ta konfirmojnë pjesëmarrjen në këta numra::+4179 607 46 74 ose +41 79 825 63 20

 

Papa e konsideron kërcënimin ndaj popullit iranian “të papranueshëm”

Papa Leo XIV e konsideroi “të papranueshëm” kërcënimin e Presidentit amerikan Donald Trump për “shkatërrimin e civilizimit iranian”.

“Sot (…), ekzistoi ky kërcënim ndaj të gjithë popullit iranian, dhe kjo është vërtet e papranueshme. Sigurisht që ka çështje të së drejtës ndërkombëtare, por më e rëndësishmja është se kjo është një çështje morale,” tha Papa gjatë një deklarate për gazetarët, ndërsa largohej nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo, pranë Romës, drejt Vatikanit, transmeton albinfo.ch.

Policia e Vaudit intensifikon kontrollet ndaj automjeteve me zhurmë të tepërt

Policia kantonale e Vaudit në Zvicër po shton aksionet kundër automjeteve që shkaktojnë zhurmë të tepërt, duke zhvilluar rreth 20 operacione të tilla çdo vit. Një ndërhyrje e fundit u realizua në rajonin e Nyonit, ku u kontrolluan dhjetëra automjete.

Autoritetet bëjnë të ditur se objektiv i këtyre kontrolleve janë makinat me modifikime të paligjshme dhe drejtuesit që shfaqin sjellje të rrezikshme në rrugë, si përshpejtimet e forta apo rrotullimi i gomave. Aksionet po zhvillohen që nga viti 2021 në bashkëpunim me policinë komunale dhe institucionet e transportit.

Gjatë vitit 2025 janë kontrolluar rreth 500 automjete, ndërsa afërsisht gjysma e drejtuesve janë ndëshkuar për shkelje. Vetëm në kontrollin e fundit në Nyon, nga 36 automjete të inspektuara, katër u sekuestruan për mosrespektim të standardeve.

Policia thekson se këto masa vijnë si përgjigje ndaj ankesave të qytetarëve për ndotjen akustike dhe synojnë rritjen e sigurisë në rrugë. Ndaj shkelësve parashikohen masa administrative dhe gjoba.

Shifrat: Rritje e turistëve në Shqipëri

Shqipëria vijon të mbetet destinacion i preferuar turistik, konfirmuar kjo edhe nga shifrat gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se, Shqipëria, gjatë muajit mars, mirëpriti 609.363 vizitorë të huaj, një rritje prej 59.598 turistësh krahasuar me marsin e vitit 2025, ose rreth 11% më shumë.

“Në një kohë sfidash globale, Shqipëria po spikat si një alternativë e sigurt dhe gjithnjë e më tërheqëse për turizmin gjithëvjetor. Nga natyra te trashëgimia kulturore, mikpritja, kulinaria dhe jeta artistike, oferta turistike shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e botës”, u shpreh ministri Gonxhja, transmeton albinfo.ch.

Jo vetëm marsi, por në të tre muajt e parë të vitit është regjistruar rritje e numrit të turistëve, të biletave për vizita në parqet kulturore e historike, zonat e mbrojtura dhe kalatë. Ndërkohë që synimi kryesor mbetet arritja e një turizmi gjithëvjetor, duke ofruar diversitet të lartë në turizmin natyror, kulturor, historik, aventurë, traditë, kulinari e më gjerë.

Kështu, shifrat konfirmojnë trendin edhe në Kalanë e Gjirokastrës, e cila, sipas DRTK, gjatë muajit mars 2026, është vizituar nga 14.253 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 57,56% krahasuar me marsin e vitit 2025.

Ky trend pozitiv tregon interesin gjithnjë në rritje për trashëgiminë kulturore dhe historinë e qytetit të Gjirokastrës.

Evropianët ‘rrallojnë’ fluturimet për shkak të çmimit të karburantit

Bllokimi i zgjatur i Ngushticës së Hormuzit po kthehet në një makth për kompanitë ajrore dhe aeroportet evropiane.

Në Itali, disa aeroporte përfshirë atë në Brindisi, Venecia, Treviso e Bolonja kanë vendosur kufizime në karburantin për avionë me qëllimin të sigurohen furnizime të mjaftueshme për fluturimet.

Çmimi i karburantit për avionët në Evropë ka tejkaluar 1.900 dollarë për ton, më shumë se dyfish krahasuar me fundin e shkurtit, duke rritur kostot operative deri në 50% për disa kompani, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Shumë linja ajrore evropiane kanë siguruar furnizime për muajt e ardhshëm, por disa prej tyre janë tejet të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve dhe mungesës fizike të karburantit. Për këtë arsye, kompani si Lufthansa po përgatiten për reduktim të fluturimeve.

Gjiganti gjerman i aviacionit civil mund ta ulë midis majit dhe korrikut numrin e fluturimeve në 100-200 fluturime në ditë, e të lërë në tokë 20 deri në 40 avionë.

Edhe linjat ajrore amerikane dhe aziatike po marrin masa të ngjashme. Ekspertët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i konfliktit rrezikon të krijojë një krizë operative e cila nuk mund të zgjidhet vetëm me kontrata financiare.

Ndërkohë, Evropës i mungojnë të dhëna të sakta për sasinë e karburantit të disponueshëm dhe kapacitetin e rafinerive.

Situata e krijuar ka nxitur mbajtjen e një samiti urgjent në Bruksel në mërkurën, ku zyrtarët e Komisionit Evropian do të takohen me përfaqësuesit e transportit ajror për të diskutuar furnizimet me karburant dhe marrjen e masave urgjente.

Edhe Gjermania po i ndjen pasojat e luftës në Lindjen e Mesme

Lufta e SHBA-së dhe e Izraelit kundër Iranit po e tkurr ekonominë botërore. Kostot e energjisë po rriten ndjeshëm. Zinxhirët e furnizimit po copëzohen. Dhe nga faturat e energjisë tek ushqimet, konsumatorët po përballen me rritje çmimesh brenda vetëm një muaji.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se konflikti ka shkaktuar “ndërprerjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut botëror të naftës”, që është regjistruar ndonjëherë deri tani. Po ashtu bllokimi i Ngushticës së Hormuzit po ndërpret furnizimin me plehra kimike, duke rritur çmimet me 30-40% që nga janari, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Shenjat e ngadalësimit të rritjes ekonomike kanë filluar të shfaqen në mbarë botën. Ndërprerjet e mëdha në furnizimet globale me naftë dhe gazin e lëngshëm natyror kanë rritur kostot, veçanërisht për vendet importuese të energjisë.

Gjermani: Alarm nga prodhuesit

Dhe në ekonomitë me prodhim madhor, si Gjermania, prodhuesit kanë vënë alarmin. Timo Wollmershäuser, ekonomist pranë Institutit IFO, thotë se “Pasiguritë më të mëdha lidhen me rrjedhën e ardhshme të konfliktit me Iranin. Nëse lufta përshkallëzohet ose zgjatet, çmimet më të larta të energjisë do ta pengonin më tej rimëkëmbjen në Gjermani, zinxhirët e furnizimit mund të ndërpriten dhe tregjet financiare mund të përballen me turbulenca edhe më të mëdha.

Një anketë e kohëve të fundit nga Instituti për Kërkime Ekonomike i Mynihut u drejtoi prodhuesve gjermanë pyetjen: A jeni të shqetësuar për luftën e Iranit? Përgjigja ishte pothuajse unanime: 90% të prodhuesve po përgatiten për ndikimin e kësaj lufte. Sepse ata po e ndiejnë që tani këtë ndikim.

78% e bizneseve të pyetura thanë se po përballen me rritjen e çmimeve të energjisë. 36% po përballen me rrugë transporti të bllokuara dhe mungesa të lëndëve të para. Dhe 24% presin rënie të kërkesës për eksport.

Jo vetëm zinxhirët e furnizimit

Nën presion nuk janë vetëm zinxhirët e furnizimit, por i gjithë sistemi financiar që lidhet me prodhimin. Institutet kryesore ekonomike të Gjermanisë i ulën pritjet e tyre për parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2026në 0.6%, më pak se gjysma e parashikimit të vitit të kaluar.

Inflacioni arriti në 2.7% në mars, niveli më i lartë në dy vjet. Dhe Banka Qendrore e Gjermanisë paralajmëron se përqindja mund të rritet edhe më tej.

Inflacioni dhe rreziqet financiare

Kompanitë janë gjithashtu të shqetësuara për rreziqet financiare, primet më të larta për sigurimet dhe kostot e paqëndrueshme të transportit të mallrave. Ekspertët e ekonomisë ende presin një rritje prej afër 3% këtë vit në shkallë botërore, por inflacioni në vendet e G20-ës mund të arrijë në 4%. Pra edhe pse konflikti është i kufizuar gjeografikisht, pasojat ekonomike ndihen në mbarë botën.

Irani i kundërpërgjigjet SHBA-së

Forcat e armatosura të Iranit iu përgjigjën deklaratave kërcënuese të presidentit amerikan Donald Trump, duke i cilësuar ato si “retorikë arrogante” dhe “kërcënime të pabaza”, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të përshkallëzohen.

Në një deklaratë të transmetuar nga IRIB, zëdhënësi i komandës supreme ushtarake iraniane, Khattam al-Anbiya, theksoi se retorika e ashpër e Uashingtonit nuk ka asnjë ndikim në planifikimin apo vazhdimin e operacioneve ushtarake të Iranit.

Ai e cilësoi presidentin amerikan si “të pabalancuar”, duke shtuar se deklaratat e tij synojnë të mbulojnë humbjet e njëpasnjëshme të ushtrisë amerikane në rajon, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Sipas zëdhënësit iranian, kërcënimet e Donald Trump janë “iluzionare” dhe nuk mund të kompensojnë atë që Teherani e përshkruan si “turp dhe poshtërim” të Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme.

Deklaratat vijnë pasi Trump paralajmëroi se SHBA mund të godasë infrastrukturën kritike iraniane brenda pak orësh, nëse Teherani nuk hap plotësisht Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.

Sipas presidentit amerikan, Irani duhet të veprojë brenda një afati të caktuar, përndryshe do të përballet me sulme ushtarake ndaj objekteve energjetike dhe strategjike.

Përplasja e fortë verbale mes Shtetet e Bashkuara dhe Iran rrit shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak, me pasoja të gjera për stabilitetin e rajonit dhe tregjet globale të energjisë.